• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Çfarë u shkrua në vitin 1991-92 për Nënë Terezën

March 16, 2014 by dgreca

 Nënë Terezën e pengon ligji i vendit të saj/

 Nga Donika OMARI/

Po këmbëngulet gjithnjë e më shumë për të pasur në shtypin tonë një informacion më të plotë, sidomos për ngjarjet e rëndësishme. Dhe një ngjarje e shënuar e vitit që shkoi qe ardhja e Nënë Terezës në Shqipëri dhe dekorimi i saj me rastin e 80-vjetorit me Urdhrin “Naim Frashëri”.Në shtyp u njoftua për vizitat e takimet e Nënë Terezës,për ceremoninë e dekorimit, por nuk u pa e nevojshme të riprodhohej fjala e saj e përshëndetjes, një fjalë e shkurtër,por plot domethënie njerëzore, dhe ku, ndër të tjera, ajo bëri kërkesën për të hapur një shtëpi bamirësie në Shqipëri.

Jo më kot ajo rikujtoi se ka hapur shtëpi të tilla në të gjitha vendet, duke përmendur veçan vendet fqinje me ne.

Jo më kot theksoi vajtjen madje edhe në Kubë. Jo më kot njoftoi se i kish sjellë motrat mu këtu pranë nesh e po prisnin në Romë lejen për të filluar menjëherë nga puna.

Të gjitha këto argumente të diktuara nga dëshira dhe energjia e saj e pashtershme për të qenë e dobishme e për të shërbyer, me sa duket nuk vlejtën që të merrte një përgjigje pozitive.

Ndoshta mendohet se kërkesa e saj është e parakohshme, se duhet të miratohen më parë dekrete e ligje të caktuara.

Sidoqoftë, si qytetarë, kemi të drejtë të dimë lidhur me këtë dhe të shprehim mendimin tonë. Dhe le të kemi parasysh se një gruaje kaq heroike si Nënë Tereza nuk i mohohet gjë dhe nuk bën t’ia thyejë zemrën tamam vendi i saj.

(Rilindja Demokratike 12.01.1991)

 Libri më i fundit për Nënë Terezën

Gjendesha në kolegjin e përkthyesve të Proçidës duke punuar për përkthimin e një romani të E.Morantes, kur miku im proçidan, profesor Paskuale Lubrano, më propozoi të bëja prezantimin e librit “Tereza e Kalkutës. Lapsi i Zotit”, të gazetares së njohur italiane Franka Xambonini, që sapo ishte botuar në Itali. Por, ç’t’u thoja dëgjuesve, kur vepra tërheqëse e Xamboninit është aq e qartë, e pasur dhe e thjeshtë njëkohësisht?

Për këtë më ndihmoi vetë autorja, që thotë në parathënie se nuk ka pasur për qëllim të shkruajë një biografi. Ajo rrëfen disa ngjarje me Nënë Terezën, dhe vetëm ato që i ka jetuar vetë ose që i janë rrëfyer prej atyre që i kanë jetuar vetë.

Atëherë pse të mos i përmbahesha edhe unë këtij kriteri,meqenëse kisha patur rastin të kisha ndjerë personalisht joshjen e pranisë e të fjalës së Nënë Terezës? Kështu, pasi vura në dukje vlerat e librit, vlerat me shumë përmasa të figurës që trajton dhe ërfundimin fatbardhë të punës së ndërmarrë nga autorja, fola për ardhjen e Nënë Terezës para afro dy vjetësh në Shqipëri me rastin e dhënies së çmimit të Republikës. Qëndrimi i qeverisë shqiptare në këtë rast ishte paradoksal: e dekoronte për të vlerësuar Veprën e saj, dhe, nga ana tjetër, nuk pranonte hapjen e shtëpive të bamirësisë në Shqipëri. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, Nënë Tereza, në fjalën e falënderimit, bëri edhe një përpjekje të fundit për t’ia arritur qëllimit të saj të vërtetë të ardhjes në Shqipëri. “Kam qenë kudo e më kanë pranuar. Kam hapur shtëpi të Karitasit kudo në botë, edhe në vendet rreth e rrotull Shqipërisë, në Jugosllavi, Greqi, Rumani. F.Kastroja, kur mori vesh se përse doja të shkoja në vendin e tij, më tha: “Eja”. Ia bëra kërkesën time Presidentit, ia bëra zonjës Hoxha, të pranishme këtu, tani po ju drejtohem ju në këtë sallë, duke ju lutur të më ndihmoni të realizoj projektin tim. Motrat janë në Romë gati për të ardhur dhe presin vetëm një fjalë timen”, – këto qenë pak a shumë fjalët e saj. Gjithçka qe e kotë. Një shtet që e kishte dhunuar aq herë Kushtetutën, në këtë rast tregohej tepër skrupuloz për t’iu përmbajtur, duke iu përgjigjur Nënë Terezës se shtëpitë e bamirësisë mund të hapeshin në Shqipëri vetëm pas miratimit të një kushtetute të re.

Duke qenë e pranishme në këtë ceremoni, pata rastin të vërej këmbënguljen e njohur të Nënë Terezës, që nuk e humbiste shpresën për të nxjerrë një “po” edhe nga shkretëtira.

Thirrja e saj na drejtohej të gjithëve dhe secilit veç e veç, pra edhe mua. Doja shumë të ngrihesha e ta përkrahja kërkesën e saj. Por s’pata guxim. Megjithatë, një ndjenjë keqardhjeje, që s’më linte të qetë, më nxiti ndonjë ditë më pas, mendimin për një peticion drejtuar qeverisë në përkrahje të kërkesës së Nënë Terezës. Në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, ku punoja, munda të mblidhja 20 firma.

U përpoqa të mbledh nga institucione të tjera. Por askush nuk firmoste. “A e di se Nënë Tereza është një e dërguar e Vatikanit?”, më tha një i njohur. “A e di se ajo grua s’kërkon tjetër veç të na ndihmojë?”, iu përgjigja. Pastaj shkrova një artikull të shkurtër në RD që sapo kishte nisur të dalë.

Ndërkohë, ngjarjet, të shtyra nga lëvizja çlirimtare demokratike kundër diktaturës u rrokullisën me shpejtësi. Dhe kështu Nënë Tereza mundi ta hapë shtëpinë e saj të parë në atdheun e vet katër muaj pas atij 4 nëntori të 1990-s, që kishte dashur t’ia zhgënjente shpresat, dhe, sidoqoftë,para miratimit të kushtetutës së re.

Kur lexon për jetën dhe veprën e Terezës së Kalkutës, nuk mund të mos mendosh për rrënjët e saj shqiptare. Ajo i përket një populli që historikisht ka qenë fatkeq: truall i favorshëm ky për lindjen e një vokacioni që të bën të ndiesh vuajtjen e të tjerëve. Premtimi i bërë Zotit dhe të varfërve të saj se s’do t’i tradhëtojë kurrë, është për Gonxhe Bojaxhiun besa e dhënë njëherë e mirë. Një nga nyjet e ligjit të mikpritjes në Kanunin e Maleve është: Shtëpia është e Zotit dhe e mikut. Dhe Nënë Tereza thotë me kënaqësi se s’ka qenë kurrë e detyruar të lërë jashtë asnjë nga ata që i kanë trokitur në derë. Edhe me fjalët e saj të kursyera të kujton temperamentin e shqiptarëve, që dihet se janë njerëz të heshtur.

Ndërkaq, cilësitë e saj mund të të sjellin në mend edhe të meta tonat, të shndërruara tek ajo në virtyte. Në zonat ku izolimi ka qenë më i madh, nuk është se shqiptarët nuk janë kokëfortë. Ndërsa Nënë Tereza është këmbëngulëse,“kokëfortë” vetëm për ata që s’duan të kuptojnë arsyet e saj të diktuara nga misioni që i ka vënë vetes: të jetë çdo çast në shërbim të më nevojtarëve mes njerëzve.

Në librin e saj Xambonini e ndjek figurën e imët e të kërrusur, të famshme në botë, kudo ku ajo është shfaqur, në Indi, Amerikë, Romë, Oslo, Londër, Tiranë… Por e gjurmon hap pas hapi sidomos në sheshin e saj të betejës, në Kalkutë.

Atje filloi revolucionin e saj, duke ngritur nga një trotuar i Kalkutës një njeri që po vdiste në mjerimin më të madh. Veprim i thjeshtë, por që pati vlerën e një zbulimi.

Ndiejmë në libër intuitën e thellë të Nënë Terezës, e cila kap me një qartësi të habitshme kuptimin e fshehtë të gjërave. E pajisur me “mençurinë më të lartë, atë të zemrës”, kupton thelbësoren dhe e shpreh me fjalë thelbësore. Libri është i pasur me sentenca të saj: Vetëm duke e harruar vetveten e gjejmë prapë. Varfëria është liri. Kisha jemi ne: Unë dhe ti.

Meqë i njeh mirë kufizimet e njeriut, këmbëngul për të qenë besnikë në gjërat e vogla. Ngaqë i di mirë dobësitë njerëzore pikas madje edhe në dëshirën e lindur për të bukurën, një kurth për shpirtin. Sepse zgjon zilinë, lakminë, mosdurimin e shëmtisë fizike të tjetrit, neverinë për shformimet e tij të jashtme. Atëherë ajo vetë bëhet e skajshme: në trupin e në shtëpitë e saj pranon vetëm veshjet dhe orenditë më të thjeshta, ato të domosdoshmet. Për të, bukuria duhet të jetë vetëm e brendshme, prandaj deklaron për lebrozët e saj: Janë të bukur…

Duke shkruar këto radhë jam rrekur të shlyej paksa detyrimin që ndiej ndaj kësaj shqiptareje e cila na sjell një mësim kaq të madh me shembullin e saj. Do të vazhdoj ta shlyej këtë detyrim kur të kem përkthyer e botuar për lexuesin tonë librin “Tereza e Kalkutës. Lapsi i Zotit”1.

(Republika, 27.08.1992)

1. Libri u përkthye dhe u botua dy vjet më vonë nga shtëpia botuese “Elena Gjika”.

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: cfare u shkrua, Donika Omari, Nene Tereza

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT