• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mbi mundësitë dhe kufijtë e faljes

December 3, 2018 by dgreca

… E pabesueshmja. Disa ditë  më  parë, një  anëtar i qeverisë  aktuale, një  neokomunist, me cinizëm dhe paturpësi, u kërkoi viktimave të  diktaturës komuniste,  t’u kërkojnë  falje xhelatëve të  tyre, për qëndrimin që  kanë  mbajtur disa figura të nacionalizmit shqiptar gjatë  luftës së  dytë  botërore, (si Mit’hat Frashëri, Mustafa Kruja, etj), të cilët, sipas tij, kishin bashkëpunuar me fashizmin e nazizmin në dëm të  interesave kombëtare. Dhe për këtë i referohet historisë së shkruar dhe manipuluar nga historianë që dolën nga laboratorët e komunizmit, periudhë ende e patrajtuar në mënyrë  objektive dhe të  paanshme.

2 alma Liço

Nga Alma LIÇO/

Teksa po lexoja librin “Lulja e Diellit” të Simon Vizental-it, ndjeva një  shtysë të brendshme të  reagoja dhe jepja opinionin tim mbi mundësitë  dhe kufijtë  e faljes, trajtuar aq gjërësisht në këtë  episod të  jetës së  autorit.

Historia e vuajtjeve të  tmerrshme në  kampet naziste të  përqëndrimit, ma solli të gjallë  terrorin dhe genocidin ndaj hebrejve, gjatë asaj periudhe të  shëmtuar të  historisë  së  njerëzimit.  Ngjarja e përjetuar nga autori është  e shkruar mjaft bukur dhe me origjiinalitet, me një  gjuhë  të  thjeshtë, të  rrjedhshme e të  kuptueshme. Simon Vizental është një nga të  mbijetuarit e paktë të  atij kampi. Histori të  tilla kemi lexuar e njohur me qindra. Por, ajo që  e bën të  veçantë  këtë rrëfim të  dhimbshëm, është  raporti dhe dilema që autori çfaq në  lidhje me ndjesën e kërkuar prej tij nga një  kriminel, Oficer SS-ë , që  po ndërronte jetë, në ato ambiente ku mbizotëronte terrori dhe vdekja. Mes plagëve dhe fashove që  kullonin gjak e qelb, SS-ë njëzet e ca vjeçar, kishte dëshmuar krimet e tij të tmerrshme dhe thellësisht i penduar, kishte kërkuar që  hebreu i burgosur, ta falte atë. Nën peshën e terrorit dhe të çfarosjes në masë, autori  ishte i obliguar ta dëgjonte deri në  fund rrëfimin e të riut që  po vdiste, dhe më pas ishte larguar në  heshtje, duke refuzuar në  mënyrë  të  pazëshme të  mbante qëndrim ndaj lutjes së  tij.  Disa orë  më pas, oficeri SS-ë   kishte mbyllur sytë . Kjo ngjarje u skalit në ndërgjegjen e Simonit dhe shumë  vite më  pas ai kërkoi nga lexuesit e këtij episodi, si do kishin vepruar ata në të njejtat rrethana. Natyrshëm, paqartësia e autorit, dhe deri diku  brerja e ndërgjegjes,  ka ndezur mjaft opinione  të ndryshme, të  botuara së  bashku me këtë  libër.

Në opinionin e saj lidhur me mundësinë  dhe kufijtë  e faljes,  Meri Gordon, profesoreshë  e anglishtes në  kolegjin “Barnard”, autore e katër novelave bestseller, ndër të  tjera  shkruan:  Falja afër mendsh mund të  jetë  e mirë  për të  dy palët, por nuk mund të  jetë  kurrë  e mirë  harresa; së  pari sepse ajo është  një  formë  mohimi, dhe së  dyti sepse vetëm njohja e fajit nga të  dy palët mund të  fillojë të  pengojë  përsëritjen e veprave të  shëmtuara. Duke damkosur mëkatarin në  mënyrë  të  sigurt, ritualet publike të  pendesës sigurojnë  që  vepra të  mos harrohet.

Ndërsa Hans Habe, kryeredaktor  i Gazetës “Die neue Zeitung”, në  Mynihun e pas luftës së  dytë  botërore, shkruan: Falja është  çështje shpirtërore, ndëshkimi është  çështje ligjore…Amnistia që  i jepet një vrasësi i cili nuk ndëshkohet, është  një  formë  bashkëpunimi në  krim. Ajo nuk nxit falje, ajo e përjashton atë …nuk mund të  pranoj justifikim se sistemi e çliron individin nga përgjegjësia… Të  falësh pa drejtësi  është  një  dobësi e vetkënaqësisë .

Cinthya Ozick, anëtare e Akademisë  Amerikane të  Arteve dhe Letërsisë , fituese e disa  çmimeve për novela dhe tregime, shkruan:  Shpesh na kërkohet të arsyetojmë në  këtë  mënyrë. Hakmarrja brutalizon, falja fisnikëron. Por mund të jetë  e vërtetë dhe e kundërta. Rabinët kanë thënë: Kushdo që mëshiron një  mizor, do të  përfundojë si indiferent ndaj të pafajshmit. Edhe falja mund të  brutalizojë…falja është  e pamëshirë, ajo harron viktimën. Ajo i mohon të  drejtën viktimës për jetën e vet. Ajo sfumon vuajtjen dhe vdekjen. Ajo mbyt të shkuarën. Ajo kultivon ndjeshmëri ndaj vrasësit dhe pandjeshmëri ndaj viktimës…Falja është  e pamëshirshme.  Fytyra e faljes është  e butë, por shumë e ashpër për viktimën.

E megjithatë, ky episod i jetës së Vizental-it, nuk e pengoi atë të luftonte për dënimin e krimit nazist.  Qendra e dokumentacionit e krijuar prej tij,  e cila ndjek kriminelët nazistë, ka ndihmuar të çohen para drejtësisë 1100 persona që prej mbarimit të luftës së dytë botërore, kontribut për të cilin ai është nderuar nga qeveritë e disa shteteve, si SHBA, Holandë, Itali,  Izrael.

…Pa pretenduar ta rendis veten ndër figurat e spikatura dhe me përvojë,  që  nisur nga dilema e autorit kanë dhënë opinionet e tyre rreth mundësisë  së  faljes, nuk mundem të mos shpreh qëndrimin tim për raportin çnjerëzor, të  palëkundur të  kriminelëve komunistë, me viktimat e tyre, të  përjetuar nga qindra mijëra shqiptarë .

Brez pas brezi, viktimat e pafajshme kanë  provuar dhe provojnë ende në  kurriz barbarinë  e atyre që jo vetëm nuk çfaqin shenjat më  të  vogla të  pendesës për krimet e tyre pesë dhjetë  vjeçare, por përkundrazi, e vazhdojnë  atë  luftë kriminale me të  njejtin zell. Sigurisht, me format e reja që  u mundëson koha…flakjet nga vendet e punës e hedhja në rrugë të  madhe, talljet me të drejtën e të qenit të dëmshpërblyer për dënimet kriminale dhe abuzive të pësuara, sorollatjet e padenja në proçese të  pafundme gjyqësore në kërkim të dëshpëruar të të drejtave të dhunuara…rigrabitjen e pronave të  sekuestruara nga etërit e tyre…etj.

Në vlerësimin tim, pendesa është një proçes i gjatë  i një brerjeje të ndërgjegjes së  individit që  ka mëkatuar apo ka kryer krime, i cili duhet të pasohet nga përpjekjet e tij për të shlyer disi dëmet e shkaktuara.  Ndaj të njejtin mendim me disa nga personalitetet që  kanë  shprehur qëndrimet e tyre, se ndjesa nuk mund dhe nuk duhet të  kërkohet. Ajo mund të  jepet nga viktima, nëse vërtet e ndjen se pendesa e mëkatarit është  e sinqertë  dhe se ai, mëkatari, ka dhënë  gjithë  shpirtin dhe energjinë  e tij për të  minimizuar dëmet e shkaktuara. Pra, ndjesa sipas meje, nuk kërkohet,  ajo meritohet. Ky hap aspak i lehtë  i shërben paqtimit të  shpirtit të  lënduar të  viktimave, si dhe një  paqeje sociale aq të  dëshiruar.

Por opinioni im nuk ka lidhje fare me realitetin e raportit krim-viktimë ,  në  Shqipëri. Për fatin tonë  të  hidhur, komunistët, e veçanërisht këta tanët, mbeten kriminelët me të  pamëshirshëm në  historinë  e komunizmit të  vendeve të  Europës lindore,  që  masakruan brez pas brezi bashkë qytetarët e tyre. Nuk ka asnjë  gjasë që  ata të pendohen, aq më  pak të  kërkojnë  ndjesë. Mungon tërësisht edhe vullneti shtetëror e ai juridik që ata të dënohen sipas ligjeve dhe të drejtës ndërkombëtare. Personat e përfshirë  në  krimin komunist, të cilët arritën të  çfaqin një lloj pendese dhe keqardhje për viktimat e tyre, mund të  numërohen me gishtat e njerës dorë , dhe për fat të keq pendesa e tyre ka ardhur pasi dhe ata vetë, në një moment të caktuar të jetës, kontributeve dhe bashkëkzistencës me terrorin e ideologjisë komuniste, kanë  provuar krimin dhe ndëshkimin mizor të  luftës brenda llojit.  Ata u dënuan prej atyre të  cilëve u kishin besuar, dhe mbështetur në drejtimin e pushtetit të  përgjakur, të  dalë  nga lufta vëllavrasëse, si dhe kolaboracionizmi me armiqtë  më  të  egër dhe atavistë  të  Shqipërisë, ruso-jugosllavët.

Madje, në  Shqipërinë  tonë  të  vogël, ende ndodh e paimagjinueshmja. E pabesueshmja. Disa ditë  më  parë, një  anëtar i qeverisë  aktuale, një  neokomunist, me cinizëm dhe paturpësi, u kërkoi viktimave të  diktaturës komuniste,  t’u kërkojnë  falje xhelatëve të  tyre, për qëndrimin që  kanë  mbajtur disa figura të nacionalizmit shqiptar gjatë  luftës së  dytë  botërore, (si Mit’hat Frashëri, Mustafa Kruja, etj), të cilët, sipas tij, kishin bashkëpunuar me fashizmin e nazizmin në dëm të  interesave kombëtare. Dhe për këtë i referohet historisë së shkruar dhe manipuluar nga historianë që dolën nga laboratorët e komunizmit, periudhë ende e patrajtuar në mënyrë  objektive dhe të  paanshme.

Ndonëse në opinionet dhe qëndrimet ndaj  dilemës së  Simon Vizental-it u njoha me  krime nga më të ndryshmet , (si Holokausti, Aparteidi, etj),  askund nuk hasa absurdin e kërkesës që  xhelatët u drejtojnë  viktimave, sipas së cilës ata, viktimat  duhet t’u kërkojnë  ndjesë  kriminelëve dhe torturonjësve të  tyre të pesë dhjetë  viteve???

Kam lexuar për “Teorinë e Pafuqisë” të elaboruar nga një shkencëtar i quajtur Martin Seligman, sipas të cilës nuk mund të bëhet asgjë për të kontrolluar apo për të përmirësuar një gjendje të caktuar nga persona që  kanë pësuar e vuajtur pasojat e saj për një periudhë relativisht të gjatë. Dëshpërimisht ndjehem viktimë e lodhur e saj. Me dhimbje dhe trishtim përfundoj se ndonëse pendesa dhe falja janë  proçese të  mahnitshme ringjalljeje, ne,  viktimat e komunizmit,  kurrë  nuk do mundemi t’i provojmë. Jo, në  Shqipërinë e dominuar ende nga trashëgimia dhe barbaria komuniste.

Filed Under: Analiza Tagged With: Alma LIÇO, dhe kufijtë e faljes, Mbi mundësitë

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT