• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PASHKET NE KOSOVE

March 27, 2016 by dgreca

Në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë u mbajt mesha për festën e Pashkëve. Duke i paraprirë fjalimit të imzot Dodë Gjergjit ceremonintë fetare të zakonshme për këtë festë, pjesëtarë të komunitetit katolik në vend dhe të huaj që aktualisht ndodhen në Kosovë, morën pjesë në meshën që shënon ringjalljen e Krishtit.

Në fjalimin e tij, imzot Dodë Gjergji tha se komuniteti katolik në Kosovë planifikon që vitin e ardhshëm ta shugurojë Kishën në Prishtinë në njëvjetorin e shenjtërimit të Nënë Terezës nga Vatikani. Dhe për këtë ditë, ai tha se ka ftuar Papa Françeskon, të cilën vizitë shpreson se do ta pranojë.

Imzot Dodë Gjergji bëri thirrje për dashuri për të varfrit, për jetën, popullin, e madje edhe për armikun.

Gjergji: Ta duam edhe armikun

“Këtu, pra, ne, nxënësit e Zotit tonë Jezu Krishtit, nxisim njëri-tjetrin në dashuri për të afërmit, për të varfrit, dashuri për jetën dhe për popullin, por edhe për të gjithë njerëzit, deri te dashuria e skajshme për armikun tonë”, tha ai.

Më tej, Dodë Gjergji tha se në njëvjetorin e shenjtërimit të Nënë Terezës shpreson të bëhet shugurimi i Kishës. Ai th a se në emër të besimtarëve e ka ftuar Papa Françeskon që të vijë në këtë shugurim.

Gjergji: Shpresoj që Papa Françesko do ta pranojë ftesën

“Shpresoj shumë, që vitin e ardhshëm, në njëvjetorin e shenjtërimit të Nenës Terezë ta shugurojmë këtë Kishë, të cilën ne e kemi ndërtuar në nder të nënës tonë dhe në emër të të gjithë botës. E në emrin tuaj e kam ftuar Papa Françeskon që të vijë në shugurimin e kësaj Kishe. Dhe shpresoj shumë që ai ta pranojë ftesën”, theksoi ai.

Duke folur për polarizimet brenda-fetare, Gjergji tha se këto mospajtime brenda grupeve dhe individëve me përgjegjësi kolektive, me theks të veçantë te aktet terroriste, shkaktojnë vdekje të njerëzve të pafajshëm, duke rritur dhimbjet dhe vuajtjet si në Lindje, ashtu edhe në Perëndim.

Gjergji: Aktet terroriste po marrin jetë të pafajshme

“Mospajtimet brenda grupeve dhe individëve me përgjegjësi kolektive dhe shoqërore, e mbi të gjitha për aktin shqetësues të akteve terroriste, si në Lindje ashtu edhe në Perëndim. Akte këto që po marrin jetën e pafajshme të njerëzve, të cilët tek popujt e shtypur e mbipeshojnë barrën e dhimbjes dhe mjerimit, kurse te popujt e lirë e mbjellin frikën dhe pasigurinë”, tha tutje Gjergji.

Imzot Gjergji bëri ftesë që të gjithë të kontribuojnë në shtetin laik dhe në shoqërinë multireligjioze, që të krijohet një ambient ku shteti nuk ka frikë nga qytetari besimtar, dhe ky i fundit të dallojë dhe dëgjojë virtytet e njerëzve për t’i vënë në shërbim të së mirës së parbashkët.

Gjergji: Të kontribuojmë në ndërtimin e shtetit laik

“…Që të kontribuojmë në ndërtimin e shtetit laik dhe të një shoqërie multireligjioze, ku shteti dhe shoqëria nuk kanë frikë nga qytetari besimtar, por e ndihmon dhe e ndihmon atë për të jetuar dhe për të zbatuar liritë që i takojnë, kurse besimtari nga ana e vetë do të dijë të dallojë dhe të dëgjojë virtytet e njëri-tjetrit dhe te të gjithë njerëzit dhe t’i vëj ato në shërbim të të gjithë njerëzve, në dobi të përbashkët:, theksoi ai.

Ne kemi pasur guximin në rrethana të errëta historike. Kemi guximin të shpresojmë edhe sot edhe nesër. Populli ynë është i shëndoshë.

Mes tjerash, Imzot Dodë Gjergji tha se populli kosovar ka pasur guxim edhe në periudhat më të errëta historike. Sipas tij, ky popull është i shëndoshë dhe ka guximin të shpresojë për një të nesërme më të mirë.

Filed Under: Komente Tagged With: Dode Gjergji, Ipeshkevi, Pashket ne Kosove

Ipeshkvi i Kosovës u uron Pashkët besimtarëve

April 4, 2015 by dgreca

“Historia na dëshmon se një popull i cili ka shpresuar për të ardhmen e vet, s’ka gabuar kurrë”, thekson Ipeshkvi Gjergji./
Prishtinë, 4 prill 2015 – Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji, në mesazhin e tij për Pashkët, ka uruar më shumë shpresë për të ardhmen e besimtarëve të krishterë dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës.
“Lutja jonë i drejtohet Zotit të Ringjallur, që të na ndihmojë për të ndërtuar një të sotme më pak të dhimbshme dhe një të ardhme plot shpresë”, ka thënë ai.
Ipeshkvi Dodë Gjergji ka shprehur keqardhje për gjendjen e pashpresë që është krijuar në Kosovë dhe për këtë ai i bën përgjegjës udhëheqësit politikë të Kosovës.
“… edhe ata që u angazhuan për liri insistojnë të na bindin se liria është privilegj i disave, prandaj e duan kontrollin mbi lirinë dhe mundësitë, sepse ju shërben për interes dhe pushtet”, thekson Ipeshkvi Gjergji.
Lexojeni mesazhin e plotë i Dodë Gjergjit:
“Meshtarëve, rregulltarëve e rregulltareve,
vëllezërve në fe dhe të gjithë njerëzve vullnetmirë!
Fort të dashur,
pas lutjes e agjërimit kreshmor, po përgatitemi solemnisht të kremtojmë festën e madhe të Pashkëve, që është festë e Besëlidhjes së Re, festë e Ngjalljes së Jezusit të Kryqëzuar, festë e gëzimit dhe e shpresës së krishterë.
Festa e Pashkëve është kremtim i ngadhënjimit të hirit hyjnor mbi ligështinë njerëzore, i jetës mbi vdekjen, i mëshirës mbi urrejtjen dhe festë e paqes dhe pajtimit mbi hakmarrjen. Me ngjalljen nga vdekja të Jezusit të Kryqëzuar në Kalvar, e mira, njëherë e për gjithmonë, e ka shpall fitoren kundër së keqes. Me këtë akt dashurie, të gjithë njerëzimit iu është kthyer shpresa, sepse Hyji ashtu sikur e ngjalli Jezusin, do të na ngjallë të gjithëve në ditën e lavdisë së Tij.
Në të vërtetë, Zoti, gjatë gjithë historisë së njerëzimit, është kujdesur që ta mbushë me shpresë zemrën e njeriut besimtar, kurse njeriu duke shpresuar me gjithë zemër s’ka pushuar asnjëherë duke lavdëruar dhe duke e falënderuar Zotin, nëpërmjet lutjes, agjërimit e sakrificës. Këndej në historinë e shpëtimit, Hyji shpeshherë i është ofruar njeriut me ofertën e shpëtimit, me dhuratën e shpresës dhe ka “lidhë besë” me krijesën e vet – njeri. Kujtojmë se si Hyji e nxiste Noehun të shpëtonte familjen e tij dhe farën e jetës mbi tokë; se si Hyji pëshpëriste në zemrat e profetëve, që të shpresonin në Zotin; se si Zoti i foli Moisiut që ta shpëtonte popullin e zgjedhur nga robëria e Egjipti. Dhe më në fund, sesi Zoti e tha fjalën përfundimtare në Krishtin, duke e ofruar vetën e Tij si shpërblim për mëkatet tona, ashtu që të na shpëtonte nga mëkati dhe vdekja. Kështu, mund të themi se e gjithë historia e sipërmarrjes së Zotit, për të na shpëtuar, është vepër dashurie dhe fryt i besëlidhjes. Vetëdija e tillë, plot fe dhe shpresë, na bashkon në mrekullinë e të Ringjallurit, i cili duke ndryshuar zemrat e njerëzve, themelojë një bashkësi të re njerëzore, e cila shpreson dhe beson se nuk do të vdes, por do të jetojë për amshim dhe se Krishti do të vijë përsëri në lavdinë e vet.
Kisha është institucioni i shpresës, që bashkon të bijtë e Zotit në uratë e në dashuri, e së bashku me ta, pret ardhjen e Krishtit me lavdi. Prandaj, të krishterët janë të thirrur që nëpërmjet dashurisë hyjnore, që iu është dhuruar, të mbajnë të ndezur dritën e shpresës brenda zemrave të tyre. (khs. 1 Pjt 3, 15). Kurse, Kisha është institucioni hyjnor në botë me përgjegjësi të veçantë “… që të mbajë të ndezur dhe të dukshëmkandilin e shpresës, sepse duhet të shkëlqejë si shenjë e sigurt shpëtimi dhe të ndriçojë vetëdijen e gjithë njerëzimin duke i çuar ata në përballje me fytyrën e dhimbshme dhe të mëshirshme të Zotit.” (Papa Françesku).
Të dashur miq,
ne të krishterët, edhe pse jemi të bijtë Zotit dhe të shpresës, në të njëjtën kohë jemi edhe protagonistë të jetës shoqërore, dhe brenda saj, angazhohemi të mbjellim vlerat themelore dhe konceptin bazë për mirëkuptimin mes njerëzve, që të gjithë njëzëri t’mund të këndojmë në kor himnin e dashurisë dhe të paqes, në nder të Hyjit Atë.
Mirëpo, kur e vëzhgojmë realitetin tonë atëherë shohim se si keqpërdoren të mirat e përbashkëta, se si rrënohet e ardhmja nga papërgjegjësia. Shohim po ashtu se si njerëzit të zhgënjyer lëshojnë vatrat e tyre familjare dhe ikin, “me krye n’grusht”, në drejtim të panjohur. Pothuajse për çdo ditë dëgjojmë për vrasje dhe vetëvrasje, për mosfunksionimin e sistemit në tërësi, korruptimin e pushtetarëve, arrogancën e të pushtetshmëve dhe pamirësinë e të pasuruarve, e shumë gjëra të ngjashme me këto. Këndej, njerëzit e zhgënjyer, të dëshpëruar e të trishtuar, shpeshherë dhe shumëkund, shtrojmë pyetje të shumta: Si është e mundur që ne, të cilët për hir të paqes, duruam dhunë dhe padrejtësi të paparë, kurse për ndërtimin e saj, nuk jemi të gatshëm të sakrifikojmë asgjë? Si është e mundur që ne kur s’kishim thuajse asgjë, gjenim mundësi për të ndihmuar, për të ngushëlluar dhe për të motivuar vëllazërisht njëri-tjetrin, e tani kur kemi shumë më shumë të mira, s’duam të dëgjojmë për nevojat e njëri-tjetrit. Bile, nganjëherë, duam t’ia grabisim të ardhmen të afërmit tonë! Si është e mundur që ne, të cilët ishim të gatshëm të jepnim jetën në këmbim të lirisë, sot s’jemi të gatshëm të sakrifikojmë asgjë për jetësimin e sajë? Si është e mundur që, pas luftës, njerëzit me shpresë ktheheshin në shtëpitë e djegura dhe të rrënuara, ndërsa sot të dëshpëruar ikin prej shtëpive të rregulluara dhe prej të mirave të krijuara?
E gjithë kjo ngjanë, sepse ata që u angazhuan për paqen, tani përpiqen që ajo të jetë e shterpë, sepse kanë frikë nga frytet e saja. Ata e dinë mirë se, nëse të gjithë do t’i shijojnë frytet e paqes, atëherë s’do të guxojnë ta shfrytëzojnë të mirën e përbashkët, në dobi të familjes dhe miqve të vet. Në anën tjetër, edhe ata që u angazhuan për liri insistojnë të na bindin se liria është privilegj i disave, prandaj e duan kontrollin mbi lirinë dhe mundësitë, sepse ju shërben për interes dhe pushtet. Kështu si “poseduesit e paqes” ashtu dhe “përdoruesit e lirisë”, duke mbjell zhgënjim, po e vrasin shpresën e njerëzve.
Motra dhe vëllezër fort të dashur,
nga përvoja profetike mësojmë se shpresa nuk vdes “[…]edhe në kalofsha nëpër luginën e hijes së vdekjes[ …]” (Ps 23, 4a). Historia na dëshmon se një popull i cili ka shpresuar për të ardhmen e vet, s’ka gabuar kurrë. Kisha ndër shqiptarë është shembulli më i mirë i guximit për të shpresuar, sepse ajo që nga e kaluara e lashtë asnjëherë nuk është dorëzuar para disfatave dëshpëruese dhe me guxim iu është kundërvu gjitha të këqijave të kohërave. E frymëzuar nga Ringjallja, gjithnjë ka gjetë motivacion për ta rikthye shpirtin e shpresës dhe ka shërbyer si kandil i ndezur shprese në zemrën e kombit, dhe atë në rrethana tepër të errëta.
Të shpresosh është e barasvlershme me të besosh, të mbështetësh në dikë apo diçka që siguron çiltërsinë e ecjes së sigurt drejt të ardhmes. (khs. SS, 1-3). Kjo është shpresë e brendshme, që buron nga zemra e atyre që besojnë dhe me fe shpresojnë në Zotin – Shpresa që nuk zhgënjen. Së këndejmi, edhe sot, guxojmë t’i ftojmë të gjithë njerëzit vullnetmirë, që të punojnë dhe me dashuri të shpresojnë se mund të ndërtojnë një të nesërme më të mirë, pavarësisht vështirësive dhe sfidave që duhet t’i përballoj e sotmja; që mund të ndërtojmë një shoqëri më të shëndosh, pavarësisht padrejtësive që i përjetojmë; që mund të kemi një jetë më të mirë, pavarësisht se këtë copë jete që quhet “sot” nuk kemi kushtet për ta përdorur më së miri.
Si besimtarë, besojmë thellësisht që Zoti mund të ndryshojë zemrat e njerëzve, që të lanë të këqijat e tyre dhe të vihen në shërbim të së mirës. Ndaj, me shpresë lutemi që shpërdoruesit e paqes dhe keqpërdoruesit e lirisë të kthehen në shërbyes dhe promovues të këtyre vlerave në shoqërinë tonë. Përçarësit dhe mbjellësit e urrejtjes mes vëllezërve, le ta rizbulojnë dashurinë dhe vlerën e pajtimit, që ushtruesit e përgjegjësive shoqërore dhe politike të ndryshojnë mendësinë egoiste dhe dëshirën lakmitare në shërbim dashurie dhe përgjegjësie.
Me këtë njet e për të mira që kemi nevojë, lutja jonë i drejtohet Zotit të Ringjallur, që të na ndihmojë për të ndërtuar një të sotme më pak të dhimbshme dhe një të ardhme plotë shpresë. Kjo nuk do të thotë assesi, një dorëzim fatalist, “kur s’ke çka ban”, por një guxim i shpresës që beson në vetvete, nuk plogështohet e as nuk dorëzohet, por i kundërvihet asaj me dashuri.
Me shpresën e të Ringjallurit – shpresë e mbjellë në zemrat tona, vi tek të gjithë ju me dëshirën e bariut për t’ju uruar: për shumë mot e me zemër t’bardhë Pashkët”, thhet ne mesazhin e Ipeshkvit Gjergji.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Dode Gjergji, Ipeshkvi i Kosovës, u uron Pashkët besimtarëve

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT