• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DESHMIA E POETIT TE PUSHKATUAR: ME JEPNI NJE TOP, T’I GJUAJ SISTEMIT TUAJ!

January 7, 2014 by dgreca

Nga Visar Zhiti*/

Ndodhi 50 vjet më parë. “Më jepni një top t’i gjuaj sistemit tuaj! Këto ishin fjalët e fundit të tij, që po trondisnin trupin gjykues. Nuk kishte ndodhur asnjëherë kësisoj. I pandehuri nuk po kërkonte mëshirë, si zakonisht, që ata, xhelatët, të ndjeheshin të gjithëfuqishëm, gjysmë perëndi, si ato emblemat e dhunës me sëpatë në dorë, që drithëronin botën. Jo vetëm që s’kishte kërkuar mëshirë, po kishte kërkuar një top… është artiljer… ashtu?… po, po… dhe poet… E dëgjove, e do topin që t’i bjerë Partisë, Komitetit Qendror… zyrës së shokut Enver, ta shembë me gjithë atë brenda…. Qenka i çmendur… kam frikë… se mos duhet t’i kërkojmë ne atij mëshirë…

Në sallë arritën dhe dy vëllezërit e të pandehurit, sapo qe dhënë dënimi me pushkatim. U panë sy më sy… – …kokën lart, siç e do nderi i Xhagjikëve! – thirri një nga vëllezërit, më i madhi, Ylli…

– Po ku është liria? – përhapej gjithandej ajo që kishte thënë me zë të lartë ai që do të pushkatohej, që policët me të shtyra e futën në makinën e burgut. Ishte dhjetor i vitit 1963. Kështu po vinin Vitet e Rinj në Shqipëri…

Trifon Xhagjika kishte lindur në Peshtan të Tepelenës, në vitin 1932. Familja e tij u shpërngul në Tiranë, në kohën e pushtimit italian në po atë vit, kur në një lagje diku themelohej në ilegalitet Partia Komuniste, ajo që do të sundonte duke vrarë dhe pushkatuar dhe poetë. Pasi përfundoi studimet në Shkollën Normale të Elbasanit, në fillim të viteve ‘50 u diplomua për oficer i artilerisë kundërajrore dhe për disa vite punoi si oficer në një repart ushtarak në Rrapin e Treshit në Tiranë. Kreu një kurs për Gazetari e Histori, këmbënguli që ta bënte medoemos dhe deshi të vazhdonte fakultetin për Letërsi. Boton poezi nëpër gazeta dhe tërheq vëmendjen e lexuesve e të poetëve të tjerë…

E kalojnë me punë në Ministrinë e Mbrojtjes, fillimisht si redaktor në sektorin e botimeve dhe rregulloreve, e më vonë në gazetën “Luftëtari”. Në vitin 1959 botoi vëllimin e parë me poezi “Gjurmët”. Shihej rebeli guximtar, me ritëm gjaku, që seç kërkonte… Mjaft poezi të tij kompozitorët i bënin tekste këngësh. Himnin e shkollës së tij ai e shkroi, kompozim i K. Trakos, dhe do ta këndonin breza të tërë nxënësish, edhe kur ai s’ishte më, pa e ditur.

E ndjente se do ta arrestonin shumë shpejt. Bënte vapë. Gusht…. grusht… të merrej fryma, vapë politike… Poeti po dilte nga shtëpia e së motrës, Santës, i veshur civil, dhe siç nuk e kishte zakon, nuk e la motrën ta përcillte deri jashtë… mos e priste Lina, e dashura? Qindra vargje i kishte kushtuar asaj… Po kur do fejoheshin?… Së shpejti, – qeshte Trifoni serioz… teksa jashtë po e prisnin një duzinë me civilë të armatosur. “Trifon Xhagjika, në emër të popullit jeni i arrestuar!” Britma e tyre sikur theu xhamat e pallateve pranë. Motra e ka peng që s’e pa më. Kishte kohë që kishte nisur kundërshtimi, në “monotoninë e ditëve që vrasin lirinë”.E motra, kujton se po rrinte veç me të pakënaqur, me ata që flisnin kundër, me ata që donin… të arratiseshin. “Njërit prej tyre, – tregon ajo, – i gjeti një kamerdare të madhe, ia mori kushëririt, dhe e përcolli vetë që të ikte andej nga Liqeni i Pogradecit… Vuante me ata që ishin ndarë me gratë e tyre ruse  mbas prishjes me Bashkimin Sovjetik dhe i ndihmonte që të bashkoheshin me to… të arratiseshin… Ah, një shok tjetër të Trifonit, gazetarin Fadil Kokomani, e kapën, e çuan në burgun e Spaçit… dhe do ta pushkatonin… Miqtë e tij, nga ata që kërkonin ndryshim të sistemit në Shqipëri, po përfundonin internimeve dhe burgjeve.

Në gjyq Trifon Xhagjikën e akuzuan për agjitacion dhe propagandë kundër shtetit dhe… për terror. Terror po bënin ata që e akuzonin. Gjithsesi shpëtim nuk do të kishte… Shkak ishin dhe poezitë e tij kundërshtare. Artiljer është apo poet, që kërkoi një top t’i binte sistemit?! Por poeti artiljer është, shemb. Lirikat e Xhagjikës janë revolucionare, shkaku i revolucioneve, thellë-thellë është lirik, poezia e tij të befason dhe të trondit, pikërisht për këtë…Poeti-artiljer… Dhe më nuk u pa… dhe do të përhapej lajmi gjithandej, në redaksitë e gazetave, në kafenetë ku shkonin poetë, gazetarë se atë… kë?… atë që guxonte, që qeshte aq çíltër dhe i shkëlqenin sytë?… emrin ia thoshin me mërmërimë… e kishin pushkatuar… Ku?… Ku-ku… Në ç’ditë të dhjetorit?…

*   *   *

Në librin tim “Ferri i çarë”, që e quaj burgologji se për burgjet tregoj, kam dhe këtë pasazh të pakët: Edhe me vëllanë e poetit Trifon Xhagjika u bëmë kokë më kokë si në gjëmat e burrave në Veri. S’dihej ku e kishin mbuluar me dhé, i pavarr endej fantazmë dhe mërmërinte po atë poezi që e buçiti në bankën e të akuzuarve, kur e dënuan, “Atdheu është lakuriq”. I kishte shpërndarë edhe si trakte poezitë e veta. “Mbaje kokën lart, krenar”, – i thirri i vëllai, doktor Ylli, nga salla e gjyqit. I hodhën hekurat edhe atij dhe e burgosën. Telat me gjemba po më bëheshin inkandeshentë si nervat. Do ta përktheja elegjinë e Atdheut lakuriq me miq italianë, kur do të ikja andej, ndërsa eksodi i madh vazhdonte. Do të recitohej dhe në një kështjellë buzë detit dhe mua m’u duk sikur shpirti i Xhagjikës erdhi nga bregu matanë, vinte rrotull mbi kokët e dëgjuesve, vorbull ere…

Punoja në gazetën e parë opozitare. Kishte rënë Muri i Berlinit dhe pllakat e tij të betonta sikur na kishin zënë nën vete dhe ne po dilnim me mundim. Ishim ballë për ballë, Ylli Xhagjika dhe unë dhe poezitë mbi tryezë, fërgëllonte si drita. Po përlotesha edhe unë pas Yllit… Do t’i botojmë, t’i vëmë titullin librit “Atdheu është lakuriq”… E përgatiti një poet i njohur, Xhevoja, përmbledhjen e tij të parë dhe si redaktorë vumë emrat ne, dy ish të burgosur, që shkruanim poezi, poeti Jorgo Bllaci dhe unë. Donim t’i ishim pranë. Dhe donim të ringjallnim sado pak diçka të shenjtë nga Trifoni ynë. Varr s’kishte, po jo ta linim pa libër tani… jam i lumtur që e botuam. Po ç’lumturi zeza! Më pas do t’i dilte e plotë “Poezia”, nën kujdesin e poetit Agron Tufa, në shekullin e ri dhe mijëvjeçarin e ri. Shqipëria ka nevojë për shpirtin e tij.

* Ne Foto: Visar Zhiti ne New York gjate promovimit

(Marrë nga libri “Antologjia e të vrarëve”)

 

Filed Under: ESSE Tagged With: deshmia e poetit te pushkatuar, Visar Zhiti

Artikujt e fundit

  • Kur karakteri tejkalon pushtetin
  • ABAZ KUPI DHE LUFTA ANTIFASHISTE NË SHQIPËRI
  • Fortesa Latifi: “It can be difficult to grow up when you’re constantly faced with a younger version of yourself”
  • ABAZ KUPI, I HARRUAR DHE I KEQTRAJTUAR NGA HISTORIA ZYRTARE
  • VATRA DHE FAMILJA KUPI ORGANIZUAN SIMPOZIUM SHKENCOR ME RASTIN E 50 VJETORIT TË KALIMIT NË PËRJETËSI TË NACIONALISTIT TË SHQUAR ABAS KUPI
  • “E DREJTA ZAKONORE E ÇERMENIKËS. KANUNI I MUST BALLGJINIT” 
  • Retorika e Serbisë si agresion psikologjik: narrativa e rrezikshme e Aleksandar Vuçiçit në Ballkan
  • Çfarë “shteti” deshi Mehmet Ali pashë Misiri në luftën e tij kundër sulltanit osman?
  • 1939 / AUDREY SHAH : JU RRËFEJ TAKIMIN ME MBRETIN ZOG NË HOTEL RITZ (LONDËR)
  • Ndalimi i investitorëve nga tregu i shtëpive: a është zgjidhja reale?
  • “Pse ShBA nuk e pushtuan por e çliruan Venezuelën nga Maduro/t”
  • SPEKTËR…
  • ME SA POLITIKA SHIGJETON SERBIA NË DREJTIM TË KOSOVËS?
  • VENDI IM / 7th Annual Concert
  • ZOTI, SHPIRTI, BIBLA, DOGMA DHE MENDIME FILOZOFIKE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT