• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Koha për të menduar strategjikisht

January 16, 2017 by dgreca

Dr.Islam Lauka

Nga Dr. Islam Lauka/

 Reagimi i kastës politike shqiptare ndaj zgjedhjes së Donald Trumpit si President i SHBA-ve, disa vlerësime për këtë cështje dhe marrëdhëniet SHBA-Rusi/

Mbeten dhe pak ditë, që zoti Donald Trampi te shpallet President i 45-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Para ketij momenti, kasta politike shqiptare ishte ne shumice trampofile. Gjatë fushatës zgjedhore, ajo u shfaq trampofobe. Jo për vlerat që përfaqësonte Hillari Klinton, por për shkak të bindjes, e cila në fund rezultoi të jetë e gabuar, se ish Zonja e Parë, do të hynte në Shtëpinë e Bardhë, si Presidente, nderkohe mbështjetja e kastës politike shqiptare ju dha pikërisht asaj.

Kjo mbështjetje vazhdoi si një proces në ngritje, gjatë gjithë fushatës zgjedhore. Lavjerrësi politik shqiptar kapi ekstreme të tilla trampofobie e klintonofilie, sa që është e vështirë që ato të krahasohen me ndonjë vend tjetër. Në kulmin e trajektores trampofobe, u gjend Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili në mungesë të korrektësisë elementare politike iu drejtua të Plotfuqishmit për të na shpëtuar nga satanai Tramp. Ishte po ai që, sapo u dha njoftimi i fitores së Trampit, u gjend në ekstremin tjetër të trajektores, si trampofil, me urime, të cilat, në thelb, mund të përmblidhen: “Ruaje Zot Trampin, engjëllin tonë!”.

Në qoftë se trampofobizmi ishte më shumë si një proces, trampofilia erdhi si një akt radikal, i menjëhershëm, jo si pasojë e ndryshimit të qendrimeve te Trampit, por si pasojë e ndryshimit të qendrimeve të kastës sonë politike. Ajo ndryshoi për shkak të ndryshimit të statusit të Donald Trampit, nga kandidat, në President të SHBA. Qëllimi i këtij ndryshimi të kastës politike është një dhe vetëm një: nëpërmjet lajkave ndaj Presidentit të ri, të sigurohet licensa e Uashingtonit për mandatin sundues të radhës në Shqipëri. Trampofilizimit të menjëhershëm nuk i shpëtoi as një pjesë e analistëve tanë, të cilët, në shkrimet e tyre konformiste u shprehën se fitorja e Trampit, nuk e ndryshon aspak mbështjetjen amerikane ndaj shqiptarëve dhe as aleancën e fortë shqiptaro-amerikane. Përkundrazi, sipas tyre, zgjedhja e tij e zhvillon dhe e forcon më tej këtë aleancë. Analiza politike të kësaj kategorie, të sipërfaqshme, të thjeshtëzuara, të shkëputura plotësisht nga realiteti, të pabazuara në teori shkencore, si rregull, arrijnë, afërsisht, në përfundime të tilla: “Shqipëria e ka të paguar faturën”, “Shqipëria e ka të firmosur një çek të bardhë”, apo “Ne qeverisim, bota na ndihmon”. Të zhytur në konformizmin që prodhon optimizëm bosh, se, gjoja, Shqipërinë na e bëkërkan të huajt, kjo specie analistësh, as nuk e vë ujin në zjarr, për të kërkuar ndonjë model tjetër zhvillimi, të ndryshëm nga ata që kemi provuar deri tani. Një grup tjetër analistësh, nga pozita trampofobe, të përziera me doza të caktuara neoliberale dhe postmoderne, e konsideron fitoren e Trampit si pjesë të një apokalipsi botëror, antiliberal dhe në qendër të tij sheh Shqipërinë e Kosovën si ndër viktimat më të mëdha të tij. Të zhytur në libertarizmin e tyre, të goditur nga zhvillimet e fundit, jo vetëm në Amerikë, por edhe në Europë, gjë që prodhon pesimizëm të thellë tek ta, libertaristët nuk dalin dot jashtë rolit të vajtorëve mbi xhenaze, natyrisht, pa arritur të japin qoftë edhe një ide, sado të thjeshtë, për t’u përballur me situatën e ndërlikuar, para së cilës, gjendemi sot. Analiza e kësaj situate, duhet të jetë kontekstuale, shumënivelëshe, shumëshkakësore dhe ndërdisiplinore, sepse ajo është pasojë e veprimit të një konfluence faktorësh. Mbi bazën e kësaj analize, qysh në fillim të këtij viti, kam shprehur rezervat dhe dyshimet e mia ndaj platforms zgjedhore të Donald Trampit në fushën e politikës së jashtme të SHBA. Në mënyrë të veçantë, kam kritikuar qëndrimet e tij, pro Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, si dhe qasjen e tij rreth marrëdhënieve midis Uashingtonit dhe Moskës, që, në perceptimin tim, do të thotë, njohje e sferës së ndikimit rus në pjesë të caktuara të Europës. Ky ndryshim i qëndrimit amerikan ndaj Rusisë, do të kërcënonte drejtpërdrejt interesat e Shqipërise, Kosovës dhe shqiptarëve, në përgjithësi. Analistët trampofilë shqiptarë i vlerësojnë si pozitive qëndrimet e Trampit ndaj Rusisë, sepse, gjoja, ato përbëjnë një përpjekje për të ulur tensionet, pa e vrarë fare mendjen se përse u acaruan ato. Sikur nuk ishte Putini që, për herë të parë në historinë e Europës, pas viti 1945, i ndryshoi me dhunë kufijtë e njohur ndërkombëtarisht, duke aneksuar Krimenë. Bindja ime mbi rrezikshmërinë e qëndrimeve të Trampit, lidhur me Rusinë, gjatë fushatës zgjedhore, nuk ka ndryshuar. Zgjedhja e si President, vetëm sa e shton rrezikshmërinë e tyre, sepse ato mund të kthehen në politikë shtetërore. Natyrisht, deklaratat zgjedhore janë një gjë dhe politika shtetërore, diçka tjetër. Aq më tepër, në sistemin amerikan, ku ekzistojnë mekanizma efektivë të kufizimit të pushtetit të Presidentit, si Kushtetuta, Kongresi, Gjykata Supreme, pa folur për ndikimin në vendimmarrjen e politikës së jashtme të procesit organizativ dhe agjensive të specializuara qeveritare, por, sikur edhe vetëm një pjesë shumë e vogël e atyre deklaratave të kthehej në politikë shtetërore, do të mjaftonte për të arritur në përfundimin se, vërtet, jemi para një situate të re, krejtësisht të paqartë, me shumë të panjohura.
Shqiptarët nuk mund të ndalojnë SHBA të tërhiqen, qoftë edhe pjesërisht, nga politika botërore, për t’u perqëndruar më shumë në problemet e veta të brendshme. Platforma elektorale e politikës së jashtme të Trampit, shkurtimisht, mund të përmblidhet: Jo më siguri falas, jo më para në llogari të huaja! Do të ishte krejtësisht naive të besohet se Trampi do të braktisë shqiptarët, për shkak të deklaratave jo korrekte të Kryeministrit të tyre. Mundet që ai, siç ka qenë i zënë me fushatën, por edhe për shkak të margjinalitetit të artikuluesit të tyre, as nuk i ka dëgjuar ato. E vërteta është se, jo shqiptarët, por as Ballkani, nuk janë përmendur ndonjëherë gjatë gjithë fushtatës zgjedhore të Trampit. Dhe në rast se do të ketë njëfarë tërheqjeje të Amerikës nga Europa, nuk do të jetë për inat të këtij apo atij vendi e populli, aq më pak, të këtij apo atij politikani delirant, por sepse kështu ia do interesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në këtë moment historik, ashtu siç e percepton Presidenti Tramp këtë interes. Shqiptarët nuk mund të ndalojnë as proceset çintegruese në Europë që kanë filluar me Breksit-in dhe rrezikojnë të thellohen, vitin e ardhshëm, në rast se në zgjedhjet parlamentare ose presidenciale të një numri vendesh europiane, fitojnë forcat e ekstremit të djathtë dhe euroskeptikët. Ajo që mund të bëjnë shqiptarët, është që të ndërgjegjësohen se ndodhen para një situate komplekse. Me një Amerikë, potencialisht, në tërheqje nga politika botërore, në përgjithësi dhe nga Europa, në veçanti, me një BE të kapluar nga krizat që po vënë në pikpyetje identitetin dhe qenien e saj, ekziston rreziku i krijimit të një vakuumi sigurie në të gjithë kontinentin tonë, i cili, nuk mund të mos ketë pasoja të rënda për Shqipërinë, Kosovën dhe gjithë shqiptarët. Pretendenti nr 1 për të mbushur këtë vakuum është Rusia. Nuk janë pa bazë titujt e shtypit të ditëve të fundit, “Një fantazmë po sillet në Europën Qendrore dhe Juglindore…”.  Bëhet fjalë për fantazmën ruse. Çeshtja është se nuk kemi të bëjmë vetëm me fantazmën, por me fuqinë reale të Rusisë, e cila e konsideron Ballkanin si zonë të interesave të veta gjeopolitike dhe gjeostrategjike.Në këtë kontekst,ajo organizon puçe shtetërore, si në Mal të Zi, nxit destabilitetin në veriun e Kosovës, mbështet hapur regjime autoritare si ai i Gruevskit në Maqedoni, farkëton “vëllazërinë sllave” në Serbi dhe dërgon flotiljen e saj ushtarakë në Mesdhe, në përbërje të se cilës janë aeroplanmbajtësja “Admirali Kuznecov”, tre nëndetëse dhe një kryqëzor bërthamor. Sistemi i deritanishëm i aleancave të sigurisë dhe organizmave të tjerë rajonalë e ka mbajtur Rusinë jashtë Ballkanit dhe i ka mbrojtur shqiptarët nga kërcënimi i saj. Është në interesin tonë që ai sistem të ruhet, por në rast se plasaritjet që ka marrë, mund të çojnë në zhvendosje tektonike dhe ndryshim të paradigmës me të cilën jemi mësuar tash një çerek shekulli, mos duhet të dorëzohemi e të zëmë kujen? Vetëdijësimi për situatën e ndërlikuar në të cilën ndodhemi, duhet të na shtyjë drejt kërkimit të modeleve të tjera të zhvillimit, në përshtatje me rrethanat e reja, në një botë të trazuar, si kjo e sotmja. Shqiptarët njihen si “komb i vonuar”, në kuptimin që nuk e kanë kapur në kohë dinamikën e historisë dhe nuk u kanë paraprirë zhvillimeve që kanë prekur drejtpërdrejt interesat e tyre. Thënë më shkoqur, ne na ka munguar mendimi strategjik.
Të mendosh strategjikisht, sot, do të thotë që të mendosh në perspektivë afatgjatë, ku do të jetë Shqipëria në vitin 2050, apo 2100? Po Kosova? Po kombi shqiptar?

Të mendosh strategjikisht, do të thotë se çdo situatë, sado e vështirë të jetë, e ka një zgjidhje. Nëse mbyllet një derë, hapet një tjetër. Duhet të vetëdijësohemi për rolin dhe misionin tonë në hisen e botës që na takon dhe të ecim përpara. Shqiptarët në Ballkan sot janë një faktor me peshë. Ata nuk janë si në vitin 1878, 1912, apo 1990. Çfarëdo zhvillimi që të ndodhë në marrëdhëniet ndërkombëtare, përfshirë atë të kthimit në rivalitetin gjeopolitik midis Fuqive të Mëdha, për të cilin, po flitet,shpesh e më shpesh, shqiptarët do të jenë të kërkuar si një ndër elementët thelbësorë të ekuilibrit të fuqisë rajonale, si dhe për mbajtjen jashtë Ballkanit, të Rusisë. Ballkani është një nyje nevralgjike që lidh Lindjen e Afërt, Afrikën Veriore me Europën. Tërheqja potenciale e SHBA nga ky rajon, në rast se platforma elektorale e Donald Trampit kthehet në program qeveritar, jam i bindur se do të jetë e përkohshmë. Nuk janë ideologjitë, as interesat e çastit, por interesat e ndërsjellë afatgjatë, ato që i bashkojnë shqiptarët me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ashtu siç i bashkojnë me fuqitë e tjera, si Gjermaninë, Italinë, Turqinë etj. Të mendosh strategjikisht do të thotë të mendosh në mënyrë kritike, jo të shkosh gjithmonë pas berihasë. Duket se shqiptarët janë marrë shumë me ideologji e projekte ndërkombëtare, fillimisht me internacionalizmin proletar – komunizmin, tani me neoliberalizmin dhe globalizmin. Ka ardhur koha që edhe ne t’i kthehemi vetes sonë, jo për modë, se kështu po bëjnë edhe të tjerët, por sepse ky është interesi ynë strategjik, jetik për shqiptarët. Ideologjia jonë duhet të jetë ajo e interesave shtetërore dhe kombëtare. Në qoftë se nisemi nga kjo ideologji, gjykoj se skenari më i mirë në situatat e turbullta që po kalojmë, do të ishte ai që bazohet tek vizioni i rilindasve tanë, jo atyre të sajuar nga Edi Rama, por atyre të vërtetë, si Abdyl Frashëri dhe i baballarëve të kombit, si Ismail Qemali, Hasan Prishtina dhe Isë Boletini, për bashkim kombëtar. Jo se ky skenar është i lehtë dhe as se do t’i zgjidhte menjëherë të gjitha problemet. Ai është ndër më të vështirët dhe realizimi i tij do të hasë në kundërshtimin e shumë faktorëve, rajonalë e jashtërajonalë. Por, në masë të madhe, ai varet nga ne, nga puna jonë, nga ajo se sa jemi ne të përgjegjshëm dhe të vendosur. Është e drejta dhe detyra jonë që ta aktualizojmë atë, ta afatizojmë, ta përshtatim me kohën që jetojmë, t’i japim dinamikë dhe perspektivë historike, pra ta bëjmë të realizueshëm. Realizimi i tij do të zgjidhte një problem të madh – nga të gjymtuar, kombin tonë do ta kthente në një organizëm normal, i cili do të përfitonte aftësinë që ka çdo organizëm i shëndoshë për t’u ballafaqur me të gjitha sfidat që i dalin përpara. Sot për sot, fatkeqësisht, kombi ynë ballafaqohet me to si sakat.
Ky është skenari që propozoj unë,- përmbylljen e projektit të Rilindjes Kombëtare, në përshtatje me kushtet e reja që ofron situata e sotme. Të tjerët mund të ofrojnë skenarë të ndryshëm nga ky, por me të njejtin qëllim – t’i paraprijmë situatës, “në rast se”. Uroj që ajo të mos vijë, por “në rast se” vjen e kjo nuk është thjesht hipotetike dhe ne gjendemi të papërgatitur, atëherë ka rrezik që etiketimi “komb i vonuar’, të zëvendësohet me epitafin “komb i dështuar”.

_______________________
Dr.Islam Lauka është Ministër-Këshilltar në diplomaci, doktor i shkencave politike; sekretar i Parë dhe i Ngarkuar me Punë në Ambasaden e Shqipërisë në Moskë (1991-‘96), drejtor i Përgjithshëm në Drejtorinë Rajonale dhe drejtor i Përgjithshëm në Drejtorinë e Organizatave Ndërkombëtare në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë (2005-‘09), ambasador i Shqipërisë në Kosovë (2009-‘14), dekan i Trupit Diplomatik në Prishtinë (2013-‘14), President i Qendres Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike (2003-‘16), drejtor i Institutit Shqiptar të Studimeve Politike (2005-‘16), pedagog i diplomacisë e marrëdhënieve ndërkombëtare në UBT e “FAMA” në Prishtinë.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Dr. Islam Lauka, Koha për, strategjikisht, të menduar

SKENARI RUS I PASIGURISË BALLKANIKE

July 6, 2016 by dgreca

Shkruan: Dr. Islam LAUKA, diplomat/*

Para pak ditësh, në Moskë, mbylli punimet Kongresi i 15-të i Partisë “Rusia e Bashkuar”, e njohur ndryshe si partia e pushtetit, apo partia presidenciale. Ideator, themelues dhe udheheqësi i saj i vërtetë është Presidenti Vladimir Putin. Kongresi miratoi platformën zgjedhore dhe listën e deputetëve të kësaj partie për zgjedhjet parlamentare që do të zhvillohen me 18 shtator 2016.

Kongresi nuk do të tërhiqte vëmendjen, në qoftë se, gjatë punimeve të tij, nuk do të ishte nënshkruar një dokument i titulluar “Deklaratë mbi Bashkëpunimin”. Ky dokument është firmosur nga përfaqësuesit e partive politike nga pesë vende ballkanike, Serbi, Mal i Zi, Bosnje Hercegovinë, Maqedoni, Bullgari. Në emër të Partisë “Rusia e Bashkuar”, ai është firmosur nga Zëvendësekretari i Këshillit të Përgjithshëm të saj, Sergej Zheleznjak, i cili, njëkohësisht, është edhe Zëvendëskryetar i Dumës së Shtetit.

Pasi thekson domosdoshmërinë e kërkimit të zgjidhjeve të përbashkëta, jashtëbllokiste, për problemet e sigurisë ballkanike dhe europiane, Deklarata e sapo nënshkruar, e ofron vetë zgjidhjen për Ballkanin – nëpërmjet krijimit të hapësirës së shteteve të pavarura, neutrale, në këtë rajon. Zëvendëskryetari Zheleznjak, krijimin e kësaj hapësire e formuloi si “Aleanca e Shteteve Neutrale”.

Skenari i ri i Moskës për Ballkanin, duhet parë në lidhje të ngushtë me kontekstin gjeopolitik e gjeostrategjik në rajonin tonë e më gjerë.

Nënshkrimin e protokollit të anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, Moska e ka konsideruar si një hap të drejtuar kundër saj dhe vetë popullit të rajonit tonë. Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Maria Zaharova, vlerëson se anëtarësimi në NATO i republikave ish-Jugosllave, nuk bëhet me vullnet të lirë, por nëpërmjet imponimit, imponim që ajo e lidh me sindromën e Stokholmit, sipas të cilës, viktimat i detyrojnë që të duan xhelatët e tyre (kupto sulmin e NATO-s kundër Jugosllavisë në vitin 1999, I.L.)

Duke qenë kundër Rusisë dhe kundër rajonit, në logjikën e Moskës, politika e zgjerimit të NATO-s nuk duhet të mbesë pa përgjigje dhe më mirë se në vendin e krimit, kjo përgjigje nuk ka se ku të jepet tjeter.

Këtë javë do të mblidhet samiti i NATO-s në Varshavë, ku, midis të tjerash, mendohet se do të diskutohet dhe vendoset për masat, lidhur me politikën e përmbajtjes së Rusisë, pas agresionit të saj në Ukrainë dhe aneksimit të Krimesë, në vitin 2014. Sipas Moskës, një paralajmërim i tipit të “Aleancës së Shteteve Neutrale” në Ballkan, në prag të Samitit të Varshavës, është i domosdoshëm.

Rezultatet e referendumit të Breksitit, tashmë, dihen. Moska nuk dëshiron që t’i ikë nga duart ky çast fatlum, pa e shfrytëzuar mirë, duke thelluar përçarjet brenda BE-së dhe, sidomos, midis kësaj të fundit dhe vendeve ballkanike që synojnë integrimin euroatlantik. Pikërisht në dritën e këtyre zhvillimeve bëhet më e qartë arsyeja e daljes së Moskës me ofertën e re, për sigurinë ballkanike.

Pavarësisht mbështjelljes me të cilën paraqitet, oferta e re e Kremlinit ka si qëllim sigurimin e neutralitetit ushtarak të vendeve të Ballkanit ndaj NATO-s, natyrisht, të atyre vendeve që ende nuk i janë bashkuar kësaj aleance dhe, nga ana tjetër, angazhimin e tyre, mundësisht edhe ushtarak, ndaj Moskës. Që do të thotë përmbysje e balancave të tanishme të sigurisë, duke çuar në destabilitet dhe pasiguri rajonale

“Argumentet” e disa “idiotëve të dobishëm” që minimizojnë rëndësinë e këtij dokumenti dhe pasojat negative që mund të sillte sendërtimi i tij në jetë, nuk qëndrojnë. Sipas tyre, Deklarata është nënshkruar nga secila parti, në baza dypalëshe. Ajo ka karakter ndërpartiak, prandaj nuk kanë vend supozimet për aleancë ndërshtetërore, ose bllok.

Ky argument, mbase, mund të qëndrojë po të bëhej fjalë për parti liberale, në sisteme liberale. “Rusia e Bashkuar” nuk klasifikohet si e tillë, ajo është parti dominuese në Rusi dhe është në pushtet, që nga themelimi i saj, në vitin 2001. Ajo i afrohet më shume partisë që funksionon sipas parimit  “kur themi partia nënkuptojmë Lenini, kur themi Lenini nënkuptojmë Partia”, duke zevëndësuar emrin e Leninit me atë të Putinit. Në uebsajtin zyrtar të kësaj partie shkruhet hapur se “ky projekt ka si qëllim të kthehet ne një doktrinë stategjike dhe, në të ardhmen, të përfshihet…në arkitekturën e re të sigurisë kontinentale”. Po të varej gjithçka nga “Rusia e Bashkuar”, me firmosjen e Deklaratës, do të pasonte dekreti presidencial i Vladimir Putinit për krijimin e “Aleancës së Shteteve Neutrale” në Ballkan.

Partitë nënshkruese nga pesë vendet ballkanike janë, kryesisht, në opozitë, por dy prej tyre, Aleanca e Socialdemokratëve të Pavarur, e udhëhequr nga Presidenti i Republikës Serbe të Bosnjes, Milorad Dodik dhe Partia Progresive e Serbisë, e udhëhequr nga Kryeministri Aleksandër Vuçiç, janë në pushtet. Për këtë të fundit, “Rusia e Bashkuar”, nuk ka dhënë ndonjë njoftim zyrtar, por nënshkrimin e saj e pohon bashkëpunëtorja e Institutit të Sllavikës në Moskë, Elena Guskova, në shkrimin e saj “Lufta e Fshehtë e Rusisë dhe Serbisë”, botuar më 2 korrik 2016. Sipas Guskovës, përfaqësuesi i kësaj partie, Marko Gjuriç, pjesëmarrës në Kongres së bashku me Zëvendëskryetaren e Partisë, Maria Obradoviç, e ka justifikuar nënshkrimin e Deklaratës me “politikën e balancuar” të Kryeministrit Vuçiç.

Megjithatë, kjo politikë e balancuar nuk e ka penguar Beogradin zyrtar të pranojë ndërtimin në Nish të një baze ushtarake ruse dhe të lërë të hapur mundësinë e ndërtimit të një tjetre në Zrenjanin; të marrë pjesë si vëzhgues në Asamblenë Parlamentare të Traktatit të Sigurisë Kolektive, bllok i krijuar dhe dominuar nga Moska në hapësirën ish-sovjetike; të marrë pjesë në stërvitje të përbashkëta me trupat ruse në Serbi, në Rusi, ose në rajone të tjera të ndjeshme, nga pikëpamja e sigurisë.

Nga ana tjetër, siç deklaroi Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov, Serbia e ka garantuar Moskën, se nuk do të marrë pjesë në veprimtaritë e NATO-s që prekin interesat e Rusisë.Deklarata përmban edhe elementë të tjerë, si nevojën e bashkëpunimit të vendeve ballkanike me Bashkimin Ekonomik Euroaziatik, si alternativë ndaj integrimit europian, si dhe bashkëpunimin për mbrojtjen e objekteve të kultit të fesë së krishterë.

Elena Guskova, në shkrimin e lartpërmendur, i shton “Aleancës së Shteteve Neutrale” edhe përmasën fetare. Ajo e cilëson atë si hapin e parë në rrugën e zgjerimit të bashkëveprimit të shumëanshëm midis Rusisë dhe vendeve ortodokse të Ballkanit në të gjitha sferat: ekonomiko-tregtare, financiare, energjetike, kulturore e shkencore.

Në bazë të njoftimit zyrtar të Partisë “Rusia e Bashkuar”, gjatë qëndrimit në Moskë të partive nga pesë vendet ballkanike, u diskutua edhe rreth teknologjisë së “portokallinjtë”, “ndryshimit të regjimeve pa dhunë” që, sipas kësaj partie, kërcënon hapësirën ish-jugosllave, duke patur si qëllim destabilizimin e situatës politiko-shoqërore në Serbi, në Republikën Serbe të Bosnjes dhe Maqedoni. Zëvendëssekretari i Këshillit të Përgjithshem të kësaj Partie, S. Zheleznjak i klasifikoi protestat e fundit në Beograd, Banja Llukë dhe Shkup si operacione që zhvillohen nga forca të huaja dhe ofroi “përvojën e suksesshme” ruse kundër ndërhyrjeve të tilla në punët e brendshme të shteteve, në mënyrë të veçantë, përvojën e vendeve të tij, pas vitit 2012, me ndalimin e shumë OJQ-ve të financuara nga jashtë, të klasifikuara nga Moska si “agjentë të ndikimit”.

Të gjitha të dhënat dëshmojnë që, kohët e fundit, politika ballkanike e Rusisë ka shënuar një shkallë të re të aktivizimit të saj. Ky fakt është pranuar, tashmë, gjerësisht, nga politologë, analistë dhe ekspertë, brenda e jashtë rajonit tonë. Në një shkrim të botuar para pak ditësh në sajtin e revistës beogradase “NIN”, me titull “Lufta e fshehtë e Rusisë në Serbi. Sulmi politik, agjenturor dhe propagandistik i Moskës”, Tania Nikoliç thekson se Rusia po fiton në betejën që ajo po zhvillon me Perëndimin, lidhur me Serbinë dhe sjell si dëshmi të kësaj teze rritjen e simpatisë së serbëve ndaj Moskës, deri në masën 70%. Në një shkrim tjetër, me titull “A po e fiton Rusia betejën për mendjet dhe zemrat e Ballkanit Perëndimor?”, Robert Lexher, pohon të njëjtën gjë – rritjen e ndikimit rus në Ballkan, duke kombinuar ”fuqinë e butë” me “fuqinë e fortë”. Një tjetër studiues, Jasmin Mujanoviç, në shkrimin me titull, “Duke humbur Ballkanin në Paris”, ngre shqetësimin e rrezikut të nënvlerësimit të ndikimit rus në Ballkan, duke theksuar se Moska nuk bën thjeshtë “spoilerin” (prishësin) në rajonin tonë, por në rivalitet të ashpër gjeopolitik me Bashkimin Europian dhe NATO-n, lufton për rikthimin e saj në Ballkan.

Dalja e Moskës me skenarin e “Aleances së Shteteve Neutrale” është pjesë e këtyre perpjekjeve për rikthimin në Ballkan dhe për minimin e pozitave të NATO-s dhe BE-së në këtë rajon.

Duke patur parasysh dinamikën e kësaj politike dhe trajektoren në rritje të ndikimit rus, gjykoj se ka ardhur koha që Brukseli të shkundet nga apatia dhe, nëse nuk dëshiron që pas Breksitit, t’i rrëshqasë nga duart, jo një vend, por një rajon i tërë, të merret më seriozisht me problematikën ballkanike.

Institucionet europiane duhet ta dinë që nuk mund të vazhdohet pafundësisht me shtampat “shumë është bërë, mbetet ende shumë për të bërë”. Gjërat duhet të thuhen me emrin e tyre të vërtetë.

E njëjta gjë vlen edhe për Aleancën e Atlantikut të Veriut. Në Samitin e Varshavës, NATO duhet ta pranojë që shpallja e “Partneritetit Strategjik” me Rusinë, në vitin 2010, në Lisbonë, ishte gabim strategjik dhe sot, pas 6 vjetësh ky prioritet nuk është gjë tjetër veç gërmadhë e iluzioneve të humbura perëndimore ndaj Rusisë. Në vend të Partneritetit Strategjik me Rusinë, doktrina e re e NATO-s, me siguri, do të ofrojë masat e kësaj organizate për të përmbajtur orekset në rritje të Rusisë, sidomos në drejtim të Balltikut, të Europës Qëndrore dhe Juglindore. Tashmë, është e qartë se, në qoftë se mund të flitet për marrëdhënie midis NATO-s dhe Rusisë, ato duhet të jenë selektive dhe situative, në fusha ku mendohet që bashkëpunimi është i domosdoshëm dhe me interes të ndërsjelltë.

Sa i takon Ballkanit, duhet të vazhdojë politika e dyerve të hapura për anëtarësimin në NATO dhe, në këtë kontekst, të përfshihet edhe Kosova në Partneritetin për Paqe.

Zyrtarët e BE-së duhet ta kuptojnë se, dashje pa dashje, ata po bëhen palë me klasat e korruptuara politike në Ballkan, për zgjatjen e jetës së tyre në pushtet, duke u hedhur hi në sy popujve, me takime e samite, pafund, duke krijuar përshtypjen e rreme se Ballkani është në axhendën e integrimeve, ndërkohë që rezultatet janë minimale, ose inekzistente.

Është e pajustifikueshme që, me vite të tëra, të zvarritet proçesi i liberalizimit të vizave me Kosovën, duke kërkuar pretekste nga më bajatet, si pajisja me zyrë e këtij apo atij funksionari shtetëror, me qëllim vonimin ose bllokimin e këtij proçesi. Pa folur për mungesën e njohjes së Kosovës si shtet i pavarur e sovran nga 5 shtete anëtare të BE-se.

Së fundi, kur thuhet që integrimi në BE, bëhet mbi baza individuale, do ishte mirë që ky kriter të përfshijë edhe besnikërinë dhe angazhimin individual të shteteve ndaj politikës së Bashkimit Europian, lidhur me Rusinë.

*[1] Autori është President i Qëndres Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike, ish ambasador i Shqipërisë në Kosovë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Dr. Islam Lauka, i pasigurise, ne Ballkan, Skenari rus

BREKSIT APO BREKSIK?

July 2, 2016 by dgreca

Nga Dr. Islam Lauka/*

Termi breksik të vjen në mendje kur lexon analizat e “ekspertëve” shqiptarë mbi Breksitin. Është kombinim i fjalës “Breksit” me atë “eksik”. Kjo e fundit në kuptimin “i, e mangët”, për shembull eksik në mend, e la sëmundja eksik, etj. Me ndonjë përjashtim të rrallë, autorët e këtyre analizave marrin guximin të etiketojnë zgjedhësit britanikë si izolacionistë, irracionalë, budallenj.

Zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Niko Peleshi, në një artikull të tij, shkruajti të zezë mbi të bardhë se “Breksiti ishte një dështim i racionales, përballë iracionales, të arsyeshmes, përballë të paarsyeshmes”. Ai nuk e thotë përse i përdor dy çifte fjalësh me të njëjtin kuptim, racionale-e arsyeshme; iracionale-e paarsyeshme, dy fjalë shqip e dy të huaja, mbase, i duket se kështu shfryn më mirë mllefin e tij ndaj britanikëve të paarsyeshëm. Më tej, ai shkruan se Breksiti “ishte produkt i një çorodie sociale që i bënte të pavlerë të gjithë argumentet pro qëndrimit.

Me një lehtësi të habitshme, “ekspertëte divanit”, në Shqipëri, të gjitha përgjegjësitë i  shkarkojnë tek populli britanik, duke  e nxjerrë të larë BE-në dhe eurokratët e Brukselit. Skllavë të skemave bardh e zi, ata nuk e shtrojnë, pa lëre më t`i përgjigjen pyetjes, përse, sa herë që merret mendimi i popullit, pra sa herë që organizohen referendume, si rregull, vota popullore shkon kundër elitave teknokratike të Brukselit? A mos ka njëfarë tëhuajsimi të  tyre nga populli, nga hallet dhe shqetësimet e tyre? A mos vetë projekti europian ka nevojë, jo për ndërhyrje kozmetike, por më radikale, për ta bërë atë më të afërt me njerëzit, me popujt dhe specifikat e tyre?

Në rolin e kasandrave,“ekspertët” tanë parashikojnë gjithfarë skenarësh të zi, thelbi i të cilëve mund të përmblidhet  në idenë fikse të tyre se, me daljen nga Bashkimi Europian, Britania e Madhe, në të vërtetë, del nga historia.

Ende pa dalë mirë rezultatet e Breksitit, Kryeministri Edi Rama, i frymëzuar nga “sukseset” e tij mbresëlënëse si krijues i “mbërrimë”, përfshirë dizajnimin e fanellës së kombëtares së futbollit, në shkrimin e tij, “Britania, Bashkimi Europian, Shqipëria”, botuar me 24 qershor 2016, tashmë, si politolog, dizajnoi të ardhmen  e kontinentit dhe të krejt planetit, duke i qarë hallin Londrës se, pas Breksitit, ajo nuk doli as më e fortë, as më e qartë.

Në kurthin e analizave ideologjike, skematike dhe të thjeshtëzuara, ranë jo vetëm ata që pretendojnë se i dinë të gjitha dhe janë kompetentë për gjithçka, siç hiqen politikanët tanë , por edhe analistë që, prej kohësh, njihen si ekspertë në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Duke zgjedhur izolacionizmin, thekson njëri prej këtyre analistëve, Britania e Madhe do të ketë statusin e njëjtë me atë të shteteve europiane, që nuk janë anëtare të BE-së. Në këtë logjikë, ai parashikon se jashtë Bashkimit Europian, Britania e Madhe do të jetë më e dobët përballë Rusisë në marrëdhëniet dypalëshe.

E pakta që mund të thuhet është se të dyja këto teza, janë shumë të diskutueshme, për të mos thënë të paqëndrueshme.  Britania e Madhe, vërtet, nuk është Perandoria e dikurshme, megjithatë, edhe sot ajo mbetet një ndër fuqitë e mëdha. Është fuqi bërthamore, anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit, themeluese  dhe një ndër shtyllat e Aleancës së Atlantikut të Veriut (një nga pesë vendet e NATO-s që shpenzon mbi 2% të GDP-së për mbrojtjen). Ajo është ekonomia e katërt në botë, GDP e saj përbën dyfishin e asaj të Rusisë. Eshtë pjesë e Komonuelthit, ku bëjnë pjesë 53 shtete, simbol i të cilit është Mbretëresha Elisabeta e Dytë.

Statusi i një fuqie të tillë, nuk mund të konsiderohet i njëjtë me atë të shteteve të tjera, jashtë BE-së, si Shqipëria, Maqedonia, apo edhe Zvicra. Për shkak të potencialit të saj, Bashkimi Europian ia ka nevojën Britanisë së Madhe, ashtu si Londra ka nevojë për Brukselin. Breksiti nuk duhet kuptuar si shkëputje e plotë e Britanisë nga Europa. Më shumë, ai shtron nevojën e një marrëveshjeje të re midis tyre.

E paqëndrueshme duket edhe teza për raportet e ardhshme midis Britanisë së Madhe dhe Rusisë. Historikisht, politika britanike ndaj Rusisë u është nënshtruar dy parimeve kryesore: Britania e Madhe nuk ka miq as armiq të përjetshëm, ajo ka interesa të përjetshme dhe moslejimi i ndonjë fuqie tjetër që të dominojë Europën kontinentale. Në varësi të tyre, sipas rastit, Britania e Madhe ka luftuar, por edhe ka bërë aleancë me Rusinë. Në shekullin e XIX-të ajo kryesoi koalicionin që çoi në kapitullimin e Rusisë në  luftën e Krimesë (1853-1856) dhe ishte në rivalitet të ashpër gjeoplolitik me të, lidhur me Lindjen e Largët dhe Azinë Qëndrore.  Në gjysmën e parë të shekullit të XX-të, në të dy luftërat botërore, ishte aleate me të.

Pas anëtarësimit në NATO dhe, më vonë, në BE, politika e jashtme britanike, si rregull, ka ndjekur politikat dhe strategjitë e këtyre dy organizatave, por pa harruar identitetin dhe specifikat e veta.

 

Është fakt i njohur se brenda BE-së, Londra ka qenë midis kryeqyteteve më aktive për ashpërsimin e qëndrimit ndaj Rusisë, që nga ndërhyrja e kësaj të fundit në Gjeorgji në vitin 2008 dhe aneksimi i Krimesë në vitin 2014. Burokracia e Brukselit, krahasuar me qëndrimin  e Londrës, ka qenë shumë më e ngadaltë, më apatike, dhe përgjithësisht, më e butë ndaj Moskës. E “çliruar’ nga proçedurat e ngurta të Brukselit, mbase, politika dhe diplomacia britanike, mund të jenë më efektive në raportet me Moskën.

 

Megjithatë, Londra dhe kryeqytete të tjera europiane, janë të ndërgjegjshme se pa SHBA, qëndresa e tyre ndaj Moskës është iluzion. Konsolidimi i NATO-s, nënshkrimi i Partneritetit Atlantik për Tregëti dhe Investim, si dhe forcimi i bashkëpunimit të gjithanshëm me SHBA, janë rruga e vetme që garanton suksesin në përmbajtjen e ambicieve shoviniste të fuqisë së ripërtërirë ruse. Sa u takon mësimeve që nxirren nga Breksiti, përgjithësisht, “ekspertët” tanë, duke satanizuar Britaninë e Madhe, përsërisin përfundimin se për Shqipërinë, integrimi europian, nuk ka alternativë. Kjo është mantra që e dëgjojmë çdo ditë, tash 25 vjet. Ky përcaktim, mendohet se është bërë në bazë të një analize shumëplanëshe e shumënivelëshe dhe Breksiti, vështirë se i shton atij ndonjë element të ri.

Në gjykimin tim, ajo që duhet të mësojmë nga Breksiti është: së pari, dakort në parim, për integrimin e Shqipërisë në BE, por duke vënë në plan të parë interesat tona kombëtare e shtetërore. Për vlera flasin edhe britanikët, por për të vepruar, ata nisen nga interesat  e tyre. Ata nuk ia kanë dhënë as nuk ia japin besën kujt tjetër, veç vendit të tyre. Ne që nisemi nga “vlerat” dhe që herë ia kemi dhënë besën “babës së vatanit” (Sulltanit), herë “babait të popujve” (Stalinit) deri edhe Mao Ce Dunit  në Lindjen e Largët, dihet ku kemi përfunduar. Së dyti, britanikët, me gjasë, janë të çliruar nga  gjuha dhe mendimi i dyfishtë, pavarësisht se Xhorxh Oruelli, që i trajtoi këto nocione, në librin e tij “Viti 1984”, i përket këtij populli. Ata thonë dhe mbrojnë atë që mendojnë. Ata votojnë për atë ide që e kanë për zemër. Duket se për ta është jonormale që të votojnë për një ide dhe në praktikë të zbatojnë një tjetër, siç bëjnë shumë prej nesh, por sidomos politikanët tanë. Së fundi, duke qenë një popull i lië dhe i civilizuar, britanikët votuan, jo siç u thanë të tjerët, përfshirë edhe Presidentin Amerikan, Barak Obama, por, siç e gjykuan dhe e ndjenë ata vetë.

Mundet që zgjedhja e tyre të rezultojë e gabuar. Këtë askush nuk mund ta dijë tani, bile as politikanët dhe ekspertët tanë që bëjnë kasandrën. Vetëm e ardhmja do ta dëshmojë. Por edhe kur gabon, populli i pjekur di të sillet me dinjitet. Dhe me dinjitet di të korrigjohet, pa u kapur me thonj e me dhëmbë pas zgjedhjes së bërë, qoftë edhe me referendum, duke respektuar kështu, në radhë të parë, vetveten. Sepse britanikët e dinë mirë se çmimi të cilin popujt i vënë vetes, është çmimi që respektojnë edhe të tjerët.

*Dr. Islam Lauka/*, diplomat, pedagog,President i Qëndres Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike

Filed Under: Analiza Tagged With: BREKSIT APO BREKSIK?, Dr. Islam Lauka

“RRUGA” GREKE DHE QORRSOKAKU SHQIPTAR

June 9, 2016 by dgreca

 -Analizë lidhur me vizitën e këtyre ditëve të Ministrit të Jashtëm të Greqisë në Shqipëri/
Dr. Islam LAUKA/
Ish Drejtor i Përgjithshëm në Drejtorinë e Organizatave Ndërkombëtare në MPJ të Shqipërisë, Ish ambasador i Shqipërisë në Kosovë./
Vizita dyditore e Ministrit te Jashtëm të Greqisë, Nikos Kotzias, në Shqipëri, u përmbyll. Nuk mund të pretendohet që një vizitë e këtij niveli t’i japë zgjidhje gjithë problematikës së marrëdhënieve dypalëshe midis Shqipërisë dhe Greqisë, të grumbulluar ndër vite. Megjithatë, nuk mund të mos shtrohet pyetja se çfarë u arrit konkretisht gjatë këtyre dy ditëve, a u zgjidh ndonjë prej problemeve të mbetura pezull, ose të paktën, a pati lëvizje në ndonjë prej tyre?
    Në konferencën e shtypit, të dy ministrat folën për “paketë zgjidhjesh të problemeve dypalëshe”. Ministri Bushati shkoi edhe më tej, duke përmendur krijimin e “mekanizmave të përbashkët” të zgjidhjes së tyre, pa e sqaruar se çfare përfaqësojnë këto mekanizma. Në mënyrë të veçantë, ai u ndal tek “harta e rrugës” që, duket, se ai e mendon si instrumentin çudibërës për t’u dhënë fund problemeve në marrëdhëniet midis dy vendeve tona.
     Politikanë e analistë pro qeverisë u shprehën të entuziasmuar se “për herë të parë, Shqipëria u paraqit para palës greke me dosje të plotë”. Të habitur edhe vetë më “guximin” që “ia zbrazën grekut të gjitha në tavolinë”, drejtuesit tanë të politikës e të diplomacisë filluan të zihen me njëri tjetrin se kush ishte i pari që ia “zbrazi problemet grekut”, jo vetëm në Tiranë, por edhe në mes të Athinës, jo vetëm sot, por që para 15-20 vitesh.
Ndërkohë, “patatet e nxehta” midis dy vendeve tona, pavarësisht “trimërisë dhe mençurisë” së drejtuesve tanë të lartë shtetërorë, mbetën siç kanë qenë, pa u ftohur. Pas 76 vjetësh, Athina zyrtare ende mban në fuqi ligjin absurd të luftës me Shqipërinë. Camët nuk mund të lëvizin lirisht për të shkuar në trojet e tyre autoktone, në Greqi. Po përfundon afati 20 vjeçar i Traktatit të Miqësisë dhe Bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Greqisë dhe komisionet e parashikuara për çështjet e pronësisë, për ujërat kufitare, për arsimin etj. ose nuk u ngritën fare, ose edhe ato që u ngritën, nuk funksionuan kurrë.
Tani, Ministri ynë i Jashtëm, Ditmir Bushati, na ofron çelësin magjik të “hartës së rrugës”. Në fakt, ky çelës, nuk është i panjohur. Është përdorur, tash 60 e sa vjet, në konfliktin midis Palestinës dhe Izraelit, por pa sukses. Ka 25 vjet që Athina po e përdor për të gjetur zgjidhjen e problemit të emrit me Maqedoninë, përsëri pa sukses. Në vitin 2007, Moska zyrtare e pati ofruar çelësin e ndryshkur të “hartës së rrugës” si alternativë ndaj pavarësisë së Kosovës.
Në të gjitha këto raste, “harta e rrugës” është sinonim i qorrsokakut, i bllokimit apo zvarritjes pa fund të zgjidhjes së problemeve. Në rastin e marrëdhënieve shqiptaro – greke, qorrsokaku është për palën shqiptare, sepse Greqia ka vazhduar e vazhdon në “rrugën” e vet, në mbrojtje të interesave të saj, kombëtare e shtetërore. Siç i mbron çdo shtet serioz.
Në takimin që pati me drejtuesit me të lartë shtetërorë, por edhe me opozitën, Ministrit Kotzias i’u kërkua me “guxim” që “t’i adresojmë çështjet dypalëshe pa paragjykime” dhe që midis Shqipërisë e Greqisë “të rriten raportet e besimit”. Sikur ligji i luftës ekzistuaka, tash 76 vjet, për shkak të paragjykimeve greke ndaj Shqipërisë, apo të mungesës së raporteve të besimit midis dy vendeve tona!!!
Përtej këtyrë hamendjeve naive, duhet kuptuar që, nga ana e Athinës, ligji i luftës nuk mbahet kot në fuqi. Ekziston një interes i qartë dhe tejet i rëndësishëm politik dhe ekonomik, i Greqisë për të mos e hequr atë. Ky interes ka të bëjë me sekuestron konservative mbi pronat e shqiptarëve çamë në Greqi, që kapin shifrën e rreth 10 miliardëve euro; me mohimin e të drejtave e lirive themelore të çamëve, individuale dhe kolektive, si grup etnik, midis të cilave edhe atë për t’u kthyer në trojet e tyre në Greqi.
   Interesi ynë shtetëror, ekonomik dhe politik, jo vetëm nuk përputhet me atë grek, por është në kundërshtim me të. Kjo është e vërteta dhe ajo u duhet thënë hapur grekëve. Me eufemizma nuk mund të mbrohen interesat kombëtare dhe shtetërore. Ministri Kotzias nuk iu referua ndonjë eufemizmi, kur në takimin me studentët e Universitetit të Tiranës, deklaroi se rruga e Shqipërisë për në BE kalon nga Athina dhe se nuk duhen nënvlerësuar mundësitë dhe intrumentet që, ende, i disponon Greqia. Përse Athina paska të drejtë t’i mbrojë interesat e veta, kurse ne nuk paskemi të drejtë t’i mbrojmë interesat tona? Nuk paska Shqipëria asnjë mundësi apo instrument që ta shfrytëzojë në favor të interesave të veta? Natyrisht që ka. Midis të tjerash, e drejta ndërkombetare dhe praktika e saj janë në anën tonë. Por instrumenti ynë kryesor është çlirimi nga ndjenja e inferioritetit ndaj Athinës, jo me fjalë, por me vepra.
Në këtë kuadër, duket se është i pamjaftueshëm “guximi” për “t’ua zbrazur grekëve në tavolinë problematikën e marrëdhënieve tona”. Është e domosdoshme që të jemi të vendosur në veprime. Në kushtet kur Traktatit të mëparshëm të Miqësise dhë Bashkëpunimit po i përfundon afati, ripërtëritja e tij ose nënshkrimi i një traktati të ri, nuk duhet bërë, pa vënë kushtet tona, të cilat duhet të jenë konkrete dhe të formuluara qartë – heqjen e ligjit të luftës dhe shfuqizimin e të gjitha akteve ligjore e normative që kanë rrjedhur prej tij; njohjen e cështjes çame si çështje e pazgjidhur e një grupi etnik, e krijuar si pasojë e dëbimit kolektiv të popullsisë shqiptare nga trojet e veta në Greqi, mbi bazën e akuzave të fabrikuara për “bashkëpunim më fashizmin”.
     Jashtë këtij qëndrimi, ka rrezik që dy vendet tona të përsërisin historinë – Greqia të vazhdojë në “rrugën” e mbrojtjes pa kompromis të interesave të saj, ndërsa Shqipëria, ashtu si deri më tani, në qorrsokakun e vet.

Filed Under: Analiza Tagged With: “RRUGA” GREKE DHE, Dr. Islam Lauka, QORRSOKAKU SHQIPTAR

NDJEHEMI TË KËRCËNUAR,SEPSE PO KËRCËNOHET VALBONA

May 9, 2016 by dgreca

Nga Dr. Islam LAUKA – diplomat, analist/*

Ne jemi sot këtu, sepse ndjehemi të kërcënuar. Ndjehemi të kërcënuar, sepse po kërcënohet Valbona, që është pjesë e pandarë e identitetit tonë. E dimë dhe e njohim autorin e kërcënimit. Sepse ai ka dalë hapur, pa maska, ditën për diell. Është shteti ynë, ai që e ka për detyrë ta mbrojë si Park Kombëtar, që vetë e ka shpallur, para 20 vjetësh.

Me vendimet e Qeverisë për ndërtimin e disa hidrocentraleve në Luginën e Valbonës, duke shkelur rëndë të drejten mjedisore, kombëtare dhe ndërkombëtare, shteti ynë ështe futur në konflikt të dyfishtë – me natyrën dhe me njeriun.

Por ne, si qytetarë të lirë dhe të përgjegjshëm, nuk do të lejojmë që të prangoset liria e Valbonës me zinxhirin e hidrocentraleve.

Në qoftë se shteti ynë ka vendosur të bëjë shurdhin ndaj kësaj masakre mjedisore,  ne refuzojmë të sillemi si ai dhe përpiqemi t’i dëgjojmë thirrjet e natyrës dhe të njerëzve për ndihmë.

Në qoftë se shteti ynë ka vendosur të bëjë qorrin, ne refuzojmë të sillemi si ai dhe përpiqermi të shohim sa më qartë krimin që po i kanoset Valbonës dhe njerëzve të saj.

Në qoftë se shteti ynë ka vendosur të bëjë memecin, ne refuzojmë të sillemi si ai dhe përpiqemi që thirrjeve për ndihmë të natyrës dhe të njerëzve t’u japim zë nga zëri ynë.

Në qoftë se shteti ynë ka vendosur të jetë i pandjeshëm dhe i pashpirtë ndaj këtyre thirrjeve, ne refuzojmë të sillemi si ai dhe përpiqemi të kuptojmë me mendje e të ndjejmë me zemër lutjet e natyrës dhe njerëzve për ndihmë.

“Ndihmë”, thërrasin bimët dhe kafshët endemike të Luginës së Valbonës. – “Ju lutemi, mos na pakësoni ujin dhe oksigjenin, sepse edhe kështu jemi në rrezik kritik për jetën.”

“Ndihmë”, thërret Gryka e Dragobisë. “Ju lutem, mos ma copëtoni shtatin e Valbonës, sepse ma hiqni freskinë e gjelbërimin dhe ma sillni shkretimin.”

“Ndihmë”, thërrasin njerëzit që e kanë lidhur jetën e dekën me Luginën e Valbonës.

“Ndihmë”, thërrasin zanat, heronjtë e Eposit të Kreshnikëve, mitet e legjendad. – “Ju lutemi, mos na e prekni vendlindjen tonë, sepse nuk kemi ku shkojmë.”

Ne jemi sot këtu, në përgjigje të këtyre thirrjeve, të gatshëm për të ndihmuar dhe për të sakrifikuar.

E dimë që e kemi shumë të vështire, sepse përballë kemi shtetin. Por frikë nuk kemi.

Nga kjo urë, ne i kërkojmë shtetit:

Së pari, transparencë të plotë për vendimet e Këshillit të Ministrave, sa hidrocentrale janë planifikuar të ndërtohen të Valbonë dhe sa leje mjedisore janë dhënë.

Së dyti, të pezullohet menjëherë realizimi i projektit për ndërtimin e hidrocentraleve.Së treti, të organizohet një referendum lokal në Tropojë, lidhur me ndërtimin e hidrocentraleve dhe, në rast se populli me vullnetin e tij të lirë shprehet kundër ndërtimit të tyre, atëherë të shfuqizohen menjëherë vendimet e qeverisë për këtë projekt.

Nga lartësitë e kësaj ure, ne u bëjmë thirrje intelektualëve të mbarë trojeve shqiptare, grupeve të interesit, shoqërisë civile dhe, sidomos, rinisë: bashkohuni me ne, në një bllok unik, në mbrojtje të margaritarit të kurorës së Bjeshkëve te Bekueme – Valbonës sonë të bukur dhe të lirë!

Valbonë, 8 maj 2016

*Fjala e mbajtur diten e dielë, më 8 maj 2016, (në “Uren e t’Shtrejtit”) në Tubimin Ndërkombëtar për Mbrojtjen e Valbonës.

Filed Under: Analiza Tagged With: Dr. Islam Lauka, NDJEHEMI TË KËRCËNUAR, SEPSE PO KËRCËNOHET VALBONA

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT