Nga Tajar Domi/
Tashmë shoqata “Bijte e Shqipes” në Filadelfia, po i shton vitet e jetës së saj. Ajo është rritur në cdo gjë nëpërmjet punës, vit pas viti, muaj pas muaj e dite pas dite. Në themel të kësaj pune qëndron trashëgimia e gjuhës, historisë e kulturës tonë kombëtare , në brezin e ri të komunitetit shqiptar. Në funksion të këtij qëllimi prej 15 vitesh shkolla shqipe “Gjuha Jone” qëndron e hapur për fëmijtë e bashkatdhetarëve tanë, e deri me tani kanë kaluar në këtë shkollë më shumë se 650 nxënës. Por jo më pak është angazhimi ë strukturës drejtuese të shoqatës, në ndihmën e drejtëperdrejtë ndaj bashkatdhetarëve , vecanërisht në rastet e fatkeqësive por edhe në mbështetje të tjera për ti bërë bashkë shqiptaret edhe në festa takime e krijime lidhjesh bashkëpunimi me drejtuesit e strukturat e bashkisë së qytetit e të shtetit të Pennsylvanisë. Gjatë këtyre viteve plot punë e kohë e dhënë në shërbim të komunitetit. 17 vjetori i jetës për shoqatën Bijte e Shqipes, vjen edhe me një Qendër të re që është blerë e po restaurohet me punën vullnetare të shumë nga antarët tanë të komunitetit, gjë e cila u kurorëzua pas një fushate 5-6 mujore të mbledhjes së fondeve ku kontribuan më shumë se 460 familje ndërsa u mbështeten moralisht nga shumë e shumë të tjera.
Meqenëse para dy vjetësh festuam 15 vjetorin e shoqatës nëpërmjet një organizimi me pjesëmarrje mjaft të gjërë , ndërsa pas rreth dy muajsh do të kemi 15 vjetorin e hapjes së shkollës shqipe “Gjuha Jone”, nuk menduam të kemi një organizim të tillë për këtë 17 vjetor. Por telefonata e mikes së përhershme të “Bijte e Shqipes”, gazetares e shkrimtares me shpirt të madh atdhetar, zonjës Iliriana Sulkuqi, na beri të ndryshojmë pak qendrim. Nëpërmjet saj, na u shpreh dëshira e një zonje tjetër të nderuar, prof. Marta Muco, që së bashku të bënin një vizitë e të shihnin nga afër ndertesën e re të blerë për tu përdorur si shkollë shqipe e qendër e komunitetit. Përvecse të uronin “Bijte e Shqipes”, zonjat do te ishin pjesëmarrëse edhe në festimin e ditëlindjes së shokut e mikut tonë të përbashkët, ish kryetarit të shoqatës, zotit Llazar Vero. Me kënaqësi, të shtunën e datës 23 shkurt 2018, pritëm mysafiret tek Qendra e re, duke u ndjerë të vlerësuar prej tyre edhe për mundimin e bërë enkas nga larg, njëra nga Uashington DC e tjetra nga Nju Jorku. Qenka një vend i mrekullueshëm që do t’ju shërbejë brezave…ju lumtë që keni arritur ta bëni pronë të komunitetit, – vlerëson znj. Muco.
Aty jemi së bashku me grupin aktiv të shoqatës që punojnë cdo të shtunë e të dielë vullnetarisht në restaurimin e kësaj ndërtese, si Petriti, Hakiu, Refati, Bashkimi, Hidajeti, Bujari e të tjerë, punë për të cilën janë bërë shkrime me parë. Sigurisht që nuk është asgjë e përfunduar, por prej kohësh një pjesë e kësaj ndërtese, është kthyer në ambjent për organizime ditëlindjesh. Eshtë akoma i parregulluar, i ftohtë disi, por është bukur aty sepse jemi në shtëpinë tonë, me ndjesinë e kënaqësinë që shumë kush e ka provuar se kjo kënaqësi është më e madhe kur je në proces ndërtimi, në lodhje e sipër, se sa kur e ke mbaruar. Kështu pra, këtu u ulem edhe këtë ditë, në këtë ambjent ku nuk mungojnë flamujt kombëtar , mes një bollëku ushqimesh të përgatitur nga familja Vero, me një përkujdesje korcarce të zonjës Tatjana. Duke hapur këtë drekë festive, kryetari i ri i shoqatës Bijte e Shqipes , z. Bujar Gjoka, i uroi shokut tonë Llazar Vero 71 vjetorin e lindjes dhe e falenderoj për gjithcka ai ka bërë që nga krijimi e deri më sot në këtë shoqatë ( z. Llazar ishte personi më aktiv në grupin organizator të krijimit të shoqatës Bijte e Shqipes).Ai sqaroi se ditëlindja e shoqatës tonë është nesër, datë 24 shkurt, dhe do ta festojmë me nxënësit e shkollës shqipe( gjë e cila u realizua mes gëzimit të madh të këtyre nxënësve e mësueseve të tyre atë të dielë).
Të gjithë pjesëmarrësit uruan Llazarin duke vlerësuar gjithashtu punën e mirë të tij, bërë ndër vite me komunitetin, vecanërisht me shkollen shqipe.
Uruan edhe Iliriana me Marten. Deshëm ta shihnim këtë vend të ri tuajn, por edhe si vend i të gjithë shqiptarëve në diasporë, vecanërisht të respektonim ata që po punojnë cdo ditë pushimi e pa asnjë shpërblim këtu, – shprehet Marta. Unë jam një prej jush, thotë ajo, që ashtu si ju jemi larguar nga Shqipëria për shumë arësye,..për më mirë. Por ju keni bërë një Shqiperi të vogël në Filadelfia, e po e fuqizoni atë cdo ditë. Provë e kësaj është edhe ky ambjent kaq i vlefshëm e i bukur që ju e keni blerë. Më lejoni t’ju them dicka, vazhdon plot emocion Marta: Po pres të bëhem gjyshe së shpejti. Vajza ime një ditë më kërkon të prononcohem për një kujdes të vecantë ndaj vajzës së saj që do të vijë në jetë. Sigurisht, do të bëj gjithcka për mbesën time, i them vajzës, po cfarë është ajo e vecanta që ti kërkon? Ti mësosh asaj gjuhën shqipe, më thotë. Më erdhi shumë mirë, u kënaqa dhe ë premtova se do ta bëj me shumë dëshirë. Por, ambjentet e shtëpive tona , nivelet arsimore të prindërve e gjysheve qoftë edhe si puna ime , nuk mund të zëvendësojnë ambjentin e programin e shkollës, mësueset e kualifikuara të saj. Prandaj ju jeni për tu marre shembull që keni një shkollë shqipe në 5 nivele (klasa) , të hapur prej 15 vitesh. Cdo shqiptar do të duhet t’ju jetë mirënjohës për këtë që bëni. Së bashku me Ilirianën, kemi sjellë një tufë lule në këtë 17 vjetor të shoqatës “Bijte e Shqipes”, duke dashur t’ju shprehim respektin tonë maksimal e t’ju urojmë që kjo qendër ndër më të organizuarat në diasporën shqiptare, të rritet akoma më shumë në cdo drejtim.
Iliriana, duke i uruar Llazarit ditëlindjen, e duke shprehur edhe njëherë konsideratat më të mira për shoqatën Bijte e Shqipes, nxjerr nga xhepi i palltos një zarf dhe duke mu drejtuar mua që isha më afër, thotë: Eshtë një kontribut i vogël i tre fëmijve të mi dhe i nipit, për godinën e re, nuk dua të reklamohet. Por edhe pa dëshirën e kontribuesve, ne gjithcka e kemi deklaruar, kjo edhe për efekt të rregullit financiar. E falenderuam me zemer familjen e Ilirianës për 500 dollarët e dhuruar, ndërsa kryetari Bujar Gjoka bën me dije që në llogarinë online të shoqatës, para 30 minutash, u shtuan edhe 1000 dollarë nga mikesha tjetër znj. Marta Muco. Sic ndodh në të tilla raste, emocionet dhe falenderimet janë pafund.
Ne e njohëm Marten katër vite më parë, kur në ambjentet e qendrës tonë social-kulturore, organizuam një veprimtari njohëse për vlerat njerëzore e intelektuale të bashkëshortit të saj Betim Muco, fatkeqësisht gjashtë muaj pasi ishte ndarë nga jeta. Erdhën, si rrallë herë, shumë intelektual të tjerë nga Washington DC, Delaweri, Nju Jorku, Nju Xhersi, Virginia, professor, punonjës të Zëri Amerikës, mjeke, gazetar, bisnesmen e shumë bashkatdhetar të tjerë. Me propozimin e shoqatës “Bijte e Shqipes”, z. Betim Muco ju akordua nga presidenti i Republikes titulli “Mjeshter i Madh”. Aty e njohëm ne Marten e Betimit, sic u mësuam ta thirrnim atë, prej asaj dite kur dhuroi edhe dhjetra tituj librash, letrar, historik e shkencor të botuar nga prof. Betim Muco. Pra që nga ajo kohë , Marta ishte mike e shoqatës tonë. Por Certifikatën “Mik i Shoqatës”, në emër të këshillit drejtues të shoqatës “Bijte e Shqipes”, ja dorëzoi sot sekretari Vlashi Fili.
Ne ndjehemi të nderuar e të vlerësuar , kur njerëz të tillë vizitojnë e bashkohen me punën e bërë në qendrën tonë. Por të tillë intelektuale, i japin frymëmarrje pozitive cdo qendre të komunitetit shqiptar në diasporë, cdo shkollë shqipe të hapur e cdo ambjenti tjetër që përcon me qëllimin e tij të organizimit , trashëgiminë e gjuhës e kulturës tonë kombëtare, që bashkon e lartëson vlerat e shqiptarëve në botë.
Më poshte po ju njohim me një profil të shkurtër të znj. Marta Muco:
U diplomua në Fakultetin e Ekonomisë në UT ne vitin 1980. Filloi të japë mësim në të njëjtin Universitet që nga viti 1981. Në vitin 1988 ajo mbaroi studimet pasuniversitare dhe mbrojti disertacionin në fushën e Ekonomisë së krahasuar me një studim për reformën ekonomike hungareze. Në vitin 1993 ajo fitoi titullin Doktore e Shkencave në Ekonomi. Pas ndryshimeve demokratike te vitit 1990 në Shqipëri, Dr. Muco udhëhoqi seksionin e Makroekonomisë në Fakultetin e Ekonomise si një nga pjesëmarrëset më aktive të ndryshimit dhe adoptimit të programeve të reja në këtë fakultet, vecanërisht në Departamentin e Ekonomiksit. Gjate kësaj kohe, ajo ishte nga të parat pedagoge që dha leksionet e Hyrjes në Ekonomi, të Makroekonomise si dhe të Makroekonomise së Avancuar, Ekonomisë së Tranzicionit, Ekonomise së Zhvillimit në Universitetin e Tiranës dhe jashtë shtetit si profesore e ftuar. Nga viti 1990 deri në vitin 2000 Dr. Muco pati disa pozicione këshilltarëje në Ministrine Financave dhe atë të Arsimit si dhe punoi ngushtë si antare Bordesh me një numër të madh organizatash jo qeveritare në fusha të ndryshme të kërkimit ekonomik, ekonomisë monetare dhe ekonomisë së tranzicionit. Ajo ishte për disa vjet nënkryetare e bordit të Institutit të Statistikave. Ndërkohë ajo sherbeu si Vlerësuese Teknike për menaxhimin e granteve për kërkimin shkencor në fushën e ekonomisë së zhvillimit në Komisionin Europian në vitet 1995-1996 si dhe antare e Bordit të Fondacionit të Shoqerisë Civile nga viti 1997 deri në vitin 2000.
Dr. Marta Muco pati një aktivitet të ngjeshur akademik e kerkimor jashtë e brenda vendit. Ajo ishte profesore vizitore dhe dha cikle leksionesh në Univestitetin La Lumiere 2 në Lion të Frances, Departamentin e Ekonomiksit në Universitetin e Europes Qendrore në Budapest si dhe në Akademinë e Mrojtjes në Tiranë. Ajo ka fituar programe shkëmbimesh në Universitetin e Romës La Sapienza, në Departamentin e Ekonomiksit të Universitetit të Delaëare-it në SHBA, nga programi Europian TEMPUS në Bruksel dhe nga NATO Democratic Institutions Fellowship. Nga viti 1995 deri në vitin 1999 Dr. Muco mori titujt e profesorit të Asociuar dhe më pas atë të Profesorit. Në vitin 1999 Marta Muco ishte gruaja më e re në moshë me titullin profesore në Universitetin e Tiranës.
Mbas një sërë studimesh e botimesh në fushën financiare dhe monetare, nga viti 1988 ajo punoi si Shefe e Kabinetit të Guvernatorit në Bankën e Shqiperisë. Gjatë kësaj kohe, ajo plotësoi të tjera studime të aplikuara pasuniversitare dhe mori Certifikatë në Programimin dhe Politikat Financiare nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Gjatë kësaj kohe ajo punoi ngushtë me misionet e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar si dhe shërbeu si këshilltare e Governatorit për Politikat Monetare në Shqipëri.
Që nga viti 2001, Dr. Marta Muco, u cvendos në SHBA ku zhvilloi karrieren e saj në fushën e menaxhimit të projekteve ndërkombëtare. Ajo shërben si Drejtore Programesh në sektorin privat duke menaxhuar programe shumë milionëshe në fushën e komunikimit dhe medias, në fushën e monitorimit dhe vlerësimit të projekteve të agjensive të ndryshme të qeverisë Amerikane. Ajo është eksperte në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe drejtuese në kërkime sociale. Dr. Muco ka fituar titullin Menaxhere e Certifikuar (PMP) e programeve dhe është anëtare e Institutit të Menaxhimit të Programeve në SHBA. Ajo është gjithashtu anëtare e Vlerësuesve të Uashingtonit (Washington Evaluators), anëtare e Asosacionit të Vlerësuesve (American Evaluation Association), e Shoqërisë për Zhvillim Nderkombëtar (Society for International Development- Washington Chapter) etj.
Dr. Marta Muco e ka ruajtur dashurinë për mësimdhënien e Makroekonomisë dhe që nga viti 2008 është profesore e jashtme e Ekonomiksit në Kolegjin Montgomeri (Montgomery College) në shtetin e Merilend-it. Eshtë e dashuruar e përhershme me njohjen e kulturave të ndryshme dhe deri tani ka udhëtuar e punuar në 61 vende të botës. Ajo adhuron literaturen e muzikën dhe vazhdon të ruajë preferencat për ushqimin e Mesdheut.
Kjo është Marta, mikja e shoqates Bijte e Shqipes, me të cilën ndjejmë krenari, ashtu sic ndjejmë edhe me shumë bashkatdhetar të tjerë që konkurojnë me aftësitë e tyre intelektuale e shkencore në nivele e sektor të ndryshëm në Amerikë . Por pak prej tyre i njohim në këtë mënyrë, e duke mos i njohur ata vazhdojnë të qendrojnë larg, të vecuar në jetën intensive të sotme. Mendoj se është detyrë e cdo qendre në komunitet, e cdo shoqate a shkolle shqipe, e cdo gazetari apo televizioni shqip, e cdo njërit prej nesh që individualisht i njeh këta që na rrisin dinjitetin e shqiptarit, ti gjejmë e ti evidentojmë ata, pasi janë vlera kombëtare. Dhe sic do vlerë tjetër kombëtare duhet respektuar, edhe këta personazhe si të tillë, na bëjnë bashkë si komunitet, na japin emër si komb e pse jo na nderojnë edhe në takime e organizime të thjeshta midis nesh. Vlerësimi pas vdekjes, kurrë nuk mund të jetë plotësisht i motivuar per dike në se gjatë jetës nuk eshte ndjerë ai vleresim.
Filadelfia, 25 shkurt 2019