• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NË KUJTIM TË PRIJËSIT TË MALËSISË SË MADHE – DED GJO’ LULI

April 5, 2018 by dgreca

1-Frank-300x212

Nga Frank Shkreli/

6 prilli është përvjetori (6 Prill, 1911) i ngritjes së Flamurit Kombëtar nga Heroi i kombit, Ded Gjo’Luli, për herë të parë në pothuaj 500-vjet të pushtimit Osman në trojet shqiptare. Ngritjes së Flamurit Kombëtar të Shqiptarëve i pat parapri Kryengritja e Malësisë së Madhe, një kryengritje kjo që mund të thuhet se nuk kishte ndodhur më parë në trojet shqiptare, qyshë prej kohës së Gjergj Kastriotit-Skënderbe.

ded Gjo Luli

Në këngën e 28 të Lahutës së Malësisë, epopesë tonë kombëtare, i madhi i letrave, At Gjergj Fishta i këndon trimërisë së Ded Gjo Lulit dhe malësorve të tij, ndërsa shpjegohet në parathënien e kësaj kënge se Deda me një grusht malësorë niset për në Rapshë të Hotit, për tu takuar me plakun Marash Ucin, të cilin e njofton, me qëllim që të merrte edhe pëlqimin e tij për kryengritjen –sepse me djemtë që kishte me vedin, kishte vendosur t’i binte Turkut para afatit të caktuar nga paria e maleve.  Deda ngarkon Marash Ucin me detyrën që të lajmërojë, për këtë nismë, fiset Shkrel e Kastrat, pasi ushtarët e tij ishin vetëm 20 — me shtatë pushkë e një allti.   Kryengritsit malësorë marrin nën kontroll postet e mbretit dhe nxanë rob 60 ushtarë anadollakë, të cilëve u marrin armët dhe i nisin për Shkodër. Luftimet pëlcasin aty këtu, ndërsa Fishta përshkruan me zotësinë e tij prej poeti, se si rojet turke bienë e dorëzohen anë e mbanë Malësisë.  Me të marrë vesh për luftën e malësorve, Sulltani dërgon në Shkodër 70-taborre, nën komandën e Turgut Pashës, por malësorët nuk dorëzohen.  Paria e maleve mblidhet me Luigj Gurakuqin në krye dhe vendosin t’i përgjigjen Pashës me barut. Msynë Turku me furi, e pret Malësia me trimëni, këndon At Gjergj Fishta në vjershën 28 të Lahutës së Malësisë. Vendi kallet flakë: gjëmojnë male e kodra, ushtojnë gryka e humnera, fishkëllojnë plumba e gjyle topash. Ethem Pasha msynë Kelmendin nga ana e Gucisë dhe malësorët tashti gjënden mes dy zjarreve, por nuk ligështohen. Forcat dërmuese anadollake fitojnë, por toka  lahet në gjak dhe shtrohet pëllëmbë për pëllëmbë me ushtarë të vdekur anadollakë.   Evropa habitet nga trimëria e malësorve dhe më në fund e sheh vendosmërinë e shqiptarëve për të jetuar të lirë në trojet e veta, pas pushtimit Osman prej 500-vjetësh, interpreton Fishta.

“Në mend habitun kqyrë Evropa

Si kjo Malcia mixorre

Veç me ‘i pushkë, pa shujtë, pa topa

Mazull mban shtatdhetë taborre?!”

Në këtë 6 prill kujtojmë pra kryengitjen e Malësisë së Madhe dhe Dedë Gjon Lulin, i cili me aktin e ngritjes së Flamurit Kombëtar për herë të parë në 500-vjet të pushtimit osman, tregoi guximin dhe trimërinë të sfidonte perandorinë më të madhe të asaj kohe dhe kolonializmin e institucioneve të saj në trojet shqiptare, duke ndryshuar përgjithmonë historinë e kombit shqiptar dhe duke e çuar atë drejtë fillimit eventual të lirisë shoqërore dhe pavarësisë politike.  Megjithse ngritja e Flamurit Kombëtar nga Ded Gjo’Luli dhe malësorët ishte hedhur në harresë nga regjimi komunist për arsyet e tija ideologjike, gjë që nuk ka ndryshuar shumë as këto 28 vjet post-komunizëm – ngritja e Flamurit në Deçiq të Malësisë së Madhe,   sot e kësaj dite, mbetet një akt i madh historik e patriotik, që do të kujtohet gjithmonë me krenari frymëzuese dhe si simbol i paharrueshëm i fuqisë morale të malësorëve dhe të kombit shqiptar në përgjithësi kundër pushtuesve të huaj dhe armiqëve historikë të kombit, atëherë dhe sot.

Por rëndësia historike e Kryengritjes së Malësisë së Madhe dhe ngritja e Flamurit kombëtar në Deçiq me 6 prill, 1911, nga Dedë Gjo’ Luli me malësorë, është se në një mënyrë, ajo ka meritën për konsolidimin dhe hovin që i dha idesë së Lidhjes së Prizrenit (1878) për një Shqipëri të lirë e të pavarur, për një Shqipëri që mbrenda kufijve të saj do të përfshinte të gjithë ata që e konsiderojnë veten nipa, stërnipa e mbesa të Gjergj Kastriotit — Skendërbeu.  Një meritë tjetër e këtyre burrave, është se kryengritësit malësorë i erdhën në ndihmë kombit në çastin kur mendohej se raca shqiptare po jepte shpirt, e ndarë dhe e harruar nga bota perëndimore, nga ajo botë ku e kishte vendin.   Ata i erdhën në ndihmë tokës arbërore, atëherë kur dukej se shpresat e shqiptarëve për liri e pavarësi po zhdukeshin dhe kur fqinjtë, lakmues të tokave shqiptare — nepër kancelaritë e Evropës — bërtisnin duke thënë se nuk ka komb shqiptar, Ded Gjo Luli me malësorët e vet, u tha atyre dhe botës: pak ma ngadalë, zotërinjë  se këtu — po –ka komb shqiptar dhe se nuk do të shitet kjo tokë e vjetër.  I tha lahutës mos vajto më dhe ngriti flamurin e Gjergj Kastriotit e ri-ngjallli atë dhe në këtë mënyrë ndërroi përgjithmonë epokën e Shqiptarit.  Lëvizja e kryesuar nga prijësi i Malësisë së Madhe Ded Gjon Luli dallohet gjithashtu edhe nga lëvizjet e tjera kombëtare të deri atëhershme, pikërisht për nga jehona që trimëria dhe lufta guximtare e malësorëve bëri anë e mbanë botës së asja kohe, sidomos në Evropë.  Malësorët e vitit 1911, jo vetëm që u bënë simboli i Rilindjes Kombëtare, por ata ishin edhe dallëndyshet që paralajmëruan pavarësinë kombëtare të shqiptarëve, e cila u shpall një vit më vonë.   Ata ishin lajmëtarët e kombit që i njoftuan botës se toka e Gjergj Kastriotit, më fund, kishte zot.

Ismail Qemali e pat quajtur Ded Gjo Lulin pushkë të ngrehur të Shqipërisë. Trimëria dhe lufta serioze e malësorëve menjëherë gjeti ndihmën dhe përkrahjen e Ismail Qemalit e Luigj Gurakuqit, të cilët të inkurajuar nga lufta e malësorve kundër armikut, shkuan për tu takuar me Dedë Gjonin për të përpiluar Memorandumin historik që, ndër të tjera, përmbante kërkesat e Malësorëve dhe të  gjithë Shqiptarëve, për një Shqipëri me administratë në gjuhën shqipe dhe për buxhet të vetin.  Mund të ishte ky fillimi i një përpjekjeje, që sot do ta quanim “ndërkombëtarizim të çështjes shqiptare.”  Rëndësia e këtij Memorandumi qëndron gjithashtu në faktin se, kërkesat ekspozuan jo vetëm vullnetin e Malësorëve shumë të vuajtur, dhe historikisht, të diskriminuar por në të njëjtën kohë, me luftën e tyre, pasqyruan edhe dëshirën e të gjithë shqiptarëve për liri e pavarësi.  Ishin malësorët ata të cilët në emër të kombit shqiptar, i parashtruan botës së atëhershme të qytetëruar, kërkesat e tyre për liri dhe dinjitet njerëzor e kombëtar.  Kryengritësit malësorë ishin pra, jo vetëm përfaqsuesit, por dhe vitrina e aspiratave të mbarë kombit shqiptar për liri e pavarësi. Lufta e Malesorëve, në vitet 1911-12 dhe ngritja e flamurit të Skenderbeut ne Deçiq, u bënë pra simbol i bashkimit të kombit shqiptar dhe njëkohësisht i shpalli botës se Shqiptarët kishin një atdhe që donte liri dhe dëshironte dritë për të dalur nga errësira shekullore e robërisë osmane.  Për më tepër, sipas historianëve, kryengritja e Malësorëve në krye me Ded Gjo’ Lulin, frymëzoi edhe kryengritje të tjera në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare, duke çuar më në fund në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë, me 28 Nëntor, 1912.  Ishte gjithashtu një mesazh i fuqishëm për atë kohë, por edhe sot se shqiptari dëshiron të jetojë në shtëpinë e vet, zot i fatit të vet – pa ndërhyrje nga jashtë — në paqë e siguri me fqinjtë, si pjesë e familjes së madhe evropiane.

Në botën e sotëme shqiptare të koncesioneve ekonomike, publiko-private, të interesave të lloj-llojshme personale e partiake, përfshirë interesat e huaja — është mirë të kujtohet me këtë rast se kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e Flamurit në Deçiq me 6 prill, 1911, u bë thjeshtë për ideale të larta kombëtare. Nuk ishte një ndërmarrje për përfitime të përkohëshme personale, krahinore, fetare ose ideologjike, por ishte një luftë për jetë a vdekje — për mbijetesën dhe lirinë e kombit shqiptar– dhe si e tillë kishte qëllime dhe objektiva të interesit mbarë kombëtar.

Si e tillë pra, kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e Flamurit kombëtar nga Ded Gjo’Luli në Deçiq më 6 prill, 1911, nuk duhet hedhur në harresë zyrtare siç ka ndodhur deri tani, por të respektohet si pjesë e pandarë e historisë së vërtetë të shqiptarëve, ashtuqë të ruhet përgjithmonë në kujtesën e kombit.

Filed Under: Histori Tagged With: 6 Prilli, Dede Gjo luli, Frank shkreli

Ambasadori Hugh Grant:Mbreti Zog dhe shqiptarët më 6 Prill kërkuan mbështetje tek Amerika

September 17, 2015 by dgreca

NGA RAFAEL FLOQI/

Marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA-së e kanë pikënisjen më 28 korrik të vitit 1922, kur ende shteti shqiptar sapo kishte rikonfirmuar pavarësinë.

Vendimi për lidhjen e marrëdhënieve diplomatike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka ardhur natyrshëm pas vetos që presidenti amerikan Woodrow Wilson vuri në Konferencën e Paqes në Paris duke i rikthyer pavarësinë Shqipërisë.

Presidenti pasardhës i Wilson-it, Warren Harding, emëroi si ambasador të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Ulysses Grant Smith, i cili e nisi misionin diplomatik më 4 Dhjetor 1922.

Deri në vitin 1939 Shqipëria ishte thjesht një komb i preferuar për SHBA-në aq sa dhjetëra amerikanë vërshuan në vendin tonë jo vetëm si diplomatë, por edhe si biznesmenë, themelues shkollash e deri në investitorë ekspeditash për të zbuluar pasuritë e nëntokës sonë.

Kjo do të vazhdonte deri në vitin 1939 kur Shqipëria e humbi pavarësinë e saj pas pushtimit të vendit nga Italia dhe largimit të Zogut nga vendi. Ambasadori amerikan në atë kohë në Tiranë, Hugh Grant, i ofroi tre pasaporta amerikane Zogut: një për vete, një për mbretëreshën Geraldinë dhe një për Lekën e sapolindur, të cilat u refuzuan nga ai.

Hugh Gladney Grant (1888-1972) në kujtimet e tij te botuar gjysme shekulli me parë rrëfen takimin e tij me Zogun pikërisht në prag të pushtimit italian. Eshte interesante qe ambasadoret amerikanë, te cilet nuk pertojnë të thonë realitetin sidomos ne kujtime, shkruajnë me superlativa për Ahmet Zogun. Në një paragraf të shkruar nga Hugh Gladney Grant, paragraf i cili, tek e fundit përbën thelbin e kujtimeve të tij në lidhje me këtë temë shkuhet: “Besoj se historia në gjykimin e saj të fundit, të paanshëm dhe të drejtë, do ta permendë Zogun e parë, Mbretin e Shqiptarëve, si një nga udheheqësit me të famshëm politikë dhe ushtarakë, si një prijës patriot dhe trim, me një inteligjencë dhe zgjuarësi të jashtezakonshme, me te cilat mundi të përballojë dhe të zgjidhë problemet e koklavitura të mbajtjes gjallë të popullit liridashës dhe patriot shqiptar.

Vërtet këtu ka edhe mjaft subjektivizëm dhe një këndvështrim personal, por ky këndveshtrim përbën edhe qëndrimin  shtetëror të Shteteve të Bashkuara. Më 7 prill në ndryshim nga qendrimi anglez që në thelb thoshte se pushtimi i Shqipërisë nga Italia fashiste mund të ishte një shkak për të cilin bota do të hynte në luftë. E vetmja fuqi botërore që bëri një dënim të plotë kundër pushtimit të  Shqipërisë nga Italia fashiste ishin Shtetet e Bashkuara, por kjo natyrisht në qerthullin e politikës paqësore të SHBA të kohës.

Me aprovimin e Presidentit Rusvelt sekretari amerikan i shtetit Kordel Hull bëri një deklaratë zyrtare ku dënohej pushtimi fashist i Shqipërisë. Në të duke pasur parasysh rrethanat e kohës dhe qendrimin amerikan për të ruajtur paqen ( ngjarjet e Perl Harbour nuk ishin ndodhur ende), thuhej:

“Pushtimi i dhunshëm dhe me forcë i Shqiperise është padyshim një kërcënim shtesë për paqen në botë.Do të ishte dritëshkurtësi të mos e venin në dukje këtë zhvillim të mëtejshëm. Çdo kërcënim i paqes i shqetëson seriozisht të gjithë kombet dhe dhunon vullnetin e popujve që qeveritë e tyre të mos i çojnë popujt e vet drejt Luftës, por drejt udhës së paqes. Është mëse e nevojshme të shtojmë se si efekt i paevitueshem i këtij incidenti, marrë së bashku edhe me incidente të tjera të ngjashme, është shkatërrimi i më tejshëm i mirëbesimit dhe stabilitetit ekonomik të çdo vendi në botë, duke prekur edhe mirëqënien tonë.” *1

Dhe në raportin e mëposhëm vetë ambasadori Grant thotë që të rinjtë që erdhën deri në mjediset e oborrit të ambasadës kërkonin mbështetjen e SHBA kundër pushtimit Italian. Shembulli i presidentit Willson ndihma që ai pat dhënë  pavarësisë së Shqipërisë  vazhdonte të ishte i gjallë.  Ambasadori amerikan natën e 7 Prillit, duke iu druajtur përleshjeve në rrugë kishte mbledhur të gjithë amerikanët në Legatën Amerikane . Pas bashkimit të Shqipërisë me kurorën e Viktor Emanuelit,  Ambasada amerikane në Tiranë u mbyll zyrtarisht në 16 shtator 1939, ndërsa diplomati Grant u largua më 27 Shtator.

Më poshtë po japim raportin e ambasadorit Grant lidhur me takimin me Zogun në 6 prill 1939, ku shprehet qartë situate psikologjike e Mbretit Zog , para veprimit të largimit të tij  që është parë si një dobësi e tij  apo “tradhti kombëtare”   .

 

***

Sot në mesditë,zhvillova një audiencë me mbretin Zog, ku Mbreti bëri deklaratën e mëposhtme e cila në thelb thotë*2 : “Disa ditë më parë ministri italian në Shqipëri më prezantoi mua disa kërkesa të caktuara të cilat, sipas gjykimit tim, synojnë vendosjen e një protektorati mbi Shqipërinë, gjë të cilën unë e refuzova kategorikisht ta merrja në shqyrtim. Propozimi ishte i tillë që drejtpërdrejt ose tërthorazi do të dëmtonte integritetin dhe pavarësinë e vendit tim. Sereqi, Ministri i ri Pergjithshëm në Itali, më pas pati një bisedë me Musolinin dhe Cianon, me të cilët kishte ‘Nënshkruar më 2 janar 1937, *3

Ku ai paraqiti pikpamjet e mia. Dje pasdite ministri italian bisedoi për dy orë me mua dhe më paraqiti më pas disa kërkesa, të cilat të marra së bashku ishin më shumë sesa një protektorat mbi Shqipërinë.

Ministri italian tha se donte një përgjigje për qeverinë e tij nga unë sot brenda orës 12-të. Unë refuzova t’i mirrja në konsideratë kërkesat e tij ,të cilat do të rezultonin, sipas mendimit tim, në një protektorat. Ministri italian pohoi se kërkesat nuk do të përbënin një protektorat .

Kërkesave të paraqitura nga Ministri italian më drejtoheshin mua në emër të Mbretit e kërkonin që ne t’u siguronin,: (1)  kontrollin e të gjitha porteve,  rrugëve të komunikacionit dhe aeroporteve në rast se pavarësia e Shqipërisë do të ishte në rrezik, (2) vendosjen e një organizatori italian në çdo ministri shqiptare, i cili do të kishte rangun e ofiqarit nën ministrin shqiptar; (3) që italianët në Shqipëri të kishin të drejta të barabarta civile dhe politike me shqiptarët; (4) si dhe ngritjen e nivelit të legatës italiane në Tiranë dhe të legatës shqiptare në Romë në rangun e ambasadave.

Në lidhje me kërkesën e parë,. tha mbreti,  ai e kishte informuar ministrin Italian, që pranonte që kjo të bëhej vetëm sipas marrëveshjes të mëparshme, ku thuhej se vetëm në rast se do të lejohej zbarkimin e trupave italiane në Shqipëri, vetëm nëse ai do të kërkonte dhe do të binte dakord. Mbreti tha se ai e kishte refuzuar kërkesën e dytë dhe se ai nuk do të binte dakord për organizatore italianë  pasi kjo nuk i dukej e nevojshme meqë këshilltarë të të tillë ekzistonin në disa ministri edhe në kohën e tashme. Për pikën e tretë Mbreti tha se binte dakord vetëm me dhënien e të drejtave civile e italianëve, pasi po të bëhej plotësimi i kërkesave të tjera , kjo do të thoshte se italianët edhe mund të zgjidheshin në Parlamentin Shqiptar dhe mund të zotëronin toka në Shqipëri.

Mbreti tha se ishte dakord me kërkesën e katërt.

Mbreti deklaroi më tej se ai kërkoi që ministri italian ta takonte ministrin përsëri në mëngjes dhe do t’i paraqiste kërkesën për nënshkrimin e një dokumenti që përmbante kërkesat italiane. Mbreti tregoi më tej se për shkak të insistimin të disa prej ministrave të tij do të duhej që do ta rishqyrtonte vendimin dhe kërkoi nga ministri italian që ta mbante çështjen pezull deri në orën 6-të të asaj mbrëmjeje, në mënyrë që t’i jepte kohë kabinetit shqiptar dhe një delegacioni që e përfaqësonte atë të kishte një mundësi për ta shqyrtuar çështjen.

Ai tha se Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm ishin caktuar për t’i dhënë përgjigje qeverisë dhe ministrit italian. Mbreti tregoi se në funksion të kërkesave për ministrit të tij, ai e kishte lënë Kabinetin dhe Parlamentin të bënte zgjedhjen e tyre. Në përgjigje të pyetjes sime kategorike. nëse Qeveria do t’i rezistonte me forcë zbarkimit të trupave italiane në rast se qeveria shqiptare vendoste t’i refuzonte këto  kërkesa, Mbreti u përgjigj se ai kishte urdhëruar mobilizim e përgjithshëm dhe evakuimin e popullsisë civile nga Durrësi. Madhëria e tij tha se Shqipëria  nuk kishte shumë ushtarë vetëm 373 dhe se ai kishte qenë në gjendje të dërgojnë vetëm dy batalione në portin e Vlorës. Njësitë e tjera tha ai  ishin vendosur në pozicione strategjike.

Ai tha se pjesa tjetër e [me mosveprim të dukshëm] ishin civilë të cilëve u ishin shpërndarë armë. Mbreti tregoi se nuk do të ishte e mundur për ushtrinë e tij t’i  rezistonte shumë gjatë ushtrisë së fuqishme e të pajisur mirë italiane. Ai tha se rezistenca shqiptare do të jetë një protestë kundër agresionit italian dhe një demonstrim për botën, se shqiptarët nuk do të vdesin pa bërë luftë.

E pyeta Mbretin nëse ai kishte marrë ndonjë inkurajim a mbështetje nga anëtarët e Antantës Ballkanke *4 apo nga Anglia dhe Franca. Ai u përgjigj se ministri i tij në Beograd e kishte informuar atë se Qeveria jugosllave besonte se Italia ishte vetëm duke bërë blof dhe nuk bëhej fjalë për ta pushtuar Shqipërinë. E pyeta Mbretin, nëse ai kishte ndonjë mesazh të cilin Madheria e Tij i do të kërkonte dhe do të binte dakord t’ia transmetoja Qeverisë sime. Mbreti u përgjigj se ai do të ishte i kënaqur, nëse unë do t’i përcillja  Presidentit Roosevelt, urimet e tij të përzemërta dhe miqësore dhe theksoi se në gjykimin e tij demokracitë e mëdha  duhet të vendosin të përforcuar pika si në Shqipëri ku ato me sukses do të mund të përballonin agresionin e fuqive totalitare

Sjellja e përgjithshme e mbretit ishte e qetë, por gjatë bisedës që zgjati për gati një orë ai manifestoi emocione të forta, sidomos kur deklaroi se agresioni italian nuk do të përmbushej në Shqipëri, ashtu siç kishte ndodhur në Çekosllovaki. “Ai tha se ai në asnjë rrethanë nuk do të binte dakord  të nënshkruante dorëzimin e vendit të vet, siç kishte bërë Presidenti i Republikës Çekosllovake. Ai iu referua kësaj dhe faktit se italianët nisën ofensivën e tyre në momentin kur Mbretëresha ishte duke lindur një fëmijë me një hidhërim që shquhej në zërin e tij. Në këtë moment të veçantë ai vështronte nga dritarja dhe unë munda të shoh qartë lotët që përbushnin sytë e tij. Në këto momente ai mezi po kontrollonte veten. Ai të jepte përshtypjen e një njeriu që ndjente një zhgënjim të hidhur, për faktin se ai kishte qenë tradhtuar në mënyrë vulgare.

Në orën 4: 30  të pasdites 50 avionë italianë të grupuar në skuadrone nga 10-të  fluturuan në një lartësi të madhe mbi Tiranë duke ardhur nga  jugperëndimi dhe duke u zhdukur në drejtim të bregut perëndimor të Adriatikut. Ndërsa aeroplanët po fluturonin lart,një demonstratë e jashtëzakonshme po zhvillohej nga një turmë prej disa mijëra shqiptarësh qe organizuar në sheshin kryesor të Tiranës. Qindra të rinj shqiptarë po bënin thirrje për të armë  për të mbrojtur vendin e tyre. Një delegacion nga turma tentoi të takohej pasdite vonë dhe në orën 08:00 me Mbretin. Përafërsisht 2,000 rinjt shqiptarë dhe djem që mbanin flamuj shqiptarë thërisnin: “Rroftë Shqipëria, rroftë liria jonë, rrofshin Shtetet e Bashkuara dhe presidenti Roosevelt kur ata hynë në kompleksin legatës dhe parakaluan nëpër territorin përreth.

Kabineti i veçantë dhe parlamenti në takimin në fillim të kësaj mbrëmje votoi për t’i refuzuar kërkesat italiane dhe për të rezistuar me forcë zbarkimin e trupave italiane, por tregoi se ata do të ishin të gatshëm për të diskutuar me Qeverinë Italiane “Traktatin Italo-Shqiptar të Aleancës” për të sqaruar cështjet, per të cilat tani janë në mosmarrëveshje në me detyrimet ushtarake. Në lidhje me këtë u sugjerua, joformalisht që Ministri italian  t’i transmetonte Qeverisë së tij, sugjerimin qe gjenerali Parianti, Sekretari italian i luftës i cili disa vite më parë kishte shërbyer si shef i Departamentit Ushtarak të Gjykatës Mbretërore, të vinte në Shqipëri, në mënyrë që të diskutonin pikat e kësaj çështjeje. Ministri italian, për këtë jam i informuar në mënyrë të besueshme, nuk i ka dhënë shumë inkurajim e sugjerimin, por besohet se ai do t’ia transmetojë kërkesën qeverisë së vet.

Duket se qeveria shqiptare jo vetëm kërkon kohë për një zgjidhje të vështirë me të cilat është duke u  ballafaquar, duke kerkuar kohë por është duke luajtur për herë të pare me kërkesën e sigurimit të asistencës nga jashtë si për të siguruar gjithashtu një mundësi për largimin e sigurt të Mbretëreshës që lindi dje në mëngjes një fëmijë.

 

*****

 

1 Albania in the Twentieth Century, A History: Volume I: Albania and King Zog,.

By Owen Pearson

2 – See Foreign Relations, 1939 vol H

3 , League of Nations Treaty Series, vol. clxxvti, p. 241 ; for agreement signed April 16, 1938, reaffirming the 1937 agreement, see League of Nations Treaty Series, vol. cxcv, p. 77. 1Ronald Hugh Campbell, British Minister in Yugoslavia. * Earl of Perth, British Ambassador In Italy. • British Secretary of State for Foreign Affairs. “Prince Regent of Yugoslavia. a not printed. a Revue de Droit International, 1937, vol. 19, p 372

 

4 – See Foreign Relations, 1938, to I. i, pp. 657 .

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: 6 Prilli, ambasadori Grant, amerika, Mbreti Zog, Rafael Floqi

Artikujt e fundit

  • Havzi Nela, 34 vjet pas varjes në litar të poetit të fundit antikomunist në Evropë
  • GJEKË MARINAJ, POETI ERUDIT MALËSOR SHQIPTARO – AMERIKAN PO PUSHTON BOTËN ME POEZINË E TIJ
  • DY DIJETARE POETE NE SHERBIM TE KOMBIT, AT BERNARDIN PALAJ  – AT DONAT KURTI
  • KOSOVA DHE VENDET E BE-së QË S’E KANË NJOHUR ATË
  • 1913 / KUR GAZETA FRANCEZE BOTONTE NJË FOTOGRAFI TË RRALLË TË ANËTARËVE KRYESORË TË KONGRESIT SHQIPTAR TË TRIESTES
  • Kur Djemtë e Skelës u përleshën me “Vullnetarët e Enverit”
  • PËRSHPIRTJE PËR SHPRESËN, ZONJËN E NDERUAR OSE VIRTYTIN…
  • Njeriu i ri
  • ZHULIANA JORGANXHI : TA DUAM ME SHUME SHQIPERINE
  • SOT, shqiptarët e Amerikës përcjellin në banesën e përjetshme Ornela Shehin dhe Florind Belliun
  • 199 vjet nga vdekja e atdhetarit Marko Boçari
  • Kryeministri Kurti takoi Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë dhe ambasadorët e vendeve të Quint-it
  • “OPERACIONE SEKRETE-SHQIPËRIA NËN LUFTËN E FTOHTË”
  • TREGIMTARI I HESHTUR
  • Lavdi Betejës së Junikut, 10 gusht 1998!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT