Qeveria e Republikës së Kosovës qëndron pranë familjeve të prekura dhe shpreh mbështetjen e plotë për banorët e fshatrave Romajë e Dedaj./
Edhe Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ashtu si Qeveria, ka dënuar ashpër aktin e shëmtuar të dëmtimit të varrezave katolike në fshatin Romajë të Hasit dhe vlerëson se veprimet e këtilla janë të papranueshme.
Presidentja Jahjaga ka theksuar se institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës janë të përkushtuar për kultivimin e mëtejmë të harmonisë dhe tolerancës ndërfetare si vlerë e çmuar e shoqërisë sonë.
Gjthishatu, Jahjaga ka ofruar mbështetjen e plotë banorëve të fshatit Romajë të Hasit, të cilët janë prekur nga ky veprim i shëmtuar, ndërsa i fton institucionet e drejtësisë që të veprojnë me shumë profesionalizëm dhe sa më shpejtë të zbardhen rrethanat, të identifikohen kryesit dhe të njëjtit të nxirren para drejtësisë.
KOMUNIKATA E QEVERISE
Dëmtimin e varrezave katolike në fshatin Romajë të Hasit e ka dënuar ashpër edhe Qeveria e Kosovës, e cila përmes një komunikate ka thënë se veprimet e tilla janë akte ulëta kriminale.
Në komunikatë thuhet se veprimet e tilla nuk do të arrijnë të cenojnë në asnjë mënyrë raportet vëllazërore dhe tolerancën ndërmjet qytetarëve të besimeve të ndryshme fetare në Republikën e Kosovës.
Në komunikatë thuhet:
Qeveria e Republikës së Kosovës dënon ashpër dëmtimin e varrezave katolike në fshatin Romajë të Hasit.
Thyerjet dhe dëmtimet e varrezave janë akte të ulëta kriminale, të cilat, përkundër përpjekjeve të izoluara, nuk do të arrijnë të cenojnë në asnjë mënyrë raportet vëllazërore dhe tolerancën ndërmjet qytetarëve të besimeve të ndryshme fetare në Republikën e Kosovës.
Populli i Kosovës është shembull i harmonisë së mirëfilltë ndërmjet komuniteteve fetare, vlera të trashëguara brez pas brezi në vendin tonë.
Qeveria e Republikës së Kosovës qëndron pranë familjeve të prekura dhe shpreh mbështetjen e plotë për banorët e fshatrave Romajë e Dedaj.
Qeveria e Kosovës falënderon organet kompetente që merren me zbatimin e ligjit, të cilat po bëjnë punën e tyre për të zbardhur plotësisht këtë ngjarje dhe për të vënë para përgjegjësisë personat që kanë kryer këtë akt të shëmtuar.