Hysen Sherifi, 29 vjeçar, është dënuar mbrëmjen e se premtes te 10 majit, në Shtetet e Bashkuara me dënim të gjatë me burg për komplot për t’i vrarë dëshmitarët federalë, dëshmia e të cilëve ka ndihmuar në dënimin e tij, për rolin e Sherifit në një komplot të mëparshëm për vrasjen e ushtarëve të Shteteve të Bashkuara dhe të familjeve të tyre.
Hysen Sherifi ishte njëri nga gjashtë myslimanët e dënuar në vitin 2011 për planifikim për ta sulmuar një bazë të Marinës së Shteteve të Bashkuara në Quantico të Virxhinias, dhe caqet tejoqeanike amerikane.
Pak pasi e kishte filluar vuajtjen e dënimit me burg prej 45 vjetësh në këtë çështje të terrorit, ai kishte kërkuar ndihmë nga një i burgosur tjetër për ta angazhuar një vrasës profesional për t’i vrarë me heqje koke informatorët dhe agjentët e agjencisë FBI.
Ai e kishte rekrutuar vëllaun e tij më të vogël, Shkumbin Sherifi, 23 vjeçar, dhe ish mësuesen me prejardhje nga Egjipti, Navine Aly Elsheikh, 48 vjeçare, për të ndihmuar në pagesën e vrasësit dhe për organizimin e vrasjeve.
Mëtutuje, agjencia AP raporton nga Karolina Veriore se një i burgosur nga i cili Sherifi kishte kërkuar ndihmë, doli se ishte informator i qeverisë.
Duke e cituar bashkëpunimin e gjërë të Shkumbin Sherifit dhe Nevine Aly Elsheikh, gjyqtari i lartë amerikan i kësaj çështjeje Earl Britt, e dënoi Shkumbin Sherifin me 3 vjet burg, ndërsa Elsheikh u dënua me 3.5 vjet. Ata ballafaqoheshin me 10 vjet burg secili.
Para se Hysen Sherifit i ishte shqiptuar dënimi, ai i mbajti leksion gjyqtarit për mësimet e Islamit.
“Kurani është e vërteta që i zhvlerëson të gjitha religjionet e tjera”, tha Sherifi, i cili refuzoi ndihmën e avokatit të caktuar nga gjykata dhe e përfaqësoi vetveten në proces. “Nëse ju nuk i nënshtroheni kësaj, ai do t’iu gjykoj rëndë, dhe në ditën e gjykimit ju do të hyni në zjarrin e ferrit”, tha Hysen Sherifi.
Gjyqtari Britt, i cili ka përvojë më se 30 vjeçare, e vulosi dënimin prej katër afateve me burgim të përjetshëm, në fund të dënimit të mëparshëm prej 45 vjet burgim, sa ishte dënuar ai në procesin e mëparshëm.
“Nuk ka dyshim se zoti Sherifi, i akuzuari në këtë rast, e plotëson definimin e terroristit”, tha gjyqtari Britt, dhe shtoi se “Ai ishte zanafilla e këtij konspiracioni, ai ishte organizatori”.
Duke theksuar se i akuzuari nuk ka pasur sukses në kryerjen e ndonjë vrasjeje, gjyqtari tha se shkelja në e madhe e Hysen Sherifit ishte shkatërrimi i jetës së vëllaut të tij Shkumbin, dhe të ish mësueses Elshiekh.
Vëllezërit Hysen dhe Shkumbin Sherifi janë shqiptarë nga Kosova, që në vitin 1999, gjatë luftës në Kosovë, kishin përfunduar si refugjatë në Shtetet e Bashkuara.(Kortezi Bota Sot)