Nga Sokol PAJA – DIELLI/ Të dielën më 13 Qershor 2021 në orën 4 pm në Qendrën Kulturore “Nënë Tereza” pranë Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” Hartsdale, New York u shfaq dokumentari televiziv “Marjan Cubi në mes të Amerikës dhe Kosovës” i realizuar nga gazetari i shquar i Radio Televizionit Shqiptar Ilir Buçpapaj. Me dhjetëra pjesëmarrrës miq, familjarë, autoritetet më të larta të Vatrës, famullitari i Kishës Dom Pjetër Popaj, gazetarë, studiues, patriotë, veprimtarë e bashkëpunëtorë të Marjan Cubit, nderuan veprimtarinë e lartë patriotike, politike, fetare dhe humanitare të Marjan Cubit dhe familjes së tij. Një dokumentar i gjërë me mbi 2 orë, i realizuar mjeshtrisht nga gazetari Ilir Buçpapaj, përfshin veprimtarinë e Marjan Cubit që nga fëmijëria e tij e deri në ditët e sotme. Në këtë dokumentar u shqaf portreti shumë dimensional i patriotit Marjan Cubi, familjes së tij dhe kontributi i çmuar në Diasporën shqiptare, kontributin e vyer për Kosovën, Shqipërinë dhe kudo ku lakohej interesi kombëtar e çështja kombëtare shqiptare. Veprimtaria në nderim të Marjan Cubit u hap nga djali i Marjanit, Ilir Cubi një patriot veprimtar që e ka shoqëruar Marjanin dhe mbështetur në të gjitha angazhimet dhe vendimmarrjet e tij. Për kontributin e Marjan Cubit si një personalitet fetar foli famullitari i Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” Dom Pjetër Popaj i cili ndër të tjera tha: “Marjan Cubi është një personalitet atdhetar dhe fetar i jashtëzakonshëm. Ai na bën krenar të gjithëve. Ky dokumentar na gëzon sepse ne përpiqemi të vlerësojmë në një fare mënyre veprimtarinë e jashtëzakonshme që do të mbetet përherë si model dhe respekt ndaj asaj që Marjani na ka dhuruar si model i një patrioti e fetari tepër të përkushtuar. Veprimtaria e tij është një model i veçantë për brezat që vijnë. Në çdo sipërmarrje Marjani ka shkëlqyer, ka dalluar për shpirtin e tij, ndershmërinë dhe përkushtimin si për fe dhe atdhe. Mirënjohje të pakufishme Marjanit për angazhimin fetar dhe detyrat që i ka realizuar me sukses në Kishën tonë. Marjani ishte gjithmonë një njeri shumë i rëndësishëm në Famullinë tonë. Këmbëngulja dhe ndershmëria e Marjanit e kanë bërë një njeri të suksesshëm dhe veprimtar të shquar” cilësoi Dom Pjetër Popaj. Për veprimtarinë patriotike, politike dhe vatrane të Marjan Cubit foli kryetari i Vatrës z. Elmi Berisha i cili ndër të tjera u shpreh: “Jam i lumtur që marr pjesë në këtë promovim shumë emocionues për një njeri me integritet e personalitet të lartë si Marjan Cubi. E njoh prej më shumë se tash 3 dekada Marjanin. Ju garantoj me bindje absolute se është e vështirë të gjesh një njeri kaq patriot, kaq të ndershëm e kaq veprimtar të palodhur në mesin tonë si Marjan Cubi. Ai ka qenë në çdo kohë në krye të demonstratave nga Uashingtoni në New York e deri në Ohajo. Marjan Cubi ishte në krye të demostratave në dobi të çështjes kombëtare sa herë që interesi kombëtar e çështja kombëtare e kërkonte. Presidenti historik i Kosovës Doktor Ibrahim Rugova kishte respekt e vlerësim të veçantë për Marjan Cubin dhe kontributin e tij të jashtëzakonshëm në dobi të interesit kombëtar. Kemi udhëtuar 34 vite së bashku në krye të çështjes kombëtare. Marjani ka qenë kreu i LDK ku së bashku me Agim Rexhajn jemi përpjekur për lirinë e pavarësinë e Kosovës. Jam i lumtur që e njoh, që e kam mik dhe bashkëpunëtor. Ky është dokumentar i shkëlqyer” përfundoi vlerësimet e tij për Marjan Cubin, kryetari i Vatrës z.Berisha. Gazetari i shquar i Radio Televizionit Shqiptar Ilir Buçpapaj u ndal te kontributi i Marjan Cubit në çështjen e Kosovës, demostratat në Amerikë për çështjen e Kosovës, rivarrimin e eshtrave të Konicës, vendosjen e gurëthemelit të Katedrales në Prishtinë, aktivitetin fetar e mbi të gjitha shpirtin shqiptar të Marjan Cubit si një patriot i flaktë e njeri fisnik i Kosovës kreshnike. Z.Buçpapaj e cilësoi Marjan Cubin si një “maratonamak” i çështjes kombëtare, kur për kontributin dhe vlerat e tij, brezat do i jenë mirënjohës. Dokumentari televiziv “Marjan Cubi në mes të Amerikës dhe Kosovës” u hap me fëmijërinë e mundimshme të Marjan Cubit në fshatin e tij të lindjes në Drenoc të Klinës, shkollimin, shërbimin ushtarak dhe nisma për të njohur vlerat e kombit shqiptar. Një vit jetoi në Libi si emigrant për të punuar e mbajtur familjen. Libia ishte një vuajtje e madhe për Marjanin. Në Austri ditët e muajt ishin plot ëndrra për Marjan Cubin ku në Muzeun e Vjenës pa shpatën e përkrenaren e Skënderbeut e shumë libra të rilindësve të shquar që e frymëzuan. Më 1974 shkeli në Amerikë në New York ku Manhatani ishte një madhështi, kujton në rrëfimin e tij në dokumentar Marjan Cubi. Kisha dhe besimi në Zot e shtynë gjithmonë përpara Marjanin si një njeri i pastër i drejtë dhe i ndershëm. Sapo erdhi në New York u angazhua me kishën Zoja e Shkodrës ku ishte Kryetar i Këshillit të Kishës ndersa sot është drejtor i Qëndrës Nënë Tereza. Marjani ka dhënë ndihmesë në zhvillimin dhe ruajtjen e traditave kulturore kombëtare. Më 1975 njihet me bashkëshorten Dilën dhe martohen më 28 shkurt 1976. Marjan Cubi merr pjesë rregullisht në demostratat shqiptare me dhjetëra e mijëra shqiptarë në USA për interesat kombëtare të lirisë dhe paqes në Kosovë. Hyrja e NATO-s në Kosovë për ta çliruar nga okupatori serb ishte një moment i madh krenarie e lavdie sipas Marjan Cubit i cili bashkë me miq e shokë, Marjani dha një kontribut të madh me takimet në Capitol Hill e Shtëpinë e Bardhë me kongresmenë e Senatorë. Marjani ishte pjesë e delegacionit të Vatrës në Uashington në shtator të vitit 2020 gjatë bisedimeve Kosovë – Serbi. Marjan Cubi ndalet te vlerësimi i veçantë për doktor Rugovën si arkitekt i shtetit modern dhe pararendës i lirisë e Pavarësisë së Kosovës. Ai tha për Rugovën se ishte një politikan i pazëvendëdësueshëm që luftoi për Kosovën. Dokumentari na njeh me faktin se Marjan Cubi ishte pjesë e delegacionit shqiptar që priti Papa Gjon Pali në Vatikan dhe homazhet për Nënë Terezën kur u largua nga jeta dhe kur u lumturua nga Vatikani. Marjan Cubi mblodhi fonde për kishën Katolike në Prishtinë, kishën Zoja e Shkodrës në New York ku janë mbledhur mbi 2 milion dollarë nga komuniteti shqiptar. Marjan Cubi ishte në Tiranë kur Papa Francesku shpalli të lumtur 38 Martirë të Kishës Katolike. Marjan Cubi dhe familja e tij dha kontributin për ndërtimin e Katedrales së Shën Pali e Shën Pjetrit në Tivar. Një vend të rëndësishëm në dokumentar zë jeta familjare e Marjani Cubit, detaje nga familja e tij e mrekullueshme ku tregohet imtësisht organizimi tradicional i dasmave tipike shqiptare, martesat e fëmijëve të Marjan Cubit, marrëdhënia e veçantë me nipat e mbesat etj. Në dokumentar flasin miq e bashkëpunëtorë prej vitesh të Marjan Cubit. Presidenti i Nderit të Vatrës Agim Rexhaj deklaroi se Marjan Cubi ishte një besnik dhe përkrahës i madh i Rugovës. “Ishte mik i tij dhe zbatues i filozofisë Rugoviane. Marjani ka kontribuar dhe për UÇK. Marjan Cubi është patriot dhe atdhetar i shquar” – cilësoi z.Rexhaj. Imzot Dom Lush Gjergji deklaroi në dokumentar se Marjan Cubi ka qenë shumë i përkushtuar për çështjen fetare dhe kombëtare ku me miqtë e tij amerikanë ka sensibilizuar për kauzën kombëtare. Një besimtar dhe veprimtar i angazhuar me mish e me shpirt në çdo rast dhe nevojë” – tha Imzot Gjergji. Editori i Diellit Dalip Greca e vlerësoi në këtë mënyrë Marjan Cubin: “Marjani ishte njeriu më i gjetur për të administruar në Vatër si arkëtar. Njeri patriot, i angazhuar dhe shumë punëtor. Marjani ka shpirtin bujar për ta mbajtur gjallë Vatrën. Një njeri i nderuar dhe i respektuar në komunitet” cilësoi z.Greca. Ish kryetari i Vatrës Dritan Mishto vlerëson në dokumentar se: “Marjan Cubi ka një aftësi të rradhë për të ruajtur marrëdhënie të shkëlqyera me bashkëpunëtorët. Ka bërë një menaxhim perfekt të detyrave. Ai ka vënë në dispozicion të Vatrës të gjitha energjitë e tij. Marjani është korrekt, dashamirës, i ndershëm, i papërtuar i paqtë dhe i mençur” shprehet z.Mishto. Përveç të tjerash në dokumentar shfaqet edhe Lek Musolli, Mikel Gojani e shumë miq e shokë të vyer të Marjan Cubit teksa e vlerësojnë dhe çmojnë lart figurën e dimensionin patriotik e njerëzor të Marjan Cubit dhe kontributin e tij e të familjes për Kishën, Kosovën, Shqipërinë dhe çështjen kombëtare në tërësi. Në dokumentar paraqitet gjithashtu edhe publicistika e Marjan Cubit me karakter fetar dhe atdhetar. Në fund të dokumentarit përshëndetën djali i Marjanit Iliri ku shprehu vlerësime e nderime për pjesëmarrrësit, nipi i Marjanit e familjarë e miq të tij. Një moment shumë i rëndësishëm i kësaj feste për Marjan Cubin ishte vlerësimi me Certefikatë Mirënjohje për “Atdhedashurinë e kontributin e spikatur në lartësimin e vlerave të kombit tonë” prej Shoqatës Shqiptaro-Amerikanë “Skenderbej Inc” të cilën ia dorëzoi kryetari z.Mark Qehaja. Në fund të takimit festiv familja Cubi shtroi një cocktail vëllazëror që i dha mbrëmjes nota patriotike, respekti, vëllazërie, miqësie të veçantë e vlerësimi të madh për Marjan Cubin dhe Familjen e tij.