Për hovin marramendës të rritjes së “Vatrës” në vitet e para të jetës së saj, Qerim Panariti, biografi i parë i Nolit, ka shkruar: “Përparimi i Vatrës i detyrohet barbarizmave Greke në Toskëri. Gjatë vjetëve 1912 dhe gjer më 1915 mijëra Shqipëtarë emigruan n’Amerikë për të shpëtuar nga masakrat greke. I tërë emigracioni i ri shpejtoj të përqafojë Vatrën si të vetëmen armë për të shpëtuar nga skllavërimi i fqinjëve.”
Shqipëria, edhe pse e krijuar përgjysmë, qe gjithnjë në rrezik të zhdukej nga faqja e dheut. Fatet e saj gjithnjë shkuan rrokopujë. Nuk patën të mbaruar qëllimet skllavëruese të fqinjëve.Atëherë e sot nuk është realizuar ideali vatran për një Shqipëri etnike të lirë e të pavarur, të begatë e demokratike, të qytetëruar – ideal që e ka lindur dhe e ka mbajtur gjallë “Vatrën”.
Për hir të këtij ideali, “Vatra” u bë një gjenerator i lëvizjes kombëtare; në periudha të caktuara edhe promotori i saj, dhe gjithnjë një mekanizëm i fuqishëm që ka sajuar ide, ka përvijuar organizma e institucione, i ka ndërtuar ato dhe i ka vënë në lëvizje.
Diku kam lexuar se “Vatra” e nxori politikën nga dera dhe ajo i hyri nga dritarja. Nuk është e vërtetë. “Vatra” e kishte politikën brenda. “Vatra” ishte me kokë e këmbë brenda politikës.
Në Kanunoren e “Vatrës”, në një kapitull të veçantë, të emërtuar në mënyrë kuptimplote “Fryma e Federatës” ka vetën një “nyjë” dhe kjo nyjë është: “Vatra nuk duhet të merret me politikë”, që në logjikën formale do të emërtohej një gjykim mohues absolut; pra një “antifrymë”, antifryma e Federatës!
Natyrshëm, ka “politikë” politika: kjo nyjë qe thjesht për të siguruar pranimin e Federatës nga organet përkatëse amerikane. Në atë Kanunore të shenjtë, që u zbatua gjithnjë me një rigorozitet kategorik, në kapitullin “Qëllimet e Federatës”, ndër të tjera thuhet: Federata ka për qëllim “të rritë në mes të Shqipëtarëve t’Amerikës, dhe me anën e tyre në mes të Shqipëtarëve të Shqipërisë, shpiritën e ndihmës në mes tyre dhe të dashurisë për kombësin’ e tyre.”
Paskëshin qenë burra të urtë idealesh të pastra e veprimesh fisnike Fan Noli, Faik Konica, Kristo Floqi, Kristo Kirka, Paskal Aleksi, Llambi Çikozi, Elia Tromara, Kosta Vasili dhe një vargan burrash të tjerë, që na lënë trashëgim madhështinë e veprimeve të tyre të shkëlqyera, që na vërbojnë edhe sot me shkëlqimin e idealit dhe na trondisin në shpirt me forcën e dashurisë për Atdheun!
Një nga punët më rëndësore që bënë këta burra dhe të tjerët që erdhën pas tyre qe ‘t’i vënin pikën mbi i”, siç i thonë një fjale, politikës vatrane. Dhe “kjo pikë mbi i” qe dimensioni kombëtar i saj. Sepse ka dhe do të ketë politikë kombëtare dhe politikë partiake dhe bile edhe politikë individësh, siç po luhet sot përgjithësisht në Shqipëri, dhe jo vetëm në Shqipëri – ajo lloj politike që më së shumti është politikë karrigash, a politikë pasurimi, a politikë e kotësisë për t’u dukur e për t’u dalluar mbi të tjerët, a politikë dukurish të tjera shpirtërore të mbrapshta – mjerisht aq të përhapura tek ne – dhe që shartojnë veç grindje e përçarje. Është pikërisht kjo mostër politike partiake e individësh që “Vatra” është përpjekur ta nxjerrë nga dera dhe jo rrallë i është futur nga dritarja; por me gjithë luhatjet, lajthitjet, grindjet e përçarjet, ideali kombëtar i politikës vatrane e pati sfiduar themelisht ambicien për pushtet, gjakimin për pasuri, kotësinë e mburrjes dhe rrangallat e tjera të psikologjisë individuale të shqiptarit.
Më se e vërtetë: vatranët përvetësuan dijen e kombësisë për t’ja mësuar atë bashkatdhetarëve, ashtu siç ia patën vënë vetes për detyrë; ata gjithnjë rrezatuan dritën e zjarrit të dashurisë së tyre për të ndriçuar dhe për të ngrohur atdheun, ata varfëruan veten për të pasuruar kombin. Kjo ka qenë politika vatrane, tri kahet e së cilës qenë e mbetën nacionalizmi, demokracia dhe qytetërimi perëndimor. Kaluan nëntë dekada dhe jetësimi i këtyre dimensioneve është ende gjysmak: troje të pushtuara, demokraci e sëmurë, qytetërim ndërdyshas. Për të qeshur dhe për t’u qarë!
Në emër të fjalës së fundit të qytetërimit modern, në emër të ndërtimit të një bote evropiane me ideale mbinacionale, sot përbuzet nacionalizmi. Të veprosh me idetë a dëshirat përtej fakteve dhe të kushtëzosh me to veprimtarinë politike është e lehtë, por jo e drejtë. Në Ballkan, integrimi evropian vështirë të ecë ne rrugët e praktikave të tilla politike. Për hir të luftës kundër nacionalizmit, na jepen këshilla kundër patriotizmit – ndjenja më e natyrshme dhe më e fuqishme e njerëzimit.
Nacionalizmi ynë, në hullinë shpirtërore, janë trojet tona – ideal i nëpërkëmbur, ëndërr e parealizuar, plagë e hapur, zemër që dhemb e kullon gjak. Nacionalizmi ynë, në hullinë e tij doktrinare dhe në sendërtimin praktik të kësaj doktrine, janë marrëdhëniet miqësore të ndershme me fqinjtë-në kundërvënie me shovinizmin e tyre-, dëshira e vullneti për paqen, bashkëpunimi dhe harmonia me Evropën dhe gjithë njerëzimin, gjakimi për integrim. Nacionalizmi shqiptar nuk ka pse të trazojë “paqen aristokratike evropiane”, siç ësht shprehur një studiues, dhe as të kërcënojë rehatinë shtinjake të Gadishullit.
Do të vijë koha kur edhe Ballkani do të zhvishet nga nacionalizmi,por sot e kësaj dite, në qiellin ende me re të përgjakura të këtij gadishulli fanitën, si stihi keqbërëse, synimet shoviniste dhe qëndrimet ksenofobike ndaj shqiptarëve, që aty-këtu përhijohen edhe nëpër Evropë. Bile në këtë gadishull veprojnë edhe organizata, si ajo Pan-Epirote, që punojnë pikërisht për të vërtetuar shkakun kryesor që e mbajti gjallë “Vatrën”. Për fat të keq, ka edhe struktura qeveritare e partiake në atdheun tonë që i shërbejnë me përkushtim e poshtërim politikës së tyre.
Dimensioni politik demokrat ka përcaktuar orientimin politik të qëndrimeve dhe veprimtarisë së “Vatrës”. Ajo nuk e ka njohur dhe nuk mund ta njihte një qeveri të dalë nga një dhunë e çmendur përgjakjeje, siç qe ajo e pranverës së çoroditur të vitit të nëmur të ’97-ës. “Vatra”do të pranonte edhe një qeveri demonësh, sado satanike të ishte, por mjafton të dilte nga vullneti i popullit.
Në Kanunoren e “Vatrës” është gdhendur një tjetër nyjë – nyja e tetë: “Në Vatër nuk pranohen revolucionarët”. E thënë thjesht dhe pa mëdyshje: dëshmi se vatranët kishin bërë të veten kuintesencën e parimësisë demokratike. Ky është një nga mësimet më të vyera që “Vatra” ka përvetësuar nga demokracia amerikane dhe që sot duhet të përpiqet ta përvetësojë më mirë dhe tua trashëgojë breznive të ardhshme.
Dimensioni i tretë kombëtar i politikës vatrane është ai i qytetërimit perëndimor.Vatranët janë të bindur se kombi shqiptar ka vetëm një rrugë qytetërimi dhe kjo është rruga e integrimit evropian në të gjitha drejtimet, në lëmin ekonomik, politik e kulturor.
Le të shpresojmë që idealet vatrane nuk do të mbetën shkrumb i një vatre të shuar!(Dielli-Arkiv- Shkurt 2002, Editor Anton Cefa)