Nga Aleko LIKAJ/
Arkivolin e ulën për një çast në tokë. Kishin kaluar pragun e një shtëpie, që gjasonte më tepër me një barangë të vjetër, pas postës së policisë së qytetit, ku përgjoheshin prej viteve. Dy gra që lëviznin drejt derës. Njëra prej tyre e mbylli bravën dhe çelësin e futi në xhepin e një xhaketë të vjetër të zezë, të dale boje. Gruaja tjetër diç kërkoi në çantën që mbante në supin e djathtë pastaj u afrua drejt kreut së arkivolit. Burri që ishte aty dhe që i dalloheshin nga larg një palë mustaqe të holla bëri një shenjë rrefuzimi. Nga dritarje e dhomës së fjetjes, i mbështetur mbi parvaz, pashë “zukun” gri të komunales së Cërrikut. Së bashku me shoferin, një puntor me kominoshe gjithë gëlqere e llaç, hapën spontin e makinës që dukej tepër e vjetër. Qëndruan aty. Mbase dikush nga larg, nga një kënd që unë nuk mund ta shikoja, i urdhëroi. Duhej që të ishte një hije. Mundet edhe sigurimsi i ri, i sapo mbritur në atë qytet të vogël, që kishte marre përsipër të zëvëndësonte fytyrëkuqin, Karlo, që i kishte gjurmuar prej më shumë se tre vjetësh, Liri Belishovën me të bijën, Drita Çomo.
I heshtur, arkivoli u vu përsëri në udhë. Katër personat që mezi e mbanin, kaluan kanalin që ndan asfaltin e prishur nga obori i shtëpisë. Të dyja gratë mbanin fundin, por u duk se u lodhen shpejt. Aty në rrugë e ulën përsëri. Njëri prej burrave, kërkoi që të ndrroheshin dhe gruaja me flokët e mbledhura “topuz”, doli në fillim. Çantën e mbante në krah. Dukej se e pengonte. Në një çast fërkoi duart. Mbase nga lodhja. Liria dy metra me tej, kaloi lehtë dorën mbi suprinën e ndritshme të arkivolit sikur donte që të përkëdhelte edhe një herë të bijën, që ishte shtrirë brenda si në gjumë të thellë. Pastaj fshiu lotët me një shami. Një prej burrave e kapi nga krahu dhe e tërhoqi duke e mbështetur për një çast pranë gjoksit të tij. Dukej që deneste. Burri tjetër erdhi pranë. Diçka i foli e pastaj i kaloi dorën, në supet që i dridheshin. U kthye nga pallati ynë. Më pas e kaloi vështrimin tek dy pallatet e tjera që rrinin përballë. Me siguri që dalloi dritaret e mbyllura dhe perdet e hapura. Kuptoi se qyteti përgjonte. I heshtur dhe gojëprerë. Me një ndjenjë frike, por edhe keqardhje për vajzën me sy të veçantë, të hijshme dhe nga me të bukurat në hapsirat e tij.
Nëna ime më bëri me shenjë që të mbyllja dritaren. Një çast më parë, ajo kishte zgjatur kokën,dhe kishte pëshpëritur.” Të shkreten Liri ç’e gjeti. Korba,ajo…” Ime shoqe që ishte nuse e re në shtëpinë tonë, kafshoi lehtë buzën e poshtëme, sikur donte të më thoshte… “mos…u bë i keq! Kërkon që të na shkatërrosh?”. Kishim mbritur atë mëngjes nga Elbasani ku jetonim sëbashku prej dy muajsh. Fund jave, si zakonisht, mblidhesha te prinderit e mi, të cilët më dukej sikur i kisha braktisur dhe harruar. Babai në guzhinë lexonte “Zërin”. Fshihte sytë e vegjël gri, poshtë kristalit të qelqtë të syzeve dhe herë pas here shfrynte me kraharor. Gjetiu e kishte mendjen… E ndoqa në një çast të vetëm me sytë nga dera e hapur dhe u ndjeva vërtet keq. Nuk mund që të flisje edhe pse tej një vajzë e ndrojtur po largohej nga kjo botë e mbyllur brenda një arke. Jo krejt e panjohur për ne edhe pse askush nga familja ime nuk mund që t’i fliste. Nuk e kishim bërë. Por ne e njihnim atë. Edhe jetën e saj deri në detaje. Me motrën time të vogël shpesh herë përshëndetej me një ulje koke të lehtë . Ishin vajza fqinje prej disa vjetësh edhe pse ime motër ishte disa vite më e vogël. Shpesh herë ajo na tregonte, por babai një dite i kishte thënë, ” Je e vogël dhe ca gjëra nuk i kupton. Ajo nuk është e lirë. Jeton si në një burg të vërtetë. Mëkat!…”
– Po e hipin në zuk – tha motra ime e vogël që zgjati një çast të vetëm kokën në dritare duke më shkundur edhe mua nga përhumbja
Arkivolin vërtet po e vendosnin në karrocerinë e makinës që një çast më parë kishte transportuar llaç për brigadën e muratorëve të komunales, të cilët po riparonin fasadën e banjos së vetme të qytetit , diku pranë kinemasë, në qendër të qytetit të Cerrikut. Këtë herë punëtori dhe shoferi po e shtynin arkën drejt mesit të mjetit. Pastaj fërkuan duart sikur kërkonin t’i shplanin ato. Ndoshta për të thënë se: “në këtë histori ishin krejtësisht të pafajshëm”. Por ky çast nuk zgjati shumë. Lirinë njëri prej burrave e mori për krahu për ta hypur përpara me shoferin, por ajo nuk pranoi. M’u duk më e krrusur se zakonisht. Mbase edhe nga pesha e gjëmës që i kishte rënë mbi kokë. Gruaja tjetër mbylli derën duke e përplasur me zhurmë. Zuku levizi dhe mori kthesën majtas përpara çerdhes e pastaj devijoi për në rrugën kryesore që të çon në Elbasan. Diku pas lagjes së Malasejit, ku banonin një pjesë e familjeve çame të Cërrikut si dhe disa familje jevgjësh, ndodheshin edhe varrezat e qytetit. Makina lëshoi një tym të hollë e u zhduk përfundimisht nga sytë tanë vetëm një çast më vonë. Ndjeva një peshë në gjoks. E ndala frymën në një çast. Ishte një dhimbje njerëzore…
Kurrë nuk do ta harroj atë çast…
Kështu më ka mbetur në mendje edhe sot e kësaj dite.
***
Nuk e di se pse, por Drita Çomo më ngjante me një Anna Frank të vërtetë. Kjo ide kishte nisur të më pushtonte që në çastin kur e kisha parë të nisej e heshtur në shkollë, një mëngjes shtatori. Me një fustan të thjeshtë në ngjyrë të ëmbël gështenje e të prerë thjesht, deri një pëllëmbë poshtë gjunjëve, kaloi e ndrojtur përpara meje. Ishim te kryqezimi i rrugës që vjen nga spitali, përpara postës së policisë, e që pastaj degëzohej për në gjimnazin “Tomorr Sinani” e në “bulevardin” e vetëm të qytetit të Cërrikut. Ajo ishte ende e pa rritur mirë . Me një trup të drejtë e të dobët dhe e brishtë si një fije bari, të cilin e përkund një fllad i lehtë pranvere. E heshtur dhe e trishtë. Me një fytyrë në ngjyrë të grurit që zgjatej paksa poshtë e me mollzat të rrumbullakosura. Një portret fëmije që shprehte veçse dhimbje. Mbase fati e kishte goditur që të vuante ashtu si të mëdhenjtë një lloj persekucioni ku i mohohej liria. Kjo e fundit varej në perin e një operativi që i ndiqte tashmë prej vitesh si një hije. Madje e frikshme.
Ato ditë kisha parë në kinemanë e qytetit filmin e Anna Frankut. Ndoshta kjo ka qenë arsyeja që e lidha portretin e saj me këtë protagoniste që më kishte emocionuar. Në kokë me hipi një ide e mendim i çuditshëm. Edhe kjo vajzë, ashtu si Anna, duhet që të mbajë shënime. Mbase edhe ditar. Drita kishte se çfarë të thoshte në ato rradhë duke e përshkuar ditën e kredhur në vetmi, si në një burg ku realisht i mungonin hekurat. Paraqitja, tri herë në ditë, përpara sportelit të policit Hetem apo Qinam, që përgjonin në dritaren e dhomës aty pranë…
Ishte fillimi i viteve ‘70 -të. Liri Belishova, ish antarja e Byrose Politike, më kishte mbetur në mendje që nga fëmijëria e largët, në një foto, me flokët e prera shkurt që i rrumbullakoseshin mbi një fytyrë, ku binin në sy veçanrisht shkëlqimi i dy syve të vegjël e të zinj. Kur erdhi në Cërrik e sistemuan në lagjen tonë. Disa ditë para se të vinte i kishin ngritur një si barakë pranë postës së policisë së qytetit. Tri metra me tej, përpara derës, kalonte rruga e spitalit. Ai ishte fare pranë, pas dy pallateve dy katësh tip arkitekture sovjetike, të populluar kryesisht me naftëtarë që punonin poshtë, në uzinë. Si vend pune i siguruan një prej magazinave të mëdha të ndërmarrjes së konsumit dhe tregëtisë. Detyra e saj ishte: seleksionuese zarzavatesh në sektorin që vinin nga kooperativat . I shoqi, Maqua, ish ministër i bujqësisë, ishte në burg. Natyrisht, me një dënim të rëndë e të zgjatur.
Kur e pashë për herë të parë ndjeva një lloj zhgënjimi brenda vetes sime. Liria nuk i ngjante me asaj që kisha parë në foto. Isha i ri asaj kohe, pa i mbushur të njëzet e pesë pranverat. Punoja si mësues në fshatrat e Dumresë, në kufi me Kuçovën dhe në shtëpi vija vetëm në fundjavë, sa për të bërë dy shëtitje mbrëmjeve në bulevardin që zinte fill nga kinemaja e qytetit deri para pallatit të shtëpisë sime. Gjithsejt 300-400 metra.
Familja e Liri Belishoves mbyllej brenda katër mureve të shtëpisë dhe nuk e kishte këtë lloj “privilegji” që të hazdisej si “kali në lëmë”, ku zakonish ngrifeshin disa djem të rrinj të sapoardhur nga fshati me punë në uzinë dhe që ëndërronin karrierën. Dilnin edhe vajza. Kryesisht gjimnaziste apo edhe studente të ardhura nga kryeqyteti për të pushuar dy ditë pranë familjeve. Anash, në trotuare, qëndronin kryesisht sehirxhinj, disa të mitur e çamarrokë, por edhe hafije, që nuk ishin të paktë në këtë qytet. Një pjesë e mirë e familjeve që e kishin një lloj “luksi ” vendoseshn nëpër ballkonet që ishin përballë bulevardit, sapo vinte mbasditja. Pinin kafenë. Gratë bënin triko dhe gjysmëvështrimin e mbanin nga “bulevardi”. Diskutonin e flisnin për të rejat e ditës që kishte mbërritur nga ndonjë thashethem absurd dhe natyrisht bënin edhe biografitë e njerëzve që i kishin përpara, gjatë asaj xhiroje që mbaronte shpejt, aty rreth ores shtatë.
Më pas qyteti mbyllej brenda mureve të shtëpisë për të rënë në gjumë menjëherë. Nesër duhej të ishin që të gjithë të gatshëm për në punë. Natyrisht, me energji të reja, të cilat u duheshin për të dhënë rendimente sa më të larta “për të mirën e shoqërisë”.
Pikërisht në këtë bulevard do ta shikoja, një buzëmbrëmje, Drita Çomon, vajzën që kishte fituar, tashmë, një bukuri magjepsëse, me fytyrën gati fëminore e që rrezatonte veçse mirësi. Ishte më e rritur. Ishte gjimnaziste në vitin e parafundit. Ka qenë ndoshta vetëm një gjysëm xhiro. Mbase mund që të ketë qenë deri te MAPO – ja, në qendër. Ishte shoqëruar nga vajza e komandatit të regjimentit. Kam qenë me një shok. Ai më ceku supin me bryl, nga që ishte pak më i gjatë se unë, si për të me thënë: “Shiko si është bërë!”
– Është bija e Lirisë. Shih çfarë trupi të rregullt që ka. Dhe sa e hajthme! Alamet goce… e shkreta! – tha ai pastaj dhe u mbush për një çast me frymë.
Shoku im e ndoqi për një çast me vështrim derisa ajo u zhduk te kthesa, në fund të ballkonit të Petref Latifit. Kishte marre rrugën për në shtëpi .
– Sa shpejt që qenka rritur?! – bëra të çuditurin.
Vërtet që më erdhi mirë për atë vajzë që kishte një botë dhe natyrë te veçantë.
Gjate asaj kohe më kishte rënë në sy një djal me trup mesatar, me një portret të dobët e brun. Nuk ishte më shumë se shtatëmbëdhjetë vjeç. Ishte Petriti, i biri i Lirisë dhe vellai i Dritës. Natyrisht, ai rinte me dy a tre djem që kishin probleme me sjelljet e tyre në atë qytet të vogël punëtorësh. Të paktën ata kishin kurajon që ta shoqëronin në atë kohë. Në një ditë me shi kisha zbritur nga biblioteka e qytetit dhe më duhej të qëndroja poshtë strehës së kinemasë. Diku, në qoshe, pashë Petritin që fliste me pasion. Veshi ma kapi se ata diskutonin për futbollin. Flisnin për kampionatin shqiptar të asaj kohe. Djali fliste me pasion për njërën nga skuadrat e kryqytetit, që kërkonte të merrte titullin. Disa muaj me vonë, në sezon vere e pushimesh, në lulishten e qytetit, rreth një stoli, së bashku me këta shokë, vazhdonin të diskutonin përsëri për futbollin edhe pse kampionati kishte mbaruar.
– Është tifoz i madh. – me tha Qani Arapi, që rrinte me shtëpi përballë asaj të Lirisë. Vetëm rruga i ndante. – Po ç’të bëjë i ziu. Veçse për atë mund të diskutojë. E ka nga halli. E përgjon Karlua.
Sigurimsi Karlo ishte një fytyrëkuq dhe me leshtë e kokës gati të kuqe. Nofulla e tij ishte e tejzgjatur dhe në pamjen e parë te ngjasonte me një kale të hazdisur. Ashtu e kishte edhe të ecurën. Njëri sup i varej gjithmonë e sytë i kishte të mëdhenj e si të çakërdisur. Thuhej se ishte nga Shkodra. Kishte disa vite që e ndiqte Lirinë, aty, në Cërrik. Për këtë e kishin sjell nuk e dihej nga ku. Jetonte me shtëpi pranë Qaniut. Dy dritaret, atë të kuzhinës dhe të dhomës së gjumit, i kishte përballë nga barraka e Lirisë. E kontrollonte sapo ajo hapte derën për të shkuar në punë te magazina e konsumit, prapa komunales.
Thuhej që e kishte qejf gotën dhe në shumicën e rasteve qëndronte në një gjendje ekstaze, ku kuntërbonte veçse alkool. Më kishte rënë në vesh se ishte edhe qejfli pas grave. Në atë kohë flitej se kishte zënë të dashur edhe një bufetiere, që sapo i kishte vdekur burri me kancer, duke e lënë të ve me një vajzë të vogël. Karlua të imponohej me një natyrë të rrëmbyer dhe me fjalët e vrazhda, aspak të hijshme. Të fyente për hiç mos gjë. Të kërcënonte dhe këtë e bënte realitet. Më kishin thënë se i thërriste në polici djemtë e bukur të qytetit sepse i shihte si rivalë. U bënte presion. Dikë ndofta arriti ta bëjë edhe bashkëpuntor. Kësaj nuk i dihet mirë filli. Punë të fëlliqura dhe të fshehta bëheshin shumë asaj kohe. Unë nuk pata folur ndonjëherë me të.
Lirisë nuk i ndahej. E kontrollonte disa herë te magazina e Gani Elezit, gjatë orarit të punës, edhe pse ajo paraqitej tri herë në ditë në polici, për të bërë listëprezencën. Ai kishte pushtet te pakufishem mbi familjen e saj.
Në çast, kur i a njoha mirë karakterin këtij tipi që hiqej si Fusheja, mendova për Dritën. Ai mund t’i kthehej edhe vajzës në emër të detyrës. Nuk e di, por ato ditë e kam menduar mirë këtë lloj aventure ndaj asaj vajze të brishtë, e cila rrezatonte edhe një karrakter të paepur ndaj farsave të tilla. Zor se mund t’i binte në dorë atij fytyrëkali që mbante erë alkool. Por ai e kishte mendjen tek të tjerat. Bufetieria e gostiste vazhdimisht me pije. Madje, i jepte me vete edhe ndonjë shishe. Ajo ishte në një moshë që e kërkonte dashurinë dhe shtratin . Jetonte e vetme në qytet, në një pallat që nuk binte në sy të askujt. Një shok i yni, që banonte aty, na thoshte vazhdimisht se Karloja vinte pas mesnate e dilte afër mëngjesit. Gruas se tij me siguri që i thoshte se “ishte në detyrë”. Po kjo punë zuri të binte erë. Jo vetem në qytet. Një teknik i komunales, që rrastësisht hyri në bufenë e të dashurës së tij, i gjeti pas banakut, në kthinën e vogël.
Bufetieria thërriste nga kënaqësia, duke mos e kontrolluar veten, e Karlua si një derr i egër gërrhinte, duke lëshuar disa tinguj krejt të pakuptueshëm. Po pas teknikut, në atë moment, u ndodhen edhe dy klientë të tjerë. Karlua me pantallonat nëpër këmbë iu hungëriu dhe i kërcënoi se do t’ua shkatërronte jetën nëse e hapnin gojën. Por fjala mori dhenë dhe historia kaloi nëpër gjithë familjet e atij qyteti thashethemnajash. Ime ëme ma tregoi këtë ngjarje, që ishte kthyer në kryetemën e ditës, ndërsa u ktheva si zakonisht nga fshati në fundjavë.
– Shpëtoi edhe Liria – më tha duke arnuar, aty në ballkon. – Atë kodoshin do ta heqin. Kështu flitet.
Por Liri Belishova, me djalin e vajzën e saj, nuk kishte se si të shpëtonte. Karlon dikush do ta zëvendësonte dhe ajo sërish do të ishte nën pushtetin e përndjekjes e të persekucionit psikologjik, ashtu si më parë.
Pas ca ditësh mbërriti një tjetër afije dhe Karlua nuk u pa më në Cërrik. Se ku iku e çfarë u bë me jetën e tij ende nuk di gjë edhe sot e kësaj dite. Besoj se nuk do t’ia kenë falur. Nganjëherë diktatura bënte shembuj edhe bijtë e vet më të devotshëm. I riu, ndryshe nga fytyrëkali Karlo, nuk ra në sy fare. Këtë herë strategjia e përndjekjes ishte më e veçantë dhe e heshtur.
***
Ka qenë sërish buzëmuzgu. Madje, errësira dukej se vinte me hap të shpejtë, duke ngjyruar qiellin me penelin e zi. Plepat, në të dy anët e rrugës që të çon në Elbasan ngjanin si një figuracion i çuditshëm nga ato të tablove konteporane. Nga rrugët e sheshi kryesor i qytetit kishin filluar të rralloheshin e njerëzit e paktë që në atë fundvere dukeshin më të lodhur e më të pagjumë. Së bashku me dy shokë të mitë, arsimtarë fshatrash, kaluam përmes lulishtes. Dikush propozoi që të uleshim për pak minuta në një stol të lulishtes. Qendruam dhe vazhduam të diskutonim për gjëra të parëndësishme të asaj kohe. Njëri prej nesh dalloi Drita Çomon. Nuk e di sa nga erdhi, por kaloi qetësisht përpara nesh duke shtrënguar pranë gjoksit një libër. E ndoqa me sy, ndërsa u zhduk pas një masivi të gjelbërt, në një rrugicë të ngushtë asfalti të lulishtes që të nxirrte përballë dyqaneve dhe klubit “1 Maji”. Pas një çasti ndjeva praninë e një njeriu tjetër që qëndroi i heshtur në krahun tonë. Ishte krejtesisht i panjohur për ne. Diç foli më tej. Mbante për dore një biçikletë tip “Ylli”, që ishte në modë aso kohe. Prodhim vendi.
Njëri prej shokëve tanë u ngrit dhe iu afrua. Pamë që i ndezi cigaren dhe kuptuam se, djaloshi i ri dhe i gjatë, me supe të rëna, ishte një duhanpirës. Pastaj ai mori rrugën për në Elbasan, me biçikletën që duhej ta kishte sjellë prej andej.
– Me pyeti për Dritën. – tha shoku ynë, që i ndezi cigaren. – Tha se kishte ardhur nga Elbasani. Dukej i dashuruar marrëzisht pas saj. Mbase nuk e ka ditur e ç’rrezik të sjell shoqërimi me të.
Shoku tjetër i imi nuk u ndie mirë. Lëvizi nga stoli sapo duhanxhiu ynë tha se djaloshi i kishte treguar edhe një intimitet se “i kishte prekur buzët ai elbasanasi”
– Ja fut kot ky spurdhjaku. – tha me një frymë ai që lëvizi. – Drita edhe pse vajzë në moshë, edhe pse i mungon ajo ndjenjë, zor se mund t’i fal një çast dashurie, qoftë edhe këtij birkoje, që udhëton nga Elbasani, këtu, me një biçkletë, në emër të dashurisë së zjarrtë.
Dukej që kishte një dozë inati miku im dhe nuk i besonte asaj që u tha, aty, mes nesh, nga një njeri i huaj. As unë nuk i zura besë atij djaloshi dhe këtë bindje e kam edhe sot e kësaj dite. Ai nuk duhej që të kishte njohur botën e saj të ndrydhur e të mbyllur. Madje, ndofta, edhe rrethanat që e ndiqnin atë që prej ardhjes në jetë.
Ky ishte një kujtim që u tret me atë mbrëmje, duke mbetur mbrapa atij konfiguracioni të çuditshëm drurësh të asaj nate pa hënë…
Tri ditë më vonë, në shtëpinë time, e bija e komandantit të rregjimentit, Rajmonda Bulku, më tha në intimitet: “Drita është poete. Shkruan poezi të ndjera.”
Ndofta ishin shoqe klase. Së bashku me Vanina Canin, që më vonë mbaroi për inxhinjeri kimike, ishin bërë si tri shoqe të pandara. Kështu e kam menduar nê ato kohë. Këto të fundit, vajza komunistesh, por që nuk mund ta përkthenin ndryshe shoqërinë e bangave të shkollës dhe të gjimnazit. Ndaheshin gjithmonë në cepin e pallatit tim, aty, te ballkoni i Petrefit.
Ca ditë më vonë Rajmonda më solli edhe një poezi të Dritës. Ishte një fletë me katrore, nga fletoria e matematikës. Vetëm tri strofa. Shkruar me një shkrim që dukej si një dhimbje që dilte nga fundi i shpirtit të saj. Poezia fliste për një mbrëmje, së cilës i mungonin yjet…
Shumë vite më vonë, kjo poezi, nuk e di se pse nuk u përfshi në vëllimin që i përgatitën asaj me një shënim nga vetë Kadareja. Mbase duhet që edhe të ketë humbur. Ajo mund të ketë përfunduar, dorë me dore, por edhe në ndonjë sirtar sigurimsi, atje, ku ruheshin të fshehtat e pa deklaruara të gjurmimeve monstruoze.
Ca ditë më pas babai solli në shtëpi një shokun e tij. Ishin njohur që në jetën partizane, në zonat e jugut. Shoqërinë e kishin ruajtur gjer në vitet e mëvonshme. Nuk e di se si ishin takuar.
Atë mbrëmje ai ishte mysafiri ynë. Të nesërmen, ndërsa nëna përgatiste drekën dhe mysafiri duhej percjellë deri poshtë në stacionin e Paprit, për të udhëtuar pastaj me tren për në Tiranë, dy burat rrinin e kuvendonin aty në ballkon.
Fund jave dhe mes vere. Dielli digjte që në mëngjes. Një hardhi rushi, e mbjellë aty që prej disa vitesh, kur mbërritëm nga kryeqyteti me transferim në Cërrik, lëshonte hije. Atë ditë, si për të rrespektuar mikun, nuk kisha shkuar për plazh në lumin Shkumbin, ku ne arsimtarët kalonim verën nën rrezet e diellit e pranë një rrëre të imët si ajo e plazheve të Adriatikut. Natyrisht, biseda midis dy miqve të vjetër shkonte edhe në ngjarje e njerëz të njohur vite më parë. Prag dreke dhe nga guzhinat përreth ndiheshin errërat e specave të fërguara. por edhe e mishit që nuk kishte filluar të na mungonte në treg.
Në cepin e trotuarit u duk portreti i Liri Belishoves: trupi i harkuar dhe fytyra e ngritur paksa mbi supet e varrura. Ecte qetësisht sikur t’i kishte mbaruar që të gjitha detyrat. Në të gjithë gjatësine e pallatit ajo u duk sikur u çapit mbi trotuarin që kishte zënë të prishej nga errozioni i shirrave të dimrit dhe pranverës. Unë e dallova i pari ndërsa dy burrat vazhdonin të kujtonin miqtë e tyre të vjetër duke treguar për ta histori që përfundonin me një humor të lehtë. U zgjata pak mbi bodurën e ballkonit dhe bëra sikur do të shija andej nga gjimnazi. Kalimi i kësaj gruaje, disa herë në ditë, përpara ballkonit dhe dritares së guzhinës sonë, ishte bërë, si të thuash, një ritual që nuk na mungonte. Herë pas here, të ardhur apo komshij, që vinin aty për të pirë një kafe, kryesisht gra, shoqe të nënës sime, nisnin e tregonin edhe të rejat e ditës për Liri Belishoven, gjitonen tonë të internuar. Nuk mungonin edhe bëmat për ata që e ruanin dhe e përgjonin familjen Çomo. Aty mesonim, për shembull, kur Liria bëhej gati të shkonte të takonte Maqon në burg. Ajo interesohej për lejën e takimit, që e kishte depozituar ne polici që përpara një muaj e ca më parë, nëse ajo kishte mbërritur apo jo.
E vuri re edhe im atë. Miku vazhdonte që të tregonte histori shokësh e bëmash.
– Moreee! A të kujtohet Liria? – pyeti nën zë babai në një çast kur gruaja e përndjekur çapitej përpara ballkonit tonë.
Tjetri kthehu kokën menjëherë.
– Ç’me thua, bre, Zeqooo, – tha e hodhi sytë nga e internuara, e cila vazhdonte të çapitej ngadalë mbi trotuar, dhjetë metra më tej.
U prish në fytyrë menjëherë. Një rreze u duk sikur e spërkati për një çast te vetem. Shtrëngoi fort buzët dhe tundi kokën lehtë.
– Në fillim kam qenë shoqëruesi i saj për disa vite aty tek drejtoria e dytë. Heee…! – psherëtiu dhe tundi sërish kokën. Pastaj qëndroi për një çast sikur të donte të sillte ndër mendje kujtimin e largët. – Paska ndryshuar. Qenka transformuar krejt. Nuk e kam parë qysh atëherë. Ka qenë edhe partizane trime. Grua e zonja. Pastaj… e prishi… Punë grash. Flokëgjatë e mendjeshkurtër, siç thonë. Por shoku Enver e kurseu. Gjynah!
Mëshira që shprehu shoku i babait m’u duk krejt e pavend në atë çast. Më ngjante me një mëshirë kristiane. Kisha mendimin se Liria, më shumë se “gabimi i saj”, kishte shërbyer në skakierën e shahut të politikes shqiptare si një figurë që duhej “ngrënë”, për të realizuar, pastaj, një bllof ndaj kundërshtarit, që luante me gurë me ngjyrë tjetër. Për një “shah mbreti”, që nuk do të na mungonte. Përralla me “Hurshov”, që tregohej atëherë në mbledhjet e Frontit Demokratik të lagjes sonë, më dukej si ajo e Kësulkuqes. Ishte nisur që nga Kina të takonte gjyshen – Enverin, për t’i sjellë një shportë me lajme dhe, në rrugën përmes pyllit, kishte dalë ujku (udhëheqia revizioniste sovjetike e asaj kohe). Madje, ata kishin veshur edhe skufien e gjyshes apo maskën me të cilën kërkonin të imitonin atë për të marrë ç’kishte brenda në shportë, pra, lajmet kineze. Ato, në fakt, i priste Enveri. Në fund ujku Nikita apo Kosigini apo Brezhnjev e hëngrën kësulkuqen… Sidoqoftë kjo ishte vetëm një përrallë.
***
Vera kishte kohë që kish shkuar dhe shtatori i atij viti ishte tepër i ngrohtë. Isha i sëmurë nga “shytat” dhe atë ditë nuk kisha shkuar në mësim, atje, në një fshat, pas kodrave e liqeneve të Dumresë. Kisha marrë një raport mjeksor tek Xhevdet Xhelua, mjek, edhe ky me një cen në biografi, për shkak të vëllait të tij ish gjeneral, i cili kishte vdekur në burgun e Burelit. Por nuk mund të rrihej në shtëpi. Edhe pse me temperaturë vendosa që të dilja andej nga Biblioteka e qytetit: një sallë në katin e dytë të kinemasë, ku mund të gjeje gjithçka, pasi aty kishin punuar, për vite me rradhë, njerëz të apasionuar pas librit.
Ka qenë mbasdite dhe aty nuk kishte asnjë lexues tjetër. Bibliotekaria, Liri Spaho, një komshija ime dhe shoqe me motrën e madhe, po më tregonte për librin “Fundi i misterit etrusk”, për të cilin kishte ardhur një udhëzim: të hiqej nga qarkullimi. Autori i tij, një çifut francez, i cili kishte qenë edhe në Shqipëri dhe ishte pritur nga vetë Enver Hoxha , figuronte, tashmë, tek të ndaluarit. Më tregoi edhe listën ku përfshiheshin librat e ndaluar.
Në derë u dha Liri Belishova. U duk krejtësisht e lëshuar. Madje, përshtypja e parë që m’u krijua, sapo i hodha një vështrim, kishte të bënte me lotët. Ajo duhej të kishte qarë. Sytë i kishte të skuqur, edhe mollëzat gjithashtu. Kishte një vështrim të mjegullt, që nuk shprehte asgjë. Ngriti dorën dhe e kaloi mbi flokët e shkurtër, gjysmë të thinjura. Qëndroi për një çast e kredhur në mendime. Mbase u pendua që u fut në atë derë. Shtrëngoi gishtin e majtë, tregues, sikur donte të thoshte diçka.
– Urdhëro, Liri – i tha bibliotekaria dhe i doli përpara.
E internuara e Cërrikut, bëri edhe një hap tjetër drejt banakut ku shërbehej libri. Në mes ishte punonjësia e institucionit.
– Kam ardhur…kam ardhur… – zëri ishte i ndrojtur sikur të dilte me vështirësi nga një hon i thellë, i padukshëm. – Nuk e di nëse e kini ju librezën e notave. Ka qenë disi si në formën e fletores apo e një libri që përdorej më përpara nga shkollarët.
Bibliotekaria ngriti supet. Hodhi një vështrim nga etazheret e mëdhenj, të mbushur plot me libra, e pastaj tundi kokën.
– Nuk e di. Nuk ma kanë zënë sytë. Asnjëherë. E di që e kemi patur në shkollë kur e vazhdonim, disa vite të shkuara, por… Pse e kerkon?
– Ah! – bëri tjetra. – Pse e kërkoj?. Në fund ka patur rregullat e shkollës si dhe detyrat e të drejtat për një nxënës, që e ndjek atë. Janë nxjerrë nga legjislacioni dhe urdhëresat e Ministristrisë së Arsimit.
– Po pyes një herë Alekon, mos ka ndonjë kopje të kësaj libreze – tha bibliotekaria dhe u kthye nga unë që rrija në tavolinën e parë, pranë dritares. Edhe Liri Belishova me hodhi një vështrim të përvuajtur.
E sigurova që e kisha . Madje, kujtim nga vitet e shkollës dhe premtova se do ta sillja në bibliotekë të nesërmen në mëngjes. Për t’ia dhënë vetë Lirisë as që bëhej fjalë. Ishte me rrezik, gjë që nuk e pranoi as edhe ajo.
Biblioteka ishte e të gjithëve dhe Liria mund të vinte aty pa patur as edhe një problem, ashtu siç kishte bërë deri në atë çast. Në fakt ajo lexonte rregullisht dhe kishte edhe një kartelë lexuesi aty.
Në një çast u duk sikur ajo ndërroi mendim.
– Po ç’ta marr kot – tha e psherëtiu përsëri.
– Nuk po të kuptoj – i u drejtua bibliotekaria e Cërrikut. – Përse të duhet?
– Ah! – bëri përsëri e internuara dhe sytë kësaj here i u njomën nga lotët që rrëshqitën në mollëzat e faqeve, që kishin zënë rrudha. Nuk kishte kohë që t’i fshinte. – Po pse nuk më çoi dhe mua te të tjeret, po me la, moj Lira, që të vuaj kështu. Është tepër e tmershme. Nuk mund të durohet te fëmija. I kanë mohuar maturën Dritës. Ajo e mori përpara dy muajsh me rezultate të mira. I thanë që nuk ka bërë punën fizike. Nuk shkoi në aksion, një mujor me gjimnazin. Vetë nuk e morën pasi për të shkuar deri atje, për Dritën, duhej të merrej leje nga lart. Drejtori më tha sot në mëngjes se vajza ishte rrëzuar në maturë dhe se ajo nuk do t’i quhej e përfunduar. Më vjen keq se vajza po vuan shumë në shtëpi. Ka gjithë drekën që derdh lot. Si munden që ta qetësoj?Ah! Nëna mos qoftë!…
Pastaj nxitoi që të nxjerrë nga xhepi i xhaketës se zezë një shami dhe në çast i erdhi turp. Ktheu kokën mënjanë dhe fshiu rrëketë e lotëve që kishin lënë gjurmë në faqe si përrenj të shterur. Lira i afroi karriken e saj dhe gruaja e sapoardhur rinisi sërish të dënesë.
U ndjeva vërtetë keq. Lëviza nga vendi dhe drejtova hapat tek e internuara. Ishim shumë pranë, për të parën herë në atë qytet edhe pse prej vitesh ishim komshij, fare afër. I vura dorën ne sup. E dija se kjo do të ishte me pasoja për mua dhe familjen time, prindërit. Mbase mund të më vihej në pikëpyetje vetë e ardhmja ime si njeri, por edhe si krijues. Kisha botuar në atë kohë dy libra për fëmijë te Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”. Thashë diçka sa për ta qetësuar. Po kështu edhe Lira.
– Jemi komshijë, moj Liri, dhe nuk të duam të keqen, jo! – i foli si shoqe bibliotekaria, ndonëse ishte katër dyzina më e re. – Ishallah … dhe gjërat rregullohen më mirë. Por edhe për Dritën, që e ke flori, do të ketë një ditë të mirë.
– Ç’ ditë të mire… e zeza vajzë, si na bënë dhe na katandisën kështu.
Liria u duk se mori frymë thellë dhe pas një çasti u ngrit për të ikur.
– Më falni. Ç’kusure keni ju të dëgjoni hallet e mia?. U faleminderit për kurajon që më dhatë. Puna ime është parë me kohë. Maqua në burg. Unë këtu me dy fëmijë, fillikat e vetme, pa asnjë shpresë, pa njeri. Torturë për së gjalli… Mos e pësoftë asnjë kështu si unë!. Mbeta si qyqe e vetme!
Me trupin pak të krrusur shkoi te dera. Qëndroi një çast aty dhe ktheu kokën nga ne. Me sa duket u pendua sepse u duk sikur donte të thoshte diçka.
– Mirëmbetshi!… – tha pastaj dhe e heshtur kaloi në korridorin gjysmë të errët për të zbritur poshtë, në hollin e asaj shtëpie kulture, të vetmes në atë qytet të vogël punëtorësh.
– Kemi qenë me fat – tha Lira. – Nuk na erdhi njeri. Po të na shihnin?. Për ty, Leko, do të ishte edhe më keq, sepse unë mund që të justifikohesha për punë librash. – Pastaj vuri buzën në gaz. Në një çast tjetër: – Shpëtove këtë herë!
Por unë kuptova se Lira kishte kohë që komunikonte me Liri Belishovën, ato njiheshin mirë. Mbase edhe librat, por bibliotekaria, ishte bërë si të thuash një dritare e vogël nga ku e internuara shihte një tjetër botë.
***
Lajmi i sëmundjes së Drita Çomos erdhi krejt papritur. Ajo menjëherë ishte bërë tema e ditës në familjet e Cërrikut. Vellai, Petriti, ishte ushtar. Ai mungonte prej kohesh në mjediset e qytetit edhe pse gjendeshin tifozë të thekur që komentonin me pasion sportin e kampinatin shqiptar, por edhe “Champion Ligën”. Vetë Liria , dukej më rrallë në qytet. Dilte vetem atëherë kur i duhej të merrte ndonjë ushqim për vajzën e sëmurë. Dukej më e merrakosur dhe më e trishtuar si nënë. Paramendonte gjëmën, e cila do të ishte vërtetë tragjike dhe e papërballueshme për të.
– Edhe kjo i duhej Lirisë! – tha ime ëmë. – Si do ta duroj vallë?.
Babai gjithmonë bënte indiferentin. Sikur nuk kishte dëgjuar asgjë. Sa herë që binte fjala për të internuarit e qytetit, të cilët kalonin përpara dritares së shtëpisë sonë, për t’u paraqitur në polici, im atë heshtte si varri. Mbase nuk donte që të kishte probleme. Sapo kishim nxjerrë vëllanë e vogël nga burgu. Kishte qenë ushtar në Rinas dhe e kishin zënë në gjumë, gjatë shërbimi të natës, së bashku me dy roje të tjerë. I kishin akuzuar si grup. Pas disa muajsh, në Torovicë dhe në Valas, im atë ia kishte dalë që të siguronte një falje me kondicionel për Agimin edhe pse i takonin edhe 15 muaj të tjerë burg. E mbanim sekret në atë kohë. Problemi nuk ishte vetëm te fqinjët tanë. Në polici duhej që të dinin ndonjë gjë. Më i informuar duhej ishte operativi, por edhe ndjekësi i Lirisë, që kishte detyra të veçanta.. Babai ishte bërë si një pus i thellë që zor se nxirrje ujë.
Tre muaj më vonë shkova në poliklinikën e qytetit. Sapo erdha në shtëpi më thanë se babai ishte sëmurë dhe e kishin çuar në poliambulancë. U merrakosa. Nxitova dhe me një frymë ngjita shkallët e katit të dytë ku bënin vizitat mjekët e ndryshëm. Në korridorin gjysmë të errët dallova siluetën e një vajze, që rrinte e ndrojtur dhe e pështetur pas murit. Te këmbët e saj ishte edhe një stol i gjatë nga ata të lulishteve, por që ishte i lyer me ngjyrë kafe. Në fillim nuk e njoha. Sapo i kisha ngjitur shkallët, me një frymë, ate pasdite të thellë, ku mungonin pacientet.
– Mos u tremb. Xha Zequa është mirë. Po e viziton doktor Xhevdeti. Është dhe mamaja jote aty brenda.
Nuk i kisha vënë rëndësi vajzës që qëndronte e mbeshtetur pas murit, por zëri i butë i saj, që rrezatonte vetëm mirësi, më bëri që të qëndroj në vend. Nuk do ta mendoja asnjehere që Drita Çomon do ta takoja në këto situata dhe në një vend të tillë. Isha përpara saj. Nga breda dhomës së vizitave dëgjova zërin e Xhevdet Xhelos, që ishte vëllai i Halimit, ish gjeneral. Ai bënte gjithmonë shaka me tim atë, pasi babai kishte qenë shok e mik i Halimit qysh gjatë luftës partizane. Madje, kishte bërë edhe shoqëruesin e tij për të disa vite pas çlirimit. U qetësova. Shikova nga vajza që rrinte ende në pozicionin e saj tek muri dhe më erdhi mirë që me tha ato fjalë. Për një çast m’u duk sikur e humba. Nuk dija se çfarë t’i thosha asaj vajze për të cilën, tashmë, për sëmundjen e saj diskutonte i gjithë qyteti.
– Do të marr një recetë te doktor Xhevdeti – tha me një zë të ulët e intim sikur të ishim njohur prej kohësh.
– Ti je poete -i thashë dhe ndjeva se u emocionova. – Të kam lexuar një poezi.
Dallova që vuri buzën në gaz. Pastaj heshti për një çast. M’u duk mosbesuese nga përcaktimi im. Vërtetë që nuk i besoi fjalët e mia.
– Unë nuk shkruaj. Lexoj, po.
– Më ka rënë në dorë një poezi e juaja. Nuk më kujtohet se në ç’rrethana, por më ka pëlqyer.
– Nuk besoj se do të ketë qenë e imja pasi unë nuk kam shkruar.
Ajo mund ta vazhdonte ligjëratën që do të tirrte dhe do të mohonte vargjet që kisha lexuar dikur, por një kërcitje dere u duk se e trëmbi. Madje e struku më shumë atje në mur dhe në gjysmë errësirën e atij korridori.
Xhevdet Xhelua u dha në derë me bluzën e bardhë të mjekut dhe stetoskopin e hedhur në supin e majtë. Kishte një zë si bubullime.
– Gazetarin e paskemi këtu. Është merakosur. Dil, Zeqooo! I lemerise fëmijët. Ler duhanin dhe nuk ke asgjë. Do që të rrosh? Hiqe mavrinë!
Pas tij doli edhe nëna. Doktori i ishte afruar tashmë Dritës. Po e pyeste për kurën dhe ilaçet. Atë nuk po e dëgjoja më. Doli edhe im atë. Ai kishte kaluar një atak të thellë azmatik në shtëpi.
– Si je, moj çupë? – pyeti nëna ime kur doktori u kthye për në dhomën e tij të vizitave, që të përgatiste receten, për Drita Çomon. Tjetra u duk se i u pergjegj, por nuk u mor vesh se çfarë tha.
I futi krahun babait dhe doli te shkallët.
– Po rri, moj grua, na lerë rehat. Këtu kanë veshë edhe muret – tha im atë duke e ulur zërin në fjalët e fundit. Hodhi vështrimin përreth e zbriti me ngadalë deri në katin e parë.
***
“Dritë që vjen nga humnera” është libri me poezi i Drita Çomos, që erdhi në duart e lexuesit, pas rrëzimit të diktaturës. Ai m’u duk si një vegim i largët i një jete që nuk egziston më. Drama e një adoleshenteje, e një vajze që vuante një “faj” të pafajshëm në një kohë absurdesh. Mbase që nga lindja e saj. Histori rrënqethëse persekucionesh që përtypeshin në ingranazhe të çuditshme të një mekanizmi vrastar çdo minute, ditë dhe orë… Ishte një kohë…
Një mbrëmje pa drita, një vit më vonë, pas rrezimit të diktaturës, nxitoja që të kthehesha në shtëpinë time, në Elbasan. Ishin kohë me trazira. Nga cepi i bankës, aty ku kryqëzohen katër rrugë, në qendër të qytetit, përballë Bashkisë, një zë që erdhi nga errësira, më bëri të qëndroj hapat. Dallova hijen e një njeriu të krrusur, që erdhi ngadalë pranë meje. Kuptova se kërkonte që ta ndihmoja. Më pyeti se si mund të shkonte drejt ish postës së vjetër. Vetem kaq. Zëri m’u duk si i njohur, por nuk mund ta kujtoja atë çast.
Ndërsa u afrua dallova siluetën e një çanteje që ishte gjysmë e varur dhe pastaj portreti i njeriut të natës më solli ndërmend Liri Belishovën.
– Uaaa! – bëri ajo e habitur duke e zgjatur zërin. – Djali i madh i ….Si të kam, mor bir? – U afrua që të më jepte dorën.
– A më përcjell pak deri te posta e vjetër, se nuk orientohem dot. Është edhe natë
tani, pa le. Plakë jam dhe e pamundur, siç e di dhe ti. – më kërkoi ndihmën time, pasi më kishte pyetur me radhë për të gjithë njerëzit e shtëpisë, atje në Cërrik. E çova. E dija se do të vinte te kunata e saj, e cila punonte si gjeometre në ish komunalen e Elbasanit, por unë nuk i rashë në sy. E dija se ajo atje banonte. Madje, ishte gruaja që e kishte shoqëruar arkivolin e së bijës, disa vite më parë. Liri Belishova për këtë punë duhej të kishte ardhur: për të takuar të bijën në varrezat e Cërrikut. Atje ishte ende ajo, në një pllajë, në të hyrë të qytetit, kur vjen nga Elbasani, ndërsa familja, tashmë, ishte sistemuar në Tiranë. Kjo kishte ndodhur pas rënies së komunizmit.
Varrin e Drita Çomos e kam parë edhe disa vite më pas. Si gazetar u ndodha aty kur ish pronarët kishin bllokuar gjithë procesionet mortore të Cërrikut. Nuk lejonin të bëhej më asnjë varrim në tokat e tyre. Sherr me Bashkinë e qytetit.
Nuk e mbaj mend se kush ma vuri përpara librin me lirika të Drita Çomos. U befasova, por edhe u gëzova njëkohësisht. Për të qenë i sinqertë, asnjëherë nuk më kishte shkuar mendja se autoria e një lirike maji, që shkruante me aq ndjenjë: “një natë pa henë”, e cila më kishte emocionuar së tepërmi në atë kohë, do ta shihja në ballinën e një libri. Do të më emociononte sërish me të njëjtin intensitet, si atëherë, përpara një dekade e gjysmë. Më solli një kujtim të largët. Historia dhe jeta e një vajze që jetoi së bashku me familjen e saj persekucionin më të egër që lamë pas. Brenda saj është jeta. Është drama e papërsëritshme, jo vetëm e një grushti njerëzish që figuronin në listat e zeza të internimeve e dënimeve makabre, por e një kombi. Kemi jetuar marrëzinë e madhështisë sonë false.
Më duket se Drita Çomo, aty, ka thënë shumë gjëra, për të mos thënë, të gjitha. Ato që na kanë munguar, por edhe jetën që e jetuam ndryshe. Nuk e di, por që atëherë kam menduar se komshija ime ” gojëprerë” duhej të mbante ditar. Të mbante ditar për të thënë të pathënat që nuk mund t’i thoshte dot, por edhe për ne që kishim “lirinë”, që në thelb na mungonte. Atë na e kishin vrarë dhe na e vrisnin çdo ditë, çdo orë e çdo minutë.
“Dritë që vjen nga humnera” është, në thelb, ditari për ditët që ikën, por edhe për ato që do të vijnë. Tani, më pas, shpesh vras mendjen dhe si në një celuloid filmi më kalojnë ato vite, ato ngjarje, që realisht më trishtojnë dhe përpara syve më del vajza me emrin Drita Çomo, me buzëqeshjen si një karafil në buzë. E çiltër dhe me botë të madhe. E ndjeshme si një fije bari…
Sapo i kishte kaluar të njëzet pranverat e një jete brenda katër mureve të shtëpisë. Portreti dhe imazhi i saj ende nuk më hiqet nga mendja….
Por shteti, aso kohe, kishte shpikur një mekanizëm, pa pushkë e plumb, pa karrike elektrike: izolimin dhe vetminë. Të dyja të vrisnin njësoj. Ky mekanizëm mjerisht funksionoi dhe mori me dhjetra e qindra jetë te pafajshme. Edhe Drita Çomon. Ajo kishte shumë këngë që i buronin brenda kraharorit të brishtë.
… dhe kënga e fundit e mjelmës:
Të jesh kudo i tepërt, i huaj
Mik i paftuar në botë, hije
Pa një kujtim që të bëjë të vuash
Pa një shpresë, për atë që do të vijë…
Dhe pastaj … humnera…ku e rrezuan atë.
Në vend të Epilogut
Ka qenë muaji Mars. Fillim pranvere, këtu në Bordonë e largët, dy vite të shkuara, në librarinë më të madhe të rregjionit të Akëtenës, “MOLLAT”, hyra që të ndjek botimet e reja. Natyrisht edhe autorë të rrinj . Instikti, por edhe nostalgjia për miqtë e mi krijues e të fushës së letrave, me çoi te stenda e letërsisë shqiptare. Disa muaj më parë isha takuar, në kinemanë e një qyteti të vogël, me Besnik Mustafain. Kishim folur dhe diskutuar, si dy të njohur të vjetër, por edhe si dy “shqiptarë të vërtet”. Atëherë biblioteka e këtij qyteti kishte organizuar një sërë takimesh me lexues francezë dhe më erdhi mirë që një shkrimtar shqiptar shpërndante, me autografe, librat e tij në gjuhën franceze. Në “Mollat” kisha gjetur edhe librat e tij, krahas romaneve te Kadaresë, por edhe të Fatos Kongolit, mikut tim të vjetër.
Ndërsa kërkoja autorë të tjerë, gishtat u fiksuan te një libër më i hollë. E tërhoqa me kujdes nga etazheri që kishte të shënuar: “Letërsi shqiptare” dhe lexova me kujdes: “Cette leur qui monte de l’abime”. Tradui de l’Albanais par Edmond Tupia. (Monaco), Paris 2004. 139 f.
Një muaj më vonë, në të njëjtin vend, te Lettre Albanais “Mollat”, mungonin dhjetë kopjet e librit të Drita Çomos. Së bashku me një keqardhje provova edhe një ndjenjë gëzimi: ato tashmë ishin në duart e lexuesit francez. Mjelma ka patur se çfare të tregojë në këngën e fundit të saj.