“DRITA E ARBËRISË” ME 335 PJESEMARRËS FESTOI DITEN E FLAMURIT NË LYNNWOOD, WASHINGTON/
Nëntori, tashmë, është muaji që i mbledh shqiptarët në Washington “rreth Flamurit të përbashkuar më një dëshirë e një qëllim.” Kështu ndodhi mbrëmjen e së dielës, më 20 nëntor 2016. Në Lynnwood Convention Center u mblodhën 335 vetë për të kremtuar 104-vjetorin e Shpalljës së pavarësisë së Shqipërisë—DITËN E FLAMURIT.
Organizuar nga Shoqata Shqiptare Amerikane “Drita e Arbërisë—DEA”, në një ambient të bukur, të stolisur më shije e hijeshi me shenja e simbole kombetare, qe ishte shndërruar në një simfoni të ngjyrave kuq e zi, me Flamurin shqiptar dhe atë amerikan, që shkëlqenin, bashkë me fytyrat e njerëzve të gëzuar, në një harmoni të mrekullueshme.
Kremtimi u hap nga zonja Migena Kocaj dhe z. Kujtim Markokaj, të cilët u shprehën mirëseardhjen bashkatdhetarëve të dashur, miqve e të ftuarve, si dhe të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen: Gëzuar Ditën e Flamurit!
Migena: “Sa mire kur jemi të gjithë bashkë! Sa gjëra të bukura mund të bëhën. Tashmë kjo festë po kthehet në një traditë të bukur për komunitetin tone, për të festuar e gëzuar së bashku.”
Kujtimi: “Mirënjohje të gjithëve për pjesëmarrjen dhe përkushtimin në çdo mënyrë, talent e kontribut në organizimin e përvitshëm të këtij aktiviteti që na mbledh në një identitet, në një gjak, në një këngë e në një valle.”
U bë pastaj nderimi i hymneve të SHBA dhe të Shqipërisë si dhe kujtimi e nderimi i dëshmorëve të kombit që flijuan jetën e tyre për Shqipërinë e lirë e të pavarur!
Ndërkaq, Ferhat Ymeraga, kryetar i shoqatës DEA, si dhe zonja Sava Simbe, antare e kryesisë së shoqatës, mbajtën fjalën e rastit në shqip dhe anglisht, respektivisht. Midis të tjerash, ata thane:
“ Njëqind e katër vjet më pare, më 28 Nëntor 1912, baballarët e kombit në krye me Ismail Qemalin, shpallën Pavarësinë e Shqipërisë. Kështu, përfundoi nata e gjatë e pushtimit Otoman dhe Shqipëria doli në dritë. U rilind! U rilind bashkë me Flamurin e Gjergj Kastriotit-Skenderbeut.
Jemi mbledhur sonte këtu që të kujtojmë e nderojmë bijat e bijtë më të shtrenjtë të Atdheut që dhanë jetën e tyre që Shqipëria të jetojë! Ata dhe ato ranë fli në altarin e lirisë, më besimin dhe vizionin se:
Nga Tivari në Manastir, nga Presheva në Prevezë,
Nga Shkodra në Janinë, nga Kosova në Çamëri
Është Shqipëri! Është Atdhe! Është Arbëri!
Flamuri Kombëtar është Formula e Pagëzimit e idealeve të Lirisë e Bashkimit!
Le ta pagzojmë të gjithë së bashku këtë Ditë të Shenjtë të rilindjes së Shqipërisë, të lirisë e të Flamurit shqiptar që Atdheu të jetojë i bashkuar, i lumtur dhe i përparuar brez pas brezave.
Zoti ju bekoftë juve dhe Shqipërinë!
Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara t’Amerikës dhe botën!”
Programi muzikor – argëtues filloi me “O këngë e valle o ka sot Shqipnia, përgatitur nga Monda Malaj Markokaj,valle e cila, pasuar nga grupi muzikor – folklorik i burrave, shërbeu si prelud para prezantimit të këngëtares së adhuruar, Irma Libohova, përcjellë në sintesajzer nga Genti Cekorja.
Irma Libohova, me zërin e saj të bukur, me repertorin e pasur të këngëve dhe më gjallërinë e interpretimit të saj artistik, e ndezi atmosferën në sallë. I madh e i vogël u ngritën të vallëzonin në simfoninë e gëzueshme të ngjyrave (ku dominonin ato kuq e zi), dhe nën magjinë dehëse të këngëve shqipe dhe melosit të admirueshëm shqiptar. Nuk kishte mure. Nuk kishte kufij. Nu kishte ndasi. Vetëm një Atdhe! Vetëm një Shqipëri! Një Shqipëri që mblodhi në gjirin e saj jo vetem bashkatdhetarë e miq amerikanë, po dhe miq të tjerë të rracave të ndryshme të rruzullit, që merrnin pjesë në kujtimin e nderimin e ngjarjes qendrore të historisë moderne shqiptare të shekullit të XX.
Që nga viti 1999, qëkur festohet rregullisht Dita e Flamurit në Seattle, ishte ky manifestimi më masiv. Nuk e dimë me saktësi numrin e shqiptarëve në shtetin Washington, por përafërsisht një e katërta e popullatës shqiptaroamerikane ishte e pranishme në Festën Kombëtare. Patëm dhe bashkatdhetarë nga Oregoni, Vancouver-i i Kanadasë dhe nga Nevada.
Ky festim i lumtur ishte fryt i përpjekjeve të përbashkëta të komunitetit, të udhëhequra nga Këshilli Drejtues i Shoqatës “Drita e Arbërisë”, të cilët punuan me vetmohim e përkushtim (Kujtim Markokaj, Ilir Çerekja, Panajot Dhima, Sava Simbe dhe Ferhat Ymeraga.)
Fatmir Spahia e stolisi sallën me shije estetike spikatëse. Shumë sponzorë dhanë me zemërgjerësi donacione (një donator anonym, Ferhat Ymeraga, Monda Markokaj, Reald Markokaj, Tofe Xhurri, Alo Hoxhaj, Sava Hruska, Familja Sokoli, Arben e Lela Kullojka, Ben e Migena Kocaj, Valentina e Panajot Dhima, Desi e Ilir Çerekja, Gert Hajnaj, një donator anonim nga Korça, Bushat Ajdini, Klodi Gjoka, Edward Vogli dhe Viola Hoxha).
Kleon Tona e solli fotografin Emerson Carrillo, i cili fotografoi tërë mbrëmjen, duke kapur çaste të veçanta të haresë e gëzimit. Një pjesë e tyre mund të shihen në Facebook. Janë disa fotose që vërtet vlejnë më shumë se një mijë fjalë, dhe që shprehin bukurinë e magjishme të bashkimit kombëtar!
Një ndër pikat më të shkëlqyera të programit, ishte recitimi i poezisë “Gjuha shqipe” e At Gjergj Fishtës nga Kujtim Markokaj. që përçoi bukurinë e ambël të gjuhës shqipe të mishëruar në artin e papërsëritshëm poetik fishtjan.
Një mbrëmje e paharruar me ngjyra, zëra, melodi, ritëm, shije e aromë mahnitëse Shqipërie të përhershme! Një identitet që duhet ta ruajmë e celebrojmë sot e mot, sa t’jetë jeta në Tokë!
Për Shoqatën Shqiptare Amerikane DRITA E ARBËRISË – DEA në shtetin Washington
Ferhat Ymeraga
E hënë, 28 nëntor 2016
Kent/Seattle, Washington State