Nga Dr. Yllka FILIPI/
Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë organizoi ditën e diel, 7 Qershor 2015, në sallën e Bibliotekës Ferguson, Stamford CT, takimin me temë: “Audiencë me shkrimtarin, poetin, përkthyesin, studiuesin dhe themeluesin e Teorisë së Protonismit, Dr. Gjekë MARINAJ”. Morën pjese anëtarët e SHSHSHA-ë, poetë, shkrimtarë e artistë, historianë, gazetarë që punojnë e jetojnë në ekzil, dashamirës të artit dhe letërsisë, figura të shquara të letrave shqipe dhe artit amerikan. Operatorët dhe gazetarët e palodhur të dy televizioneve, Albanian American Vision nga Qazim Doda dhe Ray Art Show nga Ramiz Muja, të cilët regjistruan aktivitetin, duke pasuruar kështu thesarin e arkivës kulturore dhe informuar publikun shqiptaro-amerikan.
Si një lloj preludi poetik, 10-minutat e para hyrëse, u shfaq në ekran një sintezë e gjithë jetës dhe veprës së Marinajt, me drita të fikura, emocion, heshtje, përqendrim e kureshtje përzier bashkë, falë magjisë së efekteve të teknologjisë bashkëkohore dhe duartrokitjeve të publikut.
Aktiviteti u drejtua nga Presidenti i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, poeti e publicisti Adnan Mehmeti dhe shkrimtarja e studiuesja Dr. Yllka Filipi. U moderua nga Poeti Mehill Velaj i cili me rastin e fjalës së hapjes tha: “Të nderuar të pranishëm, mirë se keni ardhur në selinë e shenjtë të krijuesve! Ju falenderoj që jeni mbledhur nga të gjithë shtetet e Amerikës për të qenë pranë poezisë, pranë magjisë së krijimit, këtu në këtë sallë të heshtur që kreshpërohet nga drithmat dhe vibrimet e artit të fjalës, për t’u ndjerë më pranë mëmëdheut duke qenë të gjithë bashkë, si një trup! Promovohet sot vepra e Dr. Gjekë Marinajt! Faleminderit Kryesisë së SHSHSH-ë, që na e krijoi këtë mundësi!”
Referatin me titull “Gjekë Marinaj, dimension i çmuar i diasporës dhe i letrave shqipe” e mbajti z.Adnan Mehmeti, i cili vuri në dukje vlerat e veprës së Marinajt, evidentoi të vecantat e këtij zëri krijues, meritën e jashtëzakonshme në fushën e letërsisë, vështirësitë nëpër të cilat ka kaluar poeti që theu tabutë e diktaturës me poezinë “Kuajt” si edhe unikalitetin e vargut të Marinajt, duke u ndalur në momentet më të spikatura poetike të autorit.
Megjithëse për arsye familjare Kryetarja e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, shkrimtarja dhe poetja Raimonda Moisiu ndodhej në atdhe, ajo ishte e pranishme në sallë me punimin kritik ”Marinaj, Maja e Poezisë Bashkëkohore dhe përkthyesi Brilant i Turner-it”. Moisiu evidentoi të gjitha arritjet e poezisë së Marinajt, elementet që e veçojnë këtë poezi nga simotrat e saj, gjetjet artistike, veçoritë, si edhe u ndal veçanërisht në përkthimet e poetit i cili ka sjellë në shqip vargjet brilantë të Turner-it. Rëndësinë e përkthimit, si një thesar që pasuron arkivën e lexuesit shqiptar në Shqipëri dhe kudo nëpër botë.
Si një frymëmarrje shpirtërore vijoi më pas studimi “Gjekë Marinaj në sytë e kolegëve” nga Dalan Luzaj, duke sjellë përshtypjet, mbresat, opinionet, vlerësimet e njerëzve të shquar të artit dhe letërsisë mbi veprën e autorit, ku zuri një vend të veçantë vlerësimi që kandidati për çmimin Nobel, shkrimtari I madh Ismail KADARE, ka dhënë pa rezerva mbi veprën e Marinajt.
Dr. Yllka FILIPI u paraqit me kumtesën “Shenjëzimi modern e postmodern në sublimitetin e figurës së nënës në poezinë e Gjekë Marinajt” në të cilën evidentoi vëllimin “Lutje në ditën e tetë të javës” dhe ciklin “Duart e nënës”, prej të cilit paraqiti: thyerjet grafike, daljet jashtë tendencave, eksperimentimet, “lajthitjet strukturore”, asgjëkundësinë e këndvështrimeve, humorin e zi, situatat paradoksale, skenat makbethiane, të gjitha këto të ulura në fronin ku shenjtërohet Kryeperëndesha Nënë e cila metamorfozohet nga Mbretëreshë e Qiellit në skllave të vdekjes; ”Ajo është tepër e re që të vdesë/ dhe tepër e lodhur që të rrojë”-evidenton Dr. FILIPI, në vargjet e Dr. MARINAJ.
“Gjekë Marinaj, shërbestar i poezisë”, u prezantua në monitor, shkrim ky i përgatitur nga poetja Kozeta Zylo, e cila e paraqet autorin përpara lexuesit si një shenjtor të përulur përpara autoritetit të vargjeve,të cilave ai do t’iu shërbejë kokëulur sa të marrë frymë,sa të jetë gjallë.
“Tre dhunti tipike dhe krejt individuale të poetit Gjekë Marinaj” referuar nga Ramiz Gjini, vijoi më pas rrjedhën e tipareve specifike të poezisë së Marinajt në këndvështrim të përgjithshëm. Nga Dr. Mimi Susi ”Protonism, a useful theory against racism”, në gjuhën angleze, u evidentuan gjetjet filozofike të autorit mbi Protonizmin si teori plot dobi kundër racizmit, tematikë kjo e mprehte deri në ditët tona.
Më pas u prezantua në mungesë, kumtesa e Aida Dismondy, “Gjekë Marinaj, eksponent pozitiv në gjuhët e huaja”. Autorja kishte vënë në dukje rëndësinë e jashtëzakonshme në servirjen e emrave të letërsisë amerikane të përkthyer sukseshëm nga Marinaj.
Në vazhdim u paraqit po në mungesë edhe kumtesa e Arben Çokaj “Arti dhe dimensioni intelektual që depërton përmes kombeve”, në të cilën autori vuri theksin në hapësirat e pafundme që shtrihen poetikisht në të njëjtin qiell të përbashkët të kombeve të ndryshëm të botës dhe u fokusua në kontributin e çmuar të Marinajt në këtë drejtim. Më tej fjala përshëndetëse e shkrimtarit Skënder Këlliçi.u bë prezente në sallë.
Vijoi punimi me titull “A poem by Gjekë Marinaj eksplicated” nga Prof. Dr.Ramesh Chandra Mukhopadhyaya në gjuhën angleze, ku u renditën një sërë komponentësh që e bëjnë vargun e Marinajt të veçantë dhe shumë tërheqës për horizontin e pritjes. Referatet u shoqëruan me intermexo poetike midis tyre, ku u paraqitën poezi të zgjedhura nga vepra e autorit: Interpretuan: Pierre-Pandeli Simsia “Poezi të zgjedhura”, Du-si-ta; Veneta Callpani: Mai Van Phan, “on Halong Bay”,Harriet Stovall Kelley, Poetit Gjekë Marinaj,”Under the Wire”, Marinaj si subjekt në poezinë e miqve të tij poetë, Moikom Zeqo “Drurët e imazheve”, dhe aktori i talentuar Shaban Lajçi i cili e mbushi sallën me emocione rrënqethëse me interpretimin e poezisë “Apologji” të Dr.Marinaj.
Një surprizë për të gjithë të pranishmin u bë nga skenografi i mirënjohur Z.Astrit Tota, i cili i dhuroi një portret me nënshkrim autorit, gjë që krijoi efekt befasues e tronditës emocionalisht për të gjithë të ftuarit në sallë e veçanërisht për Marinaj.
Fjalën përmbyllëse e mbajtën: Dr. Gjekë Marinaj i cili falenderoi të gjithë të pranishmit, të ftuarit, kolegët, kryesinë, gjithë audiencën për vlerësimin e veprës së tij dhe veçanërisht Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, të cilën ai e ideoi rreth 10-vjet më parë, si edhe poeti Mehill Velaj i cili e quajti “Kohë të çmuar që do lerë gjurmë në kujtesën e autorit dhe të gjithkujt pjesëmarrjen në këtë event ku shenjtërohet poezia”!
Salla u ndez nga duartrokitjet e publikut. Autori vijoi me autografë…
Të ftuar nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë të gjithë të pranishmit bashkarisht shijuan koktejlin e përgatitur enkas për ta nga Presidenti, z. Adnan Mehmeti.
Përgatiti:
Yllka FILIPI
New York, U.S.A