• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kristo Kirka, BASHKETHEMELUSI I VATRES DHA SHPIRT ME 28 PRILL….

April 28, 2019 by dgreca

Nga Dalip Greca/

Homazh për vatranët e martirizuar nga diktatura /

Federata Pan shqiptare e Amerikës Vatra dha gjithëçka për të shpëtuar Shqipërinë.Siç ka theksuar Faik Konica, një ndër shtyllat e Federatës në dhjetëvjeçarin e parë të Shekullit XX, sekretari i Komisionit të  bashkimit të shoqërive që vepronin në SHBA më  1912,-  “Vatra” mori përsipër të veprojë  në vend të shtetit të vdekur shqiptar.

Federata Panshqiptare e Amerikes “Vatra”, ka bërë punë të mëdha për Shqipërinë: Delegatët e Shqipërisë që i shërbyen çështjes kombëtare në  çastet më të vështira gjatë Luftës së Parë  Botërore e më pas, u financuan nga “Vatra”. Ishin harxhet e Vatrës ato që financuan jo vetëm diplomatët shqiptarë, por edhe miq të Shqipërisë si dhe agjensi të huaja të specializuara që punuan në ato vite për të propaganduar çështjen kombëtare shqiptare. Protestat e shumta, telegramet dhe deklaratat e organizuara nag Vatra në SHBA për mbrojtjen e çështjes shqiptare pranë kancelarive, konferencave, forumeve ndërkombëtare, qenë  jetike për kombin.

Sa për kujtesë të  lexuesëve, në gjuhën e shifrave shpenzimet e “Vatrës”  vetëm gjatë Luftës së Parë Botërore dhe pas saj arritën në 198.000.00 dollarë amerikanë, që për kohën ishin shuma të mëdha, ndërkohë qër shqiptarët s’arrinin të merrnin më shumë se 5-7 dollarë  në javë.

Një kontribut i çmuar i Vatrës ishte ai për zgjimin e kombit dhe ndriçimin e vetëdijes kombëtare. “Dielli” dhe Federatës “Vatra”, zgjuan nga plogështia shekullore jo vetëm shqiptarët e Amerikës, por edhe ata të Shqipërisë.Ndihma që dha” Vatra”  për arsimimin e shqiptarëve dhe kulturën kombëtare, janë të  pamohushme. Më shumë se 200 mijë tekste shkollore për shkollat shqiptare i sponsorizoi “Vatra”, ndërkohë që  nxiti botimin dhe përkthimin e dhjetëra veprave letrare, përkrahu materialisht dërgimin e studentëve shqiptarë në shkollat amerikane etj. Nga diaspora e Amerikës Shqipëria fitoi edhe Kishën Autoqefale Orthodokse, që u bë një nga shtyllat e forcimit të shtetit.

Pas Luftës së Parë  Botërore, si dhe në prag të Luftës së Dytë  Botërore, shumë prej vatranëve patriotë iu përgjigjën zërit të Atdheut,  lanë Amerikën për t’i shërbyer Shqipërisë. Disa prej tyre u ndëshkuan nga diktatura komuniste që u instalua në Shqipëri, pa qenë  fajtorë e pa u gjykuar si të atillë. Atdhetarët e orëve të para ranë në kurthin e diktaturës,e  cila shumëzoi me zero kontributin atdhetar dhe sakrificat e mëdha që ata kishin bërë për Shqipërinë.

Është jashtë çdo logjike që atdhetarizmi të shpërblehet me plumba apo me burgime të rënda. Ajo “Vatër” që i kishte paraprirë formimit të shtetit të munguar shqiptar, ajo VATER, që mbrojti Shqipërinë përmes Amerikës në Konferencën e Paqes, merrte shpërblimin e dhunshëm duke u hequr të drejtën për të jetuar vatranëve patriotë, vetëm e vetëm pse nuk kishin pranuar idologjinë vëllavrasëse komuniste. Tre nga delegatët themeltarë të Vatrës; që së bashku me komisionin e bashkimit, sollën krijimin e Federatës; Kolë Rodhja, Kristo Kirka dhe Koço Kosta, u ndëshkuan prej diktaturës vetëm pse nuk u bënë bashkëpunëtorë të saj. Editori i Bahri Omari u pushkatua pa iu provuar asnjë lloj fajësie, Aqile Tasi, që për tetë vjet kishte qenë zyrtar e kryetar i Vatrës si dhe editor i Diellit, dhe pat lënë Amerikën për të pranuar detyrën e drejtorit të Bibliotekës Kombëtare në Tiranë e për të kontribuar në shtypin shqiptar, u dërgua në burgun e Burrelit duke u shpërblyer në mënyrën më çnjerëzore për atdhetarizmin e tij. Kristo Kirka, kryetar i “Besa – Besën”,krahu i djathtë i Nolit në krijimin e Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare, delegate i krijimit të Vatrës, kryetar i degës së Vatrës në Boston, nënkryetar i Federatës më 1915, manager i Diellit më 1912, deputet në Parlamentin shqiptar për katër vite, nënprefekt në Himarë dhe Bilisht, kryetar i bashkisë së Korçës, ironikisht shpërblehet duke e dërguar në qelitë e ferrit të Burrelit, ku shpirti atdhetar iu shua pa nxjerrë një shenjë pendimi për ç’kishte bërë për kombin. Tek do ta vajtonte atdhetarin e orëve të para, bashkëvuajtsi i tij, poeti i antidiktaturës Arshi Pipa, do të klithte dhimbshëm:

Vdiq flamurtari i moçëm! 

Çfaj kishte bërë Kolë  Tromara,kryetar i “Vatrës” më 1916,  kryetari i Vatrës më  1918, kryeministri i Shqipërisë,  që i kishte dhënë  Shqipërisë gjithëçka kishte të shtrenjtë? Po Andon Frashëri , editor i Diellit, Aqif Përmeti, menaxher i Diellit, Përse u ndëshkua Ali Kuçi, ai vatrani që u printe dhurusve për çështjen shqiptare duke dhuruar më shumë se të gjithë për shpëtimin e Shqipërisë nën thirrjen e imzot Nolit:”Jepni për Nënën”? Edhe shpirti i tij u shua në qelitë e errëta të dhunës.

Vatranët që kishin ndezur ëndërrën për mëvetësinë e Shqipërisë dhe kishin iluminuar shpirtrat e shqiptarëve për të ringjallur kombin e motit të  madh të Skënderbeut, u martirizuan për të mos e tradhëtuar idealin kombëtar. Në memorien e historisë ata do të  mbeten martirë të iedaleve kombëtare. 

ATDHETARI QE DHA FRYMEN E FUNDIT NE DITETHEMELIMIN E FEDERATES

Me 28 prill 1955 pushoi së rrahuri zemra e atdhetarit të orëve të para, një ndër themeltarët e Vatrës dhe krah i djathtë i Nolit në themelimin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, Kristo Kirka. Jeta e atdhetarit u shua në burgun politik të Burrelit, një ndër më të egrit e diktaturës komuniste shqiptare. Atdhetarit të orëve të para edhe sot e kësaj dite nuk i janë gjetur eshtrat. Vatrani që kishte vënë jetën në themelet e atdhetarizmit ndëshkohej në mënyrën më çnjerëzore. Cili komb tjetër i ka ndëshkuar atdhetarët në mënyrë kaq të përbindshme?
Kristo Kirka pat ardhë në Amerikë që më 1904. Ai qe një ndër atdhetarët që iu përkushtua kombit dhe ishte me fat që pat miqësi e aktivitet të përbashkët me Fan S. Nolin, Faik Konicën, Sotir Pecin, Koço Kotën, Elio Tromarën e të tjerë. Që më 1906 ai iu përgjigj thirrjes së Sotir Pecit e Fan S. Nolit për të ndihmuar gazetën”Kombi” e para gazetë e shqiptarëve të Amerikës dhe jo vetëm dhuroi, por edhe mblodhi ndihma për të.
Kur Noli do të dorëzohej prift në Nju Jork, Kristo Kirka ishte në komisionin dëshmus të ortodoksëve, së bashku me Sotir Pecin, Vangjel Miller, Gaqo Dushi e të tjerë.
Më 1908 Kristo Kirka është zgjedhur kryetar i Shoqërisë Besa-Besën. Detyrë që duket se e ka mbajtë dhe më 1910, ç’ka e dëshmon një letër e Faik Konitzës, e 11 shkurtit të atij viti,kur kryente detyrën e  editorit të Diellit dhe i drejtohej me mesazhin”Shoqërisë Besa-Besën, kryetarit të palodhur të saj Kristo Kirka,pleqësisë së nxehtë, kurdoherë gati të bëjë detyrën e saj…”.

Kristo Kirka ishte delegate në të gjitha takimet themeluse të Federatës “Vatra” dhe në mbledhjen themeluse ai u zgjodh manager i Diellit.Ai kreu edhe detyrën e kryetarit të degës së Vatrës për Bostonin.
Atdhetari i përkushtuar gjatë të gjithë kohës ishte në krye të veprimtarive antigreke që organizonin shqiptarët e Amerikës. Madje në mitingun madhështor të 2 shkurtit 1913, në “Phoenix Hall” në Boston, organizuar nag Shoqëria Korçare “Arsimi” me përkrahjen e  “Vatrës” ai ishte drejtus  i mitingut kundër barabarizmave greke në jug të Shqipërisë.
Kristo Kirka sipas gazetës Dielli , 2 maj 1913, ishte në krye të një mitingu të organizuar në Boston në mbrojtje të kufijëve të Shqipërisë, reagim kundër vendimeve coptuse të Konferencës së Londrës.

Më 1914 ndodhet në Rumani dhe me delegacionin e shqiptarëve të Rumanisë shkon në Durrës dhe urojnë Princ Vidin. Po atë vit Kristo Kirkën e gjejmë në Korçë, ku komandanti hollandez, e emëron përgjegjës për punët publike. Gjatë përpjekjeve të grekëve për të aneksuar Korçën, Kristo Kirka ishte në krah të Themistokli Gërmenjit, me detyrë përgjegjës për mbrojtjen e postblloqeve të qytetit nga sulmet e andartëve grekë.Pas hyrjes së grekëve në Korçë, Kristo Kirka me atdhetarë të tjerë detyrohen të lënë vendin. Rikthehet sërish në radhët e Vatrës duke u bërë si më parë një përkrahës i zjarrtë i Nolit.Në janar 1921, Këshilli i Vatrës e ngarkon Kristo Kirkën përfaqësues të posaçëm të Vatrës në Shqipëri. Duke qenë një figurë që gëzonte besim në popull ai u zgjodh deputet i Korçës në Parlamentin Shqiptar për katër vite.Qeveria e Nolit e dërgoi konsull në Boston.
Në vitin 1933 riatdhesohet, caktohet nënprefekt në Himarë dhe më pas në Bilisht.Ishte i fundit kryetar bashkie i Korçës, para ardhjes në pushtet të komunistëve. Refuzoi ftesën për të marrë pjesë në Kongresin e Përmetit. Sapo komunistët hyjnë në Korçë, e arrestojnë, por e lirojnë pas një jave.Pas dy muajësh e propozojnë për kryetar fronti për popullaritetin që kishte; por sërish refuzon.Me 12 maj 1946 arrestohet dhe dënohet me 20 vjet burg. Pas 9 vitesh vuajtjesh në burgun e tmerrshëm të Burrelit, vdes, por trupi i tij nuk u kthehet familjarëve.Martiri mbeti edhe pa varr!
Poeti antikomunist, Arshi Pipa,bashkëvuajtës me Kristo Kirkën, do të shkruante aso kohe  elegjinë përjetësuse: ”Elegji për atdhetarin Kristo Kirka”. Në vargje shpërthen dhimbja për atdhetarin dhe mllefi për diktaturën:

Vdiq Flamurtari i moçëm!
Si rrojti: vdiq me nder.
I pastër, i devoçëm,
E pa u përkulë nji herë.

Ndër qela- usos t’Burrelit,
Me dhunën e tradhëtarit,
Me njoll’n e  kriminelit
Mbi ballin e atdhetarit

A u pezmatu, a u-lodh
Se ashtu u-shpërblye i pafati?
Se fëmija pranë s’ju ndodh
Se vorr, as vorr, nuk pati?

Nuk fali, nuk mallkoi.
Por kur fjala ju-pre
Ndigjuem qysh thellë ankoi:
“Për Flamur!…për Atdhe…!
Duke shfletuar kronikën e themelimit të Vatrës,nderojmë themeltarët dhe vatranët martirë që u persekutuan nga diktatura komuniste.Delegatët që themeluan Vatrën, Kolë Rodhja, Kristo Kirka, Koste Kosta,përfunduan burgjeve;ndërsa Bahri Omari, Kolë Tromara, Aqif Përmeti, u pushkatuan; në burg përfunduan edhe Aqile Tasi, Andon Frashëri e vatranë të tjerë…(DIELLI- Arkiv-Dielli)

Filed Under: Histori Tagged With: Dalip Greca-Kristo Kirka

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT