-Opozita ia paraqiti Presidentes së Kosovës kërkesat për tërheqje nga marrëveshjet me Serbinë dhe Malin e Zi/
-Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, e shtyrë, konferencë shtypi pritet në orën 15:00/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 20 Tetor 2015/ Opozita kosovare shprehet se nuk ndryshon qëndrimin kundërshtues për 4 marrëveshjet e 25 gushtit të qeverisë së Kosovës me Serbinë dhe për marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, edhe pas takimit sot te Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga të tre liderëve Visar Ymeri i LVV, Ramush Haradinaj i AAK dhe Fatmir Limaj i Nisma.
“Tre kryetarët e subjekteve politike ia paraqitën Presidentes Jahjaga kërkesat e opozitës për tërheqje nga marrëveshjet me Serbinë dhe nga ajo për demarkacionin me Malin e Zi, si kërkesa të cilat nuk kanë kompromis e as që janë të diskutueshme”, bëhet e ditur në deklaratën pas takimit, ku theksohet se “ky takim ishte ftuar nga Presidentja”
Theksohet se, po ashtu e njoftuan Presidenten se protesta e opozitës së bashkuar në Kuvend dhe jashtë tij, nuk do të ndalet me asnjë kusht deri në realizimin e këtyre kërkesave.
“Kryetarët e tre subjekteve shprehën kundërshtimin e tyre të fuqishëm për masat represive policore të cilat po i ndjek qeveria me rrëmbimin e deputetëve dhe torturimin e aktivistëve të subjekteve opozitare me qëllim të frikësimit dhe ndaljes së protestës. Vetëm tërheqja nga marrëveshjet e ndal protestën. Çkado tjetër dërgon në përshkallëzim të situates”, shprehet opozita e bashkuar.
Ndërsa, dje pasdite, Presidentja Jahjaga ka zhvilluar takim me Hashim Thaçin dhe Isa Mustafën në cilësinë e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, respektivisht të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe shefat e grupeve parlamentare të këtyre dy subjekteve, Adem Grabovcin dhe Ismet Beqirin.
Në takim ishte edhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.
Këto zhvillime janë në kuadër të iniciativës së Presidentes Jahjaga që të ftojë në takime të ndara udhëheqësit e subjekteve politike në Kosovë për të tejkaluar gjendjen e krijuar në vend.
Në pritje të takimeve të Presidentes me drejtuesit politikë, mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, e paraparë për dje, është shtyrë për ditën e sotme. “Përgatitjet për vazhdimin e seancës plenare” janë e vëtmja pikë në axhendë në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit që pritej të zhvillohej në këto momente të mesditës, ndërsa paralajmërohet konferencë shtypi për në orën 15:00. Nuk ka ndonjë njoftim kur do ketë seancë plenare të Kuvendit.
Kosova po vazhdon të humb në kohë me Kuvendin e saj, i cili në legjislacionin e kaluar ishte 7 muaj jofunksional, 1 muaj para e 6 muaj pas zgjedhjeve parlamentare parakohëshme të 8 qershorit, derisa u mblodh në seancën konstituive shumë të vonuar në 8 dhjetor 2014.
Para më shumë se një muaji, raportimi i qeverisë së Kosovës lidhur me katër marrëveshjet e arritura në Bruksel më 25 gusht 2015 ishte në axhendë në seancat e para të sesionit vjeshtor në 17 e 22 shtator. Në seancën e parë nuk ishin të pranishëm raportuesit dhe koalicioni qeverisës kërkoi shtyrje, ndërsa në të dytën që u shpall e mbyllur pas disa ndërprerjeve e pa u zhvilluar pati edhe gjuajtje vezësh nga opozita drejt kryeministrit sapo ai nisi raportimin.
Kuvendi i Kosovës pa asnjë seancë të përfunduar në sesionin vjeshtor vazhdon të jetë i bllokuar nga opozita.
“Aksionet simbolike” të opozitës, me “rrethime” të foltores e kryesuesëve, fërshëllima, gjuajtje vezësh e gazi lotësjellës në sallën e seancave të Kuvendit, janë pjesë e kundërshtimeve edhe me protesta në rrugë dhe me një peticion me rreth 200 mijë nënshkrime deri tani, të 4 marrëveshjeve të 25 gushtit me Serbinë dhe marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.
Presidentja Jahjaga, priti dje në takim edhe përfaqësues të shoqërisë civile, të cilat ditë më parë bënë deklaratë të përbashkët në mbështetje të dialogut politik për të adresuar zhvillimet e fundit në vend.
Organizata të shoqërisë civile në Kosovë në një deklaratë kanë shprehur opinionin se, “thirrja e seancave plenare pa ndryshim të qëndrimeve dhe rrethanave politike, nuk i shërben daljes nga situata e krijuar politike”, ndërsa theksojnë se “gjuha e dialogut politik është forma e vetme e zgjidhjes së problemeve politike”.