Nga Pierre-Pandeli Simsia/
Në këto ditët e nxehta të stinës së verës, kur numri i turistëve vendas dhe të huaj që vizitojnë Beratin turistik, qyteti që është në mbrojtjen e trashëgimisë botërore, UNESCO, qyteti që po i afrohet moshës së tij 2500 vjeçare, qyteti me vlera të larta arkitketurore dhe kulturore dhe që për këtë vit është klasifikuar si qyteti me numrin më të madh të vizitorëve, “zjen” edhe nga aktivitetet e shumta kulturore artistike.
Kënga e Bukur Qytetare Beratase, xhevahir në gjerdanin e artë të Kulturës Shqiptare, të trashëguara ndër breza për vite të tërë, vjen përherë e freskët nga mjeshtrat beratas të muzikës.
Një mjeshtër i tillë muzike, është edhe artisti i mirënjohur, beratas, i dashuruar që në moshën e tij foshnjore, atëkohë kur edhe ka hedhur hapat e tij të parë në muzikë që kur ishte në kopësht:
ALTIN METOHU
Emër i njohur, i nderuar, i lidhur pazgjidhmërisht me muzikën shqiptare, veçanërisht me muzikën qytetare beratase.
Nuk ka qytetar beratas që të mos e njohin maestro Altinin; i qetë në karakter, gjithmonë i qeshur ndër miq e shokë, i dashuruar shumë pas artit, muzikës, artist në shpirt dhe në profesion, me një karierë të gjatë e të pasur artistike, që nuk i pëlqen të flasë për vete, sepse për të flet veprimtaria e tij artistike, flasin sukseset e tij, flet puna e tij shumëvjeçare si kompozitor, kantautor, aranxhues, flasin vetë bashkqytetarët e tij beratas me dashurinë dhe respektin që kanë për punën e tij, flasin artistë të njohur shqiptarë, muzikologë të ndryshëm, pedagogët e mirënjohur që i kanë dhënë mësim, emra të nderuar në artin shqiptar.
U përqendrova tek ky artist i talentuar, meqenëse, siç e kam përmendur edhe më sipër, Berati “zjen” edhe nga aktivitetet e shumta kulturore artistike dhe, këto ditët e fundit kulmoi me spektaklin mbresëlënës: “DASMA BERATASE” e cila filloi në Ambientet e Muzeut Etnografik, muze, i cili këto vitet e fundit ka ngjallur shumë interesin e turistëve të ndryshëm për ta vizituar dhe për t’u finalizuar në sheshin në qendër të Beratit, në të cilën morën pjesë ambasadorë të ndryshëm të akredituar në Shqipëri, Ministrja Shqiptare e Kulturës, zonja Mirela Kumbaro, të pritur miqësisht nga Kryetari i Bashkisë Berat, zoti Petrit Sinaj dhe gjithë stafi.
Por, çfarë ishte “DASMA BERATASE” që ngjalli interesim të madh në mbarë opinionin dhe që u pëlqye kaq shumë?
Mendova, meqenëse jetojmë në largësi në dy kontinente të ndryshëm, nëpërmjet skype, të bisedoja në formën e një interviste me mjeshtirn e suksesshëm Altin Metohu, i cili, së bashku me stafin e tij ishin ideuesit dhe organizatorët e asaj “dasme”.
* * *
– Maestro Altin Metohu! Këto ditët e fundit, në Berat, u organizua një spektakël i bukur, i quajtur Dasma Beratase, ku u shpalos folklori i pasur dhe i bukur beratas.
Mund të flisni rreth atij spektakli.
– Dasma beratase ishte një dasmë e improvizuar në kuadrin e festivalit multikulturor që zhvillohet çdo vit për tri ditë rresht.
Mendimi ishte nga organizatorët e festivalit, të cilët shprehën dëshirën për të parë si organizohet një dasmë beratase.
Dhe ne, pra stafi ynë i punës pranë “Qendrës Kulturore Margarita Tutulani” në Berat, e mirëpritëm këtë dëshirë të tyren, që nga Drejtoresha e Pallatit të Kulturës, zonja Gena Dura, unë Altin Metohu, që u mora me përzgjedhjen e muzikës, koreografja Ornela Vasili, regjisori i mirënjohur Shpëtim Dyrmishi, muzikanti, përgjegjës i grupit folklorik Albi Kadëna.
Pra, siç e thashë edhe më sipër, ishte një dasmë beratase e improvizuar, vajza beratase martohet jashtë qytetit të saj.
Midis dy krushqive të improvizuar, pati një bashkim folklorësh të të dy trevave të dy qyteteve; ne i pritëm krushqit me muzikën tonë, me këngët, vallet tona popullore, gjithashtu edhe krushqit e ardhur na përshëndetën me sazet e tyre me këngët, vallet, muzikën e tyre popullore.
Dasma Beratase filloi në ambientët e bukura dhe karakteristike të Muzeut Etnografik, muze, i cili këto vitet e fundit ka ngjallur shumë interesin e turistëve të ndryshëm për ta vizituar dhe, sipas traditës, pasi erdhi dhëndri me miqtë e tij, çifti i ri bashkëshortor u përcoll me pajton nën tingjujt e bukur të këngëve tona popullore, të shoqëruara edhe me vallet popullore, për të vazhduar ecjen udhëve të Beratit, bulevardit kryesor dhe për të mbëritur deri në sheshin qendror të Beratit.
Unë po flas tani me ty dhe ende i ndjej ato emocione kaq të mëdha të atij spektakli, të asaj dasme të bukur tradicionale.
Edhe pse po mundohem të ta spjegoj, nuk mund të arij, sepse, ndryshe është ta përjetosh nga afër atë gëzim, atë sukses të punës sonë dhe, ndryshe është të shprehesh me fjalë.
Edhe në sheshin qendror të qytetit ku u finalizua dasma beratase, ishte e njëjta atmosferë festive, madje edhe më e madhe; qytetarë të shumtë kishin ardhur dhe e kishin mbushur sheshin plot.
Gjithë qellimi i koncertit ishte për dasmën beratase. Një koncert dasmë e bukur madhështore që do mbahet mend për një kohë të gjatë.
Përveç qytetarëve beratas, në sheshin qendror ishte edhe një numër i konsiderueshëm turistë të huaj, që Beratin e vizitojnë shpesh, veçanërisht në muajt e stinës së verës.
Ishte pothuajse gjithë stafi i Bashkisë së Beratit, nën kryesimin e zotit Petrit Sinaj, Minstrja e Kulturës, zonja Mirela Kumbaro, Ambasadori i Austrisë në Shqipëri dhe shumë personalitete të ndryshme të artit dhe kulturës.
– Në spektaklin Dasma Beratase, ju personalisht mbajtët edhe peshën kryesore duke qenë njëkohësisht udhëheqësi artistik dhe aranxhuesi i të gjithë materialit muzikore të këngëve dhe valleve beratase.
Materiali që ju përzgjodhët, ishin këngë popullore beratase të reja, apo këngë të njohura dhe të përpunuara nga ju?
– Këngët ishin këngë nga folklori i pasur beratas, pra ishin këngë popullore të kënduara dhe të dëgjuara më parë, por unë kam punuar shumë me to, i përpunova, i riorkestrova, gjithmonë duke mos e cënuar aspak origjinalitetin e tyre, gjë që është shumë e rëndësishme.
Unë ato këngë me të cilat punova i solla në forma të ndryshme, me qellim që kënga popullore qytetare beratase të jetë e kuptueshme nga të gjitha moshat.
Pra i gjithë materiali muzikor si edhe vallet popullore janë punuar, janë aranxhuar nga unë dhe për këtë ndjehem i gëzuar, sepse ia arita asaj që dëshiroja
– Si lindi ideja për të realizuar një spektakël të tillë i pari për nga lloji në Berat?
– Siç e kam thënë edhe më sipër, mendimi ishte nga organizatorët e festivalit multikulturor që u zhvillua në Berat, të cilët shprehën dëshirën për të parë si organizohet një dasmë beratase.
Ata e kanë menduar që në disa qytete të Shqipërisë të organizohen festivale të tilla për të shpalosur kulturën, folklorin, traditat e tyre.
Ne pastaj si staf, u mblodhëm, e diskutuam, dhamë mendime të ndryshme për të bërë më të mirën. E ideuam sipas traditës sonë, që nga kostumografia, koreografia, këngët e vjetra qytetare beratase, mikpritja e krushqve.
Është hera e parë që një spektakël i tillë, pra Dasma Beratase organizohet në Muzeun Etnografik.
– Me “Dasma Beratase”, ju iu rikthyet traditës sonë të hershme, sigurisht edhe të bukur, ku, siç edhe u pa në spektakël, nusja dhe dhëndri shëtisnin me pajton.
Mendoni se duhet vazhduar kjo traditë e pajtonit në dasmat brenda përbrenda Beratit?
– Besoj se po. Por dua të theksoj se edhe në këto vitet e fundit në Berat janë bërë edhe dasma ku nusja përcillet për në shtëpinë e bashkëshortit të saj me pajton.
Dasmat me pajton janë shumë të bukura. Dasmat tona tradicionale asnjiherë nuk kanë për të humbur vlerat e tyre.
– Gjatë muajve të stinës së verës, Beratin e vizitojnë një numër i madh turistë vendas dhe të huaj.
Sigurisht edhe dasma beratase ka tërhequr vëmendjen e turistëve të shumtë, edhe për vetë faktin se u fillua në ambientet e Muzeut Etnografik për të përfunduar në sheshin kryesor në qendër të Beratit.
– Po, kjo ishte edhe një tjetër kënaqësi. Turistë të ndryshëm të rastësishëm ndalonin, duatrokisnin, shkrepnin aparatet e tyre fotografikë, madje një pjesë e mirë e tyre na shoqëruan deri në sheshin e qytetit.
Siç e the edhe ti vetë,sipas statistikave, Berati për këtë vit ka numrin më të madh të vizitorëve të huaj dhe vendas.
Gjatë kësaj kohe ne kemi qenë të angazhuar me koncertin e madh në qendrën e qytetit.
Pra, çdo javë, në qendër të Beratit, madje edhe në lulishtet e qytetit zhvillohen koncerte të ndryshme dhe do vazhdojnë koncertet deri në fund të muajit nëntor.
Dua të theksoj se të gjithë këtë organizim të shkëlqyer, të gjitha koncertet që zhvillohen në Berat, është puna jonë e qendrës kulturore Margarita Tutulani me mbështetjen e madhe të Bashkisë së qytetit tonë, Berati, Kryetarit të saj, zoti Petrit Sinaj.
– Për kuriozitetin tim dhe të lexuesit, mund të përmendësh emrat e disa prej artistëve pjesëmarrës?
– Këngëtarët në atë spektakël ishin nga të mirënjohurit e qytetit tonë: Dhimitër Dushi, Petrit Berisha, Alfred Sadushi, Romeo Dogra, Ajet Çaushi, Shyqyri Hajro, Mimoza Balili.
Instrumentista: Mehmet Topi, Njazi Saraçi, Arjanit Qafa, Albi Kadëna, Luto Geci…
Ndërsa valltarët përmend: Valltarja e mirënjohur e qytetit tonë, e shumtalentuara Xhemalia Nova që ka dhënë kontributin e saj si artiste për shumë vite me radhë, dhe gjithë stafi i valltarëve të rinj që koreografia jonë, e talentuara Ornela Vasili ka bërë një përzgjedhje të mirë dhe ka punuar shumë profesionalisht me grupin e valleve.
Meqenëse përmenda këta emra artistësh, më lejo të përmend edhe: Xhemalia artistja Nova ishte edhe në rolin e mamasë së nuses, ndërsa Shyqyri Hajro ishte në rolin e babait të dhëndrit.
Ndërsa çifti i ri bashkëshortor, ishin dy valltarët e talentuar të qendrës sonë kulturore: Marinela Xhylati dhe Gerald Balla.
– Nga “Dasma Beratase”, po e kaloj pyetjen time në një aktivitet tjetër të rëndësishëm kulturor:
Muajin e kaluar, pra në muajin qershor, ju dhe grupi popullor i këngës dhe valles popullore beratase ishit të ftuar në Kosovë nga drejtoria e kulturës së Prizrenit në përkujtimin e 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit që korespondonte edhe me 19 vjetorin e çlirimit të Prizrenit, ku, si gjithmonë, ju ishit edhe drejtues artistik i koncertit. Si u prit kënga popullore beratase atje?
– Mbresat dhe kujtimet nga Prizreni do mbeten edhe ato një kohë e gjatë ne mendjet tona.
Vizita jonë atje ishte ndër më të bukurat. Suksesi, sigurisht ishte i madh.
Në Prizren ne shkuam vetëm si grup artistik me këngëtarë, jo me valltarë.
Në Prizrenin historik ne shpalosëm folklorin tonë beratas, këngët e bukura qytetare beratase, të cilat u pritën nga publiku i mrekullueshëm në mënyrë të shkëlqyer.
Unë, meqenëse isha edhe drejtuesi i grupit, zgjodha një repertor me një kolazh të shkëlqyer të cilat, ato këngët tona ishin të padëgjuara ndonjëherë atje, si përshembull këngët: “Dola në sabah, i mjeri”, “M’u ke ura me dërrasa”, “Kur hyn në Mangalem”, “Mora mandolinën”, Më ke dal në penxhere” “Po të pres tek gurri i portës” etj.
Por, përveç këngëve qytetare beratase, ne kënduam edhe këngët: “Në Prizren, në të bukurin vend”, dhe “Gryka e Kaçanikut”
Gëzimi, emocionet, kënaqësia, duartrokitjet ishin të mëdha.
– Je një emër i njohur artisti në mbarë opinionin beratas, i suksesshëm që mbani edhe peshën kryesore në aktivitetet e ndryshme që zhvillohen në Berat. Është në interesin jo vetëm të beratasve të dijnë më tepër rreth teje, kulturës suaj profesionale, angazhimeve tuaja. Pra, e përmbledhur: Kush është Altin Metohu?
– Oh! E kam disi të vështirë të flas për veten time, megjithatë, po i përgjigjem shkurtimisht pyetjes suaj.
Jam një djalë beratas, lindur dhe rritur në Berat, i dashuruar shumë me qytetin, ashtu sikurse jam i dashuruar shumë edhe me muzikën.
Muzikën e kam filluar që në moshën time të vogël, pra që kur shkoja në kopësht e duke vazhduar në klasën e parë e për vite e vite me radhë deri në ditët e sotme nuk jam ndarë për asnjë çast nga muzika.
Kam studjuar për muzikë në disa instrumentë muzikorë, si: fizarmonikë, piano, i njoh pothuajse të gjithë instrumentët muzikorë.
Jam kompozitor, kantautor, aranxhues.
Kam njohuri të plotë në të gjithë instrumentët muzikorë.
Gjatë jetës sime artistike, kam kompozuar këngë të ndryshme popullore, këngë të muzikës së lehtë, këngë për të rritur, këngë për fëmijë.
Kam një krijimtari shumë të pasur muzikore kushtuar qytetit tonë, Beratit, këngë, valle qytetare, të cilat ende nuk janë të njohur për publikun, por them dhe shpresoj se së shpejti do dalin nga sirtaret e mi.
Kam punuar me një numër të madh këngë e valle popullore qytetare beratase, duke i përpunuar, aranxhuar, dhe me të vetmin qellim që, edhe të rinjtë e sotëm të njihen, ta këndojnë, ta trashëgojnë folklorin e pasur beratas, gurrën e pashtershme popullore.
unë punoj prej shumë vitesh drejtues pranë Qendrës Kulturore në Berat që nga viti 1999.
Qendra Kulturore “Margarita Tutulani” në Berat, si institucion shtetëror që është në varësi të Bashkisë Berat, ka patur gjithmonë mbështetjen dhe përkrahjen e gjithë kryetarëve të bashkive nëpër vite, ashtu siç edhe e ka mbështetjen dhe përkrahjen edhe nga Kryetari aktual i Bashkisë zoti Petrit Sina.
I ndjehemi të gjithë mirënjohës për ndihmën dhe përkrahjen që na kanë dhënë.
Ashtu siç më kanë vlerësuar mua dhe gjithë kolegët e mi për punët e ndryshme që kemi bërë nëpër vite, ashtu i vlerësoj edhe unë kryetarin dhe gjithë stafin e Bashkisë Berat.
Puna flet vetë. Arti në përgjithësi nuk merret me politikë; arti ka dashamirësi, sepse, siç dihet, artistët transmetojnë kulturë për të gjithë.
Ndjej kënaqësi të madhe kur unë personalisht jam i vlerësuar edhe nga qyteti, nga qytetarët e mi.
Në këtë botë jemi misionarë dhe si të tillë, mundohemi të lëmë diçka të mirë, të pëlqyer për brezat e ardhshëm.
– Mund të na thoni edhe një “sekret” kush janë planet tuaja artistike për të ardhmen?
– Unë kam shumë plane në veten time, madje dua të them se unë kam shkruar edhe muzikë filmash, kolona zanore të padëgjuara ende. Nuk i kam nxjerrë akoma për arësye të ndryshme: siç janë fondet, etj.
Pra e gjithë kjo krijimtari, muzikë filmash, kolona zanore, të shkruara janë akoma të mbyllura në sirtare.
Unë kam edhe një projekt të veçanantë me të cilin kam disa vite që po punoj, gjashtë apo shtatë vite punë. Është një punë voluminoze, të cilën unë e kam quajtur:THESARE TË QYTETIT TIM, madje,është hera e parë nëpërmjet këtij bashkbisedimi që unë po e nxjerr atë “sekret”, pra planin tim të veçantë.
Në studion time kam bashkpunuar me instrumentistë të ndryshëm, me pothuajse të gjithë këngëtarët beratas që kanë interpretuar këngën e bukur popullore qytetare beratase, kam incizuar një numër të madh këngësh qytetare beratase, dhe për këtë, kam menduar ti përmbledh në një album, që mendoj se do jetë voluminoz.
Këngë të punuara, të orkestruara bukur, të padëgjuara ndonjëherë, me një nivel të lartë artistik, si edhe këngë të tjera të njohura, por të punuara me profesionalizëm.
Ky projekt, është pothuajse gati, por, jam akoma në pritje të sponsorëve…
Madje e kam menduar dhe, nxjerrjen e albumit: “Thesare të qytetit tim”, ta finalizoj me një koncert të madh televiziv, ku të jenë të ftuar njerëz muzikologë që e njohin këngën, muzikën popullore qytetare beratase, të flasin për këngën qytetare beratase.
– Maestro Altin Metohu! Të falenderoj shumë për këtë bashkbisedim kaq të bukur dhe emocionues. E ndjeva edhe unë gëzimin, kënaqësinë e punës suaj, krijimtarisë suaj muzikore shumvjeçare, emocionet gazmore të “Dasmës Beratase” dhe jam mëse i bindur që çdo lexues që do t’i jepet mundësia të lexojë këtë bashkbisedim, do ndjehet i tillë ashtu si edhe unë.
Suksese dhe vetëm suksese në jetë, në punën tuaj krijuese.
– Më lejo mua të të falenderoj ty që më krijove mundësinë e këtij bashkbisedimi që edhe pse në largësi, m’u duk vetja se po bisedonim këtu në Beratin tonë, në Beratin e çdo bashkëkombasi.
Faleminderit.