• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DEDË GJON LULI – NJË KUJTIM I BJERRUR

September 25, 2020 by dgreca

Shkruan: Frank Shkreli- Na ishte njëherë një Ded Gjon Luli!  Por po të vërejmë se si kujtohet ai sot nga shqiptarët, me rastin e vrasjes së tij 105 vjetë më parë nga forcat serbo-malazeze, njeriu kollaj mund të vijë në përfundim se ai nuk ekziston më në memorien e kombit të vet, si njëri prej figurave më të dalluara kombëtare të historisë së shqiptarëve. 

Historia e kombit shqiptar gjatë shekujsh është përballur vazhdimisht me pengesa të llojllojshme të cilat kanë bërë të pamundur bashkimin shpirtëror dhe kombëtar të Shqiptarëve.  Ishin këto pengesa të vjetra e të reja, sipas orekseve të rastit, të armiqëve të shqiptarëve, por të cilat ishin shumë më të rënda se pengesat me të cilat janë përballuar kombe të ndryshme të Ballkanit dhe të Europës, në rrugën e tyre drejtë bashkimit kombëtar.  Megjithë këto pengesa — dëshira dhe ndërgjegjia e shqiptarëve për liri dhe bashkim kombëtar nuk u shua kurrë.  Por megjithë pengesat historike për bashkimin e shqiptarëve, historia ka plot raste personalitetesh kombëtare që janë dalluar për veprimtarinë dhe luftën e tyre për bashkim shpirtëror dhe kombëtar të shqiptarëve.  Njëri prej këtyre figurave më të dalluaraa është Ded Gjon Luli nga Malësia e Madhe.  Me 24 Shtator 2020 u mbushën 105-vjetë nga vrasja tradhtisht e tij. Ishte 24 Shtatori, 1915 kur mbaroi njëri prej kreshnikëve më të shquar të kombit shqiptar.

Megjithëse – në mungesë të kujtimit të kësaj date dhe të këtij heroi të kombit, nga faktorët zytar shqiptarë – përpjekja ime modeste për të kujtuar këtë burrë të maleve tona – më duket krejtësisht si një përpjekje e bjerrur, por nuk po mundem të kursehem pa i thënë dy fjalë, me këtë rast.

Dedë Gjo’ Luli ishte prijsi i kryengritjes së Malësorëve kundër Perandorisë Osmane, kryengritje e cila çoi në ngritjen e flamurit kombëtar për herë të parë në trojet shqiptare, ç’prej kohës së Gjergj Kastriotit — Skënderbeut.  Sipas historianëve, kryengritja e Malësorëve, në krye me Ded Gjo’ Lulin kundër otomanëve dallohej nga kryengritjet e tjera të shqiptarëve — mbi të gjitha — për nga karakteri mbarëkombëtar që e frymëzonte atë, që më në fund, tërhoqi edhe interesimin dhe mbështetjen e Ismail Qemalit dhe Luigj Gurakuqit.  Pasi angazhimi dhe lufta serioze e Malësorëve me Ded Gjon Lulin tërhoqi vëmendjen e tyre, ata shkuan për tu takuar me malësorët e Ded Gjo Lulit dhe si përfundim përpiluan, atë që njihet si, “Memorandumi”, i cili përmbante kërkesat mbarëkombëtare të Shqiptarëve për një Shqipëri me administratë, gjuhë dhe buxhet të vetin.  Memorandumi në fjalë ishte, në të vërtetë, një pasqyrim i kërkesave të gjithë shqiptarëve për vetadministrim.  Kërkesa kryesore e Ded Gjo Lulit dhe e malësorëve të tij, ishte se Shqipëria, vetëm “donte vedin me sundue”.

Lufta e tyre kishte qëllime, kryekëput, mbarëkombëtare.  Si frymëzuesi i këtyre përpjekjeve gjithë kombëtare, Ded Gjon Luli mbetet edhe në këtë 105-vjetor të vrasjes së tij — një simbol mbështetës i përjetshëm i idealeve dhe i bashkrendimit të interesave dhe të fateve, afat-shkurta dhe afat-gjata, të trojeve etnike shqiptare

për bashkim.  Për më tepër, Dedë Gjon Luli duhej të konsiderohej edhe si njeriu që ndërkombëtarizoi çështjen shqiptare, në atë kohë. Si përfundim i luftërave të malësorëve për liri, gazetat europiane të kohës shkruanin për Shqipërinë dhe shqiptarët, jo më duke përdorur një fraza të zbrazta gjeografike, por shkruanin për një popull që ishte në prak të lirisë dhe të çlirimit nga zgjedha shekullore e pushtimit turk: për një popull i cili dëshironte bashkim të trojeve të veta etnike — ndër më homogjenet në Europë– pasi si sanxhak ottoman, Shqipëria ishte e ndarë në vilajete dhe administrohej nga një sistem i egër otoman.  Për më tepër, Kryengritja e Malësorëve, në krye me Ded Gjo’ Lulin, frymëzoi edhe kryengritjet e tjera mbarë shqiptare në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare, duke çuar më në fund në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë me 28 Nëntor, 1912. 

Dedë Gjo’ Luli, si rradhë ndonjë tjetër patriot shqiptar, pati guximin dhe trimërinë të sfidonte perandorinë osmane dhe kolonializimin shekullor të shqiptarëve ngaa institucionet e sajë. Si i tillë, ai ndryshoi përgjithmonë historinë e kombit shqiptar, duke e çuar atë drejtë fillimit eventual të lirisë shoqërore dhe të pavarësisë politike të një shteti të pavarur, të quajtur Shqipëri. Vepra e Dedë Gjon Lulit dhe e malësorëve të tij mbetet sot e kësaj dite një akt i madh historik e patriotik, që do që meritonte të kujtohet gjithmonë me krenari frymëzuese dhe si simbol i paharrueshëm i fuqisë morale dhe të vlerave atdhedashëse të malësorëve dhe të kombit shqiptar, në përgjithësi, për të jetuar në liri dhe duke sunduar veten, larg influencave të huaja, kundër pushtuesve të huaj dhe të gjithë atyre që, historikisht, nuk ia kanë dashur kurrë të mirën shqiptarëve — as atëherë, as sot!  Me heroizëm dhe sakrificë Dedë Gjon Luli dhe malësorët e tij —  i ndëjtën besnikë vlerave shekullore të fisit të shqiptarëve: mbi të gjitha drejtësisë dhe lirisë, si dhe vet-sundimit dhe vlerave të Kombit Shqiptar – besës e burrënisë, nderit dhe dinjitetit njerëzor, përballë robërisë shekullore të perandorisë turke, si dhe të armiqëve të tjerë të afërt dhe të largët të Kombit shqiptar, ndër shekuj. Dedë Gjon Luli ishte personfikimi i këtyre vlerave shekullore të shqiptarit.

 Ded Gjon Luli duhet të kujtohet edhe sot si një figurë e kombit shqiptar i cili  i  me shembullin e tij u thotë edhe sot shqiptarëve se kjo tokë e vjetër nuk mund të nxirret në ankand për tu shitur nga askush.  Duke ngritur flamurin e Gjergj Kastriotit Skënderbe, për herë të parë në pesë shekuj, Dede Gjon Luli ka  ndërruar përgjithmonë fatin dhe epokën e Shqiptarëve.

Prandaj, në këtë 105-vjetor të vrasjes nga serbo-malazezët, Ded Gjon Luli meriton të njëjtin respekt që i akordohet rilindasëve të kombit dhe baballarëve të pavarësisë së Shqipërisë, si Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi. Mungesa e vazhdueshme e respektit zyrtar për Ded Gjo Lulin, si figurë historike dhe e veprës së tij atdhetare por – të pakën edhe e një kujtimi sadopak simbolik të tij në përvjetorë si ky 105-vjetor, më bën të ndihem se edhe ky kujtim modest nga ana ime –mijëra kilometra larg trojeve shqiptare – në të vërtetë nuk është asgjë më shumë se një kujtim i bjerrur.  Si rrejdhim, në këtë përvjetor,  së bashku me Fan Nolin, dua të shprehem se megjithë,  “Trimëritë, mençurinë, guximin dhe vetëdijen e lartë që kishte dhe për sakrificat që bënte për Atdheun e tij”, Ded Gjon Luli — edhe unë ashtu siç është shprehur edhe Noli —  “Jam ndjerë i pezmatuar, kur vonë u rehabilitua nga sistemi komunist dhe shumë pak u përmend”, Ded Gjon Luli, sipas Fan Nolit.  Besoj se Noli do të shprehte të njëjtin zhgënjim edhe sot se si politika 30-vjeçare post-komuniste trajton Herojt e Kombit si Dedë Gjon Lulin dhe kontributin e tij ndaj lirisë dhe vet-sundimit të Kombit!

Me heshtjen e tij, regjimi komunist i Enver Hoxhës e dënoi për së vdekuri Dedë Gjon Lulin, heroin e luftërave për Flamur dhe Pavarësi të shqiptarëve.  Fatkeqsisht, është kjo një heshtje që vazhdon edhe në periudhën post-komuniste.  Çdo komb tjetër po mos të kishte një hero si Ded Gjo Lu do ta çpikte një të tillë. Sot, udhëheqsit shqiptarë, për fat të keq, adhurojnë më shumë pasardhësit e atyre kombeve që kolonizuan tokat shqiptare për pesë shekuj, madje duke u ndërtuar atyre edhe përmendore në tokat shqiptare që dikur i kishin zaptuar dhe jo heronjtë, e luftërave për Flamur dhe Pavarësi të Shqipërisë, si Dede Gjon Luli. Megjithëkëte, “Historia vonon, por nuk harron”, ka shkruar Fan Noli, në kujtim të heroit mbarëkombëtar, Ded Gjon Lulit.

See the source image

  Marrë nga libreza “Kryengritja e Ded Gjo’ Lulit” (1911-1971), Ernest Koliqi, Romë, 1971

Filed Under: Opinion Tagged With: Dede Gjo luli, Frank shkreli

DEDE GJO LULI SHEMBULLI ME I MIRE I ÇESHTJES KOMBETARE

May 31, 2018 by dgreca

 1 Ded Gjo Luli dhe Palok Traboini 1911 Flamuri

NGA JAHJA LLUKA/* 

Se sa sublime është dashuria ndaj atdheut, se sa e shejtë është mbrojtja e pragut të shtëpisë,edhe kur shancat janë të pamundura dhe fitorja thuajse është e paarrirë, shpirti luftarak i malsorit Dedë Gjo Luli duhet të jetë shembull, si njeri që i kushtoi çështjes kombëtare mbi gjysmë shekulli jetë, duke mos u dorëzuar deri në frymën e fundit. Familja e Gjo Lulit në historinë shqiptare njihet me përkushtimin e denjë ndaj dashurisë së atdheut. Nga kjo derë e madhe lindën shumë burra që me veprën dhe gjakun e tyre do të ngisinin në përjetësi emrin e fisit të tyre, sa madhështor aq dhe të dhimbshëm por të vdesësh për atdhe është akti më i lartë që mund të jep njeriu nga vetja. Kur shfletojmë historinë radhë nëpër epoka do gjejmë se si kjo tokë e bekuar lindi shumë trima e trimëresha të cilët nuk e njihnin frikën dhe dorëzimin ndaj armikut. Shpirti i shqiptarit është i etur për liri, në mohimin e tyre nga bota, në vuejtjen e tyre pa mbarim shqiptarët janë një ndër popujt e rrallë që njeh historia, sepse anjëherë nuk pranuan dorëzimin e aq më pak nënshtrimin. Trimi i madh Dedë Gjo Luli u lind në Traboin më 1840, emrin e trashëgoi nga gjyshi për tu bërë njëri ndër figurat më të mëdha të qëndresës shqiptare. Si i ri u njoh me Prende Gjeloshin, me të cilën lidhën kurorë dhe nga kjo martesë paten katër fëmijë dy vajza dhe dy djem. Shpirti i tij luftarak nuk e lejoi që të rrinte anash në luftën për shlirimin e Shqipnisë, Kongresi i Berlinit me vendimet e tij, la jashta shumë territore shqiptare duke ja dhuruar fqinjëve, kështu trimi Gjo Luli u angazhua në luftën heroike në mbrojtjen e Hotit dhe Grudës të cilat ju dhuruan Principatës së Malit të Zi. Populli iu bindën fjalës dhe luftës së Gjo Lulit, ai udhëhoqi malësorët e Hotit dhe Grudës dhe Kelmendit,në Kryengritjen antiosmane të 1911. Ndezi gjakun e malsorëve për ta ngjallur qëndresën e tyre,që të zgjidheshin njëherë e përgjithmonë nga pushtimi turko-sllav,duke bërë të mundur kështu hapjen e një epoke të re me shpalljen pavarësisë e Shqipërisë e cila nuk do ishte ashtu siç deshën shqiptarët.Luftrat ballkanike dhe Konferenca e Ambasadorëve në Londër ishin ogur –zeza për kombin tonë.Ishte mbi 70 vjeç por pushka e tij nuk ndali edhe atëherë kur ja vranë birin Gjergjin në moshën 22 vjeçare dhe kushëririn Nik Gjelosh Lulin. Me zemrën e thyer, burrërisht nuk u ndal jo vetëm ai por gjithë Malësia gjëmuan, duke dhënë mesazh fqinjëve pushtues se gjaku shqiptar nuk shuhet edhe atëherë kur dielli nuk arrinë të lind. Do ja ndalte hapin Turgut Pashës në Tuz i cili erdhi të pushtoi Malësinë, poashtu dhe Etem Pasha me misionin e tyre prej 27 mijë ushtarësh shumë më të armatosur sesa timat e maleve, nuk arrijnë të mposhtin djemtë e udhëhequr nga Dedë Gjo Luli. Malet gjëmonin, toka çahej, Evropa bënte sehir, por askush s’arriti ta qante qëndresen madhështore të trimave akilian, në mbrojte të atdheut të shejtë. Ishte shtator i vitit 1915 kur Deda, ballafaqohet me një pritë në Sheshëz afër Oroshit.Ai vritet pabesisht nga hordhit serbo –malazeze. Tri vite pas me 1918, djali i tij Kola do ndërronte jetë si pasojë e helmimit. “ Më 1920, në verilindje të Shkodrës, do të binte me armë në dorë Luc Nishi, i biri i Nish Gjelosh Lulit i djathtë i tij ndër beteja. Jo vetëm këta, por dhe nipi i Dedës, Zef Lan Ula, vëllai prej nëne, Baca Xheka, miqtë e shtëpisë, Kolë Marash Vata, Kolë Kurti, e të tjerë e zgjasin shumë listën e dëshmorëve për Atdheun të këtij fisi.”

E dergoi per Diellin Skender Mulliqi. Faleminderit!

Filed Under: Histori Tagged With: ceshtja Kombetare, Dede Gjo luli, Jahja Lluka

NË KUJTIM TË PRIJËSIT TË MALËSISË SË MADHE – DED GJO’ LULI

April 5, 2018 by dgreca

1-Frank-300x212

Nga Frank Shkreli/

6 prilli është përvjetori (6 Prill, 1911) i ngritjes së Flamurit Kombëtar nga Heroi i kombit, Ded Gjo’Luli, për herë të parë në pothuaj 500-vjet të pushtimit Osman në trojet shqiptare. Ngritjes së Flamurit Kombëtar të Shqiptarëve i pat parapri Kryengritja e Malësisë së Madhe, një kryengritje kjo që mund të thuhet se nuk kishte ndodhur më parë në trojet shqiptare, qyshë prej kohës së Gjergj Kastriotit-Skënderbe.

ded Gjo Luli

Në këngën e 28 të Lahutës së Malësisë, epopesë tonë kombëtare, i madhi i letrave, At Gjergj Fishta i këndon trimërisë së Ded Gjo Lulit dhe malësorve të tij, ndërsa shpjegohet në parathënien e kësaj kënge se Deda me një grusht malësorë niset për në Rapshë të Hotit, për tu takuar me plakun Marash Ucin, të cilin e njofton, me qëllim që të merrte edhe pëlqimin e tij për kryengritjen –sepse me djemtë që kishte me vedin, kishte vendosur t’i binte Turkut para afatit të caktuar nga paria e maleve.  Deda ngarkon Marash Ucin me detyrën që të lajmërojë, për këtë nismë, fiset Shkrel e Kastrat, pasi ushtarët e tij ishin vetëm 20 — me shtatë pushkë e një allti.   Kryengritsit malësorë marrin nën kontroll postet e mbretit dhe nxanë rob 60 ushtarë anadollakë, të cilëve u marrin armët dhe i nisin për Shkodër. Luftimet pëlcasin aty këtu, ndërsa Fishta përshkruan me zotësinë e tij prej poeti, se si rojet turke bienë e dorëzohen anë e mbanë Malësisë.  Me të marrë vesh për luftën e malësorve, Sulltani dërgon në Shkodër 70-taborre, nën komandën e Turgut Pashës, por malësorët nuk dorëzohen.  Paria e maleve mblidhet me Luigj Gurakuqin në krye dhe vendosin t’i përgjigjen Pashës me barut. Msynë Turku me furi, e pret Malësia me trimëni, këndon At Gjergj Fishta në vjershën 28 të Lahutës së Malësisë. Vendi kallet flakë: gjëmojnë male e kodra, ushtojnë gryka e humnera, fishkëllojnë plumba e gjyle topash. Ethem Pasha msynë Kelmendin nga ana e Gucisë dhe malësorët tashti gjënden mes dy zjarreve, por nuk ligështohen. Forcat dërmuese anadollake fitojnë, por toka  lahet në gjak dhe shtrohet pëllëmbë për pëllëmbë me ushtarë të vdekur anadollakë.   Evropa habitet nga trimëria e malësorve dhe më në fund e sheh vendosmërinë e shqiptarëve për të jetuar të lirë në trojet e veta, pas pushtimit Osman prej 500-vjetësh, interpreton Fishta.

“Në mend habitun kqyrë Evropa

Si kjo Malcia mixorre

Veç me ‘i pushkë, pa shujtë, pa topa

Mazull mban shtatdhetë taborre?!”

Në këtë 6 prill kujtojmë pra kryengitjen e Malësisë së Madhe dhe Dedë Gjon Lulin, i cili me aktin e ngritjes së Flamurit Kombëtar për herë të parë në 500-vjet të pushtimit osman, tregoi guximin dhe trimërinë të sfidonte perandorinë më të madhe të asaj kohe dhe kolonializmin e institucioneve të saj në trojet shqiptare, duke ndryshuar përgjithmonë historinë e kombit shqiptar dhe duke e çuar atë drejtë fillimit eventual të lirisë shoqërore dhe pavarësisë politike.  Megjithse ngritja e Flamurit Kombëtar nga Ded Gjo’Luli dhe malësorët ishte hedhur në harresë nga regjimi komunist për arsyet e tija ideologjike, gjë që nuk ka ndryshuar shumë as këto 28 vjet post-komunizëm – ngritja e Flamurit në Deçiq të Malësisë së Madhe,   sot e kësaj dite, mbetet një akt i madh historik e patriotik, që do të kujtohet gjithmonë me krenari frymëzuese dhe si simbol i paharrueshëm i fuqisë morale të malësorëve dhe të kombit shqiptar në përgjithësi kundër pushtuesve të huaj dhe armiqëve historikë të kombit, atëherë dhe sot.

Por rëndësia historike e Kryengritjes së Malësisë së Madhe dhe ngritja e Flamurit kombëtar në Deçiq me 6 prill, 1911, nga Dedë Gjo’ Luli me malësorë, është se në një mënyrë, ajo ka meritën për konsolidimin dhe hovin që i dha idesë së Lidhjes së Prizrenit (1878) për një Shqipëri të lirë e të pavarur, për një Shqipëri që mbrenda kufijve të saj do të përfshinte të gjithë ata që e konsiderojnë veten nipa, stërnipa e mbesa të Gjergj Kastriotit — Skendërbeu.  Një meritë tjetër e këtyre burrave, është se kryengritësit malësorë i erdhën në ndihmë kombit në çastin kur mendohej se raca shqiptare po jepte shpirt, e ndarë dhe e harruar nga bota perëndimore, nga ajo botë ku e kishte vendin.   Ata i erdhën në ndihmë tokës arbërore, atëherë kur dukej se shpresat e shqiptarëve për liri e pavarësi po zhdukeshin dhe kur fqinjtë, lakmues të tokave shqiptare — nepër kancelaritë e Evropës — bërtisnin duke thënë se nuk ka komb shqiptar, Ded Gjo Luli me malësorët e vet, u tha atyre dhe botës: pak ma ngadalë, zotërinjë  se këtu — po –ka komb shqiptar dhe se nuk do të shitet kjo tokë e vjetër.  I tha lahutës mos vajto më dhe ngriti flamurin e Gjergj Kastriotit e ri-ngjallli atë dhe në këtë mënyrë ndërroi përgjithmonë epokën e Shqiptarit.  Lëvizja e kryesuar nga prijësi i Malësisë së Madhe Ded Gjon Luli dallohet gjithashtu edhe nga lëvizjet e tjera kombëtare të deri atëhershme, pikërisht për nga jehona që trimëria dhe lufta guximtare e malësorëve bëri anë e mbanë botës së asja kohe, sidomos në Evropë.  Malësorët e vitit 1911, jo vetëm që u bënë simboli i Rilindjes Kombëtare, por ata ishin edhe dallëndyshet që paralajmëruan pavarësinë kombëtare të shqiptarëve, e cila u shpall një vit më vonë.   Ata ishin lajmëtarët e kombit që i njoftuan botës se toka e Gjergj Kastriotit, më fund, kishte zot.

Ismail Qemali e pat quajtur Ded Gjo Lulin pushkë të ngrehur të Shqipërisë. Trimëria dhe lufta serioze e malësorëve menjëherë gjeti ndihmën dhe përkrahjen e Ismail Qemalit e Luigj Gurakuqit, të cilët të inkurajuar nga lufta e malësorve kundër armikut, shkuan për tu takuar me Dedë Gjonin për të përpiluar Memorandumin historik që, ndër të tjera, përmbante kërkesat e Malësorëve dhe të  gjithë Shqiptarëve, për një Shqipëri me administratë në gjuhën shqipe dhe për buxhet të vetin.  Mund të ishte ky fillimi i një përpjekjeje, që sot do ta quanim “ndërkombëtarizim të çështjes shqiptare.”  Rëndësia e këtij Memorandumi qëndron gjithashtu në faktin se, kërkesat ekspozuan jo vetëm vullnetin e Malësorëve shumë të vuajtur, dhe historikisht, të diskriminuar por në të njëjtën kohë, me luftën e tyre, pasqyruan edhe dëshirën e të gjithë shqiptarëve për liri e pavarësi.  Ishin malësorët ata të cilët në emër të kombit shqiptar, i parashtruan botës së atëhershme të qytetëruar, kërkesat e tyre për liri dhe dinjitet njerëzor e kombëtar.  Kryengritësit malësorë ishin pra, jo vetëm përfaqsuesit, por dhe vitrina e aspiratave të mbarë kombit shqiptar për liri e pavarësi. Lufta e Malesorëve, në vitet 1911-12 dhe ngritja e flamurit të Skenderbeut ne Deçiq, u bënë pra simbol i bashkimit të kombit shqiptar dhe njëkohësisht i shpalli botës se Shqiptarët kishin një atdhe që donte liri dhe dëshironte dritë për të dalur nga errësira shekullore e robërisë osmane.  Për më tepër, sipas historianëve, kryengritja e Malësorëve në krye me Ded Gjo’ Lulin, frymëzoi edhe kryengritje të tjera në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare, duke çuar më në fund në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë, me 28 Nëntor, 1912.  Ishte gjithashtu një mesazh i fuqishëm për atë kohë, por edhe sot se shqiptari dëshiron të jetojë në shtëpinë e vet, zot i fatit të vet – pa ndërhyrje nga jashtë — në paqë e siguri me fqinjtë, si pjesë e familjes së madhe evropiane.

Në botën e sotëme shqiptare të koncesioneve ekonomike, publiko-private, të interesave të lloj-llojshme personale e partiake, përfshirë interesat e huaja — është mirë të kujtohet me këtë rast se kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e Flamurit në Deçiq me 6 prill, 1911, u bë thjeshtë për ideale të larta kombëtare. Nuk ishte një ndërmarrje për përfitime të përkohëshme personale, krahinore, fetare ose ideologjike, por ishte një luftë për jetë a vdekje — për mbijetesën dhe lirinë e kombit shqiptar– dhe si e tillë kishte qëllime dhe objektiva të interesit mbarë kombëtar.

Si e tillë pra, kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e Flamurit kombëtar nga Ded Gjo’Luli në Deçiq më 6 prill, 1911, nuk duhet hedhur në harresë zyrtare siç ka ndodhur deri tani, por të respektohet si pjesë e pandarë e historisë së vërtetë të shqiptarëve, ashtuqë të ruhet përgjithmonë në kujtesën e kombit.

Filed Under: Histori Tagged With: 6 Prilli, Dede Gjo luli, Frank shkreli

PËRGATITJE NË NEW YORK PËR 100 VJETORIN E HEROIT DEDË GJO’ LULI

October 29, 2015 by dgreca

Mbrëmjen e së Enjtes, 29 Tetor 2015, në mjediset e Restorantit “Giovani” në Arthur Avenue, pronë e bashkatdhetarit Gjergj Dedvukaj, Shoqata “Malësia e Madhe” në New York, organizoi takimin e dytë përgatitor për 100 vjetorin e vdekjes së Heroit Dedë Gjo Luli.
Krahas takimit që do të organizohet me 1 Nëntor në orën 7.00 të mbrëmjes në Giovani Restorant për bashkimin e fondeve për ngritjen e Përmendores të Heroit në Tiranë, në këtë takim të së Enjtes u diskutua edhe për organizimin e një Akademie Përkujtimore në New York rreth datës 20 Dhjetor. Komisioni organizator ka përcaktuar tematikën e kumtesave dhe masat organizative.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Dede Gjo luli, E HEROIT, per 100 vjetorin, PËRGATITJE NË NEW YORK

DED GJON LULI NË SHËRBIM TË BASHKIMIT KOMBËTAR

September 28, 2015 by dgreca

Nga Frank Shkreli.

Historia e kombit shqiptar gjatë shekujsh është përballur vazhdimisht me pengesa të llojllojshme të cilat kanë bërë të pamundur bashkimin shpirtëror dhe kombëtar të Shqiptarëve. Ishin këto pengesa të vjetëra e të reja, sipas orekseve të rastit  të armiqëve të shqiptarëve, por të cilat ishin ndoshta më të rënda se pengesat me të cilat janë përballuar kombe të ndryshme të Ballkanit dhe të Europës në rrugën e tyre drejtë bashkimit kombëtar.   Megjithëse këto pengesa, për shqiptarët ishin tepër të mëdha gjatë gjithë historisë së tyre, dëshira dhe ndërgjegjëja e tyre për bashkim kombëtar nuk u shua kurrë.  Por pa marrë parasyshë pengesat historike për bashkimin e shqiptarëve, historia e shqiptarëve ka plot  raste bashkimesh krahinore dhe fisnore shpirtërore të shqiptarëve, madje janë shënuar edhe përpjekje për organizime panshqiptare, që ndër më të famshmet,  ishin Lidhja Shqiptare e Skënderbeut në Lezhë dhe Lidhja e Prizrenit —  përpjekje këto të udhëhequra  nga figura më të shquara të kombit shqiptar, dhe  të cilët me veprat e tyre patriotike  u dalluan për veprimtarinë  dhe luftën e tyre drejtë bashkimit shpirtëror dhe  kombëtar të shqiptarëve.  Njëri prej këtyre figurave është edhe Ded Gjon Luli nga Malësia e Madhe.   Me 24 shtator 2015  u mbushën 100-vjetë nga vrasja tradhëtisht e tij, kur mbaroi njëri prej kreshnikëve më të shquar të kombit shqiptar.

https://www.youtube.com/watch?v=ZwWOPluuBaU
 
Deda ishte prijsi i kryengritjes së Malësorëve kundër Perandorisë Osmane, kryengritje e cila çoi në ngritjen e flamurit kombëtar për herë të parë  në trojet shqiptare, ç’prej kohës së Gjergj Kastriotit — Skënderbeut.  Sipas historianëve, kryengritja e Malësorëve kundër otomanëve dallohej nga kryengritjet e tjera të shqiptarëve — mbi të gjitha — për nga karakteri mbarëkombëtar i saj, gjë që si e tillë më në fund tërhoqi edhe interesimin dhe mbështetjen e Ismail Qemalit dhe Luigj Gurakuqit.  Pasi angazhimi dhe lufta serioze e Malësorëve me në krye Ded Gjon Lulin tërhoqi vëmendjen e tyre, ata shkojnë për tu takuar me Malësorët e Ded Gjo Lulit dhe si përfundim përpilojnë Memorandumin i cili përmbënte kërkesat mbarëkombëtare të Shqiptarëve për një Shqipëri me administratë, gjuhë dhe buxhet të vetin. 
Memorandumi në fjalë ishte, në të vërtetë,   një pasqyrim i kërkesave të gjithë shqiptarëve për vetadministrim në mbarë trojet e veta.  Kërkesa kryesore e Ded Gjo Lulit, siç sugjeron edhe kënga popullore, ishte se Shqipëria donte vedin me sundue.

  Ded Gjo Luli, shkrue ka letër,

t’parit Shkodres o ia ka çue,

Se Shqipnia nuk don tjetër,

  veç don vedin m’e sundue…   

   Si rrjedhim, kërkesat e Malësorëve të shfaqura në Memorandum, i bënë kryengritësit e maleve t’i paraqiteshin botës së atëhërshme si përfaqsues të aspiratave të mbarë kombit shqiptar.   Lufta për liri e Malësorëve,  ishte simbol i vëllazërimit të kombit  shqiptar dhe tregoi se Shqiptarët kishin një atdhe që dëshironte liri dhe dritë dhe bashkim kombëtar.   Prijsi i Malësisë së Madhe dhe malësorët e tij nuk kishin filluar kryengritjen dhe luftën kundër pushtuesve për përfitime personale, ideologjike ose krahinore, por ishte një nismë e tyre për liri, jo vetëm për krahinën e Malësisë së Madhe, por ishte një luftë për mbijetesën e kombit shqiptar në të gjitha trojet e veta. Si e tillë, pra lufta e tyre kishte qëllime mbarëkombëtare.  Si frymëzuesi i këtyre përpjekjeve mbarë kombëtare, Ded Gjon Luli mbetet edhe në këtë 100-vjetor të vdekjes së tij, një mbështetës i përjetshëm i idealeve dhe i fateve afat shkurta dhe afat gjata të trojeve etnike shqiptare dhe bashkimit të tyre.
 

Frymëzimi dhe e kryengritjet e Ded Gjo Luli dhe të luftës së Malësorëve ndez[n flake gjithë trojet etnike shqiptare për liri dhe vetqeverisje. Si rrjedhojë, gazetat europiane të kohës shkruanin për Shqipërinë dhe shqiptarët, jo më si një frazë e zbrazët gjeografike, por për një popull që ishte në prak të lirisë dhe të çlirimit nga zgjedha shekullore  e pushtimit turk.  Për një popull i cili dëshironte bashkim kombëtar të trojeve të tija etnike, ndër më homogjenet në Europë, pasi si sanxhak ottoman, Shqipëria ishte e ndarë në vilajete dhe administrohej nga një sistem i egër administrativ i imponuar nga otomanët.   Kryengritja e Malësorëve, në krye me Ded Gjo’ Lulin, frymëzoi pastaj edhe kryengritjet e tjera mbarë shqiptare  në Kosovë  dhe anë e mbanë trojeve të tjera shqiptare, duke  çuar më në fund në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë me 28 Nëntor, 1912.   Dedë Gjo’ Luli, si rradhë ndonjë tjetër patriot shqiptar, pati guximin dhe trimërinë të sfidonte perandorinë osmane dhe kolonializmin e institucioneve të saj.  Si i tillë,  ndryshoi përgjithmonë historinë e kombit shqiptar, duke e çuar atë drejtë fillimit eventual të lirisë shoqërore dhe të pavarësisë politike në një shtet të pavarur, të quajtur Shqipëri.  Vepra e tij dhe e malësorëve të tij, mbetet sot e kësaj dite një akt i madh historik e patriotik, që do të kujtohet gjithmonë me krenari frymëzuese dhe si simbol i paharrueshëm i fuqisë morale dhe të vlerave atdhedashëse të malësorëve dhe të kombit shqiptar në përgjithësi për të jetuar në liri duke sunduar veten, larg influencave të huaja, kundër pushtuesve të huaj dhe të gjithë atyre që historikisht nuk ia kanë dashur kurrë të mirën shqiptarëve.  

 

Gjithashtu, në këtë 100-vjetor të vrasjes së Ded Gjon Lulit, ne e ndjejmë veten kryelartë si malësorë, mbasi herojtë dhe dëshmorët e Kryengritjes së Malësisë së Madhe – kësaj kalaje të patundur arbërore ndër shekuj, ku nderi e burrënia përkundën në të njëjtin djep — si vëllëzër e motërat tona, të një gjaku, të një kombi, ata dhanë kontributin e madh duke ndezur flake kryengritje mbarë kombëtare, që më në fund çuan në shpalljen e Pavarësisë së shtetit shqiptar me 28 Nëntor, 1912, duke u bërë kështu dallëndyshet që paralajmëruan pavarsinë e shqiptarëve.  Ata, me heroizmin dhe sakrificën e tyre — si gjyshët dhe stërgjyshët e shqiptarëve ndër shekuj — i ndëjtën besnikë vlerave shekullore të fisit të shqiptarëve: mbi të gjitha drejtësisë dhe lirisë si dhe vet-sundimit të Kombit Shqiptar – besës e burrënisë, nderit dhe dinjitetit njerëzor, përballë robërisë shekullore të perandorisë turke, si dhe armiqëve të afërt dhe të largët të kombit shqiptar ndër shekuj.  Ded Gjon Luli ishte personfikimi i këtyre vlerave shekullore të shqiptarit.

 

Në këtë 100-vjetor të vrasjes në tradhëti të Ded Gjon Lulit, duhet të kujtojmë, se ai dhe kryengritsit e tij malësorë i erdhën në ndihmë tokës arbërore, ndoshta në periudhën më kritike të historisë së saj.  Në një kohë kur dukej sikur shpresave shekullore të shqiptarëve për liri por edhe identitetit arbëror të shqiptarëve po u vinte fundi dhe kur tokat shqiptare ishin venë në ankandë – dhe kur armiqtë e shqiptarëve me influencë nepër kancelaritë e Europës, përpiqeshin të bindin botën se nuk kishte komb shqiptar.  Kryengritjet e malësorëve të udhëhequr nga Ded Gjon Luli, i treguan Europës se, po këtu ka një komb shqiptar, se kjo tokë e vjetër nuk mund të nxirret në ankand për tu shitur. Duke ngritur flamurin e Gjergj Kastriotit Skënderbe për here të pare ndër shekuj, ata e ringjallën atë, duke ndërruar përgjithmonë fatin dhe epokën e Shqiptarëve.  

 

Si i tillë, Ded Gjon Luli  është i të gjithë Shqiptarëve, anë e mbanë trojeve etnike  në Shkodër, Tiranë, Gjirokastër,  në Shkup e Manastir, në Prishtinë e Prizren, në Ulqin e në Tivar.  Trimëria dhe vendosmëria e herojve të kombit si Ded Gjo Luli,  ndaj avancimit të kauzës për liri e pavarësi mbarëkombëtare mbrenda kufijve etnikë të shqiptarëve, janë arritje të cilat në mënyrën e tyre unike, kanë kontribuar dhe duhet të vazhdojnë të frymëzojnë dhe të kontribojnë në formimin e ndërgjegjës dhe të zhvillimit kombëtar edhe sot.

Në këtë 100-vjetor të vdekjes së Ded Gjon Luli meriton të njëjtin respekt që i akorduan atij rilindasit e kombit dhe baballarët e pavarësisë së Shqipërisë, si Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi.    Mungesa e respektit për Ded Gjo Lulin si person dhe e veprës së tij atdhetare do të konsiderohej si një mungesë vlerash kombëtare e brezit të sotëm të klasës politike shqiptare për të cilat luftoi dhe vdiq 100-vjetë më parë Ded Gjo Luli.  Vlerat e tyre ishin të qenët besnik Atdheut, drejtësisë dhe lirisë së Kombit Shqiptar — besës e burrënisë, nderit dhe dinjitetit njerëzor, përballë sfidave me të cilat përballen sot shqiptarët anë e mbanë trojeve të veta. Ded Gjon Lulit nuk i është njohur gjithmonë kontributi i tij i vërtetë në historinë mbarë kombëtare të shqiptarëve.  Fan Noli, pasi ka shkruar  me një rast se ndonëse Ded Gjon Luli e kishte tërhequr  atë shumë,  “për trimëritë, mençurinë, guximin dhe vetëdijen e lartë që kishte dhe për sakrificat që bënte për Atdheun e tij”, Noli shprehet se, “Jam ndjerë i pezmatuar, kur vonë u rehabilitua nga sistemi komunist dhe shumë pak u përmend”, Ded Gjon Luli.  “Rregjimi komunist me heshtjen e tij e dënoji për së vdekuri heroin e luftrave për Flamur dhe Pavarësi,  Dedë Gjo Lulin. Fatkeqsisht është kjo një heshtje që vazhdon edhe në periudhën post-komuniste. Megjithëkëte, “Historia vonon, por nuk harron”, ka shkruar Fan Noli në kujtim të heroit mbarëkombëtar, Ded Gjon Lulit. Çdo komb tjetër po mos të kishte një hero si Ded Gjo Luli, do ta çpikte një të tillë.
                                       

Filed Under: Histori Tagged With: Bashkimi Kombetar, Dede Gjo luli, Frank shkreli

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara për mobilizimet ushtarake serbe pranë kufirit me Kosovën
  • Për At Artur Liolinin, shpirtin gjallërues të shqiptarëve në Amerikë
  • “Vdekja nuk është gjë tjetër veçse të kthehesh në shtëpi tek Perëndia, lidhja e dashurisë do të jetë e pandërprerë për gjithë përjetësinë”
  • Mesazh ngushëllimi i Presidentit të Republikës së Shqipërisë Z.Bajram Begaj për ndarjen nga jeta të At Arthur Liolin
  • KOMUNITETI SHQIPTARO-AMERIKAN MBAN ZI – NDËRROI JETË KANCELARI I KISHËS ORTHODOKSE AUTOQEFALE SHQIPTARE, AT ARTHUR LIOLIN
  • SHKOLLA SHQIPE “CHILDREN OF THE EAGLE”, GJUHA DHE IDENTITETI KOMBËTAR I SHQIPTARËVE NË AMERIKË
  • SUKSES I MADH I SHAHUT SHQIPTAR
  • Fantazi e çuditshme
  • Kuvendi miratoi Rezolutën nëpërmjet së cilës dënon sulmin terrorist të organizuar nga Serbia në veri të Kosovës
  • Njohja njerëzore, ky proces që fillon nga vetja
  • Për të gjithë të interesuarit…(Reklamë)
  • Evropë apo Europë?
  • SHUHET ATË ARTHUR LIOLIN
  • SOT NE PERVJETORIN E VDEKJES
  • Lamtumirë At Arthur Liolin

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT