• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Diaspora në SHBA- Dy shoqata shkrihen në emër të bashkimit të malësorëve

March 2, 2015 by dgreca

Fondi Humanitar “Malësia” përfundon aktivitetin e vet, bashkë me Shoqatën “Dedë Gjon Luli” formojnë Shoqatën “Malësia e Madhe”/
Nga Beqir SINA/
Duke shpresuar gjithnje per nje aktivitet me te intensifikuar dhe per unifikim të veprimtarisë sonë, komuniteti malesor i Nju Jork-ut vendos per bashkimin e Fondit Humanitar “Malësia”, shoqatës “Dedë Gjo’ Luli” dhe pjesen tjeter te komunitetit malesor, thuhet në fillim të dekleratës duke shtuar se :”Ne kete menyre Fondi Humanitar “Malesia” perfundon aktivitetin e vet te veprimtarise me se 20 vjecare. Anëtarët e Fondit tash e tutje do te vazhdojnë aktivitetin dhe veprimtarin e tyre dhe do te jene pjese e shoqates se posa formuar qe mban emrin: shoqata “Malesia e Madhe” ne Nju Jork”.
Puna e Fondit Humanitar “Malësia” ishte komplekse dhe preku shume sfera te shoqerise malesore e me gjere. Fondi Humanitar “Malesia” kryesisht u perpoq qe të zbuse hallet e motrave dhe vellezerve tonë ne Malesi. Prioritet per Fondin ishte arsimi i te rinjeve ku për 20 viete, Fondi shperndau më se 450 bursa studentore. Perpos kesaj, Fondi u angazhua edhe ne veprimtari të tjera qe i imponoi koha. Krahas arsimit, objektiv ky kryesor, Fondi mirrej edhe me asistimin e familjeve ne nevoje, sherimin e te rinjeve qe na u drejtun per ndihme, ndihmoi luften per clirimin e Kosoves, organizoi protesta në mbrojtje të të drejtave njerëzore për bashkëkombasit tonë, percolli jeten shoqeroro-politike ne Malesi, sponsoroi manifestime kulturore, promovoi vepra arti, organizoi darka perkujtimore e të tjera. Gjate 20 viteve pune intenzive te dalurat nga Fondi llogariten te kalojne 1 milion dollar amerikan.
Aktivitetet nuk ishin te kufizuara vetem ne Malesi, por sipas rastit e nevojave te paraqitura, jane shtrire edhe ne trojet tjera etnike. Puna jone asnjëherë nuk devijoi nga kauza kombetare per te cilen ishim percaktuar qe nga fillimi. Veprimtaria kishte impakt direkt ne familjet malesore dhe jeten e tyre, duke perjashtuar veprimet tjera te sherbimeve publike apo infrastrukturen qe ishte detyre e Qeverise. Fondi ka qene i hapur per cdo bashkpunim dhe ishte transparent ndaj cdo kontribuesi. Ne Fondin Humanitar “Malesia” u angazhuan nje numer i konsideruashem bashkatedhetaresh qe nuk kurrsyen as kohen as “xhepin” per t’i ndale ne ndihme vendlindjes.
Mesiguri gjatë veprimtarisë sonë kemi bere edhe gabime. Puna jone ka qene ne baza te vullnetit dhe deshires se flakte per te ndihmuar vendlindjen. Me mundesitë dhe aftesit tona dhe informacionin qe kemi marrë nga vendlindja jemi munduar qe sa me drejte t’i kanalizojme mjetet qe kemi pas ne dispozicion.
Krejt ky aktivitet nuk kishte qene i mundshem pa perkrahjen morale dhe materiale te strukturave te ndryshme te shoqerisë ku veproi ky Fond. Prandaj, jemi mirenjohes dhe falenderojme cdo individ qe ne menyre te ndryshme ndihmoi misionin e Fondit. Falenderojme qendrat fetare qe cdo here paraqiten, shpallen dhe muaren pjese neper aktivitetet tona. Po ashtu, falenderojmë te gjitha shoqatat ne diaspore qe kordinuan punët me Fondin, e posacerisht shoqaten “Malesia e Madhe” nga Detroiti dhe Fondacionin “Ded Gjo’ Luli” nga Nju Jorku. Falenderojme mas medien, TV Boin dhe portalin Malesia.org, ne vendlindje dhe ato ne diaspore, qe publikuan, shpallen vendimet dhe pasqyruan aktivitetet e ndryshme te Fondit. Falenderojme institucionet dhe individet amerikan qe materialisht perkrahen misionin e Fondit Humanitar “Malësia”. Jemi mirenjohes edhe per ata qe na dhane kurajo per keto dy dekada, duke dekoruar punen tone, ose shkruan letra perkrahese dhe pershendeten aktivitetin tone. Falenderohen edhe te gjite antaret e Kshillit drejtues e posacerisht ata qe i mbeten besnik Fondit prej themelimit deri ne fund duke bere te realizuar programin e tij.
Ne fund deklerata thekson se edhe nje here, pershendesim dhe falenderojmë te gjithe donatoret, dashamiret dhe simpatizuesit e Fondit Humanitar “Malesia” qe ne nje menyre apo tjeter ndihmuan dhe e bene te realizueshem kete aktivitet me se dy dekada.

Filed Under: Komunitet Tagged With: bashkohet, Beqir Sina, Dede Gjo luli, Malesia

DEDË GJO’ LULI

April 6, 2013 by dgreca

Ne Foto: Dedë Gjo’ Luli me bashkluftarët e vitit 1911. (Foto Marubi)/

NGA FRITZ RADOVANI*/

 Një emen që tue mos pasë pranë asnjë epitet nënkupton në Tè: Shqipninë, Flamurin, Malësinë, Hotin, Burrninë, Trimin e Traboinit, Nderën, Vetflijimin për Atdhe dhe, së fundit “shpifjet dhe harresën”…

            Kur mësuem këtë emen na dukej se bahej fjalë për një person që e kishim ndigjue dikund…ndoshta, ndër përralla, mbasi nuk kishim ide se një Malësor nga Hoti, mund të detyronte një sulltan Stambolli me i kërkue “marrveshje”…e ndoshta, edhe me e peshue me monedha ari.

Asnjëherë nuk shihej as Flamuri i Tij, edhe pse Foto Kel Marubi e kishte fiksue në xhamat e vjetër të studios së tij. Dikund ndër skuta të shtëpisë e kishim edhe një fotografi “të mbetun”, ma shumë se të ruejtun, mbasi kontrollet e vazhdueshme të sigurimit komunist kishin marrë me vete çdo foto që kishte një njeri me armë ose të veshun ushtarak. Për fat Deda ishte i veshun me çakçir…nuk ua pat tërheqë synin “vigjilent”!

Herën e parë këtë Emen e pata ndigjue nga një grue e veshun me rroba të zeza, që pat ardhë për vizitë në shtëpinë tonë, Ajo ishte jo aq plakë sa e bante shamija e zezë mbi kokën e Saj dhe Fëtyra e lodhun nga qendresa për mos me kja për vrasjet e djelmëve të saj, nga stuhija e ardhjes së komunistave me ernat rrënuese të Serbisë, që Ajo i njihte me kohë, kur ishte kenë vajzë e re. Ishte Katrinë Tomja…edhe sot kujtoj ata dy sy Shqiponje, apo të ndonjë sfinksi, nuk mund ta përcaktoj…por, pa i shtue asgja nga fantazia ime fëminore, ata ishin sa një filxhan kafje dhe të zez si futa, që i mbështillte Fëtyrën e skalitun si dikund ndër ato vepra arti që shfletojshe ndër libra, por gati… pa kuptue asgja…

Ajo i foli Nanës seme për qëndresen e Saj…se, “grueja apo vajza malësore e ka për turp me u pa një pikë loti tue i ra nëpër faqet e saj, kjoftë edhe për djalin e vetëm…”. Kjo bisedë që po bante Ajo, më tërhoq vëmendjen, mbasi nuk ishte larg nga koha e vdekjes së Babës dhe unë po mendojshe se cilit fis i përket Nana eme, që porsa zente me gojë emnin e Babës, i shkonin lotët rrëkajë…Kur iku, e pyeta Nanën pse nuk i shkonin lotët Asaj kur bisedonte për djelmët e vet të vramë nga partizanët dhe Nana, më tha shkurt: “Ajo asht një nga Burrneshat që ka luftue vetë me armë në dorë…ndër male kundër serbëve!”

Ma vonë jam kujtue përse ndër male nuk kjajnë femnat tona, se Atyne u asht pjekë syni nga duhma e barotit në beteja të rrebta përkrah Trimave të vet Malësorë!

Ishte viti 1961 kur pata fatin me kalue ndër duert e mija një nga gazetat ma të njohuna shqiptare, “Ora e Maleve”…aso kohe rrebtësisht e ndalueme me u lexue. Po për me dashtë me ditë kush asht kenë Ai Burrë me emnin Dedë Gjo’ Luli, aty mundesh me gjetë pikërisht ate që quhet esenca e veprës së tij e shprehun në pak rreshta, por e saktë, ashtu si të gjithë dokumentat që përfshihen ndër ato faqe. Sigurisht, tue lexue aty gjenë edhe fakte që janë ende të panjohuna, ose të lanuna më njëanë me qellimin e keq, që ma vonë…me u arkivue në “harresë”. Deri këtu do t’ ishte dishka edhe e pranueshme me rrugën e vështirë që vazhdon me ecë Historia e vertetë e Popullit Shqiptar, ende e pashkrueme, po ajo ma e keqja asht shtrembnimi i fakteve historike, gja që më ka shtye me u ulë  me shkrue këta pak rreshta për Mikun e shtrenjtë të të Parëve të mijë, që në ato ditë të Shenjta të Marsit 1911 ishin përkrah Dedë Gjo’ Lulit.

Dedë Gjo’ Luli asht le aty rreth vitëve 1840. Kur mungon data e saktë në artikujt e klerikëve, ajo datë asht e pamujtun me u gjetë! Edhe ata e tregojnë jetën e Tij nga goja e njerëzve të afërt të Dedës, në gazetën “Ora e Maleve”, dokument të cilit i jam referue pa frikë. Vendi ku çeli Shqipja Këte vigan asht Mali i Traboinit. Ishte djalë i vetëm. Gjithmonë Shqipnia ka pasë fatin e Saj me u mburrë me “rrelike” të vetme…

Koha e Miletit asht ajo që zen fillë emni i Tij, kur me Preng  Bibdoden, Çun Mulen e Hotit, Hodo Begun, të famshmin Marash Ucin e sa perla tjera të “Lahutës së Malësisë”, me të cilat At Gjergj Fishta pat vue në gjoksin e Nanës së vet Shqipni gjerdanin e artë të lavdishëm dhe të përjetshëm të Tyne, në betejat e përgjakshme kundër turkut…

Atëherë kur Hafiz Pasha i Turqisë së plotfuqishme u pat kërkue armët Malësorëve, bash ata “dreq” armësh me të cilat u ka dalë punë të gjithëve, derisa mbërritën me shpikë e me punue në shekuj për me u vue edhe emnin “kusarë gjaksorë”, Deda mori malet bashkë me disa Burra që “historia”e sotme e së shkretës Shqipni nuk i njeh, si Sokol Bacin, Smajl Martinin, Dedë Preçin, Keqa Prelen, Dulo Staken, që për dy vjet patën shkue ndër bjeshkë të Krasniqes, në shtëpinë e një tjetër emnit të “harruem”, Qazim Binakut. Po ku do të kujtoheshin këta emna, në cilin prej kapitujve të ngjarjeve të ndalueme kishin me u njohë nga Rinia Shqiptare, që edhe “këta” emna kishte mangut “me dijtë”…se pak ishin emnat e serbëve e të rusve, apo kinezëve ndër faqet e historisë sonë!!

Mbas formimit të Lidhjes së Prizrenit, qetësia e Perandorisë së Osmanllijve kishte marrë fund njëherë e përgjithmonë. Malësorët nuk i mbante ma as frika, as huni, as “premtimi”, prandej edhe lufta e tyne për Liri ishte ndezë në të katër anët. Flaka kishte përfshi Hotin, Grudën dhe Kastratin. Të gjithë kishin rrokë armët. Beteja ma e rrebta asht ajo që u ba në Traboin, në Qafën e Kishës dhe në Spi, ku Dedë Gjo’ Luli u pat tregue anmiqve të Shqipnisë se kush asht Shqiptari i “ringjallun”. Asht pragu i një Ringjalljes së Madhe, ku Malësori kishte marrë në çdo pikë gjaku nektarin e Atdhetarizmit dhe të Fesë së dhunueme ndër sa shekuj, nga “bletët puntore” me zhgunin e Shën Françeskut t’ Asizit, që nuk iu tutën as marrjes zvarrë mbas kuajve të pashallarëve, as hunjve të vumë ndër “shenjat e Kryqave”, ku nguleshin si kafshët për me mohue Fenë e Krishtit. Po rilindte një Popull i nëpërmkambun për mos me u shtrue dhe shue kurrma e, Ky ishte Populli Shqiptar, që trandi Ballkanin.

Ishte viti 1910 kur Trimi i Traboinit me vullnetin e Tij prej çeliku ndodhet mes kryengritësve të Malësisë së Madhe, ose si asht njohë ndër dokumenta, të Malësisë së Mbishkodrës, dhe len trollin e vet për mos me u kthye kurrma, me 29 Korrik.

100 vjet ma parë,.. Në vitin 1911 Kryengritësit Malësorë do të arrijnë me armët e tyne dhe me gjakun e Martirëve të Lirisë me shkrue fletën ma të lavdishme të Historisë mijëvjeçare të përpjekjeve për Liri, dhe mbi vorret e Atyne Martirëve me ngritë, mu në qendren e Ballkanit të salvuem nga osmanllijtë, Flamurin e Gjergj Kastriotit në Trojet tona Shqiptare, në Ata Troje ku Liria, Atdheu dhe Feja janë visaret ma të çmueshme dhe ma të dashuna për Ata, që kur lindin pagëzohen me Atë Emen që ndër shekuj mburojë ju bane Shqipnisë, e thirren Shqiptarë!

Ishte vetë prijsi i tyne Dedë Gjo’ Luli i pari që mori shpellat!

Janë 13 shtëpi, që mbas gjurmëve të Tij, u veshen Bjeshkëve të Triepshit e, mos harroni se janë 13 kulla që flakrojnë nën rrezet e diellit dhe të hanës e që shkelqejnë ndër tingujt e kangëve të Lahutës, tue mos dijtë me pasë kurrë mort! Po kujt t’i ruhej ma parë Burri ynë, a turkut apo shkjaut, kur hasmi na kishte rrethue në të katër anët? Malazezët arrijnë me e kapë dhe me e interrnue për gjashtë muej Dedën…Nuk dihet prej askujt se shka i patën dhanë me “pi” Atij Burri që kur u pat kthye prej andej, si dikur, ndër legjenda, Malësorët që e rrethonin ndër kuvende e beteja kanë tregue se damarët e kuq të gjakut iu patën ndërthurë rreth e qark trupit përbri shiritave të zez të çakçirëve, sa kush pat fat me e pa atë ditë të 24 Marsit të 1911, kur Ai u versul mbi anmikun, dukej bash si një Flamur Kuq e Zi, që valvitej prej eret e murrlanit, i lëshuem turr si stuhija me shkye me duert e veta kulshedren turke, apo anadollake siç e thirrte populli, poaq të tërbueme, që në disprim po merrte ikjen dikund nga ujnat e ngrohta të Azisë plakë. Ishte lëshue e nuk mbahej Dedë Gjo’ Luli. Hija e Tij u dukej e zhdukej ndër pallatet e Stambollit edhe vetë sulltanëve, që filluen me folë përçartë. Po si menduen ata se mund të kondendohej e të binte në paqë trupi i çuem peshë i Dedës me disa “lëshime” që mendoi me i ba për me mujtë me e zbutë Malësinë atëherë Turqija dhelpnake?

U bashkuen rreth Tij edhe 30 shtëpi, e jo vetëm nuk u pajtuen me mendimin e turqëve, por i patën fjalët e pakta dhe të kjarta si drita që ndriçonte ato maje: “Duem Liri të plotë për të gjithë Shqiptarët!”.

Bash si një thikë u pat ngulë fjala e Tyne në zemrën e kalbun të Sulltanit, që villte vner si gjysëmhana e flamurit tij kur ajo rroposte kombe e popuj…U pat mundue me lypë “gajret e derman” ndër haremet e veta, tue ua zhgulë prej fytit gjerdanat e diamantët e çmueshme lavirave të Bosforit, për me mujtë me “thye” Burrin e Traboinit, por nuk i banë “fajde”…Ishte kot, se as me i mbledhë të gjitha plaçkitjet që u kishte ba të gjithë popujve bashkë, nuk i delnin me thye Ate që tashma ishte çue në kambë e nuk ulej as ndër shiltet e tija me kuvendue. Nuk i bante syni vek as për pare, as për pasuni, a thue se Ky Burrë kishte le mu në pallatet e tyne i rrethuem në fildish…Nuk ia thente synin as refleksi i rubinit e as i diamantit të unazave të tyne, mësa i shponte zemrën fjala e tyne e dalun prej barkut, përzi në dishprim me helm, e shkrryeme ndër shilte…Të gjitha iknin e zhdukeshin me tymin e llullës së Malësorit tonë sikur të ishte tue ndigjue përralla pallatesh të kohës së “Nuhit”…

Asgja nuk e këthente Dedë Gjo’ Lulin nga rruga e Herojve!

Edhe konsulli i Turkisë në Podgoricë, i shtymë nga Bedri Pasha i Turkisë, i pat premtue një rrogë mujore prej 2500 lira turke Dedës, dhe me i sigurue një punë të mirë të birit, po as prej tij nuk u thye… Asnjë Shqiptar nuk besoj se di me marrë me mend sesi një Malësor pa plang e pa shtëpi, fukara që nuk kishte as bukën e gojës, arrin me u përgjegjë pa pikë frike dhe me plot gojë, e madje tue ngritë naltë edhe zanin e Tij:

“M’i thoni Pashës e Mbretit se nuk jam mish që shitet në krraba të kasapit. Ta dijë Mbreti se s’ ka aq pare sa me më thye!”

Kishte mjaft nga ata që dukeshin trima edhe para e mbas Dedës, po “trimnia” e tyne mbështetej nga siguria e karrigave e kolltukëve të tyne prej një forcës tjetër që mëshefej mbas tij…Ndersa Dedë Gjo’ Luli, jo vetem nuk kishte kolltuk as stol ku me u ulë, e as kurrnjëfarë sigurie mbas shkambit ku mbështetej me ba një sy gjum, por kur u pat ndodhë në duert e malazezëve, Krajl Nikolla i pat thanë: “Vend ma në Mal të Zi nuk ke”, e kuptohet se Krajli kishte mendue me ua lëshue në dorë turqëve, ashtu si kanë veprue me shumë Shqiptarë kur ia lypte interesi i vet, që i lidhte ma të fortit kur kishin në mes tyne një Shqiptar…

Po Deda çka u tha? A thue u frigue se nuk po gjente vend?

Ai u pergjigjë sikur të kishte përballë një turk:

– “Po shpellat a m’i pret?” Heu Zot na ruej…Pa u tutë atje shkoi dhe bashkë me trimat që e shoqnonin atje jetoi, mbasi Koka e Tij flinte ma e qetë e mbështetun mbi cung të lisit, se ndër jastekë puplash…

E ndoqën malazezët hap mbas hapi derisa e zunë dhe e patën çue në Danilograd, ku e mbajtën dy muej. Provuen me e lodhë dhe me shumë djallëzi u përpoqën me e ba për vete. Arritën deri aty sa vet Krajli i pat kërkue, mbasi vrejti se Deda nuk thehet, “Të lutem, nëmos djalin ma fal!”, sigurisht, ky ishte premtim por edhe peng! Deda, me një squtsi të madhe, arrijti me i dhanë përgjegje ate çka Krajlit as nuk i shkoi nëpër mend: “Djalin s’ia kam falë Mbretit as nuk kam me t’ a falë ty! Jemi të Shqipnisë unë dhe ai.” E jo larg kësaj ditë, me 29 Gusht, kur krahina festonte Festen e Bajrakut, në Fushen e Tuzit, Dedës i vritet djali i vogël 22 vjeç, tue luftue si Burrat me armë në dorë.

Tue shfletue fletët e historisë së asaj kohë lufta e përgjakshme e Malësisë së Mbishkodres filloi në Marsin e vitit 1911 dhe vazhdoi në të gjitha ato krahina të pathyeshme shekullore deri në fundin e Gushtit të vitit 1912, ku nuk duhen lanë pa u zanë në gojë edhe klerikët katolikë që morën rrugët ndër male bashkë me Malësorët e vet besnikë, tue fillue nga Famullitari i Kastratit At Mati Prennushi, Famullitari i Bajzës së Kastratit At Lorenc Mitroviq, Famullitari i Grudës At Buonaventur (Buon) Gjeçaj, Famullitari i Vuksanlekaj At Karlo Prennushi, Famullitari i Traboinit At Luigj Bushati e Famullitari i Rrapshës At Sebastjan Hila, të gjithë bajtës të Nderuem të zhgunit të Shen Françeskut t’Asizit. Këta fretën asnjë ditë nuk pranuen me jetue në mëshiren e malazezëvet, por iu drejtuen Argjipeshkvit të Shkodres Imz. Jak Serreqit, i cili pat qendrue dorjashtë për disa kohë, e ma vonë, me ndikimn e Imz. Luigj Bumçit dhe Don Ndre Mjedjes, Famullitar në Kukël, vunë në dijeni Vatikanin, njëkohsisht edhe me konsullin Austriak në Shkodër, u lidhën në Austri me Arqiduken Franc Ferdinandi, tue i vue në dukje prirjen politike të Kryengritjes së madhe të Malësorëve të Mbishkodrës.

Kleri Katolik Shqiptar që ishte ndër ato Malësi kishte arrijtë deri aty sa me deklarue se: “Në kjoftë se turqit përpiqeshin me depertue ndër rrethet kishtare malore, ata do të kryesonin rezistencën me Kryq në dorë.” (The Times, Wednesday, May 10, 1911.)

Tue u ndodhë para një vendimi të pathyeshëm, Imz. Serreqi kje nisë në Cetinë bashkë me At Gjergj Fishten, Luigj Gurakuqin dhe Don Ndre Planin, me marrë njoftimet e duhuna nga Legata Perandorake. Vendimet e Qeverisë Turke nuk u përfillën fare nga Malësorët, kështu gjendja u acarue edhe ma shumë, mbasi burrnisht nga ata u pat vazhdue pandërpremje lufta për Liri të plotë të Tokave Shqiptare.

Trimat e Malësisë nuk kanë kurrë djelm tepër, për mos me thanë se dhjetë me pasë krye vitit, e prap kanë mangut. Atyne u duhen ashtu si Zoti shpesh ua ka falë pambarim…

 

 


FLAMURI I GJERGJ KASTRIOTIT U NGRIT…

 

Kishin kalue jo vite, po shekuj kur Flamuri i Gjergj Kastriotit kishte ra nga Kështjella e Krujës Heroike dhe bashkë me Heroin tonë Kombëtar ishin vorrosë për me u kalbë. Shtërgata e robnisë turke kishte mbulue me brraka uji gjithë Trojet tona, ku shuhej çdo ditë çdo virtyt dhe shpresë e Shqiptarëve. Ishin përdhosë kështjella e kulla ku dikur ndër ato hatlla varej me madhshti Lahuta, martina e huta; tashma ishin ba vetem vende të shkreta ku këndonte qyqja e kulumrija…Ishin thye e ra përtokë deri ndër vorret e të parëvet Kryqat e drunit të lisit e të çamit. Deri poshtë ku derdhej gryka e lumit ishin shue shenjat e pushimit, vue nga dalta ndër shkambij. Shqiptarët, rrugë pa rrugë, përditë e ma shumë zhyteshin në humnerën e mjerimit e të padijes. Dhuna kishte shpërba edhe gurin e kthye në ranë, thonë disa, po vende-vende edhe në pluhun e baltë të kuqe nga gjaku me të cilin mbruhej e njeshej për thundra të kuajve të robnuesit, i cili krenohej ngallnjimtar mbi eshtnat e nxjerruna nga vorret e shpuplueme, të shkapërndame e të tretuna në të katër anët. Mbi kumbonaret e Kishave të vjetra monumentale ngrihej nalt një copë zhele robnije, që tregonte se mbi këte “minare” nuk do të ketë kurrma Kryqa, dhe se Shqiptarët nuk do të dijnë “asnjëherë” çka u pat mësue dikur Imzot Pal Engjulli i Drishtit, rrenuem e ba rrafsh me tokë. Ishte shue jo vetëm rrezja e dritës së shpresës për Liri, po edhe dielli ishte zanë nga një tymnajë e vransinë që njillte kob. Vetullat e burrave ishin bashkue e ba hulli si t’u kishte shkrepë rrufeja në votër e shkimë me farë e fis gjithshka që u kishte falë i Madhi Zot brez mbas brezi. Vetëm kelkaza aty-këtu çilte ndonjë lule e vyshkej nën ferrat e morrizat e pafarë që e patën mbulue këte Dhé të bekuem dikur,..ku, tashma as dallëndyshat nuk vinin në stinën e tyne, se as pranverë nuk kishte ma! Zhegu aziatik i kishte përvlue e zharitë si mos ma keq fusha e male e kthye në shkretinë, ku ndonjë gomar fatzi kryente sherbimet e deves për pushtuesin barbar. Edhe qentë e fshatit nuk lehnin ma, se portarja ishte thye natën kur ndër shtëpija kishte msy e mëshef pabesia e shnderimi i robnuesit përbindsh. Burri nuk mbante ma as gurin unur të trashiguem ndër shekuj me llullën e vet prej druni ku ishte ma i forti, daltue nga çobajt fatzez që rritnin desht për me ua shtrue sofrat rrumbullake “felëshuesëve”, të cilët shoqnonin ferlikun e rakinë me vallet turke e kangët mortore të tymosuna nga flaka e zbehtë e drunit të pishës, derisa dikur fillonte me dalë drita, e atëherë kujtoheshin për ndonjë pusi që kishin vue ditën ma parë, e në të zbardhun të dritës, edhe pse ishin të përgjumun, dilnin ndër prita e ashtu në kllapi, kishin ndigjue kushtrimin e ndonjë Malësori që kishte lajmërue se kishte lé një Djalë në oxhakun  e vjeter të Gjo’ Lulit…

E Baba i pat vue emnin Dedë, si ta kishte ditë se Ai Emen do të vinte dita e ka me u daltue me shkronja t’ arta!

Emen që u pat kallë mneren turqve e shkjeve, e besa, ma fort se askujt tradhëtarëve të Atdheut e të Fesë së Gjergj Kastriotit tonë.

Mbërrijti lajmi edhe ndër shtëpijat e vjetra të Shkodrës se Dedë Gjo’ Luli asht rritë e ba Burrë e madje edhe i fortë…Kishte ba konak e votra e Tij mbushë prej Zotit me djelm, me djelm të pashem e vigaj mali si Baba i Tyne, tashma në të shtatdhetat vjetë…E brezi i tyne vetëm vezullonte nga dorcat e armëve që rrethonin belin e drangojve. Sytë ua kishte dhurue Shqipja dykrenare! Mustaku i shndriste si thupra e sermit që dredhej mbi kronin ku buronte fjala e Burrit… Mbi sy binte vetem qeleshja e bardhë bilur si bora e majeve të Alpeve tona ku sundonte ende vetëm Shqipja e kurrkush tjeter nën çatinë e vume nga dora e Krijuesit!

Qielli hapej e mbyllej nga vetëtimat e asaj pranvere, që ç’mos kurrë, dishka donin me njellë e lajmërue n’ ato ana…Edhe dielli, që deri atëditë nuk kishte mujtë me shkri as boren mbi majet e atyne maleve, filloi me vezullue e me ra edhe mbi çatijat e shtëpijave, që kishin mbetë pa u shembë. Fyelli i barijve ndigjohej deri larg ndër pyjet ku strofullat e arijve kishin fillue me u shprazë, se edhe vetë bishat kishin marrë iken… Po, po, kishin fillue me marrë iken, se ndër male ku ishin shue fiset e dalë faret Burrat e Atdheut, armët e tyne ishin rreth brezit xhubletës e kishin zanë vendin e postavës e të sermit, që dikur diftonin nusninë e tyne që edhe ajo vyshkej sa djali shkonte ushtar i dhunuesit pashpirtë. Ata tashti ishin perkrah Burrave ndër male. Duert e tyne ishin ato që kishin rrokë dikur ata filiza, që tashti ishin ba Burra e marrë malet, e tash në krah të Atyne Burrave kishin rrokë armët e Lirisë së Atdheut! Ishte dikund andej Nora e Tringa, ishte Kupe Danja e ishte Shota, ishte mbarë vajznia e granija, ishin po lulet e zambakët e bardhë si bora, që kishin çelë edhe ata ndër gur’ e shkambij bashkë me vjollcat e pranverës së 1911…

Ishin Malësorët Shqiptarë, që i drejtonte një Dedë Gjo’ Lul!

Ishin, po, Ata Burra që kishin shpalosë e nxjerrë nga dheu një Flamur të balsamosun me gjakun e Heronjve e të ruejtun mbrendë thellë në vorrin e Gjergj Kastriotit, në atë Vorr që asht edhe sot, i ruejtun nga Ata besnikë të përjetshëm, që me duertë e tyne të Shugurueme tashti edhe Ata kishin rrokë Armën e Lirisë, Kryqin, e Arma e Lirisë në duert e Shugurueme me Bagmin Shejtë nuk përdhoset kurrma,.. kurrma!

Plasi Toka Arbnore e mbi një Shkamb me emnin Deçiq u vue një Flamur i harruem ndër shekuj. Vërtetë i harruem gati sa mos me u njohë, por i ruejtun dhe i mbrujtun me Gjak të freskët Herojsh, që me një guxim të pashoq, e nxorën nga Vorri i Shejtë, ku dhunuesi turk mendoi se aty e ka vendin, ku Ai do të kalbet e do të shuhet përgjithmonë.

 

100 vjet ma parë, me 6 Prill 1911…Me Dedë Gjo’ Lulin…

Mbarë Malësia me armë në dorë u rreshtue me e mbajtë nalt!

I madh e vogël pa kursye as jeten e vet u banë mburojë!

Atdheun filloi me e rrah flladi i freskët i Lirisë!

Fitorja e shpërblyeme me gjak ndër shekuj erdhi!

Urata, lutja, kanga e falnderimi ndaj të Madhit Zot s’ pushonin!

Secili, sa kishte forcën, me një kurban i rrinte pranë shtizës…

Pikë lotit nuk shihej n’ Atë vend, veç gaz e hare në sytë e Atyne Burrneshave që këndonin e shkrepshin armët…

Edhe gratë me të zeza e gjetën një “shenjë” me u gazmue!

Aty pranë në trungun e një gështenje gjuhej në shej një kapicë…

Sa andej këndej kriste bataria e Malësorëve e zanet ma  të forta e të fuqishme thenin heshtjen shekullore me ushtimën e tyne ndër ato maje malesh, tue jehue e tue u derdhë me jone hyjnore drejt Qiellit paster me një Kushtrim të pafund, që zbriti ndër ato lugina të prarueme e u bashkue me valët e dallgët e harrlisuna të Adriatikut…tue zgjue mbarë një Europë:

“Oooo… Burra bre… çonju se Flamuri i Gjergj Kastriotit u ngrit edhe njëherë në Tokën Arbnore!…”

Ai u ngrit për mos me zdrypë kurrma,..kurrma!

Tingujt e Lahutës…vazhdonin Kangët e veta…

(Pjesë nga libri “Dedë Gjo’ Luli” në 100 vjetorin e ngritjes së Flamurit, nga F.Radovani)

Melbourne 2011.)

Filed Under: Histori Tagged With: Dede Gjo luli, Fritz radovani

DEDE GJO LULI, PRIJESI I KRYENGRITJES SE MALESISE

December 9, 2012 by dgreca

Ded Gjon Luli, udhëheqës i Kryengritjes se Malesise  dhe gur themeli i Pavarësi së Shqiperise/

NGA AGE IVEZAJ/

….Kontributi i   Malësisë  së  Madhe  ne  shtetformimin e shtetit shqiptare dhe shpadhjes se pamvarsise  me 28 Nentor te vitit  1912,  u  drejtua  me largpamësi  e  guxim   të  pa  shoq  nga  krye-trimi  i  këtyre  zonave  malore,  Dedë  Gjon  Luli,  i  cili  u  mbështet   fuqimisht  nga  luftëtarët  e  tijë  trima.  Kjo  ishte  përpjekja  mbinjerëzore  e  burrave    kryengritës  që  luftuan  si  luanë  ditë  e  natë,  duke  u  hedhur  nga  njëri  shkëmb  në  tjetrin   për  të  dëbuar  pushtuesit  e  hordhive  osmane.  Ata  ishin  të  vendosur  dhe  luftuan  me   trimëri  duke dhene edhe jeten e tyre,  të  frymëzuar  prej  idesë  së  madhe  të  Plakut  të  urtë  të  Vlorës  për  pavarësi  të  trojeve  tona  Etnike;  duke  vënë  të  gjithë  së  bashku,  gurë-themelet   në  shtetin  e  parë dhe  të  lirë  demokratik  Shqiptar.  Kjo  datë  e  shënuar  historike  i  bën edhe  më  krenarë  malësorët  e  Malësisë  së  Madhe,  nga  që  e  kaluara  e  tyre  është  e   mbushur  me  shumë  trimërira  të  pa  shoqe,  por  edhe  disi  ndryshe,  me  një  dhimbje  të  thellë;  sepse   ndihen  të  ndarë  nga  vëllezërit  e  tyre,  të  cilët  janë  shqiptarë   dhe jetojne ne trojet e tyre etnike , por jane nen peshtet te huaj,  të shkëputur  nga  shteti   amë. Ne  shqiptarët  kemi  historinë  të lavdishme. Cdo pellembe toke eshte mbrojtur me gjak, kemi bere lufte te pabarabarte , por te drejt per te mbrojte me cdo kusht, trodhin dhe gjakun tone shqiptare. Pushtuesit,  armiqte  tonë  shekullorë  osmane  ishin te  pa   mëshirshëm  ndaj  nesh, edhe me te tmerrshem ishin fqinjet tone sllavë, te cilet uzurpuan trojet tona dhe lane te parealizuar  te  amanetin  e  të  parëve  tonë,  që  ranë   dëshmorë  për  bashkimin  e  trojeve  tona  duke  u  flijuar  për  këtë  tokë  e  flamur  të  kuq  me shqiponjën  dy  krenare  në  mes. Sepse   Malësia  e  Madhe  e Dede Gjon Lulit  dhe   gjysma  e  të  gjitha  trojeve  shqiptare,  mbetën  të  shkëputura,  apo  sikurse  thuhet:   « Pjesët  më  të  mëdha  të  trupit  që  rrethojnë  zemrën  shqiptare,  janë  të  shpërndara  nëpër   shtete  fqinjë  të  ballkanit.”

“Dedë  Gjon  Luli,  asht  pushkë  e  ngrehun  për  shqiptari”;  kështu  e  pati  quajtur   Ismail  Qemali  në  ditën  e  shpalljes  së  pavarësisë  në  Vlorë.  Ndërsa  Bamir  Topi   (Presidenti  i  Shqipërisë)  në  kremtim te  jubileu te 100,  vitin  e  kaluar  në  Shkodër,  i dha epitet te ri  udhëheqësit  te  shquar  të  Malësisë  së  Madhe:  “Shtizë  e  Flamurtë”.  Kryengritja   e  Malësisë  së  Madhe  nuk  ishte  një  kryengritje  lokale,  e  5  ose  7  maleve  të  malësisë,   por  e  të  gjitha  maleve  të  mbi  Shkodrës  e  nën  Shkodër,  e  cila  u  krye  sipas  idesë  së   madhe,  rreth clirimit dhe bashkimit  të  trojeve  tona  shqiptare,  duke  koordinuar  bashkëluftimet  me   forcat   kryengritëse   të   Kosovës,   të   udhëhequra  nga  Isa  Buletini,  Bajram  Curri,  Hasan   Prishtina,  Idriz  Seferi,  Shota  e  Azem  Galica  etj;  të  prirë  edhe  nga  intelegjeca  patriotike   shkodrane  me  në  krye:  Hilë Mosi,  Luigj  Gurakuqi,  Risto  Siliqi,  At  Gjergj  Fishta,  Ndre   Mjeda  etj.

Dedë  Gjon  Luli  ishte  organizatori  i  parë  i  kryengritjes.  Që  në  fillim  të  sajë,   njëzetë  djemtë  e  përzgjedhur  për  luftime  nga  zonat  hotjane,  sulmuan  me   shpejtësi të   rrufeshme  postet  kufitare  në  Traboin  e  Rapsh  dhe  i  muarën  ato  brenda  një  kohe  të   shkurtër.  Këta  trima  ishin  të  prirë  nga  vendosmëria  e  luftës  për  Liri  e  pamvarsi,  ushëtima  e  krismave  të  pushkëve  të  tyre,  çoi  menjëherë  grumbullimin  e  mbi  3.000   burrave  të  maleve  tona,  të  cilët  u  reshtuan  që  në  fillim  në  rradhët  e  trimave  të    Malësisë  së  Madhe.  Lufta  në  Bratilë , Shipshanik,   Qafë  të  Ugles,  Rapsh  e  Qepur,  ishte  vetëm  një   pjesë  e  fronteve  të  përgjithëshme  që  kishin  përfshirë  të  gjitha  malet  e  malësisë  veriore   të  Shqipërisë.  Bëhet  rezistencë  e  vazhdueshme  edhe  kundër  sulmeve  të  Durgut   Pashës,  i  cili  kishte  sulmuar  në  prapa-shpinë  Këlmendin  e  Shalën.  Nëpër  shkëmbijtë  me   thepa  të  këtyre  maleve  të  larta  të  Shqipërisë   bënin  luftime  të  rrepta  edhe  kryengritës  të  tjerë,   sikurse  ajo  e  udhëhequr  nga  “Gjenerali”  Shqiptari  i  vendosur  për  të  fituar  Lirinë;  Trimi  i   pamposhtur  i  Dukagjinit,  Mehmet Shpendi.

“Kenkan  nisë  e  n’Shkodër  ra,  /  Kenkan  nisë  po  n’ Plan  me  shkue.  /  I  paskan  gri   edhe  coptue,  /  Me  dorë  t’vet  i  ka  tradhtue!  /  T’enjten  mbrama  u  ba  kërdija;  /  Mbet   Mehmet  Shpendi  e  Marash  Delia.”

Në  kuadër  të  kryengritjeve  të  mëdha  që  populli  ynë  i  zhvilloi  për  çlirimin  dhe   bashkimin  kombëtarë,  u  udhëhoqën  nga  idetë  e  çmuara  te  Ismail  Qemalit  dhe  Dedë   Gjon  Lulit.  Kryengritja  e  Malësisë  së  Madhe,  kishte  kurdoherë  para  syve  të  vet,  boshtin   e  sajë  kryesor  për  rishpalosjen  e  flamurit  të  Gjergj  Kastriot – Skëndërbeut,  i  cili  u  valëvit   përsëri  i  lirë  e  krenar  dhe  ribashkoi  të  gjithë  shqiptarët  pas  robërisë  së  gjatë  467   vjeçare;  me  qëllim e  mirë  që  jo  vetëm  të  mbahej  lart  morali  i  udhëheqësve  dhe   malësorëve  trima  të  Shqipërisë  veriore,  por  edhe  t’iu  tregojë  pushtuesve  barbarë  turq   dhe  armiqve  të  shteteve  fqinjë  që  ishin  bërë  si  bisha  të  tërbuara,  për  të  na  vrarë   e  për  të  na  shkëputur  pjesët  më  të  mëdha  nga  trojet  tona  etnike;  të  cilat  janë  të  vërteta  të  pa  mohueshme  të  popullit  shqiptar;  troje  tona  të  lashta  Pellazgo-Iliriane.  Dedë  Gjon    Luli  e  udhëhiqte  vegjelinë  e  vet  dhe  arriti  fitore  pas  fitoresh  në  sajë  të  ideve  dhe  bashkëpunimit  me   lidhje  e  kordinime  të  forta  e  të  sakta  në  të  gjitha  revoltat  e  krahinave  të  Shqipërisë;  gjë   që  më  së  miri  e  dëshmon  edhe  Kuvendi  historik  i  Greçës,  i  mbajtur  me  23  qershor  të  vitit   1911;  në  të  cilën  u  dëshmua  zhvillimi  i  lëvizjeve  në    kordinim  me  formimin  e  ndërgjegjes   nacionale,  e  cila  u  shpreh  qartë,  nga  përgjigja  që  i  dha  prijësi  i  tyre  përfaqsuesit   diplomatik  të  turqisë  në  Cetinë,  Sefedin  beut,  në  kohën  kur  diplomatët  turk  dhe  ato  serb   kërkonin  t’i  largonin  malësorët  nga  synimet  e  çlirimit  të  kësaj  krahine.  Kryengritësit  ishin   për  me  ruejt  te  pa  prekuna  trojet  e  Malësisë;  sikurse  për  të  gjitha  zonat  e   Shqipërisë.    Rritheksojmë  se  triumfi  fitoreve  u  udhëhoq  me  zgjuarsi  e  trimërira  të  pa  shoqe  nga  Ded   Gjon  Luli,  dhe  se  kryengritja  ishte  e  zjarrtë  dhe  e  pa  ndërprerë  nga  përpjekjet  e   vazhdueshme  të  luftëtarëve  malësorë  dhe  u  përkrah  pa  mëdyshje  nga  i  gjithë  populli   Shqiptar  për  të  jetue  të  lirë  në  trojet  tona  të  trashëguara  nëpër  shekuj.  Për  këto  arsye,    morën  pjesë  edhe  paria  përparimtare  e  Shkodrës,  si:  Luigj  Gurakuqi  dhe  Im  Zot  Bumçi   etj,  por  kishte  edhe  përfaqsues  nga  lidhjet  dhe  kuvendet  e  Kosovës.  Erdhi  vetë  Ismail Qemal  bej  Vlora, i cili  një  vit  më  vonë,  e  shpalli  botërisht  Pavarësinë  e  Shqipërisë  në   Vlorë.  Kuvendi  i  Greçës  doli  me  një  plan  mbarë  kombëtarë,  i  hartuar  nga  Ismail Qemali,  Hasan  Prishtina  e  Luigj Gurakuqi,  dhe i’u  paraqit  qeverisë  xhonturke,  (turqëve  të   rrinj)  pushtuesve  sllave dhe  fuqive  të  mëdha.  Madje  shtypën  një  broshurë  më  vehte,  të   cilën  më  vonë  e  quajtën:  ”Libri  i  Kuq”.  Memorandumi  i  Greçës,  pati  jehonë  të  madhe,   sepse  doli  dhe  u  vulos  nga  vetë  populli  për  tu  dalë  zot  trojeve  shqiptare.  Kryengritjes së  Malësisë  së  Madhe,  i’u  caktuan  t’i  prijnë  në  krah  të  Dedë  Gjon  Lulit  edhe  Mehmet   Shpendi,  Nikë  Gjelosh  Luli,  Marash  Gjeloshi,  Dedë  Luli,  etj.  dhe    kishte  në  gjirin  e  vet,  gati  10,000  luftëtarë,  të  cilët  çliruan  Tuzin,  Koplikun  dhe  më  pas    u  afruan  drejt qytetit  të  Shkodrës.  Ngritja  e  Flamurit  Shqiptar  në Deciq  të  Malësisë,    ishte  kulminacioni  i  kryengritjes  në  Malësi  të  Madhe.  Ajo  kishte  për  qëllim  kryesor,  ti  jipte  fund  robërisë  shekullore,  për  të  gëzuar  lirinë  dhe  pavarësinë territoriale shqiptare si  Komb  e si  Shtet  i  pavarun  Shqiptar.

Dedë  Gjon  Luli  luftonte  për  Liri  bashkë  me  trimat  e  vet  të  pa  thyeshëm,  së   bashku  me   trimëreshat  e  Hotit e Grudes,  të  cilat  luftuan  krah  për  krahë  me  burrat,  si:  Tringa   e Smajit  e  Nore  Kolja. Me trimeri te pashoqe luftonin  Baca Nika, Tome  Nika  e Gjel Caku nga Trieshi,  dy te fundit bien deshmore ne fushe te betejes bashk me shume luftare malsore te tjeren qe

Qe u perjetsuan ne altsrin e atdheut. Betes se pergjakshme ju bashkangiten djemte  e  rinj  të  Grudës;  Dedë   Nika  e  Zef  Prela  me  shokë bashk me trimat hotjan, por  edhe  malësorë  të tjerë  që  u  flijuan  afër  Koplikut e te  Prroni  i  Thatë  dhe  Qafa  e  Ugles.

Trimat  e  Kojës,  shtatë  prej  të  cilëve  ranë  në   përleshjen  e  betejës  së  Deçiqin  legjendar.  Trima  të  Kelmendit,  Kastratit,  të  Shkrelit  e   Shalës  me  prijësat  kryengritës  të  pa  mposhtur;  Mar  Lulen,  Dasho  Shkreli,  Vocerr  Bala  e   të  tjerë.  Për  të  mbrojtë  këto  troje  shqiptare,  ishin  betuar  prijësit  e  bajraqeve  të   Malësisë,  Hot  e  Grudë,  në  Kastrat  e  Këlmend,  Shkrel,  Triesh  e Kojë; ne kryengritje popullore ishin  perfshi  edhe  viset   te tjera si:  Shala,  Shoshi,  Krasniqe  dhe  Nikaj  e   Merturi.  Shpalosja  e  flamurit  kombëtar  të  kuq  me  shkabën  dy  krenare  mbi  shkrepat  e   Deçiqit  me  6  prill  të  vitit  1911,  ishte  një arritje e  përbashkët, ishte  kulminacionin vetdijes dhe  rilindjes  sonë   kombëtare.  Më  vonë  me  kryengritësat  malësorë  u  bashkuan  edhe  shumë  shkodranë,   dukagjinas,  mirditorë  e  kosovarë;  dikush  me  pushke  e  dikush  me  pendë,  dhe   disa  me   të  dyja,  sikurse;  Risto  Siliqi,  Hil  Mosi ,  Luigj  Gurakuqi, Nikolle Kacorri  dhe  shumë  e  shumë  të  tjerë,  që   e  lartësuan  epopenë  e  kryengritjes  së  Malësisë  së  Madhe qe coi ne pamvarsine e Shqiperise nje vit me vone, me 28 Nentor 1912.  Atë Gjergj  Fishta  në   kryeveprën  e  tijë  letrare,  “Lahuta e Malësisë”  i  kushtoi  njërën  nga  poezitë  më  të  bukura,   Kryetrimit  të  Malësisë  së  madhe,  Dedë  Gjon  Lulit  dhe  bashkë-luftëtarëve  të  tijë.

 

Karakteri  çlirimtar  i  kryengritjes  ishte  kryesisht  i  drejtuar  kundër  regjimit  Otoman,po e edhe shteve fqinje.   Me  këtë  kryengritje  popullata  shqiptare  e  këtyre  viseve,  tronditi  përfundimisht  themelet  e   Perandorisë  Otomane,  e  cila  ishte  në  çastet  e  fundit  të  jetës,  dhe  kur  po  jepte  shpirt;  i’u  shtuan  edhe  goditjet  e  pa  ndërprera  të  këtyre   kryengritësve   trima   të  viseve  shqiptare.  Vetë  Shefqet  Pasha  ishte  i  detyruar  të  pohonte  me  anë  të  një  shkrese  para   padronëve  të  tijë  se:  “Edhe  përkundër  represales  sonë  të  vazhdueshme,  dhe  në   mënyrën  më  të  vrazhdët  për  të  mbytur  zërin  e  kryengritësve   shqiptare;  ata  i  kanë  dalë   zot  çdo  shtëpie  e  çdo  shkëmbi.  Shqiptarët  e  bashkuar  po  na  habisin  për  ditë  e  më   shumë  me  gatishmërinë  e  tyre  për  të  rënë  kurban  për  lirinë  dhe  vatanit  të  tyre!”.

Të mos harojmë  për  as një çast  se  kryengritësit  malësorë  ndodheshin  në  mes  dy   zjarreve.  Në  njerën  anë  bënin  luftë  të  pabarabartë  me  taboret  e  ushtrisë  së  madhe  turke,  e  cila   kishte  armatimin  më  të  përsosur  për  kohën,  dhe  në  anën  tjetër,  Mali i Zi me  në  krye   mbretin  dhelpnak  të  quajtur  Nikollë,  bënte  ç’mos  për  te  sabotuar  këtë  kryengritje;  duke  përdor  premtime  e  dredhina, duke  futur  përçarje  në  mes  shqiptarëve.  Pasi  nuk  ia   arriti  me  lajka  këtij  qëllimi,  mbreti  Nikollë  gjoja “u  urtësua”  i  bëri  thirrje  Dedë  Gjo  Lulit,  që  të  hynin  bashkë  në  luftë,  por  me  flamurin  e  tyre  serbo-malazes  dhe  së  bashku  ta  sulmonin  Turqinë.  Dedë  Gjon  Luli  e  njihte  mirë  politikën  dredhuese  të  shteteve  fqinjë,  dhe  kësaj  thirrje,  Burri  i  Malësisë  i  dha  përgjigjen  e  merituar:  “Jo  besa,  pa  ju  e  kemi  fillua  luftën   dhe  pa  ju  do  ta  mbarojmë,  se  nuk  duam që  lirinë  t’ia  kemi  borxh  kërkujt;  duam  me e fitua  me  gjak  dhe me e  gëzuar  vetë !”… Qeveria  e  Sërbisë  mbajti  qëndrim  edhe  më   të  ashpër  e  armiqësor.  Ajo  ushqente  lakmitë  dhe  aspirtat  e  kahershme trritoriale   për  trojet  tona   etnike.  Kishte  qëllime  më  të  zeza,  që  ti  zbrazë  ato;  ti  përzente  shqiptarët  nga  trojet  e  tyre mijvjecare;  ti  pushtonte,  e  ti  zhdukte  udhëheqësit  shqiptarë,  dhe  pastaj… t’i  uzurponte  lirshëm  të  gjitha  ato   troje  që  i’a  kishte  lakmi dhe me cdo kusht done ti marrte, me vone, fatkeqsisht ,ketij qellimi do t’ja arrij me diplomaci.Për  këto  intriga  e  plane  gllabëruese,  ata  i  bënin  llogarite  mirë   me  sulmime  befasira  të  t’merrshme;  makabre!  Dhimbje  e  sakrifica  të  pa  numërta  që  populli  ynë  i  perjetoi   me  shume  vuajtje.  Armiqtë  dëshironin  të  na  ngulnin  thikën  në  palcë  pas  shpine,  dhe  së   fundi,  shpresonin  se  do  të  vinte  ajo  ditë  ku  gjoja  në  emër  të  paqes,  do  të  vendoseshin   edhe  kufijtë   “e  rinjë”  të  një  marrëveshje  që  mizorisht;  na  coptuan  pjesën me  të  mëdha te   trojeve  tona  shqiptare, ndane gjysmen e territoret shqiptare ne mes te shteteve fqinje.

Kryengritësit  e  Malësisë  arritën  të  valvitin  të  lirë  Flamurin  Kombëtar  kuq  e  zi  me shqiponjën  dy  krenare  në  mes,  në  një  pjesë  të  territorit  të  tyre  që  u  çlirua  me    sakrifica  të  mëdha.  Edhe  pse  për  një  kohë  të  shkurtër,  lufta  mori  hov  në  të  gjitha  trojet   shqiptare,  dhe  nuk  u  ndal  derisa  një  vit  më  vonë,  plaku  i  urtë,  Imail  Qemal  beu  i   Vlorës,  nga  ballkoni  i  godinës  pranë  sheshit  të  skelës  detare  në  Vlorë,  ngriti  Flamurin  Shqiptar  të Gjergj Kastriotit-   Skënderbeut  dhe  e  shpalli  Pavarësinë  e  Shqipërisë.

Amaneti  i  të  parëve  tonë;  Naum  Veqirharxhit,  Kristoforidhit,  i  Petro  Nini  Luarasit,  i   tre vëllezërve Frashëri, Fan Nolit e Konicës, Ismail Qemalit e Dedë Gjon Lulit, Isa Buletinit e Luigj  Gurakuqit, Nikolle Kacorrit, Hasan  Prishtinës  e  Bajram Currit,  Smail  Martinit  e  Baca  Kurtit,  Ndre   Mjedës  e  At  Gjergj  Fishtës,  Çun  Mulës,  Ali  Pashë  Gucisë  e  Haxhi Zekës,  Idriz  Seferit, Shote  e  Azem  Galica,  Prenk  Calit  e  Jakup  Ferrit,  Bajo  e  Çerçiz  Topullit, Isa Boletinit  dhe  i  shumë  e  shumë  burrave  të  tjerë  që  u  flijuan  në  altarin  e   atdheut;  fatkeqsisht  as  sot  pas  100  vjetëve,  nuk  u  është  përmbushur  qëllimi  i  idealit  të   tyre,  për  deri  sa  trojet  shqiptare  janë  ende  të  shkëputura  nga  trungu  i  Shqipërisë.

Në këtë vit jubilar të 100 vjetorit të  shpalljes së Pavarësisë  së  Shqipërisë,  shqiptarët me gjithe hallet  e shumta qe ballafaqohen,  kanë  përparuar  dhe jane krenare per te arriturat e tyre si më kurrë  me  parë, po shkojne perpara me hapa te sigurte kah Evropa e perparua pjese e se ciles jane, me Shqiperin ne Nato si dhe krijimin e shtetit te ri Kosoves se lire, e te pamvarun.Le te shpresojme qe se shpejti ndergjegja dhe politika shqiptare, ne te dy shtetet shqiptare Shqiperine dhe Kosoven, te bashkpunojne, bashke me  diasopra shqiptare neper bote, dhe te realizojne  bashimin e kombit shqiptare, njehere e pergjithe te korrigjohen gabimet historike qe eshte bere ne kurriz te popullit tone.Ne shej nderimi perulemi para herojtë  te te gjitha kohrave,që u flijuan dhe me gjakun e tyre vune gur themelet e atdheut tone, Shqiperise, lavdi u qofte dhe i perjetshem qofte kujtimi i tyre. Gezuar 100 vjetori i Pamvarsise se Shqiperise. Gezuar dita e flamurit . Uroje qe ne nje te ardhme shpejt te festojme bashkimin e kombit tone.

Age Ivezaj (Univeriteti i Prishtines. Fakulteti: Gjuhë – Letërsi) New,York,2012

 

FUQIZUAR  NGA  LITERATURA:

Libra nga “Historia e Shqipërisë”.

Libra nga “Historia e Kosovës”.

Nga koleksioni:  Revista “Jeta Katolike”. NY.

Nga faqet e gazetave:   Gazeta; “ILLYRIA”. NY.

Nga faqet e gazetave:   Gazeta ; “Dielli” NY.

Nga faqet e gazetavet:  Gazeta; “Bota Sot”. NY.

Libri:  “Kombi”.  NY.

“Visaret e Kombit”. Tiranë,  vëllimi parë, 1937.

*Kumtese e paraqitur ne Konferencen e organizuar nga Akademia e Shkencave shqipetare-amerikane  ne NY, me rastin e 100 vjetorit te Pavaresise

Filed Under: Histori Tagged With: Age Ivezaj, Dede Gjo luli

  • « Previous Page
  • 1
  • 2

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT