• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KOLE RODHE-SI U SHUA VATRANI NË BURGUN E BURRELIT?

December 3, 2020 by dgreca

SOT 71 VJETORI I VDEKJES- KOLË RODHE,VATRANI, DEPUTET I PARLAMENTIT TË PARË SHQIPTAR(KORCË), PREFEKTI, LUFTËTARI I LIRISË U SHUA NË BURGUN BURRELIT….

   * Atdhetari vatran Kolë Rodhe, që la Amerikën për të bërë Shqipërinë, u akuzua si armik i popullit dhe u mbyll në burgun e Burrelit, ku u shua dhe sot nuk ka as varr…

Kole Rodhe, i dyti ne kembe, nga e djathta.

   * Vajza e Kolë Rodhes, mësuesja Eleni Leka(Rodhe), e martuar me poetin e pushkatuar Genc Leka, do të persekutohej e flakej rrugëve…

-A do të kujtohet sivjet ish deputeti i harruar i Parlamentit të Parë shqiptar?

NGA DALIP GRECA

Në radhën e vatranëve, që ndriçojnë në rrugëtimin më shumë se një shekullor të Federatës Panshqiptare të Amerikës ”VATRA”, qëndron edhe Kolë Rodhe, luftëtari i lirisë kundër bandave greke, ish kryetari i Besa-Besë, Kryetari i Shoqatës”Arsimi” në SHBA, vatrani i përkushtuar, botuesi i së përdyjavshmes kombëtare ”Vullnetari”, deputeti i Korçës, prefekti i Beratit, Gjirokastrës, Shkodrës, martiri që u burgos nga turqit, grekët dhe komunistët, i cili pati një fund tragjik duke u shuar në burgun famkeq të Burrelit. Më kot kërkova me ngulm kronikat e viteve 1946, 47, 48 të gazetës Dielli, për arrestimin, burgosjen, dhe vdekjen tragjike të vatranit Kolë Rodhe. Nuk e gjeta, shkaku merret me mend: Në atë kohë Vatra mendonte se Qeveria e Enver Hoxhës ishte demokratike dhe në faqet e Diellit botoheshin fjalimet, biografia e Hoxhës, reportazhet dhe sukseset e qeverisë komuniste, lëvdohej Enver Hoxha, madje shahej dhe Amerika e mbrohej Bashkimi Sovjetik. Edhe kur shkruhej ndonjë fjalë për arrestimet e nacionalistëve, qofshin edhe vatranë, kalohej me ndonjë fjali të thatë, ku lajmi mbetej i dyshimtë. Kështu kur u arrestuan intelektualë e nacionalistë të Korçës, në fund të kronikës shkruhej:”Thonë se me këtë grup armiqsor është arrestuar edhe Kristo Kirka e Kolë Rodhja…”

  Ndërsa në Diellin e Prill-Maj 1955, gjuha e Diellit është e mprehtë, therëse, kritike. Kupa e helmit është mbushur.Vatranët e Amerikës e kanë mësuar të vërtetën. Që në faqen e parë botohet kronika e vdekjes në burgun e Burrelit: “Kriminelët komunistë bëjnë kërdinë… Vazhdon pamëshirë çfarosja sistematike e patriotëve në Shqipërinë e Kuqe….Edhe Kristo Kirka vdiq në burg….”

Shkrimi vijon:” Pas Kolë Rodhes, Bahri Omarit, Kol Tromarës, Akile Tasit, Hito Sadikut, dhe shumë shqiptaro-amerikanë  e vatranë të tjerë, u vranë nga komunistët  e Shqipërisë ose vdiqën në burgjet e tyre të tmerrshme…Kristo Kirka vdiq në burgun e”Kryetrimave”, ku kishin vdekë dhe vatranë të tjerë, si Kolë Rodhja”

     Shqiptari i Amerikës ndjen dhimbje.Vatranët vajtojnë për vatranët që po i grinte diktatura…

    ***

   … Kolë Rodhe është ndër ata vatranë, që u nderua vonë nga shteti shqiptar, ndërkohë që shteti komunist e pat shpallë armik, luftëtarin e Lirisë, që luftoi gjithë jetën kundër armiqëve të Shqipërisë. Etaloni i demokratëve, vuajti në burgun e Burrelit, ku u shua dhe ende nuk i dihet varri as sot. Nuk mjaftoi vetëm dënimi i tij, por dhe familja u përndoq e u end dhimbshëm në Kalvarin e vuajtjeve. Përveç bashkshortes, edhe vajza e tij do të kalonte në ferrin e vuajtjeve për shkakun se ishte e bija e armikut të Partisë, Kolë Rodhes, që kishte vdekur në burg, por ishte edhe e shoqja e poetit, “armikut të rrezikshëm të partisë”, që u pushkatua me akt-akuzë për poezitë dhe përkthimet, Genc Bardh Leka.

Me propozim të Vatrës, Kolë Rodhe u nderua nga presidenti Bujar Nishani me Urdhërin e Artë të Shqiponjës, në nëntor 2015.

Po kush ishte Kolë Rodhe?

Kolë Rodhe lindi me 25 Korrik 1883 në qytetin e Korçës. Familja i mundësoi shkollimin bazë, gjimnazin. Ndjenja e shqiptarizmit e burrëroi herët, e rreshtoi me armë në dorë në radhët e çetave të Lirisë, por edhe e përplasi herët në qelitë e burgjeve. Ishte 18 vjeç, kur u burgos nga Xhonturqit, si njeri që trazonte Perandorinë. Pas 9 muajësh burg lirohet, por nuk mundi të jetonte më në Korçën e dashur, pasi emri i tij ishte vendosur në rreth. Ndjenja e patriotizmit e çon në Odesë të Rusisë me qëllim që të mbledhë ndihma për familjen e dëshmorit Papa Kristo Negovani, të masakruar nga grekomanët. Më pas kontribuon për mbledhjen e fondeve për gazetën e Sotir Pecit”Kombi” që botohej në Boston. Atdheari është i kudondodhur në vorbullën e Lëvizjes Kombëtare. Gjendet në Sofje dhe në Bukuresht, ku ka vendosë lidhje me patriotët shqiptarë të atjeshëm, ka kontakte me priftin patriot At Naum Çere e të tjerë. Më 1908 është me taborrin  e shqiptarëve që kërkojnë organizimin e Lëvizjes Kombëtare, mbështetës i patriotëve shqiptarë në Amerikë. Lëvizja e këtushme(SHBA) i jep pjekuri guximit dhe shpirtit të tij atdhetar. Fillimisht me Nolin e më pas dhe më Konicën, Kristo Kirkën, Kolë Tromarën, e patriotët e tjerë, bëhet një nga shtyllat e lëvizjes shqiptare në SHBA. Është në taborin mbështetës,kur Noli themeloi Kishën Ortodokse Shqiptare, gjendet aty kur u dha mesha e parë. Zgjidhet Kryetar i Shoqatës Besa–Besën, është kryetar i pleqësisë për degën e Vatrës në Marlboro, është ithtar i përgatitjes së Trupave vullnetare me djemtë e shqiptaro-amerikënve dhe i oficerave shqiptarë, për t’i dërguar më pas në Shqipëri për t’u mbrojtë nga fqinjët grabitqarë të tokave arbërore.

***

Që kur ishte tek shoqata Besa-Besën, Kol Rodhe kreu një akt që pakëkush do ta bënte. Shoqata Besën e kishte në programin e saj mbrojtjen e Atdheut. Ata kishin krijuar edhe uniformat ushtarake për të qenë të gatshëm kur t’i kërkonte Atdheu. Në kapelat e uniformës shkruhej në gjuhën shqipe”Liri a Vdekje”. Kur Kol Rodhe ishte në krye të Besa-Besë, si kryetar i saj, dha shembullin për të tjerët: Unë i pari,- tha ai. Pastaj bëri ftësën:

   -Të tjerët pas meje t’i ndihim Atdheut që po rënkon!

Dhe u nisën drejt Shqipërisë. Kur mbërritën në Korfuz, u zbuluan dhe u arrestua nga Xhonturqit. E dërgojnë në burgun e Janinës, më pas në kalanë e Gjirokastrës. Gazeta “Koha” e Mihal Gramenos në numrin e saj të 17 majit 1917, jepte këtë kronikë:” Si vetëtimë u përhap kushtrimi prej Gjirokastre, që përcillte lajmin e bukur që atdhetarët Nikolla(Kolë) Rodhe dhe Vasil Tromara, pas 8 muajësh burg në Delvinë, Janinë e Gjirokastër, muarën berarët dhe u liruan nga burgu. Këta atdhetarë vuanin si martirë për çështjen kombëtare, se vjet në verë ardhë nga Amerika e i burgosën në Delvinë pas Kryengritjës.”

            Sapo fiton lirinë, kthehet në qytetin e tij dhe vendos lidhje me luftëtarët e lirisë. Krijon grupimin e tij me një masë të konsiderushme luftëtarësh të lirisë nga Gora, Opari dhe me ta çliron Bërzeshtën, Pogradecin etj. Sërish kthehet në Korçë dhe merr pjesë në çlirimin e saj. Kapet prapë nga xhonturqit dhe burgoset në bodrumet e Mitropolisë së bashku me shokët e tij. Sapo u përhap lajmi, fshatarët e fushës së Korçës mësyjnë dhe shpërthejnë burgun. Kola lirohet dhe bashkohet me çetën e Sali Butkës dhe Kajo Babienit, sulmojnë Kolonjën e çlirojnë dhe nisën drejt Beratit.

       Kudo ku luftohej për liri atje ishte Kol Rodhja. Mori pjesë në Luftën e Çifligut përkrah shokut të armëve Spiro Ballkameni. Shokë armësh e idealesh me Themistokli Gërmenjin, Çerçiz e Bajo Topullin, mori pjesë në Luftën e Mashkullorës, ku merr plagë dhe e nisin drejt Vlorës.

    Nëse do të vazhdonim të shfletonim kronikat e bëmave atdhetare të këtij luftëtari të Lirisë, do të shënonim:Kolë Rodhen me 1 dhe 2 prill 1914, e gjejmë shef të Xhandarmërisë në Korçë. Në krye të forcave të mbrojtjes së qytetit ai shtyp kryengritjen e grupimeve të komitëve grekë, të ndihmuar nga ushtarët grekë, e ashtquajtur kryengritja e Vorio Epirit.

Më 1915 kthehet sërish në Amerikë. Si përherë aktiv. Në shkurt 1916 është ndër krijuesit e shoqatës “Arsimi Kombëtar” dhe në krye të saj, si kryetar.

   Me gazetën e tij”Vullnetari”, që nisi botimin me 1916, u bë një avokat i aftë i Vatrës dhe i Lëvizjes Kombëtare në SHBA.

Numri i parë i Vullnetarit është publikuar me 18 Shkurt 1916 në Natick-Massachusetts. Botohej dy herë në muaj.Ishte gazetë politike e satirike.Që në numrin e parë gazeta botoi programin, ku spikaste qëllimi i botuesit dhe mbështetësve të gazetës: Gazeta ka si qëllim të mbrojë vetëqeverimin dhe tërësinë e Shqipërisë, të forcojë Lëvizjen Kombëtare, të godasë çdo kundërshtar, që pengon Lëvizjen Kombëtare, të demaskojë publikisht para shqiptarëve intrigantët, provokatorët, dhe përçarësit, të mbajë lart nderin e atdhetarëve të shkëlqyer dhe shqiptarëve Kombëtarë etj. Vullnetari, që në numrin e parë denonconte masakrat e grekëve në Jug të Shqipërisë dhe vajtonte fatin e popullit të masakruar, ndërkohë që godiste fort përçarjet mes shqiptarëve, përfshi dhe tek shqiptarët e Amerikës.

     ***

Si shumë atdhetarë të tjerë përkrahës dhe dishepuj të Fan S.Nolit, edhe Kol Rodhja, kthehet në Atdhe për të”bërë Shqipërinë”. Korça e vlerësoi kontributin e birit të vet duke e zgjedhur deputet të të parit Parlament Shqiptar më 21 prill 1921.

Gazeta “Posta e Korçës” e datës 9 mars 1922 shkruante: “Votoni për kandidatët e pandarë të Im Zot Nolit, zotin Kolë Rodhe dhe Faslli Frashëri…”.

   Ndërsa më 11 Mars 1922, e njëjta gazetë shkruante:”Populli e tregoi me fakte besimin e tij, duke i dhënë votat zotit Kolë Rodhe për postin e deputetit.”

Studiuesi Teki Selenica do të shkruante në librin e tij statistikor”Shqipëria më 1927”: I zgjedhur për trimërinë dhe respektin që krijoi Korça e mrekullueshme, Korça shqiptare midis Banush, Hamdi, e Estref Frashërit, Loni Kristos, Pandeli Calës, Kristo Kirkës, Pandeli Evangjelit, Sejfi Vllamasit, Sotir Pecit, …vuri edhe Kol Rodhen.”

    Në shtypin e kohës gjenden gjurmët e veprimtarisë së vlerësuar atdhetare të Kolë Rodhes. Gazeta e Vatrës, që dilte në Korçë nën drejtimin e Hasan Bitinckës”Shqiptari i Amerikës”, në artikullin me titull”Deputeti i Korçës” botuar në numrin e 24 marsit 1923, ku jepet një kronikë nga punimet e Parlamentit të 22 marsit, shkruan:” Pardje(22 mars), doli Qeveria para Parlamentit për shkoqitje e votëbesim.Fjala e Kryeministrit u karakterizua prej opozitës si konferencë premtimesh e shpresash për të ardhmen…prej opozitës folën Isuf Benga, Luigj Gurakuqi, Ali Këlcyra, Bahri Omari, Koço Tasi, Kol Rodhe e Medi Frashëri.”

    Kol Rodhe përveçse deputet aktiv, kreu dhe detyra të tjera shtetërore, paçka se ishte kundërshtar i hapur i Monarkisë, Mbreti Zog, e ngarkoi me detyra qeveritare si Prefekt në Shkodër, Berat, Fier, Gjirokastër. Kundërshtarët politik ia vlerësonin atdhetarizmin dhe përkushtimin Kombëtar. Ai kishte dhënë prova me armë në dorë për mbrojtjen e Atdheut. Pushtimin fashist të Shqipërisë e priti me revoltë, ashtu siç kishte pritë të gjithë pushtuesit. Në ditëpushtimin fashist ai dha dorëheqjen nga detyra shtetërore. Edhe pse e përkrahu luftën kundër pushtuesit Kolë Rodhe nuk pranoi thirrjet për të marrë pjesë në Konferencën e Pezës, Kongresin e Përmetit, Konferencën e Beratit etj. Kola kishte përvetësuar demokracinë amerikane- ishte për një pluralizëm e demokraci alla amerikane.I kuptoi shpejt qëllimet e Partisë Komuniste Shqiptare dhe kërkoi të veprojë për ta ndalë të keqen.

Ishte kjo arsyeja që u vu në krah të opozitës përballë komunistëve, duke qenë në radhën e socialdemokratëve në zgjedhjet e para pas çlirimit. Nuk pranoi që të votonte me 2 Dhjetor 1945, abstenoi në votime së bashku me vajzën dhe gruan e tij. Ishte kundërshtar i hapur i bashkëpunimit me Jugosllavinë. Për këto qëndrime arrestohet me 27 Janar 1946 dhe në qershor, atdhetari, që kishte luftuar aq shumë për pupullin e tij, me pranga ndër duar, gjykohej para popullit si “armik i popullit”! Dhe kush?… Ai luftëtari i përhershëm për çlirimin e Atdheut, që kishte luftuar me turqit, grekët, e italianët…Gjykohet së bashku me 37 antikomunistë (Grupi i Sami Qeribashit dhe Musine Kokalarit) në qershor 1946.Mbajti qëndrim burërror para Trupit Gjykues. Dëshmia e atij gjyqi vjen nga kronika prej sallës së Gjyqit, që e ka përcjellë Gazeta e Frontit Demokratik”Bashkimi” në numrat e 19 dhe 21 qershor 1946, kur shkruan:

” Kolë Rodhja jep llogari.”

Akuza: Kolë Rodhja zhgënjeu komunistët, të cilët përdorën reputacionin e tij në popull duke e vënë në Kryesinë e Frontit Demokratik”…

Kryetari i gjyqit, sulmonte me mllef atdhetarin e orëve të para: – “Armik i popullit”!..

– Sabotator!

– Ujk plak…!

Kryetari i Trupit gjykues:- I pranon akuzat?

Kola:-Asnjë!

Kryetari:-S’ke pasur lidhje me tradhtarët?

Kola:-JO!

Prokurori:-Po asnjë faj nuk ke bërë ti, Kolë Rodhja?

Kola:-Asnjë!

Prokurori:- Mos të kemi sjellë kot këtu?…

(Salla dhe trupi gjykues(të orkestruar) qeshin…)

Prokurori:- Gënjen Kol Rodhe…Ti thua që rinia nuk duhet të merret me politikë. Ti ke qenë Inspektor i Ministrisë së Brendshme…Nuk ke përkrahur lidhjet tona me Jugosllavinë. Kërkoje Autonominë e Kosovës.Po, o Ujk plak, po Kol Rodhe…Ti deshe Regjencën e Mehdi Frashërit, deshe ndërhyrje të jashtme, se gjendja qenka e errët…Deshe shpërndarjen e ushtrisë, mbrojtjen e atdheut…deshe qeveri koalicioni me shumë partira, deshe të prishësh unitetin politik e popullit shqiptar…

Akuzat vazhdonin lumë….

Ç’ti thoshte Kola këtij prokurori militant ?  Dhe zgjodhi heshtjen….   

Kol Rodhja kur gjykohej ishte 67 vjeç… Trupin gjykues i dha dënimin me 30 vite burgu. Mosha, torturat, e lodhën patriotin, që një vit pas dënimit u shua në burgun famkeq të Burrelit…

     Kalvarit të vuajtjeve nuk i shpëtoi as familja e tij, e cila u “shpërblye” për aktivitetin patriotik të Kolës duke e hedhur në krahët e mjerimit dhe punët e krahut!

 Vajza e tij, e martuar me poetin disident Genc Leka,u përjashtua nga arsimi. Ndër akuzat që i formuluan ishte dhe ajo e vjehrrit, Kolë Rodhe,ish deputet i Zogut(kështu e quante Vangjel Çërrava) dhe shtonte në raportin e tij konfidencial për organet e  diktaturës: Babai i saj, ka vdekur si “armik” në Burgun e Burrelit…Deputet i Zogut!

     ***

BIBLIOGRAFI

 1- Gazeta Dielli, 16 Prill 1947, faqe 1(Gjyqi i Korçës)

2- Gazeta Dielli-Prill-Maj 1955, F .1

 3- Klara Çelo”Udhëve të Historisë)-Të pathëna për shqiptarët e famshëm-Vëllimi i I, Faqe 99-104

4-Gazeta “Koha” e Mihal Gramenos 17 maj 1912, 25 Maj 1914

5-Gazeta”Shqiptari i Amerikës”,24 mars 1923

6-Gazeta e Korçës, 26 prill 1924

7-Gazeta “Bashkimi”, 21 Qershor 1946

8-Teki Selenica”Shqipëria më 1927”, f 21, Pasqyra A

9-Gazeta “LIRIA A”- 14 Mars 1996, faqe 6 , 8, autor Gaqo Rrota-ish deputet.

10-Gazeta”Dita”,6 tetor 2008: Klara Çelo”Kolë Rodhe, një jetë në shërbim të atdheut”.

Captions: 1- Kolë Rodhe

2-Grupi i Besa-Besën me uniformat, ku shkruhej shqip:”Liri a Vdekje”. Kolë Rodhe, i dyti nga e majta, në këmbë. Flitet se ky grup dërguan nga Amerika Flamurin Kombëtar dhe ia dorëzuan Marigo Pozios në Korfuz.

3- Pleqësia e degës nr. 19 të Vatrës në Marlboro. Kola, i dyti nga e djathta.

4-Kolë Rodhe në çetën e Gorës,i pari djathtas.

5- Gazeta “Vullnetari” që botohej nga Kolë Rodhe

6- Në Kishën e Shën Gjergjit, ku Noli u dorëzua Dhespot.

7. Vajza e tij Eleni me bashkëshortin Genc Leka, i cili u pushkatuar nga diktatura.

Filed Under: Featured Tagged With: Burgu i Burrelit, dalip greca, Kole Rodhe, Vdekja

Artikujt e fundit

  • AT SHTJEFËN GJEÇOVI DHE DR. REXHEP KRASNIQI, APOSTUJ TË IDESË PËR BASHKIM KOMBËTAR
  • Marjan Cubi, për kombin, fenë dhe vendlindjen
  • Akademik Shaban Sinani: Dy popuj me fat të ngjashëm në histori
  • THE CHICAGO TRIBUNE (1922) / WOODROW WILSON : “NËSE MË JEPET MUNDËSIA NË TË ARDHMEN, DO T’I NDIHMOJ SËRISH SHQIPTARËT…”
  • SHQIPËRIA EUROPIANE MBRON HEBRENJTË NË FUNKSION TË LIRISË
  • KONGRESI KOMBËTAR I LUSHNJES (21-31 JANAR 1920) 
  • Një zbulim historik ballkanik
  • VATRA DHE SHOQATA E SHKRIMTARËVE SHQIPTARO-AMERIKANË PROMOVOJNË NESËR 4 VEPRA TË PROF. BESIM MUHADRIT
  • Që ATDHEU të mos jetë veç vend i dëshirës për të vdekur…
  • KAFE ME ISMAIL KADARENË
  • Kosova paraqet mundësi të shkëlqyeshme për investime
  • PARTIA NUK ËSHTË ATDHEU, O KOKËSHQOPE
  • 50 VJET VEPRA POETIKE KADARE
  • IT’S NOVEMBER 28TH
  • Një arritje për shqiptarët në Michigan

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT