-Nesër në Bruksel bisedohet për kodin telefonik për Kosovën/
PRISHTINË, 14 Gusht 2016-Gazeta DIELLI/ Në dialogun në Bruksel mes delegacioneve të Prishtinës e Beogradit nesër bisedohet për kodin telefonik për Kosovën.
Në njoftimin dërguar nga zyra e shtypit e qeverisë së Kosovës përkujtohet se në raundin e fundit të bisedimeve, i mbajtur në Bruksel në 2 dhe 3 gusht 2016, ka pasur përparime në drejtim të përfundimit të hapave drejt marrjes së kodit telefonik shtetëror për Kosovën 383 nga ana e ITU-së.
“Takimi i nesërm në Bruksel do të synojë që të rrumbullaksojë të gjithë hapat dhe për këtë qëllim delegacioni i Republikës së Kosovës i udhëhequr nga ministrja për Dialog, Edita Tahiri, do të qëndrojë në Bruksel ku bisedimet do të ndërmjetësohen nga ana e Bashkimit Evropian”, thekson njoftimi.
Para nisjes për Bruksel, minsitrja Tahiri deklaroi se, është “optimiste që procesi i bisedimeve nesër do të jap rezultate përfundimtare dhe së shpejti Kosova do të marr kodin telefonik ndërkombëtar 383 që është shumë i rëndësishëm në fushën e telekomunikimeve të Republikës së Kosovës”./b.j/