• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PSE PO HARROHEN MARTIRËT ?!!

January 7, 2017 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/1kolec-prenushi

Don Kolec Prennushi asht le me 1 Janar 1902 dhe ka vdekë me 2 Korrik 1950. Ka vazhdue studimet në Linz të Austrisë dhe asht shugurue Meshtar me 25 Qershor 1925. Ka njoh nandë gjuhë të hueja, të cilat i perdori në perkthime dhe shkrime letrare. Në vitin 1948 asht arrestue dhe mbas 11 muejsh u lirue, tue mbyllë jeten mbas shtatë muejsh…Ata që e njohën kujtojnë qendrimin e Tij per mos me firmue “Statutin e Kishës Katolike të vitit 1950”, të paraqitun per aprovim nga qeveria komuniste e Enver Hoxhës.Ndoshta, ky qendrim “nuk pajtohej” me qendrimet e sotme proqeveritare, prandej edhe “harrohet” jo vetem Don Kolec Prennushi po, shumë e shumë tjerë si Martirë të Kishës!

***

Po ju paraqes një pjesë letrare që në fund, Don Koleci parashikon t’ ardhmen…

TË VËRSHUEMIT

Buna asht breg në breg. Bora maleve asht de prej erës së jugut e ka ajë lumin. Me madhni të njij ngallnjyesi, të cilit s’ka forcë qi i ban ball ulët rryma e gjanë pa pushue.

            Gjindja janë strukë nëpër shtëpija. Ndonji bari i rrall qi nget kah shtëpija kqyrë pa da at element të mnershëm, qi vjen tue u shtri me kërcnim. Në të tanë katundin zotnon nji qeti vorresh porsi në nji qytet të mundun qi pret tue u dridhë kur të derdhet ushtrija me ba rrufi.

            Qielli asht terratisë. Ret e zeza si male vigane njiten prej gryke. Duket se të tanë kupa e qiellit asht tue u dyndë si të njitej deti mbi horizont. Së largu ndihet gjama e ndryme e bumbullimës qi dridhë shtëpijat me themel. Deti, i tollovitun si përbindsh i egërcuem buluron për mnerë.

            Mbi horizontin e ximë kah gryka shpërthejnë prej gojve të reve të zeza porsi gjarpij rrufet vetuese e futen vrap në gjinin e zymtë.

            Nji fishkullimë e thekshme shiroku kalon nëpër shelqe e plepa porsi piskamë orësh qi ikin prej katundi. Mandej nji hingllim e ulurim i tërbuem nëpër gembat e landvet qi shpërvilen e përkulen si vigaj, qi luftojnë me elementa të shpranguem e mbrapa shtërgata me trollim të frigueshëm. Shiu me shena ka veshë shtëpijat e landët. Tushti i stuhisë e ka pështjellë katundin mbarë. Rêtë janë bashkue me uj poshtë qi ka nisë me lëshue.

            “U thye penda e madhe!” ndihet nji vigëm e tretun nëpër ushtimë të motit. Uji derdhet nëpër rruga të katundit porsi pushtues krenar mbi plaçkën e vet. Rrugat nji metër e ma nën trollin e shtëpijavet e të kopshtijevet mbushen me uj qi shkon tue u rritë pa da. Ndihet kushtrimi i ndonjij bariu qi ka mbetë me gja në fushë qi e bredh ushtima e valvet me ndërlikim të zymtë. Valët e harlisuna dirgjen si aradhet e rrebta t’ushtrisë ngallnjyese. S’të dallon syni përveç shtëpija të zhytuna n’uj.

            Errej nji mbramje e ftoftë. Qelqet e dritores n’odë të zjarmit krisshin prej pikave të shiut qi shkrepshin pa pushue. Era e fortë, hove-hove kthente tymin e tymtarit teposhtë qi na pshtielltë për rreth votre. Zjarmi strukej herë në njenën në anë, herë në tjetrën. Tjegullat kërsitshin në pullaz. Shtëpija mbarë gjimonte prej duhmë s’erës qi frynte me tërbim.

            Përjashta ushtonte zhaurima e ujnavet qi bajshin rrjedhat e trumhasuna, e rridhte zymtas krah për krah me gjamën e stuhis.

            N’errsinë e heshti të natës gjithkah prej ujnash edhe mjedis shtëpijave të njij katundi e ndien njeriu vetmin e trishtueshme si të gjindej mbi nji gumë mjedis detit e pa fuqin e vet para këtij elementi të tmershëm.

            Të nesërmen në mëngjes mendimi i parë qi m’erdh qe nji.

            Dola në dritore. Kishte dalë nji ditë prandvere. Natën kishte çue murrla e ra borë bjeshkvet. Malet e kaltërta kah veriu ngrehshin në horizont majat e mbulueme në borë, qi vetojshin në rreze të diellit. Përmbi majën e Rumis endej hija e rêve të bardha qi velizojshin në kupen e qiellit.

            Poshtë ujnat e ndyta të Drinit qi kalojshin me shurimën e trishtueshme e shkulmet qi rrihshin me sulmet e veta muret e shtëpijavet hidhshin në kreni porsi trofe plaçkën e bame: cokla, cunga, trupa e bagti të mbytuna. Nëpër dritore burrat i bajshin za shoqishojt tue pyetë si kishin gdhi. Nëpër katund shkojshin e vijshin lundrat tue u bajtë tagji bagtive. Vetë sulja e vogël me nji njeri dy gisht mbi ujë, dukej porsi shigjetë rrymës teposhtë me u dridhë tue e pa.

        Dam të pamatun ban të vërshuemit në katund.

                                         MUIS POLEMI

Shënim nga FR: Muis Polemi asht pseudonimi i Don Kolec Prennushit.

Kjo pjesë letrare asht marrë nga: Antologjia “Rreze Drite” fq. 221-223, botim i vitit 1941. ■Kam frikë se, sot asht harrue “të vërshuemit” e të gjithë Shqipnisë bashkë me Martirët!

            Melbourne, 6 Janar 2017.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Don Kolec Prenushi, Fritz radovani, martiret, Pse harrohen

NJË GÚR…

July 1, 2016 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

DON KOLEC PRENNUSHI/

1 JANAR 1902 – 2 KORRIK 1950/

 NJË  GÚR…/

Një gur shumë i çmueshëm…           Në thëmelët e Kishës Katolike Shqiptare…

Gur shumë i fortë, i pathyeshëm…    Ashtu si karakteri i Tij…

Gur me vlerë të madhe…                    Një burrë me kulturë të gjanë…

            Gur që provohet me zjarr,

                                          po nuk thehët…      Ashtu si u provue edhe Ai,

                                                                                                        në Sigurimin komunist…

Gur shumë i pastër…                           Pasqyrë e Shpirtit të Tij…

Gur shumë i bukur…                           Burrë shumë i pashëm…

Ka tone e rrëzatime që nuk harrohën…   

                                                                Ashtu si kishte portretin e Tij….

                                                                      Shpirtnor e fizik për ata që e njohën…  

Ka prej këtyne gurëve edhe…

                             me ngjyrë të zezë… Ashtu, Ai kishte vetëm petkun….

            Asht gur që tërheq vëmendjen e

                                                     të gjithëve… Ashtu ishte edhe forca e fjalës së Tij.

Gur që përdorët si objekt zbukurimi..

                                                               Ashtu si vëpronte edhe fjala e Tij…

                                                                                       në çdo zemër Shqiptare.

Ka edhe me ngjyra që thirrën…

                                         të ambla…    Vetëm ashtu, ishte çdo këshillë e fjal’eTij.

            I qëndrueshëm edhe ndaj kohës…      Ai nuk vjetrohët asnjëherë …

                                                                                              para syve të askujt…

Gur, që edhe kur humbë, nuk

     i ndryshon asnjë veti që kishte…   Vdekja për Até ishte vetëm buzëqeshje!

Besoj se, Ju kujtohët ?!…                      Ky gur asht  B R I L A N T I  !..

 

E, Ky…..B R I L A N T, asht…  

 

DON  K O L E C   P R E N N U S H I .

            Melbourne, Korrik 2016.

* Sot po shperndaj nje perkujtimore per Dajen tim,

Don Kolec Prennushi, Famullitar i Dajcit Bregut Bunes,

qe vdiq me 2 Korrik 1950, 48 vjec mbas 11 muej hetuesi….

Mundeni me e botue.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Don Kolec Prenushi, Fritz radovani

2 KORRIK 1950 – 2015- 65 VJETORI I DON KOLEC PRENNUSHIT N’ AMSHIM…

July 1, 2015 by dgreca

Ne Foto: Don Kolec PRENNUSHI(1 Janar 1902 – 2 Korrik 1950)/
Nga Fritz RADOVANI/
■Vetem në Shekullin XX, kësaj epoke të ndritun dhe të lavdishme per Klerin Katolik në Shqipni, Familja Prennushi me origjinë nga Zhupa i dha pesë Klerikë të njohun dhe të përgatitun per Vetflijim në sherbim të Atdheut dhe të Fesë, Don Matinë, At Matinë, Imz. Vinçencin, At Karlon dhe Don Kolec Prennushin, nder të cilët tre mbesin të pavdekshem si Martir të Kishes Katolike në kohen e pushtimit sllavokomunist, nga viti 1944 – 1991.
■At Matia ishte Provinçial i Françeskanëve të Shqipnisë dhe u pushkatue në vitin 1948, Imzot Vinçenci ishte Argjipeshkëv i Durrësit dhe i Tiranës dhe vdiq në 1949 në burgun e Durrësit, ndersa Don Koleci vdiq në Shkoder me 2 Korrik 1950, mbas 11 muejsh hetuesi. ■Kështu, Gjenocidi i shtetit komunist mbrenda tri vjetësh zhduku edhe Klerikun e fundit të Prennushve, që gjithë jeten e vet ia kushtoi Fesë Katolike dhe Shqipnisë së Kastriotit perballë luftës ateiste shkatrrimtare komuniste. Këta Klerikë njihën edhe nga historia e Malëve tona si Burra që u vetsakrifikuen për Trojet e Shqipnisë së Lirë e Demokratike. Në asnjë periudhë historike Ata nuk janë pajtue me sundimin e të huejve, monarkinë dhe sistemet diktatoriale cilatdo kjofshin ata, por kanë mbyllë jetën e vet të martirizuem po, por edhe të nderuem nga shfarosja e atij Gjenocidi që ka përfshi gjithë Popullin aqsa Atdhetar aq edhe besimtar katolik Shqiptar mbas vitit 1944.
■Don Koleci asht lé në Shkoder me 2 Janar 1902. Mbas studimeve të para në vendlindje, studimet e nalta teologjike i ka perfundue në Linz të Austrisë. Asht shugurue meshtar me 25 Qershor 1925. Ka sherbye në fshatra të Shkodres. Kur ishte në Dajç të Bregut të Bunës, ku ka mbyllë jeten e Tij me 2 Korrik 1950, asht arrestue me 5 Dhjetor 1948 dhe mbas 11 muejsh asht lirue i shkatrruem nga torturat, pasojë e të cilave edhe ka vdekë.
■Nder ditët e para mbasi u lirue nga hetuesia, gjendja shëndetsore e Tij ishte vazhdimisht me trazime dhe në ramje. Nana e Tij Ninia, u mundonte me ia zgjedhë gojën, si thotë populli, por “një grup tre – katër vetësh i panjohun” që vinin e shkonin nga Tirana, mbasi rrinin të mbyllun me nga 5 – 6 orë në dhomën e pritjes vetem me Don Kolecin e shqetsonin aq shumë sa asnjëherë nuk mund ta harroj merzinë e Tij, ndër ato orë që nuk kalonin kurrë “diskutimesh të pafund…”.
■Njëditë e motra Roza e marakosun për ardhjen e tyne e kishte pyet, se kush janë e pse vijnë, po Ai i kishte përgjegjë shkurt: “Nuk tregojnë kush janë, po nga gjuha kuptoj se vijnë nga Tirana për me më pyet rreth lidhjeve që ka Kisha e jonë me Vatikanin…”.
■Lirimi i shumë Klerikëve Katolik nga hetuesia ishte kuptue vetem atëherë kur 6 ase 7 muej mbas në Argjipeshkvinë Metropolitane të Shkodres, ku ishte vetem Imz. Bernardin Shllaku dhe Don Ernesto Çoba, mbasi Ipeshkvijt tjerë nuk ishin ma, u patne ba edhe dy mbledhje aso kohe, që zbuluen arësyen e “lirimit” sepse qeveria e Tiranës, nëpërmjet gojës së “shokut” Tuk Jakova, i kishte ba të ditun Klerit Katolik se Papa i Romës dhe Vatikani, janë “armiq të betuar të socializmit” prandej, duhet mendue rruga nga Kleri per shkëputjen përfundimtare. Tashti orjentimi dhe veprimet e qeverisë sonë ishin direkt nën urdhnat e padronit vendeve të Lindjes komuniste, Bashkimit Sovjetik e Stalinit të “math”, prej ku “buronin” mjerimet e njerzëve të skllavruem mbas vendimëve të Jaltës.
■Kleri Katolik kishte ngarkue Don Kolec Prennushin për shqyrtim të “Projekt Statutit të Kishës Katolike Shqiptare” si teolog i njohtun. Ish xhakojt, ndonjë nga ata që mendonin me u ba meshtarë apo që kishin marrë edhe urdhna mësheftas mbas 1944, nuk janë kenë lejue me marrë pjesë ndër ato mbledhje, kështu, shkrimet apo shpjegimet e tyne që nuk ishin klerikë për atë kohë, nuk janë të sakta, siç, më ka shpjegue për këte fakt At Konrrad Gjolaj OFM., i cili, ka shkrue mjaft gjatë për “Statutin e Kishës Katolike Shqiptare” (fq. 123 – 129) në librin e Tij “Çinarët”.
■Çeshtja thëmelore mbi të cilën bazohej kundërshtimi i “Projekt Statutit të Kishës” nga Kleri Katolik ishte kenë, siç më ka shpjegue At Konrradi, nga argumentët e paraqituna prej Don Kolecit se: “Kisha Katolike nuk mund të jetë kurr nacionale, ndonse, Ajo nuk asht kundër nacionalizmit. Ajo nuk pranon asnjëherë identifikimin e Fesë me Kombin. Në pamjen e tyne kristjane dhe teologjike ky identifikim asht i papranueshem dhe jashta kohe, sëpse, Feja do të shndrrohej në ideologji, që nuk asht tjetër veçse tjetërsim i Dogmave të Vërteta të Kishës sonë Katolike dhe Apostolike, Dogma, të cilat, asnjëherë nuk janë kundër dashnisë që besimtarët Shqiptarë kanë për nacionalen e tyne.”
■At Gjolaj shkruen: “Don Koleci tha: Këta do të na kërcënojnë se do të mbyllim Kishat tueja, në kjoftë se nuk e aprovoni këte Projekt Statut, kështu si asht këtu. Ky Projekt nuk duhet aprovue prej nesh, se edhe mbas aprovimit të tij këta kanë me i mbyllë Kishat prapseprap. Jam i sigurt se do t’ na thonë se do t’ ju vrasim, por asht ma mirë me e ba shka kanë ndër mend sot, se ma vonë. Le të na vrasin ma mirë sot me faqe të bardhë, se me firmue dhe, nesër, prap kanë me na mbytë, por na do të vdesim me faqe të zezë.
E, nuk duhet me harrue se me këta, na jemi hupë se hupë. Komunistat kështu kanë ba ku kanë marrë pushtetin, në Rusi, Spanjë e kudo. Na nuk jemi të parët që po i njohim se kush janë. Këta janë gjithkund njësoj..! Unë do të qendroj në këta mendime, fjalë tjetër s’ kam!…Zgjedhja e ipeshkvijve nga qeveria, asht shkatrrim i Kishës.”(Çinarët, fq. 125).
■Don Koleci shkruen: “Por, armët kundra vërsuljeve të anmiqve, sidomos në këte kohë kur mortaja e komunizmit ka prâ atmosferën e përgjithshme i duhët popullit me i pasë për dorësh e kundra të zakonshmëve, e kundra atyne ma të hollave qi kanë hijen e ditunisë, të cillat edhe në mos paçin mërrijtë ndër né, do të vijnë si meturina rrënojash qi hjedh dallka e detit në bregore tona.” (Parathanje ‘Rrimë shtremt e flasim ndrejtë”)
■Don Koleci me guxim shprehet për At Gjergj Fishtën: “Poemi epik “Lahuta e Malcis” asht nji vade mecum i çdo atdhetari”
■Papritmas me 2 Korrik 1950, Don Koleci keqsohet dhe dy mjekët e ndodhun aty prezent Dr. Karaxhozi dhe Prela, vertetojnë vdekjen e Tij nga zemra e shkatrrueme në tortura. Me 3 Korrik, Ju ba salikimi në Kathedrale tek Elteri i Zojës me shtatë hanxharë, në fundin e Kishës, ku përveç Don Ernestos, ishte edhe Imz. Bernardin Shllaku dhe fratel Ljarja…Kishte shumë fshatarë nga të gjitha fshatrat e Bregut të Bunës dhe qytetarë të Shkodres…mungonin xhakoj e priftën, shumica e të cilëve nuk kanë marrë pjesë nga frika…Vorrimi u ba familjar në Rrëmaji, në Shkoder.
***
■Disa mendime të përsonalitetëve të asaj kohë për Don Kolecin:
■At Gjergj Fishta OFM., i tha Nanës Don Kolecit (rreth vitëve 1915 – 16):
“…Ai do të bahet nji prift i mbrekullueshëm, se ia kishte shndritë Zoti deri edhe ftyrën, kur e kishte thirrë për Meshtar.”
■Ai njihëj ndër pesë predikatarët ma në za të klerit përkrah Imzot Thaçit, At Anton Harapit, Don Lazër Shantojës dhe Don Ndre Zadejës. Forca e mendimit dhe elokuenca e të folunit, e bane të dashtun dhe të paharrueshëm në popullin e Shkodres.
■Imzot Gasper Thaçi, me humor thonte: “…Ai duhët me ndejë atje në katund, me ardhë edhe ai në Shkodër, ku me predikue na të tjerët?”
■Kur z. Nush Tukja ishte i burgosun në burgun e Burrelit, tregonte se njëditë rreth vitit 1948, kur pothuej po zhdukej Kleri Katolik, e kishte pyet me keqardhje At Frano Kirin: “Po ju qesin faret Padër, a ka mbetë kush bre burrë gjallë veç jush që jeni këtu në burg?” … At Frano Kiri i ishte përgjegjë: “Po, po, ka mbetë ma i riu e ma i dituni, ashtv Don Kolec Prennushi. Sa të kemi atë kemi boll!..”. At Frano Kiri kur fliste për té, mbas vitit 1964 më thonte: “Don Koleci ishte shpnesa e fundit e jona!..”.
■At Pjetër Meshkalla SJ., shkruen në kujtimet e Tija: Don Koleci njihej si konferencier, kryesisht për problemët filozofike dhe teologjike. Deri në vitin 1938 ai shkonte në Vjenë dhe predikonte natën e Krishtlindjeve në një Ketedrale të rëndësishme ku, atë natë ishin të mbledhuna vajzat që pergatitëshin për murgesha të reja. Ai u fliste për guximin dhe sakrificën. Aq mirë e fliste gjuhën gjermane, sa kam ndigjue unë, thonte At Meshkalla, tue pyet vienezët: “Në cilën kishë të Vjenës asht ky prift, se do të kishe shkue përditë me e ndigjue tue predikue?” (Dëshmi e At Meshkallës në vitin 1964). Dhe po aty shkruen:
“Dhimbja ma e madhe që kam ndie në zemër kur ishe në burgun e Burrelit, asht kenë ajo e vitit 1950, kur mora vesht vdekjen e mikut tem të të gjithë jetës, Don Kolec Prennushit.”
■Kardinal Mikel Koliqi, tha (në vitin 1951): “Don Kolecin e paska dashtë Zoti ma fort se ne të tjerve, …Ai vdiq me faqe të bardhë. Zoti e mori për mos me e lanë me ra në durtë e këtyne, ndërsa, halli i jonë nuk po dihet, por ishalla edhe ne na ruen që mos turpnohemi. Vullnesa e Tij u baftë!”
■Kardinal Koliqi në vitin 1992, më thonte: “Don Koleci ishte nji bashkpuntor i emi, ishim edhe moshatarë. Ai kishte nji gjuhë të pastër dhe të pasun. Edhe sot njifët stili i veçantë i shkrimëve të tija. Shpresohej shumë prej tij si letrar mbasi ka shkrue pak proza por janë të bukra. Vdiq i ri si shumë të tjerë, edhe ate e mori vala komuniste.”
■“Kur jezuitët e Shkodrës banin ushtrimet e shpirtit, tregonte At Meshkalla, ishte Don Koleci i vetmi prift katolik Shqiptar që ftohej për me folë për tema të veçanta në Kuvendin e Jezuitëve, mbasi ata jo, vetëm, e respektonin por edhe e donin shumë për vetë seriozitetin e tij.” (1964)
■At Zef Valentini S.J. ndër ma të njohunit dhe të ditunit jezuitë që ka kalue vite të tana në Shqipni dhe ka shkrue shumë për Shqiptarë, e vlerësonte Don Kolecin me këto fjalë: “Don Nicola Prennushi, il futuro Cardinale d’Albania”.
■Don Kolec Prennushi (1 Janar 1902 – 2 Korrik 1950), vdiq në moshen 48 vjeçare…
Në këte 65 vjetor të vdekjes së Tij, këta pak rreshta të jenë një lule e freskët nga Autori.
Melbourne, Korrik 2015.

Filed Under: Histori Tagged With: 2 korrik 1950, Don Kolec Prenushi, pervjetori 65

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT