Nga Prof.dr. Eshref Ymeri/
Lexova me mjaft interes analizën e publicistit të mirënjohur, zotërisë Ajet Nuro, me titull, “Shqipëria ka nevojë për një valë të dytë demokratizimi”, të botuar në 10 tetor 2015 në faqen e internetit “Tribuna Shqiptare”.
Si njëri nga përfaqësuesit e mirënjohur të Diasporës Shqiptare, zotëria Ajet Nuro shpreh me shumë të drejtë shqetësimin e vet intelektual për gjendjen e demokracisë në Shqipëri gjatë këtyre 25 vjetëve. Është e vërtetë se në Shqipëri janë bërë shumë ndryshime, por megjithatë ne jemi ende larg standardeve demokratike në ndërtimin dhe në funksionimin e shtetit ligjor. Populli shqiptar, për fat të keq, ka përfunduar në“skllav” të partive politike, të cilat përpiqen me thonj e me dhëmbë për të kapur majat e pushtetit. Ky i shkretë pushtet në Shqipëri është shndërruar në një lopë mjelëse për politikanët shqiptarë, të cilët vijnë e bëhen milionerë si me forcën e magjisë.
Pjesën më të madhe të kohës gjatë shtatë vjetëve të fundit e kam kaluar te fëmijët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Heraherës atje më ka qëlluar të bisedoj me qytetarë amerikanë për problemet e politikës dhe më ka bërë përshtypje njëfakt interesant: që t’i hysh politikës në Amerikë, duhet të harxhosh para, madje para të madhe, qoftë nga paratë e veta, qoftë nga mbështetja financiare e biznesit privat. Sepse shteti amerikan nuk shpenzon as edhe një dollar të vetëm për partitë politike. Pra, kapitalin atje nuk e vë dot, duke shfrytëzuar postin politik. Figura të tilla politike, si ish-kongresmeni Xhejms Trafikan dhe ish-guvernatori i Ilinoisit Rod Bllagojeviç, të cilët patën shfrytëzuar postin politik për përfitime financiare, patën përfunduar në burg për korrupsion. Ky i fundit, i dënuar në vitin 2011 nga drejtësia amerikane me 14 vjet heqje lirie, po dergjet në një koloni të Kolorados.
Në Shqipëri, përkundrazi, posti politik shfrytëzohet për të vënë miliona dhe askujt nuk i hyn gjemb në këmbë. Të ashtuquajturit krah i majtë dhe krah i djathtë në politikën shqiptare, në të vërtetë, nuk përfaqësojnë as të majtën dhe as të djathtën, në kuptimin euroamerikan të kësaj fjale. Pra, në vendin tonë ekzistojnë dy klane të etura për pushtet që janë pasuruar në një mënyrë marramendëse dhe që, përmes tribunës së parlamentit, po luajnë një komedi të hollë në sytë e opinionit publik, me të vetmin qëllim që të krijojnë përshtypjen sikur janë kundërshtarë të rreptë me njëri-tjetrin.
Ky realitet tragjik ka bërë që populli të mbetet rob i partive, të cilat janë vetë zot e vetë shkop në zgjedhjen e deputetëve që gjoja e përfaqësojnë atë në parlament. Kësisoj të dyja klanet ia kanë mohuar popullit të drejtën për të votuar drejtpërsëdrejti për kandidatët që ai dëshiron, duke e detyruar të votojë vetëm për partitë. Dhe kryetari i partisë, duke qenë fuqiplotë në krye të saj, kandidatët për deputetë i përfshin në listë sipas dëshirës. Kjo mënyrë zgjedhjeje e deputetëve, nuk ka as ndryshimin më të vogël nga praktika e zgjedhjes së deputetëve në periudhën e diktaturës komuniste: listën e tyre e hartonte formalisht Kryesia e Frontit Demokratik të Shqipërisë, por faktikisht vendimin e merrte personalisht Enver Hoxha.
Me këto praktika, karakteristike për një sistem të dështuar politik, nuk mund të ndërtohet demokracia. Nuk mund t’u besohet ndërtimi i demokracisë kryetarëve të partive, të cilët, pavarësisht nga fitoret ose nga dështimet gjatë ndërrimit të pushteteve, nuk dëshirojnë kurrsesi të largohen nga kreu i tyre. Prandaj kryetarët e përjetshëm të partive politike janë një fatkeqësi e rëndë për fatet e demokracisë në Shqipëri. Një fakt i tillë dëshmon fare shkoqur se në vendin tonë nuk u bë përmbysja e sistemit komunist, si në vendet e tjera të Evropës Lindore, me përjashtim të Rusisë. Në vendin tonë u bë thjesht një ndërrim sistemi. Ishët e diktaturës komuniste dhe bijtë apo nipat e tyre, iu përshtatën situatës së re në kushtet e pluralizmit politik. Prandaj ata nuk mund t’i flakin dot nga vetja e tyre mendësitë komuniste. Kjo solli si pasojë që Shqipëria të vazhdojë ende të përjetojë një periudhë të stërgjatur tranzicioni që nuk i dihet fundi ende.
Në këto kushte, zotëria Ajet Nuro, me shumë të drejtë, hedh një ide interesante, sipas së cilës “Shqipëria ka nevojë për një valë të dytë demokratizimi”.
Mirë do të ishte vërtet që të kishim një valë të dytë demokratizimi. Por problemi është se kush duhet ta ngrejë një valë të tillë. Normalisht, në rastet e nxjerrjes së çdo vendi nga amullia politike, rolin kryesor e merr dhe duhet ta marrë përsipër inteligjencia, sidomos inteligjencia dhe rinia universitare. Në vendin tonë inteligjencia vazhdon të bëjë një gjumë të rëndë letargjik, duke i lejuar klanet politike të tallen me fatet e popullit si t’ua dojë mideja. Dhe tallja e popullit prej klaneve në fjalë ka arritur në përmasa katastrofike, sidomos në proceset zgjedhore. Në këto fushata,klanet politike janë munduar me të gjitha mënyrat dhe ia kanë arritur qëllimit që një masë jo të paktëzgjedhësish t’i kthejnë në mercenarë të vet përmes shitblerjes së votës. Praktika e shitblerjes së votës në Shqipëri përbën një dukuri sa të turpshme, aq edhe skandaloze që vihet re gjatë fushatave zgjedhore.
Shumë e drejtë është ideja e zotërisë Ajet Nuro për rolin që duhet të marrë përsipër Diaspora Shqiptare për ngritjen e valës së dytë të demokratizimit. Jam plotësisht në një mendje me zotërinë Ajet Nuro se në radhët e Diasporës Shqiptare, sidomos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka figura të nderuara që kanë bërë emër me punën e ndershme, me djersën e derdhur për lartësimin e figurës së vet dhe që mund të japin kontributin e tyre të drejtpërdrejtë për ngritjen e një vale të dytë demokratizimi në atdheun amë. Por që të vihet në jetë kjo ide interesante, duhet që Diaspora Shqiptare, pikë së pari, të gëzojë të drejtën e votës dhe të drejtën për t’u zgjedhur në atdheun amë përmes votimit elektronik. Veçse për ta siguruar pjesëmarrjen e saj në votime, duhet që e drejta e votës së saj të sanksionohet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, ashtu siç e ka të sanksionuar shteti zviceran. Prandaj edhe 700 mijë zviceranë që jetojnë në diasporë, marrin pjesë rregullisht në zgjedhjet e vendit nëpërmjet votimit elektronik. Për vendin tonë përbën problem fakti që klanet politike nuk e dëshirojnë pjesëmarrjen në votime të Diasporës Shqiptare. Madje klani politik qëështë në pushtet jo vetëm që nuk e dëshiron një pjesëmarrje të tillë, por po krijon kushte të rënda ekonomike edhe për shtresën e varfër, shumë anëtarë të së cilës kanë marrë arratinë nëpër shtete të ndryshme të Evropës, në kërkim të azilit ekonomik.
Një tjetër arsye e vështirësisë së ngritjes së një vale të dytë demokratizimi, qëndron në faktin se klanet politike në vendin tonë, sapo ulen në karrigen e pushtetit, për shkak të frymës së mercenarizmit që i karakterizon në marrëdhëniet me të huajt, vuajnë nga kompleksi i inferioritetit para tyre.
A nuk dëshmon për kompleksin e inferioritetit të klaneve politike shqiptare lejimi i Janullatosit në krye të Kishës Ortodokse ish-Fanolianepër një periudhë më shumë se 23-vjeçare? A nuk dëshmojnë për një kompleks të tillë të gjitha dukuritë që u vunë re para dhe pas ndeshjes së futbollit me përfaqësuesen e Serbisë? Kompleksi i inferioritetit të palës shqiptare, të përfaqësuar nga Thaçi e Mustafa, është shfaqur pastër fare para Beogradit gjatë gjithë procesit të bisedimeve në Bruksel me krerët më të lartë të qeverisë serbe, tërësisht në dëm të interesave të Kosovës. Dhe inteligjencia kosovare vazhdon të heshtë.
Këto fakte dëshmojnë ditën për diell se klanet politike shqiptare janë të zhveshura krejtësisht nga dinjiteti kombëtar, se dinjitetin në fjalë kanë një çerek shekulli që ia kanë falur Athinës dhe Beogradit. Dhe Athina me Beogradin, në shkëmbim të dinjitetit kombëtar, klanet politike të Tiranës i kanë pajisur me “çertifikatën” e kompleksit të inferioritetit.
Pikërisht ky kompleks i mallkuar inferioriteti ka bërë që të huajt, dhe konkretisht Brukseli zyrtar, ta kenë shumë për zemër ndjenjën e inferioritetit të klaneve politike shqiptare, qoftë në Tiranë, qoftë në Prishtinë. Sepse me këto klane politike në pushtet, pa vetëdije kombëtare, në të dyja shtetet shqiptare, ata mund të sillen siç u do qejfi, ashtu siç edhe janë sjellë konkretisht në Shqipëri për një çerek shekulli gjatë vëzhgimit të fushatave zgjedhore dhe siç po vazhdojnë të sillen edhe në Kosovë për më shumë se 16 vjet. Se nuk u bëhet shumë vonë për fatet e popullit shqiptar. Sepse kombin shqiptar, në mungesë të një klase politike me vetëdije të lartë kombëtare, në mungesë të një Kryeshtetari dinjitoz, ata e kanë trajtuar dhe vazhdojnë ta trajtojnë thjesht si një parcelë eksperimentale. Dhe inteligjencia shqiptare vazhdon të heshtë, si pa gjë të keqe.
Tiranë, 12 tetor 2015