• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MIRUSH KABASHI-THËRRAS ME ZË TË LARTË:MBAHU NËNO, MOS KI FRIKË SE KE DJEMT NË AMERIKË!

December 31, 2017 by dgreca

1 dalip Mirush ok

Intervistë e Editorit të Diellit me artistin Mirush Kabashi në Vatër, Ditën e Flamurit/

Dielli:- Si ndjeheni sot nё Shtёpin e Vatrёs,nё Ditёn e Shenjtё tё Flamurit?/

– Mirush Kabashi: Mendoj se jam në vendin e duhur në kohën e duhur, këtu nё Shtёpinё e Vatrёs. Ku më më mirë se në Vatër që për 105 vite e udhëheq këtë festë në SHBA mund ta urojmë njeri tjetrin: E gëzofshim në jetë të jetëve, Ditën e Shenjtë të Pavarësisë, Ditën e Shejtë të Flamurit të Shqipërisë!Këtu unë thërras me zë të lartë: Mbahu Nëno, mos ki frikë se ke djemtë në Amerikë!

Dielli- Në kufijtë e një muaji erdhët dy herë në SHBA. Kush ishin ftuesit Tuaj gjatё kёtij turneu të dytë nё SHBA?

–Kabashi: Këtë herë ishin disa: Shoqata “Dibra” e Nju Jork-ut, Shoqata “ Bijtë e Shqipes” në Filadelfia dhe Shoqata rinore “Albanian Youth Center” në Stamford Connecticut.

Dielli – A mund tё pёrshkruani mbresat qё provuat nё manifestimet e organizuara nga shqiptarёt e Amerikёs. Çfarё do tё veçonit?

Kabashi:Kësaj pyetje, e kam të pamundur ti përgjigjem shkurt, sado të përpiqem.Në Filadelfia më entuziazmoi fakti që Shoqata zotëronte një qendër kulturore, një vile dinjitoze dykatëshe, që zbukurohej nga dy flamuj të mëdhenj (Shqiptar dhe Amerikan), dhe në hyrje TABELA  me shkronja  të madha “BIJTË E SHQIPES”. Ndërsa ambiente e brendshme ishin arreduar me shumë kujdes me flamuj, simbole, piktura e skulptura të herojve tanë kombëtarë. Ndërsa tabelat me foto, i takonin veprimtarëve të shquar të Shoqatës, si dhe donatorëve që kishin mundësuar blerjen si dhe rregullimin e vilës. Befasimin e pata kur në sallën e kafes e të lojrave po më priste kryetari z. Tajar Domi, dy zv.kryetarët Bujari dhe Dritani, disa zotërinj të moshës sime (antarë të Kryesisë), si dhe tre zotërinj biznesmenë sponsorizues të shalleve, kapeleve apo distiktiveve të simboleve kombëtare me rastin e kësaj feste.

Por ajo që vërtet më emocionoi, ishte piksynimi kryesor i kësaj Shoqate: Shkollimi i fëmijëve të lindur në Amerikë me gjuhën, historikun dhe kulturën e traditat Shqipare. E për këtë qëllim, ambjentet kryesore të kësaj qendre, nga bodrumi e deri tek zyra e Kryetarit, ishin shndrruar në klasa të mirmobiluara për fëmijët e moshave dhe niveleve të ndryshme.

Ndërsa darka festive ishte  organizuar në një restorant luksoz me rreth 400 pjesmarrës të të gjitha moshave, kishte një skenë të larte, ku performuan artistë të kualifikuar, si dhe një pistë vallzimi e cila qëndroi vazhdimisht e tejmbushur. Ajo që do të veçoja? –Organizimi i përsosur; entuziazmi atdhetar, si dhe prezenca e ambasadores shqiptare Floreta Faber.U ndjeva i emocionuar tek interpretova para bashkatdhetarëve.

Të nesërmen në drekë, së bashku me zv.kryetar Bujarin, na u desh të udhëtonim mbi dy orë e gjysëm, në një trafik tepër të rënduar për të mbrritur në Stamford, ku pas ceremonisë së përvitshme të ngritjes së Flamurit në Bashkinë e Qytetit, do të organizohej nga Qendra Rinore Shqiptare dhe një koncert artistik me këngë e valle të përgatitur po nga ata. Tensioni se mos vallë do të mbrrinim kur të kishte mbaruar koncerti, më bëri të mendoja se kisha bërë gabim që e kisha pranuar ftesën e Geni Gjokës, një prej menaxherëve më aktivë të aktivitetit. Dhe vërtetë, kur mbrrita, aktiviteti kishte 15 minuta që kishte mbaruar. Por “spektatori” nuk ishte larguar.Ata ishin kryesisht fëmijë të moshës nga 8 deri në 17 vjeç, të lindur në Amerikë, të veshur me kostume kombëtare shqiptare dhe me flamuj amerikano-shqipatar në duar, më shumë të ulur mbi pllakat e hollit të Bashkisë, sesa në karriget përrreth ku qëndronin prindërit, po prisnin me durim një xhaxhi aktor nga Shqipëria, që do ti recitonte vargje në gjuhën e prindërve të tyre. U përmallova tek i shikoja si i përpinin vargjet e “Gjuhës Shqype” të Fishtës, apo të poezisë “Shpresë” të N. Frashërit. U pendova për dyshimin e mëparshëm.Padiskutim që ky është brezi ku duhet investuar  fuqishëm me art, kulturë e traditë. Ndaj mirnjohje e falenderim për çiftin Mira e Shpëtim Saraçi, si instruktorët e organizatorët kryesorë të aktivitetit, e veçanërisht për filantropin, biznesmenin e talentuar dhe patriotin e shquar Riçard Lukaj, që e mbështeste vazhdimisht këtë aktivitet.

Dielli:- Në fakt ftuesit Tuaj ishin dibranët. Si shkoi koncerti i tyre? Si u pritët?

Kabashi: Në fakt udhëtimi në kthim, për të qenë pjesmarrës në shfaqjen e darkës në Staten Island, ishte po aq i tensionuar dhe i lodhshëm. Por supriza që më priste ma hoqi lodhjen: Dibranët, Kryesia e të cilëve përbëhej vetëm nga djem të rinj, duke filluar nga Kryetari simpatik e energjik Dash Miftari, këtë rradhë Festën e Flamurit, kishin vendosur ta organizonin në një nga sallat më prestigjoze të NY “George Theatre” (1500 vende); me “Nju York Eastern Symphony Orchestra” më 30 istrumenta nën dirigjimin e Steven Fang; me udhëheqës artistik Shpëtim Saraçin;  me pjesmarrjen e disa prej artistëve më në zë të Kombit Shqiptar si Frederik Ndoci, Kastriot Tusha, Dëshira Ahmeti (soprano), Mira Konçi, Sinan Vllasaliu, Gëzim Nika, Haxhi Maqellara, etj.si dhe me pjesmarrjen e veçantë të së mrekullueshmes Amerikano-dibrane me famë ndërkombëtare Bebe Rexha. Një mbrëmje e një Koncert Madhështor, i denjë për tu konsideruar si  Koncerti Qeveritar Mbarëkombetar për Ditën e Pavarësisë.

Të lumët ata spektatorë që e ndoqën, si dhe të lumët ne artistë që patëm nderin të interpretonim në atë skenë, në atë sallë, e veçanërisht përpara atij spektatori “dinamit” dibran, që e tundën atë sallë gjigande me duartrokitjet dhe thirrjet entuziaste. Më besoni….. isha thellësisht i motivuar, kur në poezinë përmbyllese, deklamova vargjet e fundit të Nolit :

MBAHU NËNO, MOS KI FRIKË

SE KE DJEMT NË AMERIKË!

Dielli – Dy vizita për një muaj në SHBA:çfarё mendoni pёr Diasporёn Shqiptare tё Amerikёs?

– Kabashi:Fundshekulli i kaluar,e veçanërisht ky fillimshekull, përbëjnë për mua, periudhën më të ndritshme të Kombit Shqiptar në Shekuj. Po përmend telegrafisht: Ndryshimi i sistemit dhe fillimi i Demokracisë në Shqipëri; Çlirimi i Kosovës e Pavarësia e saj; Fitimi I luftës dhe fillimi i të drejtave të mohuara të Shqiptarëve në trojet e tyre në Maqedoni; Inkuadrimi i Shqipërisë në Nato; Përfaqësimi më dinjitoz i Shqiptarëve në politikën e Malit të Zi; etj.. Këto janë fitore historike që i bëjnë besimtarët të shprehen: Në këtë periudhë në ka parë Zoti! Dhe unë bashkohem me ta duke saktësuar se Zoti në Tokë është Amerika. Dhe ne duhet ti jemi mirënjohës me brezni ShBA-së, dhe ta ruajmë si sytë ballit këtë mbështetjë. Por do të ishte miopi apo malinjitet, të mos nënvizonim që në këtë përkrahje, një rol të fuqishëm ka luajtur Diaspora Shqiptare e Amerikës,…që në fillim-shekullin e kaluar,…që në qëndrimin e Presidentit Uillson në Konferencën e Paqes në Paris (moment shumë delikat për Kombin tonë)-dhe shqiptarët duhet t’i përulen Federatës VATRA, që luajti rolin e shtetin të munguar shqiptar.

Kam bindjen, se Diaspora e tanishme e Shqiptarëve, e shumfishuar në numër, me kontributin e qëndrimin e saj të pastër e të ndershëm, tashmë e “injektuar” me ndjenjën e Lirisë dhe të Demokracisë së vërtetë, me ndërgjegjësimin e zbatimit të ligjit dhe respektimit të shtetit, me përkushtimin ndaj punës e devotshmërisë ndaj familjes, si dhe me  përgjegjësinë madhore ndaj vendlindjes  Kombëtare, do ta forcojnë lidhjen me atdheun e tyre të dytë Amerikën, edhe përkundrejt papjekurisë (më e pakta që mund të themi) të klasës politike Shqiptare kudo që ndodhet, që në vend të përfitojnë nga kjo periudhë historike për ti realizuar ëndrat tona gjenetike (inkuadrimin në familjen Europiane – në Shqipëri; inkuadrimin në OKB dhe hapjen e negociatave dhe levizjen e lirë të qytetërëve – në Kosovë; përfaqësimin me dinitoz të shqiptarëve në shtet në përputhje me numrin e popullsisë dhe zyrtarizimin e Gjuhës Shqipe – në Maqedoni;…e pse jo, bashkimin e të gjitha trojeve Shqiptare në një Qeveri të përbashkët në të ardhmen dhe jo…të kacafyten për pushtet e pasuri (timon, kazan e tepsi) duke anashkaluar jo rrallë herë dhe këshillat shumë dashamirëse të Mikut tonë të madh, dhe duke u bërë shpesh qesharakë në sytë e Botës, dhe argument për komshijt tanë tinzar e të pabesë që thonë “se këta nuk dinë të bëjnë shtet e të qeverisin”, dhe përfundimisht… duke vërtetuar frazën e dhimbshme monumentale të Konicës: “Historikisht, e keqja më e madhe Shqipërisë, i ka ardhur nga vetë Shqiptarët”

Buk’ e Mëmëdheut i zëntë

Tradhëtorët e pabesë,

Dhe Zoti derrmën u dhëntë,

Kurrë mos paçin pjesë!

Naim Frashëri (“Shpresë”)

Dielli – Kjo ёshtё hera e dytё qё udhёtuat nё kufijtё e gati tё njё muaji, 27 tetor, 25 Nёntor  2017. Cilat ishin mbresat tuaja pёr 20 vjetorin e Televizionit Kultura Shqiptare, koncerti nё Simphony Space nё Manhattan, NY, spektatori, artistet, niveli….?

– Kabashi:Se pari po formuloj dy vlerёsime pёr vetё T.V. nё fjalё, edhe se nuk e kam ndjekur paraprakisht. Mё ka rezonuar objektivi i tij kryesor i shprehur dhe nё emёrtimin e tij: “Albanian CULTURE”.

Dhe unё kam mendimin se shoqёria jonё thembrёn e Akilit e ka tek emancipimi, tek mungesa e mjaftueshme e kulturёs, nё raport me vendet europjane ku kёrkojmё tё inkuadrohemi. Pёrçarja, konfliktualiteti, agresiviteti, mosbesimi, nxitimi, anarshija, dembelizmi, inkorrektesia, kapadaillёku, janё disa nga  efektet e dukshme tё pushtimit 500 vjeçar turk, si dhe tё izolimit 50 vjeçar komunist. Kam bindjen se “vaksina” e vetme kundёr kёtyre dukurive ёshtё KULTURA, qё nёnkupton arsimimin, artin, letёrsinё, sportin dhe besimin burimor fetar (veçanёrisht Moralin, e predikuar prej tij). Ndaj mendoj se dhe njё TV modest si ky i menaxhuar nga Adem Belliu (artist, muzikant i kultivuar), ёshtё mёse i nevojshёm dhe ka njё ndikim shumё pozitiv pёr gamёn e shikuesve tё tij.

Dhe e dyta, duke parё qoftё dhe disa sekuenca tё shkurtra filmike, qё u pasquruan gjatё Koncerti, pёr rrugёn e tij 20 vjeçare, kupton kontributin e jashtёzakonshёm arkivor, qё ky TV ka pёr pasqyrimin e jetёs,  punёs, kontributit, si dhe vlerave tё veçanta krijuese dhe intelektuale, tё pёrfaqёsuesve mё nё zё  tё diasporёs Shqiptare nё Amerikё, Kanada, Europё.

Sa i takon nivelit artistik te Koncertit, mund tё them se gjithmonё e mё tepёr, po qartёsohet panevojshmёria e “importimit” tё artistёve nga Shqipёria apo Kosova, pёr tё ngritur nivelin artistik tё aktiviteteve tё Diasporёs nё SHBA. Nё Nju Jork psh ёshtё kultivuar njё buqetё artistёsh tё tё gjitha gjinive, qё me mjeshtri e dinjitet janё inkuadruar nё formacionet artistike amerikane…dhe jo rrallё herё tё evidentuar. Nё skenёn e Simphony Space unё pashё soprano tё talentuara, madje dhe njё talente 12 vjeçare, violiniste ekselente si Gjilberta, pianiste tё shkёlqyera, e deri tek banda muzikore e istrumentistёve frymorё tё kombёsive tё ndryshme, qё interpretuan dhe shoqeruan kёngё popullore qytetare. Pra, njё Koncert lirik Gala, me njё spektator tё kultivuar e sqimёtar, nё njё sallё prestigjoze mu nё mes tё Manhattan, , nё Broduejn e famshёm, dёshmon pёr fillimin e njё standarti bashkohor tё kulturёs sё bashkatdhetarёve tonё nё Amerikё. Urime tё pёrzemёrta!

Dielli – Gjatё qёndrimit tё parё nё tetor, ju u takuat me miqtё Tuaj, çiftin Pirro dhe Pavlina Mani, ish profesorin dhe bashkёstudenten tuaj. Ç’farё ndjenjash provuat?

-Kabashi:Emocion dhe ngazёllim. U emocionova kur pashё profesorin tim tё aktrimit Pirro , si dhe bashkё-studenten e kolegen e talentuar Pavlina, qё kishin dalё tё mё prisnin qё tek dera e oborrit tё shtёpisё (edhe se ne u vonuam ca, ngaqё ngatёrruam rrugёn). Tashmё tё tre jemi tё moshuar e tё zbardhur. Kishim shumё pёr tё biseduar, pёr tё kujtuar, e pёr tu çmallur. Tё falenderoj Dalip pёr pasqyrimin, me shumё vёrtetёsi e dashamirёsi, nё faqet e gazetes Dielli, tё atij takimi qё pёr mua do mbetet si njё ёndёrr e bukur dhe e paharruar. Ndёrsa ngazёllimin e ndjeva kur pashё atё pejzazh tё mrekullueshёm… gati imagjinar, qё rrethonte vilёn e bukur dykatёshe tё familjes Mani. Njё parajsё e vёrtetё plotёsisht e merituar pёr njё artist tё madh. Dhe absurdja ёshtё se kёtё atmosferё paqeje e relaksi plotёsisht tё merituar, Pirros nuk ja krijoi Shqipёria, vendi ku ai shkriu gjithё aftёsitё, energjitё e pёrkushtimin e tij, por atdheu I tij I dytё Amerika.

I dashur Dalip, teatri Shqiptar ka njohur shumё regjisorё teatri, si K. Spahivogli, S. Miho,P. Stillu, S. Fanku, etj., etj., por Pirro Mani ёshtё pranuar njёzёri si Babai I Regjizurёs sё Teatrit Shqiptar.Krijimtaria e tij ka qenё dhe do tё mbetet si shkolla mё e saktё e frymёzuese pёr pasonjёsit. Dhe nё sajё tё kesaj shkolle, Teatri Shqiptar mbrriti kulme jo vetёm nё nivel Kombёtar, por dhe nё aktivitete Ndёrkombёtare.

Tё duam i dashur Pirro dhe tё kujtojmё gjithmon me mirnjohe dhe respekt. Kur u ktheva nga NY nё fillim tё Nёntorit pas takimit tonё, Robert Ndrenika ishte I pari qё mё mori nё telefon pёr tё mё pyetur pёr mbarёvajtjen tuaj dhe u gёzua pa masё nga ato tё vёrteta qё unё i thashё pёr ju, pёr Pavlinёn dhe pёr tё gjithё pjestarёt e familjes Mani. E mё pas, Alfred Buhaljoti,  Rajmonda Bulku, Marjeta Larja, Dhimitёr Orgocka, Zhani Ziçishti, etj., etj.,…pa fund.  Na mungon shumё… veçanёrisht Teatrit Kombёtar Shqiptar. Tё pёrqafojmё me mall dhe tё urojmё pёrzemёrsisht: Jetё tё Gjatё e tё Lumtur!(Intervistoi:Dalip GRECA. Botoi Dielli ne print-Dhjetor 2017)

Filed Under: Opinion Tagged With: dalip greca, Interviste, Mirush kabashi

FALENDERIM- “KARTOLINA” 500 DOLLARSHE NGA LAURA DHE GJERGJ KONDA

December 29, 2017 by dgreca

10-Laura

Për Krishtlindje dhe për Vitin e Ri 2018 në Kutinë Postare të Vatrës erdhën dhe vazhdojnë të vijnë shumë Kartolina urimi. Po vecojmë njërën nga ato, nga ato, Kartolinën e gazetares të Zërit të Amerikës, Laura Konda dhe bashkëshortit Gjergj Konda. Bashkë me urimin e ngrohtë, në mes të kartolinës ishet dhe një Chek me shumën 500 dollarë, dhuratë për Vatrën dhe gazetës e saj Dielli. Falenderime të përzemërta Laura dhe Gjergji!

Laura dhe Gjergj Konda e vizituan Vatrën me 31 mars 2017 dhe u pritën me respekt nga ish kryetari Gjon Bucaj,  i shoqëruar nga ish  zv/kryetari Asllan Bushati, sekretarja Nazo Veliu, anëtari i Kryesisë së Vatrës Marjan Cubi, anëtari i Këshillit Zef Balaj, Idriz Lamaj, dhe Zef Përndocaj si dhe Editori Dalip Greca.

Gjatë asaj vizite Dielli shkroi: Gazetarja Laura Konda tha se e kishin marrë këtë udhëtim për ta parë nga afër Vatrën dhe për të prekur historinë e saj. Me gjithë shiun që i shoqëroi gjatë të gjithë udhëtimit nga Virxhinia ne Nju Jork,ajo tha se, ia kishte vlejtë. Ndërsa Gjergj Konda tha se me Vatrën dhe Diellin atë e lidhte gjyshi i tij, një nga miqtë e Konicës dhe të Nolit, ish menaxher i parë i Gazetës Dielli që në numrin e parë të botimit. Vatranët dhe njohësit e historisë së Vatrës dhe të Gazetës së saj të mocme Dielli, e dinë se kush ishte Gjergj Konda(Gjonleka), për të cilin Faik Konica, tek bëntë bilancin njëvjecar të drejtimit të Diellit prej tij,  shkroi se pa Gjergj Gjonlekën (Konda) Dielli do ta kishte pasë të vështirë që në hapat e parë të tij.

Në kronikën e dhuruesëve të vitit që shkoi(2017) Vatra vlerëson të gjithë kontributorët që nga ta që thjesht paguajnë anëtarësinë, tek ata që reklamojnë në Gazetën Dielli,  e deri tek dhuruesit ; Mehmet Kadria $2,000(dy mijë), Demë Balidema $2.000.00 (dy mijë), Mustafë Elezi 1.000.00(një mijë dollarë-dhuratë e pvrvitshme), Avni Poanri 500.00(Pesqind), pa përmendur dhurimete  Bedri Litës dhe të tjerëve. Faleminderit të gjithëve!

Vatra dhe Dielli kane jetuar gjatë nga shpirti bujar i vatranëve dhe i shqiptarëve të Amerikës.

GEZUAR VITI I RI 2018!( Dielli)

Filed Under: Opinion Tagged With: dalip greca, falenderim, Laura dhe Gjergj Konda

VATRA- VIZITË NË SHTËPINË E Z. AGIM KARAGJOZI

December 29, 2017 by dgreca

1 agim KaragjoziKryetari I Federatës PanShqiptare të Amerikës VATRA, z. Dritan Mishto I shoqëruar nga zv. Kryetari Agim Rexhaj, anëtarët e Kryesisë Zef Balaj, Marjan Cubi, anëtari i Këshillit të të Urtëve Zef Përndocaj dhe editori I Diellit, vizituan mbrëmjen e së Enjtes, 28 dhjetor 2017, Presidentin e Nderit të Vatrës, z. Agim Karagjozi, në shtëpinë e tij ne Floral Park, NJu Jork.

1 agimi Karagjozi Z; Agim Karagjozi, i dekoruar nga presidentet e Shqipërisë me dekoratën Nderi I Kombit” dhe me Urdhërin e Artë të Shqiponjës, si dhe Qytetar Nderi i Gjirokastrës, është vatrani me i hershëm në Vatër, që nga viti 1956, dhe që e derjtoi Vatrën për 2 dekada, dha dorëheqje për arsye moshe me 18 Mars 2010, është President Nderi I Vatrës.Karagjozi uroi z. Mishto për zgjidhjen në krye të Vatrës gjatë Kuvendit të fundit të Vatrës dhe e përgëzoi për gjallërimin e Vatrës dhe veprimtaritë që ajo po organizon. Ai tha se në kohën e tij,atij dhe brezit të vet, iu desh që të luftonin për mbiejtesën e Vatrës, kohë e cila ka mbetë pas dhe ky rrezik fatmirsisht nuk është më sot.Karagjozi kujtoi veprimtaritë e Vatrës në kohën e tij, vizitat në Kosovë dhe Shqipëri, takimet dhe miqësia me Azem Hajdarin dhe Ahmet Krasniqin, vizitat e vështira në Tropojë në verën e vitit 1988, dhe kontributet që dërguan vatranët për Ushtrinë Clirimtare të Kosovës, ndihmat për të plagosurit e Luftës në Spitalin e Tropojës etj.

Kryetari i Vatrës, z. Mishto e falenderoi z. Karagjozi për kontributin dhe drejtimin e Vatrës. Ju dhe brezi Juaj , tha ai, keni meritan që e mbajtët gjallë me sakrifica Vatrën dhe dhatë gjithcka nga vetja. Është detyra jonë që ta vitalizojmë vatrën dhe ta mbajnë atë në krye të Diasporës dhe të kryejmë detyrën ndaj Çështjes Kombtare dhe ndaj Amerikës.

Më pas z. Mishto e informoi z, Karagjozi për veprimtaritë e fundit të Vatrës dhe degëve të saj nëpër shtetet e Amerikës.Ai I tregoi edhe për vlerësimin e punës së vatranëve që kane mbi 50 vjet anëtarësi e aktivitet në Vatër. Z. Karagjozi e vlerësoi si një ide pozitive vlerësimin e vatranëe të vjetër si dhe vizitat në shtëpitë e vatranëve të vjetër.

Në bisedën e ngrohtë ishte i pranishëm edhe I biri i z. Agim, Zyhdi Karagjozi, biznesmen dhe anëtar i Këshillit të Vatrës. Ai shfaqi shqetësimin për përfshirjen e rinisë shqiptare në veprimtari kriminale dhe shfaqi mendimin se Vatra duhet të punojë më shumë në këtë drejtim.

Gjatë bisedës u sollën në kujtesë shumë veprimtari të Vatrës në kohën që z. Karagjozi ishte në krye të Vatrës.

  1. Karagjozi falenderoi për vizitën, ndërsa kryetari i Vatrës dhe shoqëruesit e tij e falenderuan për mikpritjen dhe i uruan shëndet dhe e uruan për Vitin e Ri 2018.

Filed Under: Featured Tagged With: agim karagjozi, dalip greca, Vatra, vizite

VATRA, STRATEGJI PËR DËNIMIN E KRIMEVE TË KOMUNIZMIT

December 28, 2017 by dgreca

1 Dritani leka1 Dine1 Pellumb Lamaj1 eqrem2 tryeza3 dina zef

VATRA, STRATEGJI PËR DËNIMIN E KRIMEVE TË KOMUNIZMIT DHE EDUKIMIN E INFORMIMIN E TË RINJËVE NË DIASPORË/

Kryesia e Vatres po diskuton një projekt dokument, i cili do t’u bëhet i ditur degëve për mendime e sugjerime, që do të përmbajë strategjinë ë Vatrës për vitet e ardhshme në drejtim të rëndësisë që ka për diasporën njohja e diktaturës dhe krimeve të komunizmit.Kryetari i Vatrës z. Dritan Mishto ka organizuar takime me ish të burgosur e të përndjekur politik të diktaturës komuniste. Të Mërkurën me 27 dhjetor 2017 Kryetrai Mishto u takua me ish të burogusrit pilitik Lek Mirakaj dhe Pëllumb Lamaj.

Të Enjten me 21 dhjetor, Kryetari i Vatrës, z. Dritan Mishto, u takua në Vatër me një grup vatranësh ish të përndjekur politik të diktaturës komuniste në Shqipëri: Dine Dine, vatran prej rreth 3 dekada, Eqerem Mujo, vatran, dhe Lek Mirakaj, anëtar i Këshillit të Vatrës. Z. Dine Dine, anëtariI Këshillit të Urtëve,  i dhuroi kryetarit të Vatrës kopjen e romanit të tij “Mbi Varkën e Kreontit”, të sapo botuar dhe të promovuar në Tiranë, ndërkohë që Eqrem Mujo dhuroi botimet “Kuvend Letrash me Miq” të Mustafa Krujës, dhuratë për bibliotekën e Vatrës nga Eugjen Merlika.

Takimi u kthye në një bashkëbisedim rreth krimeve të komunizmit dhe punën e pamjaftueshme të shtetit , politikës dhe shoqërisë shqiptare për zbardhjen e krimeve të komunizmit, për mekanizmat e funksionimit të diktaturës, për mosinformimin e brezit të ri me krimet e komunizmit etj. Kryetari i Vatrës tha se duhet të punojmë në mënyrë më të kualifikuar për edukimin antikomunist të brezit të ri.Edhe promovimi i afërm i këtij romani në Vatër do të kthehet në një debat konstruktiv për edukimin antikomunist të të rinjëve, të cilët janë pak ose aspak të informuar.

  1.    Dritan Mishto e përgëzoi autorin e romanit”Mbi Varkën e Karontit” Dine Dine, që ka sjellë një pjesë të realitetit, që ai vetë e ka përjetuar dhe premtoi se Vatra do ta përkthejë romanin në gjuhën angleze dhe do ta shpërndajë atë në komunitet për të informuar brezin e ri dhe do ta dërgojë në libraritë amerikane.

Biseda u filmua nga Robert Papa I TV Fokus.(korresp i Diellit)

 

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, KRIMEVE, STRATEGJI PËR DËNIMIN E, të komunizmit, Vatra

ASNJË SHTET NUK NDËRTON VARREZA MEMORIALE PËR USHTRITË PUSHTUESE

December 23, 2017 by dgreca

– KOMENT I GAZETËS DIELLI”, ORGAN I FEDERATËS PANSHQIPTARE TË AMERIKËS”VATRA”/1 Varrezat Greke

– Ngritja e varrezave greke në Shqipëri cënon sovranitetin dhe dinjitetin e Shqipërisë dhe nxit më tej nacional-shovinizmin e verbër të qarqeve antishqiptare./

         Diplomacia e Qeverisë “Rama 2″ duket se ka kapitulluar pa kushte. Ministri ynë i Jashtëm, duke përcjellë direktivat e pakonsultuara të Kryeministrit,që vetë vendos e vetë vulos(madje pa u konsultuar as me Presidentin e Republikës) ka cënuar interesat kombëtare të shqiptarëve duke lëkundur nga themelet marrdhëniet me partnerët strategjik, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.              Vota”kundër” në OKB ishte qartësisht një Akt Antikombëtar, siç e konsideron deklara e Kryetarit të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, z. Dritan Mishto.

        Ky akt foshnjor në Diplomaci, u parapri nga një tjetër akt antikombëtar siç është Vendimi i Qeverisë “Rama 2” i 13 Dhjetorit për ndërtimin e varrezave greke në Shqipëri. Qeveria shqiptare ka deklaruar se bisedimet e fundit greko-shqiptare kanë dhënë shenja pozitive për heqjen e Ligjit të Luftës, por duket se çmimi do të jetë tepër i kripur. Qëndrimi servil i qeverisë shqiptare me lëshimet që po bën për ndërtimin e varrezave greke në Jugun e vendit do të jetë me pasoja të pariparushme. Diplomacia shqiptare duhej të kishte këmbëngula fort se Ligji i luftës është një mbetje historike e njëanshme pasi Shqipëria kurrë nuk i ka shpallë Luftë Greqisë. Nga ana tjetër ushtarët grek që ranë në tokën shqiptare hynë për ta pushtuar Jugun e Shqipërisë. A mund të nderohen pushtuesit me varreza monumentale apo mauzole?

Qeveria e Kryeministrit Rama duhet të shohë edhe pasojat e vendimit të saj antikombëtar. Mirë është që të dëgjojë dhe historianët e krahut të vet, që këmbëngulin se ndërtimi i varrezave do të ligjërojë njohjen e të ashtuquajturit Vorio Epir.

    Federata Panshqiptare e Amerikës përherë ka qenë e ndjeshme ndaj akteve të tilla që cënojnë sigurinë kombëtare dhe hapin plagë të vjetra siç janë ato të pretendimeve njëshekullore greke për Vorio-Epirin. Qëllimi strategjik i fqinjit tonë Jugor është që ta bëjë fakt të kryer atë që ajo e cilëson Vorio-Epir dhe të faktojë pretendimet e qarqeve antishqiptare, duke plotësuar me varreza kufirin e shtetit të pretenduar, një fantazmë që mbanë ngritur rrethe antishqiptare në Greqi  e brenda Shqipërisë.

Vendimi i Qeverisë që tashëm është bërë publik(Dielli e ka këtë vendim) duket se ka shumë pika të errta dhe mbjell pasiguri Kombëtare. Vendimi nuk zbardh vendgërmimet për të gjetë eshtrat e ushtarëve grekë të  rënë gjatë luftës Italo-greke, gjë që mund të çojë të përsëriten ngjarjet e turpshme të Kosinës në Përmet, ku prifti bënte pazare me eshtrat e  të vdekurëve dhe në varrezën gjoja të ushtareve grekë u gjetën eshtra fëmijësh dhe pleqësh shqiptar, pa përmendur eshtrat e kafshëve.

Qeveria lipset të jetë trasparente dhe të tregojë publikisht se ku do të bëhen gërmimet , ku do të ndërtohen varrezat e reja dhe sa do të jetë numri i tyre?!

Qeveria Rama në Vendimin e publikuar u drejtohet edhe vendimeve të qeverivë paraardhëse, duke iu referuar Qeverisë Berisha në vitet 2010, 2011 dhe në 2012-tën. Në Vendim shkruhet se ky  Vendim i tanishëm mbështetet  në neni 100 të Kushtetutës dhe u referohet neneve 4-5, të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Greqisë, për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin e ushtarakëve grekë, të rënë në Shqipëri gjatë luftës greko-italiane të viteve 1940-1941, dhe për ndërtimin e vendprehjes për ta, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, ratifikuar me ligjin nr, 10256, datë 25.3. 2010. Në vendim janë përcaktuar detyrimet e Ministrive përkatëse si e mbrojtjes, Infrastrukturës dhe energjisë,detyrimet e pushtetit vendor, por nuk përcaktohen saktësisht vendgërmimet dhe vendvarrimet.

Vendimi i qeverisë  dikton Shqipërisë që çdo vit të organizojë me 28 tetor ceremonitë zyrtare për të nderuar  ushtarakët grekë!

 Federata VATRA i ka kundërshtuar në vijëmësi vendimet e qeveritarëve shqiptarë, qofshin të majtë a të djathtë duke këmbëngulur se pas strategjisë greke fshihen qëllime të qarqeve antishqiptare që kanë pretendime ndaj të ashtuquajturit Vorio-Epir. Është i njohur qëndrimi mospajtues i Vatrës edhe gjatë kohës kur në pushtet ishin demokratët. Në atë kohë ish kryetari i Federatës Panshqiptare VATRA, dr. Gjon Buçaj, pat shkruar një Letër publike ish presidentit  Bamir Topi, ku i kërkonte publikisht që të mos e dekretonte Ligjin e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë me 25 mars 2010 , për ngritjen në territorin e Shqipërisë të varrezave për ushtarët grekë të vrarë gjatë Luftës Italo-Greke në periudhën e viteve 1940-1941.

   Ish Kryetari i Vatrës, shkruante në letrën drejtuar presidentit se vatranët, si të gjithë shqiptarët kudo në botë, të cilët e duan kombin e atdheun, janë thellësish të shqetsuar nga ky veprim i kryer në ditën kur, gjatë paradës në Athinë duke kremtuar pavarësinë e Greqisë, njësi ushtarake greke thërrisnin se do të pinin gjakun e shqiptarëve. Ky nuk është një episod i izoluar, por nji akt i rëndë provokues, i përsëritur disa herë, edhe në 2007-ën. Qeveria dhe shteti grek nuk kanë bërë asgjë për të parandaluar përsëritjen e dukurive të tilla armiqsore kundër Shqipërisë e shqiptarëve.

      VATRA mbështet marrëdhënje të vërteta miqësie midis Shqipërisë dhe Greqisë. Ne besojmë se dy vendet dhe popujt tanë kanë shumë vlera të përbashkëta që shkojnë deri në lashtësi. Por miqësia e vërtetë vendoset në barazi, dinjitet dhe interes të ndërsjelltë. Asnjëherë dinjiteti shtetëror dhe kombëtar nuk mund t’i bëhet dhuratë një vendi të huaj, sado mik që të jetë ai.

  Asnjë shtet sovran nuk i ngre përmendore apo varreza një ushtrie të huaj pushtuese. Është fakt historik se Shqipëria e pushtuar nga Italia fashiste kishte humbur pavarësinë dhe personalitetin juridik si subjekt i së drejtës ndërkombëtare. Pavarësisht nga kjo, edhe pse dy vendet tona janë tashmë anëtarë të NATO-s, Parlamenti Grek mban në fuqi Ligjin e Gjendjes së Luftës me Shqipërinë, duke u shkaktuar dëme të mëdha pasurore shtetasve shqiptarë me interesa ekonomike në Greqi.

……….Është e vërtetë se në vitin 1940-1941 trupat greke mbrojtën me heroizën vendin e tyre nga fashistët italianë. Mirëpo ato u kthyen vetë në trupa pushtuese kur hynë në trojet shqiptare, përfshirë Korçën, Gjirokastrën, Himarën, Sarandën etj. Qeveria greke vendosi një regjim të vërtetë pushtimi në Shqipërinë e jugut, duke mos lejuar ngritjen e flamurit shqiptar, duke futur në qarkullim monedhën greke e duke ndërmarrë veprime të tjera aneksuese. Madje, qeveria greke refuzoi edhe thirrjet e Mbretit Zog dhe të patriotëve shqiptarë për krijimin e forcave të përbashkëta ushtarake që do të ndërmerrnin çlirimin e plotë të Shqipërisë nga Italia fashiste dhe rikëthimin e qeverisë së ligjshme shqiptare në vend.Shembulli më i qartë i synimeve aneksioniste të Athinës ishte vendimi i shtatmadhorisë greke për të mos tërhequr trupat pushtuese nga Shqipëria e jugut, megjithë kërcënimin që i vinte vendit të tyre nga ndërhyrja gjermane në Maqedoni. Për më tepër, edhe para kapitullimit ndaj gjermanëve, gjeneralët grekë u përpoqën të hyjnë në pazarllëk me nazistët që Shqipëria e Jugut t’i mbetej Greqisë.

            Praktika ndërkombëtare tregon se për raste të tilla do të mjaftonte një monument i thjeshtë dhe jo ndërtimi i varrezave masive në tokën shqiptare. Eshtrat e ushtarëve grekë le të varrosen me nderime në Peloponez apo Atikë, por kurrsesi në tokën tonë. Ngritja e varrezave për ta në Shqipëri cënon sovranitetin dhe dinjitetin e Shqipërisë dhe nxit më tej nacional-shovinizmin e verbër greko-madh.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: dalip greca, Qeveria Rama 2, Varrezat greke

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 50
  • 51
  • 52
  • 53
  • 54
  • …
  • 135
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞
  • LËVIZJA KOMBËTARE – NGA AUTONOMIA TE PAVARËSIA E SHQIPËRISË
  • “VATRA” në Boston ju fton në “Albanian Boston Community Center” më 17 janar 2026
  • NGA NJË KOLONI DE FACTO NË NJË KOLONI DE JURE
  • ADEM DEMAÇI, JO THJESHT FIGURË E REZISTENCËS, POR KATEGORI KONCEPTUALE E SHTETFORMIMIT
  • Roli i gazetës “Arnavud/Shqipëtari” në formimin e vetëdijes kombëtare te shqiptarët përballë politikave turqizuese të xhonturqve
  • Si investonte Serbia në thellimin e përçarjeve ndërmjet udhëheqësve shqiptarë dhe në shkëputjen e tyre nga ndikimi austro-hungarez
  • Marrëdhëniet e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut me Republikën e Venedikut sipas dokumenteve të Arkivit Apostolik të Vatikanit, Arkivit të Shtetit të Venedikut dhe burimeve historike botërore
  • “U SHKEPUT NJE METEOR POR ZJARRI MBETET ZJARR…!”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT