• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHQIPTARËT E AMERIKËS DHE POLITIKANËT SHQIPTARË

September 29, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Çdo vit, udhëheqsit shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe trojet e tjera  shqiptare në Ballkan vijnë në metropolin  amerikan të New Jorkut për të marrë pjesë  në mbledhjen vjetore të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara  dhe si të ftuar për të marrë pjesë në organizime të tjera siç është mbledhja vjetore e organizuar nga Fondacioni Klinton i ish-presidentit Bill Klinton. Përveç takimeve zyrtare, udhëheqsit shqiptarë marrin pjesë edhe në darka e takime të shumëta të organizuara nga  shoqata dhe organizata të ndryshme, por edhe nga qendrat fetare të komunitetit shqiptaro-amerikan. Gjatë qendrimit të tyre në Nju Jork javën që kaloi, ata u pritën, ndër të tjera, nga organizata më e vjetër e shqiptarëve të Amerikës, Vatra. U takuan me pёrfaqёsues tё Rrjetit tё Profesionistёve dhe Sipёrmarrёsve Shqiptarё (APEN) dhe gazeta Illyria organizoi një pritje për Presidentin Nishani.  Të gjitha këto pritje e takime arrijtën kulmin me darkën vjetore gala të organizuar nga Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, ku zakonisht ftohen  udhëheqsit shqiptarë nga të gjitha trojet dhe përfaqsues të gjithë partive politike, në pushtet dhe në opozitë.Kjo është tradita e kështu ndodhi edhe sivjet.Në Nju Jork kishin ardhur, ndër të tjerë, edhe Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i AAK, Ramush Haradinaj, udhëheqës politikë shqiptarë nga Maqedonia dhe përfaqsues nga të gjitha trojet tona në Ballkan.  Gjatë këtyre takimeve dhe darkave, përveç se atyre u jepet rasti të takohen me përfaqësues të komunitetit dhe me njëri tjetrin — vizitat e tyre në Amerikë paraqesin gjithashtu një mundësi të mirë që ata të shkëmbejnë mendime me shumë  politikanë e diplomatë amerikanë, miqë e dashamirës të shqiptarëve, të cilët gjatë dekadave të fundit kanë punuar në mbështetje të lirisë dhe demokracisë së shqiptarëve kudo.

Udhëheqsit shqiptarë gjatë kësaj jave përfaqësuan Shqipërinë dhe Kosovën para botës dhe para Amerikës.  Ata u prononcuan për median si në intervista dhe në fjalimet e tyre, se kishin siguruar përkrahje nga udhëheqsit botërorë dhe amerikanë me të cilët u takuan.  Ata theksuan “mbështetjen”, nga udhëheqës ndërkombëtarë me të cilët patën takime dhe bënë bisedime për zhvillimin dhe integrimin europian të Shqipërisë, të Kosovës dhe të rajonit.

Por ishin takimet dhe shmallimet me komunitetin shqiptaro-amerikan në Boston, Detroit dhe në Nju Jork, në lokalet dhe në qëndrat fetare ku ata u pritën si vëllezër e motëra, ato që dallojnë në mënyrë të mallëngjyeshme këto takime, e pse jo edhe festime, që organizohen njëherë në vit në Nju Jork.  Si çdo vit, edhe sivjet, në fund të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme në Nju Jork, në këto darka e takime me shqiptaro-amerikanët, duket sikur midis politikanëve shqiptarë nga të gjitha trevat — të pakën për një moment dhe larg problemeve në vend — thyhet edhe akulli politik midis tyre. Kështu, siç duket ndodhi të premtën mbrëma në darkën vjetore të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan ku të gjithë ishin ulur së bashku rreth një tavoline të gjatë. Nuk është e qartë nëse kishte ndonjë shkëmbim bisedash midis protagonistëve të ndryshëm, por  megjithëkëtë është shënjë e mirë se të pakën nuk refuzuan të uleshin ball për ball në të njëjtën tavolinë, gjë që mund të mos ndodhë në vendlindje.

Për këtë dhe për faktin se rreth asaj tavoline ishin shqiptarë nga të gjitha trevat dhe shumë miq amerikanë, këto darka e takime kanë një rëndësi të lartë simbolike, sepse duket sikurë përtrijnë dhe nënvijojnë faktin e vëllazërimit dhe bashkimit mbarë shqiptar, megjithë ndryshimet politike, krahinore e fetare, që mund të ekzistojnë midis shqiptarëve, sidomos konfliktet politike. Ndoshta simbolizmin përbashkues të këtyre takimeve e shprehu më së miri, Dom Pjetër Popaj, famullitar i Kishës Katolike Zoja e Shkodrës në Nju Jork, i cili në darkën e Vatrës,  shtruar për nder të Presidentit Nishani dhe delegacionit të tij, u shpreh duke thënë se “Si shqiptarë,  jemi të përbërë prej dy besimeve, të Krishterë dhe Myslimanë, por besojmë në një Zot të vetëm.  Kemi dy dialekte, por kemi një gjuhë të përbashkët. Kemi shqiponjën dykrenare, por një flamur.  Kemi dy shtete, por një Komb.  Kemi një hero Kombëtar Kastriotin dhe një të Lumturën Nëna Terezën.  Ne, në diasporë, gjithmonë kemi treguar solidaritet ndaj vendit tonë duke qëndruar pranë njëri tjetrit.  Si fetarë të besimeve të ndryshme qëndrojmë një me Zotin dhe një me popullin.

Theksojmë gjërat që na bashkojnë dhe jo gjërat që na ndajnë”.

Ne këtu në Amerikë, jemi nga të gjitha trojet tona, nga të gjitha krahinat dhe i përkasim feve të ndryshme.  Natyrisht se si në çdo komunitet tjetër, ekzistojnë mosmarrveshje dhe komuniteti shqiptaro-amerikan i ka problemet e veta.  Madje këto mosmarrveshje shpesh pasqyrojnë konfliktet dhe grindjet politike në Atdhe.  Por megjithë ndryshimet politike e të tjera, në raste, kur është nevojitur bashkimi i komunitetit për t’i ardhur në ndihmë çështjes kombëtare, shqiptaro-amerikanët kanë theksuar të përbashkëtat dhe jo ato që i ndajnë.

Kjo përkrahje dhe “mbështetje” që  zyrtarët shqiptarë thonë se siguruan, sidomos gjatë takimeve me autoritetet amerikane në vizitat e tyre në këtë vend, ndodhë për faktin se komuniteti shqiptaro-amerikan ka vazhduar të jetë i bashkuar për çështjet madhore dhe interesat e kombit, duke ua paraqitur atyre hallet tona me një zë dhe pa kurrfarë interesi personal, por vetëm e vetëm në mbështetje të interesave kombëtare të popullit shqiptar kudo qoftë.  Ky aktivitet i komunitetit shqiptaro-amerikan e ka zanafillën në fillim të shekullit të kaluar me Fan Nolin e Faik Konicën dhe me përpjekjet e tyre për të siguruar përkrahjen amerikane për pavarësinë e Shqipërisë dhe ka vazhduar deri në ditët e sotëme për të fituar mbështetjen e qeverisë, Kongresit dhe të popullit amerikan, fillimisht për çlirimin dhe më në fund për sigurimin dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës.  Presidenti Nishani dhe Kryeministri Rama folën për sukseset dhe arritjet e komunitetit shqiptaro-amerikan në fusha të ndryshme, por nuk ka fushë më të sukseshme dhe as më të rëndësishme, të pakën deri tani, se sa bashkimi i komunitetit shqiptaro-amerikan në çastet kur e ka thirrur fati i Kombit.

Pa marrveshje dhe bashkpunim serioz midis shqiptarëve dhe sidomos të faktorit politik shqiptar për fatin e kombit dhe për zgjidhjen e problemeve serioze me të cilat përballen shqiptarët kudo, “mbeshtetja” nga jashtë, me të cilën mburren aq shumë politikanët shqiptarë, shpeshëherë edhe pa e pasur atë, nuk vlen pesë pare.  Edhe regjimi i Enver Hoxhës kishte përkrahjen nga jashtë, fillimisht të komunistëve jugosllavë, sovjetikë e pastaj të kinezve, por ishte në luftë të përhershme me vetveten dhe me popullin e vet.  “Mbështetja” nga jashtë vlenë vetëm atëherë kur të asgjësohen konfliktet politike të mbrendshme, kur të zhduket gardhi shpirtëror dhe të krijohet një frymëmarrje e lirë për të gjithë Shqiptarët, të bashkuar me një mendim e me një qëllim, në mbështetje të vërtetë të lirive dhe të të drejtave të barabarta për të gjithë dhe të interesave kombëtare, ashtu si në kohën e Gjergj Kastriotit Skënderbe dhe të Lidhjes së Prizrenit.

Është e vërtetë se Shqipëria dhe shqiptarët do të kenë gjithmonë nevojë për mbështetjen e miqëve, por Shqipërinë do ta bëjnë vetëm Shqiptarët, mbi të gjitha, në bashkpunim dhe mirëkuptim me njëri tjetrin, duke vlerësuar lirinë dhe demokracinë për veten dhe për të tjerët, respektin për njëri tjetrin dhe për mendimet e njëri tjetrit.  Është në dorë të vet shqiptarëve kudo që janë sot – në diasporë dhe në trojet tona në Ballkan — që të largohen nga ajo që disa thonë se është “nama” që mund të na ketë ndjekur gjatë gjithë historisë.  Për ndryshe, nëqoftse nuk vlerësojmë dhe keq përdorim dhuratën e lirisë që sot gëzon kombi shqiptar mund të na dënojë i Madhi Zot, sipas vjershës tronditëse të Fan Nolit, “Moisiu në mal”.  Edhe Perëndia mund të na përgjigjet ashtu si iu përgjigj Moisiut, i cili i kërkonte atij tokën e premtuar për veten dhe izraelitët, për të evituar mërgimin e përjetshëm dhe jetën në skllavëri, i Plotfuqishmi i përgjigjet atij me zemërim në përshkrimin plot trishtim të  vjershës së Fan Nolit:

“Ti dhe të tjerët, pleq do të ngelni,
Tokën e Shenjtë kurrë s’e shkelni
Skllevër, bij-skllevësh, s’e meritoni
Se liri s’doni!”

Me gjithë të metat e tyre, takimet vjetore të udhëheqsve shqiptarë me komunitetin shqiptaro-amerikan mbartin vulën e bashkimit dhe vëllazërimit të shqiptarëve pa dallime politike, krahinore apo fetare, duke e gëzuar lirinë së bashku për herë të parë, pas rrethanave fatmjera që na kanë ndarë për aq kohë të gjatë.  Kështu ka ndodhur gjatë dy dekadave të fundit në Nju Jork dhe në qytete të tjera amerikane. Shpresojmë që këjo traditë plotë bujari të vazhdohet këtu në Amerikë dhe të përsëritet edhe në trojet tona dhe kudo në botë ku ka shqiptarë, si një frymëzim për qëllime të larta kombëtare dhe për lartësimin e emërit shqiptar kudo, por mbi të gjitha në trojet tona.

Filed Under: Analiza Tagged With: dhe politikanet shqiptare, Frank shkreli, Shqiptaret e Amerikes

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT