TA NDIHMOJMË TË GJITHË FEDERATËN VATRA PËR TË KURORËZUAR DENJËSISHT VITIN FAIK KONICA/
Nga Thanas L. Gjika/
Federata Panshqiptare e Amerikes VATRA e shpalli vitin 2016 Viti Faik Konica , edhe per arsyen pse viti 2016 përbën 120-vjetorin e themelimit të revistës Albania, revistës më të rëndësishme të Rilindjes sonë kombëtare. Me këtë revistë u ushqyen gjithë intelektualët shqiptarë të kohës, të cilëve ua kemi borxh krijimin e Shqipërisë së pavarur.
Faik Konica është një nga themeluesit dhe veprimtarët më aktivë të shoqërisë Vatra, ai e pagëzoi këtë shoqëri që në themelimin e saj. Vatra është pjellë e dyshes gjeniale Konica-Noli, ajo është shoqëria patriotike kulturore që ka luajtur rolin më të madh për ruajtjen e territoreve tona në fund të Luftës së Parë Botërore, për njohjen e problemit të Kosovës dhe të çlirimit të saj.
Viti 2016, Viti Faik Konica, nuk duhet menduar thjesht si viti kur shoqëria Vatra do të ndihmojë finaciarisht botimin dhe promovimin e dy romaneve të panjohur të Faik Konicës, të zbuluar e përgatitur për botim prej studjuesit Fotaq Andrea. Ky vit duhet menduar si viti kur të gjithë ne bijtë e diasporës shqiptare të Amerikës duhet të mendojmë e të angazhohemi për ta ngritur shoqërinë Vatra në nivele të rinj, me synimin që ajo të luajë një rol edhe më të ndjeshëm në mbarë jetën shqiptare.
Sot, të gjithë ne shqiptarët, si ata që kanë ardhur para vitit 1990 dhe ne të ardhurit pas këtij viti, kemi arritur të tregojmë se jemi të aftë të përshtatemi me sukses në atdheun e ri dhe të shfaqim aftësitë tona. Sejcili ka mundur ta tregojë veten duke u marrë me bisnes, duke ndërtuar a blerë shtëpi, duke u shkolluar e kualifikuar në universitetet e këtij vendi. Sejcili sipas prirjeve e talentit të vet ka shkruar e botuar vepra me artikuj, studime, poezi e prozë, ka dhënë koncerte, ka realizuar shfaqje, ose filma, ka treguar se është bir i denjë i një populli të lashtë që është shquar e shquhet për karakterin e vet krijues e jo imitues, për sedrën e shëndoshë e jo të sëmurë, etj.
Megjithë këto arritje duhet të kuptojmë më mirë çështjen themelore: si individë kemi qenë e jemi ende të dobët, të bashkuar rreth Vatrës do të jemi më të fortë.
Për të realizuar forcimin tonë nuk na duhet të ngrejmë male mbi kurriz, as nuk na duhet të pengojmë planet tona private për përmirësimin e jetës sonë. Mjafton të hedhim një hap fare të vogël me një kosto minimale: të anëtarësohemi në shoqërinë Vatra. Ky anëtarësim kushton vetëm $ 100,00 (njëqind dollarë) në vit. Kjo shumë, që është vërtet e vogël për sejcilin prej nesh, në fakt është me vlera të mëdha për të ardhmen e shoqërisë Vatra dhe të prsetigjit të diasporës sonë. Është me vlera të mëdha, sepse numëri i shqiptarëve të punësuar dhe të pensionuar në SHBA arrin sot rreth 100.000 vetë, të cilët po të paguajnë kuotën e anëtarësisë në Vatër prej 100 dollarësh, mblidhet një shumë vjetore prej rreth $ 10,000.000.00 (dhjetë milion dollarë). Kjo shumë mundëson kthimin e shoqërisë Vatrës në një institucion që mund të realizojë shumë projekte kulturore, artistike e shkencore për zhvillimin dhe përmirësimin moral e kulturor të çdo shqiptari që jeton në diasporë dhe në atdhe. Të gjithë shqiptarët që do të ndihmojnë Vatrën për të marrë mbi vete misionin e gjallërimit tonë, do të ndjehen krenarë, sepse shumë shpejt ata do të nderohen më shumë prej rrethit të tyre familjar e shoqëror. Ky respekt ndaj tyre do të vijë duke u shtuar sepse kushdo e vlerëson njeriun fisnik që ndihmon lulëzimin e velerave morale e kulturore të popullit të vet.
Ecja e popullit tonë drejt qytetërimit modern varret vetëm në shumën qesharake prej 100 dollarësh në vit dhënë prej çdo shqiptari të punësuar e të pensionuar në SHBA. Jam i bindur se të gjithë e kuptojmë se nuk duhet kursyer një shumë kaq e vogël për një qëllim kaq të madh. Këtë, ndoshta nuk duan ta kuptojnë vetëm ata emigrantë që i ka marrë mbrapsht emigrimi, vetëm ata që kujtojnë se janë më të nderuar duke u hequr sikur janë grekë pa pasur gjak grek, ose ata që hiqen se janë bërë amerikanë e nuk janë më shqiptaro-amerikanë.
GJIMNAZI “PARTIZANI” DHE VITI I KRISUR 1967
SHKRUAN:EGLANTINA MANDIA/
KRYQËZIMI/
Po troket çekani/
Po kërcet mejdani,/
Dor’ e këmb’ i çpon,/
Krishtin kryqëzon./
Me tërbim goditin/
Me gjëmim e ngjitin/
Turma ulërin,/
Nëna blegërin./
Çdo peronë plagë /
Përvëlon si flagë /
Çurka gjak` buron /
Fryhet dhe pikon. /
Kryqet ngulen, shtisen,/
Tallen, qesëndisen; /
Sipër kryqe tre,/
Tri Mari përdhe./
FAN S. NOLI/
GJIMNAZI “PARTIZANI” DHE VITI I KRISUR 1967
Dita e parë
Mbledhja Nr. 1
Shkolla “Partizani” ndodhet në Tiranë, në trekëndëshin që krijohet nga prerja mes tri rrugëve. Pika qendrore orientuese për të dalë tek kjo godinë, është Selvia e famshme, nga e cila duhet të largohesh jo më shumë se 100 metra, për t’u gjendur tek godina e shkollës, e cila ka përfunduar së ndërtuari në vitin 1964 dhe po atë vit, filloi të funksionojë shkolla 8-vjeçare që mori emrin “Partizani”.
Ndërsa Gjimnazi u krijua në vitin 1966, pra në shtator të atij viti, u bashkua shkolla “Çajupi” me “Partizanin”.
Gjimnazi “Partizani” është gjimnazi më i ri i kryeqytetit, në rrugën e Pishës, përballë shtëpisë së Tafajve, një bllok më poshtë se rruga e Xhamisë së Zajmit, ku ka qenë shtëpia e fëminisë sime.
Po atë vit, u transferova nga gjimnazi “Sami Frashëri”, te gjimnazi “Partizani”.Në fillim e ndjeja veten si të shkëputur, si të huaj.
Më mungonin mikeshat e mia të dashura të shkollës “Sami Frashëri”, që për çudi, u shpërndanë rreth e rrotull, si zogjtë e pulës.
Më vinte inat, që i doli fjala tim shoqi, i cili më thoshte me shaka: “Si shumë qejf po bëni ju mësueset e Samiut, do ju shpërndajnë, se nuk u pëlqejnë “intelektualizmat” tuaja.
“Aman për kokën tënde, mos na ndill tersllëqe, se jemi shumë mirë!”
“Pikërisht, pikërisht të qenit shumë mirë, është një mbeturinë borgjeze, ende nuk i ke kuptuar ca gjëra te qenësishme, moj çupë e mbarë.”
Çdo mëngjes, për t’i rënë shkurt, kaloja nga rruga “Ali Demi”, te rrugica e vilës së shokut tim të klasës, Ferik Ferra. Pastaj nga farmacia e qoshes, kapërceja me vrap, rrugën “Hoxha Tahsin” dhe rrugën “Qemal Stafa”, futesha te rrugica: “Ali Pashë Gucia”, dilja në krah të kishës së Shën Ndout.Këtë kishë e mbaja mend qysh nga fëminia, kur kalamanjtë camarrokë të rrugës së Xhamisë së Zajmit, luanim luftërash me ata të rrugës paralele të Kishës së vogël, ku përherë dilnin disa tinguj harmoniozë organoje e disa murgesha të mira, të urta, që organizonin lojërat tona e shpesh na mbanin për drekë me: “çka u kish dhanë Zoti”.
Sado që dukej e pabesueshme, shpejt u miqësova me Dritën e vogël, një zonjushë imcake, me sy jashtëzakonisht të mençur, mësuese e historisë dhe Lidën, që ishte thuajse një dekadë më e re e sapo kishte mbaruar fakultetin në Degën e Matematikës.Pastaj qe edhe mësuesja e gjuhës frënge, Milla Kajana, me një histori të trishtueshme: burrin e saj doktor kirurg ia patën vrarë në spitalin ushtarak, në ditët e para të çlirimit, disa të krisur, duke e lënë Millën me dy foshnja të vogla jetime, që i pat rritur vetë.
Më 17 Janar të vitit 1967, Nekie Demi, mësuesja tjetër e historisë dhe fqinja ime e shtëpisë, pranë maternitetit, organizoi vajtjen në Krujë të maturantëve të parë të kësaj shkolle.Koloneli ushtarak strategjist D. D. na shpjegoi taktikën e luftës së Gjergj Kastriotit me osmanllinjtë, në terrenin e tij, pikërisht nga kalaja e pamposhtur 25-vjecare.
Dukej se jeta e gjimnazit të ri po hynte në hullinë e zakonshme të punës, por erërat e stepave aziatike arritën menjëherë pas fjalës së 6 shkurtit të udhëheqësit të Partisë.
Me ardhjen e baletit “Detashmenti kuq i grave”, me balerina gjysmë ushtarake, (të stërvitura nga Chiang Ching, gruaja e Kryetarit Mao), që të raportonin, po të guxoje të bëje ndonjë pyetje mbi “jetën personale”.
“Ç’janë këto pyetje me tendenca borgjeze!”, hakërroheshin balerinkat.
“Si mund të ketë një jetë personale, Detashmenti i kuq i grave?”
Në Shqipëri të moshuarit e quanin atë periudhë kohe: “koha e Cini ma Cinit”.
Pra, ne u gjendëm në atë shkollë të mesme të përgjithshme, me një emër, që siç duket, u piketua që në fillim, për të filluar revolucionin kulturor me ndihmën e disa fjalimeve dhe fletë-rrufeve, që u shfaqën nëpër mure, dyer, stenda në qendër dhe në periferi të kryeqytetit, apo qyteteve të vogla, ku shkruhej me germa të mëdha: “Secili të thotë pa frikë atë që mendon për vete dhe për të tjerët!”
Të flisje pa frikë, kur frika u kishte hyrë në palcë të vegjëlve dhe të mëdhenjve!? Megjithatë, gjimnazi “Partizani” hyri pikërisht në ato ditë shkurti në histori, kur filloi gjyqi i nxënësve, apo thjesht, i Organizatës së Rinisë, me fletë –rrufenë kundër drejtorit të shkollës, Marko Vito.
Te dera e zyrës së tij qe vendosur një FLETË- RRUFE, që zinte gjithë derën me germa të mëdha dhe shkruar pa frikë, ashtu siç porosiste UDHËHEQËSI në Fjalimin e 6 Shkurtit.
Sekretari i Rinisë, një djalosh shulak, me ca sy të hirtë e idhnakë, me mbiemrin Bajraktari, u hodh në betejë me tërbim.
Të gjithë e dinin se skenarin e asaj zallamahije e drejtonte, Komiteti i Partisë së kryeqytetit, me përfaqësuesin e vet, një trashaluq, thuthuq, me vetulla të trasha alla Brezhnjev, me veturën e tij ngjyrë qumështi, i shoqëruar nga kryeredaktorët e gazetave të Partisë dhe Rinisë.
E kështu u ndodhëm dashur pa dashur, në vorbullën e gjeratores.
Mësueset u stepën, se sulmi ishte tepër personal dhe i papritur.
Fletë – rrufeja e maturantëve kundër drejtorit të shkollës, lidhej direkt me fenë. Nxënësit bënin pyetjen retorike se si ishte e mundur që ai që jepte lëndën e marksizëm-leninizmit, të mbante në shtëpi ikona të shenjtorëve dhe të besonte te Zoti?!
I shkreti njeri, që s’e kishte as shtëpinë e tij, dhe jetonte te vjehrri, dhëndër brenda! Si mund të ndalte besimin një plaku, në ditët e fundit të jetës?
Dikur i vjehrri pat qenë një mësues letërsie, nëpër gjimnazet më me zë të Tiranës. Profesor Eftimiu e quanin. Ai pat jetuar me nder dhe me respekt, gjithë jetën e tij, e tani po e shpallnin “armik të klasës”, këta picirukë?
Dëgjoja dhe s’dëgjoja, më dukej krejt pa kuptim i gjithë ai mllef kundër Markoziut.
Po ky qe vetëm fillimi, më të thella e më të rënda do të vinin!
Fjalimi kërcitës i thuthuqit ishte vërtet patetik.
E gjithë republika i paskësh sytë nga kryeqyteti. Se pas kësaj, do fillonin marshimet e mëdha në prishjen e objekteve të kultit, që s’na paskeshin qenë gjë tjetër, veç fole gjarpërinjsh.
Në të gjithë teritorin, fshat më fshat, qytet më qytet, me një aksion me goditje të përqendruar. Rinia, që ka qenë në ballë si në luftën për çlirim nga nazifashistët edhe tani do të digjte me hekur dhe zjarrin e saj si flakadan çdo mbeturinë fetare. Shkolla Partizani na qenkësh pika e vlimit revolucionar, një shembull, që do kishte me vete LAVDINË E FILLESAVE TË PAHARRUESHME.
Kur u ktheva në shtëpi ishte në të ngrysur dhe po binte një shi i imët nga ata që të futeshin në palcë bashkë me të dredhurat e një parandjenje, që populli e quan: “MOS O ZOT, MË KEQ!”
Gjithashtu, dihet se edhe e keqja vetë, s’ ka fund.
FUSNOTE,AT Z.PËLLUMBI/
“Shka kishte me thanë bota kur të shofin se gjithë jeta e këtij populli paskësh kalue tue u shkrrye barkas rrshanë, pa mujtë kurrë me u çue në kambë?”, klith në një çast dëshpërimi, Z.Pëllumbi, kur sheh se objektet e kultit, vendet ku populli i tij ishte falë në qindvjetorë të gjatë, që i kishin qëndrue stuhinave të kohëve, tani shëmbeshin nga turma të pandërgjegjëshme, të infektuara nga frika e padija. E sheh këtë cast, si humnerën më të thellë, në të cilën janë zhytur bashkatdhetarët e tij. E din mirë se ringjallja do të jetë tepër e vështirë e duhet të kalojë nëpërmjet një prove të madhe dashurije. Ai mundohet ta kalojë këtë prove, çdo ditë të ferrit të tij të dhimshëm, në marrëdhëniet me bashkëvuajtësit, sidomos me ata, që deri pak kohë më parë, bënin pjesë në turmën e xhelatëve të tij.”
DITA E DYTË/
Mbledhja Nr. 2/
Mëngjesi i asaj dite u gdhi i mbarsur me një tis mjegulle dhe pas pak, filloi një shi i imët, si i ngrirë që u kthye në floke të rralla bore. Im bir ende i përgjumur, bëri pyetjen e zakonshme të mëngjesit:
“Mami, sa është ora?
“7 pa pesë, çohu zemër të bëhemi gati për shkollë!”
Gjatë kohës që përgatisja mëngjesin me një shije shumë të hidhur në shpirt, im shoq përpiqej ta kthente disi me shaka këtë valë të re, që po ngrihej.
“Kjo është një tymnajë dashakeqe në kalim, një imitacion, apo mutacion gjenetik i Revolucionit Kinez Antikonfucian, me djegjie librash e partiturash kompozitorësh gjenialë.
Po ne jemi në Europë dhe nuk e djegim dot Bethovenin, ndaj dhe i jemi vërsulur profesorit 90-vjeçar .
“Bravo biri im, sa shpejt u bëre gati sot!”
“Ba, po bie borë borë, do të lozim me topa bore?
“Sigurisht!”
Djali rrëmbeu çantën me vrap e u nisën të dy babë e bir, shumë të gëzuar si çdo mëngjes e bënin atë rrugë dhe flisnin “si burri me burrin”.Vraponin nëpër urën e vjetër prej dërrasash, që ishte e hershme, vizavi me Urën e Tabakëve.Vogëlushi flokëverdhë me sy të bukur larushë, e babi me pardesynë e gjatë dhe çadrën e madhe që i mblidhte nën vete.Bora ishte kthyer në llohë, kur po i përcillja te dera fillova porositë, se djali do të kthehej i vetëm, me çelësin të varur në qafën e tij të brishtë!
“Gjellën do ta lë të ngrohtë mbi sobë. Kij kujdes, mos trazo fare plitkën me korent! Mbylle mirë derën me kyç nga përbrenda dhe mos u rrëmbe nga topat e borës dhe mos u harro rrugëve!
Kujdes kur të kalosh urën se i janë prishur parmakët!
Ec në mes, se përroi është i rrëmbyer! Në mes, vetëm në mes! Dëgjove?
Djali ngriti dorën e vogël dhe më përshëndeti: “Mos u mërzit o ma!”
Ndërsa im shoq qeshte nën hundë, me mua, që nuk i harroja asnjë herë porositë e mëngjesit, veçanërisht, kur binte shi a llohë bore, e lagështia të futej thellë në trup, kur ktheheshim në shtëpitë e ftohta, siç qenë shtëpitë tona, që të fusnin trishtim.U vesha edhe unë dhe shkova me vrap nëpër rrugicat e mia të famshme.
Nxënësit ishin dendur në palestër dhe po këndonin: “Revolucioni marshon, marrshon, marshon!” I kishte zënë amoku të gjithë!
Pas fletë-rrufesë, që ishte vendosur ditën e parë te dera e drejtorit tonë fatkeq, i cili u kthye të nesërmen me sy të buhavitura, dhe dukej që s’kish vënë gjumë në sy i gjori njeri! Po ku pyet revolucioni për njeriun?
Gazetat më në zë, qenë mbushur me artikuj bombastikë për rininë, të ardhmen e vendit, për zjarrin dhe hekurin, në të cilin si në ferr, do të digjeshin të gjitha mentalitetet e mykura dhe paragjykimet fetare, bashkë me ikonat, fenë, kishat, xhamitë e çdo vjetërsirë, për të cilën do të jepte llogari jo vetëm Marko Vitoja i molepsur, po edhe i gjithë Këshilli Pedagogjik, me heshtjen e të cilit, do të merreshin atë ditë, një e për një.
Kështu që fletë- rrufeja ndaj nesh, ishte me tone kërcënuese, si bashkëpunëtorë në krim, se ne duhet të qenkeshim të parët që të mbështesnim ata nxënësit tanë të iluminuar, në vend që t’i bëheshim krah një kundërevolucionari.
Ky ishte me të vërtetë, një shkallëzim i paparë i ngjarjeve, i cili na futi frikën në palcë, jo vetëm për veten, por edhe për familjet tona…
U ngritën me radhë mësueset ca si belbëzake, që nuk e patën kuptuar menjëherë këtë erë të re revolucionare, ca me fjalime patetike, si artikujt e gazetave të mëngjesit dhe ca që heshtën me kokëfortësi, po jo pa u vënë re dhe pa u shënuar në kartelat tona te biografive nëpër zyrat e kuadrit, apo gjetkë, nga të plotfuqishmit e syrit vigjilent të Sigurimit të Shtetit.
Unë heshta sigurisht dhe gjithë kohën e kisha mendjen ç’do të bënin me kishën e vogël apo Xhaminë e Zajmit, të foshnjërisë sime?
Po murgeshave me organon plot tingujt të trishtuar, si do u vinte halli të gjorave?
Çdo njeri ka një jetë për të jetuar, një copë udhë të shkurtër apo të gjatë, për të bërë në këmbë, me makinë, me tren apo aeroplan, një zot e di të vërtetën.Gjithë kjo rrapëllimë që u ngrit ndaj qiellit në këtë cep të humbur të botës, në një pikë aq të vogël, në oqeanin e madh të teatrit të botës.Ky rebelim kundër qiellit, një çmenduri kolektive vetëvrasëse.
Ishin këta fanatikë që rrëmbyen flamujt e u nisën me një hakërrimë hakmarrëse kundër çdo lloj kulti, pikërisht më 14 shkurt, ditën e të dashuruarve.Paradokse shqiptare që nuk i gjen në asnjë vend të botës!
FUSNOTE/
Emrin e Theofan Popës u munduan ta linin në harresë, ta denigronin dhe madje ta poshtëronin, por nuk mundën dot. Theofani dha një kontribut të jashtëzakonshëm për mbrojtjen e kishave, për mbrojtjen e kulturës së vendit tonë, si edhe për mbledhjen dhe ruajtjen e ikonave, kësaj pasurie të rrallë, e cila dëshmon për krishterimin, besimin dhe devotshmërinë e popullit tonë. Duke u përpjekur t’i ruajë ato, ai ishte i ndërgjegjshëm se po ruante një pjesë të shpirtit të popullit tonë, pa të cilin asnjë popull nuk mund të jetojë. Duke i mbledhur dhe duke ruajtur ato, ndonëse shpesh me rrezik, ai ruante atë pak dritë, që kishte mundur të shpëtonte nga stuhitë e tmerrshme që kanë fryrë vazhdimisht me tërbim mbi vendin tonë, atë dritë kaq të nevojshme për ne. Populli ynë kishte nevojë për dritë, më shumë se çdo vend tjetër, sepse këtu edhe errësira ishte më e madhe. Njerëz si Theofani, si edhe miqtë e tij të dashur, motrat Cico, Atë Kozmai, më pas Episkop Kozmai, Petro Zheji, Petraq Fundo e shumë të tjerë, secili sipas aftësive dhe mundësive që kishin, dhanë një kontribut të madh për ta ruajtur këtë dritë në shpirtrat e tyre. Duke e ruajtur në shpirtrat e tyre, ata e shpërndanin atë kudo, sepse drita nuk mund të fshihet dot. Sa më e madhe të jetë errësira aq më shumë ajo ndriçon. Në qiellin e errët ateist, këta ishin yjet e paktë që rrezatuan dritë, atë dritë aq të domosdoshme për jetën e njeriut.
Këta do të mbeten gjithmonë në mendjen dhe zemrën tonë.
Më kujtohet entuziazmi dhe shpresa e tij e madhe edhe në çastet kur çdo njeri do të kapej nga dëshpërimi i thellë. Kur u mbyllën kishat, ai e mbajti përsëri shpresën, kur i arrestuan djalin e tij Dhimitrin, ai përsëri u mbështet tek Perëndia dhe nuk u dorëzua asnjë herë, edhe në çastet e fundit të jetës.
DITA E TRETË/
Mbledhja Nr. 3/
Makina bezhë e sekretarit të partisë nuk po i ndahej shkollës sonë. Nxënësit të eksituar, si të kishin pirë hashash, u sulën nëpër kishat e xhamitë, për t’i rrafshuar e për t’i bërë pluhur e hi, paskëtaj erdhën edhe heronjtë e aksidenteve në transhetë e hekurudhave, apo dallgëve të detit, që im shoq i quante: “Heronj të sajuar, si në kohën e Hitlerit”.
Rinia nisej në marshime në shi e në furtunë në këmbë Tiranë-Durrës, etj., etj. Disa arritën deri në Laç, në kishën çudibërëse, së cilës i lanë vetëm rrënojat.Thonë se në vitin 1981, një grup ushtarësh nga Toga e Rojës në Laç shkuan për të rrëzuar pjesën e mbetur të rrethimit, në Kishën e “Shën Ndoit”, në Laç.
E para shembje kishte ndodhur në vitin 1967.Edhe pse një pjesë e godinës ishte shembur pjesërisht, besimtarët gjatë viteve shkonin ende.Ushtarët morën urdhër të asgjesonin muret, në mënyrë që askujt të mos i shkonte në mend për të bërë pelegrinazh.
Pasi rrëzuan një pjesë të rrethimit, toga prej 32 vetash mbeti e paralizuar nga mesi e poshtë në mënyrë të pashpjegueshme. Disa ushtarë u dërguan për kurim në Austri, për 6 muaj, ndërsa të tjerët në Spitalin Ushtarak, të Tiranës.Të gjithë mbetën me pasoja, duke u ngritur në këmbë vetëm pas një trajtimi intensive, shumë të gjatë. Fenomeni mbeti i pashpjegueshëm dhe u vesh me mister.Nuk dihet ne se kjo histori është një legjendë urbane, apo një fakt i vërtetë, po kjo vërteton edhe një herë sa false dhe boshe qe ajo lufte absurde me kultet dhe fenë.
Kësaj here, makina bezhë na solli një kuqalashe me Shkollë Partie, që zëvendësoi drejtorin Marko Vito, si dhe një analizë reflektuese për këshillin tonë pedagogjik, të tulatur dhe pa vrullin e duhur revolucionar.
Ndërsa kontrollet punëtore dhe qukapikset, si drejtoresha jonë e re, bënin përpjetë në karierë.
Në këtë mbledhje të re ndodhi diçka e paparë dhe e padëgjuar.”Vetullbrezhnjevi”, bëri një ballafaqim të çuditshëm me kolegun tonë të gjuhës frënge, Astrit Lekën.
Ai e pyeti nëse kishte parë Astriti një dramë për luftën, në teatër.
Astriti iu përgjigj, se s’kishte fare nevojë të shkonte në teatër për të parë luftën, se luftën e kishte bërë vetë.
– Po atje, është një spiun, që tradhëton shokët, – i tha buçkani, – Dhe ai spiuni je ti!
-Vërtet? Po përse të jem unë e nuk je ti vetë, lum miku? – iu përgjigj luftëtari i vjetër, pa ia bërë syri tër.
Ne të gjithë mbetëm pa frymë.
Milla Kajana, sa s’u fut nën bankë.
– Ç’ke? – e pyeta unë me pëshpërimë.
-U pu, pu, ç’do na shohin sytë! Sigurisht, që policia po pret në korridor, të arrestojë Astritin! – më tha ajo e tronditur.
Astritin nuk e burgosën, por i hoqën të drejtën e profesionit të mësuesit dhe e çuan të edukohej në “gjirin e klasës punëtore”.
FUSNOTE/
MË KATOLIK SE PAPA/
(Dëshmi e Mufit Mushit)/
“… Në gusht të vitit 1967, pikërisht në kulmin e Revolucionit Kulturor Kinez, qemë dëshmimtarë të një ngjarjeje të jashtëzakonshme në Pekin.
Ishim dy përkthyes shqiptarë, që u thirrëm në një takim të fshehtë me kryetarin e Partisë Komuniste të Kinës, Mao Ce Dun.
Shkuam, në një rajon të fshehtë të Kinës Jugore, pranë Shangait, ku jetonte Kryetari.
Të shumtë janë shqiptarët kanë vizituar Republikën Popullore të Kinës, por të paktë janë ata, që kanë mundur të kenë një takim sekret prej 90 minutash, me liderin e Kinës Komuniste, Mao Ce Dun.Takimi ishte aq i papritur dhe i paparashikuar, në të cilin, unë dhe kolegu im mbetem krejt të habitur për çka dëgjuam nga Mao Ce Duni se citatet e tij, të cilat kishim muaj që po i përkthenim, “nuk i hynin fare në punë popullit shqiptar”.
Në vazhdim të bisedës, ne i shpjeguam edhe një herë, se ishim dërguar në Pekin me porosi të Enver Hoxhës, për të botuar në gjuhën shqipe, librin me citatet e tij.
“Ç’ju duhen juve citatet e mia?”, – na pyeti Mao Ce Duni.
“Ato kanë vlerë të madhe për vendin tonë”, – iu përgjigja unë.
“E ç’vlerë mund të kenë për popullin shqiptar citatet e mia, të cilat bazohen mbi jetën, praktikën dhe kushtet e Kinës? Për ju, ato s’kanë asnjë vlerë”, – replikoi ai.
Mund të imagjinohet situata e vështirë që krijoi një reagim i tillë, i paparashikuar tek ne.
Për një çast, menduam se po na hidhej poshtë e po na shkonte kot, gjithë ajo punë disamujore dhe kështu që unë vendosa ta “mbroj” mendimin tim.
“Partia jonë u jep shumë rëndësi atyre, – shtova unë, – Për ato, është interesuar personalisht shoku Enver. Madje mund t’ju them se fillimisht, tirazhi i tyre qe caktuar në 20 mijë kopje, por ditët e fundit, Tirana kërkoi që ky tirazh të rritet deri në 100 mijë ekzemplarë dhe kjo, për shkak të interesit që paraqesin edhe për Shqipërinë”.
– Po ua them haptas, – vijoi Maoja pas përgjigjes time, – Unë kam dhënë porosi të prerë të mos botohen as në Kinë citatet nga fjalimet e mia, por të botohen citate të zgjedhura nga veprat e Marksit, Engelsit dhe Leninit, mirëpo këta, ja ku është shoku Jao Ven Juan, këta nuk i kanë zbatuar porositë e mia.
Ai i hodhi një vështrim qortues Jaos, i cili, i ndodhur ngushtë, nuk e hapi fare gojën.
Dëshmimtarë të historisë së revolucioneve të përgjakura!
Manekinë, në duart e prestigjiatorëve fanatikë e hipokritë botërorë, si kryetari i Kinës së Madhe, i fshehur nëpër xhungla dhe udhëheqësi Shqipërisë së vockël, të vockël, sa një pikë në oqean!
Gargantua dhe Liliputë të përjetshëm!