Nga: Murat Gecaj
1.
Është e njohur që, shkrimtarë të ndryshëm, në udhën e krijimtarisë dhe botimeve të tyre, krijojnë figura të gjetura letrare. Ato nuk bëhen të njohura e të dashura vetëm për autorët, por edhe për lexuesit. Ndërsa po i shkruaj këto radhë, mendja më shkon në qytetin e madh bregdetar të Suedisë, Goteborg. Në muajin prill të vitit të kaluar, së bashku me shkrimtarin e njohur Viron Kona, gazetaren e moderatoren e RTSH-së Kozeta Hoxha dhe arsimtaren e publicisten Kadrije Gurmani, ishim ftuar dhe morëm pjesë në festimet e 5-vjetorit të Qendrës Kulturore Shqiptare “Dituria” e revistës, po me këtë emër, në qytetin Boras të atij vendi të bukur skandinav. Në planin e veprimtraive të mikpritësve tanë, ishte dhe një vizitë në Goteborg. Ndër të tjera, aty vizituam me kënaqësi Muzeun e Natyrës, nën shoqërinë e bashkatdhetares Exhlale Shipoli. Kur po kalonim nga një pavion në tjetrin, vura re se Vironi ishte ndalur para një pamjeje të veçantë dhe shumë tërheqëse për të. Nga kureshtja u afrova edhe unë. Përpara kishim papagaallë të bukur, shumëngjyrësh, të balsamosur. Sakaq, duke e ditur dëshirën e kolegut e mikut tim, e shkrepa aparatin tim fotografik. Mbeti kështu një kujtim tjetër i Vironit pranë personazhit të dashur, Papagallit, të cilin e ka pagëzuar Çate.
Ditët e fundit të këtij gushti, ai më ftoi për një kafe bashkë me arsimtarin e publicistin Sejdo Harka. Kishim ca kohë pa u takuar bashkë, si shkak i një sëmundjeje dymujore timen. Sigurisht, shprehëm të tre kënaqësinë për këtë takim të radhës. Pasi u përshëndetëm, Vironi nxori nga një zarf i madh dy libra. Mënjëherë, pashë se në koperetinë ishte një papagall. Ai m’i kishte shkruar dy libra, njërin për mua dhe tjetrin për mbesën Dorelë. “O, miku im, përsëri ti me Papagallin?- e pyeta, duke buzëqeshur.-Po atë foton, nga Muzeu i Goteborgut, a e kë vënë diku, në këtë libër të ri?” Ai u ndodh paksa ngusht dhe, me buzëqeshjen e tij dalluese, m’u përgjigj se këtë gjë do ta ketë parasyshë për një libër tjetër. Bashkë me Sejdon, e uruam nga zemra këtë shkrimtar të njohur, sidomos në botimin e librave për fëmijët. Shpesh, ai na e bën suprizë, duke na dhuruar libra të tillë, që i nxjerr njëri pas tjetrit, si “simite” të ngrohtë e të “shijshëm” për të vegjëlit, nga ”furra” e krijimtarisë së tij. Ndër figurat ose personazhet artistike më të dashura të tij, si Bubulino, Dardi, Erlindi, Këmbëgjati etj., padyshim, është edhe Papagalli Çate.
2.
Tani, pas kësaj hyrjeje disi të gjatë, po e shfletojmë këtë libër të ri të shkrimtarit Viron Kona. Ky është i 32-ti, në serinë e botimeve të tij, me libra të bukur dhe në gjini të ndryshme. Disa nga ata kanë tematikë udhëtimet e tij jashtë Shqipërisë, si në Hungari, Suedi, Greqi e Turqi.
Në faqet e para janë pak radhë të autorit, i cili rrëfen se si një pasdreke, vogëlushja Ana, ku ishte i pranishëm edhe i vëllai i saj, Erlindi, iu lut Papagallit Çate t’i rrëfente disa ndodhira të bukura nga jeta e tij. Papërtuar, ky nisi të flasë, pa u ndalur: “Një mëngjes, bashkë me Çeçelin, shokun tim të ngushtë, na u mbush mendja që të mos shkonim në shkollë…”. Erlindi buzëqeshi e po dëgjonte, sy e veshë. Më tej, tregoi se shkuan dhe u futën në një pyll të gjelbëruar, ku sipas premtimit do të hanin banane të pjekura. Po çfarë u ndodhi më tej atyre? Shkrimtari, në gojën e personazhit të tij, na përballë me disa të panjohura për ta. Kështu, vijon pjesa se si Papagalli Çate u plagos në këmbë dhe, papritmas, u takua me Gjysh Ariun. Ky ishte aq i mirë, sa i ndihmoi dy vogëlushët të ktheheshin në shtëpitë e tyre, duke u kujdesur që edhe mos t’i shihte Mbreti i Pyllit, Luani i Dytë, i cili do t’i ndëshkonte për fajin, që kishin bërë, duke mos shkuar në shkollë. Po, të papariturat e Papagallit Çate nuk mbarojnë me kaq. Nga plaga, që kishte marrë në këmbë, detyrohet të kryejë një operacion, të cilin ia bëri prod.dr. Gjarpëri dhe pacienti i tij u tregua trim e nuk derdhi asnjë pikë loti.Ndodhi pas ndodhije, duke ndjekur tregimin e Papagallit Çate, lexuesi njihet edhe me një ndodhi tjetër, pra se si Gjysh Ariu bëri vizitë në shkollën e tij. Ky u takua e bisedoi me drejtor Tigrin e zëvendësin e tij, Leopardin. Befasi e këndshme për ta ishte takimi me dirigjentin, Ujku i Bardhë. Me këtë rast, Gjysh Ariu u tregoi një ngjarje tërheqëse, pra u foli për “Vallen e Ujqërve”. Në fund të takimit, drejtor Tigri u paraqiti atyre: Strucin kërcimtar, Ketrin skulptor, Kangurin humorist, Fazanin piktor dhe Gjirafën mësuese të gjeografisë…
Trego e trego dhe Papagalli Çate nuk dinte të mbaronte. Ai u rrëfeu fëmijëve edhe për sa e sa ngjarje tjera të bukura e të këndshme për të vegjëlit. Nuk dua t’ua tregoj të gjitha atyre, se pastaj nuk e lexojnë librin. Por vetëm u them se në libër flitet edhe se si Fazani pikturonte pamje nga natyra; se si bënë një bisedë interesante me Drerin, mësuesin e filozofisë; se si Puma merr mësime private nga drejtor Tigri; se si Sorkadhja shpëtoi nga sulmi i Tigrit; se si Gjyshi Ari mori në mbrojtje Lepurin e mbetur jetim ose se si Skifteri mbretëror kishte marrë një diplomë të gënjeshtërt. Interesante janë edhe rrëfimet tjera, si ajo për Elefantin dhëmbargjend, Pelikanin kaçurel, Lejlekun këmbëgjatë, Strucin mburravec, Kunadhen, Derrin e egër, Breshkën “e shpejtë”, Patën e egër dhe për një shpend, që vetëlavdërohet, duke thënë: “Buf-buf-buf, si unë nuk është askush!” Kërshëria e fëmijëve, për ta dëgjuar Papagallin Çate ishte e madhe. Po ai u lodh duke folur dhe nuk vazhdoi me ndodhira të tjera. Pasi hëngri mirë e mirë, gogësiu dhe fluturoi në kafazin e tij, që të flinte gjumë.
Megjithëse nuk është në mbarim të këtij libri, si përmbyllje e tij e bukur, shërben pjesa me titullin “Koncert i madh festiv”. Drejtor Tigri dhe mësues Syziu e ftuan gjysh Ariun për drekë. Pëllumbi lajmëtar e kërkoi të vinte kuzhinieren më të mirë të pyllit, Dhelpërën bishtgjatë. Në pritje të gatimit të shumë gjellërave të shijëshme, u organizua një koncert festiv. I pari, nisi të këndojë Gjeli i egër: “Më kap dot,/ s’më kap dot,/ më të bukur/ s’gjen në botë!…”. Nërsa në operetën muzikore të mjelmave thonin: “Këndoj unë,/ këndon ti,/ jetë të gjatë,/ Gjysh Ari!” Por dhe kori i dallëndysheve u pëlqeu të gjithëve dhe të pranishmit e duartrokitën nxehtësisht: “Ciu, ciu, ciu,/ ne të gjithë gëzojmë, /Pranverën e bukur/ shumë e falënderojmë!”
…Është një libër i këndshëm dhe tërheqës për të vegjëlit, me 36 rrëfenja nga jeta e kafshëve të pyllit. Por ai u shërben edhe prindërve e mësuesve në punën e përditëshme. Përmes tyre, fëmijët njohin shumë kafshë e shpendë, të cilat janë paraqitur edhe me figura. E përgëzojmë autorin për këtë botim të ri dhe presim libra të tjerë nga ai.
Tiranë, 15 gusht 2013