Fragmente nga ” Shqiptarët-diamantët e pagdhëndur”/
Nga Ylli Polovina*/
Një tjetër libër nga z. Ylli Polovina më tërhoqi vëmëndjen këtë shkurt 2015, ose më pak se gjysmë viti ka botimi i tij. Është një sprovë serioze për të trajtuar antropologjinë sociale të shqiptarëve dhe për të shpjeguar ngjarjet e shekullit të fundit të lidhura me ta. Është qëmtuar shumë material nga letërsia jonë e kaluar dhe shtypi i kohës, mendimet e shprehura nga kolosë të tillë si Konica, Noli, etj por edhe nga autorë të huaj që i kanë studiuar bashkëkombësit tanë. Autori ka ndërmend që librin, më të reduktuar, ta botojë edhe në gjuhë të huaj, sidomos në ato të fqinjëve tanë grekë, serbë dhe italianë.
Ja disa fragmente
f.22-23
Faik Konica për shqiptarët
ata karakterizohen nga një protagonizëm i theksuar vetiak, nga kombdashuria, toleranca ndërfetare, pesha e madhe e fjalës së shprehur, gjuha tepër e lashtë, veshja shumë praktike dhe po aq inteligjente, vallja mjaft karakteristike, nderimi për gruan.
Tre të meta themelore:
Mungesa e idealit. Në një vend ku njerëzit vdesin aq lehtë për kurgjësend, nuk ka raste të vdekjes për një ideal a kauzë a çështje.
Ndërsa bota duke parë e dëgjuar mëson ment dhe ndërtohen, ne shqiptarët s’marrim dot mësime, malet të tunden dhe të rrëkëllehen, ne nuk e ndryshojmë mënyrën tonë. Mbani mirë këtë që po thom: në njiqind vjet, në vafshim si vemi, do të jemi aqë poshtë sa edhe sot..
Por e meta më e madhe, e keqja e të gjitha të këqijave të kombit të vet, janë ushtruesit e pushtetit politik…Në qoftë se Shqipëria do të vdiste ndonjëherë, atëhere në epitafin e saj duhet të shkruhet: Lindi nga Zoti, shpëtoi nga rastësia, vdiq nga politikanët.
f.49
Konti Shuasël- Gufjë
E vetmja gjë e pandryshueshme tek shqiptarët është pasioni i tyre për pavarësi e lavdi. Ky pasion i lavdisë është tipari sundues i karakterit të tyre dhe burimi i heroizmit: është toka e heronjëve në të tërë kohërat.
f.53
Siprien Rober
pranë banorit gegë të zymtë dhe shtatlartë, banori toskë shkëlqen nga trupi i tij i zhdërvjelltë, nga eleganca dhe shkathtësia e mendimit…Sytë e toskut vetëtijnë gjithë mprehtësi, por drejtimi i tyre i shmangur tregon dinakëri, gjë që përbën thelbin e karakterit të tij. Toskët, në fakt, mbahen, me të drejtë, për më të pabesët ndër shqiptarët.
f.56
Rene Piron
Toskët kundër gegëve, të krishterët kundër muslimanëve, arnautët kundër helenëve dhe serbëve, historia e Shqipërisë është e mbushur me luftëra të tilla që i përçajnë vendasit, për dobinë më të madhe të osmanlliut. ..Kështu shpërdorohen energjitë e popullit shqiptar, por para rrezikut të përbashkët, arrihet uniteti, divergjencat harrohen, gjakmarrjet pezullohen: shfaqet kombi shqiptar.
f.69
Skënderbeu dhe vepra e tij janë prodhuesi më i madh në historinë tonë të deritanishme i një imazhi tepër pozitiv. Aq i fuqishëm, unik, por edhe i vetëm qe ky rat, sa që edhe gjatë Rilindjes Kombëtare, kur Evropa Perëndimore kishte mjaft interes që në trojet tona të formohej një shtet-bazë e saj, nuk e arriti dot në kulmimin e mëparshëm.
f.78
Pesë porositë në pasaportën mbretërore
1. Ta dijsh dhe të jesh i sigurtë se fatbardhësia dhe lumturia jote gjindet në Shqipni e cila t’ep nder e të fal emnin Shqiptar.
2. Ruaje mirë karakterin komtar dhe kryenaltësin shqiptare; bindju ligjeve dhe urdhnavet të vendit kudo që të jesh.
3. Ҫdo shqiptar është vllau yt; nderoje kurdoherë dhe ndihmoje kur të ket nevojë.
4. Mos e përbuz gjuhën e nënës s’ate tue folë në gjuhë të huej kur nuk asht nevoja.
5. Ndero flamurin e atdheut tand: kush nuk e nderon Shejin e komsis, s’nderon veten e vet.
f.98
Komunizmi si ideologji dhe sistem shoqëror në vendin tonë qe të paktën dyfish kolektivist nga sa vetë dogma marksiste-leniniste e propozonte dhe në vendet e tjera të Evropës Lindore u praktikua.
Enverizmi ishte hiperkolektivizëm.
f.100
Protagonizëm-individuaalizmi ynë është trungu prej ku dalin të gjitha degët e tipareve të tjera të shqiptarit.
f.104
Protagonizëm-individualizmi ynë, përveç kuptimësisë shqiptare të përemrit “unë” shprehet edhe ne një gjest tjetër. Kur flasim për një popull tjetër ne themi më lehtësisht “gjermani”, “amerikani’, “italiani” apo “greku” e kështu për të gjithë. Pra përdorim parametrin tonë të njëshit.
Ndërkohë gjermanët apo italianët, si dhe mjaft popuj të kontinentit tonë, në rastin e njëjtë përdorin vetëm shumësin. Ata thonë “shqiptarët”.
f.121
Duke mos pasur prirjen për hapje dhe zgjerim, por ndërkaq edhe mosdëshirën për t’u ngushtuar, “homo albanicus” nacionalizmin e tij e ka të llojit mbrojtës.
f.127
Ajo e kuqe në të gjithë flamurin tonë, pa i lënë hapësirë një ngjyre tjetër, paraqet gjakun shqiptar si përkatësi etnike. Jo më kot, atë flamur ne e kemi trashëguar prej Skëndërberbeut….Ai qe i Kastriotëve, më parë se pinjolli i tyre dhe djali më i vogël i Gjonit, Gjergji, të lindëte.
f.128
Që gjuha shqipe më parë se të jetë mjet i ruajtjes së kujtesës kombëtare, i zhvillimit të kulturës dhe i dijeve, i komunikimit dhe i transferimit të të dhënave, është territor dhe kufi, e dëshmon edhe një provë tjetër. Ajo është shkruar tepër vonë. Ky fakt bie ndesh në pamje të parë me cilësinë e saj si gjuhë nga më të vjetrat e kontinentit. Mirëpo duke e ruajtur më shumë si të folur se sa të shkruar, gjë që në Evropë e kanë bërë edhe rumunët edhe lituanët, arbër- shqiptarët i kishin dhënë asaj më së pari misionin e ruajtjes së identitetit të njësisë territoriale. Gjuha është roje kufiri.
f.135
Të qënit shqiptar dhe Shqipëri ishin e njëjta gjë.
f.140
Pluralizmi më i keq është më i mirë se diktatori më i arsyeshëm.
f.141
SHBA janë bërë të fuqishme jo vetëm prej zhvillimit dhe forcës ekonomike, burimit të madh njerëzor që ka, përbërjes së larme dhe harmonike të etnive nga i tërë globi, por prej lirisë. SHBA të fuqishme nuk e ka bërë gryka e topit, flotat gjigande ajrore, në det, tokë dhe kozmos.
…6 janar 1941, Franklin D. Roosevelt:
shtylla të demokracisë dhe të qytetërimit të vendit të tyre ishin ato që ne po i quajmë “katër liritë”- liria e mendimit dhe e fjalës, liria e besimit, liria për nevojat materiale dhe liria për të mos patur frikë.
f.145
mospasja frikë ndaj pushtetit politik tek amerikanët garantohet nga sistemi gjyqësor. Ai është tërësisht i pavarur dhe me anë të një avokati dhe gjyqi ia del të mundësh edhe më të fortin e SHBA.
f.150
Shqiptari, tip i vështirë për t’u vënë nën kontroll edhe nga politika dhe ushtruesit e saj dinakë, mbetet i tillë edhe ndaj klerikëve fetarë.
f.152
Faik Konica
Unë besoj se shqiptarët gjithkund janë tolerantë për besimet e tjera dhe ndoshta ky është i vetmi vend në Evropë ku nuk ka pasur luftra fetare.
f.157
Gjer në fund të shekullit XVI, popullsia e qyteteve dhe e kështjellave në Shqipëri ishte 62 % e krishterë..në fshat kishte vetëm 3-4 % myslimanë.
f.222-224
Kompleksi i Rozafës apo prirja e shqiptarit për vetëshkatërrim..
Kudo ku shqiptari të ndodhet, në vetëm familjen e tij apo në krye të një lagjeje, fshati, qyteti, shoqate, shteti dhe institucioni, atë që bën i pari, nuk e vazhdon i dyti. I treti vazhdon po ashtu. I katërti dhe i pesti, i gjashti dhe i shtati, nuk dinë mënyrë tjetër sjelljeje.
Mosnjohja e vazhdimësisë dhe moskrijimi i saj, ndërprerja dhe këputja kur mbaron ushtrimi i pushtetit të njërit dhe nis ai i tjetrit, mjafton bollshëm për të prodhuar ciklikisht vetërënie.
f.228
Interpretimi i ngjarjeve të vitit 1997 si një luftë civile mes veriut dhe jugut, më së shumti, u krye prej disa qarqeve të huaja antishqiptare si edhe nga njerëz e shërbime të tyre brenda vendit. Qe momenti kur i ishte afruar pikës së vlimit çështja e çlirimit të Kosovës. Një Shqipëri e penguar ishte pengimi më i mirë. Një Shqipëri që nuk vetërrënohej në luftë të brëndëshme, qe nxitja për të fituar lirinë.
f.229
Teoria dhe praktika marksiste-leniniste e variantit bolshevik, që prej çastit kur u shfaq në Shqipëri e sidomos kur nisi të vihej në jetë (periudha e luftës dhe ajo e pasçlirimit) rezulton ndikuesja më agresive në vetërrënimin tonë.
f.232
E ardhur jo nga periudha enveriste, por nga thellësia e shekujve, prirja drejt marrjes me përfolje politike nuk mund veç të interpretohet si pasion popullor. Një dëshmi e kësaj karakteristke të natyrshme të etnisë sonë mund ta gjesh në atë kordon të madh shqiptarësh që kanë administruar për periudha jo të vogla, superfuqitë e kohës së shkuar: Perandorinë Romake, Papatin, Bizantin dhe Perandorinë Otomane.
Po ashtu ato janë ndjerë fort në prag të krijimit të shteteve modernë grek, turk, egjiptian dhe italian.
Pra pasioni i shqiptarëve për politikën, në thelb tendenca e tyre e dukshme për protagonizëm publik në sferat e pushtetit, është shumëshekullor.
Mendojmë se kjo ndodh nga që ne, më shumë se të priremi për ndonjë shkencë, ekzakte apo humane, më tepër se të pëlqejmë filozofinë, të lexuarit e librave apo muzikën, preferojmë pushtetin.
f.234
Një sondazh i BE i shpallur në fillim të majit 2012 bënte të ditur, mes të tjerash, se shqiptarët qenë një popull inteligjent. Testi i realizuar posaçërisht për të zbuluar shkallën e zgjuarsisë së etnive të ndryshme të globit e nxirrte “homo albanicus” me 114.5 pikë. E ndiqte spanjolli me 111.79 pikë, banori i Hong Kongut me 111.69 pikë e më poshtë rreshtoheshin popuj të tjerë si gjermanët, qipriotët, kanadezët, amerikanët e SHBA. Bullgarët rezultonin me 101.99 pikë.
f.239
Në Ballkan, edhe pse popujt që e përbëjnë, jetojnë fare afër, ndryshimet mes njëri-tjetrit i kanë po aq të mëdha sa sikur të ndodhë që krahasimet të bëhen me spanjollët apo skocezët.
f.241
Fejzi Alizoti
Shqipëria është një sofër e porsashtruar, e pasur vërtet, por edhe tepër e ngushtë, shumë kanë dëshirë të ulen e të dënden pranë saj, por mjerisht ajo është si shumë e vogël për t’i ngopur gjithë të uriturit. Kështu që për t’i bërë vend vetes, njerëzit duhet të vënë në përdorim bërrylat.
f.244
Shqiptarët nuk merakosen shumë t’i kërkojnë, t’i gjejnë e t’i përzgjedhin bashkëkombësit e talentuar, sepse nuk besojnë tek elitat, i shohin ato me dyshim, si të dalin prej tyre vetëm sundimtarë. Ata nuk mund ta lënë tepër lart një njeri. Sa më shpejt që ta ulin, aq më mirë rehatohen shpirtërisht.
…prandaj cili dëshiron të ecë përpara rrugën nuk e ka të hapët, por të mbyllur. Pothuaj askund ndonjë strukturë shteti nuk e nxit, nuk investon për të. Të tilla lehtësi që e ndihmojnë përparimin e individit, vihen në lëvizje prej kriteresh të tjera, nga ato që thirren favore.
f.255
New York Times, verë 2014
Ekziston një vend në Ballkan, i cili kufizohet me vetveten..Ku të gjithë nxitojnë për në punë dhe askush nuk arrin në kohë. Aty ku tetëorëshi i punës zgjat 12 orë. Aty ku shëndetsia është pa pagesë ndërsa shërimi është i shtrënjtë. Ku gazetarët janë të lirë të shkruajnë çdo gjë që ju urdhërohet. Aty ku historia përsëritet çdo ditë. Ku më të pasurit janë njerëzit të cilët kurrë nuk kanë punuar…Aty ku ligjet janë të paligjshme, ndërsa anarkia gjendje normale…Është në Ballkan një vend ku me ndershmëri, sinqeritet dhe zell, kurrë nuk do të arrish qëllimin e dëshiruar…
f.260-261
Në rastin tonë kombi është dy herë më i madh se shteti i Shqipërisë dhe pesë herë më i madh se shteti i Kosovës. Shoqëria shqiptare nuk përputhet plotësisht as me kombin, as me vetëm njërin prej dy shteteve tona…Në Ballkan edhe malazezët si edhe maqedonasit sllavë kanë shtete më trupmëdhenj se territori kombëtar. Pa një mungesë të qënësishme në raportet komb-shtet janë edhe kroatët bashkë me sllovenët.
f.269
Modeli Zog-Enver dhe sidomos ai i pasvitit 1990, i përfaqësuar me më shumë se një emër, dëshmon se suksesin e kanë bazuar tek dy kushte: tek njohja e mirë e psikologjisë dhe e mendësisë së shqiptarit si edhe e qeverisjes së tij (vënies nën kontroll, sundimit) nëpërmjet shfrytëzimit të të metave.
f.271
Tirana me mbi kokë të saj Brukselin është zgjidhja më e mirë për çfarë vjen më pas. Kjo mund t’i inatosë ca nacionalistë të sinqertë, sepse shohin që shqiptarëve u ikën nga duart një pjesë jo e vogël e sovranitetit të tyre, por kjo është vetëm pamja e sipërfaqëshme. Sovranitetin e plotë nuk e kanë prej kohësh edhe vetë shtetet e mëdhenj.
*Botoi: EMAL, Tiranë 2014
E dergoi per Diellin, Bardhyl SELIMI