Nga Ilir Levonja/Florida/
Referuar një emisioni të Roland Qafokut në ”DEBATI NE CHANNEL ONE”, amerikani Bernd Fisher na paska bërë këto deklarata, të cilat qënkan të forta. Unë po radhis disa prej tyre:
– Ju shqiptarët duhet të jeni krenarë për luftën që bëtë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
– Zogu nuk duhet të largohej më 7 prill 1939.
– Gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, krahas rezistencës ndaj pushtuesit kishte edhe elementë të luftës civile.
– Ballistët edhe luftuan ndaj pushtuesit edhe bashkëpunuan me pushtuesit
– Shqipëria nuk u çlirua as më 28 e as më 29 nëntor, por më 4 dhjetor 1994.
– Otomanët nuk ishin armiq të shqiptarëve.
– Edi Rama, politikani i të ardhmes së Shqipërisë.
– Sali Berisha, kryeministri që ka merita…, etj.
Në fakt nuk janë aspak deklerata të forta. Këtë e them me thjeshtësi. Me qetësi. Jo pse i njoh mirë amerikanët. Njoh më mirë shqiptarët. Pastaj nuk janë deklerata, madje kuptimi i termit deklarate, konstaton në diçka tjetër. Janë thjesht konstatime. Por ne i qujamë të tilla për faktin se i thotë një i huaj. Për më tepër, amerikan. Se, nëse do i them unë, apo ndonjë shqiptar tjetër, nuk do ta kishim për gajle ta nxirrnim me dru nga dera.
Që nga rënia e diktaturës së proletariatit, viti ’90 e këtej, ne shqiptarët vazhdojmë të grihemi me të gjitha armët e mundshme, qoftë të pushtetit, të klasave, të inteligjencës, apo të ashtuquajturve intelektualë. Përfshirë akademikë dhe shkrimtarë të mëdhenj, aq sa edhe dashuritë e viteve 60 duhet të dominojnë rendin social të erotizmit bashkëkohor, ku lidhjet janë të shpallura dhe pa dasime klasore apo ngjyre. Ne kemi akoma profesorë që thonë se duhet të bëhet kështu si them unë, sepse kam lexuar më shumë se ty. Ndërkohë që një djalë me emrin Zukerman bashkoi njerëzit nga të katër qoshet e botës. Kemi akoma qeveritarë që flasin për progres, duke rritur borxhin. Kemi pushtetare që bëhen figura duke denigruar paraardhësin. Që flasin për rritje të ekonomisë, përmisim të kushteve të jetës, përmes prurjeve të emigrantëve. Pasi akoma nuk jemi futur në sistemin e pagës minimale, dysheme, tavan. Akoma e kemi të brishtë ndjenjën civile. Të qytetarit. Shikoni konfliktin më të madh, një pjesë dërrmuese e të persekutuarve vinë nga ish diktatura. Jemi thjesht yrra. Kështu edhe në çështjen e historisë. Në lidhje me mbretërinë, luftën, liderët dhe figurat e historisë. Dhe a e dini se përse ndodh e gjitha kjo. Nga shkaku i unit. Ne mund të kemi shumë cilësi të mira, shumë tipare, virtyte etj., por të gjitha na i mbyt pikërisht ky, uni. Akoma nuk duam ta kuptojmë se ka ardhur koha e një marrëveshje të madhe. Ku të gjitha palët duhet të pranojnë minuset dhe pluset e njëra-tjetrës. Nga ana tjetër, t’i njohin ato pak merita shoqi-shoqit.
Duhet të ndryshojmë konceptin, si të gjykojmë me, si të arsyetojmë. Gazetari ynë e quan tradhti ikjen e Zogut. Ndërsa historiani i huaj thotë, se, mendoj se nuk duhej të ikte. Nuk përmend fjalën tradhti. Kështu edhe për kryeministrat e këtij vendi, përmend vetëm arritjet. Jo, po nuk është ikje, është tradhti. Kështu sikur shumë historianë shqiptarë i quajnë vrasjet brenda shqiptareve zgjidhje revolucionare. Pavarsisht se atdheu është i të gjithëve. Ndaj ato çfarë konstaton Fisher, nuk janë deklarata. Por gjëndja pluskuese e paaftësisë tonë për të pranuar veteveten. Si i pari, i dyti, apo dhe këta më të fundit, janë pjesë organike e jona. Me të mirat, mënxyrat, paudhësitë, apo edhe tekat.
Thjesht, shumë thjesht. Ka ardhur koha për një pakt të madh. Dhe ky jo përmes Fisher-it, mes vedit.