….shpresoj që opozita të mos zhduket/
Nga Saimir Sulaj, Washington/
Ish-kongresmeni Joe DioGuardi është i vetëdijshëm se të gjithë e njohin si njeriun që hap telashe. Për të tillë e njohin në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, por edhe në Kongresin amerikan apo në Departamentin e Shtetit. Kjo, sepse është i drejtpërdrejtë dhe sulmon atë që mendon se nuk po punon siç duhet. Këtë herë e takojmë në Washington, ku flet pa dorashka, specifikisht për zgjedhjet në Shqipëri dhe për fatin e Partisë Demokratike pas humbjes dërmuese në zgjedhjet e fundit parlamentare. Për DioGuardin, mandati i dytë i kryeministrit Rama, këtë herë pa nevojën e një koalicioni, është një mundësi për zbatimin e reformës aq të nevojshme në drejtësi. Ai zotohet, megjithatë, se do ta vëzhgojë me shumë kujdes punën e kabinetit “Rama 2”. Përsa i takon Partisë Demokratike, ish-ligjvënësi amerikan këshillon që të ngutet në riorganizim dhe t’i bëjë pyetjen vetes se çfarë nuk bëmë siç duhet, që njerëzit nuk dolën për t’i votuar.
Kongresmen DioGuardi, në Shqipëri u zhvilluan zgjedhjet e përgjithshme parlamentare pak javë më parë. Partia Socialiste e kryeministrit Edi Rama mori një mandat të dytë qeverisës. Këtë herë, zoti Rama mund ta formojë i vetëm qeverinë e re. Çfarë mendimi keni për zgjedhjet dhe cilat janë pritshmëritë tuaja për qeverinë e re?
Së pari, mendoj se është shumë pozitive që në Shqipëri do të ketë reformë në drejtësi. Prej shumë vitesh, SHBA ka kërkuar që të kryhet reforma në drejtësi. Unë kam kërkuar që të kryhet reforma në drejtësi. Kemi kërkuar që të ketë drejtësi dhe që gjithsecili të trajtohet njësoj, qoftë kur bëhet fjalë për të blerë prona apo kaluar tituj pronësie. Askush nuk duhet të jetë në gjendje që të korruptojë një prokuror a gjykatës që ka edhe lidhje me qeverinë, apo të korruptojë dikë në qeveri. Kjo ka ndodhur shumë shpesh në të shkuarën dhe njerëzit nuk kanë më besim në qeveritë shqiptare.
Unë njoh një biznesmen shumë të madh, që ka koorporata të mëdha në Ballkan, në Serbi, Bullgari, etj. I kam thënë përse nuk investon në Shqipëri. Ai m’u përgjigj se nuk mund të bëjë biznes në Shqipëri. Atje nuk ka sundim të ligjit. Prit një moment, i thashë. E pe se çfarë ndodhi në zgjedhjet e fundit? Ai që fitoi, nuk ka shumë rëndësi se cilës parti politike i përket, po ngulmon për reformën në drejtësi. Dhe reforma do të kryhet. Njerëzit e duan dhe e kanë të nevojshme.
Pas kryerjes së reformës, do të ketë investime reale dhe vende të reja pune, jo vetëm vende pune në administratë. Kjo është e rëndësishmja e këtyre zgjedhjeve. Që kemi një fillim të ri për transparencën në Shqipëri. Transparenca është që ti merr atë që sheh dhe jo për të paguar dikë nën tavolinë apo t’i pëshpëris diçka dikujt në vesh, në mënyrë që të marr ndonjë përfitim për veten dhe familjen. Duhet të nisim të mendojmë për popullin shqiptar.
Rama erdhi në pushtet katër vjet më parë duke bërë premtime shumë të mëdha. 300 mijë vende të reja pune, shëndetësi falas, luftë kundër korrupsionit. Premtime të shumta. Katër vjet më vonë, ai doli me çështjen e timonit. I harroi të tëra premtimet që kishte bërë katër vjet më parë dhe tha se çfarë ka ndodhur ka ndodhur dhe ne tashmë do të përmbushim gjithçka. Po sikur edhe pas katër vjetësh do të kemi të njëjtën situatë? A mund t’i besojmë atij edhe për katër vite të tjera?
Ju keni jetuar në Shqipëri apo jo? Përse njerëzit votuan për të? Nëse ata menduan se Rama nuk mbajti premtimet për katër vjet, përse ai mori mandatin e dytë, me aq shumë vota aq sa nuk ka nevojë për koalicion. Ky mbase është mendimi juaj dhe i shumë njerëzve të tjerë, por ndoshta shumica e njerëzve e sheh atë si alternativën më të mirë krahasuar me qeverisjet paraardhëse, të cilat nuk e donin reformën në drejtësi. Ju e dini që kryetari i qeverisë paraardhëse, thuhet se ka bërë miliarda dollarë me të bijën dhe të birin. Si i bëri ai ato para? Nga paga e tij në qeveri? Kjo nuk është e drejtë.
Unë mendoj se të gjithë politikanët duhet të deklarojnë vlerën e shtëpive të tyre dhe se sa para kanë në banka, ashtu siç bëjmë ne këtu në SHBA, në mënyrë që njerëzit ta dinë se paratë e taksave të tyre nuk shkojnë për qeveritarët apo për njerëzit e partive të tyre, por po shkojnë te qytetarët. Ne do ta vëzhgojmë nga shumë pranë punën e qeverisë së re dhe të kryeministrit Rama dhe do të sigurohemi që do të mbajë premtimet. Unë ju siguroj për këtë sepse dua ta shoh Shqipërinë si një shtet që rritet ekonomikisht prej investimeve, jo prej tutelës së politikanëve apo miqve që kanë njohje. Është e nevojshme të krijojmë vende të vërteta pune për shqiptarët në shtetin mëmë dhe mbase ato do të përhapen përtej kufijve te shqiptarët në Maqedoni, Kosovë, Preshevë dhe Malin e Zi. Kjo është ajo çka kemi nevojë dhe shpresoj që kjo do të ndodhë dhe do ta ndjek çdo gjë nga shumë afër.
Opozita shqiptare, Partia Demokratike, pësoi humbjen më të madhe në zgjedhje, në historinë e saj gati 27-vjeçare. Tani po zhvillojnë një garë për kreun e ri të partisë. Çfarë mendoni se do të bëhet me këtë parti?
Ajo që ndodhi me Partinë Demokratike në Shqipëri, është e ngjashme me atë që ndodhi me demokratët këtu në Amerikë. Ata humbën çdo gjë. Ata nuk kanë shumicë në Dhomën e Përfaqësuesve dhe nuk kanë shumicën as në Senat. E humbën besueshmërinë në popull.
Kjo i ndodhi edhe Partisë Demokratike në Shqipëri. Çfarëdo që ata po premtonin, populli u zgjua nga gjumi dhe ata nuk ta thonë në sy, por kur shkojnë te kutitë e votimit, kur askush nuk i sheh se për kë po vendosin, ata thonë të vërtetën. Dhe e vërteta është se mbështetësit e mëparshëm të Partisë Demokratike, nuk morën energjinë e duhur. Ata nuk panë ndonjë arsye që të dalin dhe të votojnë për PD-në. Por nga ana tjetër, mbështetësit e Partisë Socialiste – pak rëndësi ka etiketimi, i urrej etiketimet, harrojini etiketimet partiake, ato nuk kanë më rëndësi, as në Amerikë – ata mbështetës dolën dhe votuan. Kishin energjitë e duhura. Kjo është politikë. Përse dolën kaq shumë njerëz për të votuar për Edi Ramën dhe kaq pak për Partinë Demokratike?
Opozita po thotë se Edi Rama dhe Partia Socialiste përdorën paratë e drogës për të blerë zgjedhjet.
Duhet ta provojnë këtë. Me sa u pa, njerëzit nuk e besojnë këtë gjë. E di që është folur shumë, por përse njerëzit nuk e besojnë këtë? Gjithçka varet te njerëzit që votojnë. Çfarë besojnë ata. Nëse ju nuk mbani premtimet në një afat të caktuar kohe, herët a vonë nuk do të marrësh rezultatet që dëshiron. Tashmë mbetet të shohim se çfarë do të ndodhë.
Ata pësuan këtë humbje të madhe, por çfarë mendoni se duhet të bëjë kjo parti në mënyrë që të organizohet dhe të forcohet sepse një opozitë e fortë është shumë e shëndetshme për vendin?
Po, është shumë e vërtetë. Shpresoj që opozita të mos zhduket. Vendi ka nevojë për opozitë. Çdo vend ka nevojë. Ju nuk doni të keni një diktaturë, kur një person i vetëm thotë se çfarë duhet bërë. Partia Demokratike në Shqipëri duhet të shohë se çfarë ndodhi dhe të analizojë se çfarë ndodhi me votat. Gjithashtu duhet të analizojnë se çfarë lanë pa bërë, që njerëzit nuk dolën të votojnë për ta. Dhe ata kanë njerëz profesionistë që e bëjnë këtë.
Duhet po ashtu t’i drejtojnë pyetjen vetes: ndoshta na duhet të ndryshojmë platformën për partinë dhe duhet të kemi një plan më të qartë për krijimin e vendeve të punës dhe thithjen e investimeve të huaja. Mbase nuk duhet të mendojnë që të punësojmë bijtë e bijat tona dhe miqtë. Duhet të tregojnë që janë me të vërtetë të pavarur në mënyrë që të bindin popullin që do t’u sjellin drejtësi dhe barazi. /tesheshi.com/