PRISHTINË, 1 Korrik / Ministria kosovare e Diasporës do të organizojë sot në mbrëmje një ceremoni, për të nderuar një nga personalitetet më të spikatura të komunitetit shqiptaro-amerikan, Harry Bajraktari, për kontributin 30 vjeçar në promovimin dhe afirmimin e çështjes së Kosovës, Pavarësisë së saj, si dhe një nga investitorët më të mëdhenj.
Ceremoninë, organizuar nga ministri i Diasporës Valon Murati, do ta nderojë prania e mysafirit special, mikut te shqiptarëve për më se 25 vjet në Kongresin Amerikan dhe mik personal i Bajraktarit, Kongresmeni Eliot Engel.
Kjo ceremoni do të shënojë edhe hapjen e aktiviteteve për Ditët e Diasporës. Sipas njoftimit nga Ministria, të pranishëm do të jenë: Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, Kryeministri Isa Mustafa, zv. Kryeministri Hashim Thaçi, Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ministra, deputetë, diplomatë, shkrimtarë, gazetarë, studiues e të tjerë.