• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LOT MBI RRUDHA ARVANITE…

February 22, 2014 by dgreca

Nga cikli “Takim me arvanitët”/

Nga Abdurahim Ashiku/

Kisha ardhur në Saranti, edhe pse për pushime, dhe nuk mund të rrija pa e takuar Lam Qefalarin, shkëmbin arvanitas që ecën serbes drejt shekullit. Ecën më këmbë me kërrabën e çobanit  herë në njërën e herë në tjetrën dorë. Kështu të paktën e kisha fiksuar në kujtesë dhe në fotografi pranverën e vitit të shkuar kur u ndamë, ai me delet përpara dhe unë në kabinën e kamjoçinës së të birit. Maqi shkonte në Dobrenjë për të marrë misër për blegtorinë kurse unë e Shpëtimi për të kapur autobusin e linjës drejt Thivës e më tej drejt Athinës.Më thanë se fshati ku banonte Lami është lart në male, diku tek të tetëqind metrat mbi nivelin e detit. Ngrija kokën lart dhe mbaja kapelën me dorë që të mos më binte. Kaq e thepisur është ngjitja nga Saranti në ato male të larta.

Unë i dua malet. I dua se me ta dhe mbi ta jam rritur. Nuk e di në se ka majë të “Nëntë Maleve të Dibrës” që nuk jam ngjitur. Korabit, me thënë të drejtën i kam shkuar deri në prehër, në atë prehër që vendasit e quajnë “Bjeshka e Panairit” e që është perlë në guaskën e moluskut për nga bukuria dhe begatia, shumë pranë majës, por në majë nuk jam ngjitur, thjeshtë sepse ngjitja do shokë e unë nuk i kisha.

Kur po bënim planin e udhëtimit me Eqremin i thashë edhe djalit të vinte. Me thënë të drejtën me rezervë sepse i trembesha pak atij mali të panjohur, i trembesha, jo për vete por për djalin, rrugës në këmbë. Ai u tregua i gatshëm, madje shumë kërshëri për tu ngjitur.

Eqremi kishte një makinë të mirë. E kishte marrë me kilometrazh zero dhe e mbante si kukull. Është punëtor Eqremi, nuk e ka shokun. Herët, shumë herët në mëngjes ai niset për peshkim, për tu kthyer në mesditë. Më pas kap kosoren motorike dhe korr barë e ferra duke pastruar kopshtet. Mbrëmjeve, veçanërisht verës, e gjen duke punuar në ndonjë tavernë. Edhe e shoqja, Linda është punëtore që nuk ia gjen shoqen. Por edhe fëmijëve, ndonëse ende të vegjël e shoh se u punon dora dhe mendja. Dhe, në një familje të tillë të punës, një makinë e re është pjesë e jetës, “anëtarë i familjes”.

Kur u ngjitëm në pikën më të lartë ku Saranti dukej sikur ishte futur në një fole zogjsh të natyrës po kërkoja rrugën majtas, andej nga ma kishin bërë me gisht për katundin e Lamit. Morëm djathtas. Kaluam Hortjen dhe para se të binim në Dovrenjë morëm majtas. Rruga ishte e mirë, me dy kalime, e asfaltuar dhe e vizuar si të gjitha rrugët e tjera. Ngjiteshim e ngjiteshim mbi gjarprin e rrugës. Eqremi herë pas here luante rolin e ciceronit.

– Këtu, tha në një moment, disa vite më parë, dhjetë vjet më duket, ra një zjarr i madh që dogji tërë pyllin e pishave. I shihni ato tri pishat poshtë rrugës ? Kështu, me pisha shekullore ka qenë tërë mali. U dogjën të gjitha por dora e njeriut i ripërtëriu. E shihni si është rrethuar i tërë mali me tela me gjemba ? E shihni si po rriten filizat e rinj ? E shihni si i prenë skeletet e pishave të djegura dhe formuan brezare që filizat e mbjellë të rriten ?  Ndryshe ndodhi me malin përkarshi, atë malin e lartë të zhveshur lakuriq nga gjelbërimi. Atë thonë se u dogj fill mbas Luftës së Dytë Botërore. Njeriu nuk vuri dorë. Edhe natyra nuk qe në gjendja ta gjelbërojë përsëri…

Kështu ngjiteshim e ngjiteshim, herë duke parë malet me bashkën e gjelbër mbi shpinë e herë duke ndjekur gjarprin e kaltër të kanalit të Monrosë që duke përshkuar afro dyqind kilometra rrugë sjell ujë të bollshëm të pijshëm në çezmat e athinasve.

Kur gjarpri i rrugës e uli kokën një tjetër pamje na i mori jo vetëm sytë por edhe mendjen. Mbi kreshtat majëmaleve elika treshe si krahë ciklopikë, rrotulloheshin nga flladi i pragut të mbrëmjes. Tri ishin fare pranë, pesë të tjera larg e larg, tri (kaq më kap syri), shumë e shumë më larg. Grekët ia kanë marrë dorën vjeljes së frutave të natyrës. Erën majëmaleve e kthen në dritë. Edhe diellin, siç kam dëgjuar, në Kretë e shndërrojnë në dritë. Ne (nuk po i përmend sepse më lodhet shpirti) natyra na ka dhënë fruta si në asnjë vend tjetër. Na ka dhënë ujë me bollëk, erë të fortë në male por edhe në ultësira (Miloti, Tepelena…), diell treqind ditë në vit…Dhe kërkojmë…centrale atomike ( ?! )

Zbritja ishte e shkurtër. Kukurit, katundit që kërkonim, i kalonte rruga mes për mes, rrugë e cila më tej të çonte, majtas për në Livadhja, Arakova. Dhelfus (po të doni edhe në Janinë…) dhe djathtas për në Athinë…

…Nuk na u desh të pyesnim e të thërrisnim për të gjetur Lamin. Na priste në një kafene në qendër të fshatit. I veshur krrëk (Lami është qibar), me një buzëqeshje që i kishte rrënjët në shpirt, duke u mbajtur në kërlikun e çobanit, u ngrit dhe na përqafoi. Nuk ishte vetëm. Ishte me një bashkëmoshatar që edhe ai krrëk ishte veshur e buzëqeshja i këndonte në buzë.

– Jem soj me Lamin- na tha ai në një shqipe që më befasoi. – soj i largët, Jem rritur bashkë.

Me të do të zhvillonim më pas një bisedë të veçantë, bisedë për një tjetër radhë në udhëtimin maleve arvanitase.

…Lamit ia kisha një “borxh”, e kisha futur fjalën e tij arvanitase në librin “Rilindësit e kohës sonë” dhe doja t’ia dhuroja.

E nxora librin nga zarfi ku e kisha futur dhe ia dhashë në dorë duke e hapur tek faqja ku ishte fotografia dhe biseda me të. E mori duke iu dridhur duart nga emocioni, E pa me vëmendje (ai nuk mban syza për afër ndonëse është “njëqind pa tre vjet” siç thotë) dhe na tha.

– Po unë nuk di të lexoj…

…Dhe një pikë loti shpërtheu liqenin dhe bëri rrjedhë mbi brazdat e jetës…

Unë harrova se ai nuk di të lexojë. Harrova se arvanitasit gjuhën e të parëve të ardhur në këto male pesë-gjashtë shekuj më parë e kanë mësuar dhe trashëguar gojë më gojë, vesh më vesh e shpirt pas shpirti. Atyre nuk iu dha kurrë e drejta që të mësonin gjuhën e nënës me të shkruar e me të lexuar…

…E kaluam momentin duke pirë kafe e duke kërkuar fjalën arvanitase, që është një me një me fjalën shqipe, në objektet rreth e rrotull, nga kumbulla frutakuqe përballë e deri tek bredhi në mal.

Më pas u ngritëm. Lami donte të na tregonte shtëpitë e tij, të vetën, të pleqërisë atje lart në shkëmb por edhe të bijve të tij.

– Këtu, tha sapo morëm kthesën, kanë lindur, janë rritur e janë martuar e trashëguar të gjithë fëmijët. Këtu tani banon djali i madh Luka…

– Kjo, tha, pasi bëmë një copë rrugë në ngjitje, është shtëpia e Maqit. E ka bërë të re. Ka çarë shkëmbin për ta bërë. E shihni këtë shkëmbin këtu. Ia hëngri zemrën për të bërë gropën e ujërave të zeza…

Ngjitemi lart në ballkonin e shtëpisë së re të Maqit, shtëpi që siç na tha një ditë më parë do të ishte foleja e pleqërimit. Bëjmë fotografi me Lamin të gjithë me radhë: Eqremi, Indriti, unë…

Lami e kishte strehën e pleqërisë së tij “dhjetë shkallë” më lart. Nuk na la të ngjitemi. Na tha se do të merrte diçka dhe do të zbrisnim poshtë.

…Shkallëve iu ngjit si djalë i ri, pa u mbajtur në parmakë, filiz drejt përpjetë. Të gjithëve na bëri përshtypje shkathtësia dhe forca lëvizëse e tij. Unë dhe Eqremi nuk e shprehëm vetëm kënaqëm sytë dhe shpirtin. Indriti, me habinë e të riut, e shprehu: “Si djalë i ri ecën !” – tha duke e shikuar me dashuri.

…Mbrëmja po binte mbi katund. Lami na zuri rrugën dhe tha se nuk mund të iknim pa e pirë një gotë me verë.

E ndjemë thellë këmbënguljen e tij. Ishte këmbëngulje tipike shqiptare, tipike malësore. Nuk kishte asgjë të përbashkët me atë ftesën e thatë greke kur ndodhesh në shtëpinë e tyre.

Zumë një cep të një lokali në qendër të katundit, një lokal i bukur dhe i pastër por mbi të gjitha me një shërbim që të sillte ngrohtësi shpirtërore.

Nuk vonoi dhe shoqërisë sonë iu shtua edhe djali i madh i Lamit, Luka…

Bëmë muhabet siç bëhet në odën shqiptare, shqip. Nuk ngopeshim së biseduari me ata njerëz që kur e nxirrnin fjalën shqipe nga goja dukeshin sikur rilindnin, sikur nxirrnin shpirtin e tyre e ta venin në tavolinë…

…Ra muzgu e ne duhet të ngriheshim. Qemë të detyruar sepse kush vinte, sa e merrte vesh që jemi shqiptarë, pasi na thoshin “Ç’ë bënë?” nuk vononte që kamerieri të na vinte përpara kanën prej alumini të mbushur me verë të kuqe…

Duhej që të ngriheshim  e të ecnim mbi këmbët tona e jo të na ngrinin.

… Ajo mbrëmje, në një katund arvanitas, Kukuri, do të më mbetet në kujtesë për tërë jetën.

…Do ti mbetet edhe djalit, Indritit, i cili, kur po largoheshim, nuk ndej pa e shprehur përjetimin e asaj dite: “ Sa pleq të mirë ! “ –tha duke i përmbledhë të gjitha emocionit në tri fjalë. Bëra mirë që e mora djalin me vete, bëra shumë mirë!(Kukuri, korrik 2009)

 

 

 

 

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Abdurahim Ashiku, cikli-Takim me arvanitet, Lot mbi rrudha arvanite

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT