Shkruan:Shefqet Kërcelli-Vlorë/
Në zbatim të planit të bashkëpunimit ushtarak midis Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë dhe Departamentit të Mbrojtjes të SHBA, nga data 31 mars deri më 2 prill 2015, zhvilloi një vizitë në vendin tonë anija ushtarake e Marinës së SHBA, DDG-98, “USS FORREST SHERMAN”. Anija është pjesë e Flotës së 6-të të SHBA, që operon në detin Mesdhe dhe Afrikën Perëndimore. Destrojeri amerikan DDG-98, mëngjesin e datës 31 mars u prit në ujërat tona nga Anijet e Flotiljes Detare Pashaliman, “Butrinti”, P-134 dhe “Archangel-02”. Më pas për katër ditë DDG-98, qëndroi në gjirin e Vlorës. Qëllimi i vizitës ishte forcimi i mardhënieve midis Forcës Detare Shqiptare dhe Flotës së 6-të të Shteteve të Bashkuara. Vizita e kësaj anije pason vizitat e dhjetra anijeve të Flotës së SHBA në portet kryesore të vendit tonë, të realizuara mbas viteve ’90. Në programin e këtyre vizitave ka pasur stërvitje të ndryshme detare që i kanë shërbyer kualifikimit të detareve tanë dhe shkëmbimit të eksperiencës dypalëshe. Gjithashtu këto stërvitje kanë përmirësuar ndërveprimin midis dy Flotave tona si dhe rritjen e aftësive të përbashkëta operacionale për të siguruar kufijtë e detit Adriatik dhe Jon. Në vijim të këtij bashkëpunimi 25 vjecar edhe vizita e destrojerit DDG-98, nëpërmjet stërvitjes së përbashkët me Institucionet detare shqiptare, vizitave në bordin e anijes të personaliteve shqiptare, por dhe vizitave të marinarëve amerikanë në Vlorë e vende të tjera, i shërbeu më së miri forcimit të këtyre lidhjeve. Në ditën e parë të të qëndrimit, datë 31 mars, anijen e vizituan Ministrja e Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z.Donald Lu. Fillimisht Ambasadori i SHBA, u prit nga Komandanti dhe ekuipazhi i anijes “Oriku”, të cilëve i uroi suksese e mbarësi në detyrën e tyre, mesazh të cilën e shkroi në gjuhën shqipe në librin e vizitorëve të kësaj anije. Ministrja e Mbrojtjes znj.Kodheli u prit nga komandanti i anijes “USS Forrest Sherman”, Kapiten i Rangut të I-rë John Krisciunas, ku me këtë rast falënderoi ekuipazhin e anijes për pritjen që i rezervuan dhe u shpreh mjaft e kënaqur për bashkëpunimin që ekziston midis Forcës Detare Shqiptare dhe strukturave të Marinës Amerikane. Ndërkohë Ambasadori Lu theksoi se “Lidhja midis dy Forcave tona detare është vetëm një nga aspektet e shumta dhe jetëgjatë të marrëdhënies midis ushtrive të dy vendeve tona, shembulli më i fundit i së cilës është shërbimi dhe sakrifica jonë e përbashkët në Afganistan, si pjesë e misionit të qëndrueshëm të NATO-s atje”. Ishte simbolike gjithashtu servirja për pjesmarrësit e një torte me flamujt e SHBA dhe Shqipërisë, të cilën e ndau Zonja Kodheli, Zoti Lu dhe Komandanti i anijes. Më pas, Ministrja e Mbrojtjes Kodheli, ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu dhe personalitetet e larta politike dhe ushtarake që e shoqëronin, vizituan ambientet, lokalet dhe postet luftarake të anijes “USS Forrest Sherman”. Në vijim të programit paraditen e datës 31 mars, në rajonin e gjirit të Vlorës, u zhvillua stërvitja bashkëvepruese e koduar “Peshkatari”, e drejtuar nga Qëndra jonë Ndërinstitucionale Operacionale Detare. Qëllimi i kësaj stërvitje ishte rritja e bashkëpunimit nderinstitucional, bashkërendimi i veprimeve, kryerja e procedurave operacionale detare për zbatimin e ligjshmërise detare, verifikimi i zbatimit të rregullave kombëtare e ndërkombëtare kundër kontrabandës detare dhe parandalimi i akteve terroriste në det. Gjithashtu në këtë stërvitje u synua rritja e aftësive profesionale të grupit të bordimit të Flotiljes Detare për zbatimin e ligjshmërisë detare, duke bashkëpunuar me grupin e bordimit të destrojerit “Forrest Sherman”. Për disa orë Gjiri i Vlorës, kryesisht rajoni afër bregut të Kalasë, gumëzhiu nga zhurma e motorave të anijeve të shumta, pjesë e stërvitjes. Në stërvitjen e drejtuar nga Qendra Ndërinstitucionale Operacionale Detare, morrën pjesë personel e forca nga QNOD, {Përfshi sallën operacionale dhe grupin e drejtimit}, Flotilja Detare Pashaliman, {Forca Detare}, ICITAP, Kapitaneria e portit Vlorë, NJLTKM, Delta Forc, Inspektoriati i Peshkimit Vlorë dhe grupi i bordimit i “USS Forrest Sherman”. Ndërsa mjete detare, nga Flotilja Detare, anija “Butrinti”, P-134 bashkë me skafin, MV R-118, “Archangel P-02”, MV e Delta Forc, Motoskafi i anijes DDG-98, një anije peshkatore, si anije imituese, me emrin “Kristo” e pronar zotin Sali Saliaj, {I cili meriton një falenderim bashkë me ekuipazhin për rolin e tij në zhvillimin me sukses të stërvitjes “Peshkatari”}, pjesë e flotiljes së Peshkimit Vlorë. Stërvitja u zhvillua në kushte reale dhe përfshiu integrimin e dy situatave në Gjirin e Vlorës, ku u zbatua ligji në det nga grupet e bordingut në bashkëpunim me institucionet e tjera që kanë interesa në det, Forca Detare, Kapitaneria e Portit, Policia e Kufirit, Forca Delta dhe Inspektoriati i peshkimit. Kështu në zbatim të skenarëve të parapregatitur filloi stërvitja në terren. Grupi i Drejtimit në QNOD, u informua se një anije peshkatore pa flamur dyshohet për aktivitet të paligjshëm në Gjirin e Vlorës. Anija nuk ju përgjigj thirrjeve në radio të bëra nga kapiteneria e Portit të Vlorës, e cila njoftoi QNOD për këtë situatë. Oficeri i Drejtimit në QNOD i kërkoi anijes së gatëshme të Rojes Bregdetare të imbarkojë grupin e bordingut dhe personel të Qendrës së Zhytjeve për të kontrolluar imtësisht anijen. Në ndihmë të grupi tonë të bordimit erdhi dhe grupi i bordimit të DDG-98. Kështu së bashku, djem të fortë shqiptarë dhe amerikanë zbatuan ligjin me forcë për të verifikuar peshkatoren. Gjatë verifikimit doli se një person nuk rezultonte në listën e ekuipazhit të peshkatores. Kështu ku person u ndalua në bordin e anijes dhe u lajmërua Forca Delta, e cila e shoqëroi personin e jashtëligjshëm në Komisariatin e Policisë Vlorë. Gjatë kontrollit nga grupet e bordingut u gjet një armë e fshehur në lokalin e kuzhinës dhe më pas lëndë narkotike në kallumin e anijes. Kështu që aksioni u forcua deri në bllokimin e peshkatores. Në këto kushte, bazuar në sendet e jashtëligjshme të gjetuar në anije, Oficeri i Drejtimit i QNOD, urdhëroi shoqërimin e peshkatores për në portin e Vlorës, me qëllim vazhdimin e procedurave të mëtejshme nga institucionet përkatëse. Drejtimi i stërvitjes u bë nga bordi i anijes “Butrinti” dhe Grupi i Drejtimit i QNOD. Në të dy skenarët e zhvilluar, u realizua praktikisht bordimi i anijes, plotësimi i listës së pyetsorit përkatës, bordimi në situata të ndryshme sipas shkallës së rrezikut, kontrolli dhe gjetja e armëve të fshehura, prangosja e personave shkelës të ligjit, teknikat e hyrjeve në lokale e kontrolli i ambienteve të anijeve, zbulimi i vendeve të fshehta në anije, i lëndëve narkotike, etj. Në fund u bë përfundimi i operacionit të bordingut dhe plotësimi i dokumentacionit përkatës. Ndjekësit dhe vëzhguesit e kësaj stërvitje specifike vlerësuan shkathtësinë, forcën, teknikat dhe guximin e treguar nga të dy grupet e bordimit për realizimin me sukses të kësaj stërvitje, e cila i realizoi me sukses objektivat e saj. Vlen të theksojmë se gjatë stërvitjes u komunikua në shqip dhe anglisht. Mbi të gjitha, gjatë stërvitjes u trajtuan dhe elementë të luftës kundër terrorizmit në det, problem kryesor për situatën e sotme. Por, aktivitetet e ekuipazhit të anijes DDG-98 dhe detarëve tanë nuk mbaruan me kaq. Ndërkohë që paradite zhvilloheshin aktivitete stërvitore dhe vizita në bordin e anijes DDG-98, mbasdite deri natën vonë, anijet e Flotiljes Detare shoqëronin për në portin e Vlorës, detarët amerikanë të cilët vizituan dhe shijuan bukuritë natyrore, historike dhe kulturore të qytetit të Vlorës dhe bregdetit të saj si dhe ushqimet tradicionale të kësaj treve. Pjesë e kësaj ishte dhe vizita në këndin {Cornerin}, amerikan të Vlorës, në bibliotekën “Shefqet Musaraj”, ku marinarët u njohën me punën e këtij këndi dhe dhuruan libra me përmbajtje të ndryshme. Njëkohësisht detarët amerikanë blenë dhurata, libra dhe suvenire të shumta në dyqanet e marketet e këtij qyteti. Gjithashtu një pjesë e marinarëve të anijes “USS Forrest Sherman”, zhvilloi vizita në qendrën arkeologjiko-turistike të Butrintit, në Apolloni dhe qytetin historiko-piktoresk të Beratit. Vlen të theksojmë kontributin që dha Autoriteti Portual i Vlorës i cili në bashkëpunim me Policinë Ushtarake të Qytetit zbatuan masa sigurie të parashikuara në këto raste. Por, mbi të gjitha ishte mikpritja dhe bujaria e qytetarëve dhe popullit të Vlorës, të cilët me sjelljen dhe qëndrimin e tyre bënë që detarët e “USS Forrest Sherman” të ndjehen si në shtëpinë e tyre dhe kjo vizitë të kurorëzohet me sukses. Para largimit drejtuesit dhe marinarët e DDG-98 shprehën mirënjohjen për mikpritjen dhe organizimin shembullor të kësaj vizite. Mëngjesin e datës 2 prill 2015, destrojeri i Flotës së 6-të, i shoqëruar përsëri nga anije të Forcës Detare Shqiptare u largua nga ujërat tona territoriale. I bëjmë me dije lexuesve se në lidhje me vizitën e sukseshme të destrojerit DDG-98, së shpejti do lexoni reportazhin e zgjeruar “Vlora hapi dyert dhe zemrën për marinarët e “USS Forrest Sherman”.
Kush është Destrojeri DDG-98.
DDG-98 është e 48 anije e klasit “ARLEIGH Burke”, me të cilët është pajisur Marina amerikane. Është destrojer me raketa, me aftësi të larta luftarake, i ndërveprueshëm dhe shumë dimensional, i destinuar për operacionet e paqes e sigurisë në det dhe krizave apo emergjencave detare kudo që ndodhin. Ka ndihmuar dhe në zhvillimin e operacioneve strategjike të Ushtrisë së SHBA. Gjithashtu ai mban kontakt, bashkëpunon e zhvillon stërvitje apo trajnime detare me aleatët e miqtë në Evropën Juglindore dhe Afrikën Perëndimore. DDG-98 u lëshu në ujë në tetor 2004 dhe filloi misionin në marinën e SHBA më 28 janar 2006. Ka këto përmasa, 509.5 x 66 foot, tonazh 9300 t dhe shpejtësi 30 nyje. Destrojeri DDG -98, mban emrin e Admiral Forrest Sherman, Ushtarak i lartë i Marinës së SHBA, i cili midis të tjerave ka shërbyer si Shef Ekzekutiv në stafin e admiralit Nimitz, 1943-1945, Komandant i Flotës Amerikane në Mesdhe, 1948-1949, Shef i Operacioneve të Marinës së SHBA, 1949-1951, etj.
****
U.S. Ambassador Donald Lu and Albanian Minister of Defense Mimi Kodheli, visited the USS Forrest Sherman ship anchored in Vlora. The navy is part of the U.S. Sixth Fleet, which enjoys a very active cooperative relationship with Albanian Navy. This relationship includes regular exercises between transiting U.S. Navy ships and Albania’s Navy. These exercises improve our interoperability and strengthen our common ability to provide maritime security in the Adriatic and Ionian Seas.
“The bond between our two navies is just one facet of the broad and enduring military-to-military relationship between our two countries, exemplified most recently by our shared service and sacrifice in Afghanistan as part of the enduring NATO mission there,” said Ambassador Donald Lu during his visit to the “USS Forrest Sherman” ship anchored in Vlora.
* Shefqet Kërcelli,bashkëpunëtor i Diellit nga Shqipëria
Vlorë, 31 mars-2 prill 2015.