Guest Editorial/
Nga Eugjen Merlika/
Nuk është mbushur ende muaji që, në hartën politike të Lindjes së Mesme, është shtuar një “shtet” i ri. Në ata troje ku, më shumë se në çdo pjesë tjetër të botës, historikisht janë ndërruar zotërimet, pushtetet, perandoritë, mbretëritë, i vetëquajturi “Shtet Islamik i Irakut dhe i Levantes” (ISIS) shtrihet në një pjesë të mirë të Sirisë lindore e të Irakut verior, një tregues i qartë i degradimit të atyre regjimeve që dikur ishin “kështjellat” e socializmit arab.
Shteti i ri vetëshpallet si “bërthama” e Kalifatit arab që do të përsërisë përvojën e paraardhësit të ndritur, që shtrihej nga Atlantiku deri në kufijtë e Kinës, me qëndra të mëdha e të lulëzuara si Bagdati, Damasku, Kairo, Meka, Samarkanda etj., me emra të nderuar të dijes e shkencës njerëzore si Averroe dhe Avicena, me imazhin e një shoqërie të qytetëruar e tolerante, ku bashkëjetonin etni, besime, tradia e kultura të ndryshme, nën drejtimin e Islamit, pasardhës të Muhametit.
Abu Bakr al Bagdadi, i vetëquajturi “Kalifi” Ibrahim, ëndërron të përtërijë sukseset e paraardhësve të lashtë, madje në të parën shpallje si Kryetar shteti, foli për synimin që ushtritë e tij të arrijnë deri në Romë, për të sendërtuar atë që ata nuk arritën gjatë shtatë shekujve të mbretërimit të tyre, zhdukjen e qendrës botërore të Krishterimit dhe ndërrimin e besimit të më shumë se dy miljard njerëzve. Ky do t’ishte ngadhnjimi i plotë i skajshmërisë islamike të markës vahabite, por ajo ëndërr i ngjan më shumë përrallave që Sheherazade i tregonte Kalifit të Madh, se sa një synimi strategjik të arritshëm. Parë me këtë sy nuk përbën shqetësim për diplomacinë botërore dhe evropiane që e merr pa sajdi problemin. Madje për to, të paafta t’i parashohin dukuritë, e të pavendosura të maten me to në terrenin konkret, nuk përbëjnë shqetësim as dramat dhe tragjeditë që, në Irak e Sirí, shoqërojnë përparimin e marrjen e pushtetit nga “kalifi” Ibrahim dhe vartësit e tij.
Varrezat e përbashkëta të ushtarëve irakenë, të zënë rob e të masakruar nga këta kalorës të vonuar që njëjtësohen me banda shumëkombëshe, që mbjellin terror e zi “n’emër të Allahut”, duket se janë një hollësi e parëndësishme për të shqetësuar kanceleritë. E kur vrasjet shihen në këtë kënd vështrimi, dramat e dhjetra mijra të krishterëve në Mosul nuk kanë më shumë se 24 orë prani në mediat botërore e, ndoshta, asnjë çast në shqetësimet e të mëdhenjve të botës. Ndryshe nuk spjegohet fakti që përzënia e popullsisë së krishterë të Mosulit, n’Irakun verior, as që bëhet objekt bisede në kanceleritë, ashtu sikurse “harrohet” grabitja e qindra vajzave nxënëse shkolle nga bandat kriminale të Boko Haramit në Nigerí, edhe se për shpëtimin e tyre u zotua edhe zonja e parë e SHBA-s. Dramat e banorëve të krishterë të Mosulit që, nga 60.000 vetë që ishin më 2003, sot kanë zbritur në zero, duhet të shqetësojnë opinionin publik e politik të botës, ashtu sikurse qindra të vrarët në kisha të ndryshme t’atyre Vendeve ku mendësia skajore myslimane ka fituar mbizotërimin.
Përndjekja e të kishterëve në disa Vende myslimane, madje edhe në Egjyptin e Morsit dhe Vëllezërve myslimanë, nuk është thjesht “shkelje e të drejave të njeriut”, që mbetet elementi i parë i dukurisë, por nuk është i vetmi, siç mundohet t’a paraqesë ndonjë idhtar i real – politikës, i cili kërkon të zvogëlojë të keqen dhe pasojat e saj. Kjo dukuri nuk duhet anashkaluar thjesht si pavëmendje e drejtuesve, apo shprehje e padijes a fanatizmit të ideve të një pjese të vogël të atyre Vendeve me të cilët na lidhin interesat energjitike, n’emër të të cilëve lihen mënjanë edhe parimet më të thjeshta.
Kur më 1993, në SHBA u arrestua një imam i verbër që kishte vënë dinamit në një pallat, askush nuk mendoi se ai veprim i mënjanuar, mbas disa vitesh do të prodhonte atentatet në Kenia, në Jemen, në Kullat binjake, në Londër, në Madrid etj. Kur Ozama Bin Laden sfidonte jo vetëm botën e krishterë, por edhe një pjesë të mirë të Vendeve myslimane, askush nuk mendoi se ai do të kishte aq shumë pasues e idhtarë, sa të qëndronte i patrazuar për vite me rradhë në territore që mbahen nën mbikqyrjen e mjeteve më të sofistikuara të teknikës. Al Kaeda, megjithë luftërat që ShBA dhe NATO i shpallën prej kaqë vitesh, vazhdon të shtohet në rradhët e saj, madje të bëhet edhe vendimtare në fusha nevralgjike të botës si Siria dhe Iraku.
Sot shteti I Irakut dhe Levantes, përditë e më tepër, po tregon një fytyrë të llahtarëshme, një diktaturë që po përmbys gjithshka : të drejta njerëzore vetiake e shoqërore, raporte mirëkuptimi ndërmjet besimesh dhe etnish, barazpesha marredhëniesh të shoqërive multietnike, arritje t’atyre popujve në rrugën e zhvillimit e qytetërimit. Dëbimi nga shtëpitë e tyre i të krishterëve të Mosulit është një nga këto shfaqje makabre të “rendit të ri” të Abu Bakr al Bagdadit, që nuk respekton asnjë parim njerëzor mbi të drejtën e natyrshme për të banuar n’ato shtëpi e troje në të cilat ndodhen prej gati dy mijëvjeçarësh. Asnjë prej Kalifëve të lashtë nuk e çoi nëpër mënd pastrimin fetar. Jo myslimanët duhej të paguanin një haraç, por askush nuk i merrte pasurinë apo jetën, siç po kërcënojnë e po veprojnë idhtarët shumëkombësh të “kalifit” të ri. Këta banditë na kujtojnë “partizanët çlirimtarë” të Shqipërisë që urdhëronin “armiqtë” të lironin menjëherë shtëpitë me gjithshka kishin brënda e të hipnin në kamionët që, vetëm me teshat e trupit, i çonin në kampet dhjetravjeçare të internimeve.
Urdhëri i fundit i Al Bagdadit është ligji mbi infibulimet e femrave që në moshë të njomë. Dekreti, që urdhëron këtë gjymtim, mban datën 21 korrik dhe thotë shprehimisht : “Për të mbrojtur Shtetin Islamik të Irakut e Levantes, nën ndrojtjen se gjynahu dhe vesi përhapen mes burrave e grave të shoqërisë sonë islamike, zoti ynë e princi i besimtarëve Abu Bakr al Bagdadi ka vendosur që, në të gjitha krahinat e Shtetit Islamik” gratë duhet të qepen.” Qepja e organit gjenital, me urdhër të “kalifit” është një tmerr i vërtetë, që nuk ka asgjë të përbashkët me fenë islame, n’emër të së cilës shpallet, është një përdhosje e së drejtës së çdo femre të ruajë organizmin ashtu siç e ka falur Zoti që në barkun e nënës. Aq më shumë bëhet tronditës ky problem kur të dhënat e OKB-së pohojnë se, në dhjetë vitet e ardhëshme, rrezikojnë të pësojnë këtë trajtim 30 milionë vajza në shtete si Somalia, Guinea, Xhibuti, Çadi, Gambia, Mali Senegali, Sudani e Jemeni. Janë të gjitha ish koloni evropiane e ky fakt flet, në një farë mase, edhe për një dështim të misionit “qytetërues” të ish kolonizatorëve.
Ky është kuadri tragjik që na paraqitet e që na shkakton dhimbje, edhe se nuk na përket në vetë të parë. Është një kuadër që fyen dhe godet rëndë ndërgjegjen njerëzore, në kuptimin e mirëfilltë të saj, përtej ideve politike apo sistemeve shoqërore, përtej besimeve fetare apo dallimeve pasurore, përtej zhvillimeve ekonomike apo ndryshimeve kulturore. Një kuadër i tillë nuk mund të bashkëjetojë me botën tonë, që megjithë zbrazësirat në vlera e shkeljet në parime, nuk mund të pajtohet me të tiila shfaqje tmerri. I përket politikës botërore e rajonale të gjejë rrugët e zgjidhjes së problemeve, të shkatërrimit që n’embrion të këtij rreziku, të cilin moskokëçarja e nënvleftësimi mund t’a kthejnë në një epidemi me pasoja të pallogaritëshme. Pyetjet në këtë pikë të arsyetimit bëhen të detyrueshme.
Kush qëndron mbas këtyre fuqive të errësirës e mbrapambetjes ? Kush financon, furnizon me armë, me municion, me pajisje këta shembëlltyra të së keqes njerëzore ? Cilat janë ato interesa madhore të të mëdhenjve të politikës, që i bëjnë ata të mbyllin dy sytë para këtij degradimi të mëndjes e të shpirtit njerëzor ? A do të gjejnë fuqitë e së mirës guximin për t’i thënë ndal kësaj dukurie rrënqethëse ?
Janë pyetje që presin shpejt një përgjigje nga të gjithë, së pari nga ata që mbajnë përgjegjësitë kryesore mbi fatet e botës, është kohë veprash e jo fjalësh, por kur mendojmë se Al Bagdadi ka shtrirë zotërimin e tij në një territor që, deri para dy vjetësh kishte në gjirin e tij praninë e trupave amerikanë e të tjerë aleatësh, pikëpyetje e madhe vihet edhe mbi veprat e Vendeve të qytetëruara e demokratike, duke nxjerrë në pah mangësi katastrofale të administrimit të ngjarjeve.
Një përgjigje mund të na duhet t’a japim edhe ne shqiptarët në limitet tona, sepse ka nga ata ushtarë të “Kalifit” Bagdati që janë bijtë e vëllezërit tanë që, në atdhe, i fryjnë ndasivet fetare, ndërsa në Siri apo Irak bëhen mashë e së keqes njerëzore, n’emër të ideve të rreme, të një përfytyrese krejt të gabuar të kuptimit e të funksionit të besimit islam, që shpall e predikon al Bagdadi e ndjekësit e tij. Besimi islam që, në themelin e tij ka parimin “kush vret një njeri ka vrarë njerëzimin”, nuk mund të jetë instrumenti i vdekjes e poshtërimit në duar kriminelësh. Prandaj mendimi islam, ai i vërteti, ai i paqes e moralit njerëzor, nuk duhet të qëndrojë indiferent kundrejt dukurish që e diskreditojnë atë , por duhet t’a thotë me forcë fjalën e tij, për më tepër sepse është në shumicë në botën e tij.
Myslimanët shqiptarë kanë shëmbuj të shkëlqyer në historinë e tyre, si Hafiz Ali Korça, Hafiz Ali Tari, Sheh Sali Myftija, Baba Rexhepi, Hoxhë Kadri Prishtina, Ibrahim Dalliu, Sheh Karbunara e sa të tjerë që kanë qenë krenaria e kombit dhe besimtarëve, që kanë predikuar mësimet e Kuranit në dobi të harmonisë kombëtare e shoqërore. Modelet e tipit al Bagdadi nuk i vlejnë islamizmit shqiptar e duhen kthyer mbrapsht nga shoqëria jonë, që ka në besimtarët myslimanë përbërësen më të madhe si numur.
Korrik 2014