• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LAMTUMIRË I DASHUR MIK, LUIGJ ÇEKAJ!

January 8, 2021 by dgreca

SOT, SHËRBIMET FUNERALE, TË SHTUNËN MESHA DHE CEREMONIA E VARRIMIT/

Nga Dalip Greca/DIELLI/

Siç ka njoftuar gazeta Dielli, me 5 Janar 2021, në New York, ndërroi jetë në moshën 70 vjeçare poeti Luigj Çekaj. Komuniteti është njoftua se sot e Premte 8 Janar 2021, nga ora 2.00 pm – 9 .00 pm,  trupi i të ndjerit do të pushojë në Shtëpinë Mortore Farenga Brodhers INC në adresën: 920 Allerton Ave, The Bronx, NY 10469(Tel -718-654-0500).

   Mesha e Dritës do të kremtohet ditën e Shtunë, 9 Janar 2021, në Orën 10.00 am në Kishën Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës”. Më pas organizohet ceremonia e varrimit në varrezat “Gate of Heaven”, në adresën 10 West Stevens Ave, Hawthorne, NY.

    ***

Luigj Kolë Çekaj u lind 28 Maj 1950 në Shkrel të Malësisë së Madhe, në fshatin Bzhetë, Çekdedaj. Ai u rrit jetim që nga mosha 2 vjeçare pasi babai Kola, për t’i shëptuar përndjekjes nga diktatura komunsite u arratis në SHBA. Siç e ka rrëfyer vetë në librin e tij “Unë Vij nga Shkodra”, Luigji 2 vjeçar përfundoi me gjithë nënën dhe motrën 6 muajshe të lidhur në djep në degën e  punëve të brendshme në Shkodër. Shkëpus nga parathënia e librit shkruar prej meje në Janar 2004, koha e botimit të librit voluminoz prej 450 faqesh: ”Babai i Luigjit, për t’i shpëtuar kurthvdekjes , kishte kapërcyer kufirin, ndërsa familja shkonte për t’u kryqzuar. Hakmarrja u zbraz mbi gruan e pambrojtur të Kolë Çekaj,e cila do të plasej në birucat e ftohta. Ç’mund të mbetej në kujtesën e një fëmije 2 vjeçar, që provonte burgun në moshën e lodrave? …”

…Në burg qëndruam vetëm 5 ditë. Nëna ime nuk më ka folur asnjëherë për torturat, që iu bënë asaj në burg, ndoshta thjesht nuk ka dashtë t’më egërsojë me shtetin….

Në nënshtresat e kujtesës së Luigjit, janë ruajtur pamjet tronditëse, ku në oborrin e degës së brendshme ishin grumbulluar më shumë se 30 familje”armike” të Shkodrës, të cilat degdiseshin në Gulagët e Myzeqesë apo kampin skëterrë të Tepelenës…Pikërisht përpara asaj mase të pafajshme shpirtrash të përvujtur, ka gjetur çastin kryetari i degës së brendshme të Shkodrës, i cili pasi ka vënë gishtin tregues mbi fëmijën 2 vjeçar, ka nisë  një ligjërate, ku ka zbrazur të gjithë oratorinë e vet komuniste:”E shikoni se çfarë trëndafilash të njomë lënë pas armiqtë e popullit?…Trëndafila që më pas, ne i kthejmë në gjëmbaçe…”

Dhe djali i pafajshëm 2 vjeçar, që nuk ka kuptuar se ç’ndodh, ka kapur ca zaje (gurë të vegjël”, që ka gjetë përreth, dhe i ka hedhë në drejtim të oratorit gjithë zemrim….

E gjithë jeta e Luigjit u end nën ankthin e biografisë së babës së arratisur. Edhe pse e shkëputën nga nëna, për t’u përkujdesur për të daja dhe njerëzit zemërmirë të fisit, atij nuk iu hoq prej vetes përndjekja e biografisë; e kreu shërbimin ushtarak në repartet e xhenjos me pushkë druri e nën mbikqyrje të rreptë si biri i armikut, ku ishin të gjithë bijtë e “armiqëve”, dhe kur mundi të niste studimet me shkëputje nga puna në një çast zbutjeje të luftës së klasave, ata që shihnin biografitë me lupën e partisë, e thirrën dhe i kumtuan urdhërin: Ka qenë gabim, ti nuk mund të studiosh në shkollë të lartë! Largohu!

Një nga poezitë e vëllimit poetik”Vjeshta në aeroporte”, titullohet” BIOGRAFIA”. Ka vetëm 8 vargje; as 20 fjalë, por i thotë të gjitha:

BIOGRAFIA

Ndër shpikjet më të çmendura të këtij shekulli

Biografia,

Alkimi, sjellë fshehtas që nga Uralet larg…

Observatorët,

                         Teleskopët,

                                     Tërë radioskopia

Njolla e gaverna

                         Zbuluan më pak…

                                                  Në shpinën tërë gjak…(1975)

Dhe Luigji nuk shpëtoi nga mbikqyrsit e biografive, as në momentin, kur mendohej se ia kishin harruar arratisjen e babait…Ja si i ka përjetuar momentet e vështira tek i libri i tij i parë poetik, “Vjeshta në Aeroporte”, ku botohej dhe poezia e shkruar që më 1975:

“Në prill vjen urdhëri: përjashtim nga Universiteti!

Në maj vjen urdhëri tjetër:të pushohet nga puna!

Dhe në qershor i treti: të dëbohet nga qyteti!

          Kështu që dekanati, shefi i kuadrit, policia,

Shpirtrat tanë si dreqër i përzinin nga Shqipëria…

          Në këto vargje përmblidhet kuintsentenca e fëmijërisë dhe rinisë së vrarë të Luigj Çekajt, i cili me kurajo denoncoi të keqen, krimet komuniste që kishte lënë pas në Shkodrën e tij dhe në të gjithë Shqipërinë.

 Më 1998 Luigji botoi librin me perla poetike”VJESHTA NË AEROPORTE” i shkruar me dhimbjet e shpirtit, që u prit mirë nga bota letrare, por që ende prêt të studiohet nga kritika e munguar. Libri doli në dritë 5 vjet pasi Luigji kishte mërguar në SHBA (mërgoi më 1993).

Më pas, 2004, botoi librin “Unë vij nga Shkodra”. Isha nga lexuesit e parë që në dorëshkrim dhe iu përgjigja pozitivisht kërkesës së tij për t’i shkruar parathënien. Për 10 vite sa isha editor tek Gazeta Illyria, Luigji ishte ndër bashkëpunëtorët më të mirë, ku botonte poezitë e saposhkruara. Po ashtu kemi bashkëpunuar bashkë edhe në ngjarjet e komunitetit, siç ishte reportazhi i shkruar me rastin e ceremonisë së vendosjes së shtatores së Nënë Terezës në front të Kishës Katolike Shqiptare”Zoja e Shkodrës” në Neë York, dhuratë nga vëllezërit Gojçaj. Reportazhi mbante si autorë emrat:Luigj Çekaj dhe Dalip Greca.

Duke qenë se për 10 vite jetonim afër njeri-tjetrit në Pelham Park,në fundjavë shiheshim shpesh dhe diskutonim rreth Letërsisë dhe krijimeve të Luigjit.Edhe libri i tij “Humor Shkodran ne Pelham Parkway”, ka kaluar fillimisht nëpër duart e mia.

Luigji ka kryer edhe detyrën e redaktorit në revistën kulturore letrare “Jeta Katolike”, ndërkohë që në kohëkrijimin e Shoqatës së Shkrimtarëve dhe artistëve Shqiptaro-Amerikan, ai u zgjodh sekretar i saj.

Luigji na iku shpejt. Kishte ende shumë për t’i dhënë kulturës shqiptare.

Lamtumirë mik i dashur! Pushofsh në Paqë!

Ngushëllime familjes!

New York, 8 Janar 2021.

Filed Under: Histori Tagged With: dalip greca, LUIGJ ÇEKAJ

FAN S. NOLI: VASIL PANI, NË TABORRIN E PARË TË SHQIPTARIZMËS…

December 11, 2020 by dgreca

KUJTOJMË KRYETARIN E VATRËS–Me 11 dhjetor 1947,si sot 73 vite të shkuara,  u nda nga jeta Vasil Pani, ish kryetar dhe arkëtar i Vatrës, ish luftëtar i çetës së Themistokli Gërmenjit. Imzot Noli qe shprehur se ” Vasil Pani ishte në Taborrin e parë të shqiptarizmës”…

-VAJTIMI I VATRANËVE: AH, Ç’NA LE, O MIKU YNË, PREVE GOJËN MBYLLE SYNË!….

NGA DALIP GRECA*

Vasil Pani ne rinine e tij.

         Vatranëve nuk u besohej se lajmi ishte i vërtetë tek u përhap si vetëtimë atë mëngjes dhjetori të vitit 1947. Ishte ditë e enjte, 11 dhjetor. Lajmi u përhap me shpejtësinë e erës së ftohtë që përplaste flokë dëbore aty buzë oqeanit Atlantik. Kush nuk e njihte Vasil Panin, që ishte rritur bashkë me Vatrën e më pas  qe bërë një ndër ata që e mbajtën gjallë Vatrën e ngrohtë shqiptare në Amerikë?!…

Vasil Pani dhe e shoqja…

Fatkeqsisht lajmi, edhe pse nuk pritej, ishte i vërtetë. Vatranin e Dimrit dhe të Beharit(sipas fjalorit të vatranëve të vjetër) e kishte lënë zemra. Si çdo ditë tjetër atë ditë dhjetori të acartë që kishte ardhe me borë e erë  të  fortë, Vasili kishte shkuar në restorantin e tij, për ta hapur për klientët, por zemra e la sapo ngriti qepenin dhe hapi derën…

Shtepia e Paneve…

        Lajmin e mësoi i pari dr. Andrea Elia, një nga miqtë më të ngushtë të Vasilit. Editori i atëhershëm i Diellit, Qerim Panariti, pat rrëfyer se” Sipas Zakonit që kishim pasur pesë vjetët e fundit, çdo mëngjes fjaloseshim me Vasilin në telefon.Të enjten në mëngjes bëmë telefon por s’na u përgjigj zëri i Vasilit të shkretë. Na u përgjigj Dr. Andrea Elia, një nga miqët më të ngushtë të Vasilit, dhe me një zë të ngashëruar, e lot në sy na dha mandatën: Vasili nuk jeton më!….”

Delegatet e Kuvendit te Vatres , mes delegateve edhe Faik Konica dhe Vasil Pani….

     Panariti ka shkruar se Vasili, çdo mbrëmje, pasi mbyllte restorantin, e kishte bërë zakon, që të shkonte në zyrën e Vatrës pothuajse çdo të mërkurë që të shihte Diellin e sapodalë nga shtypshkronja. Këtë zakon nuk e prishi as një natë para se të ndërronte jetë. Të mërkurën e 10 dhjetorit ai ishte në zyrën e Vatrës dhe kishin biseduar gjatë.

          Po ç’kishte ndodhur mëngjesin e 11 dhjetorit? Vasil Pani si çdo mëngjes atë të enjte kishte shkuar dhe kishte hapur restorantin e tij. Shkoi, hapi derën dhe pa pritur ra dhe zemra i ndaloi….kishte pësuar një sulm në zemër. Sulmi qe vdekjeprurës.

         Në faqen e parë të Diellit nr 5804, 17 dhjetor 1947, botohej lajmi i vdekjes , ndërsa përbri lajmit, në të majtë, një shkrim përkujtimor për 5 vjetorin e vdekjes së Faik Konicës, mikut më të ngushtë të Vasilit. Në shkrimin përkujtimor hiqet një paralele mes Faik Konicës dhe mikut të tij, të cilët i kishte bashkuar lufta për Shqipëri. Faiku kishte qenë mik edhe me Vasilin, por edhe me babanë e tij Josif Panin.

    AH, Ç’NA LE, O MIKU YNË, PREVE GOJËN MBYLLE SYNË!

 Në Diellin e 17 dhjetorit 1947 botohej në Diellin e Vatrës editoriali ”Vajtojmë Vasil Panin”.  Esseja elegjike është një perlë e vërtetë që pikon dhimbje për njeriun e mirë, për vatranin besnik, që vuri gjithçka në shërbim të Atdheut.Në rreshtat e editorialit nuk vajton vetëm shpirti i Panaritit, por ndjehet dhimbja e vatranëve. Gazetari Panariti e trondit lexuesin, te imponon një drithërimë në shtat tek vajton me penë: Ah, ç’na le, o miku ynë/ Preve gojën, mbylle synë! Këto radhë po shkruhen ditën që dha shpirt Vasil Pani, ditën e enjte, 11 dhjetor  1947. Duart s’na punojnë të shkruajmë, zemra jonë ndodhet në trupin e ftohtë të Vasilit. Trupi na dridhet dhe lotët s’na pushojnë, pasi Vasil Pani, shoku ynë besnik, patrioti, luftëtari heroik i Kombit shqiptar, vatrani ynë i paçmuar, s’është më me neve…”

    Vatranët e kishin të pamundur që të besonin të vërtetën se nuk do ta shihnin më Vasilin të gjallë, nuk do të bisedonin më me të, të këshilloheshin për punët e Vatrës dhe për punët e Shqipërisë.

    Vasil  Pani ishte ndër vatranët e orës së parë, ndërkohë që në vitet 1912-14 ai, ende djalë i parritur mirë, 15-17 vjecar, u pagëzua si luftëtar i lirisë kundër grekëve që kishin mësy Korçën e tij të dashur. Ai ndjehej krenar që kishte qenë luftëtar i Themistokli Gërmenjit.

    Në elegjinë që botonte Dielli, Vasili përshkruhet me fjalë të përzgjedhura si patriot, si njeri fisnik, si vatran besnik.

    Panariti e mbyll elegjinë me këto rreshta:” Me vdekjen e Vasil Panit, Shqipëria humbet një burrë besnik,Vatra humbet një figurë të shquar, shoqja e tij humbet një shok besnik, dhe të ndershëm, fëmijët humbasin një baba të dashur e të dhembshur.”

Në kohën kur ndërroi jetë Vasil Pani ishte arkëtar i Vatrës, ndërkohë që për një 25 vjet ai i kishte kryer radhazi edhe detyrën e kryetarit të Vatrës, dhe të zyrtarit të qendrës, edhe disa herë të arkëtarit.

Shkëpusim nga Dielli I 24 dhjetorit 1947:”Vasili për një çerek shekulli i ka shërbyer Vatrës si anëtar besnik, si kryetar dhe si arkëtar. Gjithnjë njeri besnik, gjithnjë njeri i ndershëm, gjithnjë njeri pa ambicje personale.”

                                      PËRCJELLJA

     Në Diellin e së mërkurës, 24 dhjetor 1947, botohet e plotë kronika e përcjelljes së Vasil Panit nën titullin”Miqtë dhe shokët përcuallën Vasil Panin në jetën e përtejshme”, dhe me nëntitullin” Shërbimet funerale u bënë prej hirësisë së Tij, Imzot Nolit. Një shumicë e madhe mori pjesë në varrim”.

   Përcjellja u bë ditën e hënë me 15 dhjetor. Ceremonia u mbajt në Kryekishën e Shën Gjergjit, në adresën: 20 Emerald St…Boston , MA, në ora 2 pasdite. Kronika e përcjell plot dhimbje ceremoninë. Kisha ishte e mbushur plot. Njerëzit qanin mikun e tyre të mirë, që familjen e kishte lënë në Atdheun e largët. Ceremoninë fetare e udhëhoqi Imzot Noli i ndihmuar nga Arkimandriti At Thimi Theodhos dhe at Sokrat Sotir. Kurora të shumta lulesh mbulonin arkivolin ku prehej përjetësisht trupi i pajetë i Vasilit.Kishin ardhur vatranë nga qytete të largme për t’i dhënë lamtumirën mikut të tyre, vatranit besnik. Nga Nju Jorku qanin mbi arkivol Kemal Veisel,Shefqet Bença dhe Ahmet Kutchi; nga Waterbury Mehmet Tosun, Ramo Zvezda dhe Hysen Fazo; nga Worcesteri kryetari i Vatrës, Vangjel Sotir , dhe Ligor Stefi. Shumë të tjerë kishin udhëtuar nga kolonitë e tjera të New Englandit, të cilët ishin aq shumë, sa lista do të ishte e tepër e gjatë.Vasil Pani u varros në Mount Auburn Cemetery, Watertoën, Mass.

 Dreka e fundit u shtrua në restorantin e tij, aty ku kishte kaluar një pjesë të mirë të jetës dhe ku i pushoi së rrahuri zemra. “Court House Lunch”,  restoranti i Vasil Panit në East Cambridge, Massschusetts, nuk ishte thjeshtë një vend ngrënie, por aty mblidheshin shqiptarët dhe  qanin hallet e kombit. E kishin pagëzuar atë si Institut Kombëtar. 

     Në këtë restorant Vasili kishte punuar për 25 vjet me radhë. Shumë rrallë, shkruante Dielli nëpasvdekjen e tij, mbaronin Kuvendet e Vatrës pa ngrënë një drekë ose një darkë në Court House Lunch, restorantin e Vasil Panit. Faik Konica, miku më i ngushtë i Vasilit, e kishte si shtëpinë e tij këtë restorant. Court House Lunch ishte një udhëkryq ku piqeshin udhët e vatranëve, që vinin nga drejtime të ndryshme. Në atë restorant, kushedi se sa herë ishte biseduar fati i lëvizjes shqiptare dhe fati i Shqipërisë. Vetë Vasili, si shkruan në shkrimin përcjellës Dielli, ishte një thesar anekdotash, të mbledhura nga bisedimet që bëheshin në restorantin e tij. Dhe atë ditë, në drekën e fundit, ai u kujtua po aty, në restorantin e tij.

VASIL PANI NË TABORRIN E PARË TË SHQIPTARIZMËS

    Në fjalën që mbajti Hirësia e Tij  Imzot Noli, tha mes të tjerave se :Vasil Pani kishte qëndruar kurdoherë në krye të taborrit të shqiptarizmës-kurdoherë i pari në kishën Kombëtare, që në organizimin e saj, i pari edhe në Vatër. Vasil Pani, nuk e fitoi shqiptarizmën si shumë nga ne, këtu në Amerikë-Vasili e trashëgoi shqiptarizmën nga babai, Josif Pani.

    Vasili, tha Imzot Noli, bashkë me dardharët e tjerë, mori pjesë në botimin e gazetës “KOMBI” prej Sotir Pecit. Që ahere e gjer sot, Vasili s’hoqi dorë nga shqiptarizma. Që kur u njoh me Faik Konicën, Vasili u bë mik i tij besnik dhe qëndroi besnik deri në fund të jetës së tij.

    Në përcjelljen që iu bë Vasil Pani foli edhe bashkëfshatari i  të ndjerit, dardhari; James Keko, kryetar i Shoqatës Dardhare. Fjala e tij qe prekse:” I dashur Vasil:Të gjithë dardharët jemi mbledhur rreth teje të pikëlluar dhe me lot në sy, që të japim përshëndetjet e fundit dhe të përcjellim në banesën e përjetshme. Dardha po vajton humbjen e birit të saj të shquar. Familja jote cfilitet për humbjen e përkujdestarit të saj t’adhurueshëm….

Vasil Pani la pas gruan, djalin Sotir Pani(e pat parë vetëm kur ishte 2 vjeç,  tashti Sotiri jeton në Boston dhe ka publikuar një libër kushtuar atit të tij), la vajzën, që nuk e pa dot me sy, nënën, dhe tri motra.

            KUSH ISHTE VASIL PANI?

Shënimet biografike të Sotir Panit janë përcjellë në Diellin e 31 dhjetorit 1947. Kishte lindur në Dardhë të Korçës me 1895. Në Amerikë kishte emigruar në vitin 1907. Pra ishte  vetëm 12 vjeç. Ishte me gjithë të Atin, Josifin, një patriot i orëve të para, kryetar i Shoqerise “Besa-besë “ dhe botues i disa gazetave, që më 1913 u kthye në Dardhë. Vasili ishte rrëmbyer në vorbullën e Lëvizjes Kombëtare sapo shkeli në tokën amerikane. Merr pjesë në fushatën për  shkollën Normale të Elbasanit, ku dhuron kursimet e veta dhe Dielli e përhiron me një shkrim të veçantë sepse ai ishte më i vogli dhurues, 14 vjec. Në vitin 1912 kthehet në Shqipëri si luftëtar i Lirisë kundër bandave greke. Ishte luftëtar i çetës së  Themistokli Gërmenjit. Është kohë kaotike në Shqipërinë e paspavarësisë. Grekërit me një krah , turmat haxhiqamiliste e esadiste në anën tjetër, e kishin bërë të mjegulluar të nesërmen e Shqipërisë. U kthye në Amerikë më 1914. Aso kohe gazeta “Sazani” pat shkruar fjalë të ëmbla, tepër vlerësuese për të birin e atdhetarit Josif Pani, Vasilin, që ishte pagëzuar në zjarrin e luftës për liri. Pas sigurimit të Pavarësisë së Shqipërisë, Vasil Pani bëri dhe dy udhëtime të tjera në Shqipëri. Udhëtimin e fundit e bëri më 1937, me rastin e 25 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Në koleksionet e Diellit gjenden dhe urimet dërguar prej Tij Mbretit Zog si dhe telegramet e urimit dërguar nga Mbreti.

Për vite me radhë, 25 vjet, ka qenë i zgjedhur në Komisionin Drejtues të Vatrës,  si zyrtar, anëtar i Komisionit, Kryetar i Vatrës,arkëtar i saj etj.

Dielli shkroi ato ditë se : Vatra, po të mos kishte qenë Vasil Pani, mund të kishte vdekur me kohë. Këtë e thonin miqt’ e Vasilit dhe e pranonin kundërshtarët e Vatrës.

Dielli arkiv-Dhjetor 2012

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, Vasil Panin

KOLE RODHE-SI U SHUA VATRANI NË BURGUN E BURRELIT?

December 3, 2020 by dgreca

SOT 71 VJETORI I VDEKJES- KOLË RODHE,VATRANI, DEPUTET I PARLAMENTIT TË PARË SHQIPTAR(KORCË), PREFEKTI, LUFTËTARI I LIRISË U SHUA NË BURGUN BURRELIT….

   * Atdhetari vatran Kolë Rodhe, që la Amerikën për të bërë Shqipërinë, u akuzua si armik i popullit dhe u mbyll në burgun e Burrelit, ku u shua dhe sot nuk ka as varr…

Kole Rodhe, i dyti ne kembe, nga e djathta.

   * Vajza e Kolë Rodhes, mësuesja Eleni Leka(Rodhe), e martuar me poetin e pushkatuar Genc Leka, do të persekutohej e flakej rrugëve…

-A do të kujtohet sivjet ish deputeti i harruar i Parlamentit të Parë shqiptar?

NGA DALIP GRECA

Në radhën e vatranëve, që ndriçojnë në rrugëtimin më shumë se një shekullor të Federatës Panshqiptare të Amerikës ”VATRA”, qëndron edhe Kolë Rodhe, luftëtari i lirisë kundër bandave greke, ish kryetari i Besa-Besë, Kryetari i Shoqatës”Arsimi” në SHBA, vatrani i përkushtuar, botuesi i së përdyjavshmes kombëtare ”Vullnetari”, deputeti i Korçës, prefekti i Beratit, Gjirokastrës, Shkodrës, martiri që u burgos nga turqit, grekët dhe komunistët, i cili pati një fund tragjik duke u shuar në burgun famkeq të Burrelit. Më kot kërkova me ngulm kronikat e viteve 1946, 47, 48 të gazetës Dielli, për arrestimin, burgosjen, dhe vdekjen tragjike të vatranit Kolë Rodhe. Nuk e gjeta, shkaku merret me mend: Në atë kohë Vatra mendonte se Qeveria e Enver Hoxhës ishte demokratike dhe në faqet e Diellit botoheshin fjalimet, biografia e Hoxhës, reportazhet dhe sukseset e qeverisë komuniste, lëvdohej Enver Hoxha, madje shahej dhe Amerika e mbrohej Bashkimi Sovjetik. Edhe kur shkruhej ndonjë fjalë për arrestimet e nacionalistëve, qofshin edhe vatranë, kalohej me ndonjë fjali të thatë, ku lajmi mbetej i dyshimtë. Kështu kur u arrestuan intelektualë e nacionalistë të Korçës, në fund të kronikës shkruhej:”Thonë se me këtë grup armiqsor është arrestuar edhe Kristo Kirka e Kolë Rodhja…”

  Ndërsa në Diellin e Prill-Maj 1955, gjuha e Diellit është e mprehtë, therëse, kritike. Kupa e helmit është mbushur.Vatranët e Amerikës e kanë mësuar të vërtetën. Që në faqen e parë botohet kronika e vdekjes në burgun e Burrelit: “Kriminelët komunistë bëjnë kërdinë… Vazhdon pamëshirë çfarosja sistematike e patriotëve në Shqipërinë e Kuqe….Edhe Kristo Kirka vdiq në burg….”

Shkrimi vijon:” Pas Kolë Rodhes, Bahri Omarit, Kol Tromarës, Akile Tasit, Hito Sadikut, dhe shumë shqiptaro-amerikanë  e vatranë të tjerë, u vranë nga komunistët  e Shqipërisë ose vdiqën në burgjet e tyre të tmerrshme…Kristo Kirka vdiq në burgun e”Kryetrimave”, ku kishin vdekë dhe vatranë të tjerë, si Kolë Rodhja”

     Shqiptari i Amerikës ndjen dhimbje.Vatranët vajtojnë për vatranët që po i grinte diktatura…

    ***

   … Kolë Rodhe është ndër ata vatranë, që u nderua vonë nga shteti shqiptar, ndërkohë që shteti komunist e pat shpallë armik, luftëtarin e Lirisë, që luftoi gjithë jetën kundër armiqëve të Shqipërisë. Etaloni i demokratëve, vuajti në burgun e Burrelit, ku u shua dhe ende nuk i dihet varri as sot. Nuk mjaftoi vetëm dënimi i tij, por dhe familja u përndoq e u end dhimbshëm në Kalvarin e vuajtjeve. Përveç bashkshortes, edhe vajza e tij do të kalonte në ferrin e vuajtjeve për shkakun se ishte e bija e armikut të Partisë, Kolë Rodhes, që kishte vdekur në burg, por ishte edhe e shoqja e poetit, “armikut të rrezikshëm të partisë”, që u pushkatua me akt-akuzë për poezitë dhe përkthimet, Genc Bardh Leka.

Me propozim të Vatrës, Kolë Rodhe u nderua nga presidenti Bujar Nishani me Urdhërin e Artë të Shqiponjës, në nëntor 2015.

Po kush ishte Kolë Rodhe?

Kolë Rodhe lindi me 25 Korrik 1883 në qytetin e Korçës. Familja i mundësoi shkollimin bazë, gjimnazin. Ndjenja e shqiptarizmit e burrëroi herët, e rreshtoi me armë në dorë në radhët e çetave të Lirisë, por edhe e përplasi herët në qelitë e burgjeve. Ishte 18 vjeç, kur u burgos nga Xhonturqit, si njeri që trazonte Perandorinë. Pas 9 muajësh burg lirohet, por nuk mundi të jetonte më në Korçën e dashur, pasi emri i tij ishte vendosur në rreth. Ndjenja e patriotizmit e çon në Odesë të Rusisë me qëllim që të mbledhë ndihma për familjen e dëshmorit Papa Kristo Negovani, të masakruar nga grekomanët. Më pas kontribuon për mbledhjen e fondeve për gazetën e Sotir Pecit”Kombi” që botohej në Boston. Atdheari është i kudondodhur në vorbullën e Lëvizjes Kombëtare. Gjendet në Sofje dhe në Bukuresht, ku ka vendosë lidhje me patriotët shqiptarë të atjeshëm, ka kontakte me priftin patriot At Naum Çere e të tjerë. Më 1908 është me taborrin  e shqiptarëve që kërkojnë organizimin e Lëvizjes Kombëtare, mbështetës i patriotëve shqiptarë në Amerikë. Lëvizja e këtushme(SHBA) i jep pjekuri guximit dhe shpirtit të tij atdhetar. Fillimisht me Nolin e më pas dhe më Konicën, Kristo Kirkën, Kolë Tromarën, e patriotët e tjerë, bëhet një nga shtyllat e lëvizjes shqiptare në SHBA. Është në taborin mbështetës,kur Noli themeloi Kishën Ortodokse Shqiptare, gjendet aty kur u dha mesha e parë. Zgjidhet Kryetar i Shoqatës Besa–Besën, është kryetar i pleqësisë për degën e Vatrës në Marlboro, është ithtar i përgatitjes së Trupave vullnetare me djemtë e shqiptaro-amerikënve dhe i oficerave shqiptarë, për t’i dërguar më pas në Shqipëri për t’u mbrojtë nga fqinjët grabitqarë të tokave arbërore.

***

Që kur ishte tek shoqata Besa-Besën, Kol Rodhe kreu një akt që pakëkush do ta bënte. Shoqata Besën e kishte në programin e saj mbrojtjen e Atdheut. Ata kishin krijuar edhe uniformat ushtarake për të qenë të gatshëm kur t’i kërkonte Atdheu. Në kapelat e uniformës shkruhej në gjuhën shqipe”Liri a Vdekje”. Kur Kol Rodhe ishte në krye të Besa-Besë, si kryetar i saj, dha shembullin për të tjerët: Unë i pari,- tha ai. Pastaj bëri ftësën:

   -Të tjerët pas meje t’i ndihim Atdheut që po rënkon!

Dhe u nisën drejt Shqipërisë. Kur mbërritën në Korfuz, u zbuluan dhe u arrestua nga Xhonturqit. E dërgojnë në burgun e Janinës, më pas në kalanë e Gjirokastrës. Gazeta “Koha” e Mihal Gramenos në numrin e saj të 17 majit 1917, jepte këtë kronikë:” Si vetëtimë u përhap kushtrimi prej Gjirokastre, që përcillte lajmin e bukur që atdhetarët Nikolla(Kolë) Rodhe dhe Vasil Tromara, pas 8 muajësh burg në Delvinë, Janinë e Gjirokastër, muarën berarët dhe u liruan nga burgu. Këta atdhetarë vuanin si martirë për çështjen kombëtare, se vjet në verë ardhë nga Amerika e i burgosën në Delvinë pas Kryengritjës.”

            Sapo fiton lirinë, kthehet në qytetin e tij dhe vendos lidhje me luftëtarët e lirisë. Krijon grupimin e tij me një masë të konsiderushme luftëtarësh të lirisë nga Gora, Opari dhe me ta çliron Bërzeshtën, Pogradecin etj. Sërish kthehet në Korçë dhe merr pjesë në çlirimin e saj. Kapet prapë nga xhonturqit dhe burgoset në bodrumet e Mitropolisë së bashku me shokët e tij. Sapo u përhap lajmi, fshatarët e fushës së Korçës mësyjnë dhe shpërthejnë burgun. Kola lirohet dhe bashkohet me çetën e Sali Butkës dhe Kajo Babienit, sulmojnë Kolonjën e çlirojnë dhe nisën drejt Beratit.

       Kudo ku luftohej për liri atje ishte Kol Rodhja. Mori pjesë në Luftën e Çifligut përkrah shokut të armëve Spiro Ballkameni. Shokë armësh e idealesh me Themistokli Gërmenjin, Çerçiz e Bajo Topullin, mori pjesë në Luftën e Mashkullorës, ku merr plagë dhe e nisin drejt Vlorës.

    Nëse do të vazhdonim të shfletonim kronikat e bëmave atdhetare të këtij luftëtari të Lirisë, do të shënonim:Kolë Rodhen me 1 dhe 2 prill 1914, e gjejmë shef të Xhandarmërisë në Korçë. Në krye të forcave të mbrojtjes së qytetit ai shtyp kryengritjen e grupimeve të komitëve grekë, të ndihmuar nga ushtarët grekë, e ashtquajtur kryengritja e Vorio Epirit.

Më 1915 kthehet sërish në Amerikë. Si përherë aktiv. Në shkurt 1916 është ndër krijuesit e shoqatës “Arsimi Kombëtar” dhe në krye të saj, si kryetar.

   Me gazetën e tij”Vullnetari”, që nisi botimin me 1916, u bë një avokat i aftë i Vatrës dhe i Lëvizjes Kombëtare në SHBA.

Numri i parë i Vullnetarit është publikuar me 18 Shkurt 1916 në Natick-Massachusetts. Botohej dy herë në muaj.Ishte gazetë politike e satirike.Që në numrin e parë gazeta botoi programin, ku spikaste qëllimi i botuesit dhe mbështetësve të gazetës: Gazeta ka si qëllim të mbrojë vetëqeverimin dhe tërësinë e Shqipërisë, të forcojë Lëvizjen Kombëtare, të godasë çdo kundërshtar, që pengon Lëvizjen Kombëtare, të demaskojë publikisht para shqiptarëve intrigantët, provokatorët, dhe përçarësit, të mbajë lart nderin e atdhetarëve të shkëlqyer dhe shqiptarëve Kombëtarë etj. Vullnetari, që në numrin e parë denonconte masakrat e grekëve në Jug të Shqipërisë dhe vajtonte fatin e popullit të masakruar, ndërkohë që godiste fort përçarjet mes shqiptarëve, përfshi dhe tek shqiptarët e Amerikës.

     ***

Si shumë atdhetarë të tjerë përkrahës dhe dishepuj të Fan S.Nolit, edhe Kol Rodhja, kthehet në Atdhe për të”bërë Shqipërinë”. Korça e vlerësoi kontributin e birit të vet duke e zgjedhur deputet të të parit Parlament Shqiptar më 21 prill 1921.

Gazeta “Posta e Korçës” e datës 9 mars 1922 shkruante: “Votoni për kandidatët e pandarë të Im Zot Nolit, zotin Kolë Rodhe dhe Faslli Frashëri…”.

   Ndërsa më 11 Mars 1922, e njëjta gazetë shkruante:”Populli e tregoi me fakte besimin e tij, duke i dhënë votat zotit Kolë Rodhe për postin e deputetit.”

Studiuesi Teki Selenica do të shkruante në librin e tij statistikor”Shqipëria më 1927”: I zgjedhur për trimërinë dhe respektin që krijoi Korça e mrekullueshme, Korça shqiptare midis Banush, Hamdi, e Estref Frashërit, Loni Kristos, Pandeli Calës, Kristo Kirkës, Pandeli Evangjelit, Sejfi Vllamasit, Sotir Pecit, …vuri edhe Kol Rodhen.”

    Në shtypin e kohës gjenden gjurmët e veprimtarisë së vlerësuar atdhetare të Kolë Rodhes. Gazeta e Vatrës, që dilte në Korçë nën drejtimin e Hasan Bitinckës”Shqiptari i Amerikës”, në artikullin me titull”Deputeti i Korçës” botuar në numrin e 24 marsit 1923, ku jepet një kronikë nga punimet e Parlamentit të 22 marsit, shkruan:” Pardje(22 mars), doli Qeveria para Parlamentit për shkoqitje e votëbesim.Fjala e Kryeministrit u karakterizua prej opozitës si konferencë premtimesh e shpresash për të ardhmen…prej opozitës folën Isuf Benga, Luigj Gurakuqi, Ali Këlcyra, Bahri Omari, Koço Tasi, Kol Rodhe e Medi Frashëri.”

    Kol Rodhe përveçse deputet aktiv, kreu dhe detyra të tjera shtetërore, paçka se ishte kundërshtar i hapur i Monarkisë, Mbreti Zog, e ngarkoi me detyra qeveritare si Prefekt në Shkodër, Berat, Fier, Gjirokastër. Kundërshtarët politik ia vlerësonin atdhetarizmin dhe përkushtimin Kombëtar. Ai kishte dhënë prova me armë në dorë për mbrojtjen e Atdheut. Pushtimin fashist të Shqipërisë e priti me revoltë, ashtu siç kishte pritë të gjithë pushtuesit. Në ditëpushtimin fashist ai dha dorëheqjen nga detyra shtetërore. Edhe pse e përkrahu luftën kundër pushtuesit Kolë Rodhe nuk pranoi thirrjet për të marrë pjesë në Konferencën e Pezës, Kongresin e Përmetit, Konferencën e Beratit etj. Kola kishte përvetësuar demokracinë amerikane- ishte për një pluralizëm e demokraci alla amerikane.I kuptoi shpejt qëllimet e Partisë Komuniste Shqiptare dhe kërkoi të veprojë për ta ndalë të keqen.

Ishte kjo arsyeja që u vu në krah të opozitës përballë komunistëve, duke qenë në radhën e socialdemokratëve në zgjedhjet e para pas çlirimit. Nuk pranoi që të votonte me 2 Dhjetor 1945, abstenoi në votime së bashku me vajzën dhe gruan e tij. Ishte kundërshtar i hapur i bashkëpunimit me Jugosllavinë. Për këto qëndrime arrestohet me 27 Janar 1946 dhe në qershor, atdhetari, që kishte luftuar aq shumë për pupullin e tij, me pranga ndër duar, gjykohej para popullit si “armik i popullit”! Dhe kush?… Ai luftëtari i përhershëm për çlirimin e Atdheut, që kishte luftuar me turqit, grekët, e italianët…Gjykohet së bashku me 37 antikomunistë (Grupi i Sami Qeribashit dhe Musine Kokalarit) në qershor 1946.Mbajti qëndrim burërror para Trupit Gjykues. Dëshmia e atij gjyqi vjen nga kronika prej sallës së Gjyqit, që e ka përcjellë Gazeta e Frontit Demokratik”Bashkimi” në numrat e 19 dhe 21 qershor 1946, kur shkruan:

” Kolë Rodhja jep llogari.”

Akuza: Kolë Rodhja zhgënjeu komunistët, të cilët përdorën reputacionin e tij në popull duke e vënë në Kryesinë e Frontit Demokratik”…

Kryetari i gjyqit, sulmonte me mllef atdhetarin e orëve të para: – “Armik i popullit”!..

– Sabotator!

– Ujk plak…!

Kryetari i Trupit gjykues:- I pranon akuzat?

Kola:-Asnjë!

Kryetari:-S’ke pasur lidhje me tradhtarët?

Kola:-JO!

Prokurori:-Po asnjë faj nuk ke bërë ti, Kolë Rodhja?

Kola:-Asnjë!

Prokurori:- Mos të kemi sjellë kot këtu?…

(Salla dhe trupi gjykues(të orkestruar) qeshin…)

Prokurori:- Gënjen Kol Rodhe…Ti thua që rinia nuk duhet të merret me politikë. Ti ke qenë Inspektor i Ministrisë së Brendshme…Nuk ke përkrahur lidhjet tona me Jugosllavinë. Kërkoje Autonominë e Kosovës.Po, o Ujk plak, po Kol Rodhe…Ti deshe Regjencën e Mehdi Frashërit, deshe ndërhyrje të jashtme, se gjendja qenka e errët…Deshe shpërndarjen e ushtrisë, mbrojtjen e atdheut…deshe qeveri koalicioni me shumë partira, deshe të prishësh unitetin politik e popullit shqiptar…

Akuzat vazhdonin lumë….

Ç’ti thoshte Kola këtij prokurori militant ?  Dhe zgjodhi heshtjen….   

Kol Rodhja kur gjykohej ishte 67 vjeç… Trupin gjykues i dha dënimin me 30 vite burgu. Mosha, torturat, e lodhën patriotin, që një vit pas dënimit u shua në burgun famkeq të Burrelit…

     Kalvarit të vuajtjeve nuk i shpëtoi as familja e tij, e cila u “shpërblye” për aktivitetin patriotik të Kolës duke e hedhur në krahët e mjerimit dhe punët e krahut!

 Vajza e tij, e martuar me poetin disident Genc Leka,u përjashtua nga arsimi. Ndër akuzat që i formuluan ishte dhe ajo e vjehrrit, Kolë Rodhe,ish deputet i Zogut(kështu e quante Vangjel Çërrava) dhe shtonte në raportin e tij konfidencial për organet e  diktaturës: Babai i saj, ka vdekur si “armik” në Burgun e Burrelit…Deputet i Zogut!

     ***

BIBLIOGRAFI

 1- Gazeta Dielli, 16 Prill 1947, faqe 1(Gjyqi i Korçës)

2- Gazeta Dielli-Prill-Maj 1955, F .1

 3- Klara Çelo”Udhëve të Historisë)-Të pathëna për shqiptarët e famshëm-Vëllimi i I, Faqe 99-104

4-Gazeta “Koha” e Mihal Gramenos 17 maj 1912, 25 Maj 1914

5-Gazeta”Shqiptari i Amerikës”,24 mars 1923

6-Gazeta e Korçës, 26 prill 1924

7-Gazeta “Bashkimi”, 21 Qershor 1946

8-Teki Selenica”Shqipëria më 1927”, f 21, Pasqyra A

9-Gazeta “LIRIA A”- 14 Mars 1996, faqe 6 , 8, autor Gaqo Rrota-ish deputet.

10-Gazeta”Dita”,6 tetor 2008: Klara Çelo”Kolë Rodhe, një jetë në shërbim të atdheut”.

Captions: 1- Kolë Rodhe

2-Grupi i Besa-Besën me uniformat, ku shkruhej shqip:”Liri a Vdekje”. Kolë Rodhe, i dyti nga e majta, në këmbë. Flitet se ky grup dërguan nga Amerika Flamurin Kombëtar dhe ia dorëzuan Marigo Pozios në Korfuz.

3- Pleqësia e degës nr. 19 të Vatrës në Marlboro. Kola, i dyti nga e djathta.

4-Kolë Rodhe në çetën e Gorës,i pari djathtas.

5- Gazeta “Vullnetari” që botohej nga Kolë Rodhe

6- Në Kishën e Shën Gjergjit, ku Noli u dorëzua Dhespot.

7. Vajza e tij Eleni me bashkëshortin Genc Leka, i cili u pushkatuar nga diktatura.

Filed Under: Featured Tagged With: Burgu i Burrelit, dalip greca, Kole Rodhe, Vdekja

FAMILJA E VATRANIT HUMB VAJZËN 23 VJEÇARE, VATRA-PJESË E DHIMBJES

November 9, 2020 by dgreca

Sot  u përcoll për në varreza 23 vjeçarja Heroina (Rina) Qelaj (Çelaj).Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës”VATRA” z. Elmi Berisha mori pjesë në ceremoninë e varrimit.

Nga Dalip GRECA

Familja e Idriz dhe Teuta Qelaj(Çelaj), me vajzat e djalin, me miqtë dhe të afërmit,mbarë komuniteti shqiptar në SHBA e Europë e vendlindje, që prej 31 tetorit 2020, vazhdojnë të përjetojnë dhimbjen që u shkaktoi ndërpreja në vitin e 23 të jetës të vajzës së tyre të dashur Heroina Qelaj.

  Rina, siç e njihnin në jetëne  përditshme, ish një vajzë e dashur, e ëmbël, e mençur, që shkëlqente në jetë. Duke qenë se vinte nga një familje emigrante, që për të realizuar ëndrrën amerikane e kishte lënë Kosovën sepse rrezikohej jeta nga aktiviteti politik e atdhetar I kryefamiljarit, Rina, motrart dhe vëllai, kishin bërë gjithçka që të studionin fort, të shkëlqenin në mësime, të bëheshin të mbarë këtu në vendin e lirisë. Aventura plot vuajtje e familjes,nga Kosova në Ulqin, më pas në Hungari, Zvicër, Argjentinë, në Miami, dhe akomodimi në Nju Jork, kujtoheshin shpesh kur mblidheshin bashkë.

Dhe fëmijët u bënë të mbarë duke ua shpërblyer vuajtjet prindërve të tyre. Ata shkëlqyen në mësime dhe në sport.

    Dikur, në një shkrim kushtuar babait te saj, vatranit Idriz Çelaj, botuar në Gazetën DIELLI,5 nëntor 2012, tek prezantoja fëmijët e Idriz dhe Teuta Çelaj, pata shkruar:” Heroina (Rina, siç e thërrasin në shkollë), është në ballin e shkollës. Rina  është më rezultativja nga motrat për volejbollin. Shquhet për teknikën e lartë. Vitin e kaluar, skuadra e saj u shpall e dyta në kampionatin e shkollave të mesme. Nisur nga pasioni, teknika që zotëron, vullneti në stërvitje dhe shpirti i garës gjatë lojës, ajo është e vetmja që edhe pse nuk e ka moshën, luan me ekipin e të rriturave….”

           Rina këto kohët e fundit ishte transferuar në Porto Riko për të ndjekur ëndrrat si traienre, si dhe për të filluar linjën e saj të veshjeve të fitnesit. Ajo po punonte gjithashtu në një kompani lëngjesh dhe po fillonte të çertifikohej në shkollimin në shtëpi. Ajo thoshte se ishte shumë e lumtur. Në shtëpi në NY, ajo ishte po ashtu, një trajnere shumë e kërkuar, falë pasionit dhe vullnetit të saj. Rina kërkonte pozitivitet në jetë, për vete dhe të tjerët, ishte kundër negativitetit, shkëleqente në jetën komunitare. Kishte si pasion-eksplorimin e Botës. E kishte ëndërr këtë, do ta realizonte një ditë! Por, ah, fati është i pamëshirshëm, i pashmangshëm. Me 31 tetor ndodhi tragjedia e tmerrshme, që i mori jetën dhe që pikëlloi prindërit, motrat, vëllanë dhe të gjithë të dashurit.

            E përjetoi me dhimbje këtë tragjedi i gjithë komuniteti shqiptar këtu në New York dhe përmes vizitave në funeral, mesazheve në rrjetet sociale, dhe sot gjatë ceremonisë së varrimit, i përcollën ngushëllimet më të thella familjarëve.

             Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës”VATRA” z. Elmi Berisha mori pjesë në ceremoninë e varrimit dhe ngushëlloi vatranin Idriz Çelaj, bashkshorten Teutë dhe të familjarët e miqtë!

Gazeta”Dielli” i shpreh ngushëllimet më të thella bashkëpunëtorit të saj, poetit, regjisorit, Idriz Çelaj!

Pusho në Paqe RINA!

Filed Under: Opinion Tagged With: dalip greca, Heroina-Rina Qelaj

JOE BIDEN: DO TË JEM PRESIDENT I TË GJITHË AMERIKANËVE

November 7, 2020 by dgreca

Nga Dalip Greca/

Amerika feston dhe proteston. Feston kampi demokrat, proteston ai republikan. Në Time Square demokratët kanë ngritur flamujt e fitores e po brohorasin, ndërsa në Michigan e shtete të tjerë, republikanët protestojnë duke i konsideruara zgjedhjet të manipuluara. Numrimi i votave po shkon drejt fundit, por beteja ende vazhdon. Mendoj se beteja ligjore do të jetë pa ndikim në ndryshimin e verdiktit të votave të amerikanëve. Tashmë Joe Biden është Presidenti i 46-te I zgjedhur i amerikanëve,që që do të akomodohet në Shtëpinë e Bardhë me 20 Janar 2021, ndërkohë që Kamila Harris regjistron rekordin historik të një zv/presidenteje me ngjyrë.

       Lajmin e fitores së Biden e zyrtarizoi së pari agjensia prestigjioze Associated Press(e cila e kishte parashikuar fitoren)  dhe më pas NBC News, CNN, por edhe konservatori në anën e republikanëve, Fox News TV, i cili evidentoi krahas publikimit të lajmit”JOE BIDEN, PRESIDENTI I 46-të”, edhe faktin se ky rrjet e kishte parashikuar fitoren e Joe Biden. Gjithësesi të gjithë televizionet amerikane CNN, NBC, CBS, ABC, FOX NEWS, por edhe agjensit e pavarura prestigjioze, perfshire Reuters  dhe Associated Press, e kanë konfirmuar vërtetësinë e lajmit, por presidenti Trump deklaroi se presidentin nuk e shpall media, por vota reale (Jo ajo e manipuluar).

      Presidenti Tump dhe ekipi i tij duket se nuk do ta pranojnë lehtë humbjen dhe nuk kanë ndërmend të dorëzohen. Ata janë përgatitë për betejë të gjatë ligjore. Vetë presidenti Trump shkroi se zgjedhjet i ka fituar Ai.

Nga ana e tij Biden pasi deklaroi fitoren tha se do të bashkojë amerikanët dhe do të shërojë plagët e Amerikës.Ai shkroi në Tweeter:”Amerikë, jam i nderuar që më ke zgjedhur për të udhëhequr shtetin tonë fantastik. Puna përpara nesh do të jetë e vështirë, mirëpo ta premtoj këtë: Unë do të jem president i të gjithë amerikanëve – pavarësisht nëse më keni votuar apo jo. Do ta ruaj besimin që më keni dhënë…”

Joe Biden ka marrë urimet e para nga kampi i vet si nga: Presidenti Klinton, ish presidenti Obama, por duket se edhe evropianët mezi kanë pritur: I pari uroi Presidenti i Parlamentit Europian  David Sassoli,  presidenti Francez Macron, kryeministri Britanik Boris Johnson, e pas tij krerët e Këshillit Europian, Kryeministri i Kanadase, Ministri i Jashtem i Gjermanise, dhe të tjerë liderë rajonal nga Ballkani, si Presidentja, njëkohësisht Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, Kryeministri Avdulla Hoti,kryetari i Opozitës në Shqipëri Lulzim Basha, ish lideri historik Dr. Sali Berisha, Kryetari i Vetëvendosjes Albin Kurti e të tjerë(nuk kemi të dhëna nëse kanë uruar ende kinezët apo JO?).

KUSH ËSHTË JOE BIDEN?

Presidenti Joe Biden me 20 nëntor do të mbush 78 vjec, ndërsa me 20 Janar kur të bëjë betimin, do të regjistroi rekordin e presidentit më të vjetër në marrjen e detyrës.

Biden ka shërbyer për rreth gjysmë shekulli në Ëashington, ndër të cilat 36 vjet i takojnë karrierës së tij si Senator( 3 herë kryetar i Komitetit të Senatit për Marrdhëniet me Jashtë), dhe 8 vjet nënpresident nën administratën e Presidentit Barak Obama.Këtë jetëgjatësi në karrierë politike dhe shtetërore, kundërshtari i tij, Presidenti Trump, u përpoq t’ia kthente në bumerang, duke I përsëritë në cdo debat si dhe gjatë të gjithë fushatës:Këto premtime që po merr përse nuk i realizove për 47 vjet Joe?

Por duket se demokratët i kishin bërë mirë llogaritë dhe e kishin ngritur strategjinë në kurthin e së cilës ra vetë presidenti dhe ekipi i tij i fushatës. Asaj që ia kishte frikën presidenti, votës me postë, ndodhi, pikërisht ajo llojë vote e ndëshkoi!

Filed Under: Histori Tagged With: dalip greca, Joe Biden, President i 46

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • …
  • 135
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT