Shkruan: Dukagjin HATA/
Disa kohë më parë, shkrimtari dhe publicist i njohur Ramiz Lushaj më foli për një libër që kishte në dorë dhe që i kushtohej një nëne të veçantë, jo vetëm nga pesha e viteve që mbajti mbi supe, por mbi të gjitha nga mesazhet që përcjell jeta e saj. Bëhej fjalë për nënën e Guri Durollarit, një nga figurat më të njohura të monarkisë në diasporën shqiptare, në SHBA.
Tani që kam mbledhur shumë informacion mbi jetën e saj dhe kam në dorë shënimet e mikut tim dhe të disa autorëve të tjerë për këtë ikonë të vlerave atdhetare, e kuptoj se një libër kushtuar kësaj figure është jo vetëm i mundshëm, por dhe i nevojshëm.
Në biografinë e një njeriu ka një moment që spikat dhe e veçon atë si inidivid, duke e bërë jo vetëm të dallueshëm nga të tjerët, por mbi të gjitha bartës e përcjellës të një mesazhi që vlen për të tjerët, jo vetëm për kohën e tij dhe bashkëkohësit, por edhe për brezat që do të vijnë. Këtë çast, Stefan Cvajku, njëri nga shkrimtarët dhe biografët më të mëdhenj të planetit tonë, e quan “shkrepëtimë hyjnore” dhe ka të bëjë me vetëdijen e njeriut për atë se çfarë përfaqëson ai në këtë botë, nga vjen, çfarë është dhe ku do të shkojë.
Këto përsiatje po më përsilleshin në mendje, teksa me mikun tim të vjetër Ramiz Lushaj po flisnim për një personazhe reale të librit të tij më të fundit, një atdhetare me trashëgimi gjenetike, një ikonë e alternativës mbretërore, një grua jeta e së cilës kaloi duke cekur tre shekujt e fundit, pasi lindi më 14 shtator 1895 dhe ndërroi jetë më 26 prill 2011, plot 115 vjeç.
Mjafton vetëm ky fakt që ajo ta meritojë këtë libër. Por ky nuk është fakti kryesor. Kryesore janë bëmat e saj, ajo qëndresë e pabujë kundër të keqes, duke mbjellë në çdo hap të jetës mirësi e dashuri.
Quhej Demire Xhudollari-Durollari dhe ishte nga fshati Hudënisht i rrethit të Pogradecit, bijë e një familje të pasur, që në kohët e trazuara të shqiptarisë pati dhënë kontribute për komb e atdhe.
Kjo histori e kësaj dere të madhe fisnikësh njohu kulmet e saj gjatë Lidhjes Shqiptare të Prizerenit, ku pinjollët e saj qenë miq të përbetuar e bashkëluftëtarë të Abdyl Frashërit, përkrahës e mbështetës të Qeverisë së Vlorës, bashkëluftëtarë me ikona të mendimit e veprimit kombëtar, si Themistokli Gërmenji, Sali Butka, Kahreman Vinçani e të tjerë.
Bëmat e tyre i njohu Korça, kur në vitet e errëta të urdisë shoviniste, e çliruan këtë djep të shqiptarizmës nga vandalët grekë dhe ngritën me madhështi në sheshin e qytetit flamurin me shqipen dykrenare.
Nanëmadhja Demire Durollari i përkiste një geni fisnik, një race të pastër shqiptare, një soj aristokratik me zemër e shpirt mbretnor; ishte një qëndrestare në jetën e saj të gjatë, që rrodhi mes lumenjsh të rrëmbyer të një jete të pazakontë.
Ajo nuk jetoi thjesht për veten, për familjen, për bijtë e saj, nipërit, mbesat, stërnipërit e stërmbesat, për bashkëkombasit e saj në tokën e re, që e donin sikur ta kishin nënë e shkuar nënës. Ajo jetoi, mbi të gjitha, për të dëshmuar se kombi ishte mbi gjithçka, edhe mbi shtresimet klasore e shoqërore, edhe mbi politikën dhe ideologjinë; flamuri ishte përbetimi dhe kauza rreth të cilës vorbulloi jeta e saj e pasur në mbresa dhe emocione.
Ajo mbante mend dhe përlotej nga mallëngjimi, kur kujtonte se si në shtëpinë e saj, gjatë Luftës Antifashiste u zhvillua Kongresi i Dunicës, Kongres i Lëvizjes Monarkiste, se si morën rrugë aksionet e nacionalistëve kundër pushtuesit të huaj dhe u hodhën themelet e një Shqipërie të re demokratike, themele që u minuan që në krye të herës nga pushtuesit e brendshëm komunistë, të cilët e kthyen vendin në një kasaphanë të luftës vëllëvrasëse midis shqiptarëve.
Gjithë ky makth, ky kalvar zezan që do ta ndiqte si një mallkim këtë grua të hekurt dhe familjen e saj të re, nuk e përkuli këtë viganeshë, që kudo shkeli përçolli frymën e atdhedashurisë dhe besatimin e lirisë së munguar.
Diktatura nisi marrshimin e saj funebër duke shkelur me çizmet e përgjakura mbi pronat dhe pasuritë e familjeve të mëdha shqiptare, siç ishte familja Durollari, të cilën e shpalli “kulakë” dhe nisi ora e “gjuetisë së shtrigave”.
Ky rreth që po shtrëngohej gjithnjë e më shumë e detyroi Nanëmadhen Demire Durollari (Hudenishti) të arratiset për në Maqedoni me fëmijët e saj, atë mot të largët, në mes të gushtit 1949.
Në Maqedoni, djali i saj i vetëm, Guri Durollari, burgoset në burgun e Idrizovës nga sllavo-maqedonasit, për shkak të pikëpamjve të tij nacionaliste, për faktin se pati shfaqur ide të hapura monarkiste dhe se në bibliotekën e shkollës ku mësonte pati vizatuar Flamurin Kombëtar Shqiptar.
Pas një endje biblike në tokën e huaj, ku erërat e pansllavizmit sillnin herë-herë rrebeshe mbi fatin e kësaj gruaje zemërçelik dhe të familjarëve të saj, rasti dhe fati të mpleksura bashkë e sollën që familja Durollari të përfundonte në SHBA, në tokën e lirisë dhe të demokracisë së përbotshme.
Nisi një erë e re në jetën e kësaj Nëne të madhe, e cila nuk ishte vetëm nëna e Guri Durollarit, por nëna e gjithë monarkistëve, nëna e gjithë shqiptarëve që kishin lënë trojet e tyre etnike dhe jetonin me lot në sy e mall në zemër në SHBA.
Në cdo odë burrash e kafene, sallë mbledhje e podium ku mblidheshin shqiptarët, ajo do të ishte aty, e pranishme jo vetëm fizikisht e shpirtërisht, por dhe me fjalën dhe ndihmën e saj të pakursyer.
Nanëmadhja Demire Durollari, ishte ndër të parët prej emigrantëve politikë që erdhi në Shqipëri, së bashku me djalin e saj Dr. Guri Durollari, një monarkist i devotshëm, që e mbarti dhe vazhdon ta mbart kauzën mbretërore, këtë kauzë të mohuar arbitrarisht nga një klasë politike renegate, si një testament që ia la nëna e tij fisnike dhe ai ua lë bijve të tij si kod trashëgimie.
Asaj iu përlotën sytë nga plagët e vendit të saj, të kalvarizuar në një kauzë absurde, që nuk e çoi popullin askund, përveçse në prag të theqafjes ekzistenciale. Trupi i therte nga plagët, shpirti nga dhimbjet, por ajo nuk rënkoi, as mallkoi, as kërkoi hakmarrje.
Ajo kishte në shpirt një ëngjëll paqeje që i thërriste për falje, pasi e dinte se nga falja vjen pendimi e nga pendimi- kthesa e ajo grua gjigande, ajo nënë titanike, e donte vendin e saj të shndërruar në erën e re të lirisë dhe demokracisë.
Ajo shkeli në çdo gur ku pati shkelur dikur këmba e saj, u çmall me çdo pllajë e rrugë, duke bërë një përpjekje sizifiane për t’u ngritur mbi plagët e një kohe të pakohë, mbi hakmarrjen, për ndëshkimet kriminale që komunizmi kishte bërë ndaj njerëzve të saj.
E rreshtuar në grupimet e atyre që kërkonin Mbretëri Kushtetuese, ajo ju bëri thirrje popullit shqiptar nga podiumet e kongreseve dhe në televizione shqiptare e të huaja për pajtim-vëllazërim, për drejtësi e paqe, në një shtet ku të sundonte ligji dhe e drejta dhe të merrte fund njëherë e përgjithmonë barbaria dhe babëzia.
E mbushur plot me brengë e dëshirë për ta parë vendin e saj të ndryshuar realisht dhe jo vetëm si fasadë, me t’u kthye nga Shqipëria, shumë e preokupuar për hallet e vendit të saj, u lidh me një korespondencë me presidentin e SHBA-së, Xhorxh W. Bush, të cilit i kërkoi përkushtim të veçantë për çështje të demokracisë e ekonomisë në Shqipëri, si vendi më i varfër në Europë.
Pa kaluar një muaj, më 27 gusht 2004, në derën e kësaj nëne shpirtflori troket postieri dhe i sjellë një zarf, dërguar nga Presidenti i SHBA-së. Në një foto-kartolinë, ku kishte dalë me bashkëshorten e tij, Laurën, Presidenti Bushi i shkruante, ndër të tjera, se “Shqipëria do të ecë në rrugë të mbarë”, duke i premtuar se Ai dhe SHBA do të ishin në krah të saj.
Dhe nuk do të zgjaste shumë e vendi i shqipeve do të anëtarësohjej në NATO, Kosova do të fitonte lirinë e mohuar gjatë një shekulli barbar, vetë presidenti gjenial do të vizitonte Shqipërinë e do të mrekullohej nga mikpritja shqiptare. Ndërsa nëna me shpirt hyjnor, Demire Xhudollari-Durollari, do të prehej e qetë në varrezat publike në Nju Xhersi të SHBA-së, me gjurmët e lëna pas që do të enden si kujtim e baltim dashurie mbarëshqiptare në përjetësi…