• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NDERIM PËR MJEKUN DHE NJERIUN E MIRË, Prof. EMIL CIMBI

December 11, 2012 by dgreca

Nga: Sajmir Kadiu- drejtor drejtorie, në Ministrinë e Shëndetësisë-Tiranë/

Ne Foto: Prof.dr. Emil Cimbi gjatë punës…/

 Më datën 26 nëntor 2012, familja Cimbi, në Tiranë, humbi përgjithnjë njeriun e saj të dashur, Emilin; bashkëpunëtorët, mikun e tyre të pazëvendësueshëm;  pacientët e vegjël,  mjekun e aftë dhe të palodhur; kultura shqiptare një perfaqësues të rrallë, poliedrik dhe poliglot.Gjithmonë do ta kujtojmë Prof. Emilin,  ashtu siç ishte: burrë elegant dhe gjithmonë fisnik, në kuptim e plotë të fjalës; me një  buzëqeshje të sinqertë, që përbuzte çdo lloj autoritarizmi. Brenda saj kishte disa tinguj të çiltër, të qeshur e miqësor, nga ata që kanë vetëm fëmijët, të  cilët i trajtonte me aq dashuri, prindi e mjeku.Përkushtimi i tij ndaj detyrës, përmbante një “ilaç çudibërës”, që shkrinte çdo  pengesë, në lidhjet njerëzore. Ai sfidonte të gjitha  nyjet, ngërçet, ku ngecnin e gërshetoheshin aq shpesh, zgjidhjet e problemeve të vështira të mjekësisë.Ai ishte ithtar i të mundshmes, i pozitives, ndaj çdo sfide. Nuk ishte thjesht i mirë, por ishte mirësia vetë. Nuk ishte thjesht i zoti, kompentent, por ishte zotësia vetë dhe modestia vetë.

                                    ***

Prof. Dr. Emil Cimbi kishte lindur në Polican të Gjirokastrës, më 7 janar 1928. Mësimet e para i mori në vendindje, në gjuhën greke, ndërsa arsimin e mesëm e filloi në Liceun e Korcës, e vazhdoi në atë të Tiranës dhe e perfundoi në Gjimnazin e njohur të Shkodrës. Në vitin 1948, menjëherë pas marrjes së dëftesës së pjekurisë, iu dha bursa për të ndjekur studimet e larta në Fakultetin e Mjekësisë, në Bukuresht të Rumanise, të cilin e përfundoi shkëlqyeshëm, në vitin 1953.

Pas mbarimit të studimeve të larta,  dr.Emili u kthye në Shqipëri dhe shërbeu mjek, pranë Spitalit të Përgjithshem Civil të Tiranës, në pavionin e Pediatrisë, shef i të cilit ka qenë prof. Selaudin Bekteshi. Nga ky, ai mori mësimet e para të shërbimit mjekësor ndaj fëmijëve, fushë ku më pas do të shkëlqente, duke u bërë një nga figurat më të njohura të Pediatrisë, në Shqipëri.  Gjatë tërë jetës, dr. Emili u shqua për shkallën e lartë të profesionalizmit. Ai, gjithashtu, dallohej për vlerat njerëzore, me të cilat u shërbente të sëmurëve të vegjël.

Në vitin 1958, dr. Emil Cimbi u caktua në detyrën e drejtorit te Drejtorisë së Shërbimit Shëndetësor të Tiranës, ku shërbeu 5 vjet radhazi. Me dijet e tij të thella, në fushën e profilaksisë e të higjienës dhe një organizator i aftë, e kualifikoi dhe e forcoi shërbimin mjekësor, në të gjitha qendrat shëndetësore dhe ambulancat e kryeqytetit.Në vitin 1963, me kërkesën e tij, u rikthye në Spitalin e Fëmijëve të Tiranës. Me vullnetin dhe këmbënguljen e tij, iu fut me mish e me shpirt studimeve në këtë fushë dhe mjaft shpejt u bë një mjek pediatër shumë i formuar dhe i njohur, në Shqipëri. Për vlerat, që mbarte dr. Emili, prof. Bekteshi, në atë kohë drejtor i Pediatrisë, e mbante atë si kolegun dhe bashkëpunëtorin më të afërt, në zgjidhjen e shumë rasteve të ndërlikuara, te pacientët e vegjël.

Për meritat e tij, në vitin 1970,  dr. Emili u ftua të ishte pjesë e stafit të Institutit të sapohapur të Studimeve Pedagogjike. Aty punoi shtatë vjet, me profesionalizëm të lartë, bashkëpunëtor shkencor në fushën e higjienës mendore të nxënësve. Janë të shumta botimet shkencore dhe monografitë e tij, në këtë fushë. Për këtë gjë, dëshmon më së miri edhe skedari i Bibliotekës Kombëtare, në Tiranë. Në ato vite, ai dha një ndihmesë të vye në fushën e pedagogjisë dhe  psikologjisë. Botoi rregullisht edhe në shtypin arsimor e pedagogjik të kohës, si në “Revistën Pedagogjike” dhe gazetën “Mësuesi”. Shumë nga botimet e tij kanë qenë pjesë e rëndësishme e teksteve shkollorë.

Në vitin 1978, dr. Emili u emërua Drejtor i Përgjithshëm i Konsultoreve “Nëna dhe Fëmija”, në Shqipëri.  Me punën e palodhur të tij, e ktheu këtë institucion në një qendër  të rëndësishme kombëtare profilaktike-kurative, për nënat e reja.

Dr. Emil Cimbi  ka qenë për 15 vjet, pedagog i Katedrës së Pediatrisë, në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Tiranës. Aty dha ndihmesën e çmuar të tij në përgatitjen dhe aftësimin teorik e praktik të mjekëve të rinj, të cilët do të shërbenin, më pas, në atë fushë të mjekësisë.

Me punën e palodhur kërkimore e studimore, dr. Emili ka fituar tituj të rëndësishëm shkencorë, deri në atë “Profesor”. Gjatë jetës së tij,  ai ka qenë i përfshirë në shoqata të ndryshme shkencore.  Ndër të tjera, ishte nënkryetar i Shoqatës së Psikologëve të Shqipërisë, të cilën e drejtonte Akademiku Bedri Dedja, si dhe sekretar i Shoqates “Mjekësia, Letërsia, Arti”.

Në jetën e tij, dr. Emili ishte, gjithashtu, një letrar i njohur dhe i pasionuar, anëtar i denjë i “armatës së Çehovit”.  Prandaj, duke shfrytëzuar prirjet e tij letrare, ishte mjaft aktiv në këtë fushë të krijimtarisë. Ai ka qenë vazhdimisht i pranishëm në shtypin e kohës, me botime të tij, në gjini të ndryshme, si:  tregime, poezi e poema, të cilat më vonë i ka përmbledhur në vëllime më vete.

Dr. Emili njihet, gjithashtu, edhe si një përkthyes i talentuar. Janë të shumta shqipërimet e tij, nga disa gjuhë të botës. Për këtë gjë, e ndihmonte njohja e mirë e gjashtë gjuhëve të huaja (frengjisht, rumanisht, rusisht, greqisht, italisht, latinisht), duke e bërë atë një poliglot të kohës.

Pas zhvillimeve demokratike në Shqipëri të vitit 1990, falë vlerave, që ai përfaqësonte, u ftua të punonte në shërbimin diplomatik.  Në vitin 1992, u emërua Atashe Kulturor dhe Konsull i Shqipërisë, në Bukuresht të Rumanisë. Ndër të tjera, atje përvetësoi më tej artin e mjekësisë, të diagnostikimit dhe  mjekimit të sëmundjeve.  Dashurinë për atë qytet dhe për kulturen rumune  e shprehu pa rezerva, gjatë gjithë jetës së tij.  Disa vepra të autorëve rumunë u përkthyen në gjuhën shqipe, nga Profesor Emili.

Dashurinë e madhe për mjekësinë, dr.Emil Cimbi e kishte të pandarë  nga  dashuria për kulturën. Mahniteshim për njohuritë e tij të gjëra dhe të pafundme, që i vinin dhe nga leximet e shumta. Në një bisedë të lirë me të,  kalonin si në një paradë  personalitete të kultures dhe letersisë rumune,   si Iliade, Stanesku  Soresku, Ana Baldiana ose Jon Karamitro; të letërsisë greke, si Seferis ose Elitis;  asaj italiane, si Buxati ose Montale, e gjithe letërsia klasike frënge dhe ajo ruse, por edhe poetët amerikanë të shekullit 20-të, që nga Tomas Eliot e deri tek Alan Ginsberg.

Dr. Cimbi, në mjekësi e zgjodhi specialitet pediatrinë, jo rastësisht. Vdekshmëria foshnjore e ajo fëminore dhe e nënave përbënin  plagën më të rëndë të shëndetësisë sonë, në vitet ‘50-’60-të të shekullit të kaluar. Intelektual i formuar dhe me prirje të hapura perëndimore, ai e dinte mirë se shëndeti i fëmijëve është fusha e betejës mbizotëruese, për nderin ose turpin e shëndetësisë, madje, edhe të shoqërisë së një vendi.  Se është beteja për të ardhmen. Treguesit e tyre, në krahasim me vendet e zhvilluara, ishin katastrofikisht  shumë herë më të larta, në kohën, kur ai dhe kolegët e tij e nisën ëndrrën sfiduese. Ndërsa sot,  Shqipëria është futur në listën njëshifrore të këtij treguesi, duke e bërë realitet ëndrrën e prof.dr. Emil Cimbit dhe kolegëve të tij të shquar të mjekësisë, rilindës të vërtetë. Ata sakrifikuan një pjesë të madhe të jetës së tyre, për jetën e shëndetshme të ardhëmrisë së Kombit Shqiptar.

Nëqoftëse në këtë periudhë festive të 100-vjetorit të Pavarësisë jemi dëshmitarë të nderimit të atdhetarëve, që e themeluan shtetin e parë shqiptar, më 28 Nëntor 1912, njëkohësisht, duhet të nderojmë të gjithë mjekët e shquar, që u kujdesën për shëndetin  e popullsisë  shqiptare, duke filluar çdo gjë nga pothuajse zeroja. Këtë gjë e themi pa mëdyshje edhe për prof.dr. Emil Cimbin. Famën dhe emrin e mirë të tij nuk e përbëjnë vetëm librat, përkthimet, monografitë, publicistika, studimet psikologjke e pedagogjike, por në radhë të parë, jetët njerëzore të shpëtuara, sëmundjet e shëruara, foshnjat e lindura shendosh, lehonat e lumtura dhe të moshuarit e mjekuar me aftësi të lartë profesionale.

Dr. Emili ka qenë edhe një familjar shembullor, bashkëshort ideal, në krah të gruas së tij, Engjëllushes, që e donte dhe e respektonte aq shumë. Po kështu, ishte prind i dhembshur dhe i kujdesshëm për fëmijët e tij, Mondin dhe Irenën, duke iu përkushtuar atyre tërë jetën, që të bëheshin sa më të denjë për  familjen dhe shoqërinë shqiptare. Mbi të gjitha, ai ka qenë një gjysh i mrekullueshëm, për nipërit dhe mbesat e tij. U ka shërbyer atyre me përkushtimin e mjekut, pedagogut dhe gjyshit, që në lindje dhe në vegjëlinë e tyre. Dashurinë e pakufishme ndaj tyre, dr. Emili e ka hedhur në vargje, duke krijuar poema të mrekullueshme për Fionën, Frankën, Ralfin dhe Kristin, të cilët janë pjesë e botimeve të fundit të tij. Këto vargje, të thurura me dashuri nga gjysh Emili, do te mbeten një kujtim i pashlyer në zemrat  e tyre. Se janë dhe testament i gjyshit, që ata të ecin në gjurmët e tij dhe të bëhen njerëz me vlera, në shoqërinë tonë, ashtu siç ishte ai, deri në fundin e jetës.

Si të gjithë profesionistët e njerëzit fisnikë, ai zbatoi parimin, se “ai që jep, nuk mban mend, nuk përmend, nuk shënon, nuk kërkon, nuk pretendon”. Është detyra e atyre, që marrin dhe e shoqërisë, në tërësi, të nderohen e kujtohen, të jenë mirënjohës. Dhe, prof. dr. Emil Cimbi, ishte nga ata fisnikë, i cili do të nderohet e  kujtohet, përgjithmonë.

Tiranë, 11 dhjetor 2012

(Shkrimin e dërgoi për publikim, prof. Murat Gecaj)

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Dr. Emil Cimbi, Murat Gecaj, nderroi jete

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT