• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DASHURITË E JOSIFIT: POEZIA, MUZIKA DHE KITARA

April 9, 2014 by dgreca

Realitetet themelore të ekzistencës njerëzore i hedh në vargje ashtu sikundër i ndjen brenda psikikes, shpirtërores dhe filozofikes. Poezitë e Josif Gegpriftit përshkruajnë situata të zakonëshme të njeriut me kompleksitetin e jetës dhe shoqërisë në të cilën jetojmë, dhe rolin e marrëdhënieve të tyre në kërkim të identitetit poetik. Vargjet lirike të poetit e kitaristit Josif Gegprifti  janë shprehje e zjarrtë e një shpirt shumë të ndjeshëm, që është gjithmonë në kërkim të dashurisë së pastër dhe intensive pa ndonjë kufizim.  Josif Gegprifti është nga ata poetë,  që  përshkruan realitetet bashkëkohore me humor të athët dhe shquhet  për aftësinë e tij për t’i hedhur në vargje, ndjeshmëritë poetike të dashurisë, mallit, brengës, dhimbjes, gëzimit, jetës e vdekjes. Ndjeshmëri poetike këto, që prekin metafiziken, janë shprehje e filozofisë së jetës dhe mendimeve mistike, ashtu sikundër është edhe origjina e poetit,-nga treva e Enkelejve, e Lasgushit të Madh dhe Kutelit të Papërsëritshëm. Poezia e Gegpriftit është e këndshme dhe e kënaqëshme, në lëvizje e frymëzuese, me aftësi të shkëlqyera për poezi lirike. Në këtë intervistë poeti e prozatori pogradecar Josif Gegprifti, na rrëfen dashuritë e tij, që janë :Poezia, Muzika e Kitara.  

Bisedoi:Raimonda MOISIU /

-Kam lexuar recencën tepër speciale dhe domethënese të Hyqmet Haskos, për poezinë tuaj. Si jeni ndjerë për këtë recencë kaq dinjitoze e profesionale. 

Ka qënë një ditë jashtëzakonisht e bukur për mua. Teksa mbaja gazetën në dorë, më dukej se vështrimi i të gjithëvë ishte përqëndruar tek unë. Ndihesha, sikur kisha arritur pranë finishit për t’u quajtur poet. E pa besueshme dhe emocionuese kanë qenë telefonatat e shumta, që më vinin nga miqtë e miket e mia, kryesisht nga Pogradeci e Tirana. Është një ditë  nga ditët e mija, që mund ta quaj se kam jetuar, se kam marrë frym, se kam ndjer, që jetoj, që kam një emër e në shpirt, ndjenjë e ëmbël të kënaqësisë dhe kurajos për më tej.

-Cilat kanë qënë përfytyrimet më të herëshme se një ditë do të bëheshit poet ?  Kush ka qënë dashuria tuaj e parë e  lidhja tuaj me artin e poezisë?

Më lejoni  të bëj pak histori e biografi nga jeta ime. Nuk dua t’u lodh, ndaj dhe nuk do zgjatem. Unë jam Josif Pasko Gegprifti. Me shumë sinqeritet shkruaj e përgjigjem, se kurrë në jetën time, nuk e kisha menduar, se do të bëhesha poet! (Buqzëqesh) Mos e teprova që deklamova se jam poet? Kam shkruar një poezi “ Unë nuk jam poet”, e kam shkruar me ngrohtësinë e  sinqeritet dhe aty tregoj se jam i apasionuar pas poezisë, se e shkruaj atë si të mundem, me ndjenjën e shpirtit tim, por kjo nuk më bën mua Josifin ta quaj veten poet. Këtë ja kam lënë në dorë lexuesit, ai është “kritiku më i mirëfilltë” që të quan poet.  Pra asnjëherë nuk e kisha menduar këtë.Edhe pse kam qenë, qysh gjimnazist i lidhur me letërsinë, me vargun, me muzikën dhe ëndërroja fillimisht të bëhesha kompozitor. Talenti im për muzikën u pat rënë në sy  edhe mësuesve  të  mij  të muzikës në Pogradec, pasi unë  edhe pse nuk kisha studiuar për   muzikë, kisha arritur me punën time autodidakte dhe me ndihmën e mësuesve të mij, në shtëpinë e pionierit apo në shtëpinë e kulturës, të njihja mirë pentagramin e të luaja  disa vegla muzikore. Gjithashtu, kam qene edhe anëtar i Orkestrës Frymore të qytetit të lindjes. Kam punuar në katër vitet e gjimnazit, muajve të beharit, kur ishin pushimet, me kitarë në orkestrën e Hotel Turizmit e të  lulishtes “ 1 Maj” në Pogradec.

Por jeta nuk erdhi ashtu si dëshiroja. Për kushtet ekonomike të familjes, u detyrova të shkoja në shkolln ushtarake. Pra brenda shpirtit im, përplasen ndjenjat e muzikës, me dashurinë dhe disiplinën ushtarake. Falenderoj Zotin, që duke qenë me shpirtin e muzikantit e të muzës poetike, i tillë kam qëndruar edhe në jetë e në profesionin e vështirë të ushtarakut.

-Cfarë ju ka pëlqyer të lexonit  në adoleshencën tuaj?

…Mbaj mend se në fëmijërinë time, lexohej shumë libri “Cufua dhe Bubi kaçurel”.

Më pëlqente të lexoja përralla, apo t’i dëgjoja me vëmendje, kur m’i tregonin gjyshërit. Më pas, në adoleshencë filluan romanet, që asnjëherë nuk jam shkëputur prej tyre.Theksoj se kam qenë i apasionuar edhe mbas gjuhëve të huaja. Në mënyrë autodidakte, kam studiuar anglishten, italishten e gjermanishten, deri sa mbarova shkollën.Dëshiroj të theksoj se me mbarimin e shkollës dhe daljen në punë,  tepër të vështirë, u shkëputa nga studimi i gjuhëve të huaja. Kjo edhe për faktin e ambientit ku jetoja e punoja.Duke mos e folur apo lexuar gjuha e huaj harrohet.Kjo ka ndodhur edhe me mua. Më është dashur në vitin 2000, t’i rikthehem anglishtes, dhe dhashë provim në Universitetin e Tiranës.

– Ju gjithashtu merreni edhe me muzikë, kitarë. Më tregoni dicka për  “udhëtimin tuaj krijues ” me muzikë dhe poezi.

Po është e vërtetë, që në rininë tim, kam qenë i apasionuar pas muzikës dhe i dashuruar me kitarën. Mësimet e para për kitarë,  i kam marrë nga i ndjeri i talentuari Agim Darova, -një nga pesë vëllezërit orkestrantë me emër, në Pogradec. Kur fillova të ndihem i lidhur dhe i dashuruar me letërsinë, fillova të shkruaj tekste këngësh e t’i kompozoj ato vetë. Kështu janë disa këngë që i këndonim me shoqet e shokët e gjimnazit. Kujtoj,  nëherë, ish e dashura ime, pasi dëgjon një këngë nga goja e shoqes së saj e pyet:-Ku e ke mësuar këtë këngë, dhe tekstin kush e ka shkruar? Ajo i përgjigjet se këtë këngë e kemi mësuar nga Josifi, ai e këndonte, për tekstin nuk di gjë. Dhe ish mikja ime e mirë, tepër e xhelozuar, -në atë kohë kemi qenë pak të larguar- më afrohet e më thotë: -Kush ta  ka dhënë të drejtën të kompozosh vargjet, që kam shkruar unë? Pasi vura re se fliste shumë e nervozuar, me qetësi i thashë, se nuk është faji im, por i dashurisë që kam për një vajzë. Eh, nga ta dij unë se vargjet I ke shkruar ti? Ajo u qetësua dhe me  vështrimin e zjarrtë, ku ndihej dashuria e parë por edhe e munguar te të dy,  u largua duke lënë pas  “portën e dashurise hapur…”

-Cilat janë shprehitë tuaja kur meditoni apo  shkruani . Dëgjoni muzikë apo dëshironi qetësi?

Nuk kam të përcaktuar kushte për të shkruar poezinë. Vargjet e mia kryesisht kur jam në shtëpi, më pëlqen të dëgjoj muzikë të qetë, të lehte e romantike, por unë shkruaj kudo që ndodhem, edhe në kafene, edhe kur eci rrugës,  poezinë e krijoj në mendje. Këto janë vërtet caste, që herë më trishtojnë, më shqetësojnë, dhe herë më bëjnë tëqesh e të sillem si një fëmijë që gëzon, kur merr në duar dicka që i pëlqen.Vitet e fundit kam konstatuar se në qytetin tim të Pogradecit, më pëlqen të ngrihem herët nga gjumi, të shëtis buzëgjolit e të pres rrezet e para të dielli. Aty gjej një frymëzim,  që më jep mundësinë të krijoj ëmbël vargun, më pëlqen në  “sy” valn e liqenit dhe  shklqimin e saj, të argjendëruar nga rrezet e diellit.

-Cfarë është një “muzë”. Është aftësi gjenetike sipas mendimit tuaj?

Muza  është ushqim për çdo njeri të apasionuar me letërsinë, sidomos me vargun e poezisë. Mendoj, se kjo është ndjenjë shpirtërore, që tek poetët është më e zhvilluar, se te njerëzit e thjeshtë. Nuk mund të them, se është  tërësisht gjenetike, pa përjashtuar, se edhe e tillë është.

-Zhanrin e poezisë  “e bëtë ju që të vinte te ju” apo është preferenca tuaj? Cilat janë elementët thelbësorë të tij?

Mendoj, se poezia tek unë,  ka ardhur ashtu si unë kam shkuar tek ajo. Pa e kuptuar,  e gjetëm njëri tjetrin pranë dhe u dashuruam bashkë. Unë e ndjej se e dashuroj shumë, por nuk di nëse me dashuron Poezia? Duke qenë se bashkë kemi gati 40 vjet që jetojmë, mendojmë, lotojmë, dashurojmë e frymojmë në një akord, duhet të jetë edhe preferencë e imja. Nuk do dëshiroja, të vija në plan të dytë muzikën, të shkruarit tregime, prozë apo roman, të cilat presin rradhën të shkojnë drejt botimeve.

-Cila është sfida për të shkruar një poezi?

Dua, që vargu im të jetë i lirë, të fluturoj kaltërsive qiellore e përsëri të kthehet në veshin ngacmues, si një melodi. Unë kur lexoj vargun tim, më duket sikur dëgjoj një ujvarë, që shpërndaj tinguj të magjishëm.

-Poezitë  tuaja janë të një kalibri  artistik dhe vargje lirike  të admirueshëme. E ndjeni reagimin e lexuesve dhe ç’farë sekreti ka Josifi, që e ka bërë te ketë një audiencë të gjerë lexuesish e dashamirës të poezisë?

Po është disi e vërtetë kjo që më pyesni. Unë sa herë hedh në Facebook vargjet e mia, nuk di pse ndjej ankth e dridhem në shpirt, deri sa vijnë klikimet e para. Të them të drejtën, në fillimet e mia në Facebook, ashtu si edhe krijueë të tjerë bënim “tag”, për miket e miqtë adhurues të vargut, por me kalimin e kohës, mendova se do ishte më mirë, që vargjet e mia t’i hidhja në faqen kryesore dhe kjo ishte liri për lexuesin të lexonte, të komentonte. Konstatimi është se adhuruesit janë njësoj.

Krysore në vargjet që shkruaj, është fakti, se unë shkruaj thjesht, me gjuhën e lirë të vëndit tim, ndoshta edhe më e kufizuar, atë pogradecare. Në vendlindje mëndoj unë, që vargjet kanë mbështetësit e shumtë, se vargu e përcjell ndjenjën drejt e tek zemrat e njerëzve, në mënyrën më të lehtë.

-Poezia juaj të cilën për hir  të së  vërtetës e lexoj me kënaqësi, vetëm si një këngë serrenatë  dhimbjeje, por pasqyrohet me një larmishmëri gjendjesh poetike, jetësore, ku meditimi dhe imazhet poetik krijojnë struktura emocionale. Përvec talentit që është merita tuaj, kujt ia dedikoni arritjet?

Vargjet e mia në  tërësi i drejtohen  dashurisë së parë, sikur shkruhen, për një mikeshë e sikur i dashuruari në vargje, jam vetë unë autori. Dua të sqaroj se vërtet dashuria ka ndikimet e saja, kur shkruaj, por unë përpiqem e mundohem që të gjej fjalë, histori, të sjell ato ndjenja, që i dëgjojme në jetën tonëë që i jetojmë edhe vetë, por që në tërësi, ato janë krijime artistike, janë edhe fantazi e mendjes. Unë qoftë edhe nga jeta ime, kap dicka të bukur dhe e përshtas për jetën e gjerë të lexuesit. Dua, që ajo të prekë e të mbetet në mendjen e lexuesit. Mendoj se edhe këtu diçka kam arritur.

-Sa ju ndihmon angazhimi profesional në kultivimin e pasionit tuaj për letërsinë?

Nuk themse jam profesionist në këtë drejtim. Ju tashmë e dini që profesioni im ka qënë ushtarak. Por duke qënë se kam lexuar gjithë jetën kryesisht romane, poezinë ,prozën, kam mundur të rris nivelin tim në këtë drejtim dhe të këm njohuritë e duhura për të shhkruar.Mundohem edhe sot e kësaj dite, që të mësoj, sa më shumë nga puna dhe jeta e autorëve të dëgjuar, të mbaj kontakte me miqtë e mij, që shkruajnë e të mësoj prej tyre.

-Ju i keni kushtuar vargje të larmishme dhimbjes, dashurisë, mallit brengës,  natyrës,  njerësve, vendlindjes, traditave dhe raporteve njerëzore të së përditëshmes, të përmbledhura në dy vëllime poetike. Cili është “çelësi sekret” që ju mbartni në muzën tuaj?

Nuk mund të them se ka ndonjë “çelës sekret” apo ndonjë rrugë që nuk njihet nga të tjerët. Unë mendoj se në këtë drejtim, është jetëgjatësia e vargut, që kam shkruar. Siç e thashë edhe më lart, janë gati 40 vjet që unë shkruaj. Nuk e kisha menduar ndonjëhereë, se do vinte një ditë që shkrimet e vargjet e mia do botoheshin. Nxitës i kësaj pune është miku im i nderuar, shkrimtari, poeti e dramaturgu Sulejman Mato, i cili pasi lexoi disa nga poezitë e mia në Facebook, më kërkoi takim dhe pas një bisede të këndshme me të, më kërkoi poezitë,  për t’i redaktuar e pastaj t’i botonim. Mendimi i tij është se poezia ime është e veçantë, ka brenda saj ciltërsi e dashuri, është e ëmbël dhe e lexueshme, është lasgushiane.Kjo vjen se edhe unë vetë kam  natyrë romantike, melankolike, kam shpirt të ndjeshëm,  prekem shume shpejt, qaj si fëmijë,  qesh me lot dhe gjithë jetën time në punë, në jetë e shoqëri, dashamirës me shpirt bujar dhe masovik. Jam i thjeshtë e di të qëndroj,  të komunikoj  me njerëzit fare të thjeshtë, di të ulem e të pi verën e rakinë deri edhe të dehje, më pëlqen të udhëtoj shumë, të qëndroj deri ne orët e vona të natës. Duke qenë, se kam punuar gati 15 vjet fshatrave,  e njoh jetën e fshatit. Ashtu sikundër njoh jetën në qytet dhe kontekstet e shumta me njerëz të ndryshëm, që janë  faktorë jetësorë, që unë shkruaj me dashuri, me dhimbje, me brengë, për njerëzit, për natyrën, vendlindjen e traditat. Këtu mendoj se është edhe “ Celësi sekret “.

-A e keni provuar të shkruani në gjininë e prozës?

Po, kam disa tregime që së shpejti do t’i botoj me temë nga jeta në fshat, për marrëdhëniet midis njerëzve, tregime rozë, kun ë qendër të sargumentit është romantikja, lirikja.

Jeni lindur dhe e keni kaluar fëmininë në Pogradec, që është edhe vendlindja e dy korifejve të letrave shqipe, Lasgush Poradecit dhe Mitrush Kutelit.. A ka ndikuar  kjo në krijimtarinë tuaj?

Shtëpia ku kam kaluar fëmijërine time, ka qenë pranë shtëpisë së poetit të madh Lasgushit. Me vajzën e tij të madhe Kostandinën, kemi  qenë shoqe klase në gjimnaz, ndërsa vajza tjetër Maria, është dy vjet më e vogël se unë.Në bahcen e Lasgushit, ne fëmijët e lagjes luanim vazhdimisht me lodrat tona, bënim shumë zhurmë, gjë që e shqetësonte shumë poetin dhe ai shpeshherë na fliste për t’u larguar. Kujtoj në dimër, kur i vinin drutë Lasgushit, ai na thërriste ne fëmijëve dhe e ndihmonim atë. Ai na recitonte vargje dhe ne ngjisnim drutë në katin e dytë. Janë kujtime të pashlyeshme të fëmijërisë time. Eh,  sa kujtime kam aty me Lasgushin apo xhaxhi Llazarin,  si e thërrisnim ne fëmijët. Pogradeci, sigurisht me bukurinë e tij të magjishme, gjolin,  përgjithësisht të kaltëruar, sepse ai i ndërron ngjyrat e tij vazhdimisht, me Drilonin, kalanë dhe kodrat e gjelbëruara përreth,  me një rini të dhënë mbas artit kryesisht muzikës, ka ndikuar në krijimin e personit tim si muzikant e më vonë në drejtim të të shkruarit të vargjeve poetike.

-Cilat janë projektet tuaj në të ardhmen?

Tashmë unë kam hyrë në këtë udhëtim të bukur shpirtëror e letrar.  Po mundohem që të nxjerr në dritë gjithçka nga puna ime prej vitesh. Janë gati edhe 3 libra me poezi, një roman e një libër me tregime.

-Kur ktheni kokën pas ndër vite si e shikoni krijimtrainë tuaj gjatë viteve? Cilat janë drejtimet dhe objektivat interesante për të ardhmen?

Eh,kur kthej kokën mbrapa në shkrimet e vjetra, të them të drejtën, ka momente, që shtangem, mbërthehem keq tek vargu dhe them me vehte; -si është e mundur, që kam shkruar me kaq zjarr dashurie. Por ka edhe momente, që më bëjnë të qesh   me vargun tim, -sa fëminor paskam qenë!

Për të ardhmen siç e shkruajta edhe më lart,  dëshira ime është të botoj romanin. Jam shumë I përkushtuar dhe në ankth derisa ta botoj. Dua ta lexojnë para botimit, dy tre nga miqtë e mij të mirënjohur, pastaj me një redaktor dashamirës ta përfundojmë e botojmë. Them dashamirës sepse, është tepër e dhimbëshme, kur shikon gërshërën pa vend të redaktorëve në shkrimet e tua. Unë kur dorëzoj një libër për redaktim, më dhemb shpirti dhe jam në ankth deri sa ta shoh punën e redaktuesit. Me duket sikur dorëzoj fëmijën në cerdhe tek një edukatore dhe pastaj pres orarin për ta marrë.

-C’farë dëshiron të ndash me kolegët dhe audiencën e lexuesve, që janë duke e lexuar këtë  intervistë?

Mirënjohjen e tyre, respektin dhe shpirtin bujar.

-Mesazh tuaj për botën e artit?

Mesazhi im është shkruani pahezitim, por sa më shkurt,  sa më të lexueshëm e të kuptueshëm. Kur shkruani për dashurinë, kam mendimin se nuk duhet zhveshur. Një ndjenjë e fshehtë, shpirtërore dhe e vetme në dashuri është e mrekullueshme e plot  ëmbëlsi e jetë!

 

Filed Under: Interviste Tagged With: DASHURITË E JOSIFIT: POEZIA, DHE KITARA, MUZIKA, Raimonda Moisiu

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT