• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ç’THONË STUDIUESIT E HUAJ PËR LUFTËN E VLORËS

July 23, 2013 by dgreca

Nga Albert HABAZAJ/ studiues antropolog/

3. 1.  Pamje e përgjithshme shqiptare e periudhës së 1920  – ës nga syri i shkrimit europian/

Shumë nga udhëtarët e huaj që erdhën me misione të ndryshme në Shqipëri gjatë dy dhjetë vjeçarëve të parë kanë lënë përshtypjet e tyre të botuara si shënime udhëtime e libra të veçanë. Janë mbi 45 studiues që janë marrë instensivisht qysh atëherë, që e vrojtonin dhe e shkruanin Shqipërinë me lentet e tyre kulturore. Mund të përmendim (sipas rendit alfabetik)  studiues të tillë si: Baldacci, Bouè, Brailaford, Callan, Chumckv, Cozem – Hardv, Cozzi, Cvijic, Degradd, Dumont, Edlinger, Eliot e deri tek Nvoni, Windish,  Wirthi etj, të cilët i japin edhe virtytet, edhe veset e shqiptarëve. Mis Durham thotë se të gjithë shqiptarët në realitet nuk janë muhamedanë, as të krishterë: feja për ta është një formë e jashtëzakonshme, diçka fare formale. Kanë rregull të madh për mbledhjet. Shqiptarët e shkolluar janë tregtarë të shkathët (të zotë) dhe të gjithë kanë individualitet të theksuar. Ndodh, thotë, që pas vrasjes iu vjen keq për plumbin…Woods bën këtë portret: “Shqiptari është i egër, luftarak, tolerant në çështje fetare, i pabindur por besnik dhe i ndershëm”.Etnografi, gjeologu dhe paleontologu hungarez Franc Nopça (Franz Nopcsa: 1877 – 1933) ka ardhur disa herë në Shqipëri gjatë v. 1903 – 1922 dhe për herë të parë përdori metodën krahasuese me vendet e tjera të pellgut të  Mesdheut dhe të Azisë së Afërme dhe ndër të parët që në studimet etnografike për Shqipërinë futi për krahasim edhe të dhënat e arkeologjisë. Duke folur për karakterin e shqiptarëve Baroni Nopça, qysh në fillim të studimit kërkimor shkencor në Shqipëri, thekson se, për të asgjë nuk është më e zorshme se sa të njohë një i huaj thelbin e karakterit të një populli dhe “asgjë nuk kërkon më tepër qetësi dhe sundim të vetvetes se sa ta përshkruajë atë pastaj në mënyrë objektive dhe siç ndodh realiteti”[1].

Nga natyra shqiptarët e asaj kohe janë cilësuar si krenarë, luftarakë, gjaknxehtë, sensibël, me moral shoqëror, sidomos në lidhje me femrat qëndron shumë lart, që bëjnë shumë shpenzime për mikpritje dhe festa.

Por Jastrebovi thotë sikur mikpritjen shqiptarët e kanë dogmë, sikur kanë prirje për t’i zmadhuar gjërat, sikur janë dinakë, gënjeshtarë dhe hipokritë, sikur janë armiq të këshillave të mira, idololatër të një nderi të gabuar, nuk durojnë cënimin botërisht të gjërave të shenjta. Ippen bën një prerje horizontale ndër shaljanë dhe quan kapadainj, që tëdobëtin e përdorin keq, pse nuk merren me grabitje, po kështu banorët e Nikaj – Mërturit. Seksualitetin as që e njohin. Jarav gjen që shqiptarët janë luftëdashës, të prapambetur, kanë inisiativë, janë të guximshëm dhe kundër çdo lloj autoriteti. I quan partikularistë, të cilët fillojnë të dyshojnë sa herë kërcënohen të drejtat e tyre. Studimi i punimeve që ata kanë lënë për vendin tonë është ndoshta një mozaik kompleks për ne, ku shfaqen metaforikishtbanorët e tokës dhe qiellit shqiptar me të gjitha ngyrat e ylberit. Me shumë prej mendimeve të tyre nuk mund të jemi dakort, por ato janë “rekorde” të regjistruara në Kujtesën e Shkrimit të Botës dhe janë, ndërkohë, për studimet tona e të tjerëve, të huaj apo vendas, referenca se si na shikojnë ne të tjerët, ngaqë mungon ajo edhe ajo ndarja e famshme që na ka pëlqyer, që si historinë, si këngën ta reduktojmë në një ndarje kaq binare (bardhë e zi). Shumë nga udhëtarët, studimet e të cilëve kemi lexuar, janë objektivë në shënimet e vlerësimet e tyre, pavarësisht se diku, ku ata na mburrin, ne krenarohemi e na ngrihen veshët dhe diku, siç dhe perifrazuam grimca, ku ata na shajnë (më saktë, jo na shajnë, por na nxijnë portretin, ndoshta ashtu paska qenë) ne mërzitemi, ulim kokën, ulim veshët dhe fillon të pllenohet urrejtja për ta në psikën dhe shpirtin tonë.  Për informacionet e të huajve, që sipërpërmendëm, i shikojmë me lente kulturore për të parë më mirë, për çka na shërbejnë në funksion të Njëzetës. Hecquard nënvizon se, në rast lufte, në Shqipërinë e Veriut, çdo shtëpi pajiste një burrë, pavarësisht nga numri i përgjithshëm i pjesëtarëve të shtëpisë.

Ndërkohë historiografia dhe kujtesa sociale e LV njofton se në Beun, më 1920 u mblodhën nga çdo fshat shtëpi e burrë e burrë e pushkë. Merr dimensione të reja informacioni historik dhe folklorik që na vjen për atë ngjarje, se në LV ndihmuan, biles morën pjesë edhe gratë. Kur flet për sjellje e zakone të shqiptarëve, kur shkruan për Shqipërinë, sakrifikuar për interesat e Europës, Ismail Qemali thekson: “Tre objektet kryesore të përkushtimit të shqiptarëve janë: nderi i tij, familja e tij dhe atdheu. Ai preferon vdekjen përpara një çnderimi që nuk është larë”.[2]  Nga të pashkruarat dhe të pathënat për Njëzetën, edhe sot e kësaj dite, në Vlorë, nga më moshatarët që rrojnë akoma dhe që kanë një kujtesë të admirueshme, mund ta shprehim mendimin sipas tyre se “Njëzeta qe një luftë që çeli e shpërtheu nga rubineti i çesmës morale. E vërteta është se italianët bënë punë e ndërtuan goxha në qytet. Çuan rrugë deri në mal të Çikës. Për interesa të tyre, patjetër, por edhe nevej mirë na bënej. Kishim interesin tonë, se po zhvillonej vëndi. Këtë e dinin dhe e shihnin të gjithë. Këtë e shohni dhe ju sot. Se, ja, fjala vjen, godinën ku është Bashkia e Vlorës dhe Qarku e ka bërë italiani. Po ku qëndron problemi? Këtu ndryshon puna, se ata e shkelën në kallo shqiptarin, vlonjatin, labin. Ulën krenarinë e shqiptarit, e prekën atje ku s’mba më, e cenuan në moral, (mos qesh), i prekën nderin, gjënë më të shenjtë. Të futemi në kohë, more bir, e të flasim. Në atë kohë kishte tradita të mira që ishin ligj i pashkruar për njerëzinë. Ajo psikologji e kulturë zotëronte mënyrën e jetesës, zakonet tona, sjelljet, fejesat, martesat, vdekjet, këngët që keshëm, të gjitha çar’ bënim. Kështu duhen parë gjërat e gjykojmë kollaj pastaj. Kur flasim për dje, do gjykojmë me atë mendje; kur flasim për sot, kemi të tjera kondita e raporte, tjetër psikologji dhe edukatë më të avancuar. Sipas vëndit, kuvëndi, e more vesh djalo?! [3]. Logjika e bisedës, nga e cila shkëputëm këtë paragraf, që mendojmë se përfaqëson jo vetëm mendësinë e tyre, por mentalitetin e kohës të komunitetit vlonjat, na dikton të gjykojmë se, jo gjithmonë diversiteti kulturor prodhon gjëra të mira, të bukura dhe të dobishme. Në atë kohë shqiptarët ishin konservatorë, italianët me frymë liberale. Ai sfond psikologjik nxorri në pah, me një reliev dhe efekt të mahnitshëm, ngjarjet e asaj vere të vitit 1920. Fjala e vjetër “shqiptari për një nder rron” ndezi sedrën e banorëve, të kryefamiljarëve, të burrave të shtëpisë, të mëhallës, të fisit, të lagjes, të fshatit, të krahinëzës, krahinës, parësisë, burrave të kazasë, se kështu klasifikoheshin në atë kohë burrat, sipas hierarkisë trimërore – morale e atdhetare. Për cenimin në nder, krisi pushka. Vendasit nuk u treguan miqësorë me ata që nuk erdhën si të tillë. Kjo është logjika e funksionimit të gjërave, që prishi “kavalierllëkun” e atyre që e quanin se s’kishte ndonjë problem të kullosje në kopsht të tjetrit, në “baçe” të botës… Kjo është logjika e funksionimit të gjërave, nga e cila shpërtheu ndjenja e kolektivitetit për t’u bashkuar si një trup i vetëm, deri sa të vihej nderi në vend. Kjo logjikë dhe praktikë e drejtë luftarake bëri që të lindte dhe të forcohej edhe ndjenja e solidaritetit me LV. Ndërsa optikën e ndriçimit të historisë së LV e kemi nga profesori ynë i nderuar Muin Çami, gjykojmë të paraqesim dhe të interpretojmë, për herë të parë, edhe një autor tjetër të huaj, vepra e të cilit (ku përfshihen dhe shënimet e tij për LV) nuk ka qenë e njohur për ne më parë, sepse vonë është botuar në gjuhën shqipe.

3. 2. Kolonizimi i tokave shqiptare dhe ruajtja e një identiteti shqiptar ndërkufitar, sipas Serge Métais

Studiuesi Serge Métais ka qenë pedagog docent i shkencave ekonomike në Universitetin e Menit (Maine) deri në fillim të viteve ’90. Përveç punës si sipërmarrës në Europën Qendrore dhe Lindore që pas shembjes së regjimeve komuniste, ai i është kushtuar paralelisht, këto vitet e fundit, edhe një veprimtarie si historian i Ballkanit. Duke nisur nga një distancë kohorëe e largët retrospektive, Métais gjykon se ilirët, një popull indoevropian shumë i lashtë në Ballkan, u kthyen në fenë e krishterë mjaft herët, njëlloj si grekët, qysh në shekujt e parë. Me një fjalë, shumë më parë se sllavët, të cilët mbërritën në atë rajon dhe u ungjillizuan vetëm aty rreth shek. X. Nën sumdimin turk, pasardhësit e tyre, qenë ata që u treguan sidoqoftë më pak të bindurit ndaj kthimit në fenë islame (rreth dy të tretat e tyre u bënë myslimanë). Sipas tij, zgjimi i vonë i vetëdijes kombëtare te shqiptarët qe pasojë e përçarjes së tyre fetare. Kjo qe fatale për ta gjatë copëtimit të Perandorisë Osmane më 1913. Shqipëria e vogël që u krijua në Londër më ’13 – ën u katandis me 800.000 banorë në 28  mijë km², gjykohej si e paaftë, e pamundur për t’u qeverisur, biles dyshohej bismarkërisht, a kishte mbetur ende vallë ndonjë shtet shqiptar? Vendimi i FM për t’ia lënë Serbisë, Malitë Zi dhe Greqisë më shumë se gjysmën e atyre trojeve që shqiptarët i konsideronin si atdheun  e tyre kishte ngjallur një zhgënjim të madh. Komisioni Nërkombëtar që kishte përcaktuar kufijtë e saj në dhjetor 1913, ishte ngarkuar edhe për t’i gjetur një princ. Ai që u zgjodh qe Vilhelm fon Vidi (Wilhelm von Wied, 1876 – 1945), nip i mbretëreshës së Rumanisë, 35 vjeçar, kapiten në ushrinë prusiane. Pasi zbarkoi në Durrës më 7 mars 1914, princi gjerman nga një familje protestante, e braktisi përfundimisht principatën e tij gati vetëm  6 muaj më vonë. Nuk pati kohë as për të mësuar gjuhën! Kosova, zemra e luftës për pavarësinë e Shqiërisë, iu dha atëherë Serbisë. Shqiptarët myslimanë shiheshin si “turq”; të krishterët që ndiqnin ritin ortodoks grek, si “grekë”; ndërsa katolikët, në krahinën e Shkodrës, ishte tunduese që të shiheshin si “latinë”, madje edhe si “serbë të shqiptarizuar”. Mohimi i të drejtave kombëtare në gjysmën e trojeve shqipfolëse e shndërroi historinë e shqiptarëve në shek. XX veçanërisht të dhembshme. Duke e zbërthyer gjendjen në hapësirë dhë në kohë, situatat  në gadishullin e Ballkanit, pjesë e të cilit është Shqipëria, ngjarë në segmentin kohor nga v. 1913 – 1920, autori thekson se në konteksin rajonal nuk shtrohej fare çështja për ribashkimin e tokave shqiptare. Métais shkruan se për Serbinë dhe Malin e Zi, luftërat ballkanike çelnin një erë të re kolonizimi të tokave shqiptare… Qysh në vjeshtën e v. 1914, Greqia aneksoi pjesën jugore me qytetet e Korçës e të Gjirokastrës, serbët  pushtuan Tiranën dhe u vendosën deri në rrugën Egnatia, ku synonin prej kohësh që të caktonin kufirin e tyre me Greqinë, ndërsa malazeztë morën Shkodrën. Italianët, që Franca dhe Anglia donin t’i tërhiqnin në kampin e tyre, u lejuan të pushtonin ishullin e Sazanit, në gjirin e Vlorës, në muajin tetor. Në dhjetor 1914, ata pushtuan edhe vetë qytetin e Vlorës. Territori i principatës ishte kthyer në të vërtetë në një monedhë këmbimi që aleatët në luftë kundër fuqive qendrore ia blatonin Italisë, në mënyrë që kjo të hidhej në kampin “e duhur”. Atyre që e kishin marrë pjesën e vet- grekëve, serbëve dhe malazezëve- iu kërkua që të linin një pëllëmbë vend edhe italianëve!Qysh më  1916, austro – hungarezët pushtuan Shkodrën dhe Durrësin, pasi dëbuan që andej serbët Nga frika se mos binte edhe Greqia pas rënies së Serbisë, francezët pushtuan zonën e Korçës për t’ i vënë fre përparimit të austro – hungarezëve. Kështu lindi një provincë “autonome” “franceze” në afërsi të liqenit të Ohrit, e cila pati jetë deri më 1920. Në përfundim të luftës, pushtimi francez u shtri edhe në Shkodër. Italianët, nga ana e tyre, i kishin përforcuar pozicionet në Vlorë dhe mbanin të pushtuarpërveç saj edhe Durrësin. Ata e patën mjaft të vështirë që të largoheshin andej më 1920, kur fuqitë fitimtare që kishin bërë ndarjen e re të kufijve të hartës së Evropës  e kuptuan se premtimet majtas e djathtas lidhur me copëtimin e Shqipërisë së vogël ishin bëër aq me tepri saqë nuk ishte e mundur që të vihej në jetë asnjë prej tyre. Një gjë e tillë do të kishte qenë në të njëjtën kohë një marrje nëpër këmbë tepët flagrante e parimit të së drejtës së popujve për vetëvendosje, të cilën presidenti Uillson e kishte mjaft për zemër. Më në fund, Shqipëria u pranua në Lidhjen e Kombeve më 17 dhjetor brenda kufijve të saj të sotëm”[4]. Autori pas këtij vizatimi historik në vija të përgjithshme thekson: “Nëse shqiptarët ishte e vështirë të asimiloheshin, edhe hungarezët (afro 500 000 në Vojvodinë më 1921) nuk ishte më e lehtë”[5]. Si duket nëvizohet ky fakt për të na tërhequr vëmendjen që s’jemi vetëm ne që kemi luftuar për liri,se s’jemi vetëm ne që na janë bërë padrejtësi, se s’jemi vetëm ne, shqiptarët trima, por janë dhe të tjerët jo më pak. Shkurt ne jemi një popull me histori e këngë si gjithë popujt që na rrethojnë, si të tjerët në rajon, në gadishull, në kontinent, pjesë e së tërës territoriale të banuar me njerëz.

3. 3. Shqipëria, nga një shprehje gjeografike te kombi, sipas studiuesit Nikollas Kosta

Librin “Shqipëria: enigmë europiane” N. Kosta e ka ndërtuar mbi bazën e intervistave, vëzhgimeve dhe materialeve burimore private. Ai vëren se Shqipëria sot është ashtu si ka qenë  kur u shpall pavarësia e saj më 1912 – një komb në krizë. Ajo është një tërësi gjeopolitike vazhdimësia e së cilës si vend i pavarur u përcaktua pak a shumë nga loja dhe kundërshtitë e shteteve fqinje (Greqisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Italisë) së pari nëpërmjet përpjekjeve të tyre për t’i aneksuar tokat e banuara nga shqiptarët dhe pastaj nëpërmjet sulmeve frontale ose ndërhyrjeve ekonomike për të krijuar hegjemoni mbi “vendin e Shqipes”. Me burime të bollshme natyrore, krahas bukurive të pashfrytëzuara, të barabarta me ato të Zvicrës, potenciali i Shqipërisë për zhvillim e rritje është i pakufizuar, por luftërat e gjata e shndërruan- thotë autori në një komb me një nevojë të përhershme për të patur një padron ekonomik, një shtet kujdestar diplomatik e ushtarak, kur ndihej e i afrohej rreziku. Vendi më homogjen i Europës, ndërkohë, vendi i saj më i pazhvilluar, me një ndarje fisnore të brendshme të përbërë nga gegët në veri dhe toskët në jug  në përvojën e vetë jetësore ka ndjekur një model kryesor të historisë: realitetin sipas të cilit, që të mbijetosh, duhet të jesh i gatshëm të luftosh dhe ndoshta të japësh edhe jetën. Më tej autori citon disa autorë të tjerë të huaj dhe përmend  Milovan Djilas, disidentin më të famshëm jugosllav që shprehet: “Shqiptarët janë populli më i vjetër i Ballkanit – më të vjetër se sllavët dhe madje më të lashtë se sa grekët antikë” (Djilas, 1962: 77 – 79). Andre Malroks, në librin e tij me titull “Anti Memoirs”, tërheq vëmendjen për faktin se “ Athina nuk ishte gjë tjetër, sa keq, veçse një fshat shqiptar”, (Malroks, 1968 : 33). Pavarësisht nga thënie të tilla [shumë emocionale, AH], ndërgjegjësimi i publikut për këtë popull, për vuajtjet dhe mundimet e tij mbeti i kufizuar. Ndryshe nga  homologët e tjerë të Europës Perëndimore, që e kishin të qartë se ata jo vetëm që ishin “në botë” por edhe ishin “me botën” , shqiptarët, për shkak të konflikteve të jashtme e të brendshme dhe të 500  vjetëve të pushtimit turk, pranonin vetëm faktin se ishin ata “në  botë”. Historia e “Vendit të shqipes” pasqyron gjithashtu shpirtin e  popullit të vet i cili i ndarë në dy njësi të mëdha fisnore – gegët dhe toskët, që janë dhe dy njësitë më të mëdha, dy krahinat më të mëdha etnografike të Shqipëtarëve – dhe në tri grupime të mëdha fetare – islamikë, ortodoksë të lindjes dhe katolikë romakë. Pa u futur në data e ngjarje rajonale, që jepen kronologjikisht, autori kujton se me firmosjen e Traktatit të Bukureshtit më 13 gusht 1913, përfundoi Lufta e tretë Ballkanike dhe i erdhi fundi fuqisë turke në Europë. Brenda kontekstit të Luftërave Ballkanike dhe shpërbërjes së fuqisë turke në Europë, nga hiri i luftërave doli një komb – shtet me emrin Shqipëri. “Lindja e një kombi, si lindja e një fëmije, shoqërohet me dhembje të mëdha”, – shkruan autori – dhe rastin e Shqipërisë nuk e quan një lindje të zakonshme por  në lindje me operacion cezarian për shkak të plagëve që Shqipëria kishte marrë nga TFL më 1915, për përcaktimin e kufijve veriorë dhe jugorë të saj, plagë që ende nuk janë shëruar, edhe pse shqiptarët s’janë as grekë, as turq, as sllavë, por vetëm shqiptarë që kërkojnë liri. Faktet historike dëshmojnë  se këto toka ishin lakmuar nga Athina, Beogradi dhe Roma që nga Kongresi i Berlinit më 1878. Deri para Njëzetës “Shqipëria po sakrifikohej si një pjesë e skemës së përgjithshme  të “kompesimit” të FM me fqinjët. Studiuesi N. Kosta shkruan se lufta ndërmjet forcave italiane dhe trupave të parregullta shqiptare (ashtu i koncepton ai) “i detyroi trupat italiane të tërhiqeshin nga Tepelena për në skelën e Vlorës. Presioni i paepur mbi vijën e rezistencës italiane, bashkë me reagimin e Uillsonit, kryengritja e qytetarëve të Vlorë dhe keqësimi i situatës politike brenda Italisë, i detyroi italianët të hynin në bisedime për kushtet e tërheqjes dhe si rrjedhojë forcat ushtarake italiane u larguan nga Vlora më 1920 [Fisher, 1984: 21- 23[6]]. Për fatin e keq të Italisë dhe të Greqisë, por për fatin e mirë të Shqipërisë, rritja e rezistencës ushtarake kombëtare, bashkë me vendosmërinë e presidentit Uillson që Shqipëria të mos bëhej kurban  për makutëritë territoriale të Italisë dhe të Greisë, procesi i aneksimit të Shqipërisë u shfuqizua. Në hyrje të librit autori, në fund të falënderimit na duket sikur autori nënvizon sinqerisht hapur me fjalët që shkruan: “…nëse libri ka të meta, ato janë të miat dhe vetëm të miat.” Po ne, shqiptarët, reflektojmë kështu?!

3. 4. Lufta e Vlorës në optikën e studiueses Nicola Guy

Një studiuese e re, që ka mbrojtur doktoraturën në fushën e historisë në Durham University më 2008 – ën, që ka botuar një numër artikujsh në revista akademike dhe ka mbajtur kumtesa në konferenca ndërkombëtare në Britaninë e Madhe, në SHBA dhe në Greqi, Nicola Guy është funksionare e British Civil Service dhe jep kurse për çështje të historisë moderne europiane në kuadrin e Universitetit të Hapur. Ajo ka qenë lektore për çështje të historisë moderne europiane në Durham University dhe kastudiuar gjuhë shqipe në Indiana University. “Lindja e Shqipërisë” është një botim korent, i freskët, i v. 2012, me informacione të reja, me një këndvështrim të kohës, të ftohtë  e pa emocione, ku jepet një tablo më e zgjeruar për temën bosht që na intereson. Leximin e teksit të saj e bëjmë në këtë formë, që ajo na paraqet, ku thelbi është se “çështja shqiptare” vazhdon të jetë një prej çështjeve më të mëdha ende të pazgjidhura në Europën Jugperëndimore. E megjithatë, pavarësisht nga interesi në rritje, lidhur lidhur me historinë e kohëve të fundit të rajonit tonë, studimi i periudhës së Pavarësisë së Shqipërisë rreth viteve të LPB, që deri tani është lënë shumë pas dore. “Lindja e Shqipërisë” eksploron se si mundi të lindte për herë të parë Shqipëria e pavarur në vijim të shembjes së Perandorisë Otomane më 1912 – n. Studiuesja përqëndrohet veçanërisht në arsyet pse gjatë periudhës vendimtare të LPB, territori shqiptar u nda midis disa shteteve, aq sa pothuaj pushoi së ekzistuari krejtësisht. Ndoshta, në një mënyrë mjaftë kuptimplote për historinë e kohëve të fundit të rajonit, ajo trajton gjithashtu edhe çështjen e rëndësishme se përse shqiptarët etnikë u ndanë në vende të ndryshme të Ballanit. Përmes ndërthurjes së studimit të zhvillimeve të brendshme shqiptare me  ngjarjet ndërkombëtare të kohës, “Lindja e Shqipërisë” gjurmon historinë shqiptare nga periudha e Luftrave Ballkanike të v. 1912, KFL, Pakti i Londrës i v. 1915, për të arritur më në fund, në periudhën e pasluftës deri në KP në Paris, në KA dhe në formimin e Lidhjes së Kombeve. Nicola Guy analizon rolin që kanë luajtur nacionalistët dhe jonacionalistët shqiptarë, përfaqësuesit e FM dhe burrat e shtetit të vendeve fqinje në krijimin dhe përcaktimin e kufijve të shtetit të ri. Gjithashtu ajo shqyrton implikimet e përdorimit të gjuhës si kriter bazë për përcaktimin e kombësisë shqiptare, njëkohësisht ilustron pamjaftueshmërinë e përdorimit vetëm të teorive të nacionalizmit dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare për shpjegimin e “çëshjes ende të pazgjidhur shqipare”. Nacionalizmi etnik, FM të LPB, lindja e vështirë e Pavarësisë Shiptare, që falë atyre burrave të kombit që s’i zinte gjumi për lirinë e “vendit të shqipes” e u mblodhën Lushnjë e bënë kuvend shqiptarësh dhe që falë atij solidariteti titanik, mëkuar me idealizmin  romantik të Pashko Vasës, Abdyl Frashërit, Sulejman Vokshit e tërë atyre ndriçusve të ndërgjegjes kombëtare, u mobilizuan për në Vlorë, sa e përzunë kuçedrën e gjysmë çizmes apenine dhe shpallën praktikisht Pavarësinë Konkrete të Shqipërisë me çlirimin e Vlorës nga këmba e kolonizatorit të huaj, më 3 shtator 1920. Duke folur për KKL dhe QT, autorja vë në dukje se, në kushtet kur të huajt e ardhur në Vlorë e krahinat e saj silleshin si pushtues, rritja e armiqësisë ndaj italianëve dhe përkeqësimi i popullaritetit të qeverisë së përkohshme shkonin paralel. Tradita e ka që pushtuesi pritet me luftë. Sa herë është sulmuar me pushkë është pritur, pavarësisht se finalja ishte me humbje të shumta e me fitore të rralla. Në situatën e njëzetës, sipas autores, frika për të ardhmen e vendit dukej e përligjur kur u bë e njohur se Bumçi dhe delegacioni italian në Paris kishin arritur në një tjetër kompromis, ku integriteti shqiptar dhe pavarësia ruheshin, por nën kontrollin italian. Në vijim të protestave të shumta, do të thirrej një takim i të gjithë “nacionalistëve të vërtetë” dhe natyrshëm ai do të shndërrohej në një kongres kombëtar, i njohur si Kongresi i Lushnjës, një qytet i vogël në Shqipërinë e Mesme, midis Durrësit dhe Beratit, nga 28 deri më 31 janar 1920. Në Kongres merrnin pjesë jo vetëm kundërshtarë të regjimit të Durrësit, por edhe njerëz që ishin larguar prej tij. Kongresi do të shënonte një prej zhvillimeve më të rëndësishme në lindjen e pavarësisë së Shqipërisë. Shkaqet e mbajtjes se tij duheshin kërkuar te vonesat për zgjidhjen e çështjes shqiptare në Paris sipas dëshirës së shqiptarëve dhe te fillimi i rënies së ndikimit të FM, veçanërisht të Italisë. Nacionalistët shqiptarë ishin mjaft të acaruar nga qëllimi i dukshëm italian për të vazhduar pushtimin dhe u ndien të tradhtuar nga lajmet se, me sa dukej, mund të vihej në zbatim Pakti i Londrës. Delegacioni shqiptar në Paris ishte i izoluar dhe Qeveria e Durrësit e kishte humbur popullaritetin për shkak të paaftësisë së saj si në ndjekjen e punëve të përditshme, ashtu edhe në mosarritjen e njohjes ndërkombëtare. Gjatë gjithë dhjetorit 1919, shqiptarë nga i gjithë vendi, por veçanërisht nga krahinat e Shqipërisë së Mesme, zgjodhën delegatët që do t’i përfaqësonin ata. Gjatë këtyre përgatitjeve, italianët nuk i penguan shqiptarët. Anëtarët e Qeverisë së Durrësit ishin më të shqetësuar. Më 13 janar 1920, QD urdhëroi prefektin e saj në Lushnjë të ndalte takimin, por dy kompanitë me milicë, të dërguara për ndalimin e tij, refuzuan ta bënin një gjë të tillë. Në takim do të merrnin pjesë pesëdhjetë e gjashtë delegatë nga i gjithë vendi, përfshi përfaqësues nga Vlora, Korça dhe Pogradeci si edhe nga disa rajone të mbetura jashtë shtetit të 1913 – s. Takimi nisi me shprehjen e zemërimit të gjithë të pranishmëve përpara perspektivës që Vlora do t’i jepej Italisë. Delegatët deklaruan se ata ndiheshin të mashtruar nga FM, pasi këto të fundit u kishin dhënë atyre të besonin se ndaj Shqipërisë do të zbatoheshin parimet e drejtësisë dhe të vetëvendosjes. Tani ata theksuan se të besoje te FM ishte njëlloj si të besoje në “një kallam të thyer”, dhe se këtej e tutje, në rast se donin të siguronin pavarësinë e tyre të plotë dhe integritetin territorial, shqiptarët duhej të mbështeteshin vetëm te forcat e tyre. Ata vendosën të krijonin një “Bashkim të shenjtë” për të hedhur poshtë planet e FM për ndarjen e Shqipërisë. Për realizimin e këtij objektivi, ata vendosën ta zëvendësonin Qeverinë e Përkohshme, e cilësohej thjesht si një “kukull në duart e italianëve”, me një administratë të re “të përbërë nga njerëz të ndershëm, që gëzonin besimin e popullit” si dhe të organizonin zgjedhjet e përgjithshme për zgjedhjen e një kuvendi ligjvënës kombëtar, i cili do të hartonte një kushtetutë të re. Gjithashtu, u ra dakord që delegacioni i paqes në Paris të riformatohej dhe delegacioni i ri të ngarkohej me misionin për të kërkuar pavarësinë e plotë të Shqipërisë brenda kufijve të saj etnografike. Mehmet Konica dhe Mit’hat Frashëri mbetën pjesëtarë të Delegacionit të Paqes, por Turhan Pasha, me të cilin Kongresi ishte “veçanërisht i zhgënjyer”, Bumçi dhe Tourtoulisi u zëvendësuan nga Pandeli Evangjeli dhe Dr. Charles Telford Erickson Delegatët e Lushnjës hartuan një deklaratë proteste plot patos drejtuar parlamentit italian dhe Konferencës së Paqes në Paris, kundër ndarjes se Shqipërisë sipas vijave të Paktit te Londrës. Pasi përmendte parimet e presidentit Wilson rreth vetëvendosjes, deklarata vazhdonte se Shqipëria ishte një shtet i pavarur dhe se populli shqiptar nuk pranonte mandatin italian në asnjë pjesë të territorit te tij dhe as çdo lloj forme protektorati të huaj apo kufizim sovraniteti, pa vullnetin e shprehur qartë prej tij. Delegatët ripohuan besën e dhënë në krejt vendin dhe u betuan se ishin të gatshëm të jepnin edhe jetën në mbrojtje të tërësisë territoriale dhe politike të vendit. Në disa rezoluta të tjera u vendos që qeveria e re të vendosej në Tiranë, në atë kohë një qytet i vogël në Shqipërinë e Mesme. Zgjedhja e kryeqytetit rezultoi një nga pikat më të nxehta, pasi delegatët e ndryshëm propozonin sferat e tyre të influencës. U ra dakord për Tiranën, pasi ajo, ndonëse e vendosur në një rajon të populluar kryesisht nga popullsi myslimane, ishte e vendosur në thellësi të vendit dhe larg nga kufijtë shqiptarë, e kësisoj e mirëpozicionuar për të qenë larg sulmeve ushtarake, intrigave apo ndërhyrjeve të rivalëve të Shqipërisë. Ajo kishte gjithashtu lidhje të mira rrugore me portin e Durrësit. Piacentini deklaroi se ai nuk do t’i njihte vendimet e Kongresit, por italianët u gjendën përballë një goditjeje të dyfishtë: ata e kishin humbur kontrollin e tyre mbi Lëvizjen Kombëtare Shqiptare dhe fuqia e nacionalizmit shqiptar ishte në rritje e sipër. Komandanti italian vendosi të mos e pengonte qeverinë re, me përjashtim te rasteve kur ajo do të pengonte veprimtarinë e tij ose do të trazonte rendin publik.Kongresi diskutoi gjithashtu rreth formës qeverisëse të Shqipërisë. Ai riafirmoi Kushtetutën Organike të 1914 – s, e cila kishte krijuar monarkinë nën sundimin e Vilhelm Vidit dhe nuk ishte shfuqizuar apo pezulluar ende. Në të u vendos se lufta nuk i kishte ndryshuar këto kushte. Meqenëse Vilhelm Vidi nuk kishte abdikuar asnjëherë formalisht, Kongresi i dha kompetenca ekzekutive të kufizuara Këshilli të Lartë të Regjencës (Këshilli i Lartë). Ky do të përbëhej nga katër vetë, një përfaqësues për çdo besim fetar: sunit, mysliman bektashi, ortodoks dhe katolik. Këta përfaqësues ishin emëruar në mungesë të sovranit dhe do të vepronin në emër të tij. Për plotësimin e këtij Këshilli, u krijua një qeveri e re me një kabinet me nëntë anëtarë, nën kryesimin e Sulejman bej Delvinës, ku Mehmet Konica ishte ministër i Jashtëm dhe Ahmet Zogu ministër i Brendshëm. Kongresi krijoi gjithashtu një këshill kombëtar apo senat të përbërë nga 37 anëtarë, të cilit do t’i besoheshin kompetencat parlamentare deri në organizimin e zgjedhjeve të përgjithshme. Më 20 shkurt 1920, të gjithë ata anëtarë të Qeverisë së Durrësit, që kishin mbetur nën mbrojtjen e flotës ushtarake italiane, u larguan nga qyteti dhe i sollën të gjitha arkivat dhe thesarin në Tiranë. Ky ishte një kalim paqësor dhe pa gjak i pushtetit, kryesisht si rrjedhojë e hezitimit të ushtarakëve italianë dhe popullaritetit të qeverisë së re. Për momentin, zhvillimet në Shqipëri dukeshin relativisht të qëndrueshme. Delegacioni në Paris vazhdonte pa sukses përpjekjet e tij; në Shqipëri, Qeveria e re e Tiranës, nën ndikimin udhëheqës të Ahmet Zogut, po përgatitej të kalonte në veprime të drejtpërdrejta. Ashtu si edhe Esat Pasha nën Vilhelm Vidin, Zogu vendosi kontrollin e tij mbi ministrinë më të rëndësishme të qeverisë, e cila ishte përgjegjëse për kryerjen e shumë reformave të shumëkërkuara dhe kontrollonte forcat e domosdoshme ushtarake. Zogu u caktua kryekomandant i ushtrisë shqiptare, bërthama e së cilës përbëhej nga njerëzit e tij, pasi lidhjet farefisnore vazhdonin të ishin të rëndësishme. Në muajt në vijim, do të shihej se ky djalosh i ri do të merrte kryesimin e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Ai u tregua i suksesshëm në sigurimin e përkrahjes xhandarmërisë dhe i ftoi të gjithë prefektët shqiptar që t’i bashkoheshin regjimit të tij.

 3. 4. 1. Tërheqja e Fuqive të Mëdha dhe shtrirja e kontrollit të Qeverisë së Tiranës

Veprimet aleate u bënë shkas për zhvillimet e mëtejshme. Në mars 1920, pushtimi ndëraleat i Shkodrës përfundoi, ndonëse italianët, nën komandën e Perricones, u autorizuan të qëndronin. Me refuzimin e Wilsonit që problemi shqiptar të përfshihej në çështjen e përgjithshme të Adriatikut (shkurt – mars 1920), arsyeja kryesore për angazhimin britanik dhe francez në Shqipëri u eliminua. Në një plan më të përgjithshëm, ishte shtuar presioni publik për uljen e shpenzimeve dhe tërheqjen e trupave ushtarake në shtëpi. Përligjja e dhënë në parlamentin britanik ishte se Ministria e Luftës kishte vendosur që misionet politike nuk mund të përligjeshin më gjatë nëpërmjet fondeve të ushtrisë. Në rast se angazhimi britanik do të kërkohej edhe më tej për qëllime politike, atëherë Foreign Office duhej ta financonte vetë atë, por u vendos që kjo nuk qe më e nevojshme. Tërheqja franko – britanike eliminoi zonën amortizuese midis serbëve dhe italianëve. Kur De Fourtou dhe trupat e tij u larguan nga qyteti, ata prisnin që vendin e tyre ta zinin serbët. Ata ia kaluan mbrojtjen e malit të Taraboshit dhe vijës së Bunës, serbeve, duke i furnizuar ata edhe me armë e municione. Megjithatë, QT arriti të vendoste kontrollin e saj mbi qytet. Phillips shkruan se De Fourtou ia dorëzoi Shkodrën bashkisë së saj që nga ana e saj, ia kaloi kontrollin e qytetit dy pjesëtarëve të Qeverisë së re (Zogut dhe Hoxhë Kadriut).

Në studimin e tij të hollësishëm të Shqipërisë së shekullit XX, Owen Pearsoni thotë se angazhimi Zogut kishte nisur shumë më herët. Duke parashikuar një reagim serb, Zogu kishte mundur ta parandalonte atë, duke futur fshehurazi ne Shkodër një forcë të armatosur të fisit të Matit që përpara largimit të francezëve. Me gjithë zemërimin e serbeve dhe planeve për një sulm të menjëhershëm, në mars 1920, Phillips thekson se nga një nismë e tillë nuk mund të arrihej ndonjë sukses i madh, sidomos pas hapjes së bisedimeve të San Remos (prill 1920) dhe kur në Shkodër ndodhej ende detashmenti i Perricones. (Bisedimet e San Remos u zhvilluan për caktimin e mandateve të Lidhjes së Kombeve në ish – territoret e Perandorisë Otomane në Lindjen e Mesme). Zogu u caktua guvernator i Shkodrës nga qeveria shqiptare, e cila ishte impresionuar nga shpirti i tij i nismës dhe veprimi i menjëhershëm. Ndërkohë, ishte thirrur në Angli, pasi Foreign Office ishte bërë tejet i ndjeshëm ndaj kërkesave të Konsultës. Një hap i tillë do ta ndërlikonte edhe më tej politikën britanike në drejtim të Shqipërisë.

Ndonëse Phillips e shihte me mjaft simpati kauzën shqiptare, që nga ky moment Britania e Madhe nuk do të mbante në Shqipëri asnjë lloj personeli dhe në gjithçka që mund të ndodhte atje, ajo do të duhej të mbështetej vetëm mbi informacionet e italianëve. Meqenëse detyra parësore e QT ishte dëbimi i të gjitha forcave të huaja nga territori shqiptar, ngjarjet e Shkodrës patën mjaft jehonë mbi popull, veçanërisht po të krahasoheshin ato me qëndrimin pritës e dukshëm të dobët të regjimit të Durrësit. Kjo përshtypje u përforcua edhe me nga tërheqja e trupave franceze nga Korça më 21 qershor 1920, ku francezët ia kaluan kontrollin e qytetit Komitetit Shqiptar të atjeshëm. Mbi bazën e Protokollit të Kapshticës (15 maj 1920) midis Qeverisë së Thanës dhe Greqisë (marrëveshja e parë mes saj dhe një qeverie tjetër), shqiptarët arritën të bënin të mundur që Korça, pas tërheqjes së forcave franceze, të merrej nga trupat shqiptare dhe jo nga forcat greke. Të dyja palët ranë dakord të ruanin status quo – në deri në përfundim të Konferencës së Paqes. Shqiptarët ranë dakord të mbronin shtetasit greke dhe të garantonin të drejtat e shkollës greke, të kishave dhe gjuhës, duke u lejuar njëkohësisht forcave greke të pushtonin njëzet e gjashtë fshatra shqiptare, në juglindje të Korçës dhe në veri të vijës së Firences. Këto realizime të shqiptarëve, lidhur me Korcën, nuk duheshin nënvleftësuar. Ato rritën së tepërmi prestigjin e qeverisë shqiptare si brenda, ashtu edhe jashtë vendit, siguruan një mirëkuptim të përkohshëm, për sa i përket Korçës, dhe shmangen masakrat e mundshme, të cilat do ta kishin dëmtuar kauzën shqiptare në planin ndërkombëtar. Kjo marrëveshje kishte avantazhe edhe për grekët: gjakderdhja e paralajmëruar nuk ndodhi dhe pushtimi italian ishte ndalur. Megjithatë, Tirana kishte rënë dakord me një lloj forme pushtimi grek dhe çështja e kufirit mbetej ende e pazgjidhur. Roli i forcave të huaja ishte akoma më kuptimplotë. Lloyd George kishte siguruar që tërheqja e trupave franceze të mos bëhej deri sa të përfundonin bisedimet e Konferencës së San Remos, pasi ai shpresonte ta përdorte ende Shqipërinë si, një mjet këmbimi në tryezën e bisedimeve. Sikurse thotë Woodall, udhëheqësit e FM e kishin mbivlerësuar edhe një herë tjetër rëndësinë që Shqipëria mund të kishte në sytë e grekëve. Në krahasim me përfitime të mundshme në Azinë e Vogël, Korça nuk vlerësohej shumë. Për më tepër, kundërshtimet kryesore ndaj pushtimit shqiptar të Korçës qenë pakësuar. Më parë, Whitehall kishte besuar se kontrolli shqiptar do të shpinte ipso facto në një kontroll italian ose në mënyrë të drejtpërdrejtë, ose tërthorazi. Veprimet e pavarura të Qeverisë së re të Tiranës u gërshetuan me bindjen e re të Whitehallit se në Shqipëri, Italia nuk kishte trupa të mjaftueshme (më pak se 25000) për të pushtuar Korçën, gjë që donte të thoshte se shqiptarët nuk duhej të shiheshin si kukulla të italianëve. Duket se këto argumente e kanë kënaqur Venizelosin. Crowe thotë se problemet që dikur kishin kërkuar praninë e kontrollit francez për të siguruar një zonë amortizuese midis grekëve dhe italianëve, tani ishin eliminuar.Qeveria e re bën gjithashtu përparime edhe në Shqipërinë e Mesme. Kur forcat e Esat Pashës u përpoqën të vendosnin kontrollin mbi të, QTveproi energjikisht dhe shpejt. Ajo nxori një manifest për popullsinë, duke paralajmëruar këdo që merrte pjesë në grumbullimet propagandistike të forcave të Esat Pashës. Ajo dërgoi delegatë në Paris, në një përpjekje për të negociuar drejtpërdrejt me Esat Pashën. Nuk pritej ndonjë sukses, por Zogu mendoi se kjo nismë do t’i jepte QT kohën për të cilën ajo kishte nevojë. Dhe kështu ndodhi. Me disa prej rebeleve u nënshkrua një marrëveshje dhe aty rreth mesit të prillit 1920 forcat e Zogut kishin mundur të shpartallonin forcat e mbetura. Pas eliminimit të kërcënimit që kanosej nga Esat Pasha, qeveria shqiptare ishte në gjendje të dërgonte një forcë të armatosur, akoma edhe më në jug të vendit, për të realizuar një numër zgjidhjesh, përfshi këtu edhe Gjirokastrën, më 24 prill 1920. Më 13 qershor 1920 Esat Pasha u vra në Paris nga Avni Rustemi, një student revolucionar dhe anëtar i Komitetit për Kosovën. Jashtë këtyre sukseseve, QT nuk kishte mundur të realizonte ndonjë gjë të madhe në drejtim të sigurimit të tërheqjes italiane, por, pas arritjes së marrëveshjes me grekët, perspektivat dukeshin të mira, edhe për sa i përket qëndrimit të Romës ndaj përfitimeve të mundshme të një pushtimi italian në Shqipëri. Nevoja për veprim kundër Italisë ishte vendimtare, për shkak se mungesa e kësaj kishte qënë arsyeja kryesore për humbjen e përkrahjes popullore nga ana e Qeverisë së Durrësit. Ajo shërbente gjithashtu si bazë për rritjen e ndikimit të Qeverisë së re të Tiranës. Një tjetër aspekt interesant i revoltës së forcave të Esat Pashës ishte roli që kishte luajtur Castoldi, që tani ishte emëruar komisioner italian në Shqipëri dhe dyshohej se ishte përzier mjaft në planet e konspiracionit të Esat Pashës. Sigurisht, një gjë e tillë nuk shkonte në favor të përmirësimit të pozicionit italian në Shqipëri. Ndërkaq, në qershor 1920, italianët kishin vendosur të largoheshin nga Shqipëria, me përjashtim të Vlorës dhe zonave kryesore kufitare. Për ndjekjen e kësaj politike, Woodall citon dy arsye. Së pari, situata ushtarake italiane në Shqipëri ishte përkeqësuar si rrjedhojë e rritjes së fuqisë së nacionalizmit shqiptar, veçanërisht e elementëve islamikë, dhe dështimit të Konsultës për të gjetur mbështetjen e nevojshme për protektoratin.

Së dyti, QT ngulmonte që trupat italiane të tërhiqeshin dhe që kontrolli i Shqipërisë t’i kalohej asaj. Kishte edhe faktorë të tjerë. Në maj 1920, Konsulta kishte rënë dakord të pakësonte numrin e trupave italiane në Shqipëri në 10000 vetë, me qëllim që të kursente para: faktikisht, ajo kishte vendosur të tërhiqte të gjitha detashmentet nga pjesët e brendshme të vendit dhe të përqendrohej vetëm në portet më të mëdhenj të bregdetit. Më në fund, për Konsultën po bëhej e qartë se marrëdhëniet midis saj dhe QT po keqësoheshin. Sipas raporteve britanike, duket se midis autoriteteve të Romës dhe zyrtarëve italianë në Shqipëri jo vetëm që nuk ka pasur një politikë të bashkërenduar, por një divergjencë të konsiderueshme pikëpamjesh. Zyrtarët italianë në Shqipëri, me përjashtim të ndërtimit të rrugëve, bënë fare pak dhe në veçanti dështuan në eliminimin e kusarisë së rrugës. Përpjekjet për ta bërë të detyrueshëm mësimdhënien e gjuhës italianë në shkolla priten keq nga masa e popullit.Një deputet italian komentonte se politika italiane “luhatej mes grushtit të fortë dhe dorezës pa gishtërinj”. Njoftohej se xhandarmëria e stërvitur nga italianët kishte refuzuar të zbatonte urdhrat e eprorëve të saj italianë dhe se shumë prej tyre ishin bashkuar me kryengritësit. Gjithashtu, kishte edhe prirje italiane për një kthim në politikën e një Shqipërie të pavarur sipas modelit të 1913 – s dhe larg ideve të Nittit për ndarjen e Shqipërisë. Duket se këto ndryshime janë motivuar nga arsye pragmatike. Në qoftë se Jugosllavia do të merrte Shkodrën dhe territoret në jug të saj, deri në lumin Drin, atëherë në Jugosllavi do të trupëzoheshin edhe një milion “shqiptarë” të tjerë. Këta shqiptarë, natyrisht, do të kërkonin të vërshonin drejt Shqipërisë së Mesme, rajonit që do të kontrollohej nga italianët, duke e kthyer atë në rrëmujë dhe paqëndrueshmëri.

Italianët nuk donin të hiqnin dorë nga shpresa për të ruajtur ndikimin e tyre në Shqipëri, veçanërisht nga Vlora. Pasi kishte siguruar pushtimin e Korçës, qeveria e drejtuar nga Delvina vendosi t’u kthehej negociatave me italianët. Castoldi u udhëzua t’i zvarriste negociatat sa më shumë dhe të mbështeste elementët që mbështesnin Esat Pashën. Konsulta shpresonte se me orvatjen e saj për të hedhur një grup shqiptarësh kundër një grupi tjetër, ajo mund të ishte ende në gjendje të realizonte politikën ndarëse të Nittit, pa koston e një pushtimi zyrtar. QT vendosi të ekonomizonte forcat e saj, duke arritur në përfundimin e drejtë se ajo qe tepër e dobët për të çuar në disfatë si serbët, ashtu edhe italianët. Ajo doli me skemën ambicioze për t’i ofruar një marrëveshje Italisë. Me këtë lëvizje, ajo shpresonte të siguronte tërheqjen italiane dhe të përfitonte ndihmën e tyre për të ndalur pushtimin serb në veri të vendit. Duke luajtur për kohë, italianët e hodhën poshtë këtë propozim me shpresë se forcat e Esat Pashës, si më të përpunueshëm që ishin, mund të fitonin terren dhe të vendosnin pushtetin e tyre. Castoldi zhvilloi negociata me udhëheqësit shqiptarë në Durrës dhe në Tiranë. Përparimet qenë të vogla, sepse Sulejman bej Delvina gjykonte se kërcënimi më i madh vinte nga Italia dhe jo nga Jugosllavia. Delvina dërgoi negociatorë si në Beograd, ashtu edhe në Athinë, në përpjekje për të gjetur aleatë. Si rezultat, Castoldi informoi eprorët e tij se Konsulta duhej të punonte për kontrollin e Shqipërisë më tepër nëpërmjet mjeteve ekonomike, sesa ushtarake.Konsulta iu rikthye politikës së një Shqipërie të bashkuar sipas vijave të propozuara nga Sonnino – ja, por vetëm për nevoja thjesht strategjike. Më 24 qershor 1920, kryeministri i ri, Giovanni Giolitti, deklaroi në parlamentin italian se qeveria “nuk ishte për një protektorat në Shqipëri, por dëshiron pavarësinë e këtij vendi”. Më 27 qershor 1920 ai e zgjeroi edhe më tej fjalimin e tij, duke theksuar se Italia nuk do ta lëshonte Vlorën deri sa Shqipëria të qe aq e fortë, sa të siguronte që ky port të mos binte në duart e ndonjë fuqie tjetër. Ky ishte një pozicion i pranueshëm, por qeveria italiane ndodhej nën një trysni të konsiderueshme. Shtypi këmbëngulte mbi domosdoshmërinë e ruajtjes së Vlorës, por socialistët, të cilët kishin arritur mjaft sukses në zgjedhjet e nëntorit 1919, e kundërshtonin hapur këtë politikë.

(Jo shteti) i vogël, i dobët, kishte mundur të poshtëronte një prej FM, por pozicioni i rishikuar italian ishte krejtësisht i papajtueshërn me qëllimet e QT. Delvina tashmë kishte siguruar një marrëveshje me Athinën. Një larmi incidentesh kishte shkaktuar indinjatën e shqiptarëve ndaj pushtimit italian, duke e shpënë atë në kulm, gjë që do të pasohej nga deklaratat e Giolittit. Me fillimin e tërheqjes së trupave, ishte e qartë se italianët nuk ishin të përgatitur të tërhiqeshin plotësisht dhe incidentet mes trupave shqiptare e atyre italiane u shtuan. Autoritetet ushtarake italiane vazhduan të bënin një numër gabimesh trashanike. Për shembull, ata arrestuan prefektin e ri të sapoemëruar të Tepelenës, gjoja se ai nuk kishte pranuar të nënshkruante një deklaratë në favor të protektoratit italian. Incidente të tilla i bindën shqiptarët se italianët mund të largoheshin vetëm forcërisht dhe se diplomacia ishte e kotë. Në një raport dërguar Herbertit, Delvina jepte hollësi rreth ngjarjeve. Me gjithë paanshmërinë që ai mundohet të ketë, përshkrimi i tij ndryshon fare pak nga ato të bashkëkohësve të tij. Ai e portretizon vendimin për të përdorur forcën kundër Italisë si diçka që ishte marrë nën shtysën e peticioneve të panumërta për të ardhmen e Vlorës, për të cilën qeveria e tij kishte marrë përgjigje shumë të paqarta. Preteksti për revoltën erdhi nga vetë banorët e qytetit. Në një takim të Komitetit për Shpëtimin Kombëtar (29 maj 1920), pjesëmarrësit u betuan se do t’i nxirrnin italianët jashtë nga Vlora. Piacentinit iu dërgua një ultimatum ku i kërkohej të dorëzonte Vlorën, Tepelenën dhe Himarën brenda njëzet e katër orësh. Në vend të përgjigjes, Piacentini u përgjigj me breshërinë e artilerisë. Qorrsokaku u kapërcye vetëm kur Giolitti shpalli tërheqjen e menjëhershme të trupave italiane (16 qershor 1920). Giolittit do t’i kishte pëlqyer të ruante kontrollin mbi Vlorën, por ai e pa se gjendja ishte e pashpresë, pasi, siç thekson Swire: “veç tërheqjes nuk mbetej alternativë tjetër”. Giolitti druhej se dërgimi i trupave të tjera italiane mund të shkaktonte greva të përgjithshme dhe demonstrime popullore, të cilat do të dëmtonin rëndë solidaritetin e ushtrisë. Kushtet e rënda higjienike, në të cilat ndodhej ushtria italiane në Shqipëri, ishin bërë tejet të njohura (sëmundje, veçanërisht malaria, vdekjet, demoralizimi, konflikti i mundshëm me grekët, serbët dhe shqiptarët) dhe për ushtarakët nuk kishte më kurrfarë dëshire për të qëndruar. Trupat italiane nuk pranuan të zbatonin urdhrat dhe disa njësi kishin refuzuar të hipnin në anijet e ankoruara në Bari dhe Brindisi, në pritje për t’u nisur në Shqipëri.

Italianët kërkuan përmes mjetesh diplomatike të rikuperonin aventurën e tyre shqiptare, urën e tyre të shumëlakmuar në Ballkan dhe të sigurisë në Adriatik. Giolitti dërgoi Aliottin dhe Castoldin në Tiranë për të negociuar një marrëveshje. Më 16 korrik 1920 bisedimet u ndërprenë dhe veprimet armiqësore rifilluan. Konsulta pati shpresuar se misioni i saj do të dilte me sukses, për shkak të angazhimit të këtyre dy individëve në Shqipërinë e viteve 1913 – 1914. Por edhe kësaj here, italianët i kishin keqkuptuar shqiptarët. Të dy këta burra nuk gëzonin popullaritet në Shqipëri, për shkak të lidhjeve të tyre me konspiracionin e organizuar kundër Vidit, sidomos Aliotti, për rolin tij të dukshëm në Paktin e Londrës. Italianët nuk mund t’i zgjasnin më tej negociatat. Më 22 korrik 1920 konti Carlo Sforza, të cilin Giolitti e kishte zgjedhur si ministrin e tij të Jashtëm, hodhi poshtë marrëveshjen Tittoni – Venizelos, gjoja mbi bazën se Greqia kishte shkelur karakterin e saj të fshehtë. Sforza deklaroi se: “Shprehja e ndjenjës kombëtare e popullit shqiptar e ka detyruar qeverinë italiane të modifikojë objektivat që ajo propozonte për të arritur… ruajtjen… e interesave italiane në këtë rajon”.

Më vonë, në një përpjekje për të përligjur vendimin e tij për ndërprerjen e ambicieve kombëtare italiane në Shqipëri, Sforza do të shkruante se ai nuk arrinte të shihte se si marrëveshja e arritur me Paktin e Londrës do të ishte në përfitim të Italisë, lidhur me pikat me thelbësore të interesave italiane në Shqipëri. Për të, aty kishte një kontradiktë. Nëse objektivi i Italisë ishte ruajtja e një Shqipërie të qëndrueshme e të pavarur, sipas parimit të vetëvendosjes, atëherë nuk dukej shumë e kuptueshme se si mund të pranohej që asaj t’i hiqej një prej ‘mushkërive’ të saj, siç ishte porti i Vlorës. Ai përfundonte se Shqipëria duhej të hynte në sferën e ndikimit italian, por jo si rezultat i ndonjë marrëveshjeje ndërkombëtare ndaj së cilës populli shqiptar ishte kundër, pasi kjo do të kishte kosto të lartë dhe, me fort të ngjarë, do të qe e papërballueshme.

Më 2 gusht 1920 u përfundua një armëpushim, i pasuar nga një protokoll i fshehtë. Italianët pranonin pavarësinë e plotë dhe sovranitetin e tërësisë territoriale të kufijve të përcaktuar më 1913 – n, pranonin të hiqnin dorë nga pretendimet e tyre ndaj protektoratit të shpallur më 1917- n, pushtimit dhe administrimit të Vlorës, mandatit mbi vendin apo ndërhyrjeve në punët e brendshme të Shqipërisë. Qeveria italiane ra dakord të tërhiqte të gjithë materialin e luftës nga Vlora, si edhe gjithçka tjetër që ajo zotëronte në tokën shqiptare. Konsultës iu lejua të ruante zotërimin e saj mbi Sazanin, si edhe një garnizon atje, deri sa FM të vendosnin se ç’do të bëhej me ishullin. Më 2 shtator 1920 të gjithë trupat italiane që kishin mbetur ende në Vlorë, ishin larguar prej atje. Marrëveshja shënonte disa arritje. Në anën shqiptare, ajo kishte shtuar prestigjin e QT në sytë e shqiptarëve si brenda, ashtu edhe jashtë vendit. Ajo u përshëndet si pakti i parë diplomatik midis Shqipërisë dhe një fuqie të huaj, ndonëse ajo ishte një Shqipëri që hiqte dorë nga irredenta [papërmbushje]. Për Konsultën, ajo përbënte një ndryshim dramatik në qasjen e problemit, për të mos thënë në politikën e saj. Duke ruajtur Sazanin (deri sa statusi të përcaktohej përfundimisht), Italia kishte arritur objektivin e saj madhor në Shqipëri – mbrojtjen e ngushticës së Otrantos dhe Adriatikut. Me mbajtjen e këtij ishulli, ajo do të qe e mirëpozicionuar, edhe në rast se në pushtet në Shqipëri vinte një regjim jo miqësor, ose kur ndonjë vend tjetër mund të kishte ndikim mbi Shqipërinë. E meta më e madhe për Konsultën qëndronte te mënyra e tërheqjes. Ndonëse qeveria italiane kishte rënë dakord të përdorte gjithë ndikimin e saj për të arritur njohjen e plotë dhe pa rezerva të Pavarësisë së Shqipërisë në kufijtë e saj të 1913 – s nga ana e FM, këto nuk ishin premtime që Konsulta mund t’i përmbushte krejtësisht. Në to kishte edhe një lloj elementi të fatit. Ndërprerja e bisedimeve italo – jugosllave, për shkak të krizës së kabinetit italian, i dha QT mundësinë e frymëmarrjes për të siguruar tërheqjen italiane. Nëse italianët dhe jugosllavët do të kishin arritur në ndonjë lloj marrëveshjeje, një gjë e tillë do të kishte qenë shumë më e vështirë.Në gusht 1920 perspektiva për një Shqipëri të pavarur ishte përmirësuar mjaft: në numër të madh, tani, si pushtues të huaj mbeteshin vetëm serbët. Veprimtaria dhe nismat e Qeverisë së Tiranës në këtë drejtim ishin mbresëlënëse, sidomos aftësia që ajo kishte treguar në drejtim të largimit të fuqisë së madhe italiane përmes kombinimit të diplomacisë dhe të forcës. Në këtë përvoje, shembulli shqiptar bie ndesh me teoritë tradicionaliste rreth shteteve të vogla në sistemin e FM të kohës, sistem ky, i cili bazohej në shkallë të gjerë, në multipolaritetin dhe ekuilibrin e forcave. Argumentimi i Handelit, sipas të cilit, shtetet e vogla nuk janë gjithnjë “të pashpresa” ose thjesht pengje të FM, bazohet mbi atë që shtetet e vogla mund të përfitojnë ndihmën e shteteve të tjera të dobëta të huaja ose të FM.Polakët, çekët dhe grekët qenë që të gjithë të aftë të siguronin përkrahjen franceze dhe të rrisnin kapacitetin e tyre relativ pas lufte, por qartazi ky nuk ishte rasti i shqiptarëve. Ndërkaq, interpretimi i Rothsteinit i jep më shumë peshë nismave shqiptare. Ai thotë se një fuqi e vogël mund të “ndryshojë shanset e veta të mbijetesës, në radhë të parë dhe kryesisht duke ndryshuar mendësinë që FM kanë për të, si dhe për reagimet e mundshme që ajo mund të ketë ndaj trysnisë së huaj”. Përvojat e luftës dhe të pushtimit forcuan dhe ngritën në nivel lartë solidaritetin kombëtar shqiptar dhe veprimtaria e shqiptarëve dobësoi edhe aspiratat italiane në drejtim të Shqipërisë. Por kjo teori ka gjithashtu kufizimet e saj, pasi asnjë prej udhëheqësve nacionalistë apo qeverive përkatëse shqiptare nuk kishte pasur ndonjëherë ndonjë plan të mirëmenduar paraprakisht. Në këtë lëvizje vihet re një mungesë e dukshme politikash të qëndrueshme dhe koherente, që jo rrallë ishin me tepër thjesht reagime ndaj situatash apo individësh, sesa ndjekje e një agjende të përcaktuar. Për më tepër, ashtu sikurse ilustron edhe teoria e Holtsmarkut mbi “asimetrinë e pritshmërive”, një fuqi e vogël i jep një përparësi shumë më të madhe marrëdhënies së saj me një fuqi të madhe, sesa bën kjo e fundit në drejtim të saj. Vetëm kur Konsulta dhe Fuqitë e tjera të Mëdha provuan se nuk ishin seriozisht të angazhuara ndaj projektit shqiptar, do të dilnin disa shqiptarë, dhe jo të gjithë, që do të lëviznin drejt politikës së dëbimit të të huajve dhe arritjes së pavarësisë. Për më tepër, ide të tilla nuk mbajnë parasysh situatën e jashtëzakonshme të krijuar si rrjedhoje e Luftës së Parë Botërore ose të asaj që Stanley Page e ka përshkruar si “bashkëvendosjen e pazakontë historike të forcave në vorbullën revolucionare dhe intervencioniste të pasluftës”. Në këtë drejtim, shpjegimi i Handelit për suksesin nacionalist të shteteve të Baltikut dhe të Danubit mund të zbatohet në mënyrë të njëjtë edhe në rastin e Ballkanit. Në periudhën e pasluftës, u krijua një boshllëk force, sepse FM që kishin sunduar më parë në Ballkan, Rusia dhe Austria ishin përkohësisht (në rastin e Austrisë në mënyrë të përhershme) të mundura dhe të dobëta nga brenda. Politikëbërësit italianë dhe, në një shkallë më të vogël, ata francezë u përpoqën të luanin rolin e FM në rajon, si rrjedhojë e kundërshtisë së hasur në Paris dhe në terrenin shqiptar, asnjë prej tyre nuk qe në gjendje ta siguronte këtë nga fundi i vitit 1920. Në këtë ndërkohë, kjo do të shtonte forcën e nacionalistëve ballkanikë, përfshi edhe nacionalistët shqiptarë. Kur trysnia britanike, franceze dhe amerikane ra dhe Italia, nën sundimin e Benito Musolinit, do të rigjente forcën e saj, ky pozicion nuk mund të zgjaste më tej. Gjatë viteve 1930 Zogu do të binte gjithnjë e më shumë në varësinë italiane dhe gjermanët nisën të depërtonin ekonomikisht e më në shkallë të gjerë në Ballkan[7]. Paradigma se FM vendosin për të vegjëlit dhe të vegjëlit thjesht të pranonin fatin që ofronin padronëve të kontinentit është në fokusin e një analize të thellë, të gjatë, të hollësishme, ndoshta nga më objektivet e paanshme dhe më seriozet, që ndër studiuesit e huaj ka realizuar studiuesja angleze Nicola Guy. Ato janë justifikime retorike, se del në skenë parimi tjetër, mbase i padëshirueshëm për të fortët, se shqiptarët e zgjidhën ushtarakisht dhe luftarakisht fatin e tyre, ekzistencën e kombit, që që kushtëzoi dhe logjistikën diplomatike të favorizonte zgjidhjen pozitive të çështjes shqiptare.

*) Albert  R. HABAZAJ (ABAZI)-Drejtor i Biblotekës “ Nermin Vlora Falaschi”, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë



[1] NOPCSA, Franz , “Antropologji kulturore”, Dispencë [Tiranë, maj 2011], f. 4 – 14

[2] VLORA, Ismail Qemal, “Kujtime”, Botimet Grand Prind, [Tiranë], [2007], f. 306.

[3] SIPAS shënimeve që kemi mbajtur në bisedat me z. Petrit A.Velaj, 94 vjeç dhe Fahri Xh. Shaska 78 vjeç  gjatë periudhës  29. 05. 2012 – 02. 05. 2013.

[4] MÉTAIS, Serge, “Historia e Shqiptarëve nga ilirët deri te Pavarësia e Kosovës”, 55, Tiranë,  2006, f. 283 – 287

[5] PO aty, f. 287.

[6] COSTAS, Nicolas J., “Shqipëria: enigmë europiane, monografi për Evropën Juglindore = Albania: A European enigma, East European monographs”, OMSCA – 1Tiranë, 2002, f. 40

[7] GUY, Nicola C., “Lindja e Shqipërisë  = The Birth of Albania”, Pegi, Tiranë, tetor 2012, f. 253 – 267.

Filed Under: Histori Tagged With: CStudiuesit e huaj, per Luften e Vlores

Artikujt e fundit

  • GADISHULLI BALLKANIK  
  • Lindja e Mesme, Trump dhe kthimi në Realpolitikë
  • HISTORIA E KRYEVEPRES SË NDOC MARTINIT
  • SI LETRAT BRENDA SHISHEVE…
  • Zëri i gjëmimshëm i Andrea Bocellit, si një thirrje për zgjim shpirtëror
  • SI U HOQ BUTRINTI NGA DUART E PUBLIKUT
  • Të arratisurit nga Shqipëria deri më 31 tetor 1990
  • Nga lufta e Kosovës, në Distriktin 14-të në New York
  • Hieroglifet e mallit…
  • Një ftesë për shqiptarët e Amerikës
  • VATRA ORGANIZON SIMPOZIUM SHKENCOR NË 50 VJETORIN E KALIMIT NË PËRJETËSI TË NACIONALISTIT ABAS KUPI
  • Si e ka portretizuar Kosova sportin në pullat e saj postare
  • Balluku nuk është rasti, është testi!
  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT