• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Hillary Clinton në ngjitjen drejt fitores, Po skenari i “revolucionarit” Sanders?

April 20, 2016 by dgreca

Me fitoren e qartë në votimet paraprake në Nju Jork Clinton mund të jetë e sigurtë për mominimin nga demokratët. Tek republikanët ende gjithçka mbetet e mundshme – pavarësisht fitores së Trump-it. Ines Pohl komenton.

Ka vetëm një suprizë në këtë mbrëmje elektorale në shtetin e Nju Jorkut: Eshtë ndjenja e çlirimit tek ekipi i Hillary Clinton-it. Në fillim të zgjedhjeve paraprake askush nuk e kishte menduar, se do t’i duhej ndonjëherë të vihej në pikëpyetje, nëse senatorja për shumë vite e “shtetit të tyre” do të fitojë bindshëm ose jo. Por këtë vit askush nuk mund të jetë i sigurtë. Madje as një ish-First Lady.

Nëse në fitoren ndaj Bernie Sanders diferenca do të ishte dukshëm nën dhjetë përqind, atëherë do të dëmtohej rëndë imazhi i fitimtares gjithsesi i cënuar i ish-ministres së Jashtme. Asaj i duhej të fitonte me difernecë bindëse votash në shtetin, që ajo e quan atdheun e saj. Në radhë të parë kjo është e rëndësishme për atmosferën në radhët e përkrahësve të saj. Ndonëse edhe në zgjedhjet që kanë paraprirë më shumë kanë votuar për Clinton se sa për konkurentin e saj, fitoret e shumta të vogla të të vetëshpallurit socialist Bernie kanë pasur efekt. Shumë përkrahës të Clinton-it dukeshin të lodhur dhe të zhgënjyer. Në biseda të drejtpërdrejta ata thonin, se po u kujtohen zgjedhjet e vitit 2008, kur papritur i panjohuri Barack Obama arriti atë që dukej e pamundur dhe tek e fundit fitoi kundrejt perandorisë Clinton. Nëse Sanders me imazhin e tij të revolucionarit dhe me shumë përkrahës të rinj do t’ia dalë të përsëritet i njëjti skenar?

Shumë energji

Në hotelin Sheraton, ku simpatizantët e Clinton-it brohorisnin kandidaten e tyre, ishte e prekshme ndjenja e çlirimit qysh në publikimin e prognozave të para bindëse. Në këtë mjedis u çlirua energji si asnjëherë tjetër. Sepse të gjithë e dinin, që Nju Jorku do të shërbejë si provë lakmusi. Nëse Clinton nuk do t’ia dilte këtu me një fitore bindëse, për të do të vështirësohej situata në zgjedhjet presidenciale në nëntor. Pavarësisht se cili do të ishte sfidanti i saj.

Konform kësaj Clinton u shrpehu personalisht mirënjohjen simpatizantëve të saj dhe në dukje e çliruar ajo u bë një me masën. Shumë, shumë gra iu hodhën në qafë asaj gjatë fjalës së falenderimit e po aq shumë ishin që fshinin lotët e gëzimit. Hillary Clinton jo vetëm që është kthyer në skenë, por ajo është e pranishme. Me këtë impuls nga Nju Jorku asgjë nuk do të mund ta ndalë atë në rrugën për nominimin si kandidate e demokratëve për garën presidenciale.

Republikanët në krizë ekszitenciale

Tek republikanët analiza rezulton e paqartë. Ndonëse Donald Trump fitoi bindshëm, edhe pas këtyre zgjedhjeve paraprake nuk është e qartë, se si do të veprojë partia e tij me kandidatët në kongresin e partisë. Ashtu si edhe gjatë javëve të mëparshme sërish vlen motoja: pas zgjedhjeve ndodhemi para zgjedhjeve. Vetëm një gjë dihet saktë: nga 18 deri më 21 korrik në Cleveland/Ohio zhvillohet kongresi i republikanëve. Të deleguarit aty duhet të pozicionohen qartë, nëse do të pranojnë vendimin e shumicës së zgjedhësve – apo me prezantimin e një kandidati të ri do ta çojnë partinë drejt një krize ekzistenciale.

Hillary Clinton e di këtë dilemë. Pas fitores në Nju Jork asaj nuk i duhet më që të fokusohet tek kundërshtari brenda radhëve të veta, por mund të nisë fushatën kundër republikanëve. E diskutueshme siç është ajo, tani ka ardhur koha edhe për këtë.(Ines Pohl)

Filed Under: Komente Tagged With: Drejt fitores, Hillary Clinton, në ngjitjen, po sanders

DREJTË FITORES ME KEN BIBERAJ

September 2, 2013 by dgreca

NGA FRANK SHKRELI/

Ne Foto: Ken Biberaj me autorin, me rastin e hapjes së fushatës së tij, Mars, 2012/

Po afrohet 10 Shtatori, 2013.  Kjo është dita e zgjedhjeve paraprake në qytetin e New Yorkut, ku shqiptaro-amerikani Ken Biberaj përballet me 6 kandidatë të tjerë të Partisë Demokrate në New York për të siguruar zgjedhjen nga votuesit e kësaj partie kandidat për  anëtar të Këshillit të qytetit të New Yorkut.   Ken Biberaj është tani i njohur mirë nga komuniteti shqiptaro-amerikan dhe më gjërë, por edhe nga banorët e Lagjës së Epërme Perëndimore të qytetit të madh të New Yorkut, falë një fushate të organizuar shumë mirë, pothuaj me një përpikmëri të     përsosur, megjithëse këjo është hera e parë që Ken Biberaj zhvillon një fushatë për një kandidaturë politike.   Por megjithkëtë, Ken Biberaj nuk është fillestar as i panjohur i procesit elektoral të Amerikës, pasi ai ka shërbyer  si Drejtor politik  në fushatën për president të Senatorit Xhon Kerri, tani Sekretar Amerikan i Shtetit, në vitin 2004 dhe ka punuar për Fondacionin e presidentit Klinton.  Ai ka studjuar në Universitetin Amerikan në Uashington, në Universitetin Harvard dhe në Universitetin e New Yorkut.   Keni, pra në një moshë të re, ka arritur të ketë një  përvojë të pashoqe politike, akademike dhe të një biznesmeni me përvojë, që e kualifikon atë të bëhet një anëtar i suksesshëm  i Këshillit të qytetit të New Yorkut.  Për një vit e gjysëm, Ken Biberaj ka zhvilluar një fushtatë fillestare mbresëlënse, në përpjekje për të bindur banorët e zonës bashkiake numër 6 të Zonës së Epërme Perendimore të Manhatanit, se ai është kandidati më i përshtatshëm, më energjik dhe njëherazi kandidati më i mirë që ofron zgjidhje reale për problemet e zonës ku ai jeton. Si banor i asaj zone, ai ka theksuar gjatë fushatës se është njohës i mirë i problemeve me të cilat përballen familjet e asaj zone e cila, sipas tij, po ndryshon me një tempo të shpejtë.  Gjatë fushatës së gjatë, ai u ka bërë thirrje bashkqytetarve të vet që  të votojnë kandidaturën e tij në mbështetje të familjeve dhe tregtive të vogëla.
Keni i dha një energji të re fushatës për Këshillin e qytetit të New Yorkut.  Gjatë takimeve para zgjedhore me banorët e kësaj lagje, kandidati Ken Biberaj ka theksuar, ndër të tjera, tre arsyet e tija kryesore se pse ai dëshiron të zgjidhet anëtar i Këshillit të New Yorkut: për të përkrahur cilësinë e jetesës për të gjithë në Lagjën e Epërme të Manhatanit, për të  bërë të mundur investime të reja për zhvillimin e komunitetit në të ardhmen dhe për të mbështetur vlerat e zonës, të cilën ai dëshiron ta përfaqësojë në Këshillin e qytetit të New Yorkut prej pothuaj 10-milion banorësh.  Bazuar në   përvojën e tij politike, akademike dhe tregtare, Ken Biberaj  është kandidati më i mirë dhe më entuziast që, ashtu siç bëri gjatë fushatës,  do të sjellë energji, ide dhe përspektiva  të reja në udhëheqjen e këtij metropoli botëror.
Gjatë fushatës së tij, Keni ka mundur të bindë shumë personalitete të partisë demokrate dhe organizata të ndryshme që veprojnë në këtë zonë të Manhatanit, se ai është kandidati më i mirë ndër gjashtë kandidatët, që duhet të mbështetet duke hedhur votën e tyre dhe të anëtarve të organizatave të tyre për Ken Biberaj, javën që vjen, me 10 shtator.  Ndër përkrahsit entuziastë të kandidaturës së Ken Biberajt janë, ndër të tjerë, ish-goverantori i shtetit të New Yorkut, Dejvid Paterson dhe Shoqata me influencë  e Policëve të New Yorkut.  Duke njoftuar mbështetjen e tij për Ken Biberaj,  Ish-Governatori Paterson deklaroi: “Unë jam duke përkrahur mikun tim të ngushtë Ken Biberaj sepse ai beson në një rrugë më të mirë për të ardhmen e familjes së tij, për miqët  dhe për fqinjtë e tij, por edhe sepse ai përfaqëson një zë të ri dhe të freskët, i gatshëm për t’u angazhuar në procesin politik amerikan.”   Ish Governatori Paterson theksoi gjithashtu se, “gjatë bisedimeve të gjata që ka pasur me Ken Biberaj, në lidhje me problemet që prekin zonën bashkiake numër 6, Keni ka shprehur një qendrim pragmatik dhe realist në lidhje me ekonominë tonë dhe mbi periudhën në të cilën jetojmë, një qendrim ky që ësht unik dhe i rradhë.”    Gvernatori Paterson e cilësoi kandidatin Biberaj si një mendimtar me besim në të ardhmen, me një vision të jashtzakonshëm për të ardhmen e komunitetit ku jeton si dhe për cilësinë e jetesës së banorëve të lagjës.”
Ndërsa  kryetari i Shoqatës së Policëve, Patrik Linç u prononcua në mbështetje të ken Biberaj, duke thënë se, “Jam shumë i impresionuar nga angazhimi i Kenit ndaj çështjeve të rëndësishme për policët tanë si dhe për zotimin e tij për të ruajtur sigurinë e qytetit…..Keni ka energjinë, vizionin dhe gjykimin për të çuarpërpara qytetin e New Yorkut dhe këjo është arsyeja qe orgnaizata jonë po e mbështetë atë për anëtar të Këshillit të qytetit.” Edhe Liga e Votuesve të Nju Jorkut për Ruajtjen e Ambientit, ka njoftuar mbështetjen e Ken Biberaj për anëtar Këshillit të Nju Jorkut.  Presidentja e kësaj Lige, Marsha Bystryn tha me këtë rast se, “Ken Biberaj i njeh mirë çështjet dhe problemet me të cilat përballet Zona numër 6, dhe i mbarë qyteti i Nju Jorkut dhe jemi të bindur se ai do të bëjë ç’është e mundur për përmirësimin e rrethanave të ambientit për të gjithë banorët e Nju Jorkut.  Interesimi i tij për këtë çështje, pasqyron ineteresat më të mira për një ambient të shëndosh në zonën e tij dhe zgjedhja e tij është një hap pozitiv përpara, për lagjën e Epërme të Manhatanit,” theksoi Marsha Bystryn.

Ken Biberaj gjatë gjithë fushatës së gjatë ka premtuar se me zgjedhjen e tij, ai do të sjellë në Këshillin e Nju Jorkut, udhëheqje dhe ide të reja.  Të gjithë përkrahsit e Ken Biberaj — individë dhe organizata me rëndësi shoqërore dhe politike — i kanë arsyet e veta për të votuar për ‘të në zgjedhjet paraprake të Partisë Demokrate të martën që vjen.  Por shqiptaro-amerikanët që jetojnë në zonën bashkiake numër 6, si dhe komuniteti më i gjërë shqiptaro-amerikan, kanë arsyen më të madhe, që të gjithë të përkrahim këtë kandidtaurë.  Të gjithë ata shqiptarë me të drejtë vote e që jetojnë në atë lagje duhet të shkojnë e të votojnë në favor të kandidaturës së Ken Biberajt.   Komuniteti shqiptar në Nju Jork tregoi seriozitetin dhe angazhimin e tij të vendosur politik me mbeshtetjen e madhe qi dhanë shqiptaro-amerikanit Mark Gjonaj, i cili u zgjodh si anëtar i Asamblesë së shtetit të Nju Jorkut.   Kandidatura e Ken Biberaj është rasti i dytë dhe po aq i rëndësishëm sa i pari që komuniteti   javën e fundit të kësaj fsuhate,  të angazhohet me të gjitha mundësitë për të bërë të mundur fitoren e Ken Biberaj të marten që vjen.  Kush e njeh Kenin është i vetdishëm se ai ka punuar aq rëndë gjatë fushatës dhe ka një dëshirë të madhe për të fituar.   Le të bëjmë të pamundurën, në ditët e fundit të kësaj fushate — vullnetarë dhe mbështetës — ashtuqë që të martën mbrëma, komuniteti shiqptaro-amerikan të mund të festojë fitoren historike të Ken Biberaj në Këshillin e qytetit të Nju Jorkut, jo vetëm si një sukses i tij personal por edhe si një zhvillim historik dhe angazhim serioz politik i komunitetit shiqptaro-amerikan në procesin politik të Shteteve të Bashkuara.  Ken Biberaj ka përkrahjen e shumë votuesve dhe të organizatave dhe grupeve të ndryshme në lagjen ku jeton.  Por  një ndër grupeve që duhet të përqëndrohet në këtë fushatë janë  shqiptaro-amerikanët me të drejtë vote, në zonën elektorale  numër 6.  Këjo, për arsye se siç pata thënë në fjalën përshëndetse me rastin e hapjes së fushatës së Kenit marsin e vitit që kaloi, “Ken Biberaj është një histori suksesi e të rinjve shqiptarë të lindur dhe të rritur në Amerikë.  Ai është shëmbull i një historie personale që na bën të gjithë ne të jemi krenarë që jemi amerikanë dhe shqiptarë….Keni është një djal i guximshëm që shikon  vetëm përpara me vendosmëri të fortë, me dëshirën për të dhënë diçka më tepër për këtë komunitet dhe për vendin ku jetojmë — për të bërë pra diçka në shënjë falenderimi për Shtetet e Bashkuara — ky vend që ka bërë aq shumë për ne këtu si shtetas shqiptaro-amerikan të këtij vendi, por edhe për kombin tonë dhe për mirëqenjen e bashkatdhetarëve tanë në Shqipëri, në Kosovë dhe në të gjitha trojet shqiptare në Ballkan”.

Jam i bindur se nëqoftse fiton, Ken Biberaj, do të japë kontributin e tij  të çmueshëm në qeverisjen vendore të këtij metropoli amerikan, si anëtar i ri në Këshillin e Qytetit të Nju Jorkut – dhe jam i bindur se do të ushtrojë detyrën e tij të re me një cilësi dhe stil të lartë moral e politik – duke bërë krenare familjen e tij dhe njëkohsisht edhe të gjithë komunitetin shqiptaro-amerikan.

***
Një Biografi e shkurtër e Ken Biberaj:   Ken Biberaj ka një të kaluar të shkëqyeshme akademike dhe politike.   Para se të merrte diplomën e avokatit nga Universiteti i Nju Jorkut në vitin 2008, Keni ka diplomuar në Universitetin Amerikan në Uashington dhe ka marrë diplomën Master nga Shkolla Kennedy për Qeverisje e Universitetit të njohur Harvard në Boston.  Përveç diplomave prestigjoze akademike, përvoja e tij politike përfshinë punën që ai ka bërë  për fushatën e kandidatit demokrat për president Xhon Kerri (tani Sekretar Amerikan i Shtetit) në vitin 2004, dhe ka punuar për Presidentin Bill Klinton dhe për Fondacionin e tij.  Këjo përvojë në fushën politike me dy gjigandë të politikës amerikane, e bën Ken Biberaj një kandidat serioz për detyrën për të cilën shpresojmë të fitojë të marten.  Për punën dhe veprimtarinë e tij të dalluar akademike, politike si edhe në fushën e tregëtisë e të biznesit, Universiteti Amerikan në Uashington i ka akorduar atij Çmimin e “Një Ylli të Dalluar” me përspektiva të mëdha në jetë, duke u bazuar në kontributet e tija të konsiderueshme  të deri tanishme ndaj shoqërisë, nepërmjet punës së tij profesionale, politike dhe filantropike.  Keni, i cili thotë në biografinë e tij se për shërbim publik ai është frymëzuar nga babai i tij Dr. Elez Biberaj, Drejtor i Zërit të Amerikës për Euroazinë – është i martuar dhe me bashkshorten Valerie dhe djalin e vogël Hadsën, jeton në lagjën ku pret të fillojë jetën politike nëqoftse zgjidhet anëtar i Këshillit të qytetit të Nju Jorkut.  Ken Biberaj tani për tani punon si zevëndës president i lokalit të njohur dhe prestigjioz, “Russian Tea Room” në Nju Jork.

 

 

Filed Under: Komente Tagged With: Drejt fitores, Frank shkreli, me Ken Biberaj

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT