Pas rivlerësimit të kërcënimeve nga konflikti në Siri duket se Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania do të tërheqin bateritë e mbrojtjes raketore nga Turqia, të paktën sipas një deklarate të përbashkët të lëshuar të dielën nga SHBA-të dhe Turqia. Në fundjavë, ministrja gjermane e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen njoftoi se Berlini nuk do të zgjatë mandatin ei mbrojtjes së kufirit jugor turk përtej afatit të parashikuar. Po kështu, bashkë me bateritë do të tërhiqen dhe 250 ushtarët gjermanë që janë aktualisht pjesë e misionit.
“Së bashku me partnerët e NATO-s e kemi mbrojtur popullin turk nga sulmet e mundshme raketore prej Sirisë. Raketat tona Patriot e kanë kryer me sukses misionin e tyre”, tha ministrja gjermane. Turqia i pati kërkuar më herët NATO-s ta ndihmonte në forcimin e mbrojtjes ajrore ndaj sulmeve të mundshme nga Siria. Pjesë e misionit të mbrojtjes raketore u bënë SHBA-të, Gjermania, Holanda,e së fundi dhe Spanja. Forcat e NATO-s janë të dislokuara pranë qytetit të Kahramanmaras-it, në jug të Turqisë, dhe që prej janarit të vitit 2013 kanë shërbyer në mision rreth 400 gjermanë.