• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KALOFSH PËRTEJ TË NJËQINDAVE PIRO MANI!

April 14, 2020 by dgreca

NGA PELLUMB KULLA/*

Nuk mund të mos fillonte 14 prilli pa këtë urim për Piro Manin, dekanin historik të regjisurës shqiptare, endsin e magjishëm të spektakleve më të bukur që kanë parë skenat e vendit tonë. 
Sot Piroja mbushi 88!
Për shkak të angazhimeve tona në fushën e regjisurës, unë artistin e madh kam patur rast ta bashkoj, të shkëmbejmë mendime, ta njoh nga afër… Por kurrë nuk am ndenjur me të më shpesh dhe më gjatë se sa në vitet tanë të përbashkët të Amerikës.
Kam shkruar për mikun tim disa herë. Në këtë ditë po sjell vetëm disa ekstrate nga një artikull i gjatë që më nxiti një porosi nga Tirana. Ka qenë një 14 prill dhe ai. Edhe atëhere i urova njëqind vitet, normën e zakonshme. Sot, megjithë shpirt, i uroj atij dhe familjes Mani që ta kenë kreun e familjes edhe përtej të njëqindave! Por ta kenë të shëndetshëm. Pa sa për të lumtur, lumturinë e ka në gen ai!
………………………………………………

ME PIRO MANIN, NËPËR NJU JORK
Jo rrallë unë shkoj aty ku banon Piroja, që të marr kolegun tim të shquar dhe të vemë t’i pijmë kafetë në periferi të qytetit, ose tej nga Fresh Pondi, në lokalet e shqiptarëve. 
Pres deri sa ashensori e zbret plakun flokëbardhë, që del në trotuar e nuk thotë mirmëngjes pa u rehatuar në sediljen përkrah shoferit, që në këtë rast jam unë. Zëri i tij është po ai i pari, ai që mbahet mend me Edi Karbonen, me Protopapën e me figura të tjera të paharrueshme që krijoi ai.
Me që ra fjala, e njoh qytetin e madh më mirë se Piroja. Nuk harroj asnjëherë ta shpie përmbi urën e Bruklinit, aty ku gjysëm shekulli më parë bënte shëtitjet e përditëshme Artur Mileri, dramaturgu i madh i këtij vendi, që sodiste nga lartësi e urës, punën e hamejve emigrantë italianë në portin e dikurshëm. Ato soditje më pas i dhanë letërsisë dhe teatrit “Pamjen nga Ura”, dramën e Edi Karbones, atë dramë të pavdekshme mbi dritëhijet e nënvetëdijës njerëzore që Frojdi ka marrë përsipër të na i shpjegojë shkencërisht dhe ky zotëria në sedilen përbri, djalë i ri i porsakthyer nga studimet e Moskës, pat përveshur mëngët t’i trupëzonte në skenën e teatrit të Korçës. Korça qe një qytet province në kuptimin gjeografik, por mbeti një nga kryeqytetet e teatrit shqiptar, më së shumti për meritë pikërisht të këtij individi, që bash nga vendi i origjinës nisi rrugën e mundimshme drejt majave me dritë. 
Ai djalosh i dikurshëm pas një jete me vazhdë të ndritëshme prapa, ka avancuar në moshë tashmë, dhe mirënjohja e bashkëkohësve me vështrim nga kalendari, nuk harron të nderojë 14 prillin, ditën që regjisori i shquar erdhi në jetë në atë vit të largët 1932, në Korçën e bukur.
………………………. 
Piro Manin e kishte puthur fati në ballë. Në laboratoret e teatrit korçar pati nën urdhrat e tij regjisorialë aktorë të klasit të parë, si Pandi Raidhin, bashkëshortët Dhorka dhe Dhimitër Orgocka, Thimi Filipin, Stavri Shkurtin, Aleko Prodanin e të tjerë, që Piroja s’i heq nga goja dhe i ka të pranishëm, jo vetëm në bisedat jubilare, si këto të këtyre ditëve. 
…………………………………………………
Është interesante se si historia e vendit tonë do mund të lexohej edhe nëpërmjet historisë së teatrit. Aty shfaqet qartë se si shtrëngimet dhe lëshimet në repertor, përkonin me dritëhijet në trurin e diktatorit të sëmurë nga paranoia. Historia edhe më dramatike e dramave të anulluara e atyre që fituan kurora dhe u shkurorëzuan, e dramave që u bënë shkak përleshjesh të kryekrerëve, drama që u bënë shkas për internime, transferime dhe burgime autorësh, regjisorësh e piktorësh; e dramave pa vlerë që përfituan e dolën në dritë nga këto lloj përleshjesh, mund ta tregojë fare mirë, në gjuhën e vet, historinë e Shqipërisë në gjysmën e dytë të shekullit XX. 
Sukseset e ndritëshme të Korçës, e sollën Piro Manin në teatrin qëndror të vendit, në Tiranë. Gjatë kësaj kohe që iu qasëm Piros në kërkimet e përbashkëta e në konkurime, ne, nxënsit e tij, vumë re rritjen e hovshme të personalitetit të një regjisori, që të godet me të parën me imazhin e veprës, që operon me guxim e brutalitet bashkë, gjetjet e reja, atë që kërkon me këmbëngulje karakteret e paparë, që e tërheq llastikun e groteskut deri aty sa t’i thua se do t’i këputet në dorë. Në studjot dhe në skenën e teatrit, për një çerek shekulli u pa një njeri që nuk u ndal kurrë në kërkimet e tij që rezultuan, në më të shumtën, suksese për t’u patur zili. Si të mos i kishe zili një vepër alegoriko-satirike si “Arturo Ui” e Brehtit, ku bashkë me atë të regjisorit, ndritën gati të tërë yjet e aktrimit të angazhuar atje. Arturo Ui ishte personifikimi i karrieristit mizor, i diktatorit të pandalshëm para asgjëje në ngjitjen e tij, i demagogut populist, që është moskokëçarës nëse e besojnë apo jo, në ato që thotë. Ne, në Shqipëri, e kishim një të tillë. 
Tamam në ato vite shënohen krizat më të mprehta e dramat më të mëdha njerëzore, që si për të përqeshur artin e skenës, nuk do të ngjiteshin dot kurrë mbi një skenë teatri. Tamam në atë kohë morsat e persekutimit mbërthyen dy nga regjisorët më të talentuar, Spahivoglin dhe Luarasin. Por kjo ngjarje nuk la pa tronditur edhe sigurinë e Piro Manit edhe të tjerëve të cilët e ndjenë fshikullin. Ne të gjithë ndjemë vërshimin dhe përmbytjen e skenave me vepra që u lexohej fundi që në faqen e parë. Edhe në varfërinë e gjatë dramaturgjike, Piro Mani tregoi se qe një regjisor me vlera të papara gjer atëherë dhe që nuk ia gjen shokun as sot në bollëkun e pakufishëm repertorial. Ai rendi dhe me mençuri ngjiti në skenë vepra si “Cucën e Maleve”, “Fytyrën e Dytë”, “Epoka para Gjyqit”, “Gjeneralin e Ushtrisë së Vdekur”, që ofronin hapësira të bollshme për të frymëzuar regjisorin dhe interpretët, për të kënaqur dhe spektatorët e llozhës dhe ata të platesë.

BISEDAT ME PIRON

Piroja ka mendimin se shkolla ruse e teatrit është një shkollë e përparuar me baza të shëndosha të mjeshtërisë së aktrimit… 
“Pra ti, Piro, e quan veten me fat që u edukove në atë shkollë?”
“Pa as më të voglën lëkundje! Gorçakovi, pedagogu im ka qenë dishepull i
Stanislavskit. Po i tillë ka qenë dhe Zavadski, udhëheqësi artistik i Kujtim Spahivoglit. Ishte shumë e vlefshme praktika jonë në teatrin dhe shkollën ruse, pasi shihnim se si artistë të shquar iu përshtateshin kushteve. Edhe në binarët e hekurt stalinistë, ata arritën të realizojnë një pjesë të ambicjeve të tyre artistike.”
“Po në binarët e stalinizmit tonë ç’ndodhte?” e ngacmoj unë. 
Me keqardhje, të dy sjellim ndërmend se censura ndaj teatrit rrinte me tre turne në majë të karakollit. 
“Ti Piro,” vazhdoj unë, “ke qenë në qendër, ke qenë më i shquari ndër regjisorët, dhe detyrimisht të ka rënë barra të ngjitësh në skenë edhe vepra që kundërmonin orientime komitetoqendroriale. Buzëplasur, buzëplasur, por e ke gjetur pajtimin me to…”
“Mos harro të thuash se kam qenë edhe më i vëzhguari dhe më i monitorizuari!” 
E pastaj, mendueshëm, regjisori shton: “Pajtimin me to… Si të them?… Ti e kupton se edhe në dramën më të keqe, do të gjesh se s’bën një qoshkë të bukur frymëzuese, një motiv të paprekur, një karakter interesant, apo një të thënme me vlerë… Do të gjesh, me siguri, një gozhdë ku lidhet kënaqësia estetike, frymëzimi i artistit. Pastaj artisti e zhvesh frutin e ëmbël nga lëvozhga ideologjike dhe arrin ta shijojë. A nuk e frymëzon artistin një vajzë që u mëson shoqeve shkrim e këndim? A nuk të duket frymëzues dhe i shtrenjtë një partizan 19 vjeçar që jep jetën duke luftuar e nuk e merr vesh kurrë më, se gjaku i tij u përdor për një skllavëri tjetër më të egër se okupimi?”
“Le të ndërrojmë temë, profesor…”
“Le të mos e ndërrojmë edhe për ca minuta më shume,” kundërshton Piroja. “Ca njerëz mund të më gjykojnë për spektaklet që kanë parë nga unë, spektakle, që më së shumti i ka reklamuar kritika zyrtare. Por një nga shfaqjet më të bukura të mia, unë mbaj “Rrethimin e Bardhë” të Naum Priftit, por ata nuk kanë mundur ta shohin. S’e panë, ngaqë atë e rrëzoi vetë Enver Hoxha në një nga vizitat e tij në Korçë. Fabula ishte mbi rezistencën njerëzore në kushtet e rrethimit nga dëbora dhe mendohej se do të kalonte me pasaportën e temës së rrethimit kapitalisto-revizionist. Unë u dashurova pas veprës. Sapo pata ardhur nga Moska, ku destalinizimi po shkrinte çdo lloj akulli. Në tërë katet e universitetit Lomonosov kërciste rockenrolli nga gëzimi i hapjes së horizonteve. Kurse tek ne… Unë arrita që tërë këtë përjetim ta plazmoja në atë dramë. I Pari i vendit e kapi menjëherë nostalgjinë time dhe e fundosi atë spektakël aq të ndjerë që pa u shfaqur ende… Sinqerisht, ka qenë një nga punët më të bukura që kam bërë. Pra, i dashur, teatri ka qenë një bashkëpunim i gjërë: për ngjarjet e shënuara vepra orientohej nga shumë lart; në organizatën bazë shtrohej akuza delikate “Piro Mani nuk u jep role komunistëve”, gjë që nuk ishte e vërtetë aspak, pasi shumë nga komunistët ishin aktorë vërtet të paarritshëm. Por komunistët mediokër, aktorët pa vlera, me këtë akuzë, jo vetëm që nuk e linin udhëheqësin artistik t’i dëbonte nga teatri, por deshin që ai t’u jepte të luanin dhe Hamletin! Hajde të harmonizoje kërkesat e Shekspirit me ato të organizatës bazë të partisë të Teatrit Popullor!… Mund ta ndërrojmë temën tani!… (2007)(Marre nga Faqja e Pellumb Kulles(fb)

Filed Under: Featured Tagged With: Ditelindja e Pirro Manit

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT