Shpesh nuk e kuptoja nga më vinte drita mbi portretin e Aristidh Rrucit. Andej nga ai kërcuri që digjej e bubullonte në vatër, Ismail Qemali, apo nga të gjithë ata që i bënin dritë njëri-tjetrit, që punuan e u dogjën për të ndriçuar fatet e Kombit.(Pirro Loli)/
Nga Keze Kozeta Zylo/
Duke lexuar librin “Aristidh Rruci dhe Koha e Burrave” me autor shkrimtarin plot sqimë dhe studjuesin serioz z.Pirro Loli ndjen se ndër duar ke një peshë të rëndë që nuk gjen pajisje për ta matur. Pesha e librit në fjalë është e rëndë si vetë malet kryelartë të Kombit, ështe e rëndë si vetë vepra e Etërve të tij. Ndonëse si autori i librit dhe unë si lexuese i gëzohemi si fëmijë të brishtë kur shikojmë dhe ndalojmë pranë portretit të Aristidh Rrucit për vetë faktin se siç e shpjegon autori që midis të tjerash se: Babai im kishte punuar pranë tij, e kishte kaluar rininë në shtëpinë e tij dhe beu e kish trajtuar si djalin e vet, ndërsa personalisht si tepelenase i gëzohem dhe më shumë faktit se ishte i zgjedhuri i Tepelenës si delegat dhe firmëtar i Pavarësisë së Vlorës në 28 Nëntor të vitit 1912. Ai ishte së bashku me avokatin Fehmi Bej Mezhgoranin etj, të mohuar padrejtësisht nga historianët.
Duke u zhytur e tëra brenda librit dhe pasurisë historikë që na lanë Burrat e Kombit, pakuptuar kishja kaluar e tëra në një gjendje ekstaze, ku me të drejtë Franc Kafka thotë se kur shkruaja libra ishja në një gjendje ekstaze me orë e orë të tëra. Këto lloj ndjesi provova në lexim dhe në opinionin që krijoja rreth këtij libri derisa ta përfundoja atë. Portreti i një prej Burrave të Kombit të magjeps dhe të fut në mendime të thella, sepse kulturimi i tyre në majat më të larta të shkollave në Perëndim dhe shkrirja e pasurisë për Kombin janë dy medalje që duhet të vihen në gjoks të Kombit. Me një lirizëm të hollë, fin dhe plot dhimbje është përshkruar motra e bukur e urtë e Zagories, një nga trevat plot kulturë dhe patriotizëm, Sava. Ajo ishte martuar me burrin tjetër të ditur dhe patriot të Kombit, shkencëtarin dhe gjuhetarin e shquar Ilia Dilo Sheperin. Dy burra të Kombit dhe të Zagorise që i dhanë dritë, jetë dhe pasuri Kombit, por që fatkeqësisht historianët dhe diktatura i dhunoi dhe i mohoi. Autori Loli metaforikisht ka shkruajtur se dhjetëra patriote të shquar anekënd vendit ashtu të mbledhur rreth Ismail Qemalit dukeshin sikur ishin të mbledhur rreth Lules së Diellit që rrotullohet rreth dritës. Burrat e shquar u mblodhen si fëmijëkokëunjur pranë Babait të Kombit Ismail Qemal Vlorës. Ai u shkëput si Prometeu nga Perandoria Turke, nga postet, paratë dhe erdhi për Flamur e Atdhe. Për jetën e Aristidh Rrucit shkrimtari Loli ka sjellë me fakte kokëfortë jetën, veprën e tij brilante si dhe humanizmin e tij si Njeri. Le të ndalemi një çast në historitë që rrëfente në netët e gjata të dimrit pranë oxhakut me kërcunj i ndjeri babai i shkrimtarit, ku së bashku me flakën dhe shkëndijat e zjarrit merrte jetë historia e pashkruar, historia e mohuar e Burrave të Kombit. Ai kishte punuar qysh i vogël pranë Beut dhe ai rrëfente me pastërtinë e shpirtit se Ai Burrë i burgosur nga diktatura mizorisht e kishte trajtuar si djalin e vet. Me dashurinë e birit për të atin, ai i kërkon ndjesë që dikur e kundërshtonte kur fliste për Beun ndaj dhe e quan ndërmjet të tjerash dhe si një libër pendese karshi të atit. Babai i Lolit vazhdimisht i këndonte elegjinë për djalin e vetëm të Aristidh Rrucit i cili ishte edukuar në Perëndim, por vdiq në moshë të re dhe ja si e vajtonte: Jeta jone flakë e erë/ ndezi shoi papushim/ Dhe s’të fali, o i gjorë/ asnjë ditë me gëzim… (f.22)
Këto vargje ishin të një shoku të Aristidhit në ditët e zisë i cili i botoi në gazetën “Përpjekja Shqiptare”. Ndërsa vargjet mbi gurin e varrit, thonë se i shkroi vetë i ati zemërplasur. Autori shkruan me të drejtë se ato vargje mund t’i kish zili dhe një poet. Rruci me origjinë nga Zagoria dhe delegat i Tepelenës, (më duhet të sqaroj këtu se në atë kohë Zagoria ishte brenda rrethit të Tepelenës, por në kohën e diktaturës u vendos brenda rrethit të Gjirokastrës), jetoi dhe vuajti në Vlorën heroike, në Vlorën e Flamurit. Thonë se kur i vdiq djali gjithë Vlora ishte në zi dhe dhomën e pritjes e veshi me pëlhurë të zezë. Të shkruash për jetën e Burrave të Kombit është një punë e gjatë, sistematike dhe me disiplinë të një studjuesi serioz, të cilin e shohim qartë në faqet e librit. Komunikimi që ka pasur me disa njerëz, dëshmitarë për veprimtarinë e tyre e bëjnë dhe më të ndjeshëm dhe më të vëmendshëm lexuesin. Njeri prej tyre është z.Eduard Dilo njeri prej pinjollëve të familjes së shquar të Kombit Dilejve të Sheperit i cili dëshmon dhe për Aristidh Rrucin vëllain e gjyshes së tij. Ai pohon se është e tmerrshme kur dëgjon dhe mendon që ai varr i bardhë me bust të bardhë u shkatërrua, u hap varri dhe nga skeleti i Nikollës u vodh ora, unaza dhe stilografi i florinjtë, që babai ia kish vënë në varr me vete! Me siguri kushdo që i ka marrë, ndoshta do të vijë një ditë, që ato relike të vyera të një ëngjëlli që mbylli jetën në atë moshë, do t’i flasin e t’i thone: “s’jemi të tuat, na çoni atje ku ishim”… Këtë e pohon edhe prof.Bardhyl Gaçe i cili shton se grabitjen e atyre relikteve e ka pohuar një varrmihës. f.23.
Të lexosh librin medoemos që prej andej del sikur të kesh qenë në një muzeum botëror të vleresuar (jo të shkatërruar dhe të mohuar siç ka ndodhur rëndom pranë vendit tonë), pranë faqeve të tëra lexova historinë e Kombit dhe të treves së famshme Zagories. Nuk është e lehtë shpirtërisht kur je brenda tij ngase ke parë si në një film horror masakrat që janë bërë karshi tyre. Njeri prej tyre është dhe Lef Nosi zëri i kujtesës i cili gjithë dokumentacionin protokollar të ngjarjeve të vitit 1912 i ruajti dhe i fotokopjoi në qindra kopje, ku shumë prej të dhënave autori i ka marrë nga i nipi i tij Skënder Kosturi për këtë burr të rrallë dhe patriot zemërzjarrtë.
DILENJTË E SHEPERIT
Autori me plot kulturë sjellë pranë lexuesve dhe më gjerë familjen e madhe të Dilenjve ku në krye të oxhakut është Ilia Dilo Sheperi, gur themeli dhe perlë e gramatologjisë shqipe, i cili kur mbylli sytë vaj i grave sheperiote ishte: U shkëput mali me borë/ U nda ergjenda kurorë/ Shami loti për fakirë/ Kur flisje për Shqipërinë/ Ndrinte vendi vetëtimë/. Amaneti i tyre nuk thinjet kurrë, jeton përjetësisht në balada edhe pse mbi supet e tyre parreshtur rrahën dhe u përplasën dallgët e egra të mohuesve të historisë. Pranë kësaj familje janë fëmijet e tij të gjithë intelektualë që kishin studjuar në Perendim dhe dispononin titullin doktor duke filluar me Dr.Jani Dilon, Dr.Orest Dilon, Dr.Mihal, Dr.Qirjako dhe Koco Dilon, etj, të cilët lindën në atë treve që i jepte Kombit vetëm yje. Libri i Grmatikës së gjuhës shqipe botuar në Vlorë në vitin 1927 u ribotua në Tiranë pas botimit të dytë në Romë në vitin 1972, në vitin 2001, nën kujdesin e nipërve të tij të nderuar e patriotë si Ksenofon, Enrik, Ylli dhe Etien Dilo shkruhet në libër.
Në Sheper në atë kohë sipas autorit numëroheshin 163 penda me arsim të lartë. Eshtë e pamundur të japësh aktivitetin e kësaj familjeje të madhe brenda një eseje, por autori me të drejtë nuk befasohet kur njerin prej tyre dhe në kohën e demokracisë e vlerësuan me titullin “Mësues i merituar”, si nipin e e tij Etjen Dilon. Autori dëshmon se e kishte njohur në Athinë, si një burrë të qetë dhe të ditur, të cilët ishin aktivizuar në shoqatën e intelektualëve emigrantë pas 90-ës me emrin Arbëria, burrë paqësor si baballarët e tij. Vazhdoj leximin dhe të krijohet ndjesia sikur puthesh dhe me Hënën, puthjet gjithmonë janë paqësore dhe shprehin dashurinë e sinqertë. Hënë ja kishin vënë shkollës që hapi Ilia Dilo Sheperi nëvitin 1906 dhe u zyrtarizua në vitin 1917, Shtëpia e Hënës pagëzuar prej tyre. Një pagëzim plot kuptim që ndriçonte errësiren që kishte pllakosur nga zgjedha otomane. Ajo shtëpi u projektua nga burrat e mëdhenj të pendës dhe të mendjes si Aristidh Rruci, Jorgo Çako, Dhiogjen Harito, Çajupi etj.
Profesor Diloja fliste dhe recitonte bukur dhe ndërmjet të tjerave u mësonte vargje përmendsh si: Drin o Drin i madhi lumë/, Që sjell valëgurë shumë/, Vallë e ndjen ti robërinë/, që ka mbytur Shqipërinë/ E.Dilo, vep e cit. f.63
Në këtë braktisje të çmendurish që iu është bërë Burrave të Kombit ku hyjnë dhe Dilenjtë e Sheperit më krijohet një vakuum i akullt dhe brenda tij shetit historia e ndezur që çan ajzbergun si një titanik i pathyeshëm dhe i pakthyeshëm. Brenda tij shqiponjat e Sheperit dhe pena e autorit ngrejnë folenë me vezë të shenjta si në kohën e Pashkës. Dhe Historia e Kombit tim bëhet dëshmitare në gjyqin final të saj.
Në Paradë kombëtare parakalojnë Burrat e Kombit
Në këtë libër lexon për mjaft burra të ndritur që në krah me Aristidh Rrucin luftuan për gjuhën shqipe. Shfletoj dhe lexoj e zhytur me kokë në ngjarje dhe histori dhe Gjuha Shqipe më del fitimtare, e mbijetuar në shekuj. Lexoj dhe mendoj se sa shumë punë na duhet dhe këtu në Emigrim për të punuar dhe për t’i thënë me kulturë: “Stop asimilimit të gjuhës shqipe në Diasporë” që çuditërisht vazhdon dhe në këtë shekull që ka hyrë në dekadën e dytë të tij. Si lexuese e magjepsur pas këtij libri jam veshur me një pelerinë të blunjtë Hëne ku shkruaj me rrezet e saj Yjet e Kombit dhe nesër kur të fillojmë shkollën në shtator me fëmijët emigrantë këtu në New York krahas urimit: Mire se erdhet, do t’ju shkruaj në dërrasë emrat e tyre dhe me vullnet të mirë do t’jua stampos emrat e ndritur në zemrat e tyre aq të pastra dhe të virgjëra për Kombin nga kanë rrënjët e tyre.
Ata Burra janë drite e diturisë, janë frymëzim i brezave, janë legjenda e Kombit tim. Këta fëmijë emigrantësh një ditë me siguri duke mësuar gjuhën shqipe do t’i këndojnë të pakënduarës së trimave dhe nëpërmjet legjendave do të ndërtojnë skulpturën “Burrat e Kombit” per ta vendosur ndoshta një ditë në Muzeumin Metropolitan, nga më të famshmit në botë. Ata parakalojnë para syve tanë në radhë si shkronjat e arta të alfabetit shqip që e kanë mbrojtur me gjak si Pandeli Sotiri, Papa Kristo Negovani, Motrat Qiriazi deri tek vazhduesi i Kulluriotit Aristidh Kolja autor i librave fondamentalë në marrëdheniet greko shqiptare. Autori është takuar me të personalisht dhe pohon se Aristidhi kishte 600 vjet që kishte emigruar në Greqi (Tiver) dhe shqipen e kishte ruajtur në shekuj, duke thënë se jam 24 karat shqiptar dhe grek s’bëhem kurrë. Pjesa e dytë e librit hapet me dilemën historike ku gjithë Rilindasit donin një Shqiperi të pavarur, udhëtimet e Ismail Qemal Vlorës në Europë për Shqipëri të pavarur etj…
Më tej vazhdon me Prologun e zi ku Kongresi famëkeq i Berlinit 1878 i vodhi 25 mijë kilometra katrore Shqipërisë. Eshtë një histori e tërë luftrash, gjak, plagë, që populli luftoi deri në Pavarësinë e Shqipërisë ku medoemos frymëzohem për të parët e mi që dhanë kontribut të padiskutueshem në Pavarësinë e Shqipërisë. Më duhet të përmend dhe aktmandatin dhënë përfaqsueseve të Kazasë së Tepelenës nga banorët e saj për në Kuvendin e Vlorës. Ata propozojnë që të jenë efendiu Aristidh Rruci nga Sheperi i Zagorisë Sheh Maksuti nga Tepelena, Sami efendiu nga Mezhgorani, persona të zotë që gëzojnë besimin e ne të gjithëve vazhdon aktmandati që është origjinal në osmanisht. Përmes një leksiku të zgjedhur fjalësh që autori e ka pronë të tij të folurën bukur arrijmë në Kryeditën Kombëtare në aktin e Pavarësisë. Kësaj kryedite i paraprin Flamuri Kombëtar që është urdhër lufte dhe nderi, alarmi më i shenjtë, betimi dhe Liria. Fill pas shpalljes së Pavarësisë Aristidh Rruci do ju dërgonte telegram Sheperit të cilët brohorisnin nga gëzimi.
Megjithatë autori flet me fjalën e historisë se luftrat vazhduan gjatë ato nuk mbarojnë kurrë. Kështu flet për masakrën e Hormovës ku egërsia greke therri 217 burra në Hormovë. Selam Musai së bashku me popullin tepelenas u ngriten në këmbë për të luftuar urrejtjen e pashoqe të pushtuesve italianë. Heroizmi i tij mbeti si legjendë në këngë. Me katërqind e ca komita/ bëre poshtë nga Babica, e zure topin nga grika/ italianët nga frika/ u trembnë sa u ra pika/ Tepelenë pse vajtoni/ Selam Musanë kërkoni/ trim’n e mirë mos e harroni/.
Po me kaq forcë jep dhe masakrat e bishës serbe që u bënë mbi popullin e pafajshëm të Kosovës.
Me shumë dhimbje lexon dhe shkrimin Vdekja e Ismail Qemalit, Ati i Pavarësisë ku të gjitha gazetat shqiptare dhe mediat e huaja dhanë për jetën dhe veprimtarinë e tij në Shqipëri. Gjithë Kombi ishte në zi, Vlora e vajtonte me ligjet labe: Si na ike Smail be/ o zhgabonjë përmbi re/ zumë e të qajmë me ligje/ nëpër kodra e nëpër brigje/ dhe flamuri po vajton/ Vlorë e bekuar rënkon…”
Shkrimtari Loli demaskon absurditetin historik duke e vulosur si trashanik, cinik, armiqësor për mohimin që i është bërë delegatit Aristidh Rrucit e shumë personaliteteve të shquara historike që s’përmenden asgjëkundi. Autori këtë radhë më duket sikur qëllon me beben e syrit si shigjetë të gjithë mashtruesit e historisë sic shkruan në një poezi dhe merr në mbrojtje burrat e Zagorisë, lidhjet me Kombin dhe Vlorën e Flamurit. Në këto hulumtime serioze autorit Kombi i është dukur më i madh dhe ka shkundur borën e zezë përmbi emrat si Aristidh Rruci dhe Burra e Kombit. Si lexuese përjetova Kohën e burrave, ndërkohë së shpejti m’u zgjua shpresa se nga ky autor do të lexojë librin që të perjetojë dhe Kohën e grave të Kombit. Ato janë shumë duke filluar me mbretëreshën Teute, nënën Terezë etj të cilat jetuan krah burrave të mëdhenj dhe luftuan jo më pak se ata për Kombin. Pasi e mbaron gjithë librin, faktet, historitë e Kombit, ndjesitë që përshkruan autori të duket sikur ke lexuar një enciklopedi të tërë për Zagorien dhe dielli paprimtas lëshon dritë dhe verbohet nga harresa dhe gojët e legjendave që lëshojne zjarr dhe djegin shkretëtiriën e kujtesës për të filluar jo një Sahara, por një botë e re, nje botë e paqtë dhe e vërtetë. Tek kjo Botë e Paqtë kam portën mijëravjecare me çelësin e artë Shqipëri, që s’ndryshket kurrë. Mbi portë është emblema: Burrat e Kombit që na ringjallin së vdekurish.
Gusht, 2013
Staten Island, New York