• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

…Kur diktatura të vriste natën dhe të qante ditën…

March 13, 2017 by dgreca

…momente nga jeta e Dr. Federik Shirokes…/6 Shiroka ne sallen e operacioneve

Nga Pjeter Logoreci/*

Dr. Federik Shiroka, i konsideruar nga profesorët dhe kirurgët e huaj si një shqiptar me inteligjencë dhe talent të vecantë, përvec se në fushën e mjeksisë, luajti suksesshëm në teatër, zotëronte vegla muzikore dhe shumë gjuhë të huaja, por ishte i suksesshme edhe në sport.8 Shiroka e Dr Selaudin Bekteshi

Federik Shiroka si futbollist/7 Federik Shiroka e Zef Logoreci ne festen e flamurit

Në fillimin e karrierës së tij si futbollist, në adoleshencë, ai u aktivizua me ekipin e futbollit të shkollës së Jezuitëve e më vonë me skuadren e futbollit të Juventus-it, një shoqeri me të rinj katolikë, në Shkoder.

Në përmbledhjen “ Historia e Kulturës Fizike dhe Sportet në Shkoder në vitet 1900 – 1944, të autorëve Enver Bushati dhe Ibrahim Dizdari, një botim i Komitetit të Kulturës Fizike e të sporteve të rrethit Shkoder në vitin 1976, që për fat të keq nuk ka dalë në shitje, në kapitullin e 3-të, Krijimi i shoqërive nga viti 1922 – 1928 dhe aktiviteti i tyre fizkulturalo – sportiv, shkruhet:

Shoqeria “JUVENTUS”, me të rinjë katolike, ku një pjesë e sportistëve, pa marrë parasysh pasojat e rënda që do të kishin nga ana fetare, u bashkuan me shoqëritë laike, sic ishte “Studente Shkodra”. Këta sportistë ishin: Luigj Shala, Federik Shiroka, Anton Mazreku…etj…(faqe 35).

Shoqëria Juventus, ka zhvilluar edhe mjaft ndeshje ndërkombëtare sidomos me “Crnagoracin” dhe “BUDUCNOSTIN” e Malit të Zi, që ishin skuadrat e forta të kohës. Ndër lojtarët më të mirë të kësaj shoqërie përmenden: Pac Kovaci, Federik Shiroka, Lec Ndreka, Zef Kiri, Gac Gurashi…etj…(faqe 36)5 telegramet per vdekjen e Shirokes

Shoqeria “Studente Shkodra”. Kjo shoqëri në kundërshtim dhe në luftë të fortë me dogmat dhe demagogjinë fetare, pranoi që në themelim të saj, anëtarë me besime të ndryshme.  Kjo dha mundësi që aty të bëjnë pjesë elementë të shëndoshë dhe përparimtare pa dallim feje. Nga anëtarët e parë të kësaj shoqërie që punuan dhe kontribuan për mbarëvajtjen e sportit në qytetin tonë ishin: Ahmet Ashikja, Nikolla Verbica, Luigj Shala, Agostin Hila, Federik Shiroka, Anton Mazreku, Bahri Kopliku, Muhamet Halili, etj… Pjesa dërmuese e anëtareve të kësaj shoqërie ishin studente, të cilët ndiqnin shkollën në vendin tonë dhe jashtë atdheut. Në mes të tyre kishte edhe punëtorë. (faqe 37).

Skuadra e futbollit e kësaj shoqërie ka qenë një nga skuadrat më të para dhe më të fortat e asaj kohe, e cila ka zhvilluar shumë ndeshje lokale, kombëtare e ndërkombëtare. Përmendën si ndeshje të mira të saj, loja me shoqërinë “Juventus”, me “Djelmnia Shkodrane”, me “Sport Klub Tirana” dhe me “Ballshiqin” e Malit të Zi, ku dallohen si lojtarë të mirë: Rifat Rroji, Nikolla Verbica, Muhamet Hallili, Federik Shiroka, Refik Shpuza, Xhevdet Luloci, Mahmut Xhyheri etj… (faqe 39)

Edhe pse Dr. Shiroka i donte shumë fëmijët, fati e deshti që cifti të mos kishte trashëgimtare. Këtë mungesë Shiroka e vuante, prandaj ai mundohej kurdoherë që të ndihmonte prindërit në kushte ekonomike të vështira, ato me shumë fëmijë, në mëndyra të ndryshme humane. Shpesh qëllonte që mbas vizitës mjeksore në ndonjë familje punëtorësh me shumë fëmijë, ti zgjatnin para, të cilat gjithmonë i kundërshtonte me mirësi duke i këshilluar që me ato para të blenin ushqim për fëmijët.10 Shkodranet percjellin kirurgun3 diploma si gjinokolog nga Franca

Në dëshminë me shkrim “DISA KUJTIME ME DR SHIROKEN”, autori i saj

Aleko Dhima

…përshkruan miqësinë e tij me ciftin Shiroka me keto fjalë: “…cdo njeri në jetë është i rrethuar nga njerzit e tij, nga shokë dhe miq. Por nga të gjithë këta, më i afërt dhe i dashur është ai që të ndodhet pranë, që të vjen në ndihmë kur ti ke nevojë dhe je në hall, jo vetëm nga ana materiale, por edhe nga ajo shpirtërore. I tillë ka qënë dhe mbetet për mua Dr. Federik Shiroka. Me familjen e Federikut jam njohur për herë të parë në vitin 1948-të, kur isha vetëm 10 vjec, kur familjes time iu dha një hyrje në shtëpinë ku banonte doktori. Nuk më shlyhet nga kujtesa takimi i parë me të, i dashur, i thjeshtë, i qeshur e i afruar si prind i vërtetë. Unë atë kohë isha një djalë i vogël, që për arsye të ndryshme familjare isha i mbyllur, i pa veshur, i pa ushqyer, e mu ndodh pranë ky njeri. Ai më merrte shpesh me vete kur e thërrisnin për ndonjë vizitë urgjente, ku unë kisha dëshirë të mbaja cantën e mjeteve të vizitës. Pasi i vizitonte të sëmurët që i vinin në shtëpi ose u shkonte në shtëpi, të gjithë mundoheshin ti jepnin bakshish, por ky nuk i pranonte, e vecanërisht kur i shihte që nuk qenë mirë nga gjëndja. Për vizitë i vinin dhe shumë fshatar që mbanin qeleshe. Shumë herë kam qënë prezent, kur ata kërkonin ti jepnin bakshish, ky ia merrte, u hiqte qeleshen nga koka dhe jua fuste lekët nën qeleshe e duke ja vënë qeleshen i thoshte: bleja femijëve ndonjë send… Ai sillej shumë mirë me të sëmurët, por edhe me familjaret e tyre, i ndihmonte pleqtë duke ju mbajtur xhaketën, i mbante krahun dhe ngrihej i pari tua japë shkopin, dhe këtë e bënte jo për reklame apo për tu dukur, por se mbi të gjitha ishte njeri e pastaj mjek. Kam dëgjuar shumë pacientë të tij të thoshin…ai ishte shpirt njeriu… Gjatë gjithë kohës që kam jetuar pranë tyre, kanë qënë tepër të radha ditët kur Federiku nuk shfletonte libra mjeksorë. Kur kryente ndonjë operim të vështirë e të vecantë, pas buke, ulej dhe i përshkruante të gjithë veprimet në një fletore të posacme. …Shkruaj vetëm ato operacione, thoshte, që i bëj për herë të parë apo ato që patën dicka të vecantë… Biblioteka e tij personale qe e përqendruar në dy vende: në shtëpi dhe në dhomën e tij në spital. Librat i kishte kryesisht në dy gjuhë: në gjermanisht dhe në frengjisht, por kishte edhe në italisht. Në mes të librave vendoste fletushka të gjata me shënime: “Kryer ky operacion në 1948-ten në Tiranë”, “Operuar me sukses në Tiranë, me 1950-ten”, “kryer në Shkoder në 1945-sen”… Gjatë studimit të literaturës profesionale, nxirrte shënime në një fletore që e kishte kurdoherë me vehte. Aty shpesh bënte edhe skema duke përdorur lapsa me ngjyra. Cdo dy jave vinte në shtëpinë e tij një ish pacient nga biblioteka kombëtare dhe i sillte revista mjeksore në gjuhë të huaj. Tre vitet e fundit të jetës së tij, cdo të enjte shkonte që në mëngjes me bicikletë në sanatorium për të operuar të sëmuret nga bronket. Diten e enjte (kur kthehej heret) apo ditë të diele, lexonte literature artistike. Ai ishte i apasionuar pas Goethes, Heines dhe Viktor Hygoit, por krahas tyre, kisha parë të lexonte edhe poezi të Aleks Cacit e Llazar Siliqit, të cilin e kishte mik. Federikut i pëlqente shumë muzika, kryesisht muzika operistike e simfonike, por vecanërisht i pelqenin këngët shkodrane të kënduara nga Lucie Miloti e Xhevdet Hafizi. Njihte mirë kompozitorët e mëdhej si Verdi, Puccini, Rossini, Bahun, Mozartin, Vagnerin e Listin. Kam qënë shpesh me to në opera si Traviata, Rusalka, Ivan Susanin etj. Shpesh herë na u digjeshin biletat mbasi ai ose nuk vinte ose vinte me vonesë nga spitali. Në muajin maj të 1955-ses u caktua si anëtar i një delegacioni kulturor që do të shkonte në Moskë. Atje ai qëndroj mbi një muaj dhe gjatë kësaj kohe, kreu disa operacione në klinika të ndryshme dhe u cilesua nga specialistët atje si kirurgu me duar të arta. Kur u kthye, i tregonte me zell të madh ato që pa atje, tre shokeve të tij të afërt, Prof. Selaudin Bekteshit, Maksut Drrasës dhe Dhimiter Shytit. Një ditë të muajit gusht të vitit 1955-se, kur ishim në plazh në Hotel Hekurudha, nuk e ndjente vehten mirë dhe kur po delnim nga deti më tha: …mbaje mend Leko se unë do të vdes sivjet nga zemra… dhe ashtu ndodhi. Duke gdhirë 15 dhjetori, rreth orës 3 të mëngjesit dëgjova të shoqen që më thirrte me zë të lartë. Vajta te dhoma e tyre dhe pashë Federikun të zbehtë që me zor merrte frymë dhe me dorën e djathë mbi zemër. Familjarët e mi u nisën për të lajmëruar Dr. Mokinin dhe Feizi Hoxhën, të cilët rrinin jo larg shtëpis tonë. Pas 30 minutash erdhi Dr. Mokini, i cili pasi i dha ndihmën e parë duke i bërë një inxheksion, më përshpëriti vecmas …se Federiku ishte i mbaruar. Këto kujtime për Dr. Federikun më kanë mbetur të pashlyera dhe si fëmijë e kam konsideruar dhe do ta konsideroj gjithë jetën si prindin tim të dytë.”
9 varrimi ne RrmajDekorimet dhe Vlerësime ndër vite

Dr. Shiroka u dekorua, nga Kryetari i Kryesisë së Presidiumit të Kuvendit Popullor Omer Nishani,  me Urdhërin e Punës të Klasit të I-rë, me dekretin Nr. 922, datë 5 shtator 1949, me motivacionin: I dalluar në mëndyrë të vecantë për punë të palodhur frytëdhënëse, për merita të cquara në aplikacionin e shkencave të mjeksisë, për cilësira të radha teknike, që me reultatet e mira të operacioneve dhe mjekimeve kanë kontribuar në shkallë të gjërë në përforcimin e shëndetit të popullit. (Gazeta Zyrtare e RPSH, 22 Shtator 1949, Nr 71).4 Vorri i Shirokes

Po ashtu, duke lexuar një shkrim të Zërit të Popullit, të ditës së martë 7 Shkurt 1955, vërehet që:..Në sallën e konferencës të Institutit të lartë mjeksor, në prani të ministrit Medar Shtylla e zv/ ministres, shoqes Vera Pojani, e cila foli për punën e palodhur të punonjësve të shëndetësisë u shpërndanë dekoratat që presidiumi i kuvendit popullor, i akordoj punonjësve të shëndetësisë të cilët u dekoruan me Urdhërin e Punës së Klasit të dytë. Në mes të 166 punonjësve të personelit që u vlerësuan ishin dhe mjekët: Dr. Fejzi Hoxha, Dr. Xhavit Gjata, Dr. Federik Shiroka, Dr. Selaudin Bekteshi...

Përvec dekoratave dhe urdhërave për punë të palodhur, (pa orar e që shpesh flinte në spital),  me rezultate të shkëlyeshme në të mirë të njerzve të thjeshtë, Dr. Shiroka punoj gjatë periudhave të ndryshme në qytete të ndryshëm. Ai ka qënë edhe drejtues i reparteve të kirurgjise, gjë që ja shtonte në masë të madhe detyrimin për tu impenjuar me energji të tjera, ne administrimin e cdo problemi që dilte në repart. Në një shkrim përmbledhës të vitit 1962, mbi zhvillimin e mjeksisë në Shqipëri, nga Universiteti Shtetëror i Tiranës, Fakulteti i Mjeksisë, Katedra e Terapisë, me autor Prof. Fejzi Hoxhën, në kapitullin e 3-të shkruhet:…në vitin 1940, Dr. Federik Shiroka ishte Shef në Repartin e Kirurgjisë në Spitalin e Shkodres..(faqe 88)…, ndërsa në përshkrimin e Përsonelit të Spitalit të Tiranës, shkruhet që: …erdhi nga Vjena me kontrate Prof. H. Hocke, i cili punoj prej vitit 1935 deri në 1937-tën si kirurgu kryesor, duke pasur si asistent Dr. Federik Shiroken…(faqe 93).

Me 1939, pak ditë para pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, Prof. Lehmann u largua nga vendi ynë dhe shef i kirurgjisë mbeti asistenti i tij, Dr. Federik Shiroka. Por menjëherë pas pushtimit të Shqipërisë, kirurgët italianë zunë vendet në repartin e kirurgjisë të spitalit të Tiranës, duke transferuar Dr. Shiroken në Shkoder…(faqe 107). Përsa i perket shërbimit të tij në spitalin e Shkodres, në dosjen përsonale  të Shirokës, egziston një dokument i lëshuar në Janar të 1950-ës nga Drejtori i Spitalit të Shkodres Dr. Tahsin Karagjozi ku shkruhet se:”…vërtetoj që Dr. Shiroka ka shërbyer pa nderprerje në Spitalin Civil të Shkodres me cilësinë e Kirurgut Primar, prej dates 1.12.1940 deri 7.4.1946-te”

 

Dr. Shiroka ishte qysh në vitin 1947, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Në një njoftim  të ATSH-së të datës 27 dhjetor 1955-së shkruhet që: Ministria e Shëndetësisë, për të përjetuar kujtimin e kryekirurgut të vendit tonë (pas vdekjes) vendosi ti japë emrin dhe të paisë me bustin e Dr. Shirokes këto institucione:…Klinika Ospitaliere (pavioni i 14-të) që ishte drejtuar prej Dr. Shirokes, Sallës së Operacionit për klinikat e kirurgjisë në spitalin e përgjithshëm civil të Tiranës dhe auditorit për klinikat e kirurgjisë të Institutit të Lartë Mjeksor. 

 

Në DISPENCEN E I, te Kirurgjise se Pergjihteshme, të fakultetit të mjeksisë në Univetsitetin e Tiranës, me autor Prof. P. Gacja, R. Golemi, V. Zogu, S. Dede…në faqen 25 – 29, mbi zhvillimin e kirurgjisë në vendin tonë, shkruhet: “…Një barrë të rëndë mbajten në shpatullat e tyre gjithashtu ata kirurgë të pakët që kishte vendi ynë atherë. Ndërmjet tyre vlen të përmendën Dr. Federik Shiroka si themeluesi i vertetë i kirurgjisë shkencore në vendin tonë. Ky ishte kirurg i talentuar me një përgatitje të mirë shkencore e teknike dhe me një diapazon të gjërë dijesh në  lëmin e kirurgjisë. Ai zotëronte mirë Kirurgjinë Abdominale, Urologjinë, dhe që ndër të parët që filloi kirurgjinë torakale në vendin tonë.”

 

Me rastin e 30 vjetorit të vdekjes së Federik Shirokes, Seksioni i Shendëtësisë dhe Këshilli Shkencor i Shëndetësisë i Shkodres, në dhjetor të vitit 1985, organizoj në nder të tij, në sallën nr.1 të Institutit të lartë Pedagogjik, Sesionin Shkencor – MBI JETEN DHE VEPREN E DR FEDERIK SHIROKES.

Duke ju referuar revistave dhe gazetave të kohës, të 16-17 dhjetorit 1955 (Revistës Shëndetësia Popullore, Zëri i Popullit), në rastin e vdekjes së tij, i gjithë populli i Shkodres me dhimbje, nderim dhe respekt të thellë, e përcjelli Dr. Shiroken në varrezat e Rrmajit. Qindra telegrame ngushllimi i erdhën familjes nga të gjitha krahinat e vendit tonë, nga personalitete, por edhe nga njerëz të thjeshtë që kishin pasë kontakte dhe që e vlerësonin humbjen e një kirurgut të pashoq si ai.

Dëshëroj ta mbyllë shkrimin tim me fjalët e telegramit të ngushëllimit, që ministri i shëndetësisë i kohës Dr. Ibrahim Dervishi, i dërgoj familjes Shiroka me rastin e vdekjes së Dr. Shirokes:..”Me dhimbje të madhe marrim pjesë në hidhërimin tuaj,  për humbjen e papritur e të parakohëshme të birit tuaj dhe kolegut tonë të dashur Frederik. Vdekja e Dr. Frederik Shirokës është një humbje e madhe për shëndetësinë tonë popullore për të cilën ai punoj pa u lodhur duke shkrirë të gjitha forcat e tija mendore dhe fizike deri në momentin e fundit të jetës së tij…”

Si shumë intelektuale të tjerë edhe Dr. Federik Shiroken, rregjimi  komunist e përdori, e shantazhoj, e demaskoj si “antisovjetik”, e kërcënoj me burg, duke i shkaktuar një mbingarkesë psiqike (pas stërmudimit të punës pa orar), deri sa zemra i pushoj së rrahuri…, për ta mbuluar më pas me fjalë të bukura (si ato më sipër)…  Kjo ishte mëndyra që diktatura komuniste trajtonte qytetarët e intelektualët e vet… PASI I VRISTE NATEN, I QANTE  DITEN. Uroj dhe shpresoj që ky gjykim të mos vazhdojë edhe nga politikanët e sotëm të cilët po e nëncmojnë krejtësisht figurën e burrit që shpëtoj jetë njerzore e që i gjithë populli e mban për NDERI I KOMBIT.

 

Me, 7 mars 2017

Filed Under: Histori Tagged With: diktatura, Dr. Frederik Shiroka, Pjeter Logoreci, qante, vriste

Një qiri për shpirt të engjëllit humanist……

January 15, 2015 by dgreca

Me rastin e 100n vjetorit te pavaresisë/
Kushtuar Dr. Federik Shirokës/
Nga Pjeter Logoreci*/
Në vitet e zymta të diktaturës së egër komuniste, në kohën kur personazhe të ndritur të kombit, intelektualë të zotë e klerikë atdhetarë egzekutoheshin pa gjyq, ndër shtëpitë e qytetit të Shkodrës jeta vazhdonte si e strukur në heshtje nga frika e ndonjë raprezalje apo spijunimi të mundeshëm. Festat e gëzimet familjare mbyteshin nën peshën e shtërngesës ekonomike e të frikës në ambientin e politizuar nga demagogjia e paskrupull e unipartisë në pushtet. Njerzit i druheshin kontakteve e bisedave për problemet e shumta të jetes. Por ndodhte edhe, që në muzgun e mbasditës apo në orët e mbrëmjes të shiheshin tek tuk ecejaket e ndonjë cifti, grupi apo familje, të cilët shkonin për ndonjë urim fejese, ktheheshin nga festimi i ndonjë ditëlindje apo gëzimi tjetër familjarë.
Miqësitë e vjetra sillnin ndër këso netësh speciale festash tek familja ime, personazhe interesante e shumë të njohtun të qytetit, të cilet me vizitat e tyre mundoheshin të kujtonin e të respektonin traditat fetare e zakonet tona familjare. Në familjen time, festa fetare e ditës së emrit, festohej e “zyrtarizuar” si “dita e lindjes”, e miq të mirë e të shumtë si Gjenarini, Xhevati, Gjoni, Ahmeti, Faiku, Marku ishin të përhershëm. Pervec miqësisë familjare, të medhenjtë i lidhte puna në sektorët më të vështirë e po ashtu edhe përsekutimi ishte emruesi i tyre i përbashkët.
Nga fëmijeria ime ruaj të freskëta në kujtesë si castet magjike të këtyre netëve, tregimet e Zotni Gjon Kamsit për vrasjen e Luigj Gurakuqit e sjelljen e rrobave të tij të gjakosura në atdhe, e po ashtu edhe vizitën e një zonje që me sjelljen e saj të vecantë me terhiqte vmendjen. Edhe pse isha shumë kurioz, nuk guxoja të pyesja më të medhejtë për te, por nga rastësia e bisedave mësova që ajo ishte Olimpia, e veja e kirurgut të madh Federik Shiroka.
Babai im më tregonte se, Doktori që ishte bashkëmoshatar e njekohësisht edhe kushëri i djemve të familjes sonë, ishte shpesh i pranishem tek ne në bisedat e mbrëmjeve të gjata të dimrit. Olimpia ishte një grua austriake nga Tiroli që Federiku gjatë kohës të studimeve në Austri e kishte njohur e dashuruar. Me mbarimin e studimeve, Olimpia u bë bashkëshortja e Federikut dhe e ndoqi atë në Shqiperi.
Për karrieren brilante e personalitetin e Federikut, janë botuar disa herë shkrime nga kolegë e persona që paten kontakte me të, por unë në këtë shkrim do sjell elemente të rinj e të panjohur për personalitetitn e tij, të parë në nji këndvështrim tjetër, nga ai i bashkëshortes së tij austriake.
Mendoj që për lexuesin është e nevojëshme një paraqitje e shpejtë e fillimeve të Dr. Shirokës, i cili vinte nga familja qytetare me tradita patriotike SHIROKA. Kjo familje pat në gjiun e sajë figura të njohura të rilindjes kombëtare e një ndër to ishte dhe virtuozi i kirugjisë shqipëtare ( mund të them pa frikë) edhe i asaj botërore, mjeku kirurg Federik Shiroka.
Federiku lindi në Shkodër me 20 shtator 1907. I ati Loro Shiroka vdiq i ri duke lënë gruan Zinen, me 5 fëmijë jetime, Florinden, Regjinen, Zefin, Terezinen e Federikun. Shkollën fillore e bëri në Kolegjën Severiane në Shkodër (1915) ku u shqua për rezultate të mira si dhe për aktivizim në teatrin e shkollës.
Mbasi mbaroj klasët e fillores në vitin 1923, u dergua prej familjes që të vazhdonte shkollimin në Austri. Gjimnazin e kreu në qytetin e vogël të Kremsit (afër Vjenës) ku maturonin shumë të rinj nga familje shkodrane. Përfundoi maturën në vitin 1928 me rezultate shumë te mira, e kjo i krijoi mundësinë që të pranohet të vazhdojë degën e mjekësisë në Universitetin e Graz-it. Mbasi mbaroj studimet me rezultate të larta, i specializuar për kirugji dhe gjinekologji edhe pse i ofruan për të punuar në Katedrën e Kirurgjisë në Graz, ai vendosi të kthehej në atdhe në 1935-ën për të punuar në spitalin e Tiranës si mjek kirurg. Për këtë ai i shprehej bashkëatdhetarëve të tij studentë: edhe pse Kirurgjia nuk ka atdhe, kirurgu ka. Më pas ai transferohet në vendlindjen e tij Shkodër, ku punoj si kirurg e drejtues i spitalit deri në vitin 1946. Më vonë emërohet drejtues i pavionit të kirurgjisë në Tiranë ku punon deri në fund të jetës. Edhe pse ishte një kirurg shumë popullor dhe i palodhur, ai pat një jetë të vështirë, mbasi politikisht familja e tij ishte në syrin e rregjimit dhe shikohej me dyshim. Vëllai i tij Zefi ishte i “burgosur politik” me akuzën e rëndë “armik i popullit”, i dënuar me 20 vjet heqje lirie pasi kishte qënë nënpunës i lartë para ardhjes në pushtet të diktaturës famëkeqe.
Edhe fakti që Dr. Shiroka kishte gruan austriake nuk shikohej me sy të mirë nga kolegët e partia në pushtet. Sipas ideologjisë së kohës ai ishte “një mikroborgjez që i kishte kaluar koha dhe njeriu që nuk bënte perpjekje për të studjuar marksizmin”.
Ky është shkaku që më motivoj të rreshtoj këto fjalë, mbasi pata fatin që të marre në dorë korespondencën e bashkëshortes Olimpia Shiroka, me kolegë, miq, shokë, kushrinj apo familjarë të Dr. Shirokës. Si të gjitha gratë e hueja të martuara në Shqipëri, edhe Olimpia vuajti kalvarin e komunizmit. E përndjekur nga rregjimi , nën presionin e sigurimit të shtetit, e detyruar në izolim të plotë, e papunë, ajo grua e cila mundohej të qetësonte sadopak shpirtin e trazuar të Federikut e të fshinte lodhjen e orëve të gjata të punës së tij, i shkruan këto letra të dhimbëshme miqve të shtëpisë apo shokëve të Federikut te cilët jetonin në mërgim. Aty ajo përshkruan masakrat e komunistëve mbi intelektualet e familjet patriotike shqipëtare që ajo njihte. Ja si e përshkruan ajo jetën e saj e të bashkëshortit, atij që mbetet nderit i kombit tonë, doktorit me “duar te arta”:
Pjesë nga letra që Olimpia i dërgon Z.L., një shokut të Federikut me 21.10.1963
Po përpiqem të shqipëroj pjesë nga letra e shkruar në gjuhën italiane që i është derguar një shokut të rinisë të Federikut (Zef L.) me banim në Amerikë e që mban datën 21.10.1963:
………..kam mbetë pa femijë, e për këtë mbasi cdo lindje (5 lindje) kam vuajtur shumë. Me Federikun e shkretë kishim të njëjtin grup gjaku (RH) e nuk ishte e mundur të na jetonin fëmijët. (të paktën me mundësitë e Shqipërisë….) Mandej kur mbeta vetëm, nuk merrja pension, sepse ktu i japin vetëm grave mbi 55 vjec ose me fëmijë. Me dekret special të kuvendit popullorë (parlamentit) më kanë dekretuar 2000 lekë në muaj “ pension për merita, pension për patriotët”. Me kaq pak lekë nuk mundesha të jetoj, prandaj kam shkuar në ministrinë e shëndetësisë për të kërkuar punë. Më kanë dërguar si shërbyese në ambasadën e Gjermanisë komuniste – favor i madh ky, sepse është shumë e veshtirë të punosh me të huaj edhe pse ishin nga kampi socialist. Mandej ndodhi prishja me Bashkimin Sovjetik dhe të gjitha ambasadat u larguan menjëherë. Mbetën vetëm Kina, Korea, Vietnam, Ghana, Turqia, Italia e Franca. Prap mbeta pa punë. Atëherë i kam merzitë duke kërkuar punë dhe më kanë dërguar si pranuese në laboratorin e Oblikës e ma vonë me bënë teknike e mesme e mvaresha nga ministrija e shëndetësisë. Eshtë e vështirë i dashur Zef në këtë moshë të punosh me disa njerëz të paaftë . Mbas tre vjet kërkesash të shumta më kanë lejuar të vij në shtëpi te motra ime. ………………………………..

Eh Federiku i shkretë, sa ka punuar! Cdo dy netë roje në spital pa i paguar asnjë lekë më shumë. Sot i paguajnë doktorat për orët e natës. ….Një rruge në Tiranë, Fakulteti i mjekësisë e repartit ku punoj së fundi, mbajnë emrin e tij. Në sallën e leksioneve dhe në repartin e kirurgjisë qëndron busti i tij. Por cka sherben kjo tashti, duhej ti jepeshin për së gjalli këto merita. Eshtë gjithshka mbrapësht atje………Për udhëtimin në Itali, banka më ka dhënë vetëm 10 dollarë, nuk lejohej më tepër.
Këto fjalë të shkruara me kaq dhimbje e keqardhje për një jetë të kaluar në vuajtje e izolim flasin vetë e nuk kanë nevojë për koment.
Në një letër që mban datën 17.2.1964 e veja e Dr. Shirokës shkruan:
….. pak ditë para se të vdiste Federiku im i shkretë, i thashë që: asnjëri nuk do ta besonte që ishim gjithmonë pa lekë në shtëpi (Federiku ishte shejtori i të varfërve) cka do të kisha bërë në rastin e ndonjë fatkeqësie. Atëherë ai më vështroi gjatë e më tha: në një rast të tillë, vendos a do te vazhdosh të rrish ose vendos të ikësh….
Në një letër tjetër që mban datën 13.9.1963, në ditët kur asaj ju dha mundësia të udhëtonte drejtë Italisë, për të vizituar familjen e saj në Trento, ajo përshkruan gjendjen e familjes së saj atje. Ajo nuk arriti ta shihte nënen e saj e cila kishte pak kohë që kishte vdekur e me të cilën nuk pat as korrespondencë. E vetmi person i mbetur nga familja e saj në 21 vjet distancë nga udhetimi i fundit, ishte një kushërinë e saj me emrin Margherita Toniolli, ku Olimpia gjeti strehë e mikpritje. Dhimbja e humbjes së njeriut ma të shtrejtë të saj Federikut, ishte e pashlyeshme, por respekti e dashuria që tregonin njerzit e thjeshtë për “doktorin”, qe sherimi i shpirtit te saj.
Ajo shkruan:
……Federiku ka lënë jetën për të varfërit e tij, për popullin e tij, ai me punën e tij ishte pioneri i kirurgjisë, por qeveria këtë e ka marrë në konsideratë vetëm pas vekjes së tij….kur kishte mbetur pak për të bërë…..
……..njerzit kanë qarë me dënesë në funeralin e tij, ishte nji shprehje spontane e popullit (jo një miting i organizuar). E mandej kanë vendosur bustin e monumentin. Fakulteti i mjeksisë mban emnin e tij. Një rrugë ka emrin e tij. Drejtori i spitalit civil të Tiranës me ka thënë: qysh kur ai ka vdekur, nuk jemi në gjendje të bëjmë diagnoza të sakta, duke i mbajtur të sëmurët deri në 3 muaj në spital. E mendo që ky (drejtori) është komunist! ……
Prandaj po deshte të mos më bësh dëm, te lutem mos thuaj që ke korespondence me mua, sepse më duhet të kthehem përsëri atje……..
Eshtë i papërshkrueshem frustrimi i zonjës Shiroka nga veprimet diskriminuese dhe provokative të sistemit djallezore komunist i cili në mëndyrë të vecantë ushtroj presion ndaj familjeve të intelektualve të përmendun të përmasave të Dr. Shirokës edhe pse ai ishte i respektuar nga mbarë elita ndërkombetare e kirurgeve si – MJEKU ME DUAR TE ARTA – . Kasta komuniste e shfrytëzoj në extrem punën e mjekut Shiroka edhe për të shëruar anëtarët e lartë të partisë e të komitetit qëndrore të saj, por duke i treguar kurdoherë “grushtin e diktaturës së proletariatit” që i rrinte mbi kokë cdo intelektualit që kishte studiuar jashtë apo që kishte gruan të huaj nga bota “borgjeze e reaksionare” përendimore. Po sjell këtu një letër të viteve të vështira 1964 ku Olimpia përshkruan vdekjen e Federikut dhe situatën e saj të dëshpëruar të atyre diteve:….këtu po sjell në shqip pjesë nga kjo letër: … Zef Shiroka ishte i denuar me 20 vjet dhe i deportuar në jug të vendit ku vuanin shumë persona në kampet për bonifikimin e kënetave, të kafshuar nga mijëra shushunja. Kur vdiq Federiku i bëmë një telegram Enverit që e liroj Zefin dhe ushtarët e mbrojtjes e solëen në Shkodër, ku arrita ta dergoj Federikun e vdekur. Kur po shkonim për në Shkodër, rrugës Tiranë – Shkodër na është dashur shumë herë që të hapnim arkivolin e të vdekurit mbasi njerzit donin të shihnin “Doktorin”…….
….në Tiranë denuan me vdekje shefin e spitalit, doktorin italian Lozzi e kështu sollën Federikun në vend të tij. Frederiku vdiq këtu prej Infaktit nga lodhja, nga puna e madhe ditë e natë. Për një farë kohe ai ishte edhe mjek i burgut. Kur vinte në shtëpi nuk mund të hante e vetëm djersitej e dridhej nga tmerri i torturave që kishte parë atje mbrenda. Pastaj e larguan mbasi ai ishte shumë i ndijshëm nga këto skena.
Për të nderuar Federikun për punën e madhe që bënte (gjithshka për njerzit e varfër), qeveria në majin e vitit 1955 e dërgoj në Moskë për të parë paradën ushtarake në SHESHIN E KUQ e mausoleumin e Stalinit. Në dhetorin e këtij viti ai vdiq nga infarkti në orën tre te natës në shtrat pranë meje…e tmerrshme….
Porositën te behej një bust nga Kristina Hoshi për një ekspozitë. I dhanë emrin e tij bulevardit ku ne banonim. Kanë emeruar edhe repartin e kirugjisë në Tiranë me emër të tij. Por mua nuk më dhanë pension. “jemi një vend i varfër dhe nuk mund të mbajmë parazitë” ishte pergjigja e parlamentit mbas kërkesës sime. Më dhanë një punë në ambasadën gjermane (lindore). Një nder i madh për te punuar me të huaj. E kështu prej punës delikate që kisha, nuk mundesha që të frekuentojshe publikisht njërzit tonë. E më në fund më lejuan për një muaj të vij këtu (në Itali), pa valigje e pa para, e unë NUK JAM KTHYER ME ATJE.
Tashti punoj për të mbajtë frymën mbasi këtu nuk ke ndihmën e askujë. Dhe nuk kam asnjë të drejtë, mbasi italianët në Shqipëri patën një përfundim(qenë keqtrajtuar)të keq. Porse më kanë ridhënë shtetësinë italiane e kështu të paktën mundem të punoj…..
Së fundi, Dr. Shiroka jo vetëm që ishte një mjek profesionist i klasit ndërkombëtarë, por ishte një njeri me shpirt të madh e humanist shëmbullor. Edhe pse ai nuk e deshti dhe nuk e pranoj kurrë rregjimin antidemokratik komunist, si mjek dhe humanist mjekoj dhe kuroj edhe pjestarë të makinerisë gjakatare komuniste, atentatore e udhëheqës partiake që ekzekutonin e burgosnin ato që mendonin ndryshe. U shkruajt shumë për Dr. Shiroken, u mbajtën konferenca e simpoziume për veprën e tij, për gjurmët shkencore që la prapa, por një gjë duhet të jetë e qartë: ai nuk e deshti për asnjë cast rregjimin komunist që i shkurtoj jetën. Shumë kolegë të tij ish anëtarët e partisë së dhunës, që ishin pjestarë të makinacioneve e kurtheve kundër tij, në vitet më pas si për të bërë “punën e pendimit”, shkruan fjale të mira e lavde për Federikun. Por këto ndere e lavdërime ai i krijoj me punën, profesionalizmin e nderin e tij. Nuk ishte rregjimi që i bëri nder Federikut duke i bërë buste apo emërtime rrugësh e sallash me emrin e tij, por ishte Federiku që i bëri nder atdheut të tij e të gjithe popullit shqiptare, duke i shërbyer ditë e natë me profesionalizëm e humanizëm, duke e bërë të njohur kombin e tij në arenën ndërkombëtare.
Shpresoj që ky shkrim të sjellë në mendjen e presidentit të Republikës dekorimin e Dr. Shirokës me titullin e lartë NDERI I KOMBIT për karrierën e tij shëmbullore, e po ashtu edhe bashkinë e qytetit të lindjes SHKODER, për ta vlerësuar me titujt apo emërtimet që Dr. Shiroka i meriton.(Falenderojme autorin qe e dergoi shkrimin per Gazeten Dielli. Me fotografi te plota do te publikohet ne Gazeten e printuar)

Filed Under: Histori Tagged With: Dr. Frederik Shiroka, Një qiri për shpirt të engjëllit humanist......, Pjerin Logoreci

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT