• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DASHURI NJEREZORE…

January 24, 2019 by dgreca

FAIRE TABAKU:DASHURI DHE MIRËNJOHJE PA KUFI PËR NJERËZIT E FAMILJES SË BABAIT TIM/
Zonja e nderuar Faire Tabaku, shkrimtare, bibliografe për fëmijë dhe të rritur, anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, ish punonjëse  në Institutin e Studimeve dhe Botimeve Shkollore, diplomuar në Universitetin Shtetëror të Moskës në vitin 1960, në këtë përmbledhje, na sjell një pjesë kujtimesh të jetës së saj fëmijërore, duke shprehur dashurinë, respektin, mirënjohjen për të gjithë ata njerëz, familjarë, miq, që ndikuan në rritjen, edukimin, shkollimin e saj, pasi fati i jetës së saj u tregua i padrejtë, i pamëshirshëm.
Lista e botimeve të zonjës Faire Tabaku është e gjatë, shumëfaqëshe që po të përmblidhen, përbëjnë libra të shumtë.
Gjatë gjithë jetës, në krijimtarinë e saj letrare për fëmijë dhe të rritur, është vlerësuar disa herë me çmime të parë dhe çmime të tjerë të ndryshme.
 
Pierre-Pandeli Simsia
* * *1 Faire7
“Edhe sot në këtë moshë që jam, i kujtoj me shumë nostalgji të thellë ato kohëra; njerzillëkun dhe humanizmin.”
* * * 
Unë, Faire Tabaku, shpreh dashurinë dhe mirënjohjen time pa kufi, për njerëzit e familjes së babait tim.
Në moshë të re humba prindërit e mi.
Nëna ime Zare (Gozhina) Tabaku, vdiq kur unë nuk e kisha mbushur vitin e parë të lindjes, pra, kur unë pija akoma qumësht nga gjiri i saj.
Kur më vdiq babai, Hysen Tabaku, unë isha më pak se tre vjeçe.
Për familjen e babait tim, ishte një gjëmë nga më të mëdhajat.
Nga njëra anë ishte plaga e thellë që u hap në zemrat e tyre dhe nga ana tjetër ishte rritja e një fëmije të mitur.
Derisa gjyshi im bleu një lopë, më ushqeu me gjirin e saj një nuse e re nga familja Durdia, fqinja jonë.
Djali i saj, Qeram Durdia dhe unë, Faireja, ishim lindur në të njëjtën ditë një mëngjes të ftohtë fundjanari.
Që atëhere dhe deri në ditët e sotme që jemi në moshë madhore, me Qeramin, ne ndihemi si motër dhe vëlla.
Gjyshja ime, Hysnie (Shehu) Tabaku, që ishte edhe më e lënduara, vinte nga një familje me tradita të hershme patriotike, nga familja e madhe e Shehlerëve rë Teqesë së Karbunarës, që ndodhet afër qytetit Lushnje.
Ajo më donte shumë, nuk më ndante nga dora, por, kjo fjalë është pak për të përcaktuar dimensionin e dashurisë dhe dhimbsurisë që ajo ndjente për mua.
Siç më kanë treguar më vonë, kur unë fillova të hedh hapat e para, ajo më mbante për dore dhe më shëtiste në oborin e shtëpisë sonë.
Shumë herë, gjatë ditës, me kokën të mbështetur në prehërin e saj më zinte gjumi.
Mbaj mend, një mëngjes behari, kur unë duhet të kem qenë jo më shumë se pesë apo gjashtë vjeçe, të ulur në dhomën e ndënjies, gjyshi dhe gjyshja duke pirë kafenë e mëngjesit, ndërsa unë po luaja me një top të vogël llastiku, gjyshja u ngrit, mori kutinë ku mbante arturinat, nxorri një fotografi dhe e futi në xhepin e fustanit të saj.
Gjyshi e kuptoi se çfarë do të bënte dhe i tha: – Ç’bën kështu moj, të vraftë Zoti; është akoma maksun (fëmijë shumë i vogël)
Gjyshja nuk i ktheu përgjigje. Më mori mua për dore dhe më tha se do shkonim të bahçe dhe do hamë fiq.
Bahçeja jonë ishte e rrethuar me murë nga të gjitha anët. Muri që e ndante me oborin kishte një deriçkë të vogël. Gjyshja e hapi dhe ne hymë në bahçe.
Në bahçe kishte pemë frutorë të ndryshëm: fiq, rrush, kumbulla, pjeshka…
Këputi për mua dy tre fiq, nxorri nga xhepi fotografinë, e zgjati nga unë duke më thënë, se kjo fotografi ishte e babait tim, Hysenit.
Me syt e përlotur, shtoi: – Ai ishte djali im i madh; ishte shumë i dashur, i bukur dhe shtathedhur. Ty të donte shumë dhe gjithmonë betohej, për kokën tënde.
E kam ende të freskët veprimin tim të asaj dite me gjyshen kur më tha ato fjalë; ia ngjita syt asaj fotografie, e ngulita në zemër dhe në mendje fytyrën e babait tim për të mos e harruar kurrë.
Mbaj mend, po ashtu, që u trondita shumë, por nuk nxorra nga goja ime asnjë fjalë.
Që nga ai çast e deri më sot, unë mbart me vete brengën që nuk i njoha kurrë prindërit e mi.
Unë për të, isha ngushëllimi dhe amaneti i dy të rinjve që humbën jetën në lulen e rinisë.
Vdekja e të birit, gjyshen time e plaku parakohe.
Unë e mbaj mend të veshur me rroba të zeza, të cilat nuk i hoqi derisa ndëroi jetë.

U mbyll në shtëpi; nuk shkonte më as tek njerëzit e saj në Karbunarë.Vëllezërit e saj, Ahmeti dhe Nexhmini, vinin shpesh në Berat për të parë të motrën. Ndërsa mua, të afërmit e saj, kur mernin nuse, më blinin fustan, këpucë dhe çorape të bardha dhe më dërgonin me krushqit për ti mbajtur nuses bishtin e fustanit të bardhë.
Lodrat më të dashura të fëmijërisë sime kanë qenë, një kukull e madhe me flokë të verdhë dhe fustan të bukur, që, kur e lëvizje, imitonte të qarët e foshnjës, si edhe një kalë druri i vendosur mbi një bazament prej dërrase me katër rrota të vogla.
Kali kishte edhe një kapistër prej meshini të kuq që shërbente për ta tërhequr.
Ato m’i kishte sjellë vëllai i vogël i gjyshes, Nexhmin Shehu, që në atë kohë studjonte për financë në Itali.

Filed Under: ESSE Tagged With: Faire Tabaku, Pierre-Pandeli Simsia

MJESHTRI I TALENTUAR ALTIN METOHU DHE DASMA BERATASE

July 25, 2018 by dgreca

1 Pandeli Simsia
Nga Pierre-Pandeli Simsia/
Në këto ditët e nxehta të stinës së verës, kur numri i turistëve vendas dhe të huaj që vizitojnë Beratin turistik, qyteti që është në mbrojtjen e trashëgimisë botërore, UNESCO, qyteti që po i afrohet moshës së tij 2500 vjeçare, qyteti me vlera të larta arkitketurore dhe kulturore dhe që për këtë vit është klasifikuar si qyteti me numrin më të madh të vizitorëve, “zjen” edhe nga aktivitetet e shumta kulturore artistike.
Kënga e Bukur Qytetare Beratase, xhevahir në gjerdanin e artë të Kulturës Shqiptare, të trashëguara ndër breza për vite të tërë, vjen përherë e freskët nga mjeshtrat beratas të muzikës.
Një mjeshtër i tillë muzike, është edhe artisti i mirënjohur, beratas, i dashuruar që në moshën e tij foshnjore, atëkohë kur edhe ka hedhur hapat e tij të parë në muzikë që kur ishte në kopësht:
1 Altin2.JPG
ALTIN METOHU
Emër i njohur, i nderuar, i lidhur pazgjidhmërisht me muzikën shqiptare, veçanërisht me muzikën qytetare beratase.
5 Altin M.JPG
Nuk ka qytetar beratas që të mos e njohin maestro Altinin; i qetë në karakter, gjithmonë i qeshur ndër miq e shokë, i dashuruar shumë pas artit, muzikës, artist në shpirt dhe në profesion, me një karierë të gjatë e të pasur artistike, që nuk i pëlqen të flasë për vete, sepse për të flet veprimtaria e tij artistike, flasin sukseset e tij, flet puna e tij shumëvjeçare si kompozitor, kantautor, aranxhues, flasin vetë bashkqytetarët e tij beratas me dashurinë dhe respektin që kanë për punën e tij, flasin artistë të njohur shqiptarë, muzikologë të ndryshëm, pedagogët e mirënjohur që i kanë dhënë mësim, emra të nderuar në artin shqiptar.
U përqendrova tek ky artist i talentuar, meqenëse, siç e kam përmendur edhe më sipër, Berati “zjen” edhe nga aktivitetet e shumta kulturore artistike dhe, këto ditët e fundit kulmoi me spektaklin mbresëlënës: “DASMA BERATASE” e cila filloi në Ambientet e Muzeut Etnografik, muze, i cili këto vitet e fundit ka ngjallur shumë interesin e turistëve të ndryshëm për ta vizituar dhe për t’u finalizuar në sheshin në qendër të Beratit, në të cilën morën pjesë ambasadorë të ndryshëm të akredituar në Shqipëri, Ministrja Shqiptare e Kulturës, zonja Mirela Kumbaro, të pritur miqësisht nga Kryetari i Bashkisë Berat, zoti Petrit Sinaj dhe gjithë stafi.
Por, çfarë ishte “DASMA BERATASE” që ngjalli interesim të madh në mbarë opinionin dhe që u pëlqye kaq shumë?
Mendova, meqenëse jetojmë në largësi në dy kontinente të ndryshëm, nëpërmjet skype, të bisedoja në formën e një interviste me mjeshtirn e suksesshëm Altin Metohu, i cili, së bashku me stafin e tij ishin ideuesit dhe organizatorët e asaj “dasme”.
* * *
– Maestro Altin Metohu! Këto ditët e fundit, në Berat, u organizua një spektakël i bukur, i quajtur Dasma Beratase, ku u shpalos folklori i pasur dhe i bukur beratas.
Mund të flisni rreth atij spektakli.
1 ok Altin 1.JPG
– Dasma beratase ishte një dasmë e improvizuar në kuadrin e festivalit multikulturor që zhvillohet çdo vit për tri ditë rresht.
Mendimi ishte nga organizatorët e festivalit, të cilët shprehën dëshirën për të parë si organizohet një dasmë beratase.
Dhe ne, pra stafi ynë i punës pranë “Qendrës Kulturore Margarita Tutulani” në Berat, e mirëpritëm këtë dëshirë të tyren, që nga Drejtoresha e Pallatit të Kulturës, zonja Gena Dura, unë Altin Metohu, që u mora me përzgjedhjen e muzikës, koreografja Ornela Vasili, regjisori i mirënjohur Shpëtim Dyrmishi, muzikanti, përgjegjës i grupit folklorik Albi Kadëna.
Pra, siç e thashë edhe më sipër, ishte një dasmë beratase e improvizuar, vajza beratase martohet jashtë qytetit të saj.
Midis dy krushqive të improvizuar, pati një bashkim folklorësh të të dy trevave të dy qyteteve; ne i pritëm krushqit me muzikën tonë, me këngët, vallet tona popullore, gjithashtu edhe krushqit e ardhur na përshëndetën me sazet e tyre me këngët, vallet, muzikën e tyre popullore.
Dasma Beratase filloi në ambientët e bukura dhe karakteristike të Muzeut Etnografik, muze, i cili këto vitet e fundit ka ngjallur shumë interesin e turistëve të ndryshëm për ta vizituar dhe, sipas traditës, pasi erdhi dhëndri me miqtë e tij, çifti i ri bashkëshortor u përcoll me pajton nën tingjujt e bukur të këngëve tona popullore, të shoqëruara edhe me vallet popullore, për të vazhduar ecjen udhëve të Beratit, bulevardit kryesor dhe për të mbëritur deri në sheshin qendror të Beratit.
Unë po flas tani me ty dhe ende i ndjej ato emocione kaq të mëdha të atij spektakli, të asaj dasme të bukur tradicionale.
Edhe pse po mundohem të ta spjegoj, nuk mund të arij, sepse, ndryshe është ta përjetosh nga afër atë gëzim, atë sukses të punës sonë dhe, ndryshe është të shprehesh me fjalë.
Edhe në sheshin qendror të qytetit ku u finalizua dasma beratase, ishte e njëjta atmosferë festive, madje edhe më e madhe; qytetarë të shumtë kishin ardhur dhe e kishin mbushur sheshin plot.
Gjithë qellimi i koncertit ishte për dasmën beratase. Një koncert dasmë e bukur madhështore që do mbahet mend për një kohë të gjatë.
Përveç qytetarëve beratas, në sheshin qendror ishte edhe një numër i konsiderueshëm turistë të huaj, që Beratin e vizitojnë shpesh, veçanërisht në muajt e stinës së verës.
Ishte pothuajse gjithë stafi i Bashkisë së Beratit, nën kryesimin e zotit Petrit Sinaj, Minstrja e Kulturës, zonja Mirela Kumbaro, Ambasadori i Austrisë në Shqipëri dhe shumë personalitete të ndryshme të artit dhe kulturës.
–  Në spektaklin Dasma Beratase, ju personalisht mbajtët edhe peshën kryesore duke qenë njëkohësisht udhëheqësi artistik dhe aranxhuesi i të gjithë materialit muzikore të këngëve dhe valleve beratase.
Materiali që ju përzgjodhët, ishin këngë popullore beratase të reja, apo këngë të njohura dhe të përpunuara nga ju?
– Këngët ishin këngë nga folklori i pasur beratas, pra ishin këngë popullore të kënduara dhe të dëgjuara më parë, por unë kam punuar shumë me to, i përpunova, i riorkestrova, gjithmonë duke mos e cënuar aspak origjinalitetin e tyre, gjë që është shumë e rëndësishme.
Unë ato këngë me të cilat punova i solla në forma të ndryshme, me qellim që kënga popullore qytetare beratase të jetë e kuptueshme nga të gjitha moshat.
Pra i gjithë materiali muzikor si edhe vallet popullore janë punuar, janë aranxhuar nga unë dhe për këtë ndjehem i gëzuar, sepse ia arita asaj që dëshiroja
– Si lindi ideja për të realizuar një spektakël të tillë i pari për nga lloji në Berat?
– Siç e kam thënë edhe më sipër, mendimi ishte nga organizatorët e festivalit multikulturor që u zhvillua në Berat, të cilët shprehën dëshirën për të parë si organizohet një dasmë beratase.
Ata e kanë menduar që në disa qytete të Shqipërisë të organizohen festivale të tilla për të shpalosur kulturën, folklorin, traditat e tyre.
Ne pastaj si staf, u mblodhëm, e diskutuam, dhamë mendime të ndryshme për të bërë më të mirën. E ideuam sipas traditës sonë, që nga kostumografia, koreografia, këngët e vjetra qytetare beratase, mikpritja e krushqve.
Është hera e parë që një spektakël i tillë, pra Dasma Beratase organizohet në Muzeun Etnografik.
– Me “Dasma Beratase”, ju iu rikthyet traditës sonë të hershme, sigurisht edhe të bukur, ku, siç edhe u pa në spektakël, nusja dhe dhëndri shëtisnin me pajton.
Mendoni se duhet vazhduar kjo traditë e pajtonit në dasmat brenda përbrenda Beratit?
– Besoj se po. Por dua të theksoj se edhe në këto vitet e fundit në Berat janë bërë edhe dasma ku nusja përcillet për në shtëpinë e bashkëshortit të saj me pajton.
Dasmat me pajton janë shumë të bukura. Dasmat tona tradicionale asnjiherë nuk kanë për të humbur vlerat e tyre.
– Gjatë muajve të stinës së verës, Beratin e vizitojnë një numër i madh turistë vendas dhe të huaj.
Sigurisht edhe dasma beratase ka tërhequr vëmendjen e turistëve të shumtë, edhe për vetë faktin se u fillua në ambientet e Muzeut Etnografik për të përfunduar në sheshin kryesor në qendër të Beratit.
– Po, kjo ishte edhe një tjetër kënaqësi. Turistë të ndryshëm të rastësishëm ndalonin, duatrokisnin, shkrepnin aparatet e tyre fotografikë, madje një pjesë e mirë e tyre na shoqëruan deri në sheshin e qytetit.
Siç e the edhe ti vetë,sipas statistikave, Berati për këtë vit ka numrin më të madh të vizitorëve të huaj dhe vendas.
Gjatë kësaj kohe ne kemi qenë të angazhuar me koncertin e madh në qendrën e qytetit.
Pra, çdo javë, në qendër të Beratit, madje edhe në lulishtet e qytetit zhvillohen koncerte të ndryshme dhe do vazhdojnë koncertet deri në fund të muajit nëntor.
Dua të theksoj se të gjithë këtë organizim të shkëlqyer, të gjitha koncertet që zhvillohen në Berat, është puna jonë e qendrës kulturore Margarita Tutulani me mbështetjen e madhe të Bashkisë së qytetit tonë, Berati, Kryetarit të saj, zoti Petrit Sinaj.
– Për kuriozitetin tim dhe të lexuesit, mund të përmendësh emrat e disa prej artistëve pjesëmarrës? 
– Këngëtarët në atë spektakël ishin nga të mirënjohurit e qytetit tonë: Dhimitër Dushi, Petrit Berisha, Alfred Sadushi, Romeo Dogra, Ajet Çaushi, Shyqyri Hajro, Mimoza Balili.
Instrumentista: Mehmet Topi, Njazi Saraçi, Arjanit Qafa, Albi Kadëna, Luto Geci…
Ndërsa valltarët përmend: Valltarja e mirënjohur e qytetit tonë, e shumtalentuara Xhemalia Nova që ka dhënë kontributin e saj si artiste për shumë vite me radhë, dhe gjithë stafi i valltarëve të rinj që koreografia jonë, e talentuara Ornela Vasili ka bërë një përzgjedhje të mirë dhe ka punuar shumë profesionalisht me grupin e valleve.
Meqenëse përmenda këta emra artistësh, më lejo të përmend edhe: Xhemalia artistja Nova ishte edhe në rolin e mamasë së nuses, ndërsa Shyqyri Hajro ishte në rolin e babait të dhëndrit.
Ndërsa çifti i ri bashkëshortor, ishin dy valltarët e talentuar të qendrës sonë kulturore: Marinela Xhylati dhe Gerald Balla.
– Nga “Dasma Beratase”, po e kaloj pyetjen time në një aktivitet tjetër të rëndësishëm kulturor:
Muajin e kaluar, pra në muajin qershor, ju dhe grupi popullor i këngës dhe valles popullore beratase ishit të ftuar në Kosovë nga drejtoria e kulturës së Prizrenit në përkujtimin e 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit që korespondonte edhe me 19 vjetorin e çlirimit të Prizrenit, ku, si gjithmonë, ju ishit edhe drejtues artistik i koncertit. Si u prit kënga popullore beratase atje?
– Mbresat dhe kujtimet nga Prizreni do mbeten edhe ato një kohë e gjatë ne mendjet tona.
Vizita jonë atje ishte ndër më të bukurat. Suksesi, sigurisht ishte i madh.
Në Prizren ne shkuam vetëm si grup artistik me këngëtarë, jo me valltarë.
Në Prizrenin historik ne shpalosëm folklorin tonë beratas, këngët e bukura qytetare beratase, të cilat u pritën nga publiku i mrekullueshëm në mënyrë të shkëlqyer.
Unë, meqenëse isha edhe drejtuesi i grupit, zgjodha një repertor me një kolazh të shkëlqyer të cilat, ato këngët tona ishin të padëgjuara ndonjëherë atje, si përshembull këngët: “Dola në sabah, i mjeri”,  “M’u ke ura me dërrasa”, “Kur hyn në Mangalem”, “Mora mandolinën”, Më ke dal në penxhere” “Po të pres tek gurri i portës” etj.
Por, përveç këngëve qytetare beratase, ne kënduam edhe këngët: “Në Prizren, në të bukurin vend”, dhe “Gryka e Kaçanikut”
Gëzimi, emocionet, kënaqësia, duartrokitjet ishin të mëdha.
– Je një emër i njohur artisti në mbarë opinionin beratas, i suksesshëm që mbani edhe peshën kryesore në aktivitetet e ndryshme që zhvillohen në Berat. Është në interesin jo vetëm të beratasve të dijnë më tepër rreth teje, kulturës suaj profesionale, angazhimeve tuaja. Pra, e përmbledhur: Kush është Altin Metohu?
– Oh! E kam disi të vështirë të flas për veten time, megjithatë, po i përgjigjem shkurtimisht pyetjes suaj.
Jam një djalë beratas, lindur dhe rritur në Berat, i dashuruar shumë me qytetin, ashtu sikurse jam i dashuruar shumë edhe me muzikën.
Muzikën e kam filluar që në moshën time të vogël, pra që kur shkoja në kopësht e duke vazhduar në klasën e parë e për vite e vite me radhë deri në ditët e sotme nuk jam ndarë për asnjë çast nga muzika.
Kam studjuar për muzikë në disa instrumentë muzikorë, si: fizarmonikë, piano, i njoh pothuajse të gjithë instrumentët muzikorë.
Jam kompozitor, kantautor, aranxhues.
Kam njohuri të plotë në të gjithë instrumentët muzikorë.
Gjatë jetës sime artistike, kam kompozuar këngë të ndryshme popullore, këngë të muzikës së lehtë, këngë për të rritur, këngë për fëmijë.
Kam një krijimtari shumë të pasur muzikore kushtuar qytetit tonë, Beratit, këngë, valle qytetare, të cilat ende nuk janë të njohur për publikun, por them dhe shpresoj se së shpejti do dalin nga sirtaret e mi.
Kam punuar me një numër të madh këngë e valle popullore qytetare beratase, duke i përpunuar, aranxhuar, dhe me të vetmin qellim që, edhe të rinjtë e sotëm të njihen, ta këndojnë, ta trashëgojnë folklorin e pasur beratas, gurrën e pashtershme popullore.
unë punoj prej shumë vitesh drejtues pranë Qendrës Kulturore në Berat që nga viti 1999.
Qendra Kulturore “Margarita Tutulani” në Berat, si institucion shtetëror që është në varësi të Bashkisë Berat, ka patur gjithmonë mbështetjen dhe përkrahjen e gjithë kryetarëve të bashkive nëpër vite, ashtu siç edhe e ka mbështetjen dhe përkrahjen edhe nga Kryetari aktual i Bashkisë zoti Petrit Sina.
I ndjehemi të gjithë mirënjohës për ndihmën dhe përkrahjen që na kanë dhënë.
Ashtu siç më kanë vlerësuar mua dhe gjithë kolegët e mi për punët e ndryshme që kemi bërë nëpër vite, ashtu i vlerësoj edhe unë kryetarin dhe gjithë stafin e Bashkisë Berat.
Puna flet vetë. Arti në përgjithësi nuk merret me politikë; arti ka dashamirësi, sepse, siç dihet, artistët transmetojnë kulturë për të gjithë.
Ndjej kënaqësi të madhe kur unë personalisht jam i vlerësuar edhe nga qyteti, nga qytetarët e mi.
Në këtë botë jemi misionarë dhe si të tillë, mundohemi të lëmë diçka të mirë, të pëlqyer për brezat e ardhshëm.
 
– Mund të na thoni edhe një “sekret” kush janë planet tuaja artistike për të ardhmen?
– Unë kam shumë plane në veten time, madje dua të them se unë kam shkruar edhe muzikë filmash, kolona zanore të padëgjuara ende. Nuk i kam nxjerrë akoma për arësye të ndryshme: siç janë fondet, etj.
Pra e gjithë kjo krijimtari, muzikë filmash, kolona zanore, të shkruara janë akoma të mbyllura në sirtare.
Unë kam edhe një projekt të veçanantë me të cilin kam disa vite që po punoj, gjashtë apo shtatë vite punë. Është një punë voluminoze, të cilën unë e kam quajtur:THESARE TË QYTETIT TIM, madje,është hera e parë nëpërmjet këtij bashkbisedimi që unë po e nxjerr atë “sekret”, pra planin tim të veçantë.
Në studion time kam bashkpunuar me instrumentistë të ndryshëm, me pothuajse të gjithë këngëtarët beratas që kanë interpretuar këngën e bukur popullore qytetare beratase, kam incizuar një numër të madh këngësh qytetare beratase, dhe për këtë, kam menduar ti përmbledh në një album, që mendoj se do jetë voluminoz.
Këngë të punuara, të orkestruara bukur, të padëgjuara ndonjëherë, me një nivel të lartë artistik, si edhe këngë të tjera të njohura, por të punuara me profesionalizëm.
Ky projekt, është pothuajse gati, por, jam akoma në pritje të sponsorëve…
Madje e kam menduar dhe, nxjerrjen e albumit: “Thesare të qytetit tim”, ta finalizoj me një koncert të madh televiziv, ku të jenë të ftuar njerëz muzikologë që e njohin këngën, muzikën popullore qytetare beratase, të flasin për këngën qytetare beratase.
 
– Maestro Altin Metohu! Të falenderoj shumë për këtë bashkbisedim kaq të bukur dhe emocionues. E ndjeva edhe unë gëzimin, kënaqësinë e punës suaj, krijimtarisë suaj muzikore shumvjeçare, emocionet gazmore të “Dasmës Beratase” dhe jam mëse i bindur që çdo lexues që do t’i jepet mundësia të lexojë këtë bashkbisedim, do ndjehet i tillë ashtu si edhe unë.
Suksese dhe vetëm suksese në jetë, në punën tuaj krijuese.
– Më lejo mua të të falenderoj ty që më krijove mundësinë e këtij bashkbisedimi që edhe pse në largësi, m’u duk vetja se po bisedonim këtu në Beratin tonë, në Beratin e çdo bashkëkombasi.
Faleminderit.

Filed Under: ESSE Tagged With: ALTIN METOHU, DASMA BERATASE, MJESHTRI I TALENTUAR I MUZIKËS, Pierre-Pandeli Simsia

BRENGA PËR SHTËPINË TIME

August 23, 2017 by dgreca

1-pandeli-simsia
Tregim nga Pierre-Pandeli Simsia/ 
Ashtu, me hapa të ngadaltë nga vitet e moshës që mbaj mbi supe, nuk janë pak, 94 vite jetë me gëzime e hidhërime, eca si zakonisht drejt vatrës së zjarrit.
Drutë e thata në zjarr digjen duke lëshuar disa shkëndija që përhapen pa formë. Flaka ngjitet në brendësi të oxhakut të madh. Është shtëpi karakteristike; muret janë të ndërtuara prej guri të skalitur. Oda e zjarrit është e madhe dhe mezi ngrohet në ditë netët e ftohta të dimrit, por, kur shikojmë flakën dhe prushin në vatër, ngrohtësinë e ndjejmë në gjithë qënien tonë.
Plaka, kështu i thërrasë unë gruas, bashkëshortes sime, ma ka ndaluar  tymosjen e duhanit në odën e zjarrit. E dua atë të flamosur helm, nikotinën e cigares, nuk mund të jetoj dot pa cigare që më ka shoqëruar gjatë gjithë jetës sime. Dal jashtë në verandën e madhe me parmakë prej druri nga ku sodis oborin e shtëpisë që plaka i tregon kujdes të madh mirëmbajtjes së luleve; ulem në karriken e madhe të drunjtë dhe atje tymos, dy, tre cigare radhazi, pa u fikur njëri, filloj e ndez tjetrin.
I ulur në një qilim me flokë, apo flokje siç i thonë, me fletoren dhe lapsin që i mbaj gjithmonë në xhep, hedh kujtimet e mija.
Kujtimet më çojnë larg, shumë larg; çdo gjë, çdo ngjarje e kaluar e trishtë apo e gëzuar, më shfaqet përpara syve, në mendjen time, si një ëndërr që nuk harrohet kollaj.
 
U linda dhe u rrita në një shtëpi qindravjeçare, atje ku edhe u lindën paraardhësit e mi. Ne ishim dy vëllezër; unë isha vëllai i madh.
Babai na tregonte shpesh për pronat e tij që ai i kishte blerë. Një nga ato prona, është edhe një pjesë kodre e qytetit tonë e mbjellë me ullinj, por që në atë kohë u shtetëzuan dhe ne fatkeqësisht edhe në ditët e sotme akoma nuk na është rikthyer dhe nuk po e gëzojmë pronën tonë. 
Eh, çfarë ullinj janë mbjellë në atë kodër dhe sa prodhim të mbarë që japin! Ullinj kokërvogël apo ullinj vajs siç quhen ngaqë nxjerrin  sasi të konsiderueshme vaji, dhe ullinj kokërmadh që të kënaq syrin kur e sheh në tryezën e ngrënies.
Ishim një familje e lumtur, e gëzuar. Babai ynë i ndjerë, si tregëtar që ishte, pothuajse pjesën më të madhe të ditës e kalonte jashtë shtëpisë. 
Nëna jonë e ndjerë, që kurrë nuk punoi në jetën e saj, ishte grua shtëpiake si shumica e grave të asaj kohe. Ishte grua e urtë dhe gëzonte dashurinë dhe respektin e të gjithë atyre që e kishin njohur.
Ishte meraklie e madhe në mirëmbajtjen e shtëpisë. Muret e oborit të shtëpisë sonë shkëlqenin nga bardhësia e gëlqeres.
Shtëpia jonë nuk ishte ndërtuar nga babai ynë, ajo ishte trashëgim nga të parët tanë. Në atë shtëpi ishte lindur dhe ritur edhe babai, ashtu sikurse  edhe ne dy fëmijët e tij.
Si çdo fëmijë edhe ne ndjenim kënaqësinë e madhe kur ishim në shtëpinë tonë, kur mblidheshim në mbrëmje të katër së bashku. Ajo shtëpi na dukej si të ishte shtëpia më e bukur e lagjes.
 
Unë, fëmija i madh, atëkohë isha 13 vjeç, kur nga një sëmundje e pashërueshme, nëna jonë ndërroi jetë.
Dhimbja e humbjes së nënës sonë ishte shumë e madhe sa nuk mjaftojnë faqe të tëra libri ta shkruaj atë dhimbje.
Ne e ndjemë shumë dhimbjen e humbjes së nënës sonë, por, kur shikonim babain që qante në heshtje dhe mundohej t’i fshihej shikimit tonë, dhimbja për humbjen e nënës së dashur na shtohej më tepër; por, në të njëjtën kohë, ne ndjenim dhimbje të madhe për babain.
Kanë kaluar shumë vite, por kujtimet, ngarjet e asaj kohe të largët i kam shumë të freskëta në mendjen time.
Kishin kaluar tre vjetë nga humbja e nënës sonë, kur babai na tha se kishte vendosur të martohej me një vajzë të re në moshë. Vajza për të cilën i kishin ndërhyrë babait për martesë ishte nga një fshat jo shumë larg qytetit tonë.
Unë dhe vëllai në fillim kur na e tha babai, nuk e mirëpritëm atë çfarë ai kishte vendosur. Nuk e imagjinonim dot se si një vajzë tjetër e huaj, e re në moshë do hynte nuse në shtëpinë tonë, për më tepër të ishte nusja a babait tonë, të flinte në të njëjtin krevat ku para pak vitesh kishte fjetur nëna jonë bashkë me babain.
Oh, ai krevat, sa i bukur, sa i këndshëm na dukej! 
Kur babai, siç e thash edhe më sipër, pjesën më të madhe të ditës ishte jashtë shtëpisë, unë dhe vëllai im më i vogël, shkonim dhe shtriheshim në krevatin ku ishte nëna jonë. Oh, sa të ngrohta ishin duart e nënës sonë kur na ledhatonte fytyrat, trupat tanë! 
Oh, ajo aromë e  këndshme nëne, më e mira aromë, aroma e trupit të nënës sonë kur ne afronim kokat tona dhe ajo ëmbëlsisht na puthte! 
Dhe ja, në atë krevat tani me kujtimet e bukura të fëmijërisë sonë, do vinte një grua tjetër dhe do flinte me babain tonë, ndërsa ne dy fëmijët e tij nuk do kishim kurrë mundësinë të shtriheshim atje, si me nënën tonë.
Një ditë, unë i harrova të gjitha këto kujtime dhe nostalgjitë e viteve të shkuara të fëmijërisë sonë kur pash babain në një vend të shtëpisë të përlotur dhe dukej se diçka po mendonte.
Unë kalova rastësisht pranë tij apo bëra sikur rastësisht kalova. Nuk i fola, ndërsa ai, pa e fshehur lagështinë në syt e tij, më tha:  
 – Duhet të më kuptoni edhe mua, bijt e mi… 
Nuk vazhdoi më të flasë. Në grykë i ishte bërë një nyje; ndjeu një si rëndesë në kraharor që nuk e linte të fliste. Lotët iu shtuan edhe më tepër.
U ndjeva i paaftë t’i përgjigjesha babait. Shkova drejt dhomës tjetër tek po rinte vëllai. Edhe ai u prek shumë shpirtërisht kur i tregova ato fjalë ç’më tha babai ashtu si edhe unë që vazhdoja të isha i prekur në shpirt.
Të dy, unë dhe vëllai morëm një vendim të heshtur. Me hapa të ngadaltë si të ndjenim të rënduar peshën e madhe të dhimbjes, shkuam tek babai. E përqafuam. Edhe ai na përqafoi. U mundua të mos e shprehte habinë e veprimit tonë. Ndjemë se po na puthte kokat tona.
– Baba! – fillova unë të flasë: – Të duam shumë, shumë, shumë. Edhe nusen tënde që do vij këtu në shtëpinë tonë dhe që do jetojë bashkë me ne, do ta duam shumë.
Babai, nuk e përmbajti dot veten. Filloi të qajë me ngashërim.
 
* * * 
Gruaja që erdhi në shtëpinë tonë dhe që do ishte bashkëshortja e babait tonë, ne e konsideronim më tepër si motrën tonë edhe pse ajo kishte për të marrë një detyrë shumë të rëndësishme të luante rolin e gruas së shtëpisë, por edhe rolin e mamasë sonë, që për ne do quhej me një fjalë që askush nuk e dëshiron ta ketë në jetë: Njerkë.
Fjala njerkë, tingëllon jo fort mirë në një pjesë të njerëzve dhe kjo për faktin e sjelljes së tyre të pahishme ndaj fëmijëve të bashkëshortëve të tyre.
Ndërsa njerka jonë ishte shumë herë më ndryshe se njerkat që kanë lënë shije të hidhur tek fëmijët e bashkëshortëve të tyre dhe në njerëz të tjerë.
Njerka jonë, që ne e thërrisnim me emrin e saj origjinal, ishte një grua e bukur, shtatshkurtër, pastërtore dhe që gatuante shumë mirë gjellra të llojeve të ndryshme.
Atë mungesë ushqimi për më shumë se tre vjetë që neve na kishte munguar në shtëpinë tonë të gatuhej nga nëna jonë, ne po e rigjenim të gatuhej nga duart e gruas së dytë të babait tonë.
As vetë nuk e kishim menduar se do miqësoheshim kaq shumë shpejt me njerkën tonë. Ajo mundohej që të na falte dashurinë e munguar tre vjeçare të nënës sonë.
Në shtëpinë tonë filluan të hynin njerëzit, komshijet tona si më parë, si atëhere kur jetonte nëna.
Njerka ishte një grua pastërtore sa edhe vetë nëna jonë e ndjerë.
Brenda vitit të martesës së tyre, njerka solli në jetë fëmijën e saj të parë; ishte vajzë.
Edhe ne, unë dhe vëllai im e ndjemë gëzimin e ardhjes në jetë të motrës sonë të vogël. Për herë të parë nga disa të afërmit tanë, ne mësuam, se motra jonë e vogël e porsaardhur në jetë, për mua dhe vëllain tim, quhej motër e ftohtë.
Po të njëjtin fjalë, e ftohtë, ne do e dëgjonim edhe dy vjet të tjera pas ardhjes në jetë të motrës, kur nëna njerkë solli në jetë fëmijën e saj të dyt që ishte djalë. Pra, familja jonë u shtua. Unë dhe vëllai im, tani ishim edhe me një motër të ftohtë dhe një vëlla të ftohtë. 
Ne nuk ia dinim kuptimin se çdo të thoshte vëlla i ftohtë, motër e ftohtë. Për ne, ata ishin motra dhe vëllai ynë që ne i donim shumë dhe mundoheshim të kujdeseshim për ta.
 
Mes gëzimit që familja jonë po shtohej, në familjen tonë ndodhi një e papritur e dhimbshme. Pas disa vitesh, nga një sëmundje, vdes vëllai im që ishte dy vjet më i vogël se unë. Dhimbja ishte shumë e madhe për të gjithë. 
Më kujtohet, sa shumë e ndjeu dhimbjen babai ynë i ndjerë, por edhe njerka jonë, e mira njerkë, e mrekullueshmja njerkë, ajo grua e rrallë.
Unë, fëmija i madh mbeta me motrën dhe vëllain më të vegjël të ardhur në jetë nga njerka ime. 
 
* * * 
Një ditë, ndërsa ishim në shtëpi, babai më tha të hynim të dy tek oda e miqve. Kështu e quanim ne dhomën e madhe të shtëpisë që prisnim miqtë e ardhur.
Babai filloi të flasë shtruar derisa e solli bisedën aty për të cilën edhe më kishte ftuar të bisedonim. Më tha mendimin e tij që më tepër mua m’u duk si vendim i tij; më propozoi për martesë një vajzë, e cila banonte jo shumë larg shtëpisë sonë. 
Ajo ishte një vajzë e vetme, pa motër dhe pa vëlla. Ata jetonin në një shtëpi të madhe ndërtuar me gurrë, shtëpi e bukur karakteristike, tipike për qytetin tonë.
Nuk e kundërshtova babain. I druajtur, me zë të ulët që po më dridhej nga emocionet pranova mendim vendimin e tij si të jetë më mirë të bëhet.
Ndërsa unë kisha pranuar mendim vendimin e tij për martesë, babai më tha edhe diçka tjetër; pasi të martohesha unë me atë vajzë, do jetoja në shtëpinë e saj meqenëse ajo ishte vajzë e vetme, pa motër dhe pa vëlla.
– Oh! Kjo e papritur, ishte një dhimbje tjetër për mua në vend që të gëzohesha. Do martohesha! Po më martonin dhe bashkë me kurrorëzimin e martësës sime, po më dukej se po më dëbonin nga shtëpia ku unë isha lindur dhe isha rritur; nga shtëpia plot kujtime të bukura dhe të hidhura; nga shtëpia me kujtimet e nënës sime të dashur që sa e sa herë sa ishte gjallë ishte kujdesuar ajo për atë shtëpi. Unë duhet të ikja nga kjo shtëpi, dhe do jetoja në një shtëpi tjetër, të huaj  që do quhej edhe shtëpia ime. 
Sado e madhe që ishte ajo shtëpi, sado e bukur dhe karakteristike, unë do isha gjithë jetën time si një trup i huaj i vendosur artificialisht në një trup tjetër me emrin shtëpi. 
Nuk e imagjinoja kurrë se si do largohesha unë nga kjo shtëpi.
Oh! Nuk ka dhimbje më të madhe kur largohesh apo edhe kur të largojnë nga shtëpia e shenjtë, e dashur ku je lindur dhe ku je rritur.
Por unë e pranova, ose ndoshta isha i detyruar ta pranoja të lija shtëpinë tonë dhe të jetoja në shtëpinë e bashkëshortes sime.
 
Edhe pse krijova familjen time të re në shtëpinë e huaj por që quhej edhe shtëpia ime, ndjeja dhimbje të madhe kur kaloja përpara portës së shtëpisë ku u linda dhe u rrita.
Fati i jetës sime dukej se më kishte dënuar që, jo vetëm për të mos jetuar më në atë shtëpinë tonë të fëmijërisë, por as edhe të shkoja e ta shihja nga brenda.
Bashkëshortja ime, për vetë faktin se ishte vajzë e vetme pa motër dhe pa vëlla e rritur me përkedhelitë e tepruara të prindërve të saj, nga mendjemadhësia, krijoi konflikte me njerkën time. Dhe kjo ndodhi menjëherë pas vdekjes së babait tonë.
Unë asnjëherë nuk u pajtova dhe asnjëherë nuk i dhash të drejtë bashkëshortes sime në pretendimet e saja. Njerka ime ishte grua e dashur, e nderuar nga të gjithë. Gjatë viteve që kishim jetuar së bashku në shtëpinë tonë, ajo grua mundohej të na plotësonte dëshirat dhe kërkesat tona të prindit ndaj fëmijës; të na përshtatej sa më mirë duke na dhënë dashurinë prindërore. Madje edhe pse i martuar që isha dhe jetoja në shtëpinë e gruas sime, ajo asnjëherë nuk na ndau nga dy fëmijët e tjerë të saj.
Por, e kam kuptuar shumë vonë edhe gabimin tim të shpejtuar për vetë moshën time që kisha dhe i parahur me jetën, kur unë dhe bashkëshortja ime morëm vendimin për të mos folur me njerkën time si edhe me motrën dhe vëllain tim të ftohtë. Ne ishim bërë edhe prindër të një djali; i gëzoheshim atij dhe na dukej se e gjithë bota sillej rreth nesh dhe djalit tonë.
Vendimi i gabuar që morëm unë dhe bashkëshortja ime po ndikonte shumë keq tek unë.
Po ndjeja torturë në vetvete, isha gjymtyar shpirtërisht. Me atë vendim, unë isha shkëputur njëherë e përgjithmonë nga shtëpia ime, nga njerka ime, nga vëllai dhe motra ime e ftohtë. Dhimbje! Dhimbje të madhe po ndjeja brenda qenies sime.
Kaloja përpara portës së shtëpisë së fëmijërisë sime me dhimbje të madhe që mbaja në shpirt.
Gjatë viteve në vazhdim, dhimbja shtohej edhe më shumë. Sa herë që kaloja përpara portës së shtëpisë sime shikoja vocërakët e vëllait tim të hynin e të dilnin nga ajo portë, ti gëzoheshin asaj shtëpie si shtëpia e tyre, tek luanin të gëzuar ashtu sikurse edhe unë isha lindur dhe isha rritur, kisha luajtur, e kisha mirëmbajtur atë shtëpi,  i isha gëzuar aq shumë vite më parë sa erdhi një ditë që duhet të largohesha me dhimbje.
Ajo shtëpi, trashëgim nga të parët e mi, nuk po quhej më shtëpia ime, por e vëllait tim, e vocrakëve të tij edhe pse njihej edhe si shtëpia me emrin e babait tonë të ndjerë që është babai ynë i përbashkët pavarësisht nënave tona të ndryshme.
Asnjëherë nuk e kam kuptuar mënyrën dhe me ç’frymë urrejtje u rritën vocrakët e vëllait tim ndaj meje dhe familjes sime. Fjala, urrejtje, është fjalë e rëndë për t’u përdorur, por unë ashtu e mendoja dhe e shikoja në reagimet e tyre në mënyrën se si më shikonin kur shkëmbeheshim në rrugë, apo kur më hidhnintë ndonjë fjalë jo të këndshme si për të gjetur shkak për t’u grindur.
Ndodhi një ditë e nxehtë korriku. Kishte kaluar mesdita. Moti ishte shumë i nxehtë. Në rrugë nuk kishte njerëz; dëgjoheshin vetëm gumëzhitja e gjinkallave që këndonin papushim në pemët pranë oboreve të shtëpijave përreth. 
Po kthehesha në shtëpi. Ndjeja lodhje nga vapa e madhe; isha edhe i djersitur. Kur u afrova pranë shtëpisë ku u linda ndalova hapat. U ula në pragun jashtë portës.
Kisha shumë vite pa u ulur në atë prag. Po ndjeja aromën e viteve të shkuara të fëmijërisë, të rinisë. Po ndjeja dashurinë e viteve të shkuara dhe bashkë me to, po ndjeja edhe dashurinë e njerëzve të mi të dashur që nuk jetonin më, të nënës sime, të babait tim, të vëllait të ndjerë. 
Po ndjeja kujtimet e bukura dhe të paharuara nga ajo shtëpi. Dhe, ndërsa unë isha i zhytyr i tëri në një botë tjetër, si në ëndërr, dëgjova hapa nga brenda portës. Vazhdova në kënaqësinë e ëndërrimeve  dhe kujtimeve të mija, pa treguar interes se kush mund te ishte.
Dhe, në mes të atyre kujtimeve, dëgjoj të hapej porta me një gërvimë dhe më pas dëgjoj një zë të ashpërr djali që nuk ishte më shumëse 15 vjeç. – Largohu nga shtëpia ime dhe nuk dua të të shoh më të ulesh këtu në këtë prag.
Nuk i kushtova rëndësi atyre fjalëve të një djali adoleshent, pavarësisht se ai djalë ishte nipi im, djali i vëllait tim të ftohtë. 
Ndjeva keqardhje për atë djalë nip që brenda qënies së tij mbante të ushqyer ndjenjën dhe frymën e urrejtjes ndaj meje me të cilën ishte edukuar, ndjeva dhimbje, sepse kemi gjak dhe mbiemër të përbashkët.
Toni i ashpër i zërit të tij nuk i përshtatej moshës së tij të njomë adoleshente. Nuk e dhash veten; bëra sikur nuk e dëgjova. Po mendoja, por mendimet m’u ndërprenë përsëri. Zëri i djalit nip ishte edhe më i ashpër. Doli jashtë portës, më qendroi përballë. – Të thash, nuk dua të të shikoj më të ulesh në pragun e portës së shtëpisë sime, nuk dua të bëj skandal.
Nuk fola, i hodha një shikim plot dhimbje. E vështrova ngultas. U mundova të sajoja një buzëqeshje, por kuptova se isha i paaftë.
 
“Largohu nga shtëpia ime! Nuk dua të bëj skandal” Këto dy shprehje të dhimbshme dhe të përvajshme për mua që nga ajo ditë më kanë shoqëruar gjithë jetën time edhe në këtë moshë të thyer që jam tani dhe që po shkruaj këto kujtime. 
Dhe unë, për t’i “shpëtuar” atij skandali, sipas djaloshit, u çova në këmbë; vura pëllëmbën e dorës duke u mbajtur në njërën kanatë të portës së shtëpisë. 
Veprova me vetëdije, bëra sikur u mbajta në portë. Doja ta prekja atë pjesë porte të shtëpisë. Prekja e portës me dorën time m’u duk se më riktheu një dashuri të humbur, më riktheu ndjenjën e munguar prej vitesh.
Nuk fola. I hodha edhe njëherë syt nga porta e shtëpisë sime, por që nuk ishte më e imja, vazhdova hapat drejt shtëpisë tjetër. Po mbaja brenda qenies sime një dashuri të munguar. Atë dashuri të munguar po e ndjeja të gjithën në pëllëmbën e dorës sime.
Në rrugë nuk kishte njerëz, por jam më se i bindur, nëse dikush do të më shikonte në ato çaste do dallonte në fytyrën time shenjë brengëse dhe pikëllimi, brenga e gjithë viteve që më ka shoqëruar deri edhe në këtë moshë.
Nuk e di se ç’po ndjente në ato çaste brenda qenies së tij nipi im, djali i vëllait tim të ftohtë.
Vallë, po ndjente akoma urrejtjen ndaj meje?! Po ndjente akoma ndjenjën për të bërë skandal me mua?!
Nuk e di se ç’ka menduar, ndërsa unë vazhdoja ecjen drejt shtëpisë dhe po mbaja brengën e madhe për atë shtëpi që është edhe e imja; shtëpia me dashurinë dhe kujtimet e shumta.
Veç, për një gjë jam shumë i sigurtë. Edhe pse ai djalë nipi im është rritur me një tjetër frymë  të pamerituar ndaj meje, do t’i vijë një moshë që do t’i kuptojë vetë gjërat, madje do jetë në gjendje të gjykojë edhe vetë veten dhe prindërit e tij me të mirat dhe gabimet e tyre si çdo prind tjetër, pavarësisht se çdo fëmijë e ka të vështirë të pranojë gabimet e prindit.
 

 

Filed Under: LETERSI Tagged With: BRENGA, PËR SHTËPINË TIME, Pierre-Pandeli Simsia

KUJTESE PER KOMPOZITORIN BERATAS ASQERI KADENA

May 24, 2017 by dgreca

KUJTOJ ARTISTIN BERATAS, KOMPOZITORI I SUKSESSHËM, I NDRITURI:
1 KadenaASQERI KADËNA- 12 JANAR 1934 – 8 KORRIK 2001/
Nga Pierre-Pandeli Simsia/
Artistët kanë të veçantën e tyre; ata krijojnë art, artin e pavdekshëm që trashëgohet ndër breza. Atyre u shkëlqen fytyra, janë njerëz fisnikë, artistë në shpirt, në komunikim.
“Rri e derdhur ti në bronx
Margaritë moj, në mes të qytetit.
Rri vështron e nuk çmallesh dot,
Njerëzit i përshëndet me buzë të qeshur.
Ëmbël vështron ti lagjen tënde,
Dyert që të pritën, të përcollën,
Vijn’ pranë teje nëna, motra, vëllezër,
Ti e qeshur u ke zgjatur dorën…!”
Këto vargje të thjeshta i kam shkruar shumë vite më parë, në fillimvitet 80-të, në moshën time të adoleshencës.
Duke qenë shumë i pasionuar pas muzikës, këngës së bukur shqiptare, interpretues në instrumentin e trombës, sigurisht, në ato vite kisha pasion edhe letërsinë.
Në qytetin tonë sapo ishte vendosur busti i Heroinës së Popullit Margarita Tutulani në lulishten pranë shëtitores së bukur përpara Shtëpisë së Kulturës që mban emrin e heroinës, punuar mjeshtërisht nga artisti Vangjel Papa. (Nëse jam gabim për emrin e artistit Papa, ju lutem më korrigjoni)
Në shëtitjet (xhirot) e mbrëmjeve të bukura e të paharuara të Beratit në atë bulevard kryesor, Margarita e derdhur në bronx, e bukur, e qeshur, e heshtur, vërtetë të duket se të përshëndet, madje edhe në ditët e sotme.
Pikërisht, nisur nga kjo, në ato vite, i ri në moshë, më lindi dëshira të shkruaja disa vargje në formë vjershe. Edhe për vetë faktin se, shtëpia e heroinës me shtëpinë time, ndahen me një murr, ku dritaret e dhomave të shtëpisë sime, shikohen në avllinë e shtëpisë së heroinës.
Pasi e kisha përfunduar vjershën, më lindi një ide tjetër; pse mos të kompozohej e të bëhej këngë?
Një vit më parë kisha bashkpunuar me kompozitorin Fatmir Agalliu dhe kënga jonë fitoi çmimin e dytë në një nga festivalet e rretheve që zhvilloheshin në ato kohë.
Duke e lexuar vjershën e saposhkruar, mendja menjëherë më shkoi tek kompozitori i mirënjohur i qytetit tonë, artisti i talentuar që vetëm buzëqeshja i lulëzonte në fytyrën e tij, njeriu i urtë dhe punëtor me shpirt të mirë që ndihmën për njerëzit e shumtë e kishte të veçantë në karakterin e tij, i ndrituri, ASQERI KADËNA.
Pse më shkoi mendja te kompozitori Asqeri Kadëna?
Sepse, ai ishte paraqitur edhe në anketën muzikore të vitit me këngën “Erdhën djem e vajza” kënduar nga këngëtarja Luljeta Përbasha dhe kishte fituar çmimin e parë, ku në atë anketë ishin konkuruese edhe kënga: “Erdhi nusja nga qyteti” kompozuar nga Agim Prodani dhe kënduar nga Naile Hoxha, apo kënga “Marinarë të Atdheut tim” kënduar nga këngëtari durrsak Petrit Dobjani.
Pa u menduar thellë, një mbasdite, nisem drejt Shtëpisë së Pionierit, ndërtesë e bukur dykatëshe, e ndërtuar në një lulishte tjetër të Beratit, pranë Bibliotekës Publike “Vehxhi Buharaja”
Sa e sa talente të shumtë artistë të qytetit Berat e kanë nisur udhën e tyre të bukur, të gjatë e të vështirë, udhën e artit nga ajo shtëpi pionieri.
Mjeshtri i talentuar Asqeri Kadëna, kishte pak vite që ishte emëruar Shef i Seksionit Artistik në Shtëpinë e Pionierit ku punoi për 20 vjet rresht. Ka meritën e madhe që, përveçse ngriti kurset e para të instrumenteve të ndryshëm, dolën edhe këngëtarë të mirënjohur e të suksesshëm të skenës kombëtare shqiptare si: Tenori i Teatrit të Operas dhe Baletit, i ndjeri Ruzhdi Karaj, tenori, pedagog në Shkollën e Mesme Artistike “Ajet Xhindole” Berat, i mirënjohuri Dhimitër Dushi, e talentuara këngëtare profesioniste e Estradës së Beratit dhe tani e Estradës së Vlorës, Ludmilla Baballëku, i mirënjohuri këngëtar i suksesshëm i skenës shqiptare, Kozma Dushi…
Artistët në qytetin tonë janë të njohur, pavarësisht njohjeve personale, jo për faktin se jemi vendas dhe e njohim njëri tjetrin brez pas brezi, por, ata kanë të veçantën e tyre; ata krijojnë art, artin e pavdekshëm që trashëgohet ndër breza. Atyre u shkëlqen fytyra, janë njerëz fisnikë, artistë në shpirt, në komunikim.
Edhe pa u njohur personalisht me artistët, kur shkëmbehesh në rrugë, përshëndetesh buzagaz.
Në shtëpinë e pionierit kisha shkuar përpara orës kur ai duhet të vinte. Po e prisja tek dera kryesore; në dorë mbaja letrën ku kisha shkruar vjershën.
Nuk vonoi shumë dhe mjeshtri artist u shfaq në bulevard, u kthye djathtas dhe eci në udhëkalimin përmes lulishtes. Kur iu afrua derës për të hyrë brenda, më përshëndeti ngrohtësisht.
Ndërsa ai hyri brenda, unë i heshtur, po e ndiqja nga pas dhe nuk po më dilnin fjalët se si do t’ia filloja mendimin tim.
Ai ndaloi hapat, u kthye nga unë:
– Pret ndonjë njeri? – më pyeti.
– Jo! – thash, gjithmonë i druajtur. – Ty po të prisja!
Ai buzëqeshi. – Do këndosh? – më pyeti në formë shakaje.
– Jo! – iu përgjigja prerë. – Kam diçka këtu për ty dhe vështrimin e hodha nga letra që mbaja në dorë.
– Çfarë është kjo letër? – dhe zgjati dorën.
Ia dhash letrën, por, ndërkohë, në hyrjen kryesore u dukën disa nxënës të hyjnë brenda.
Me të folurën dhe të qeshurën e tyre, ata na u afruan, e përshëndetën maestron dhe qendruan aty, si për të mësuar diçka rreth bisedës sonë.
Asqeriu, i hodhi një shikim asaj çfarë unë kisha shkruar dhe, pasi u përshëndet me nxënësit e ardhur, më thotë, ngjitemi lart.
Ndërsa ne gjitëm shkallët për në katin e dytë, nga pas dëgjuam hapat e nxënësve që po ngjiteshin edhe ata sipër. Na ndoqën nga pas edhe kur ne hymë në dhomën e tij të punës.
Me urtësinë e tij, me dashurinë për fëmijët, për talentet e rinj, nuk i kundërshtoi ata nxënës, vetëm, pasi u ul, tha: – Ju lutem, dua qetësi!
Asgjë nuk pipëtinte. Pasi e lexoi, më pa në sy, sikur donte të më pyeste e të më thoshte diçka.
– Nëse të pëlqen kjo vjersha që kam shkrur, kam shumë dëshirë, nëse do jetë e arsyeshme nga ty të bëhet këngë dhe nëse do jetë e pranueshme të këndohet në festivalin e këngës në Berat. Jam frymëzuar nga busti i Margarita Tutulani-t, vazhdova t’i flas.
Ai tundi kokën në shenjë pohimi; shikimin e hodhi përsëri nga ajo ç’kisha shkruar. Ishte i përqendruar dhe, pas disa sekondash na tha pa iu drejtuar askujt.
Tani, duhet të dilni të gjithë jashtë; më duhet të punoj pak…
Ne u çuam dhe pa zhurmë, me hapa të ngadaltë dolëm nga dhoma e tij e punës.
Unë zbrita poshtë dhe nuk dija ç’të bëja; po mendoja: të rrija aty e të prisja, apo të ikja.
Nga lart në katin e dytë, u dëgjuan tinguj të panjohur të fisarmonikës. Kisha ndjesinë, sigurisht, maestro Kadëna po kompozonte vargjet e mija. Filluan emocionet të ndjehen në qënien time; kuptova se po ndjeja dridhje trupi. Eca drejt lulishtes në anën e majtë dhe u ula në një stol.
Nuk mund ta përcaktoj dot me saktësi se sa minuta apo orë kishin kaluar, kur pash nxënësit që po më thërrisnin: – Hej, o çuni, po të kërkon mësues Asqeriu. Shpejt, hajde se po të kërkon…
Nuk e mohoj, emocionet m’u shtuan! Ndërsa i afrohesha derës, ata vazhdonin të më thoshin: – Shpejt, shpejt, po të thërret mësues Asqeriu.
U ngjita në katin e dytë. – Ulu! – më tha maestroja. – Dëgjoje tani këngën.
Gishtat e tij filluan të lëviznin mbi tastjerën e fisarmonikës.
Po dëgjoja një vijë melodike të panjohur për mua pa kuptuar asgjë. Ishte introduksioni i këngës dhe, kur unë nuk e prisja, maestro filloi ta këndojë vetë këngën, njëkohësisht duke lëvizur gishtat mbi fisarmonikë dhe syt i mbante në letrën përpara vjershës. Ai këndonte shumë bukur. Kishte zë të kthjellët, intonativ. Ishte hera e parë që e dëgjoja nga afër mjeshtërin Asqeri Kadëna të këndonte. Ai zë melodioz më ka shoqëruar shumë vite dhe shpesh mendoja me vete: Pse nuk u bë edhe këngëtar artisti Asqeri Kadëna!
Kush i ka provuar emocionet në krijimtarinë e tij letrare artistike, duhet të më kuptojë shumë mirë edhe mua, emocionet që po jetoja në ato çaste, emocion dhe gëzim.
Pasi mbaroi interpretimin e këngës së sapokrijuar, më pa në sy dhe, si gjithmonë, duke qeshur, më tha: – Hë, të pëlqeu kënga apo jo?
Unë buzëqesha dhe tunda kokën në shenjë pohimi edhe pse vija melodike ishte e panjohur për mua.
– Ja, u krijua edhe kënga, – vazhdoi maestro. – Kjo është fillimi i këngës, por do ta punoj edhe pak, jo vetëm në vijën muzikore, por edhe mund të shtoj dhe të heq diçka nga kjo që ke shkruar.
Unë përsëri tunda kokën në shenjë pohimi. Isha gati ti thoja, bëj ç’të duash, vetëm kënga të dalë bukur dhe të këndohet. Kujtoj që e falenderova.
Atë vit, Estradës së Beratit, i ishin shtuar edhe dy artiste të reja në moshë këngëtare dhe aktore; vajza të bukura si vetë mosha e bukur e rinisë, elegante, që binin në sy, të sjellshme, të respektuara, interpretuese të talentuara: Mirela Langore dhe Pranvera Belliu.
Pa u menduar shumë, e pyes: – Kush do ta këndoj këngën, Mirela Langore?
Mirela këndonte qetë, bukur.
– Të shohim, m’u përgjigj maestro Kadëna. Nuk e kam menduar…
……………………………………………………………………………………..
Në një nga sallat e mëdha të Shtëpisë së Kulturës “Margarita Tutulani”, artistët beratas të moshave të ndryshme anëtarët e Grupit Karakteristik të Këngës dhe Valles Qytetare Beratase i krijuar në vitin 1979 nga Mjeshtri Asqeri Kadëna që ishte edhe drejtues dhe udhëheqës artistik i grupit, vinin për të bërë prova për premierën e radhës.
Kënga Qytetare Beratase, thesar i Artit dhe Kulturës Shqiptare, vlerësuar si Pasuri Kombëtare, Trashëgimi e Pasurisë Botërore të UNESCO-s. Është nder dhe krenari për cilindo ne, pavarësisht është apo nuk është qytetar beratas.
Një mbasdite, ndërsa ngjitesha sipër për në katin e tretë për të bërë prova në instrumentin e trombës me mësuesin e sukssesshëm Fatos Hazizi, pedagog në instrumentin e trombës në Shkollën e Mesme Artistike “Ajet Xhindole” Berat, pjesëmarrës në orkestrën simfonike të Radiotelevizionit Shqiptar në Festivalin e 15-të dhe në Festivalin e 17-të të Këngës në Radiotelevizion, por, që e mallkuar biografi ia ndaloi të drejtën e punësimit në Orkestrën e Radiotelevizionit Shqiptar, qendrova pak çaste përpara sallës ku bëheshin provat.
Drejt meje, vjen artistja Xheni Kadëna, bashkëshortja e mjeshtrit Asqeri Kadëna, ajo zonjë grua, fisnike, aktore e talentuar dhe e mirënjohur e Estradës së Beratit, njëkohësisht edhe prezantuese e Grupit Karakteristik të Këngës dhe Valles Qytetare Beratase.
E qeshur, ashtu siç ishte gjithmonë edhe në jetë (Zoti i kishte bekuar ata dy bashkëshortë artistë të mrekullueshëm, të qeshur, të dashur, të respektueshëm, të komunikueshëm) u afrua tek mua dhe më tha: – Kënga ka dalë shumë e bukur. Urime! Do ta dëgjosh vetë.
Po ndjeja gëzim, emocione. Artistja Xheni Kadëna, sikur e kuptoi atë që unë po përjetoja në ato çaste, më ra tre herë shpatullave: – Tani ngjitu lart, bëj prova, se edhe ne do fillojmë provat tona…
……………………………………………………………………………………..
Shkruajta këto kujtime të bukura, emocionuese dhe të paharuara për artistin e ndritur, i ndjeri Asqeri Kadëna që me punën e tij të palodhur për vite e vite me radhë, me krijimtarinë e tij artistike të larmishme, mbetet Gjerdan i Artë i Artit dhe Kulturës Beratase, Pasuri Kombëtare.
E kujtojmë mjeshtrin e suksesshëm Asqeri Kadëna, beratasin e ndritur, ish anëtarin prej shumë vitesh i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, vlerësuar me dekorata urdhër të lartë nderi nga Shteti Shqiptar, nga Këshilli Bashkiak i Beratit, Laureat i çmimit kombëtar, vlerësuar me çmime të shumtë nga juritë në aktivitetet e ndryshme artistike…

Filed Under: ESSE Tagged With: Asqeri Kadena, Kujtese, Pierre-Pandeli Simsia

VËLLEZËRIT

April 6, 2017 by dgreca

Tregim nga Pierre-Pandeli Simsia/
 Vdekjen e babait 74 vjeçar në pragpranvere, të pesë fëmijët e tij e përjetuan dhimbshëm ashtu siç përjetohet humbja e njeriut të dashur në udhën pa kthim.
Babai i tyre ishte i mbajtur mirë, burrë i respektuar nga të gjithë moshat. Pamja e jashtëme e tij, trupi shtatlart,  rrezatonin fisnikëri. Gravatën nuk e kishte ndarë asnjëherë nga veshja e tij.
Dhjetë vjeçarin e fundit, kishte mbajtur mbi kokë borsalino që i shkonte shumë dhe e tregonte pak më të gjatë nga ç’ishte.
Në moshën 62 vjeçare kishte përjetuar dhimbjen më të madhe të jetës së tij, siç shprehej shpesh. Nga një sëmundje e pashërueshme humbi njeriun e dashur, të pazëvendësueshmen, mamanë e fëmijëve të tij dhe që bashkë kishin kaluar 33 vitet e jetës së tyre bashkëshortore.
Edhe pse mundohej të tregohej i përmbajtur, lotin nuk mund ta ndalonte të rridhte nga sytë kur kujtonte shpesh bashkëshorten e ndjerë.
Dhimbja e thellë e humbjes së bashkëshortes e shoqëroi deri në ditën e fundit të jetës së tij.
Kishin krijuar një familje të bukur, të thjeshtë; u kishin lindur dhe kishin rritur pesë fëmijë si drita; katër djem edhe një vajzë.
Të pesë fëmijët ishin të martuar dhe kishin krijuar familjet e tyre.
Dy nga djemtë e tij punonin dhe jetonin familjarisht në dy shtete të ndryshme në Evropë.
Njëri djalë, punonte dhe jetonte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Vajza e vetme kishte preferuar kryeqytetin, Tiranën, për të jetuar me familjen e saj.
Djali i madh me familjen e tij jetonte bashkë me babain në shtëpinë e tyre të madhe ku ishin lindur dhe rritur të pesë fëmijët, shtëpi, e trashëguar nga brezat e mëparshëm të atij fisi.
Dera e prindit, ngado që të shkosh, mbetet përherë e hapur për të gjithë fëmijët, për çdo pjesëtar të familjes, për miq e shokë, ashtu siç ishte munduar edhe babai i ndjerë pas vdekjes së bashkëshortes së tij, që ajo derë shtëpie të ishte e hapur, mikpritëse për të gjithë.
Në ditët e dhimbjes prindërore, pasi iu bënë të gjitha ritualet e vdekjes dhe babain e përcollën me nderime të mëdha për t’u prehur i qetë në të njëjtin varr me bashkëshorten e tij, tre vëllezërit, duke ndjerë mungesën e babait, shtëpia po i dukej e zbrazët. Menduan se me humbjen e atit të tyre, po i mbyllej edhe ajo derë shtëpie dhe bashkë me të, do mbylleshin edhe kujtimet e bukura dhe të paharuara nga jeta e tyre fëmijërore, rinore, familjare. Madje, atë mendim ia përforcoi njëri vëlla që jetonte në Evropë kur, në bisedë e sipër me dy vëllezërit, midis të tjerash u shpreh me zë të ulët: – Eh! Me ikjen e babait, tani se si më duket; sikur na u mbyll edhe kjo derë shtëpie! – Por, që dikush edhe e dëgjoi dhe, siç ndodh në raste të tilla, fjala i shkoi më vonë vëllait të madh.
Dy vëllezërit e tjerë, nga ajo ç’dëgjuan, u dukën sikur e miratuan në heshtje me një lëvizje të lehtë të kokës atë çfarë dëgjuan.
Ai mendim i dhimbshëm, që nganjëherë, ata e mendonin të ishte edhe i gabuar, i shoqëroi edhe pasi u kthyen në shtetet ku ata jetonin.
Atë makth,  e mbajtën për vete, pa ia thënë askujt, madje as bashkëshorteve të tyre.
 
** * 
Një vit më vonë, në fillimpranvere, në përvjetorin e parë përkujtimor për babain e tyre të ndjerë, dy djemtë që jetonin në shtete të ndryshme në Evropë, në pamundësi për vetë kushtet e punës, nuk shkuan në Shqipëri.
Mosardhjen e dy vëllezërve më të vegjël, vëllai i madh nuk e përjetoi mirë; e mendoi si ogur jo të mirë në marëdhëniet e tyre vëllazërore. Madje, si një krisje e dashurisë midis vëllezërish.
Edhe vetë dy vëllezërit nuk e përjetuan mirë mosshkuarjen në shtëpinë e babait atë ditë përkujtimore vjetore. Dhe, që të ndjeheshin të lehtësuar shpirtërisht, në një nga restorantet e qyteteve ku ata jetonin, shtruan një drekë përkujtimore me miqtë dhe shokët për shpirtin e babait të vdekur.
Ditët, javët, kalonin me ritualin e zakonshëm të jetës. Vëllait të madh, boshllëkun në shpirt që i ishte krijuar nga mosardhja e dy vëllezërve të tjerë, nuk mund t’ia plotësonte askush, madje, ai boshllëk, ai makth, ato mendime të ndryshme që i kalonin vrangëllimthi nëpër tru, po ia gërryenin çdo ditë e më shumë shpirtin. Çdo gjë në shtëpi i dukej e pikëlluar, e zymtë. Po ndjente një trishtim të thellë brenda qënies tij.
Atë brengë të madhe që i dallohej qartë në fytyrë dhe që po ia tallaziste shpirtin, e kishte mbajtur për vete pa ia thënë as bashkëshortes, njeriut më të afërm dhe më të dashur të jetës së tij, që ishte edhe njeriu më i shtrenjtë për të edhe kur ajo e kishte pyetur për arësyen e mosardhjes së dy vëllezërve, që atij i ishin dukur pyetje provokative.
Mbante brenda vetes një shpresë tjetër të vakët; vëllezërit mund të vinin në Shqipëri për pushime në stinën e verës siç vinin çdo vit. 
Kishte hyrë muaji i tretë i stinës së verës dhe vëllezërit nuk kishin njoftuar për të kaluar pushimet atë vit në Shqipëri siç ndodhte çdo vit kur babai jetonte. 
Nuk mund të duronte dot më, vendosi që atë mendim, atë brengë që po e gërryente çdo ditë e më shumë, t’ia shprehte edhe bashkëshortes.
E shoqja u gjend e papërgatitur nga ato çfarë dëgjoi nga i shoqi, nuk i shkonte kurrë në mendje për një mendim të tillë. Fytyra i mori një shprehje habie. E pa të shoqin ngultas.
     – I dashur burrë, – filloi ajo të flasë me mirësjellje duke u përpjekur të fshihte emocionin. – Vëllezërit e tu dhe kunetërit e mi njëkohësisht, nuk kanë gjetur rastin më të vogël të pakënaqësisë jo vetëm nga ty që je vëllai i madh, por, as edhe nga sjellja dhe mikpritja ime. Përse duhet të mendosh kështu!
Ai nuk foli. Syt që i dukeshin të rënduar sikur mbanin një peshë dhimbje, i mbante ulur përdhe. Dukej se diç’ mendonte.
E shoqja i kaloi dorën mbi kokë, i ledhatoi flokët, fytyrën, mjekrën. Ndjeu se dora i ishte lagur! 
     – I dashuri im…
     – Të lutem grua… – e ndërpreu ai me zë të dridhur dhe i mbështeti dorën mbi sup. Vështrimin e kishte të shkujdesur.
E shoqja ndjeu zbrazëtirë në shpirt. Syt po i ndrinin si të pikëlluar. Iu dhimbs shumë i shoqi në atë çast. Vazhdonte ta shikonte plot dhimbje.
     – Përse duhet të mendosh dhe të gjykosh kështu, i dashur? 
I shoqi po e shikonte me sy të trullosur: – Heshti pak, pastaj foli: – Mendoj, sepse, nuk dua të na cënohet dashuria, harmonia jonë vëllazërore.
     – Asgjë e keqe nuk ka ndodhur, i dashur. Nga të lindën këto mendime? Mos u bëj me fiksime. Të lutem! Qetësohu! – vazhdoi ti fliste ajo me zë lutës.
Ai e vështroi përhumbshëm. Heshti pak, pastaj vazhdoi të flasë: – Sepse, dua ta mbaj të pacënuar dashurinë tonë, ashtu siç e kemi patur përherë. Nuk dua, në familjen, në fisin tonë, midis ne vëllezërve, të mbijë fara e bimës së urrejtjes, fara e përçarjes. Dua, që në këtë shtëpi, të lulëzojë përherë, në çdo stinë, lulja e dashurisë, e dashurisë vëllazërore. Vetëm kështu, edhe shpirtrat e prindërve tanë të ndjerë do jenë të qetë.
E shoqja vazhdonte ta kundronte me sy të lodhur. Ndjente dhimbje dhe keqardhje në çdo fjalë që dëgjonte nga i shoqi.
 
* * * 
Dy vëllezërit që jetonin në shtetet e ndryshme në Evropë dhe vëllai tjetër që jetonte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u ndjenë krejt të papërgatitur kur, në ato ditët e nxehta të stinës së verës, një mesazh i ardhur nga vëllai i tyre i madh, i njoftonte se, edhe pak javë dhe fillon stina e vjeshtës. Mundësisht, pushimet e këtij viti, duhet të vini e ti kaloni së bashku në Shqipëri, ashtu siç keni ardhur çdo vit. 
Por, ajo që e bënte shqetësues mesazhin ishte se, vëllai i madh, kishte shkruar edhe fjalët: “Nuk ndihem mirë”
Të shqetësuar për shëndetin e vëllait të tyre të madh, tre vëllezërit, i telefonuan menjëherë, të mësonin për shëndetin e tij dhe të vërtetën e atij mesazhi.
Por, përgjigja e vëllait të madh ishte disi dyshuese, kur ai u tha: Ndihem mirë, por edhe nuk ndihem mirë; por, ju lutem, duhet të vini…
Të shqetësuar, brenda muajit, tre vëllezërit, në bashkbisedim me njëri tjetrin, mundësuan që në një datë të caktuar të ishin pranë vëllait të tyre të madh, në shtëpinë e tyre.
 
* * *
Atë ditë të dielë, dhoma e madhe e shtëpisë së tyre, dukej sikur ndrinte nga gëzimi. Katër vëllezërit po çmalleshin me njëri tjetrin, e bashkë me ta, kishte ardhur edhe motra e tyre nga kryeqyteti.
Mes gëzimit, tre vëllezërit që kishin ardhur nga larg, shikonin njëri tjetrin në sy, madje shkëmbenin edhe shenja nëpërmjet lëvizjes së syve dhe të kokës. E shikonin vëllain e madh dhe nuk po dallonin shenjën më të vogël të keqshëndetit të tij.
Vëllai i madh e kishte menduar që, me vëllezërit e tjerë dhe me motrën e tyre të vetme, të bisedonte pasi të hanin edhe drekën. Dhe ashtu veproi.
Të ulur në dhomën e madhe, atje ku rrinin zakonisht edhe kur kishin jetuar të gjithë së bashku si familje, ai i tha të shoqes t’ju sillte edhe nga një gotë raki rrushi edhe pse kishin pirë më parë.
Trokiti gotat e rakisë dhe, pasi piu një gllënjkë, filloi të flasë:
     – E dashur motra jonë e vetme, e mira motër! Të dashur ju të katër vëllezërit e mi! – Në dhomë ra heshtja. Asgjë nuk pipëtinte. 
     – Ju kërkoj ndjesë që ju kam shqetësuar ndoshta me mesazhin që përmenda fjalën: nuk jam mirë. Unë sot po ndjehem shumë i lumtur mes jush, ashtu siç jam ndjerë gjatë gjithë jetës sime bashkë me ju. Ashtu si atëhere kur ne jetonim të gjithë së bashku edhe me prindërit tanë të paharuar. Jam më se i bindur, kështu si unë po ndiheni edhe ju të gjithë, të lumtur e të gëzuar. Në këtë shtëpi, jemi rritur me ngrohtësinë, me dashurinë e madhe prindërore që na kanë edukuar dhe na e kanë ngulitur atë dashuri që ne e kemi patur midis njëri tjetrit. Dhe, ajo dashuri, ashtu do vazhdojë, derisa unë, po flas për veten time, pra, derisa unë të jap frymën e fundit të jetës sime. Unë vërtet po ndihem shumë i lumtur sot, por, siç edhe ju kam shkruar, edhe nuk ndihem mirë. Dhe ja pse nuk ndihem mirë, madje shpirtërisht, nuk ndihem mirë. 
Heshti pak dhe pastaj filloi të flasë: – Ka kaluar gati një vit e gjysëm që babai ynë i ndjerë na la njëherë e përgjithmonë. Mungesa e tij në shtëpinë tonë, sigurisht, është e pazëvendësueshme. Ai iku, na la fizikisht, por i ndjeri baba, na ka lënë edhe pasuritë. Pasuria më kryesore që babai na la, është harmonia, dashuria që ne kemi midis njëri tjetrit dhe që duhet ta mbajmë të pastër, të pacënuar atë dashuri. Ta trashëgojmë! E dashur motër! – Shikimin e hodhi nga e motra. – Ke qenë dhe ashtu do të mbetesh përherë, princesha jonë e shtëpisë, e pazëvendësueshme…
Syt e motrës u përlotën menjëherë. Nuk po mund të duronte dot, u çua nga vendi ku po rrinte ulur, eci pak hapa drejt tij dhe, ashtu me sy të përlotur, e përqafoi vëllanë.
Instiktivisht edhe syt e vëllezërve të tjerë ishin përlotur.
     – Të dashur vëllezërit e mi, – iu drejtua ai atyre duke ia hedhur shikimin me radhë. – Ju, jeni princër në këtë shtëpi, princër bashkë me mua, pa asnjë dallim, pavarësisht diferencës së viteve të moshës sonë, pavarësisht se kush vëlla është i madhi, i mesmi, i vogli…
Motër e dashur, vëllezër të dashur! Dua t’ju them edhe atë më kryesoren: Babai ynë i ndjerë, na ka lënë edhe të vetmen trashëgimi dhe, ajo trashëgimi e vetme, është kjo shtëpi ku ne jemi sot, ku ne të pesë fëmijët u lindëm dhe u rritëm këtu dhe të gjithë jemi trashëgimtarë të kësaj shtëpie, ashtu sikurse edhe të parët tanë brezëpasbrezi u lindën dhe u rritën këtu dhe që ne e gëzojmë sot këtë shtëpi. Mbajmë të trashëguar një mbiemër të nderuar, të dashur vëllezër dhe ti motër e shtrenjtë. Dhe ashtu do vazhdojë të mbahet mbiemri ynë edhe nga fëmijët tanë në këtë shtëpi shekullore; nga djemtë e mi, nga djemtë tuaj, të dashur vëllezër.
Katër vëllezërit dhe motra që po e ndiqnin me shumë vëmendje pa ia hequr syt për asnjë çast, dukeshin të hutuar; sikur u ishte lidhur fjala në grykë.
Një heshtje e thellë kaploi të gjithë dhomën.
Pastaj ai bëri një veprim; në anën e djathtë të tij mbante një qese plastike. Zgjati dorën, e mori.
Të gjithë po e shikonin me habi; prisnin se çdo bënte ai tani.
U çua nga vendi dhe eci në fillim ku ishte ulur e motra. Hapi qesen, mori diçka dhe ia dha. 
Ajo e mori. Dalloi tre çelsa shtëpie!  Edhe vëllezërit e tjerë po i ndiqnin veprimet e të vëllait dhe veprimet e motrës së tyre. Motra po i mbante çelsat në dorë si pa kuptim dhe po i shikonte.
Të njëjtin veprim, vëllai i madh e bëri edhe me vëllezërit e tjerë.
Të gjithë po shikonin çelsat që po mbanin në duar dhe nuk po kuptonin asgjë, apo u shtirën sikur nuk po kuptonin.
Përsëri vëllai i madh e theu heshtjen: – Motër, vëllezër të dashur! Siç po e shikoni, në duar po mbani tre kopje çelsash të njëjtë. Janë çelsat e kësaj shtëpie, e shtëpisë sime, e shtëpisë suaj, e shtëpisë sonë. Dera e kësaj shtëpie edhe pse prindërit tanë të ndjerë nuk jetojnë më, është dhe do mbetet përherë e hapur për të gjithë ne, pjesëtarët e kësaj shtëpie, pavarësisht se unë nuk u largova nga kjo shtëpi dhe vazhdoj të jetoj këtu.
     – Vëlla i dashur! – ndërhyri e motra! – Të lutem shumë. Unë jam motra juaj e vetme dhe do t’ju dua gjithë jetën time me dashurinë më të madhe që mund të ketë një motër për vëllezërit e saj, ashtu siç edhe ju kam dashur në të gjitha vitet e jetës sime. – U çua nga vendi dhe eci përsëri drejt tij. Zgjati dorën për ti dhënë çelsat. – Merri vëlla; këto nuk më takojnë mua. Unë jam e ikur nga kjo shtëpi. Unë ndjehem e lumtur kur ju shoh të katër juve të lumtur e të gëzuar, në harmoni me njëri tjetrin. E ndjej se, me dashurinë tuaj të madhe që keni, kjo derë shtëpie, do jetë përherë e hapur edhe për mua.
     – Motër e dashur! Ti je bijë e kësaj shtëpie, je gjaku i këtij fisi, ashtu siç jemi ne të katër vëllezërit e tu. Të lutem, mos e harro kurrë: Je nënë me fëmijë, por, dera e shtëpisë dhe zemra për motrën, ashtu siç e the edhe ti vetë, gjithmonë është dhe do të mbetet përherë e hapur.
Dy vëllezërit që jetonin në Evropë, kishin ulur kokat; syt po i mbanin përdhe. Në mendje, fluturimthi u erdhi mendimi, që po u dukej i dhimbshëm. Po ndjeheshin fajtor dhe mëkatar ndaj vëllait të madh, madje edhe po e gjykonin veten e tyre për atë çfarë  kishin menduar.
Vëllai i madh edhe pse po i shikonte, nuk e dha veten; vazhdoi të flasë:
     – Vëllezër të dashur.Tani ndihem shumë i qetë shpirtërish, madje edhe moralisht. Mospranimi nga ju i këtij mendimi, i veprimit tim që unë po bëj ndaj jush, do ndikoj shumë në shëndetin tim. Ju lutem vëllezër! Të lutem motra jonë e vetme, princesha jonë!
Ata të katër, si të telekomanduar, panë njëri tjetrin me sy. Dukeshin të hutuar, por edhe një shkëndijë gëzimi ua shndriste fytyrat. Shkëmbimi i shikimit të tyre me njëri tjetrin, dukej se po flisnin më shumë se ç’fjalë mund të dilte nga goja e tyre.
Heshtjen e theu një nga vëllezërit që jetonte në Evropë. Gotën e rakisë po e mbante në duar. – Vëlla i dashur! – filloi të flasë. Eci tre hapa dhe iu afrua vëllait të madh. I dashur vëlla! I miri ynë vëlla! E dashur motra jonë e vetme! Të dashur ju vëllezër! Tani, po ndjej çastin më të lumtur të jetës sime. Jemi rritur bashkë! Kemi kaluar bashkë fëmijërinë, rininë, pjesët më të bukura të jetës sonë vëllazërore familjare. Pavarësisht se jeta na ndau për arsyet e ndryshme, por, nuk janë këto çelsa që do e mbajnë të pacënuar dashurinë tonë vëllazërore. Janë zemrat tona ato, që do ta duam njëri tjetrin, ashtu edhe siç e kemi dashur deri tani….
     – Të më kuptosh vëlla! Të më kuptosh motër! – ndërhyri vëllai i madh. – Më kuptoni të dashur vëllezër! Dhënia e çelsave janë në kuptimin simbolik, por, kanë qellimin dhe të vërtetën e tyre. Ju do vini në këtë shtëpinë tonë në kohë të ndryshme, në orë të ndryshme, madje edhe pa na njoftuar. Ne edhe mund të mos ndodhemi këtu.
Njëri nga vëllezërit e tjerë u mat të thoshte diçka, por vëllai i madh vazhdoi të flasë: Nuk foli shumë. Me gotën e rakisë në dorë, tha vetëm këto fjalë: 
     – RROFTË VËLLAZËRIA JONË!
     – RROFSH TI MOTËR, PRINCESHA JONË!
U drejtua për nga motra; Syt i ishin përlotur. Të përlotur ishin edhe syt e të gjithëve: Iu afrua, trokiti gotën me gotën e saj duke përsëritur të njëjtat fjalë: Rroftë vëllazëria jonë! Rrofsh motra jonë. 
Ajo nuk u përmbajt. Filloi të qajë me ngashërim. E përqafoi! Fjalët nuk po i dilnin. Pastaj si me gjysëm zëri, shqiptoi: Zemra e motrës ti! Shpirti i motrës! 
Ata të dy motër e vëlla po rrinin të përqafuar; Në faqet e tyre po ndjenin lagështinë e lotëve të njëri tjetrit.
Ashtu të përqafuar, ndjenë duar të tjera t’i preknin supet. Tre vëllezërit e tjerë ishin afruar, me krahët e hapur i ishin bashkuar atij përqafimi.
Ishte ai përqafim, sikur po e forconte më shumë dashurinë e përjetshme vëllazërore. 
Ishin ata lot gëzimi që po rridhnin pa pushim nga syt e tyre, që dukej sikur po vadisnin rrënjët e lules dashuri vëllazërore.
Mes përqafimit që dukej se nuk do ndaheshin kurrë, u dëgjua zëri i vëllait të madh: 
     – Rroftë dashuria jonë vëllazërore.
     – Rrofsh motër, bashkë me ne të gjithë, vëllezërit e kësaj shtëpie.
     – Rroftë dashuria vëllazërore! – U përgjigjën të gjithë njëzëri.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Pierre-Pandeli Simsia, Tregim, Vellezerit

  • 1
  • 2
  • 3
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PЁRTEJ  MJEGULLЁS  SЁ  HISTORISЁ
  • LE MATIN (1914) / JA ÇFARË MENDON KRYEMINISTRI SHQIPTAR TURHAN PASHA PËR PRINC VIDIN (INTERVISTA)
  • Princess by Gerta, markë që po rritet çdo ditë, së shpejti me qendër në Amerikë dhe Angli
  • Presidentja Osmani priti në takim ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier
  • SHKUPI, SHPREHJE E REVITALIZIMIT SHPIRTËROR E KULTUROR TË HAPËSIRËS SONË KOMBËTARE
  • ÇUDIRA SHQIPTARE…
  • Fjala më e vjetër
  • « Doda », një mësim në fushën e kinematografisë dokumentare
  • “Daja i Evropës”

  • Shqipëria dorëzon zyrtarisht në KiE rezolutën kundër raportit të Dick Marty-t: Të rishikohen pretendimet për trafik të organeve njerëzore në Shqipëri dhe Kosovë
  • Vulgu dhe intelektualët
  • Një ikje e parakohshme kolegu
  • Telenovela Broja Vazhdon
  • “Në shërbim të gjuhës dhe shkollës shqipe”
  • Kolë Bojaxhiu, në ditëvdekjen e tij …

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT