Beqir Sina – New York/
Në raport thuhet se janë me mijëra qytetarë që janë vrarë nga viti 1944-1955, por një pjesë e madhe nuk ekziston në arkiva
TIRANË : Gjatë regjimit komunist, 34,135 shqiptarë janë burgosur dhe dënuar për arsye politike. Shifra është publikuar në raportin e fundit të Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit.
Në raportin e dorëzuar në Kuvend, ISKK-ja ka publikuar një sërë statistikash për personat që vuajtën, u dënuan dhe u internuan nën sistemin komunist.
Nga të dhënat zyrtare rezulton se 59 009 shqiptarë u internuan në kampe përqendrimi, ndërkohë që 7,022 prej tyre kanë humbur jetën.
Sipas, raportit, 984 shqiptarë kanë vdekur në burgjet e regjimit, ndërkohë që 6 027 persona janë vrarë gjatë diktaturës, shkruan shtypi nga Shqipëria.
Torturat u kanë shkaktuar 308 personave humbjen e aftësive mendore gjatë qëndrimit në burgjet e komunizmit.
Instituti Studimit të Krimeve të Komunizmit në raportin e vjetor thekson se ka nisur puna në të gjithë Shqipërinë për të zbuluar numrin e saktë të qytetarëve të pushkatuar pa gjyq.
Në raport thuhet se janë me mijëra qytetarë që janë vrarë nga viti 1944-1955, por një pjesë e madhe nuk ekziston në arkiva.
Zbulohet dhe “mbulohet” një varrezë që duket se është përdorur edhe për të varrosur viktimat e diktaturës në Pogradec:
Kështu të paktën u njoftua dy javë më parë nga Shqipëri ku thuhej se nuk dihet ende sa është numri i trupave të varrosur pranë vendit të quajtur Lumi i Tërhanit në Pogradec. Dikur aty ka qenë një poligon qitjeje, që duket se është përdorur edhe për të varrosur viktimat e diktaturës. Zbulimi është bërë nga Sektori i Gjetjes së të Zhdukurve nga Krimet e Komunizmit, pranë Institutit të Integrimit të të Përndjekurve Politikë.
Në një prononcim për “Gazeta Shqiptare”, kreu i Institutit të të Përndjekurve, Bilal Kola thotë se zbulimi i këtij vendi i hap rrugën marrjes së të dhënave nga ana e familjarëve që ende nuk kanë gjetur njerëzit e tyre e që më pas do të shërbejnë për marrjen e mostrave të gjakut. Kjo pasi, procedura që do të përdoret për zbulimin e identitetit është ADN-ja.
“Ende nuk mund të themi se sa është numri i saktë i personave që ndodhen në vendin e zbuluar në Pogradec.
Ajo që mund të them është se ato do të shkojnë pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore për t’u ruajtur. Ndërkaq, kemi angazhuar njerëzit për marrjen e mostrave, që do ndihmojnë në kryerjen e procesit të ADN-së.
Ne kemi ngritur infrastrukturën e nevojshme, dhe të gjithë ata që kanë persona të zhdukur në Pogradec, mund të vijnë të paraqiten pranë Institutit, që të depozitojnë kërkesat e tyre pranë Sektorit të Gjetjes së të Zhdukurve nga Krimet e Komunizmit pranë Institutit”, – u shpreh Kola.
Po ashtu, sipas tij, dorëzimi i kërkesave për të gjetur eshtrat e të afërmve të tyre të pushkatuar dhe të zhdukur nga regjimi komunist mund të bëhet jo vetëm për rastin e Pogradecit, por edhe për raste të tjera nga gjithë qytetet e Shqipërisë. Gjatë periudhës së komunizmit numërohen rreth 6.000 të zhdukur./Beqir Sina/