NGA URAN BUTKA/ Me deklaratat e tij në media, historiani Pëllumb Xhufi tjetërson të vërtetën historike dhe lëndon të gjithë të përndjekurit politikë të Shqipërisë, në mënyrë të veçantë ish-të internuarit në kampin e Tepelenës, por provokon e lëndon edhe gjithë shoqërinë e shëndoshë shqiptare.
Fillimisht dua të theksoj se përveç dënimeve politike pa gjyq dhe me gjyqe të montuar ndaj kundërshtarëve politikë, duke i dënuar me varje, pushkatime e burgime të renda, regjimi komunist dënoi edhe familjet e tyre, pra pleqtë, gratë e fëmijët duke i mbyllur në kampe përqëndrimi apo kampe internimi, ku u dhunuan dhe vdiqën me mijra të pafajshëm, sidomos fëmijë, gjë e përbën një krim kundër njerëzimit.Në vitet e para të diktaturës, u ngritën kampet e përqëndrimit për familjet “reaksionare”, kampe të rrethuar me tela me gjëmba dhe të ruajtura nga ushtria, si kampi i Krujës (1945) ku vuajti çnjerëzisht edhe familja Butka, më pas edhe kampi i përqëndrimit në Kamëz, Berat dhe në Tepelenë. Mandej, u hapën në mjaft rrethe si Lushnjë, Fier, Vlorë, Cërrik, Kuç etj edhe kampet e internimit të punës së detyruar, edhe këto kampe të izoluara, ku të internuarit punuan si skllevër për gjysmë shekulli me radhë.
Kampi i Tepelenës ishte një kamp përqëndrimi i tipit Stalinist, i ngjashëm me ata të nazizmit. Përgjegjës i kampit ishte Xhaferr Pogace, deri në vitin 1952. Përvec privimit të lirisë ( që Xhufin nuk e shqetëson fare, sepse nuk ka thënë asgjë për krimin e privimit të lirisë ndaj njerëzve të pafajzëm, grave dhe fëmijve dhe robërimit të tyre të paligjshëm), u ushtrua një dhunë e tmerrshme morale, fizike, psikogjike, por edhe forma te tjera te torturës si mungesa e ushqimit, epidemitë e pa mjekuara, çnderimi i vajzave dhe grave të internuara, mungesat e veshjeve, fjetja në çimento apo dërrasa, vdekjet për shkak të kushteve jonjerëzore etj( ndërkohë që historiani Xhufi flet për një jetë jo aq te keqe në kampin e Tepelenës, gjë që përbën një fshehje të së vërtetës dhe lustrimin e krimit komunist).
Në një dokument për kampin e Tepelenës, thuhet: “Në kampin e internimit të Tepelenës kemi një sasi njerëzish që janë pothuaj krejt të zhveshur pse janë nga veriu dhe se kanë një kohë të gjatë që rrinë në kampe, u duken mishrat” shkruhet në raportin e datësë 30 korrik 1951 të degës së kampeve dhe burgjeve. (Arkivi i MPB, F.50,v.1951,D.420).
Nuk janë rastësore, siç mund të mendojë kush, deklarimet publike të Xhufit për Kampin e përqëndrimit të Tepelenës. Ai e ka shprehur dhe mbajtur këtë qëndrim negativ përgjatë gjithë këtyre 25 vjetëve, duke glorifikuar kriminelët komunistë dhe duke përbaltur viktimat e atij regjimi, duke i mbetur besnik të shkuarës komuniste, formimit të tij gjenetik dhe ideologjik, ashtu edhe historiografisë komuniste.
Si historian, Pëllumb Xhufi, e ka të ngulur në ndërgjegjen e formimin e tij konceptin komunist për historinë, politizimin e skajshëm të saj, metodën e përjashtimit e damkosjes të rivalit politik dhe të urrejtjes klasore. Edhe në debatet që po zhvillohen këto ditë në shtyp, Xhufi i sulmon ata qe e kritikojnë apo ata që kanë mendim ndryshe me etiketime që s’janë të denja për një historian, apo në etikën e një intelektuali, i etiketon neofashistë, revanshistë etj. Bie fjala, studiuesit Agron Tufa, i cili me të drejtë e kritikon me argumente sjelljen enveriste të Xhufit, ky e akuzon sikur Tufa i referohet burimeve nga Beogradi!? duke aluduar djallëzisht se diçka e lidhka A.Tufen me Beogradin!? Teoritë komuniste të konspiracionit.. Kjo është sa perfide aq edhe e paturpshme. Të nxjerrësh dhe të përdorësh dokumente historike arkivat e Beogradit, Stambollit, Athines etj, nuk ka asgjë të keqe për një studiues. Aq me tepër akuza e Xhufit: “A thua të jetë thjesht afiniteti me gjuhët dhe kulturën sllave?”
Historiani Xhufi ngatërron me qëllim politikën me kulturën e popujve, qoftë edhe të popujve sllavë (rusë, kroatë sllovenë, serbë, bullgarë etj) Kulturat lidhin, forcojnë dhe fisnikërojnë kombet, paqen, miqesine dhe bashkëpunimin ndermjet tyre. Elitat politike dhe shtetërore janë gjë tjetër.
Të parët e Agron Tufës, patriotë, kanë luftuar kundër pushtuesve serbë për të mbrojtur Dibrën nga vandalizmat e ushtrisë e te politikes serbe, por kanë luftuar edhe kundër nazifashizmit (gjyshi i tij ishte partizan) , ndërkohë që babai i tij, Isuf Tufa, antikomunist është dënuar dhe burgosur në burgun e Spacit, sepse nuk i ka shërbyer regjimit Komunist, si të parët e Pëllumb Xhufit.
Në mungesë të kundërshtimit me argumentre historikë, P.Xhufi e sulmon Agron Tufën“Se ai gënjen si derri” (argument vulgar). Apo fyerjet ndaj studiuesit Kastriot Dervishi, të cilin e quan fshatar etj. K.Dervishi punon vetem me dokumentin arkivor, nuk flet ai, por flasin dokumentet, që boton K.Dervishi dhe që i djegin Pëllumb Xhufit.
Ai thotë se ka konsultuar dokumentet amerikane të CIA-s per kampin e Tepelenes të datës të 29 majit 1953 dhe pohon publikisht:
“Kampi i Tepelenës ishte ndoshta kampi më i mirë ndër kampet e tjera, kampi i Maliqit ka qenë shumë më i keq, e thonë dokumentet, ato që kam parë unë, amerikane. ..”
Së pari, historian Xhufi nuk e njeh fare historinë e kampeve dhe burgjeve te regjimit komunist. Fakti që ai ngatërron kampim e internimit të Tepelenës me burgun e Maliqit, është sinjifikativ. Në Maliq ishte një burg me të burgosur politikë, që punonin per tharrjen e kënetës, ashtu si burgu i Spaçit, apo i Batrës, ku të burgosurit punonin për te nxjerrë bakër apo krom.
Së dyti, detyra e historianit është të konsultojë e ballafaqojë disa burime. Xhufi ka zgjedhur vetëm një burim, atë që i intereson, ndonëse thotë se ka lexuar disa dokuente amerikane, mirëpo vetëm mbi një dokument abuzon për të nxjerrë dhe publikuar të pavërteta. Ka dokumente të tjerë, por ka edhe dhjetra dëshmitarë, që kanë vuajtuar dhe i kanë shpëtuar vdekjes, që kanë dëshmuar për ferrin e kampit të Tepelenës.( Lexo dëshmitë e ish te internuarit në Kampin e Tepelenës, Aziz Ndreu, botuar tek “Zërat e Kujtesës”, apo “Kalvari tragjik i grave të internuara dhe të burgosura”, shkruar nga e internuara në kampin e Tepelenës, Fatbardha Saraçi, apo albumin “Në rrathët e Ferrit” (Botime ë Institutit të studimeve të Krimeve të Komunizmit për kampin e Tepelenës) etj, midis të cilave rrëfime tragjike per gratë e internuara në Tepelenë: Vera Dema, Kadrie Cami, Vashe Kola, Hyrie Dosti, Gjyste Ndoci, Tefta Mesini,(Çapo), Mrika Gjikola, Gjela Gjikola dhe qindra grave e vajzave të tjera , që humbën prindërit dhe fëmijët në kampin famëkeq të Tepelenës. Edhe varret nuk i kanë gjëkundi. Vetëm eshtrat e dy vajzave të vogla: Prena dhe Dila Gjikola, tw varrosura para 55 vjetësh në kampin e Tepelenës, u gjetën nga nënat e tyre Mrika dhe Gjela Gjikola, u nxorën prej andej dhe u varrosën në tokën e tyre, në Selitë të Mirditës.
Së treti, Xhufi thotë se në kampin e Tepelenës ishin internuarit e familjeve te diversantëve dhe kriminelëve te Veriut, ndërkohë që në atë kamp ishin të internuar edhe nga Jugu, një grup familjesh të deklasuara nga Dukati i Vlorës apo nga Konispoli etj. Xhufi justifikon internimin e familjeve për shkak të të arratisurve politikë, kundërshtarëve të regjimit, pra justifikon ndëshkimin e të pafajshmëve, fëmijve dhe grave, një krim makabër i regjimit komunist që është në kundërshtim flagrant me të drejtat dhe liritë e njeriut; por Xhufi mohon edhe nje te vertetë që në kampin e Tepelenes u internuan edhe familje që s’ishin lidhje me të të arratisurit apo “diversantët”, si familja Vasija ( Gjosho Vasijas) nga Shkodra, familja Mulleti nga Tirana ( si nëpunëse e Mbretërisë, e të tjera familje të quajtura “reaksionare”, pra, gra pleq e fëmijë të pafajshëm, për të cilët historiani Xhufi nuk ndjen asnjë keqardhje humaniste dhe nuk thotë asnjë fjalë për vuajten e tyre absurde, apo per pushtetin totalitar komunist, që i torturoi mizorisht.
Historianin Xhufi e shqetëson pa masë perpjekja per evidentimin e krimeve te komunizmit, sic rekomandon edhe Asambleja e Këshilit të Europes, e tërbon edhe projekti per ngritjen e nje muzeu ne vend te kampit te Tepelenës, projekt që e quan “antikombetar, që demonizon qëndresën antifashiste, reabiliton kolaboracionizmin dhe fashizmin, barazon Enverin me Hitlerin!?” Vetëm nje i sëmurë mendor dhe psiqik mund t’i thotë keto!
Së katërti, po të lexosh raportet e tjera të CIA-s por edhe dokumentet e tjerë të arkivave shqiptare e të huaja, rezulton se në kampin e Tepelenës janë përdorur metoda barbare dhe tortura çnjerëzore, të projektuara nga E.Hoxha dhe klika e tij kriminale.
Për dokumentin e CIA-s të vitit 1951, që jep zbuluar krimet e regjimit komunist në kampin e Tepelenës, Xhufi pretendon se ky dokument është përpiluar nga jugosllavët dhe e akuzon A.Tufën si prosllav!? dhe që përçan veriun me jugun ( z. Xhufi, ishte regjimi komunist që i ndante dhe i përçante shqiptarët, apo jane nostalgjikët e Enver Hoxhës, ata që i përçajnë dhe lëndojnë edhe sot dhe jo Agron Tufa)
Po japim për ilustrim një dokument tjetër për P.Xhufin dhe lexuesit, Raportin e Qeverisë Amerikane, paraqitur në OKB në shkurt 1955, ku ndër të tjera thuhej për kampin e Tepelenës:
“Gjon Pjetri, një djalë 12 vjeç nga Oroshi i Mirditës, i cili kaloi në Jugosllavi më 13 gusht 1951, është një prej banorëve të kampit të përqëndrimit në Tepelenë, i cili ka dhënë një dëshmi grafike mbi jetën në kamp, ku ai qe internuar me gjithë familjen e tij…Megjithëse fëmijë, ai i provoi në kamp të gjitha vështirësitë e një të rrituri. Ai tha se në kamp kish një mijë njerëz, shumica pleq, gra dhe fëmijë, gjithashtu merrnin si ushqim “një copë të vogël bukë misri dhe një lloj supe në të cilën rastësisht gjeje ndonjë fasule”. Ai tha se shumë njerëz flinin mbi çimento, mbi policët nuk i lejonin të merrnin batanije kur arrestoheshin. Uria, papastërtia dhe keqpërdorimi në kamp shkaktuan vdekjen e shumë njerëzve , njoftoi fëmija. Ai mbante mend me hollësi një dhomë të errët dhe të ngushtë që mbante disa qindra fëmijë dhe të rritur, të cilët ishin të prekur nga turbekulozi, sëmundjet e lëkurës dhe sëmundje të tjera. Djali tha se policia i torturonte shumë nga bashkëjetuesit që ishin të pazotë për punë dhe se njerëzit e sëmurë nuk vinin të vizitoheshin te doktori i kampit, mbasi si zakonisht ai u thoshte se nuk kish shpresa përmirësimi. Edhe të sëmurëve u duhej të shpinin dru në kamp dhe kjo qe një punë e lodhshme edhe për të rriturit e shëndoshë, se pylli ishte 12 km larg kampit. Asnjë nuk guxonte të mos vinte në punë – tha fëmija; të afërmve e prindërve të tij nuk u lejuan të mungojnë një ditë nga puna për tu kujdesur për të bijën e tyre të sëmurë dhe vajza e vogël vdiq pa nënën e vet , që nuk mund të bënte diçka për atë.
Një nga deklarimet e shumta të dhëna nga ish-banorët e kampit të përqëmdrimit të Tepelenës, është dhënë nga Mustafa Hoxha, një klerik mysliman, i cili qe internuar në këtë kamp më 1949 dhe që iku në Jugosllavi në fillim të vitit 1953. Në fillim Hoxha u internua në kampin e Turanit në Tepelenë, ku kishte 2.800 burra, gra dhe fëmijë. Jeta e kampit ishte e padurueshme, banorët merrnin nga 550 gramë bukë misri të papjekur mirë dhe asgjë tjetër. Ata hanin bar dhe kafshë të ngordhura. Kjo solli si rezultat përhapjen e një epidemie në kampe 7-8 vdekje të përditshme, shumica fëmijë. Një nënë nga Elbasani tha Hoxha, humbi 5 nga 6 fëmijët e vet brenda 6 muajve. Kur u çua kampi në Tepelenë gjendja u bë më e keqe. Hoxha mori pjesë në funeralin e 318 myslimanëve dhe gjatë 20 muajve të internimit të tij në kamp, vdiqën 1.200. nëpunësit e kampit një ditë vendosën të heqin varrezat nga një fushë afër kampit për tek ura e Bençës. Sipas kësaj banorët, burra e gra u detyruan të gërmojnë varret e atyre që sapo ishin varrosur dhe t’i rivarrosnin në vendin e ri. Ky veprim i dha shkas hapjes së një epidemie të re dhe shkalla e vdekjes në kamp u rrit. Kushtet e punës në kamp ishin tmerruese, njofton Hoxha. Shumë banorë pavarësisht nga kushtet ndërmjet tyre, duhet të mbanin në kurriz gjysëm metër kub dru nga një pyll 5-6 kilometra larg nga kampi. Të tjerët po nga ajo distancë mbanin material për 70 shtylla për tek ura e Bençës. Nëpunësit e kampit ishin të pamëshirshëm në detyrimin e banorëve, të përballonin punën prej skllavi. Dënimi kundër të pabindurve ishte i egër. Dënimi më i zakonshëm ishte lidhje e individit me tel të fortë, derisa ti takonte kockat dhe pastaj mbyllej në një qeli për një kohë të pacaktuar.
Praktikisht nuk kishte parashikime për kujdesin mjekësor në kamp, një doktor vizitonte kampin vetëm me intervale të largëta dhe banorët nuk guxonin të kërkonin kujdes mjekësor, nga frika e reprezaljeve.
Ata që dërgoheshin në spitalin e Gjirokastrës kurrë nuk ktheheshin, zhdukeshin, një dëshmi tjetër mbi kushtet në kampin e Tepelenës qe dhënë nga Gjyste Ndoci, një grua e re shqiptare. Sipas saj, ajo së bashku me fëmijët, Zefi 9 vjeç, Deda 6 dhe Lulja 5 vjeç, ishin arrestuar pas dezertimit nga ushtria të burrit të saj. Në kundërshtim me faktin se ajo ishte shtatzënë, policia e trajtoi brutalisht në zyrën e Sigurimit të Koplikut. Më vonë ajo dhe fëmijët e saj u çuan në kampit e përqëndrimit në Tepelenë. Atje, ajo dhe fëmijët e saj, u mbyllën në një barakë të madhe dhe të pisët, ku shumë banorë vuanin nga sëmundje të ndryshme. Ajo qe e detyruar të punonte pa marrë parasysh kushtet e saj fizike. Pas tre muajsh lindi një djalë në barakë, fëmijë i cili vdiq pas 6 muajsh për shkak të pakujdeshmërisë dhe sëmundjeve. 3 ditë pas vdekjes së fëmijës, ajo dhe fëmijët e saj, u urdhëruan të shkojnë në këmbë në një kamp tjetër në Gjirokastër. Rrugës djali i saj Dedë vdiq dhe vetë asaj i duhej të hapte varrin në anë të rrugës , ndërsa policët që e shoqëronin, e çnderuan. 4 ditë pas arritjes së saj në kampin e ri, djali më i madh Zefi vdiq gjithashtu nga sëmundja. Abedin Zeqiri që ishte një banues i kampit të përqëndrimit, para se të arratise në Jugosllavi më 1952, njoftonte se Xhafer Pogaçe, drejtor i këtij kampi, kapte me zor çdo ditë një nga femrat e bukura që banonin aty. Policët që shërbenin në kamp kanë përdorur keq çdo vajzë të bukur në kamp.
Regjimi i sotëm shqiptar, krijoi sistemin e kampeve të përqëndrimit menjëherë sa mori pushtetin në fund të 1944-s…Si rregull, njerëzit nga veriu dërgohen në kampe në jug, sidomos në Tepelenë, Himarë (Porto Palermo), Fier, Berat etj. Ndërsa njerëzit e jugut internohen në Krujë, Burrel, Kamëz, Valias, Cërrik dhe vende të tjera në veri. Aty nga 15 shtatori 1947, ish kryeministri Enver Hoxha pranoi qenien e kampeve të përqëndrimit. Në një fjalim të madh të mbajtur në Shkodër ai deklaroi se elementët kundërshtarë ishin të internuar në kampe të tilla. Nga fundi i 1949-s pas vrasjes së Bardhok Bibës, ministri i Brendshëm Mehmet Shehu, ndërmori një varg të madh internimesh. Në një ekspeditë ndëshkimore, në këtë krahinë ai hoqi rreth 400 veta nga krahina për në kampet e jugut” (AQSh,Fondi 14, Dosja 176 Strukturë, viti 1955).
Po e mbyllim me fjalët e profesorit Sami Repishti nga ShBA: “Në lidhje me Pëllumb Xhufin dhe deklaratat e tij, unë mendoj se ai asht nji figurë tragjike, simbol i mendjeve te mbylluna, i paaftë me dalë jashtë rrethit vicioz, ku e ka hedhë fanatizmi i tij, rezultat i indokrinimit në shoqëni dhe në familje”