Nga Dr.Nail Draga*/
Në gamën e gjerë të publikimeve shkencore burimet arkivore paraqesin lëndën bazë të hulumtimit dhe studimit të çështjeve përkatëse sipas profilit profesional të autorëve të ndryshëm. Eshtë çështje tjetër se sa arkivat kanë qenë të hapura për studiuesit tanë duke ditur ngjarjet e kaluara dhe paragjykimet qe kanë ekzistuar ndaj ne shqiptarëve. Një konstatim i tillë vlen sidomos për ne shqiptarët këtu në Mal të Zi, të cilët duke qenë në margjina të shoqërisë, arkivat dhe lënda arkivore pothuaj ka qenë dukuri e panjohur ne sistemin monist sepse pasojat ishin evidente.
Por, pas dështimit të sistemit monist, disa studiues treguan interesim dhe guxim për hulumtime arkivore në Arkivin e Shtetit të Malit të Zi në Cetinë. Ndër ata persona bën pjesë edhe Hajro Hajdari, i cili ndonëse me profesion është jurist ai me plot pasion është interesuar për hulumtimin e kësaj lënde nga koha e Kongresit të Berlinit e më pas. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe, sepse nga ajo kohë filloi dezintegrimi i hapësirës etnogjeografike shqiptare, ku në sajë të vendimeve të padrejta vise shqiptare iu dhënë si dhuratë vendeve fqinje, ku bën pjesë edhe Mali i Zi. Pra kemi të bëjmë me kohën kur popullsia e viset shqiptare të aneksuara nën administrimin e ri sfiduan rrethanat e kohës duke mbijetuar në hapësirën e tyre etnogjeografike.
Pas librit të tij të parë “ Shqiptarët në Mal të Zi nga Kongresi i Berlinit deri më 1941”, Botoi:Art Club, Ulqin, 2016“, Hajro Hajdari i paraqitet opinionit me librin e tij të dytë me titull ”Ulqini në dokumentet malazeze 1880-1915”. Nga vet titulli del se kemi të bëjmë me një botim të veçantë me dokumenta te prezantuara që i përkasin përiudhës kohore 1880-1915 dhe vijnë të përkthyera në shqip nga vet autori. Duhet cekur së lënda arkivore është hulumtuar dhe është përdorur gjatë përgatitjes së botimit të librit të parë, ndërsa tani përzgjedhja e dokumentave paraqitet në formën e tyre të plotë, duke qenë dëshmi autentike për pozitën dhe statusin shoqëror që kishin shqiptarët, përkatësisht Ulqini dhe rrethina e tij në këtë periudhë kohore. Dhe janë pikërisht këto dokumente që dëshmojnë në mënyrë transparente rrethanat e kohës nën pushtetin e ri malazias.
Duke analizuar disa dokumente të tilla del qartë politika e kohës e pushtetit të principatës së Malit të Zi në territorët e reja të dhuruara e sidomos qendrimin e popullatës shqiptare ndaj administratës së re malazeze. Kështu kemi të bëjmë me rezistimin e shqiptarëve ndaj pushtetit sidomos, me mosdergimin e fëmijëve në shkollën serbe, pastaj mosshkuarja në shërbimin ushtarak si dhe refuzimin e bartjës së flamurit malazias në anijet e tyre në det.
Dhe nga një qendrim i tillë nuk ka dilemë se kemi demoralizimin e popullsisë shqiptare ku si pasojë kemi emigrimin në Shkodër e gjetiu në Shqipëri, që ndikoj dukshëm në zvoglimin e popullsisë së Ulqinit. Ishte kjo politika përfide e pushtetit sepse ndaj atyre qe ishin shpërngulur pushteti kishte marrë masa me iu konfiskuar edhe pronat, nga del se kishim të bënim me një pastrim të heshtur etnik. Ndërsa nga ana tjetër kishte filluar kolonizimi i Ulqinit dhe rrethinës me malazez, duke iu dhurar prona kolonisteve në Fushtë Ulqinit, Mal të Brisë, Zogaj etj. Sipas burimeve të publikuara del se në periudhën kohore 1881-1892 në Ulqin janë vendosur rreth 400 familje kolonistësh malazez.
Se si ka ndryshuar struktura e popullsisë në Ulqin dëshmohet edhe me dhënat për numrin e banorëve të Ulqinit në vitin 1899 ku gjithsej ishin të regjistruar 4306 banorë apo 934 shtëpi e nga to 671 shtëpi shqiptare (71.84%) dhe 263 shtëpi malazeze (28.15%). E dhëna e tillë është e mjaftueshme për të kuptuar politikën kolonizuese të pushtetit të Malit të Zi të kohës, e cila si mision politik shtetëror kishte ndryshimin e strukturës kombëtare të popullsisë, sepse deri në vitin 1880 këtu nuk ka pasur popullsi të përkatësisë malazeze sepse ka dominuar në mënyrë absolute popullsia shqiptare.
Me mjaft interes janë të dhënat për numrin e vendbanimeve dhe shpëndarja e tyre hapësinore në njësinë territoriale të njohur me emrin e kapetanisë. Nga të gjitha dokumentat e botuara duhet veçuar Protokollin e haraçit të vitit 1882, që ka të bëjë me regjistrimin e familjeve dhe të pasurisë që pushteti mendonte për mbledhjen e haraçit për qytetin dhe vendbanimet përkatëse.Janë këto të dhëna me interes sepse banorët paraqiten me emër dhe mbiemër. Po ashtu duhet cekur se patronimet e familjeve në dokumenta paraqiten në formën origjinale ku shumë kush sot mund të gjejë paraardhësit e tyre.
Me këtë rast po cekim disa patronime familjare të kohës në pesë lagjet e Ulqinit (Kala, Ranë, Mëhallë të re, Meteriz, dhe Mera) të cilët janë: Alibegaj, Ahmeti, Arapi, Axhemi, Beci, Beti, Broci, Bazi, Bushati, Brajsha, Bilali, Brisku, Cakuli, Cungu, Canka, Çapuni, Çapra, Çoça, Çela, Musta, Muçoja, Mani, Duraku, Dervishaga, Dibrani, Dermani, Elezaga, Lazoja, Lazorja, Lajka, Lamoja, Lula, Lika, Lisha, Luca, Llunji, Leka, Fani, Fici, Fteja, Neli, Noga, Gorana, Guçi,Gjyli, Gjura, Selita, Sadiku, Spahija, Shurdha, Mujali, Malokraja, Mema, Mollabeqiri, Kadija, Kasmi, Kasa, Kashi, Kalavrezi, Karamanaga, Katana, Komina, Kovaçi,Kollari, Kruja, Kroma, Krymi, Milla, Molla, Misheri, Pali,Pulti, Peku, Rashketa, Resulani, Hasanaga, Hamoj, Hoti, Hoxha, Ishmi, Qurkanj, Shata, Vogli, Vuli, Tafili, Tafa, Tuzi, Truma, Tirana, Tivari, Xhuxha, Zuberi, Zenka, Zhugjeli etj.
Ndërsa çështje të veçantë paraqet deformimi i patronimeve të shqiptarëve nga administrata e pushtetit duke filluar nga fillimi i shek.XX., duke iu mveshur pothuaj të gjithë patronimeve të shqiptarëve prapashtesën sllave viq dhe iq. Ishte ky realizimi praktik i misionit politik të pushtetit për sllavizimin e popullsisë shqiptare, pasojat e të cilës janë të pranishme edhe në ditët tona.Në këtë aspekt në këtë botim ofrohen të dhëna autentike që dëshmohet përmes dokumentave të publikuara në këtë periudhë kohore.
Po ashtu duhet theksuar se nga dorëzimi i Ulqinit Malit të Zi nga nëntori i vitit 1880, shumë familje ulqinake në shënjë të pakënaqësisë me pushtetin e ri kanë emigruar në Shkodër apo Durrës që llogaritet se numri i familjeve të tilla arrin ne 413. Madje ende sot e kësaj dite familjet e tilla ulqinake mbajnë patronimet e tyre që i kanë pasur në Ulqin, duke qenë dëshmi autentike e origjinës së tyre.
Nuk ka dilemë së duke analizuar këto dokumente del se kemi të bëjmë me çështje shumëdimensionale si: politike, arsimore, ushtarake, demografike, sociale, ekonomike, turistike etj. Andaj çdo studiues varësisht prej profilit profesional ka mundësi për ti shfrytëzuar dokumentat në fjalë që janë në favor të temave përkatëse në lidhje me Ulqinin dhe rrethinën e tij të ngushtë në këtë përiudhë kohore. Pa dyshim këto dokumente pasurojnë fondin në fjalë, çështje kjo e cila mbetet e hapur për tu plotësuar nga arkivat e vendeve të tjera që në mënyrë direkte apo indirekte ka të bëjë më Ulqinin, i cili në dekadën e tetë të shek.XIX, ishte në fokus të diplomacisë ndërkombëtare evropiane.
Dokumentat e publikuara dëshmojnë për rrethanat shoqërore të kohës më të cilat është ballafaquar populli shqiptar në këtë mjedis, i cili me shumë sakrificë ruajti dhe mbrojti identitetin e vet kombëtar.Duke marrë parasysh se hulumtimi dhe sistematizimi i tyre dokumentave nuk ishte punë e lehtë por sakrificë personale e profesionale për autorin, këtë botim e vlerësojmë si një dhuratë të çmuar nga autori për të gjithë ata që iu intereson të dijnë për Ulqinin në këtë përiudhë kohore. Andaj si i tillë ky botim pasuron regjistrin e botimeve të autorëve ku si preokupim profesional kanë të kaluarën e qytetit të Ulqinit që pa dyshim do të mirëpritet nga opinioni i gjerë shkencor e kulturor.
*Dr.Nail Draga- (Lexuar me rastin e përurimit të librit në Ulqin me 14 maj 2018, në organizim të “Art Club-it” dhe Qendrës Kulturore- Hajrullah Hajdari ”Ulqini në dokumentet malazeze (1880-1915)”; Botoi: Art Club, Ulqin 2018)