• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Diagnoza të sakta, zgjidhje të vështira

March 24, 2016 by dgreca

Rreth librit: “Paria e rrethit të Ferrit”, e Grid Rrojit/

nga Dr. Andon Dede, Nju York/

Të gjithë e pranojnë tashmë se punët në Shqipëri jo vetëm nuk po shkojnë mirë por, në të kundërtën, keq e më keq. Vlerësimet janë nga më ekstremet. Po të dëgjosh deklaratat e kryeministrit Rama, të ministrave kokëulur të tij apo dhe të shpurës së analisto-gazetarëve që i shkojnë pas, krijon përshtypjen se çdo gjë po ecën fjollë dhe fare kot ankohet populli i gjorë që mezi ngrys ditët e muajt nga çmimet, pagat, pensionet, taksat, e plot pasoja të tjera të reformave të tij të “suksesëshme”. Nga ana tjetër, kemi jo vetëm opozitën por dhe mbarë një popull, me përjashtime të pakta, që ankohen se përditë e më shumë gjithë treguesit e mirëqënies sociale po njohin vetëm tatëpjetën. Një i huaj, që nuk e njeh direkt realitetin shqiptar, e ka të vështirë në mos të pamundur që të krijojë një ide të saktë se ç’po ndodh vërtet në Shqipëri. Me pak fjalë, nga gjithë sa parashtruam më lart, del se Shqipëria i ngjan një të sëmuri që po lëngon dhimbshëm pasojat e një politike anti-popullore e anti-kombëtare, të ndjekur nga  politikanët e këtij çerek-shekullit të fundit, duke zhgënjyer pamëshirshëm shpresat e një populli të tërë të shumëvuajtur që prisnin të kundërtën e asaj që ka ndodhur.

Me të drejtë lind natyrshëm pyetja:  A thua se ky qe fati ynë, që të zvarritemi përherë në fund të karvanit apo, duke e shtyrë pyeten dhe më tej: a ka më shpresa e mundësi që të dilet nga kjo gjendje e, më së fundi, të hyjmë edhe ne në rrugën e zhvillimit të natyrshëm të përparimit, për t’iu bashkuar familjes europiane apo dhe tërë shteteve normale, në përgjithësi?

Kthehemi edhe një herë tek metafora e mësipërme e “të sëmurit”. Për t’u shëruar ai, si hap i parë, do të qe përcaktimi i saktë i diagnozës, gjë që iu mungon politikanëve tanë apo dhe analisto-gazetarëve të radhitur krah tyre në dy llogore, sipas interesave, pro apo kundër pushtetarëve aktualë. Kjo është shumë e rëndësishme, edhe pse, në vështrim të parë, duket se të gjithë e njohin gjendjen nga që ankohen e janë të pakënaqur, paçka se disa e shprehin këtë pakënaqësi e disa jo, nga që çdo prononcim i tyre mund t’iu kushtonte shtrenjt. Siç shihet, pra, nuk mjafton të thuash që “jam sëmurë”, por edhe më e rëndësishme është të përcaktosh nga se vuan që, më pas, të gjesh “ilaçet” e përshtatëshme për t’u shëruar.

E bëra tërë këtë hyrje për tu fokusuar tek tema e këtij shkrimi: vlerat teorike e praktike që përmban libri: “Paria e Rrethit te Ferrit” e doktorantit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, në Universitetin e Nju Yorkut, Grid Rroji, një përmbledhje me analiza, vëzhgime e përjetime. Edhe pse, siç pohuam më lart, mund ta njohësh pak a shumë gjendjen në Shqipëri apo dhe të kesh lexuar e dëgjuar aq shumë për zhvillimet e atjeshme, libri në fjalë lexohet me interes dhe të jep informacion të pasur e të vlefshëm për të ashtuquajturin “tranzicion shqiptar” që nuk po i dihet fundi. Kjo për disa arsye, por unë, me këtë rast, do të evidentoja sidomos dy:

E para, se kemi të bëjmë me analizat e një politologu e sociologu të përgatitur,  gjë që ndjehet në të gjitha shkrimet, ndryshe nga ato që i ndesh përditë me bollëk në median shqiptare, të shkruar apo elektronike. Lexuesi, i tejngopur e i bezdisur me to, gjen në faqet e këtij libri trajtime e këndvështrime të reja, me një orgjinalitet të spikatur që hedhin dritë në thellësi e gjerësi të realitetit të hidhur shqiptar dhe të shkaktarëve të asaj gjendjeje. Së dyti, do të thosha se vlerat e këtij libri lidhen dhe me faktin se autori, duke qënë profesor në Universitetin e Nju Yorkut e me banim larg Shqipërisë, është krejtësisht i pavarur, objektiv dhe i pandikuar nga asnjë shtysë tjetër veç asaj që të thotë hapur e pa doreza të vërtetën, sado e rëndë deri edhe tronditëse qoftë ajo. Nuk e vë në dyshim se një status të tillë do ta dëshëronin shumë nga analistët e gazetarët tanë por që, jo për faj të tyre, nuk e arrijnë dot.

Situata politike në Shqipëri, thekson autori që në fillim të librit, është në një pikë vlimi. Paria e Tiranës që ka drejtuar vendin që prej 25 viteve, ka dështuar së ndërtuari një sistem të qëndrueshëm politik dhe shoqëror. Kacafytja politike është e përherëshme dhe përplasja sistematike e radhës duket gati e përditëshme. Me pak fjalë, konkludon ai, e ardhmja e shqiptarëve është në një udhëkryq vendimtar. Na duket shumë i saktë konstatimi i autorit se gjendja ka arritur në atë pikë saqë shpërthimet shoqërore mund të vijnë pa pritur dhe nga nuk e pret. Për tu bindur për këtë mjafton të lexosh kronikat e shtypit të përditshëm apo lajmet televizive, të mbushura me krime nga më të ndyshmet, duke filluar nga vrasjet mafioze e deri tek përleshjet e demostruesve me policinë, siç nuk ka ndodhur për vite me radhë.

Ne sot kemi një sistem politik i cili na përçan artificialisht, një pari politike të korruptuar e të kriminalizuar, një ekonomi me bazë kriminale dhe në rrënim ciklik dhe një shoqëri të drobitur e cila po humb vlerat njerëzore dhe i  shëmbëllen më shumë se kurrë një xhungle egërsirash. Njerëzit kanë frikë të shprehin të vërtetën. Frikës së dikurshme nga Sigurimi famëkeq ia ka zënë vendin frika nga humbja e vendit të punës dhe e rrënimit ekonomik nga të fortët e lagjes apo qytetit. Sindroma e frikës ka ndryshuar por nuk është zhdukur. Por, një shoqëri që funksionon në bazë të frikës është një shoqëri e sëmurë, e ndarë në grupe të vogla me bazë familjare dhe klanore. Në popull paria mbjell tmerr, frikë nga kundërshtari dhe hasmëri për vdekje. Ajo nuk nguron të merret me familjen, të ekspozojë aferat e pista të secilës palë por ama deri aty sa të mos derdhet çorba dhe të krijojë përshtypjen se lufta mes tyre është për jetë a vdekje. Paria mbjell përçarjen se e ka më lehtë për ta sunduar turmën.

Por, autori i librit nuk ndalet këtu por e ngul bisturinë edhe më thellë duke analizuar arsyet e kësaj gjendjeje të vajtueshme që ka çuar në humbjen e shpresës së qytetarëve shqiptarë; drejton gishtin tek aktorët e tanishëm të lojës politike, tek synimet e tyre e vlerat që mbartin.

Kriza politike, morale e shoqërore e këtyre viteve e ka zanafillën tek sistemi politik oligarqik, ekonomia plutokratike dhe bjerrja morale që ka instaluar e inkurajuar paria. Krimi është bërë tashmë pjesë e gjithpranuar e “suksesit” dhe mjetet kriminale të pasurimit nuk dënohen më si të pamoralshme nga shoqëria.

Aty nuk ka parti politike por dy grupe kundërshtare që kanë mbledhur rreth vetes një aradhë  klanesh e grupesh të vogla të vetëquajtura parti, edhe pse këto nuk kanë kurrfarë vije ideologjike. Politika e kësaj parie vepron në një boshllëk ideologjik, moral e shoqëror ku mbizotëron pragmatizmi ekstrem, e gatshme për çdo pazar e allishverish, vetëm për të marrë apo mbajtur pushtetin.

Shqipëria, thekson autori, është sot një vend i sunduar nga një pari e zvetënuar, kriminale dhe hajnore, e cila për hir të përfitimeve dhe aferave të veta të ndyra nuk nguron ta çojë vendin në humnerë morale e materiale, në një Somali të dytë. Ajo ka shpërdoruar miliarda dollarë nga burimet kombëtare për tu pasuruar vetë me djersën apo dhe gjakun e shqiptarëve. Vetëm më 2012, shkruhet në libër, kanë dalë jashtë vendit 1.3 miliard euro; të tjerë kanë investuar në apartamente luksoze në çdo cep të botës. Ajo kontrollon të gjitha hallkat e pushtetit ekonomik, politik dhe mediatik, duke krijuar kështu një bazë shumë të fortë pushteti.

Këtë gjendje katastrofike, nënvizon autori, e njohin të gjithë, përfshi edhe ndërkombëtarët. Të huajt, thotë ai, e dinë, se politika shqiptare sundohet nga banda mafioze dhe se këto banda jo vetëm që nuk ruhen më nga sytë e publikut, por zënë dhe vende në parlament për tu siguruar se nuk preken. Ata, ndërkombëtarët, shton ai, e njohin edhe papërgjegjshmërinë e parisë së Tiranës. Dosjet e zullumeve të tyre nëpër kanceleritë perëndimore janë shumë më të ngjeshura se sa ato që paraqiti Uikiliksi.

Por, ç’ka parasysh autori me parinë e Tiranës? Sipas konceptit të tij ajo është një grup njerëzish me përvojë në sistemin e kaluar, të plotësuar me disa intelektualë, të përdorur atëhere e më vonë, për ta shndëruar sistemin monist në një kapitalizëm pa norma e kode. Si të tillë, interesi i  palëve të kësaj parie, sipas autorit, nuk është zhvillimi i Shqipërisë, në një rrugë normale, sipas  mundësive të saj, por sundimi dhe pasurimi i shpejtë i tyre dhe i klaneve kriminale që i mbështesin.

Duke folur për të ardhmen, autori vë në dukje se dy janë rrugët e mundëshme: vazhdim i mëtejshëm i asaj gjendjeje që kanë përjetuar e po përjetojnë shqiptarët deri tani, pra konsolidimi i mëtejshëm i politikave kriminale e mafioze nga paria e Tiranës dhe trajtimi i shqiptarëve si turma pa tru ose ndryshimi dhe kthesa drejt një shoqërie normale, demokratike, me një shtet të konsoliduar, në mbështetje të interesave kombëtare, i cili do të garantonte dinjitetin dhe prosperitetin e shqiptarëve kudo që jetojnë.

Si kudo në botë, dhe në Shqipëri legjitimiteti i një qeverie që do të mendonte e punonte për hallet e popullit, do të vinte nga zgjedhjet e lira, institucionet e pavarura dhe barazia para ligjit. Mirëpo, siç përshkruhet gjerësisht në faqet e këtij libri, sistemi politik shqiptar është një  oligarqi e mirëfilltë e kontrolluar nga palët dhe zgjedhjet shërbejnë vetëm si levë legjitimuese për parinë. Në to nuk ka zgjedhje mes kandidatëve por mes antarësh të karteleve kriminale, të qëndrës apo të periferisë, interesi i të cilëve nuk është ai kombëtar. Sistemi zgjedhor është ndërtuar me aq kujdes nga paria e Tiranës që t’i shërbejë sa më së miri intresave të saj antikombëtare. Zgjedhjet kontrollohen nga partitë e mëdha ku sundojnë kryetarët dhe çdo forcë e re ka shumë pak shanse. Zgjidhja e vetme për shqiptarët është një fillim i ri me mendësi të re dhe njerëz të rinj, të papërlyer me parinë dhe të shkëputur nga gjirizi ku hanë e pijnë klanet e saj.

Nisur nga dëshira e mirë, për ta parë atdheun e vet ndryshe, shumë nga kapitujt e librit autori i mbyll me fraza optimiste: se duhet një fillim i ri e se kur të ndërgjegjësohen shqiptarët do e heqin qafe parinë oligarqike dhe do të vendosnin shtetin ligjor dhe demokracinë e vërtetë.

Për t’ia arritur këtij qëllimi mund e duhet të ndihmonin shumë intelektualët dhe media. Por autori ka rezervat e veta edhe për këto formacione në Shqipëri.

Elita intelektuale që duhet të frymëzonte e të udhëhiqte shpirtin e kombit, shkruan ai, ëshët shndërruar në një vegël shumëpërdorimshe për  klanet e parisë. Ekranet e televizioneve janë të mbushuara me apollogjetë të rëndomtë, analistë dikur me potencial por tashmë të tredhur nga pesha e mëkateve që ua dinë tutorët e parisë dhe me kamikaze të përdorshëm. Intelektualët e tranzicionit, përgjithësisht të dalë nga regjimi i mëparshëm, ishin të uritur e të thyer nga diktatura që kishin përjetuar e për pasojë e shitën veten tek prurësi më i parë. Ata iu nënshtruan njerit prej tundimeve më primordiale, babëzisë materiale. Kësisoj, thekson autori, në vend që të tregonin udhën e duhur drejt krijimit të një shoqërie të shëndoshë, ata ose u kooptuan ose u bënë vegla në duart e parisë për arsye thjesht përfitimi material. Por një intelektual që shkruan për të siguruar mbijetesën, vlerëson autori, e ka humbur arsyen e vërtetë të qënies së vet.

Përsa i përket medias shqiptare, ajo, sipas autorit të librit, ka kohë që është dorëzuar për tu bërë pjesë e parisë së Tiranës. E ndarë në klane përkatëse, me përjashtime të vogla, ajo jo vetëm që nuk informon por as merr mundimin të dalë nga strofulla e ngrohtë e Tiranës e të njohë realitetin anë e kënd vendit. E kontrolluar prej klaneve përkatëse, qëllimi i saj është të krijojë një realitet tjetër që nuk ekziston përtej mureve të kështjellës së kryeqytetit. Ai, me të drejtë, analistët e gazetarët i quan “gjinkalla” që nuk pushojnë së “kënduari”, sipas melodisë së parisë.

Nisur edhe nga përvoja e vendeve të tjera që kanë qënë në kriza si tona apo edhe më të rënda, autori e sheh rrugëzgjidhjen në kombëtarizmin apo ndërtimin e shtetit komb, si të vetmen rrugë për të dalë nga kjo situatë dhe për të hyrë në binarët e normalitetit.

Pra, mënyrat për ta zgjidhur çështjen janë të ditura botërisht por ajo që mungon është vullneti politik i atyre që janë në fuqi për të ndërtuar një shtet legjitim, pohon me të drejtë autori. Zgjidhja e vetme për shqiptarët është një fillim i ri me mendësi të re dhe njerëz të rinj.

Por ku do të gjenden këta njerëz të rinj, kemi të drejtë të pyesim ne si lexues? Jo se nuk ka. Është e vërtetë se dhe tek ne tashmë ka shumë të rinj e të reja që kanë studjuar në Perëndim apo SHBA dhe mund të përbënin këtë kontigjent të shumëkërkuar. Por, ç’ka treguar përvoja e deritanishme, përfshi, ndofta dhe atë të vetë autorit?  Shumë syresh, që kanë tentuar të ndihmojnë në këtë drejtim, nuk kanë gjetur klimën e përshtatëshme apo, edhe më keq, nuk janë përfillur fare, madje janë shmangur me marifet duke i detyruar të kthehen mbrapsh, të zhgënjyer dhimbshëm. Parija e Tiranës ka krijuar tashmë atë aparat shtetëroro-policor që nuk e lëshon kollaj pushtetin që ka kapur dhe bën ç’është e mundur për të mbyllur çdo derë nga mund të dilet për të kërkuar një realitet tjetër apo shtetin-komb demokratik, që përmend autori.

Duke përfunduar, po e përsëris edhe njëherë atë që vura dhe në titull të shkrimit: diagnozat e dhëna në libër janë të sakta, por zgjidhjet na duken të vështira, për të mos thënë të pamundura, të paktën tani për tani. Pavarësisht nga kjo, libri është një kontribut shumë i çmuar në qartësimin e shumë pikpyetjeve që mund të lindin për gjendjen e shqiptarëve e të Shqipërsië në këtë fillim shekulli.

Libri është një botim luksoz por, do t’i sugjeroja autorit që të ndërmerrte një botim më të thjeshtë, më pak të kushtueshëm që të blihej e të lexohej nga një masë sa më e madhe njerëzish, praktikë kjo që ndeshet kudo, edhe këtu në SHBA.

 

 

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Andon Dede, Diagnoza të sakta, Grid rroji, Paria e rrethit te Ferrit, zgjidhje të vështira

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT