• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Si Dita e Verës në Shqipëri – Dita e Verëzes në Kosovë

March 14, 2016 by dgreca

-Në rajonin e Prizrenit, në Opojë…si në Elbasan…Në Kosovë ende nuk ka organizime institucionale si në Shqipëri për festimin e Ditës së Verëzes, por ritet e festës së lashtë pagane iliro-shqiptare tradicionalisht janë ruajtur brez pas brezi nga populli/Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË/ Si Dita e Verës në Elbasan, në Shqipëri, në 14 mars, është edhe në Kosovë  Dita e Verëzes, në të njëjtën kohë e me rite dhe emërtim ngjashëm, në rajonin e Prizrenit, përfshirë krahinën e Opojës  në malet e Sharrit në lartësi mbidetare mëse 1.000 metra, në komunën e Dragashit, më jugoren në shtetin e ri të dytë të shqiptarëve. Edhe pse ka ide, në Kosovë ende nuk ka organizime institucionale si në Shqipëri për festimin e Ditës së Verëzes, por ritet e festës së lashtë pagane iliro-shqiptare tradicionalisht janë ruajtur brez pas brezi nga populli.Në Opojën e njohur për dimrat me shumë dëborë e pranvera ca “të vonuara”, në prag të Ditës së Verëzes,  pasdite dhe në mbrëmje të rinjë, po edhe fëmijë, ngjiten bjeshëve, te krojet që nuk shterojnë kurrë, mbledhin bimë a lule, drunj e  shkurra dëllinje, dhe ndezin zjarre.Vezët e ziera e të ngjyera, cakërrohen me njëra-tjetrën në garën cila është më e forta, ndërsa të spërkatura me ujin e krojeve hahen në bjeshkë dhe në shtëpi për shëndet e jetëgjatësi.Në Ditën e Verëzes zgjimi është i hershëm dhe vazhdojnë ritet e festës, pjesë e së cilës janë edhe këngët e vallet, edhe gatimet e traditës me miell misri apo gruri, por që nuk janë ballokume Elbasani, edhe pse të ngjashme janë.Në drekën e Ditës së Verëzes në tryeza-sofra shtrohet edhe mishi i qengjit, sipas traditës së këtyre anëve me blegëtori të zhvilluar.

Dita e Verëzes festohet nëpër familje, së bashku, si dhe me vizita te fqinjët e farefisi, me besimin se sjell fat, shëndet, mbarësi, përtëritje e dashuri njerëzore. Ritet, përfshirë edhe lulet e bimët që vendosen mbi portat e shtëpive, ndërlidhen edhe me zgjimin e bimësisë, gjallimin,  kalimin nga dimri në pranverë. Dhe, është ditë e fillit të verës së re.

Filed Under: Komente Tagged With: Dita e Veres, ne Kosove, në Shqipëri - Dita e Verëzes, Si Behlul Jashari

Festë e hareshme e Ditës së verës në Tiranë dhe Elbasan

March 14, 2014 by dgreca

Disa qindra qytetare kanë mbipopulluar rrugët, parqet në natyrë dhe bulevardin e Tiranës, sot në Ditën e Verës,  kur kanë qënë te shumta  aktivitetet e  organizuara nga Bashkia e Kryeqytetit, dhe qeveria shqiptare ne bashkërendim me Ministrinë e Rinisë, Kulturës, Arsimit dhe të Turizmit.

Por disa qindra njerëz kanë ardhur nga qytete të tjera të vëndit, si dhe nga Kosova  Maqedonia, te cilët  kanë ecur  përgjatë  “Bulevardit Festiv”  duke ndjekur aktivitetet që zhvilloheshin nga qëndra e Tiranës, e deri tek Sheshi Nënë Tereza.

E mbipopulluar ishte edhe zona e njohur me emrin “Kodrat e Liqenit” ku mjaft familjarë, çifte, të rinj, e fëmijë, gëzuan  natyrën që zona ofron, duke zhvilluar mjaft aktivitete si lojra në natyrë.

Të pyetur nga  ATSH se si po e përjetonin ditën,  shumë syresh janë shprehur se pas përfundimit të aktiviteteve, së bashku me  familjarët do të drekonin ne shtepi por më shumë në lokale. Të rinjtë, pasdarke kane rezervuar  klubet e qytetit, ku do të presin të kalojnë natën nën shoqerimin e muzikes live.

Ndërkohë fëmijët kanë shijuar më së shumti ditën e sotme,  jo vetëm duke pare nga afër aktivitetet që u ishin rezervuar, por edhe duke u bërë pjesë e disa prej tyre.Ata kane marr pjese në aktivitetin e organizuar nga Qëndra e Fëmijëve dhe Teatri i kukullave, si dhe Cirku i Tiranës ne  Parkun Rinia.

Dita e Verës- Festime për t’i dhënë lamtumirën stinës së dimrit

Dita e Verës ka sjellë gjallëri sot në kryeqytet, në bulevardin e të cilit qytetarë të shumtë po festojnë largimin e dimrit. Bashkia e Tiranës, Ministria e Kulturës, e Arsimit dhe Rinisë, si dhe Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit po organizojnë një sërë aktivitetesh për fëmijë e të rinj, të përqendruara kryesisht në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, lëvizja në të cilin bëhet me vështirësi nga numri i madh i njerëzve. Festa ka nisur me një performancë të Bandës së Ushtrisë, si dhe me Trupën e Teatrit të Kukullave dhe animatorëve në sheshin përpara Galerisë së Arteve.

Jo vetëm Elbasani, i cili sot është “kryeqyteti” i Shqipërisë, por edhe Tirana ka mirëpritur qytetarë nga rrethe të ndryshme të vendit, që kanë zgjedhur kryeqytetin për të festuar Ditën e Verës. Alma së bashku me familjen e saj, ka ardhur nga Durrësi për të festuar në Tiranë. “Më pëlqen shumë se si festohet kjo festë në Tiranë”, tha ajo për ATSH-në, duke shtuar se kryeqyteti ofron më shumë mundësi argëtimi për fëmijët.
Në orën 10 :00 në parkun “Rinia” është ngritur “Këndi i pikturës”, si dhe po zhvillohet një koncert me DJ nga shkolla “Robert Radoja”. Pjesë e aktiviteve në ditën e Verës janë edhe aktivitetet në sheshin pranë lulishtes “Tre vëllezërit Frashëri”, ku “Dance Akademi Amary” po interpreton kërcime moderne dhe popullore nga trupa e baletit për fëmijë të moshës 6 deri 14 vjeç, si dhe kërcime latine nga grupi “Latin Beat”, nga trupa e kërcimit mbi moshën 18 vjeç.
Panairi “Blej shqip” , i cili po zhvillohet në rrugën ” Murat Toptani”, tek Pedonalja, me pjesëmarrjen e bizneseve nga të gjitha trevat shqiptare nga Kosova, Mal i Zi, Maqedonia, Presheva e Shqipëria, ka për qëllim promovimin e produkteve vendase. Produktet që janë prezantuar në këtë panair janë nga sektorët, e ushqimit, bujqësisë, tekstileve, artizanatit etj.
Një ekspozitë me piktura të fëmijëve me aftësi të kufizuara është çelur tek Galeria e Arteve, ndërsa një panair me prodhime shqiptare të artizanatit pranë lulishtes përpara Vilës 31, ka tërhequr vëmendjen e shumë qytetarëve,
I veshur me lulet e verës kryeqyteti gumëzhin nga fëmijë e të rinj që kanë “pushtuar” bulevardin e që presin me dëshirë verën, ndërkohë që trafiku është bllokuar, pasi lëvizja e makinave është pothuajse e pamundur. Festimet për Ditën e Verës do të vazhdojnë deri në orën 14:00.
Dita e Verës e ka zanafillën në faltoren Zana e Çermenikës, e ndërtuar në rrethinat e qytetit të Elbasanit, e cila ishte perëndesha e gjuetisë, pyjeve dhe e të gjithë natyrës. Sipas gojëdhënës, kjo zanë dilte nga faltorja e vet ditën e 14 Marsit. E trashëguar brez pas brezi, kjo festë popullore, është një ditë, e cila sot identifikon edhe vetë qytetin e Elbasanit, i njohur në Shqipëri për tradita të veçanta kulturore. Por, vitet e fundit, kjo festë po festohet edhe në Tiranë

Rama : “Elbasani, graviteti i Ditës së Verës”

Kryeministri Edi Rama vizitoi të premten në Ditën e Verës , Panairin e hapur në qytetin e Elbasanit.“Elbasani është graviteti i Ditës së Verës, dhe është kënaqësi të jesh në këtë qytet në këtë ditë feste”, deklaroi kryeministri Rama.

Ajo që mësova me kënaqësi, tha Kryeministri në fjalën e tij, është se shumë emigrantë shqiptarë të kthyer kanë filluar të bëjnë sipërmarrje të suksesshme .

“Janë të kënaqur dhe të motivuar dhe përbëjnë një shembull të shkëlqyer, qoftë për të tjerë që dëshirojnë të kthehen e të investojnë kursimet e veta këtu, qoftë për ata që në Shqipëri janë në kërkim të një pune dhe  së ardhmes”, theksoi Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se, qytetarët duhet të shikojnë me shumë tek talenti dhe zotësia e tyre dhe tek sektori privat për të filluar një biznes të vogël, apo për t’u angazhuar në sektorin privat, pasi shteti nuk mund të jetë punëdhënësi më i madh.
Dhe lufta jonë për punësim real dhe kundër papunësisë, informoi Kryeministri Rama, është në radhë të parë e fokusuar tek krijimi i hapësirave të reja për sektorin privat, për të hapur vende të reja pune, përmes sipërmarrjes private dhe sigurisht me mbështetjen e pakursyer dhe me politika, ide e energji të reja nga ana e qeverisë.
BASHA URON: DITË KAQ TË GËZUARA PAÇIN GJITHMONË SHQIPTARËT

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka zgjedhur qytetin e Elbasanit për të festuar Ditën e Verës. Ai ka vizituar mëngjesin e sotëm panairin tradicional që mban edhe emrin e kësaj feste. Kreu i opozitës Basha shoqëroahej nga një grup deputetësh.“Më vjen mirë që distanca fizike mes Elbasanit dhe Tiranës nuk ka qenë kurrë më e shkurtër, sepse në fakt distanca shpirtërore mes Tiranës dhe Elbasanit thuajse nuk ekziston. Këtë e them si kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe si ish-deputeti i Elbasanit për Partinë Demokratike. E them në emër të qytetarisë së Elbasanit, e them në emër të qytetarisë së Tiranës dhe sot, në emër të qytetarisë së Tiranës, por besoj edhe në emër të çdo shqiptari, dua të falënderoj qytetarinë elbasanase, të gjithë elbasanasit, për këtë traditë kaq të bukur që ia kanë dalë ta mbajnë gjallë dhe që Ditën e Verës rrezaton dhe përhapet nga Elbasani, zemra gjeografike e Shqipërisë, anembanë qyteteve e fshatrave tona. Ju uroj nga Elbasani çdo shqiptari gëzuar Ditën e Verës. Për shumë vjet gëzuar, mbarësi dhe gëzim sjelltë kjo ditë për ju”- deklaroi Basha. 
Pas vizitës në Elbasan kryetari i Bashkisë Lulzim Basha iu bashkua aktiviteteve tek Pedonalja e kryeqytetit. 
Ashtu si edhe vitin e kaluar në rrugën “Murat Toptani” është çelur panairi “ Bli dhe prodho shqip”. Panairi promovon produktet nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia. Produktet që prezantohen në këtë panair janë nga sektorët, e ushqimit, bujqësisë, tekstileve, artizanatit etj.

“Dua t’ju uroj gjithsecilit prej jush, gjithë qytetarëve të Tiranës dhe Shqipërisë gëzuar Ditën e Verës sjelltë sa më shumë mbarësi për ju dhe familjet tuaja. Politikëbërësit të kthejnë vëmendjen dhe sytë dhe të bashkëpunojnë për tu dhënë mbështetje ndërmarrjeve shqiptare, iniciativës shqiptare.”- deklaroi Basha.

Dita e Verës, të gjithë në plazhe e shëtitore

Shëtitoret dhe plazhi i Durrësit kanë qenë hapësirat ku qytetarët durrsakë kanë festuar sot Ditën e Verës.Megjithëse bashkia e qytetit nuk kishte programuar asnjë veprimtari, qytetarë të të gjitha moshave kanë përfituar nga moti i mirë dhe temperaturat e larta për të shëtitur masivisht kryesisht në hapësirat pranë detit.

Lodrat e instaluara në shëtitoren bregdetare kanë qenë sot nën pushtetin e fëmijëve, ndërsa të rriturit kanë shfrytëzuar bar-kafetë e shumta, që kishin hapur dyert si për festë.
Edhe në Durrës janë shitur sot qindra ballakume, ëmbëlsira të cilat simbolizojnë ditën e verës, kryesisht në zonën e Elbasanit. Që prej 10 vjetësh Dita e Verës bën pjesë në festat tona kombëtare.

 

 

Filed Under: Featured, Kronike Tagged With: Dita e Veres, Festa e hareshme

Elbasan, çelet Panairi i 17-të “ Dita e Verës”

March 12, 2014 by dgreca

Nga Miranda Sadiku/.- Është çelur sot në Elbasani panairi i 17 “Dita e Verës” 2014″, organizuar nga Bashkia e Elbasanit, në bashkëpunim me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë.

Në fjalën e hapjes, kryetari i bashkisë,  Qazim Sejdini tha se: Panairin i cili hap siparin e Ditës së Veres dhe ka rëndësi të madhe, pasi ëshë një mundësi për të gjitha bizneset, që prezantohen, por edhe për qytetarët Elbasanas dhe miqtë e saj që vijnë nga e gjithë Shqipëria për të fesrtuar Ditën e Verës.

Panairi i sivjetshëm, mblodhi rreth 50 kompani që prezantuan produktet e tyre dhe shumica e bizneseve vijnë në këtë panair për të disatën herë. Festimet për Ditën e Verës në qytetin e Elbasanit, do të vijojnë nesër me një aktivitet me bicileta organizuar nga Afjendia Telegrafike Shqiptare dhe Albasani Excellence, ku do të marrë pjesë edhe aktorë të njohur të kinematografisë shqiptare për të vijuar më pas me  koncert festiv i cili nis pasdite dhe vazhdon gjatë  gjithë natës dhe do të kulmojnë në 14 Mars.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Dita e Veres, elbasan, Panairi i 17

Dita e verës, festime në Tiranë

March 10, 2014 by dgreca

14 marsi, Dita e Verës, një feste popullore, i rikthen kryeqytetit festimet . Ministria e Kulturës, Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, në bashkëpunim me bizneset kanë hartuar një kalendar të pasur veprimtarish në Ditën e Verës.

Në bashkëpunim me institucionet artistike, bizneset, etj, Tirana do të krijojë disa sheshe, lulishte dhe kënde arti, ku qytetarët e Tiranës do të kenë rastin të ndjekin përgjatë ditës aktivitete të ndryshme për të gjitha grupmoshat.  Veprimtari të ndryshme artistike do të organizohen nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore, Cirku Kombëtar i Tiranës, Teatri Kombëtar i Kukullave, Orkestra Rinore, Liceu Artistik “Jordan Misja”, grupet e muzikës alternative, këngëtarët e muzikës popullore, etj.

Në ambientin përpara Galerisë Kombëtare do të kompozohet “Qyteti i Artit”, i rrethuar me piktura të nxënësve të shkollave të ndryshme të kryeqytetit dhe me koncert harqesh nga Orkestra Rinore e nxënësve  të Liceut Artistik  “Jordan Misja”, pa harruar edhe parakalimin përgjatë  bulevardit të arlekinëve dhe këmbajkave  të Cirkut.
Festimet në Ditën e Verës do të nisin në orën 10.00-14.00.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Dita e Veres, do te efstohet, ne Tirane

  • « Previous Page
  • 1
  • 2

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT